Home / REPORTAZH / Kostaq Dishnica rrëfen: Pse Korça ma vuri emrin “Koci i monumentit të diktatorit”
loading...

Kostaq Dishnica rrëfen: Pse Korça ma vuri emrin “Koci i monumentit të diktatorit”

Kostaq Dishnica rrëfen: Pse Korça ma vuri emrin “Koci i monumentit të diktatorit”

“Ditën e 20 shkurtit të vitit 1991 nuk isha në qytetin e Korçës. Aso kohe shkoja fshat më fshat për të shitur prodhime sheqeri, të cilat i përgatisja fshehurazi në shtëpinë time dhe po fshehurazi i shisja fshatrave të Korçës, Devollit dhe Kolonjës. Fitoja goxha lekë dhe në heshtje mendoja se isha një nga njerëzit më të pasur të Korçës. Edhe tani jam i pasur, e konsideroj veten milioner. Si prona private nuk ka asgjë të dytë në këtë botë. Madje për këtë gjë, për tregti pa leje, do të më dënonin rreth 13 herë me radhë. Herë dënohesha me 6 muaj, herë më pak, por mund të them se një pjesë e jetës më shkoi në burg.

Atë pasdite, ndërsa gjendesha në fshatin Podgorie bashkë me një mikun tim, Esat Çamin, dëgjuam se Korça po përgatitej për të rrëzuar monumentin e diktatorit Hoxha. Të them të drejtën u rrëqetha i tëri. Lajmi te disa njerëz përhapi frikë, te të tjerët ngazëllim, ndërsa pati edhe nga ata që nisën të thërrisnin: “Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura!”. Një ndjenjë gëzimi më pushtoi edhe mua. Nisa të thërrisja edhe unë: “Poshtë komunistët”! Tashmë e tutje, ai, diktatori, nuk do të më pengonte më të shisja prodhimet e mia. Isha i sigurtë që do të bëhesha i pasur, edhe pse në atë kohë isha 57 vjeç. Doja të isha patjetër edhe unë në rrëzimin e monumentit. “Ikim”, i thashë mikut tim, Esatit. Fatmirësisht atë çast u nis autobuzi i linjës. Më dukej sikur ai dreq automjeti lëvizte shumë ngadalë. Në mendjen time nisi të lëvrinte një ide: doja të pshurja mbi monumentin e diktatorit”. Kështu e nis rrëfimin e vet, Kostaq Dishnica, tashmë 76 vjeç, të cilin Korça e njeh me emrin “Koci i monumentit të diktatorit”, ndoshta për veprimin që bëri kur monumenti i Hoxhës ishte rrëzuar përgjithmon nga piedestali.

Udhëtimi

“Kisha nisur të ndihesha i shqetësuar, vijon të tregojë Koci Dishnica. A do të arrija në kohën e duhur? Frika se nuk do të isha atje kur monumenti do të rrëzohej më kishte kthyer në një njeri të çmendur. Lëvizja nëpër autobus dhe thërrisja: “Poshtë diktatura!”. Disa njerëz nisën të më vështronin me frikë, ca të tjerë me habi, por pati edhe nga ata që menduan se unë duhej të isha i lajthitur… Ndoshta isha shpërfytyruar i gjithi. Asgjë nuk mund të më përmbante në atë çast. Më vonë do ta kuptoja se ç’ishte gjithë ai mllef i mbledhur ndaj monumentit të dikatorit. Kishte qënë jeta ime që më thërriste për të shkuar atje. Doja të pshurja mbi monumentin dhe këtë gjë do ta bëja mes të gjithë njerëzve. Nuk kisha asnjë ide, se si do të silleshin të tjerët me mua. As që e mendoja këtë gjë. Aq më bënte. Po, po, duhej të kishte qënë jeta ime që atë çast po rebelohej. Kisha lindur në Korçë më 29 prill të vitit 1934. Babai, Dhori Dishnica në atë kohë punonte në një kafene. E ndihmonte vëllai im i madh, Pirroja. Unë do të behesha pjesë e kafenesë kur mbusha 16 vjeç. Kafeneja më pëlqente shumë. Nëna, Artemisa Dishnica thoshte se para çlirimit nga kafeneja siguronim më shumë të ardhura, tashmë gjithçka po mbulohej nga fukarallëku. Vëllai tjetër, Dhionisi, kur po afronte çlirimi i vendit, iku në Itali dhe nuk u kthye më. Fatkeqësisht u nda nga jeta në moshë të re. Nuk e pashë dot më kurrë. Ndoshta për të gjitha këto arsye dëshiroja të isha në çastin e rrëzimit të diktatorit, por ai dreq autobuzi lëviste shumë ngadalë. Ishtë një rragallë e vërtetë. I bërtita shoferit: “Ec shpejt”, por automjeti lëvizte gjithnjë njëlloj. Për mua ajo ngadalësi ishte një lloj vetëvrasjeje…”.

Afrimi

“Kishim filluar t’i afroheshim Korçës, kujton Koci Dishnica. Në atë kohë pashë grumbuj njerëzish që vinin nga fshatrat dhe po i drejtoheshin qytetit. Pati edhe makina të tjera që na parakaluan. Mua nuk po më mbante më vendi, por nuk kisha çfarë të bëja. Doja të hakmerresha për jetën time. Pas çlirimit punova 3- vjet si hekurkthyes. U bëra një zanatçi i vërtetë. Për këtë arsye me urdhër të Sekretares së parë të Komitetit të partisë në Korçë, Katina Starjes, më çuan të punoja si xhenerik në park. Nuk mund të them se në atë kohë më shihnin me sy të keq, por unë nuk mund të rrija dot pa bërë ndonjë punë private. Për këtë arsye gjithnjë do ta pësoja. Si xhenerik punova për dy apo tre vjet. Kisha vetëm 6 klasë shkollë, por pas përfundimit të ushtrisë, më dërguan në një shkollë 2-vjeçare për kuzhinier. Kjo kishte qënë ëndrra ime e vërtetë. Do të punoja në restorante dhe kafene, ashtu siç kishte punuar edhe babai im. Me të përfunduar shkollën 2- vjeçare nisa punë te restorat “Agimi”. Më vonë do të punoja edhe në shumë restorante të tjera. Megjithatë nuk kishte qënë e thënë që unë t’u shpëtoja peripecive dhe burgosjeve të herëpashershme. U dënova aq herë sa nuk mund të them se i mbaj mend dot të gjitha. Sa herë më arrestonin te sytë e fëmijve të mi shihja lotë. Trishtimi mbi fytyrën e gruas time nuk u nda asnjëherë. Në të vërtetë çdo gjë e bëja për t’i shpëtuar fukarallëkut. Gjitçka nisi në vitin 1962. Në këtë vit bëra burgun e parë. Qëndrova i burgosur për një vit të tërë. U dënova për suficit. Pas kësaj, burgu do t’i hapte dyert për mua herë pas herë”.

Në Korçë

“Më në fund autobuzi kishte mbërritur në Korçë, vazhdon rrëfimin e vet Koci Dishnica. Atë çast pata përshtypjen se kisha udhëtuar gjithë jetën time për të mbërritur deri aty. Nxitova drejt monumentit. Nuk ishte e lehtë të hyje mes njerëzve. Policët e kishin rrethuar gjithë turmën. Njerëzit e sigurimit lëviznin gjithandej. Qëllonin herë pas herë në ajër. Nuk ishte dhe shumë e qartë se çfarë po nodhte. Dëgjoheshin thirrje të frikshme. Njerëzit me uniformë thërrisnin: “Largohuni se do të qëllojmë!” Zëra të tjerë u bënin thirrje njerëzve: “Jepini se po bie… edhe pak, edhe pak… tërhiqeni më fort…”. Nuk e dija a do të arrija dot në kohën e duhur. Nisa të thërrisja: “më prisnin edhe mua, më prisnin edhe mua”, por askush nuk më dëgjonte. Pas kësaj nisa të shtyja njerëzit duke u thënë: “hapuni se dua të jem atje, hapuni, mos më pengoni…”, por edhe kjo gjë nuk ishte e lehtë. Isha shumë afër me monumentin , por nuk po arrija dot. Tashmë qëllimi im ishte të mbërrija në kohën e duhur dhe të pshurja mbi monumentin. Ndoshta atë çast dikush nga njerëzit e sigurimit do të qëllonte mbi mua dhe sipas gjasave mund të mbetesha i vdeukr në vend me “allatet” përjashta. Por kjo nuk kishte asnjë rëndësi për mua. Vetëm kaq doja të bëja dhe asgjë më shumë. Ndoshta nga që dikatura ma kishte nxirrë jetën. Në vitin 1963, kur sapo kisha dalë nga burgu më dënuan përsëri. Sërish më dënuan për suficit. Kur dola nga burgu nuk më lanë të punoja si kuzhinier. Më dhanë një rrabë dhe më thane se tani e tutje do të shpërndaja pije freskuese nëpër dyqane, por sërish nuk më lanë të qetë…”

Agjitacion dhe propagandë

“ Hallet e mia nuk do të përfundonin kurrë. Fëmijët gjithnjë do të lotonin dhe ime shoqe gjithnjë do të mbetej e trishtuar. Ndryshe nga herët e tjera, njerëzit e sigurimit më kishin përgatitur një kurth tjetër. Në orët e vona të mbremjes, në zyrat e ndërmarrjes, u thirr një mbledhje. Erdhën në shtëpi dhe më morën që të isha dhe unë atjë. Kur hyra brenda vura re se kishin ardhur edhe njerëz nga dega e brendshme. Ishte dhe një prokuror. Sapo nisi mbledhja, në emër të popullit, më arrestuan në sy të të gjithë njerëzve. Ishte 21 maj i vitit 1975. Akuza ishte për agjitacion dhe propagandë, për tentatvë arratisje në Greqi dhe grupazh. Mbeta i habitur. Nuk po u besoja veshëve. Nuk kisha menduar kurrë të arratisesha, nuk kisha folur asnjëherë kundër pushtetit popllor, sepse as që më shkonte mendja që unë të kisha qënë aq i fortë sa të rrëzoja pushtetin. Kisha vetëm 6 klasë shkollë dhe një shkollë 2 vjeçare për kushinier, asgjë më shumë. Po ku ishte grupi im i përmbysjes së shtetit! I arrestuari isha vetëm unë. Ku i kisha shokët ë tjerë! Për muaj të tërë u përpoqën të më vërtetonin akuzat, por nuk mundën. Së fundi, më dënuan vetëm me 2 vjet burg. Nuk mund ta harroj dot kurrë ndihmën që më dha kunati, burri i motrës time, Arqile Kola. Në atë kohë ai ishte drejtor i ndërmarrjes së tregtisë. Megjithatë burgosje të tjera më prisnin”.

Rrëzimi i monumentit

“Ajo çka kisha menduar m’u realizua. Kisha mbërritur te monumenti pikërisht në kohën kur u rrëzua. Ishin të shumtë njerëzit që dëshironin të hakmerreshin me të. Secili e shprehte urrejtjen sipas mënyrës së vetë. “Hapuni”, thirra unë. Ndoshta kisha thirrur shumë fort. Të gjithë vështruan nga mua. Shumica më njihnin. Vetëm për burgosjet e herëpashershme isha kthyer në legjendë e Korçës. Po, po, të gjithë i dinin burgosjet e mia. Si dola nga burgu për agjitacion dhe propoagandë, më dënuan sërish me 6 muaj burg, por unë sërish nuk do të hiqja dorë nga puna private. Gjithë natën përgatitja ëmbëlsira dhe pastaj nisesha për udhë fshatrave të Korçës, Devollit dhe Kolonjës për të shitur karamele sheqeri dhe stapka. Por kur kthehesha në mbremje, në Korçë më dilinin njerëzit e sigurimit përpara dhe më çonin në burg. Herë pas herë dënohesha nga 6 muaj. Sërish do të vazhdonin dënimet e mia, nëse diktatori nuk do të rrëzohej. Të gjitha këto do t’i kujtoja pas rrëzimit të diktatorit, sepse në atë çast synoja vetëm të mbërrija te monumenti. Sigurisht që kisha thirrur shumë fort. Njerëzit që rrethonin monumentin ngelën një çast të shtangur. Ata që më njohën nisën të thërrisnin: “Koci… Koci… Koci…”. Prisnin të shihnin se çfarë do të bëja unë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak: do të bëja atë që kisha menduar që në çastin e parë, kur mora lajmin se Korça do të rrëzonte monumentin e diktatorit Hoxha. Shkopsita “dyqanin” dhe nisa të pshurja mbi monument. U dëgjun të shtëna armësh, thirje paralajmëruese nga njerëzit e armatosur dhe ngazëllime njerëzish. Unë po pëshurja mbi monumentin e rit. Sërish u dëgjuan thirrje: Koci… Koci… Koci… Turma nuk mund të përmbahej nga asgjë. Atë çast çdo veprim ishte i ligjshëm”

Lehtësimi

“Nuk e di pse atë çast u ndjeva tepër i lehtësuar. Monumenti i diktatorit ishte i shtrirë përdhe. Ai nuk ishte i zoti të lëvizte, nuk ishte i aftë të më burgoste përsëri. Nuk do të kisha më rast që t’i shihja fëmijët duke lotuar, nuk do të shihja më trishtimin e gruas time. Tashmë e tutje do të punoja si privat. Fëmijët e mi do t’i rrisja me punën time. Kam dy vajza dhe dy djem. Që nga viti 1991 jetojmë të lumtur. Të them të vërtetën ndihem i pasur, e konsideroj veten milioner. Si puna private nuk ka gjë më të mirë në këtë botë”. Me këto fjalë e mbyll rrëfimin e vet, Kostaq Dishnica, njeriu që në Korçë njihet si “Koci i monumentit të dikatorit”.

Në rrëzimin e monumentit morën pjesë mijëra njerëz. Shumë prej tyre kanë mbetur anonim, për disa të tjerë është thënë shumë, por Koci Dishnica ndoshta nuk do të harrohet ndonjëherë…, qoftë edhe për çmendurinë e tij… Vetëm atë ditë morën fund burgosjet e tij të herëpashershme, por edhe burgosjet e mijëra njerëzve të tjerë.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...