Home / BOTIME / Konceptimi dhe mishërimi artistik i gjëegjëzave
loading...
Gjegjeza
Gjegjeza

Konceptimi dhe mishërimi artistik i gjëegjëzave

Konceptimi dhe mishërimi artistik i gjëegjëzave

Libra me gjëegjëza për fëmijë
nga Agim Bajrami, Kosta Raka, Arben Shaholli, Shkëlzen Zalli dhe Pëllumb Agolli

Përcaktim: Gjëegjëzat janë një gjini e veçantë letraro-artistike, tepër tërheqëse për shkak të trajtës dialoguese, vlerave njohëse, trajtimit artistik të objekteve; janë perifrazime të kuptimit të një sendi apo dukurie që mund të paraprihen ose mund të pasohen nga pyetja që kërkon përgjigje nga dëgjuesi ose lexuesi.

Gjëegjëzat janë pjesë e thesarit të madh të folklorit dhe, para se radioja dhe televizori të hynin në masë në familjet shqiptare, ato zinin një vend të rëndësishëm në mbrëmjet e familjeve e më gjerë, ishin pronë e të gjitha moshave. Depërtimi i mjeteve audiovizive i detyroi gjëegjëzat të mënjanoheshin nga pozicioni i parë dhe të përshtateshin me kohën duke bërë disa ndryshime të mëdha: të ndërronin regjistër duke kaluar nga komunikimi gojor në atë libror, disa të ndërronin gjininë letrare nga prozë në poezi, të kalonin nga produkt i anonimatit në produkt të krijuesve të njohur, ta kufizonin pjesën demografike vetëm tek fëmijët dhe të përdornin struktura kuptimore shumë të afërta me objektin ose dukurinë.

Gjëegjëzat janë ushtrime logjike të kujtesës dhe logjikës, madje ka dhe nga ato në trajtë problemesh aritmetike. Me që në të kaluarën përcilleshin gojarisht, për t’u mbajtur mend, ato shfrytëzuan rimat poetike dhe shpesh u mbështetën mbi fjalë onomatopeike. Disa nga përrallat tona kanë patur aty-këtu parashtrimin e një gjëegjëze që përcaktonte zgjidhjen e fabulës çka e bën të hershme moshën e këtyre krijimeve. Ato dokumentohen të shkruara në vitin 1853 me botimin e Hahnit, do të shënojnë një përmbledhje më të gjerë me “Bletën shqiptare” të Thimi Mitkos më 1878 dhe “Valët e detit” të Spiro Dines më 1908.
Zihni Sako në botimin e dytë të përmbledhjes me gjëegjëza në vitin 1968, bën këtë klasifikim:

1) Njeriu,
2) Puna dhe mjetet e punës,
3) Banesa,
4) Ushqimet dhe pijet,
5) Veshja,
6) Mjetet kulturore dhe artistike,
7) Mjetet e komunikacionit dhe të ndërlidhjes,
8) Mjetet e luftës,
9) Pemët dhe bimët,
10) Kafshët, shpendët dhe insektet,
11) Koha, qielli, toka, fenomenet atmosferike,
12) Gjëzat problemore.

Në gjysmëshekullin e fundit trajtimi i objekteve dhe dukurive të njohura bëhet duke u fshehur pas përshkrimeve që afrohen me to ose që përmbajnë funksionin e tyre. Krijuesit e sotëm po orientohen gjithnjë e më shumë drejt vlerave njohëse dhe edukative duke futur elementë të historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë.
Botimet që kemi marrë në vëzhgim synojnë pasurimin e fondit ekzistues me objekte dhe karaktere të reja, ndërkohë që janë larguar prej saj gjurmët e sferës fetare.
Çfarë synojnë gjëegjëzat që po shqyrtojmë?

Së pari, të verifikojnë përvojën e grumbulluar nga fëmijët për kafshët, sendet dhe karakterët që i rrethojnë,
Së dyti, të sjellin informacionin që mund t’u mungojë atyre,
Së treti, të përcjellë me ton gazmor e dashamirës vlera estetike.
Nga një inventar i gjëzave del se të pestë autorët së bashku kanë sjellë më shumë se 260 njësi kuptimore, kurse një sprovë klasifikimi i tyre mund të ishte kështu:

1.Artikuj dhe orendi shkollore, dukuri të procesit mësimor: abetarja dhe alfabeti, biblioteka dhe kompjuteri, libri dhe çanta, karrigia dhe tavolina, lapsi, stilolapsi dhe fshirësja e gomës, gënjeshtari dhe grindaveci, dembeli, llafazani dhe mburraveci, mësuesi, shkolla dhe notat.

2.Pjesëtarë të familjes, artikuj dhe orendi shtëpiake: ora dhe akrepat e saj, çadra, gota dhe çajniku, çelësi dhe bastuni, dritarja, fotografia dhe pasqyra, radioja, telefoni dhe televizori, frigoriferi dhe lavatriçja, nëna dhe gjyshja, nipi dhe gjyshi, jastëku, shtrati dhe gardëroba, kova, kukulla dhe lodrat, luga dhe piruni, masha dhe perustia, biçikleta dhe motoçikleta, sfurku dhe kosa, tullat dhe tjegullat.

3.Kafshë shtëpiake dhe të egra, shpendë dhe insekte: ariu dhe kaprolli, bilbili dhe dallëndyshja, xixëllonja, bleta dhe mushkonja, bretkosa dhe breshka, korbi, kukuvajka dhe bufi, delja dhe dashi, delfini, derri dhe dhia e egër, ujku dhe dhelpra, elefanti dhe luani, kanguri dhe gjirafa, gomari, zebra dhe kali, gjarpri dhe gjinkalla, iriqi dhe lepuri, foka dhe krokodili, milingona dhe karkaleci, pula dhe këndesi, lopa, lejleku dhe lakuriqi i natës, macja dhe qeni, ketri, majmuni dhe rinoqeronti, peshku dhe ngjala, qukapiku, pëllumbi, skifteri dhe shqiponja.

4.Bimësia: arra dhe gështenja, gruri dhe hardhia, hithra dhe kungulli, luledelja dhe luledielli, patatja dhe shalqini, palma dhe pambuku, manaferra dhe trëndafili, pisha, shega dhe ulliri.

5.Mjete dhe makineri: avioni dhe anija kozmike, makina, autobuzi urban dhe treni, mulliri dhe ura, varka dhe vapori

6.Komponentë të natyrës: deti dhe oqeani, era dhe retë, ujëvara, lumi dhe liqeni, shiu, dëbora dhe dimri, dielli dhe hëna, pylli dhe mali, koha dhe stinët, toka dhe yjet, vullkani dhe ylberi.
Siç duket, disa nga grupet që shënonte prof. Z. Sako, kanë dalë nga përdorimi dhe të tjera njësi shtohen brenda grupeve ekzistuese. Zalli në librin “Gjëza për t’u gjetur” ka përfshirë disa toponime që kanë vlerë të shtuar për njohjen e Shqipërisë, si Valbona, Rozafa, Berati; Zalli dhe Raka kanë sjellë edhe figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti; Raka sjell flamurin kombëtar, Agolli sjell Shqipërinë, partizanët, dëshmorët.
Nga ky inventar kemi veçuar vetëm gjëzat që i gjejmë të pakën në tre autorë të ndryshëm për të parë si perceptohen nga krijuesit sendet dhe dukuritë, cila është struktura e tyre, në ç’nivel është arti i përcjelljes së informacionit dhe si e kërkojnë përgjigjen nga lexuesi i vogël.

Avioni. Agolli bën formulimin më lakonik “Uturin, ngjitet përpjetë/ Që të fluturojë mbi retë.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.81) Raka i përmbahet përfytyrimit të vjetër “Me dy krahë e një helikë,” (Gjëegjëza, f.26/4), kurse Shaholli përveç informacionit ka dhe pyetje “Vrapon shpejt në rrugë të gjata,/ Nëpër qiell, përmbi re./ Tym të kaltër lëshon prapa…Do ta gjejë kush nga ne?” (Gjëegjëza f.12)

Bleta. Bajrami e jep me dy strofa dhe në inventar futen lulet, poleni, mjalti, koshered; Raka ka po këtë inventar por në një strofë, kurse Agolli sjell dy gjëza, njërën prej të cilave e lidh me pickimin “Po e ngacmove kur punon,/ Nuk të fal fare, të pickon.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f. 10)

Dallëndyshet. Raka dhe Zalli ruajnë karakterizimin e njohur “bishgërshërë”, por ky i dyti e ka pasuruar me metaforën “kartolinë nëpër erë” dhe me personifikimin “Na flet me cicërima/ hiqeni marsin nga shpina” (Gjëza për t’u gjetur, f.21), Agolli e jep me paralelizmin “vjen me pranverën.”
Dielli. Bajrami risjell thënien “Ku hyn dielli nuk hyn mjeku”, Raka ka dy gjëza për të dhe tek e dyta ka një enumeracion të bukur “As nuk laget e as nuk lyhet,/ As nuk griset e as nuk thyhet,/ Por kur lart ai ngjitet,/ Djersa ballit nuk na shqitet! (Gjëegjëza, f.66/4); Shaholli e lidh me moshën “Mijëra shekuj që ka lindur,/ Për çudi nuk bëhet plak!”; ndërsa Agolli i përmbahet formulimit tradicional “Pa dru e pa furrë,/ Ngroh e s’shuhet kurrë.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.63)
Dritarja. Bajrami dhe Agolli veçojnë ajrimin, kurse Zalli zgjedh një gërshetim të gjëzës me vjershën “Natën mbulon syrin,/ Me perde të bardha,/ Vështrimi i qelqtë,/ Mbushet me përralla./ Në të gdhirë fëmijët,/ E hapin n’çdo kat,/ Vërshon nëpër dhoma,/ Agimi me fllad.” (Gjëegjëza f.22)
Hëna. Raka bën dy krahasime të bukura “Rrumbullak si topi,/ E ndritshme si flori”; edhe Shaholli e fillon bukur “Si limoni lart në qiell,/ Pa pushuar udhëton”, por dy vargjet e tjera toleron në informacion “Ditën dritë merr në diell,/ Kurse natën zë ndriçon.” (Gjëegjëza f.16); Agolli sërish vjen lakonik me një varg të vetëm“Tokës sonë i vjen vërdallë” sepse vargu tjetër përbën pyetjen.
Iriqi: Raka e vështron si raport me gjarprin, Agolli me funksionin e gjilpërave, kurse Shaholli ka një kompozim më të zgjedhur “Si gjilpëra që gjep gjyshja/ Ka me mijëra në kurriz,/ Po, kujdes, s’preket me duar,/ Se të shpon, s’të gudulis.” (Gjëegjëza f.48)
Kompjuteri. Shaholli e shikon si proces historik zhvillimi: laps, makinë shkrimi, kompjuter; Agolli e vështron si burim të dhënash; kurse Bajrami jep më shumë informacion “Me një maus dhe ekran,/ Para vetes shpesh të mban./ Të mëson e s’lodhet fare,/ Është për botën një dritare./ E ka trurin plot me dije,/ Mik i ngushtë i çdo fëmije.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.5)
Lepuri. Agolli vjen me dy gjëza, njëra nga të cilat sipas modelit tradicional “Ka veshë të gjatë po s’është gomar,/ Përmbi shpinë s’mban samar.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.32); Zalli e fillon bukur duke përdorur dy onomatope që në vargun e parë “Fiu” në shkurre, “pup” në bar,/ Kur e ndjek ndonjë zagar…” pastaj zgjatet pa dobi duke u marrë me një histori të supozuar; Raka rimerr binomin lepur-ferrë, por s’dihet pse zagarin e shkëmben me qen “Është i shpejtë porsi era,/ Veshët ngre kur lëviz ferra,/ Dhe kur qenin ai dëgjon,/ Me kërcime nis vrapon!” (Gjëegjëza f.21/4)

Libri: Raka dhe Shaholli u përmbahen vlerave që ka libri, kurse Agolli sjell edhe një gjëzë të dytë me brumë nga tradita “Fletë mbi fletë si një byrek,/ Por që s’hahet, dot s’e pjek.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f. 120)
Lopa. Agolli dhe Shaholli e vështrojnë në rrafshin utilitar, si prodheuse qumështi, kurse Bajrami sjell një informacion shtesë duke kapërcyer kufijtë e Shqipërisë “Në Indi dhe Bangladesh/ E nderojnë si perëndeshë.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.31)
Luani. Bajrami gërsheton gjëzën me poezinë “Kur fillon të hungërijë,/ Shkretërtira frymën mban,/ Zebrat dridhen si fëmijë,/ Dhe ia mbathin anembanë./ Dhëmbë çelik e krifëgjatë,/ Gjahun shpesh ia vrasin gratë./ Më i forti në planet,/ Katër buaj i bën petë./ Jo më kot e quajnë mbret.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.10). Raka i përmbahet konceptimit popullor “Gjithë kafshët e respektojnë”, kurse Agolli të befason me krahasimin e tij “Dhe i bukur si një yll.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.36)
Lumi. Shaholli dhe Raka i përmbahen konceptimit tradicional “si gjarpër”, Bajrami shton vërshimin dhe dëmet e tij, Agolli dhe Raka shtojnë edhe urat mbi të.

Majmuni: Bajrami, Raka dhe Agolli pohojnë lidhjen e majmunit me pemën, por Bajrami sjell më shumë lirizëm e ngrohtësi. “Ngjajnë si njerëz por me lesh/ Më mistreca s’mund të gjesh,/ Me shoku-shokun zihen shpesh/ Sa mbi pemë dhe sa në shesh,/ Akrobatë dhe balerinë,/ Me një dorë majë degës rrinë.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.44)
Milingona. Bajrami, ndryshe nga Raka dhe Agolli, shikon koloninë e milingonave “Mbledhin grurë dhe thërrmija,/ Dhe i çojnë me vrap tek shpia./ Ku shkon njëra, shkon dhe tjetra,/ Radha zgjatet në kilometra.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.30)
Miu. Raka e vështron në raport me macen, ndërsa Zalla dhe Agolli e kanë parë në raport me njeriun, po vargu i Zallit është i rënduar, kurse i Agollit është i shkurtër e dinamik “Ka veshë të vegjël/ Edhe bisht të gjatë,/ Ai kër-kër-kër/ Bën ditë e natë.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.41)

Mushkonja. Bajrami nuk ka arritur ta realizojë atë që ka dashur; Zalli vjen sërish me një varg të gjatë, pa theksa ritmikë; Raka ka vendosur lidhjen me moçalin; kurse Agolli ka thënë gjithçka me dy vargje “Vërtitet natën si helikopter,/ Na ulet mbi trup e gjak na merr.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.42)
Nëna. Të gjithë e vështrojnë atë në raport me fëmijën, dashurinë dhe kujdesin për të, por Shaholli e ngre artistikisht “Dhe kur qesh apo nxjerr lotë,/ Trëndafila janë për ne.” (Gjëegjëza f.5), ndërsa Agolli bën tri pyetje të njëpasnjëshme duke gërshetuar gjëzën me poezinë “Kush për ty gjithmonë rri zgjuar?/ Kush të quan ty flori?/ Emrin, vallë, a ia di?” (Vogёlush, ti mund ta gjesh! f.106)
Ora. Shaholli dhe Agolli kanë si detaj tik-takun, ndërsa Raka e personifikon duke i vënë një zemër “Është e vogël, prej metali,/ Porse zemra i punon.” (Gjëegjëza f.34/4)
Pula. Raka ka dhënë më mirë mjedisin e fshatit “Rrotull vjen nëpër avlli,/ Po kur vezën bën ajo,/ Tund mëhallën e çdo shtëpi!” (Gjëegjëza f.50/3)

Qielli. Bajrami e shikon nga një kënd bashkëkohor: “Mbushur yje, aviona,/ Thonë se rri mbi supet tona./ Thellë tij ca satelitë,/ Bëjnë roje natë e ditë.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.19); Agolli thekson ngjyrën blu, kurse Raka përmasat.
Syzet. Raka dhe Zalli kufizohen tek syzet optike, kurse Agolli shton edhe syzet e diellit. Zalli e ka realizuar më mirë artistikisht “Kur dy mjegullohen,/ Thirren dy të tjerë.” (Gjëza për t’u gjetur, f.38)
Topi. Agolli veçon elasticitetin, kurse Shaholli dhe Zalli e zgjerojnë me emocionet e fuqishme që sjell loja me top.
Treni. Bajrami shikon përpikërinë që ka orari i lëvizjeve “Po s’e prite në stacion,/ S’ta hap derën në vagon.” (Gjëegjëzat e mëngjesit, f.19); Raka e vështron si gjarpër; Shaholli thotë “Me një fshat plot shtëpi/ Miku ynë shumë ngjason.” (Gjëegjëza, f.19)
Ylberi. Raka dhe Zalli sjellin dy detaje të gabuara. Për hir të rimës Raka vendos malin me borë në sfond të ylberit; kurse Zalli mendon se ylberi mund të preket; qasja më e drejtë është ajo e Shahollit “Porsi lapsat e ngjyrosur/ Ndonjëherë bëhet qielli,/ Fill pas shiut të krekosur,/ Hedh ca rreze fshehtas dielli.” (Gjëegjëza, f.7)
Zjarri. Raka dhe Agolli sjellin dy perceptime të traditës: i pari: “Ha e ha, të ngopur s’ka,/ Po piu ujë, vdes pa bujë!” (Gjëegjëza, f.31/3); i dyti “Atëherë kur tymi del përpjetë,/ Ai zbulohet ku është edhe vetë.” (Vogёlush, ti mund ta gjesh!, f.86); kurse Bajrami sjell më shumë informacion “Kryelartë, bubulak,/ Ndizet, fiket në oxhak./ Pyllit plak po i shkoi pranë,/ I zhduk nam edhe nishan…/ Një si ky po ta kujtoni/ Iu vu Romës nga Neroni.”(Gjëegjëzat e mëngjesit, f.7)
Perceptimi.
Këtu fillon problemi. Krijuesit, duke patur parasysh fëmijët në tërësi, pa mundur të veçojnë grup-mosha, ka rrezik të bien në kthetrat e empirizmit. Ata mbështeten mbi veçori të sendit ose dukurisë që janë të njohura gjerësisht nga fëmijët. Pëllumb Agolli jep njëra pas tjetrës dy gjëza për të njëjtin objekt, madje për qenin jep katër të tilla. Nganjëherë kemi dy ose më shumë objekte që kanë një lidhje të ngushtë dhe të qartë mes tyre, gjë që e lehtëson të kuptuarit e informacionit, veçse në këtë rast kërkesa duhet të shoqërohet me pyetjen “Po tjetër?” Nuk duhet të ketë largim nga tiparet e qenësishme për hir të rimës. Nuk duhet të jenë të shkujdesur nga vlerat edukative siç është rasti i shtrirjes analogjike të dhunës mbi mushkonjat “ndaj dhe drurin e kanë pak.” Informacioni nuk duhet të reduktohet deri në mangësi “Mishi i saj hahet,/ Kur nga puplat ndahet.”
Struktura.
Të gjitha ndërtimet janë strofike dhe fillojnë me distikun, vazhdojnë me strofën katërvargëshe (K.Raka, A. Shaholli, P.Agolli) për të kapërcyer kufirin (A.Bajrami, Sh, Zalli). Kosta Raka operon me rima foljore, Shkëlzen Zalli del përtej vargut tetërrokësh.
Arti i përcjelljes.
Trajta themelore artistike është alegoria, kurse figurat kryesore stilistike janë metafora, epiteti, enumeracionin dhe më pak krahasimi. Pëllumb Agolli dhe Kosta Raka janë më pranë konceptimit të gjëegjëzave sipas traditës, me vargje dhe kuptime të kursyer, Agim Bajrami dhe Shkëlzen Zalli priren drejt një hibridizimi të gjëegjëzës me poezinë për fëmijë, Arben Shaholli i ka realizuar më mirë artistikisht ato.
Shprehësia, si element i traditës, përforcohet me fjalë tingullimituese.
Si kërkohet përgjigja nga fëmijët?

Kosta Raka dhe Arben Shaholli gjëegjëzën e shoqërojnë me vizatim dhe me përgjigjen e përmbysur. Agim Bajrami e ilustron me fotografi dhe me shkronjat e fjalës në rend të anasjelltë. Shkëlqim Zalli në ciklin me gjëegjëza të librit “Treni me gaztorë” që në krye ka bërë një kufizim ndihmues për fëmijët duke i vënë nëntitullin “Kafshët… luftarake”, kurse në librin “Gjëza për t’u gjetur” ka një formulim paralajmërues që në titull, ndërsa përgjigjet i ka dhënë në fund të librit dhe me rend të përmbysur të shkronjave të fjalës. Pëllumb Agolli me përmbledhjen e porsabotuar ka sjellë një qasje të re për komunikimin me fëmijët. Ai i ka ndarë gjëegjëzat në pesë grupe: I. Bota e kafshëve, shpendëve dhe insekteve, II.Natyra dhe bota bimore, III. Njeriu, familja dhe puna, IV. Shkolla, V. Shtëpia. Çdo gjëzë ka një numër dhe në fund të librit jepet përgjigjja më figurë dhe me fjalë sipas numrit përgjegjës.

Dhënia e përgjigjes brenda së njëjtës faqe dhe, për më tepër, ilustrimi me figura po aty, është largim nga thelbi i gjëegjëzave që duhet të jenë gjimnastika e procesit të të menduarit, ashtu siç kanë qenë në origjinën e tyre. Fëmija mund ta ndjejë më shumë kënaqësinë e zbulimit, se sa ta ulë vështrimin poshtë vargjeve. Zbulimi i enigmës duhet bërë në fund të përmbledhjes dhe mund të zgjidhet një nga mënyrat ekzistuese: fjala e shkruar përmbys, ilustrim dhe përgjigja e përmbysur, ilustrim dhe fjala me rend të përzier të shkronjave. Konceptimi i P.Agollit më duket më i gjeturi ndër vëllimet e mara në shqyrtim.
Përfundime dhe sugjerime.

Një grupim i gjëzave sipas fushës kuptimore do të ishte një orientim i vëmendjes së lexuesve të vegjël.
Trendi i gjëegjëzave tashmë është i qartë: dalin nga përdorimi grupe e fjalë për shkak të zhvillimit ekonomik e shoqëror, futen të tjera për t’iu përgjigjur këtyre ndryshimeve. Mbetet e hapur për konceptime e trajta të reja një pjesë e mirë e inventarit të traditës. Shkëlzen Zalli dhe Kosta Raka duket sikur i janë futur një procesi shterues në hulumtimin e sendeve dhe dukurive.
Enigmës së fjalëve u shtohet edhe përbërja tingullore e fjalës, kur ajo nuk jepet e gatshme, prandaj krijuesit duhet të mbajnë parasysh normën letrare. Kosta Raka i quan “gjëagjëza”, të tjerët “gjëza” dhe “gjëegjëza” dhe kjo e fundit është normative.
Duhet më shumë vëmendje dhe përgjegjësi për drejtshkrimin e fjalëve, sepse bretkosën e gjejmë “bretkoca”, karrigen e gjejmë “karrike”, kambanën e gjejmë “këmbanë”.

Kosta Nake

Prill 2015

loading...

Komento!

loading...