Home / KULTURA / Këngët popullore historike të Devollit
loading...

Këngët popullore historike të Devollit

Këngët popullore historike të Devollit

(nga përmbledhja e Jorgo Panajotit “Këngë popullore të Rrethit të Korçës”, Tiranë 1982)

Kënga është një mjet artistik për të plotësuar nevojat shpirtërore, një mjet komunikimi midis brezave të një kombi. Ajo praktikohet në mjedise familjare tradicionale ku s’ka ndarje midis krijuesit, ekzekutuesit dhe dëgjuesit; ajo ngjitet në skena festivalesh ose transmetohet në mediat audio-vizive. Kur flasim për këngët popullore historike, vlerat njohëse marrin përmasa më të mëdha, pesha e kohës ndjehet më fort. Por ato nuk shtyhen thellë në shekuj; disa prej tyre i ka fshirë koha. Ato që kanë mbetur janë falë mbledhjes së hershme të tyre ose ripërtëritjes në festivalet rajonalë e kombëtarë. Një grup më vete dhe mjaft të pasur përbëjnë këngët për komitët dhe kaçakët. Krijuesit anonimë kanë skalitur figura monumentale dhe kanë përjetësuar bëmat e tyre. Kaçakëria është një fenomen ballkanik. Ata quheshin hajdukë tek serbët, usko te kroatët, hajdutë te bullgarët, kleftë dhe armatolë tek grekët, komitë dhe kaçakë tek shqiptarët. Tipari që i bashkonte në gjithë Ballkanin ishin sulmet kundër karvaneve turke, të cilat duke qenë sinonim i pushtuesit, konceptoheshin si akte qëndrese, trimërie dhe kishin mbështetje popullore. Një këngë e tillë është ajo e Bilishtit

“Kur doli Lacja nga stani” që tregon rezistencë me armë ndaj armikut:
“Lacja mori përgjatë malë,
fishekët palë e mbi palë.”

Në këngën e Ponçarës kushtuar Hasanait, kemi diçka të përafërt me kundërshtimin e pushtuesit jo vetëm duke mospranuar të paguajë taksat, por edhe duke iu kundërvënë me armë. E kësaj natyre është edhe kënga e Vranishtit për Malon, një kapedan nga fshatrat shqiptare në Greqi. Kurse vetëdija ngrihet më lart te kënga e Stropanit “Në mes të Janinës vrave mylazimnë”, edhe pse heroi në këtë rast nuk është kaçak. Ndizet një shkëndijë e vërtetë që ngroh ndjenjat patriotike: Zyfer Qosja nuk duroi ofendimin e oficerit turk. Diçka e ngjashme me këtë është kënga e Bitinckës kushtuar Halim Jaupit:

“Ish një djalë bitinar,
konsulli i bie gërbaç
Halimi s’duroi gërbaç,
vrau konsullin n’arabat.”

Një studiues shqiptar nga Tetova që kishte dëgjuar për këtë këngë kur ndodhej në Stamboll para tre-katër vitesh, erdhi posaçërisht në Bitinckë për të verifikuar vërtetësinë e saj. Bëhet fjalë për vitin 1902 kur Halimi pati vrarë konsullin rus në Manastir.

Duke zbritur më këmbë në tokë në realitetin shqiptar, në fillimet e veta kaçakëria ishte bashkudhëtare me hajdutërinë. Burimet e saj nuk ishin gjithmonë tek sulmet kundër karvaneve turke, por tek hasmëria, kryesisht për dashuritë e mohuara midis të rinjve, apo refuzimit të krushqisë për shkak të disniveleve ekonomike apo traditës. Një burim po aq intesiv ishin grindjet për pronat, për rrugët, për vijat e ujit. Duke kulmuar me përdorimin e armëve dhe viktima, hasmëria e lindur prishte rrjedhën normale të jetës dhe detyronte burra e djem të fillonin jetën ilegale. Shembullin tipik të hasmërisë e jep kënga e Zëmblakut për Kalemin e Rakickës:

“Nip Selmani tha një fjalë
Rakickës do t’i vë zjarrë
në krye n’atë mëhallë
Limanë s’e le pa vrarë!”

Po e kësaj natyre është kënga e mirënjohur “Te plepi i Bilishtit”. Kurse kënga e Gracës “Mes dy maleve me borë” flet për një trim të vrarë. Nuk jepet shkaku i vrasjes, as koha e saj, vetëm vendi i ngjarjes. Fakti që trimi ua lë amanetet sorrave, do të thotë që s’ka asnjeri pranë, nuk është pjesë e ndonjë formacioni ushtarak ose paramilitar. Ndoshta një viktimë e hasmërisë.

Burimet ekonomike në një vend të prapambetur feudal si yni ishin të pamjaftueshme për ta përballuar këtë kthesë të fuqishme që largonte nga prodhimi krahët kryesorë të punës. Prandaj, për nevoja të mbijetesës, kaçakëria e pranonte si bashkudhëtare hajdutërinë. Veçse këtu duhen dalluar dy rrjedha të ndryshme: njëra është ajo e grabitësve të rëndomtë që përlanin të parën gjë që u delte përpara dhe rrëshqiste drejt orgjillëkut. Kjo rrjedhë ishte e destinuar të zbrazë llumin e vet në një shtrat të thatë dhe të fshihet me përbuzje nga e ardhmja. Ilustrimin e kësaj mund ta gjejmë tek kënga e Trenit për Tanën. Këtu ka një deklarim të qartë: Çobani është viktimë e hajdutëve të rëndomtë “hajdutët lidhur më kanë…/ ogiçin në hell ma kanë!” Rrjedha tjetër është ajo e grabitjeve ose gjobvënieve me përzgjedhje, që do të thoshte se barra e përballimit të ushqimit të kaçakëve do të ishin familjet e pasura. Kjo rrymë, duke patur një kod logjik në veprime, në varësi të rrethanave historike dhe gjeografike prirej drejt një pozite të moderuar që e pranonte patriotizmin. Ca për shkak të burimit të konfliktit që është shoqëror, ca për shkak të mjedisit të rënduar nga analfabetizmi, kaçakët nuk e nisin rrugën si patriotë, por ata që u organizuan më mirë, arritën të krijojnë një pushtet gjysmëlegal në fshatar ose zona të caktuara të qarkut të Korçës. Interesante është një këngë e Vranishtit që portretizon kaçakët:

“Kur më ngjitesh malit
me festen mënjanë,
mustaqet te veshi,
manxerin në krahë,
silahun me kamë,
ne gjoksi gjerdanë,
me kallcat e bardha,
me fruda fustanë
o ky kapedani,
shastisi dynjanë.”

Kjo këngë përfton një oaz lirik në shkretëtirën e gjatë të hasmërisë.

Kaçakët fillojnë e ngjyen në patriotizëm kur konflikti shtrihet mes tyre dhe bandave nga vendet fqinje. Historikisht çetat e kaçakëve shqiptarë kanë bashkëpunuar me çetat bullgare dhe janë përpalsur me çetat greke. Këtë e dëshmon kënga e Arrëzës për Zenel Bekon nga Zelengradi. Vrasja e djalit 22-vjeçar nga andartët grekë ishte motiv për orientim patriotik të lëvizjes së kaçakëve. Ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe puna e rilindasve që do të pasoheshin me përpjekjet për pavarësi dhe do të bënin përzgjedhjen përfundimtare të karakterit të çetave. Kënga devollite shënon një kulm kur i drejton sytë dhe menden tek patriotët Bajo e Çerçiz Topulli, të cilët në përbërje të çetës së njohur, përshkuan më 1907 edhe disa fshatra të Devollit duke vendosur lidhje me patriotët vendas në Qytezë, Sinicë, Bozhgrad, Menkulas e deri në Çipan e Vërlen. Kjo duket edhe te dy këngë të Mirasit për Nure dhe Emin Bozhgradin :

“Me guna ç’u veshë, kobure, dyfekë,
Na vanë në Gorë, formuan një çetë,
Ky Kajo Babjeni na u bë me fletë,
Ce i vajti Nurja vet’ i dymbëdhjetë.”

Tjetra:

“Bozhgradarët përparojnë
sepse burrërisht luftojnë
më trim kanë Eminë
që theu andarësinë.”

Nga të gjithë shembujt që solla, duket se këngët nuk tregojnë shkakun, por vetëm produktin fundor të kaçakërisë, grindjet, përplasjet me armë, vrasjet. Artistikisht do të thoja se kaçakëria ishte një dukuri fshatare që thyente njëtrajtshëmrinë e një jete të vakët ku kryefjala e ditës ishte mbijetesa.

Do ta përfundoj duke bërë një citim të gjatë nga një këngë e Vinçanit (pra jo nga Devolli), që shërben si kurorë nderi për ata kaçakë që u ngritën në nivelin e kryengritësve. Ajo i kushtohet ngjarjes së vitit 1914, kur mijëra burra të armatosur u futën në Korçë për të demonstruar se nuk i pranon pretendimet greke:

Po na vjen kjo Korça me trima të rrallë
Turkun nuk e duam, jemi shqipëtarë
Në na pyeçin bota kë kini të parë?
“Vetë i kemi zgjedhur Themon e Mihalë!”. (Themistokli Gërmenji e Mihal Grameno)
Po na vjen Kolonja me fustan të bardhë
Vetë e kemi zgjedhur Sali Kapedanë. (Sali Butka)
Po na vjen kjo Rrëza me flamur në ballë
Vetë e kemi zgjedhur Kahreman Vinçanë. (Kahreman Dervishi)
Po na vjen kjo Gora me pushkë në krahë
Vetë e kemi zgjedhur Kajo Kapedanë. (Kajo Babjeni)
Po na vjen Opari zhveshur jataganë
Vetë i kemi zgjedhur Xumen e Hasanë. (Xume Protopapa dhe Hasan Moglica)
Po na vjen Pojani me kuaj me shalë
Vetë e kemi zgjedhur Hysen pelivanë. (Hysen Pojani)
Po na vjen Devolli me qylaf të bardhë
Vetë e kemi zgjedhur Hasan kapedanë. (Hasan Bitincka)
Po na vjen kjo Mokra si gjoli me valë
Vetë e kemi zgjedhur Isuf Kapedanë. (Isuf Çollaku)

Kosta A. NAKE

loading...

Komento!

loading...