Home / REPORTAZH / Ja çfarë ka ndodhur me Fshatin Vëmbell në Devoll
loading...

Ja çfarë ka ndodhur me Fshatin Vëmbell në Devoll

Ja çfarë ka ndodhur me Fshatin Vëmbell ne Devoll

Ja se çfarë thotë Sotir Papahristo Helenisti dhe Përkëthyes me Biografi të panjohur… një nga ish profesoret e Enver Hoxhës në Liceun e Korçes dhe mik e bashkepunetor i prof.Eqrem Cabej

Autobiografi

Periudha (1887-1901)

U linda në Vëmbell, katund një orë e gjysmë larg Bilishtit, nga ana e lindjes, në vitin 1887, më 11 dhjetor dhe ditën e enjte (kalendar i vjetër). Emri i katundit u ndërrua pas pushtimit të tij prej grekëve në 1912, dhe u quajt Moshohori. Mësimet e para i mora në shkollën e fshatit, për mësues pata disa gjysmakë, të cilët me metodën e tyre të çalë më lanë shumë të dobët, gjë qe e ndjeva kur u regjistrova në gjimnazin e Korçës, ku me një mijë bela më pranuan. Pa mbaruar as shkollën e fshatit- isha 10 vjeç-n jë bashkëfshatar, agjent i serbëve, na dërgoi mua, një vajzë nga fshati dhe një djalë nga katundi fqinjë Smërdesht, me bursë në gjimnazin serb të Manastirit. Për fat të mirë nuk vazhdova në këtë shkollë. Një nostalgji e patreguar më kishte kapur, aq sa ditë e natë qaja në internat. Drejtoria atëherë lajmëroi familjen time, e cila dërgoi vëllanë tim Llazar dhe më mori në shtëpi. Fati im s’deshi të më largojë nga studimet e klasikëve të vjetër grekë, për të cilët kisha një dashuri të veçantë, dhe me të cilët do të lozja më vonë një farë roli të dobishëm si profesor e si shkrimtar. Po të mbetesha në gjimnazin serb do të shijoja e do të mësoja vetëm kulturën sllave, një kulturë e kufizuar tepër…

***

Në vitin 1897 u bë lufta truke-greke, e shkaktuar nga çështje të Kretës, e cila, pas një kryengritje, kërkonte të bashkohej me Greqinë. Një pjesë e ushtrisë turke, duke kaluar nga Follorina përmes krahinës “Kureshta”, zbriti dhe në katundin tonë. Tmerr i madh pushtoi banorët e sidomos ne të rinjtë, kur dëgjuam se ushtria turke arrin në fshat. Shumë herë kishim dëgjuar nga pleqtë për mizoritë që bënin turqit, në kohët e kaluara. Prandaj emri “turk” na kallte frikën. Për fat të mirë ushtria qëndroi një natë vetëm dhe s’bëri ndonjë të keqe, u suall shumë e disiplinuar, ashtu si u suall edhe në Korçë më 1912 gjatë Luftës ballkanike, siç do ta shohim më poshtë

Periudha e II (1901-1907)

Më 1901 im atë-prift atëherë- më shpuri në gjimnazin grek të Korçës me bursë të mitropolisë së këtij qyteti. Mezi më pranuan në klasën e parë, isha i dobët, sidomos në matematikë. Me ndërhyrjen e mitropolitit Gjervasios Orollogas, më regjistruan; po vuajta shumë’ shokët kishin përparuar në tërë mësimet. Unë pastaj s’dija asnjë fjalë frëngjisht, ndërsa shokët kishin bërë frëngjisht një mot të tërë në shkollat fillore të qytetit. U dëshpërova, për ditë qaja i mbyllur në shtëpinë e paramanës (shërbëtores në mitropoli) ku më vuri mitropoliasi në pension. Por shpejt i arrita shokët në sajë të ndihmës që më dhanë disa nga bashkënxënësit. Në fund bile edhe kalova shumë nga këta. Në klasën e dytë pastaj arrita të bëhem një nga të parët nxënës dhe në fund të vitit mora dëftesën me notë të përgjithshme 10. Një nga profesorët, Viska Pula më sillte si shembull e model në klasat e tjera; u thoshte nxënësve: “Papahristo kur erdhi nga fshati ka qenë shumë mbrapa, po me përpjekje e kujdesje të vazhdueshme, arrin të bëhet i pari.

Klasën e dytë e mbarova në vitin 1902; për pushimet verore shkova në fshat. Përshtypje më bëri mënyra e ftohtë, me të cilën më pritën prindërit, dhe motrat e mëdha. E vura re këtë ftohtësi dhe u dëshpërova. Në ato ditë (15-20 korrik) komitatoja bullgare përgatiste kryengritjen në Maqedoni, me qëllim që të sigurohej autonomia e këtij vendi dhe më vonë të përfundonte në bashkimin me Bullgarinë. Kishin përgatitur një njësi të tërë nga banorët e katundeve, të cilët i kishin armatosur dhe stërvitur natën, për të mos u kuptuar nga autoritetet turke. Edhe banorët e fshatit tim i kishin bërë gati; edhe këta do t’i merrnin armët sapo të jepej sinjali. Pleqtë, gratë, fëmijët, dhe ata që nuk ishin për luftë, do të ngjiteshin në mal, sipas propozimit që kishin bërë me kohë. Në këto rrethana që s’mungonte rreziku, familja ime do të dëshironte të mos ndodhesha aty, po të veja në Korçë. Kështu shpjegohet ftohtësia, me të cilën më pritën. Im atë, ndjesë pastë, njeri me mendje të hollë, dhe parashikuese, shpiku mënyrën të më largonte. Një të mërkurë- të nesërmen ditë e enjte (kur bëhej Pazar në Bilisht) do të shpallej kryengritja dhe do të mbylleshin rrugët- më dërgoi bashkë me bakallin e fshatit në Bilisht, për të bërë gjoja Pazar, pretekst ky që të më largonte nga fshati. Si ma shpengoi më vonë parashikonte katastrofë, e deshi që të shpëtoja të paktën unë, për të mos u shuar farë emri i familjes. Si mbaroi pazari, i them bakallit që të ktheheshim në fshat; po ky (im atë e kishte porositur fshehurazi që të mos mbante aty tërë ditën, e mbrëmanet të më përcillte në Korçë bashkë me disa tregtarë korçarë, që kishin dyqane në Bilisht). Qava, ju luta të ktheheshim në fshat, po ai nuk u tund fare. Ndaj mbrëmjes më vuri në karrocën e tregtarëve dhe më përcolli në Korçë; lotet më rridhnin tërë udhës, që nuk u ktheva dot në fshat.

Të nesërmen (20 korrik 1902) u shpall kryengritja. Fshatarët të gjithë braktisën shtëpitë dhe u ngjitën në mal. Devollinjtë, muhamedanë e grabitën dhe e dogjën fshatin. Në mal ndodhi një tragjedi e tmerrshme; 20 të rinj dhe disa të shkuar nga mosha ishin fshehur në një shpellë të madhe. Por ushtria turke i diktoi dhe i ftoi të dorëzohen. U dorëzuan për provë dy veta, por me të dalë nga shpella u copëtuan prej ushtarëve. Ata të shpellës, duke dëgjuar lebetitë e shokëve të tyre s’deshën të dorëzohen. Atëherë ushtria e mbushi grykën me shkarpa e kashtë dhe i vuri zjarrin; tymi i madh u hap në shpellë me rrezik të vdesin të gjithë nga asfiksia. U zhvillua një skenë e tmerruar; një nga ata, që ishte guximtar, rrëmben pushkën dhe i vret të gjithë, përveç njërit, i cili çuditërisht mundi të shpëtojë, por me njërin vesh të prerë në sajë të shpejtësisë së këmbëve. Edhe këtu shoh gishtin e fatit tim. Po të mos kisha ikur nga fshati, sigurisht do të isha me të 20-ët, mbasi për armë nuk isha i zoti, dhe do të gjeja vdekje të llahtarisur. E kurseu jetën time se mbase parashikonte veprimtarinë që do të zhvilloja në të ardhmen si eduktar dhe si shkrimtar….

Sotir Papahristo Helenisti

FOTO GALERI

loading...

Komento!

loading...