Home / BOTIME / I MIRI, I URTI, SHOKU IM GAZMEND MALO
loading...
Kadri Kadiu
Kadri Kadiu

I MIRI, I URTI, SHOKU IM GAZMEND MALO

I MIRI, I URTI, SHOKU IM GAZMEND MALO

Para ca ditësh më merr në telefon shkrimtari Shyqyri Fejzo e më thotë: ” O Kadri; po na shkruaj ndonjë gjë se ato shkrimet ti i ke të gjalla, me ngjarje e persona konkretë”.

O Shyqo; ia ktheva unë, po ç’më kujton ti mua, qoftexhi që i nxjerr qoftet në sëri të ngrohta nga furra? Pastaj; juve shkrimtarët i sajoni vetë ngjarjet e personazhet por unë nuk fantazoj dot aq shumë kështu që kur shkruaj s’kam çare pa i marrë nëpër gojë shokët, miqtë e të njohurit e mij. E shyqyr o Shyqo,- i thashë-, që deri më sot nuk më është zemëruar ndonjëri.
Kështu e mbylla bisedën me Shyqon unë mirëpo kërkesa e tij më vuri në sedër e më futi në punë. E shtrydha mendjen dhe më ranë ndërmend ca kujtime nga shoku im e i Shyqos, Gazmend Malo apo Gazi siç i themi ne. Ky Gazi është një çam por një çam përsëmbari pasi dhe babain e ka patur Hoxhë dhe i ka qëndruar me Kuran mbi kokë. Është rritur e burrëruar në Myzeqe, i vendosur me familje fillimisht në Rrethin e Fierit e më tej në Qytetin e Lushnjës, kështu që edhe kur e thërret “o çam”, edhe kur e thërret “o laluc”, Gazi të përgjigjet, pasi është hem çam, hem laluc. Mbasi mbaroi shkollën e mesme, Teknikumin Bujqësor të Fierit, Gazi punoi nja tre vjet si agronom i mesëm në Kooperativën Bujqësore të Roskovecit dhe pastaj vazhdoi shkollën e lartë. Me Gazin unë kam qënë në një klasë dhe kam jetuar në të njëjtën dhomë për gati pesë vjetë që ishim studentë në Fakultetin e Ekonomisë Agrare të Institutit të Lartë Bujqësor Tiranë. ( 5 vjet vazhdonte Fakulteti ynë në atë kohë). Pastaj, nja 7-8 vjet të tjerë përsëri kemi qënë me Gazin kolegë si pedagogë në Fakultetit Ekonomi Agrare; por edhe kur na ndanë, ne mbetëm shokë e miq familjarisht dhe kështu jemi edhe sot. E po siç i thonë asaj fjalës , ” ai që të do të shan”, kështu që, me që në shkrimet e mia kam sharë e kam lëvduar kë kam mundur, nuk po e kursej as Gazin dhe po përmend nja 5-6 episode me të:

1. Mbjellja e grurit me derra

Në Fakultetin e Ekonomisë Agrare, krahas lëndëve ekonomike, ne bënim edhe disa lëndë teknike për bujqësinë e blegtorinë. Profesor Miri Papajani na jepte lëndën e Kultivimit të Bimëve të Arave ose siç quhej “Fitotekni”. Bima e grurit, si bima kryesore e bujqësisë tonë, zinte një pjesë të mirë të programit mësimor si në leksione e seminare. Na shpjegonte Profesor Papajani gjërë e gjatë se si duhej përgatitur toka për mbjelljen e grurit, varietetet e grurit, afatet e mbjelljes, mënyrat e mbjelljes së grurit, që ishin me makinë mbjellëse apo me shpërndarje të farës me dorë, distancat e rreshtave të mbjelljes me makinë, dmth me rreshta të gjërë, me rreshta të ngushtë apo me çifte rreshtash; na shpjegonte mënyrën e mbulimit të farës në tokë, që bëhej me makinë mbjellëse, me lesa hekuri, me brana druri apo me disqe, e vazhdonte me shërbimet kulturore që i bëheshin grurit deri në korrjen e shirrjen e tij.

Një ditë, pasi mbaroi leksionin për mënyrat e mbjelljes së grurit, Profesori na pyeti ne studentëve nëse kishim ndonjë pyetje apo ndonë gjë të paqartë.

Me lejë Profesor; i tha Gazi: Ka edhe një mënyrë tjetër për mbulimin e farës së grurit në tokë.
Pa na e thuaj,- i tha Profesori-, cila është kjo mënyrë?

Unë Profesor,-i tha Gazi-, po tregoj eksperiencën tonë në Kooperativën e Roskovecit ku kam qenë agronom: Para disa viteve neve mbollëm mirë e bukur deri nga data 20 nëntor por pastaj na filluan shirat pa mbarim dhe nuk mund t’i futnim nëpër baltë mjetet mekanike për të mbjellë grurin. Afatet e mbjelljes po iknin dhe ne u detyruam që nëpër shi të shpërndanim farën e grurit me dorë dhe pastaj, për ta mbuluar farën në tokë, lëshuam në parcelë tufën e derrave të Kooperativës. Duke ecur nëpër parcelë derrat, me këmbët e me feçkat e tyre, bënë mbulimin e farës. Profesor; po të them të vërtetën, atë vit rendimentin më të lartë të grurit e arritëm në ato parcela që i mbollëm me derra.
E po mirë,-tha Profesor Papajani-, ja Gazmendi na mësoi edhe një metodë të re të mbjelljes së grurit që deri më sot shkenca nuk e ka njohur.

2. Qëkur erdhi treni, u prish Lushnja

Ato vite kur ne ishim studentë, kishte përfunduar Hekurudha Rogozhinë-Lushnjë dhe ishte duke përfunduar edhe pjesa Lushnjë-Fier. Ishte një prag viti të ri dhe ne studentët kishim nja 5-6 ditë pushime kështu që po përgatiteshim për të shkuar pranë familjeve për të festuar. E në këtë situatë, një ditë në klasë po diskutonim se si do ta festonim vitin e ri, çfar përgatitje bëheshin, çfar ushqime gatuheshin etj. Erdhi fjala, dhe njëri nga studentët, tiranas ky, tha se në disa qytete si në Kavajë, Lushnjë, Fier, Berat etj., kishte me bollëk mishra, bulmetra, perime, fruta etj. dhe përmendi se babai i tij për çdo vit të ri shkonte nga Tirana në Lushnjë për tu furnizuar me ushqime, e sidomos për të blerë gjelin e detit pasi aty gjërat ishin më lirë.
U hodh Gazi e tha: “Thuaji atij babait tënd që të mos shkojë më në Lushnjë, se që kur erdhi treni u prish Lushnja, nuk është më Lushnja e parë, nuk gjen më asgjë aty”.
Atë ditë qeshëm të gjithë ne me këtë thënie të Gazit, qeshi edhe Gazi vetë; por pas ca ditësh, kur bëmë mbledhjen e Organizatës së Rinisë të Klasës, Sekretari i Rinisë Thanas Gjoni, e bëri për ujë të ftohtë Gazin. ” Ti,- i tha Gazit-, je kundër Politikës së Partisë për ndërtimin e hekurudhave dhe je kundër përparimit të Shqipërisë, e këto nuk janë gabime të vogla të një njeriu të pa ditur por janë faje të një studenti të Shkollës së Lartë, kështu që duhet të reflektosh thellë për këto shfaqje, shoku Gazmend”.
Natyrisht Thanasi bënte si gjoja, por hajt e t’ia hiqje frikën Gazit.
Aman bre Kadri,-më thoshte mua Gazi-,( se unë isha Kujdestar Klase), çfar thotë ky Thanasi, kërkon që të më marrë më qafë mua e të më përjashtojnë nga shkolla për një fjalë që ma nxorri goja para mendjes?

3.Gazi Malua dhe gazi vetura.

Pasi mbaroi Fakultetin, Gazin e emëruan Ekonomist në Seksionin e Bujqësisë të Rrethit Peshkopi, ku punoi nja tre vjet të mira.
Gjatë muajve të verës, pedagogët e Institutit të Lartë Bujqësor i aktivizonte Ministria e Bujqësisë dhe i dërgonte nëpër rrethe të ndryshme të Vendit për të ndihmuar në problemet e organizimit të prodhimit nëpër ferma e kooperativa. Në Rrethin e Peshkopisë, nga Fakulteti ynë dërguan një grup me 3-4 pedagogë, të kryesuar nga Zëvendës Rektori i Institutit, i ndjeri Stavri Marjani, të cilët do të qëndronin ndonjë javë. Fillimisht Grupi i Pedagogëve u takua me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, pastaj hynë në Zyrën e Shefit të Bujqësisë dhe bënë programin e punës se ku do të shkonin dhe çfar probleme do të trajtonin.

Në fund, Shefi iu tha: Nesër, si ditë e parë që do të filloni, kisha dëshirë që t’iu shoqëroja vetë unë, por nuk mundem pasi do të jem në një analizë pune në Stacionim e Makinave e Traktorëve të Rrethit. Megjithatë unë do t’ua jap Gazin me vete.
Shumë faleminderit që po na i jep gazin,-i tha Stavri Marjani-; unë do të të thosha dhe vetë pasi ajo makina jonë nuk ecën nëpër këto rrugët malore, por veç gazit, neve duam edhe ndonjë specialist nga Seksioni që të na shoqërojë.
Po ky Gazi që ju thashë unë,-tha Shefi-, është ekonomisti i Seksionit të Bujqësisë që do ju shoqërojë, por me që juve dashki dhe makinë, atëhere merreni dhe gazin tim.
Ou, po këtë ekonomistin tuaj ne e njohim,- tha Stavri-, pasi e kemi patur student por ne e thërrisnim Gazmend ndërsa juve i thënki Gazi.
E po fundja o Profesor,-i tha Shefi Stavrit-, kjo ngatërresë në favorin tuaj vajti, kështu që nesër do të shkoni nëpër kooperativa duke pasur me vete dy gaze.

4. Filiali i Agronomisë i Lushnjës

Aty nga mesi i viteve 70, në disa qytete të Shqipërisë, si në Durrës, Lushnjë, Peshkopi, Delvinë etj, u krijuan Filiale të Institutit të Lartë Bujqësor për Degën e Agronomisë. Këto filiale kishin për mision që t’iu krijonin mundësi për të vazhduar shkollën e lartë, pa u shkëputur nga puna, shumë specialistëve e kuadrove të fermave e kooperativave bujqësore. Procesi mësimor në këto filiale zhvillohej në godinat e shkollave të mesme, ku 3-4 herë në javë, në mbrëmje, jepeshin leksione për studentët e Filialit. Për dhënien e leksioneve përzgjidheshin specialistë të prodhimit, të aftë dhe me përvojë pune, por sidoqoftë ata nuk kishin kushte për tu thelluar në anën teorike dhe s’mund të ishin pedagogë të mirëfilltë. Prandaj këto filiale ishin në patronazhin dhe nën mbikqyrjen e katedrave të Institutit të Lartë Bujqësor. Disa herë gjatë vitit, pedagogët e katedrave të Institutit dërgoheshin për të asistuar në mësimdhënie, por edhe jepnin disa leksione “model”, siç i quanim ne atëhere. Për lëndën “Ekonomi-Organizim” që mbulonte Katedra jonë, më kishin ngarkuar mua që t’i ndiqja e të ndihmoja filialet, kështu që kisha shkuar disa herë e kisha dhënë edhe leksione në Durrës, në Lushnjë e në Delvinë. Në fund të Vitit Mësimor, kur studentët do të jepnin provim, detyrimisht dërgohej dhe një pedagog nga Instituti, për çdo lëndë.
Në Filialin e Lushnjës, për Lëndën “Ekonomi-Organizim” kishin ngarkuar që ta jepte Gazi Malo, i cili në atë kohë ishte Shef Plani në SMT-në e Lushnjës, ( Stacionin e Makinave e Traktorëve).
Erdhi dita e caktuar për provimin dhe unë u nisa për në Lushnjë. U nisa një ditë më parë pasi të nesërmen në mëngjes zhvillohej provimi. Në mbrëmje mbërrita në Lushnjë dhe, si për herë, do të qëndroja në hotel, por Gazi kish dalë më priste ne Stacioni i Trenit dhe nuk më la të shkoj në hotel, më mori në shtëpinë e tij. Biseduam gjatë atë natë e u shkulëm së qeshuri me qyfyret e shkollës.

Të nesërmen në mëngjes, në orën 8-00, u paraqitëm të dy ne Shkolla, hymë në klasën ku do të bëhej provimi, dhe unë, “Profesori i Tiranës”, hapa çantën, nxora tezat e provimit, i vendosa me kujdes mbi tavolinë dhe njëkohësisht vura mbi tavolinë edhe nja 20-30 letra formati , të firmosura këto nga unë, dhe që do të përdoreshin nga studentët për të shkruar përgjigjet e pyetjeve.

Pas pak i futëm dhe studentët në klasë, mori secili nga një tezë provimi e nga një ose dy letra për të shkruar dhe u ulën nëpër banka një e nga një për tu përgatitur. Ishin gjithsej 7 veta. Ata filluan ca të shkruajnë, ca të mendohen e ca të djersijnë kurse unë me Gazin qëndronim në tavolinën tonë dhe bisedonim me zë të ulët.
Gazi më thotë: I shikon këta të dy që janë në rreshtin e parë? Janë të dy Kryetarë Kooperativash. Pardje, erdhi në SMT, gjoja si rastësisht, Shefi i Bujqësisë së Rrethit. Sëbashku me Drejtorin e SMT-së hynë në Zyrën time dhe më përshëndetën përzemërsisht. Pastaj Shefi më tha: “Hë mo Gazi; je bërë goxha Profesor i madh ë? Po na merr në provim edhe Kryetarët e Kooperatvave tani”.

E po, shoku Shef,- i thashë unë-, juve më kini caktuar në atë punë.
E e,- tha Shefi-, ashtu është, ne të kemi caktuar aty në Filial, por ti o Gazi, po të jesh mërzitur në Filial dhe në SMT, mund të mos ia japësh provimin ndonjërit prej atyre Kryetarëve dhe pas një jave mund ta gjesh vetën ekonomist në Kooperativën e atij Kryetari që e le në klasë.

Po jo o shoku Shef jo; nuk e ha Shaqo Bregu.., më fal, nuk e ha Gazi Malua atë kokër ulliri, i thashë unë.
Jo po thashë, se mos të kishte marrë koka erë, më tha Shefi…
Mirë o Gazi, mirë,-i thashë unë-, leri këto muhabete tani se jemi në provim, nuk jemi në kafene.
Prit o prit, -më tha Gazi-; dëgjomë gjer në fund: Ja, e shikon atë zeshkanin në bankën e tretë? Ai është Përgjegjës Sektori në Fermën e Lushnjës por e ka shok Prokurorin e Rrethit. Prokurori dje më ftoi për një kafe por në fund më tha: “O Gazi; më duket se ai shoku im i Fermës nesër ka provim me ty; mirë bëra që ta kujtova”? Shumë mirë bëre,- i thashë unë-, se po të mos ma kishe kujtuar ti sot, unë pasnesër mund të kisha punë me ty, e unë nuk kam qejf të kem punë me prokurorë.
E shikon atë thinjoshin afër dritares, që po shikon tavanin dhe akoma ska filluar të shkruajë? Ai është Nëndrejtori i SMT-së, pra është Eprori im. Drejtori më tha se “po e ngele nesër Nëndrejtorin, pasnesër nuk do të hysh dot në SMT pasi do të të ndalojë Roja që në Portën e Jashtme”.
E shikon atë djalin e ri që po fshin djersët? Ai është brigadier në Fermë por e kam edhe komshi në Pallat. Po e lashë atë, unë nuk i afrohem dot Pallatit.
Po këtë gruan këtu në bankën e parë majtas, e sheh? Ajo është kushërirë e gruas time. Sikur të ngelet ajo, mua s’më pranon gruaja në shtëpi. E kupton ti Kadri hallin tim apo nuk e kupton?
Dhe Gazi vazhdoi: Ja vetëm ai fakiri që po shkruan në bankën e fundit, vetëm ai nuk më ka futur mik mua. E po atij do t’ia jap vetë unë o Kadri, tha Gazi.
Ore;- i thashë unë Gazit-, po atëhere përse kam ardhur unë që nga Tirana, kur ti paske vendosur t’ua japësh provimin të gjithëve?
Nejse, mbaroi koha e përgatitjes së studentëve, disa nga ata kishin mbushur edhe nga dy letra formati me shkrim dhe erdhën një nga një para tavolinës tonë për tu përgjigjur.
Kot më kishte trembur Gazi mua. Ata, përgjithësisht ishin njerëz me sedër dhe ishin përgatitur secili sipas mundësive. Kur bëmë vlerësimin e tyre me notë, rezultoi se në të gjitha rastet, nota që iu kisha vënë unë ishte më e lartë se ajo që iu kish vënë Gazi. Dukej se Gazi detyrën e kishte marrë vetëm për t’i kaluar.
Pas ca kohe u mbyllën ato filiale, por duhet të themi se në asnjë mënyrë nuk mund të hiqen paralele dhe as të bëhen krahasime të Filialeve të atëhershme me ca Universitete Private Fantazma të sotme që ndanin diploma me lekë dhe që ishin pasojë e një Shteti Rrumpallë.

5. Nuk dua Komisar në Kompani

Unë kisha nja 3 vjetë që punoja si Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë Agrare. Kish mbaruar sezoni mësimor dhe, nga fundi i Qershorit, ne po bënim analizën e punës vjetore të Katedrës. Anëtar i Katedrës tonë ishte edhe Zëvendës Rektori i Institutit, Profesor Stavri Marjani. Në fund të mbledhjes, shoku Stavri na tha se “Për vitin e ardhshëm do të rritej kontigjenti i studentëve kështu që na duhet të marrim edhe ndonjë pedagog të ri”.
Shoku Stavri, -i thashë unë-; a të kujtohet ai Gazi i Peshkopisë?
Mua më kujtohen dy gaze të Peshkopisë,- tha shoku Stavri duke qeshur-, por ti më thuaj për cilin gaz e ke fjalën.
Unë, -i thashë-, e kam fjalën për atë ekonomistin Gazmend Malo; sot ai është Shef Plani në SMT-në e Lushnjës dhe njëkohësisht jep mësim në Filialin e Agronomisë aty.

Shumë mirë,- tha Stavri-, ai Gazi ka qenë student i mirë dhe ka punuar mirë edhe në Peshkopi; kështu që do ta kërkojmë për pedagog. Nxorri bllokun nga xhepi Stavri dhe e shënoi emrin, mbiemrin dhe vendin e punës së Gazit.
Po të futej emri në bllokun e Stavri Marjanit, nuk delte më prej andej kështu që më 1 Shtator të atij viti Gazi filloi punën e Pedagogut në Fakultet. Stavri Marjani, si i çiltër e i drejtpërdrejtë që ishte, qysh ditën e parë që i uroi mirëseardhjen Gazit, i tha: ” Ta dish o Gazi se sebep për ty u bë ky shoku tënd i klasës, Kadriu”.
Mirëpo erdhi një ditë dhe ky Gazi më pushoi mua nga detyra e Komisarit të Kompanisë. Siç dihet, në atë kohë, në Universitet, krahas Procesit Mësimor, zhvilloheshin edhe dy komponente të tjerë, që ishin Stërvitja Ushtarake dhe Puna Prodhuese. Gjithë Instituti i Lartë Bujqësor ishte i organizuar në rang Brigade Ushtarake kurse fakultetet e veçanta ishin organizuar në rang batalioni e më tej ndaheshin në njësi më të vogla, si kompanitë, togat, skuadrat e deri tek ushtari-student. Batalioni zakonisht kishte tre ushtarakë të karrierës e që ishin Komandanti i Batalionit, Shefi i Mbrapavijës si dhe Magazinieri i Batalionit. Gjithë kuadri tjetër i Batalionit, që ishin në detyrat Komisar Batalioni, Shef Shtabi Batalioni, Komandant Kompanie, Komisar Kompanie, Komandant Toge etj, përbëhej nga pedagogë civilë, por që i ishin nënshtruar një kualifikimi ushtarak dhe ishin certifikuar si Oficerë Rezervistë.

Gjatë gjithë kohës që unë kam qenë pedagog aty, kam patur detyrën e Komisarit të Kompanisë dhe gjithmonë Komandant Kompanie kam patur Gazin. Unë, ç’është e vërteta, e kisha më të lehtë pasi zhvilloja vetëm lëndën e përgatitjes ideopolitike të efektivit dhe ndiqja çështjet e edukimit në përgjithësi kurse Komandant Gazi zhvillonte edhe lëndët teorike të Artit Ushtarak por edhe organizonte stërvitjen në terren.

Një ditë, Kompania jonë kishte për të zhvilluar stërvitje me temën ” Kompania në Mësymje”. Ishte një fundqershori i nxehtë, veprimet luftarake të mësymjes duheshin kryer me dinamizëm e saktësi, por për këtë kishte rëndësi edhe zgjedhja e terrenit se ku do të zhvillohej mësymja. Gazi i gjorë e mori Kompaninë, sëbashku me mua që e ndiqja pas, na çoi kodër më kodër e përrua më përrua, na bëri telef fare, por nuk po vendoste dot për zgjedhjen e terrenit.
Ore Gazi,-i thashë unë-, do të fillojmë nga veprimet luftarake tani apo do të na bësh gjithë ditën marshim?
A ç’më çan kokën edhe ti Kadri, -më tha Gazi-, ikë fare se nuk kam nevojë për Komisar.
Në atë moment, papandehur, doli aty, pas një kthese, Pedagogu Fatmir Mborja, që ishte Shef Shtabi i Batalionit dhe që me vete mbante gjithmonë Korrierin e Batalionit, studentin kavajas Kalem Bushi. Fatmiri e kish dëgjuar dialogun tonë kështu që iu drejtua Gazit: “Bravo shoku Gazi, bravo; ai Komandant Rapua në luftë, vërtet në fillim nuk e pëlqente aq atë Komisarin që i vunë, por më vonë e deshte atë më shumë se veten. Kurse ti ja ke kaluar Komandant Rapos, ti po e përzë fare Komisarin nga Kompania”.

U zverdh e u bë dyllë Gazi e nuk dinte çfar t’i thoshte Fatmirit, vetëm shikonte nga mua me shpresë se mund të thosha ndonjë fjalë për t’ia lehtësuar pozitën.
Mirë Gazi, mirë, -i tha Fatmiri-, vazhdo stërvitjen ti se Komisari do të qendrojë këtu me mua dhe do ta shikojmë se si do ta zhvillosh Mësymjen e Kompanisë.
Ky Fatmir Mborja ishte pedagog i Gjuhës Ruse, kishte qenë nja tre vjet në Bashkimin Sovjetik për oficer marine kështu që nga ana ushtarake ishte më i përgatituri nga të gjithë ne të tjerët, por ishte dhe një qerrata që nuk linte rast pa e shfrytëzuar për të bërë qyfyre e për të nxjerrë kunjën me kë të deshte.
E ndoqëm ne me Fatmirin stërvitjen që zhvilloi Gazi dhe në përfundim Fatmiri i tha: ” Përsa i përket stërvitjes, unë të vlerësoj e të përgëzoj; por kjo s’do të thotë që unë të hesht për atë që dëgjova nga goja tënde e që s’ma merrte mendja kurrë që ti të kishe këtë koncept për rolin e Komisarit në Ushtri. Hajt mirë u pafshim dhe në mbrëmje të vini të dy në Komandën e Batalionit për ta diskutuar këtë problem”.
Iku Fatmiri, por Gazi filloi të më lutet e të më bëjë rixha mua. Po ne jemi shokë bre Kadri, -më thoshte-, po për një fjalë goje kërkon të më futë në kallëpe politike e të më marrë më qafë mua ky Fatmiri?
Mua po më vinte keq për Gazin, mirëpo kisha porosi nga Fatmiri që deri në mbrëmje të hiqesha si i zemëruar, që ta mbanim në tension Gazin.
Atë ditë, Gazi i shkretë, dy paqeta cigare piu. Në mbrëmje u futëm në Kapanonin e Fjetjes së Oficerëve, të gjithë të tjerët u shtrinë nëpër krevate, por Gazin nuk e mbante vendi, po priste nga çasti në çast që të na thërrisnin në Komandën e Batalionit.
I fundit erdhi në Kapanon Fatmir Mborja: “Hë mo Gazi, i tha-, s’paske gjumë sot ti? A dalim pak jashtë të ndezim nga një cigare bashkë e t’ia marrim asaj këngës tënde të Çelo Mezanit”?
Unë s’po e mbaja dot të qeshurën, kurse Gazi tha: ” Ah o të poshtër ç’më kini torturruar sot”.

6. Gazit ” i humbet” koburja

Një herë në 3-4 vjet, Batalionit tonë i vinte radha që zborrin njëmujor ta zhvillonim në Malin me Gropa, në vendin e quajtur Feken, ku ishin ndërtuar gazerma ushtarake me të gjitha mjediset e nevojshme, si fjetore, menca, klasa mësimi, magazina etj dhe egzistonte gjithë baza materiale e nevojshme për mësim e stërvitje.
Për ne oficerët ishin dy dhoma fjetjeje; në njërën flinin Udhëheqja e Batalionit e që konkretisht ishin: Komandanti Petrit Çollaku, Komisari Demir Mullai, Shefi i Shtabit, që tani ishte bërë Pedagogu kavajas Fadil Demrozi, si dhe një I Deleguar i Ministrisë së Mbrojtjes i cili do të monitoronte gjithë stërvitjen tonë njëmujore. Ky I Deleguari ishte një oficer i ri mirditor, Gjin Gjoni, shumë i përgatitur e i shkathët por edhe shumë komunikues dhe qysh ditët e para u bë shok me ne. Në dhomën tjetër, që ishte më e madhe, flinim ne oficerët e vegjël të kompanive e të togave, në krevatë marinari me dy kate. Ne me Gazin ishim, si gjithmonë, bashkë në një kompani, ai Komandant e unë Komisar. Edhe krevatin bashkë e kishim me Gazin, unë poshtë e ai në katin lart.

Pasi mbyllnim gjithë programin ditor të stërvitjes, në mbrëmje, deri vonë, bënim shakara e qyfyre për të shtyrë ditët e netët. Siç thashë, tani në vend të Fatmir Mborjes, Shef Shtabi ishte bërë Fadil Demrozi. Nga ana e përgatitjes ushtarake ky Fadili ishte si gjithë ne të tjerët e as i afrohej dot Fatmirit, por ama për për numeraxhi, për hile e për djallëzi, nuk ia gjeje dot shokun. Nuk e ngryste dot ditën Fadili pa bërë ndonjë “yner”, i kishte marrë me radhë oficerët e të gjithëve u kishte kurdisur nga një reng. Edhe mua ma kishte “punuar” nja dy herë por Gazin e kishte lënë për në fund, kështu që një mbrëmje më thotë mua: ” Kadri; sonte do t’ia marrësh pistoletën Gazit dhe të ma sjellësh mua”.
Kur flinim në mbrëmje, ne pistoletat i mbanim nën jastëk, kështu që unë ruajta rastin kur Gazi shkoi në tualet, ia nxorra pistoletën nga këllëfi dhe ia çova Fadilit në dhomën e oficerëve “madhorë”. Fadili ia dha pistoletën Komandantit të Batalionit, Petrit Çollaku, i cili e futi në kasafortën e vet. Pastaj, Udhëheqja e Batalionit, në prezencën edhe të Deleguarit të Ministrisë së Mbrojtjes, bënë planin e lojës që do të luhej me Gazin. Nga ne oficerët e vegjël këtë plan e dija vetëm unë, por unë isha betuar para Komandës që të mos tregoja.

Të nesërmen në mëngjes, sapo u bë zgjimi, Komandanti i Batalionit dha urdhër që të gjithë oficerët të rreshtohen në Poligonin e Qitjes “Për Kontroll Arme”, pasi sot do të zhvillohej qitje me pistoletë. Magazinieri i Batalionit na ndavi gjithë oficerëve nga 6 fishekë dhe vendosi tabelat si objektiva të qitjes.
Sakaq u bë rreshtimi i të gjithë oficerëve në Poligonin e Qitjes dhe Komandant Petriti, sëbashku me të Deleguarin e Ministrisë, bënin kontrollin e armëve për çdo oficer. Kur i ardhi radha Gazit, me që s’kish kobure, ai mbante në dorë këllëfin e saj.
Nxirr pistoletën; i tha Komandanti i Batalionit.
Po nuk e kam tani, i tha Gazi.
Ikë merre shpejt pistoletën se do të bësh qitje.
Po do ta marr më vonë, se tani nuk e kam shoku Komandant.
Po ku e ke?
Po do ta gjej shoku Komandant.
Anullohet qitja për sot, -tha I Deleguari i Ministrisë; dhe menjëherë të mblidhen oficerët në Sallën e Mbledhjeve për të analizuar situatën.

Shkoi edhe një herë në dhomën e fjetjes Gazi, i hodhi poshtë krevatit me dyshek, me batanie, me çarçafë e me jastëk e s’la vend në dhomë pa kërkuar, por meazallah se gjendej koburja. I lutej si Krishti gjithë shokëve të dhomës se mos ia kishin marrë koburen, por ata, me tërë të drejtën e Zotit i betoheshin se nuk dinin gjë për këtë punë.
Ardhi më në fund Gazi në mbledhjen e oficerëve dhe i pikëlluar sa më s’bëhej, deklaroi: ” Shokë, mua më ka humbur pistoleta”.
Si të ka humbur, ku të ka humbur, kur të ka humbur? E pyeste Komisari i Batalionit.
E po unë nuk e mbaj mend as ku më ka humbur e as kur më ka humbur, shoku Komisar, – u përgjegj Gazi me zë të mekur-, por di se dje e kam patur me vete në stërvitje, pasi bashkë me shokun Kadri, kur vumë Kompaninë në pastrim e vajisje të automatikëve, i pastruam edhe ne pistoletat tona.

Kjo është ngjarje e jashtëzakonshme, një ngjarje shumë e rëndë,-tha I Deleguari i Ministrisë-, unë do të pres edhe dy orë e pastaj, nëqoftëse nuk gjendet pistoleta, jam i detyruar të dërgoj njoftim për Ministrin e Mbrojtjes.
Komandanti i Batalionit tha: Të gjithë ju shokë oficerë duhet të kontrolloni mirë në dhomë dhe në mjedise të tjera për ta gjetur pistoletën, ndërsa ti shoku Kadri, sëbashku me Gazin, të kontrolloni gjithë territorin ku dje kini kryer stërvitjen.
Detyrë më të çuditëshme nuk kisha marrë ndonjë herë. Megjithse e dija që koburja ishte në kasafortë, duhej të zbatoja urdhërin e Komandës. Sëbashku me Gazin, në kërkim të pistoletës, morëm përpjetë Malit me Gropa e s’lamë shteg, gërxh e përrua ku kishim shkelur një ditë më parë, por nuk e gjetëm që nuk e gjetëm koburen. Në fund, kujtohem e i them Gazit: Ore Gazi; më duket se dje mbasdite ti shkove diku këtej rrotull për të kryer nëvojën; pa ecë kontrollo një herë, se mos kur je çveshur të ka rënë koburja? Ou, vërtet , – tha Gazi-, pasi iu ngjall një fije shprese për ta gjetur koburen dhe shkoi me vrap prapa ca ferrave ku kishte mbaruar hallin një ditë më parë. Kur u thye duarbosh tha: Jo bre Kadri jo nuk qe as aty, s’kemi ç’bëjmë, ky qe fati im, u muar vesh, paskam për ta provuar burgun unë i gjori. Po ty ta paça borxh se u lodhe e mu gjende pranë në këtë hall që më ka zënë.

U kthyem në Repart të lodhur e të raskapitur, por Gazi edhe i dërmuar nga dëshpërimi.
Ndërkohë që ne me Gazin bridhnim në të përpjeta e tatëpjeta për të gjetur koburen, mendjet e ndritura të Udhëheqjes së Batalionit, plot gaz e hare, e kishin gjetur edhe zgjidhjen për të dalë faqebardhë nga loja e kobures.
Hajde Gazi, hajde, – i tha Komisar Demiri-, Shpëtove ti, por shpëtoi dhe Batalioni jonë nga një njollë që do t’i vihej: Koburja tënde u gjend, e solli dhe e dorëzoi në Repart një bari dhish, i cili e kishte gjetur prapa ca ferrave. U gëzua Gazi, por aq shumë u gëzua, sa që nuk qëndroi dot më këmbë; u shtri dhe qante nga gëzimi. Pastaj, e mblodhi veten dhe mu drejtua mua: Mirë e kishe ti Kadri, në ato ferrat që isha në fund do të më ketë rënë koburja.
Kadri Kadiu
Denver, shkurt 2015

loading...

Komento!

loading...