Home / SOCIALE / Humor i këndshëm dhe aksione fantastikë në një rrëfim për fëmijë
loading...

Humor i këndshëm dhe aksione fantastikë në një rrëfim për fëmijë

Humor i këndshëm dhe aksione fantastikë në një rrëfim për fëmijë

(Romani “I tillë ishte Turi Ariu” i Thanas Jorgjit,
pjesë e korpusit prej 12 romanesh “Unë jam Kronosi, mbreti i kohës”.)

Para së gjithash vlera e veprës së Th.Jorgjit gjendet tek vërtetësia e mjediseve që përshkruan dhe karaktereve që vendos në to. Në të dy rastet autori përdor me mjeshtëri koloritin gjuhësor të Devollit, duke na treguar se syrit dhe veshit të tij nuk i ka shpëtuar asgjë që mund të ngrihet në art.

Por në romanin “I tillë ishte Turi Ariu” më bëri përshtypje të thellë humori i këndshëm që mbështjell me një tis të hollë veprimet e karaktereve. Ky humor përftohet ose nga pranëvënia e naivitetit fëminor me kuptimin e vërtetë të gjërave, ose nga të kuptuarit prej personazhit se ndodhet në një situatë të pakëndshme që mund të kapërcehet me humor.

Situata e parë: Turi Ariu ka vënë re se fotografi Janko zgjedh si sfond repartin ushtarak dhe dyshon se këtë e bën për t’ia dërguar armikut fotografitë të maskuara.

“Ato që po dëgjoja më kishin lënë pa gojë nga habia. Dhe që të më linte edhe pa mend, Turi Ariu tha: – Dje bile, fotografoi edhe Punishten e Salcës!
Kjo ia vite kapakun të gjithave! Xha Jankoja paskësh fotografuar edhe Punishten e Salcës! Dhe që të ma bënte më të qartë sa gjë e rrezikshme ishte kjo gjë, Turi Ariu tha: – Dhe mos harro se në kohë lufte, të parat që bombardon armiku, janë fabrikat e salcës!…
Dhe pse i bombardon të parat fabrikat e salcës?- pyeta me gjysmë zëri.

Turi Ariu më pa me tallje sikur të isha e shumta katër vjeç. – Sepse…sepse ja: dihet që salca e bën të shijshme gjellën. Dhe po të bombardohet e para fabrika e salcës, kjo do të thotë të mos ketë salcë për t’ia hedhur supës apo makaronave. Kështu ato nuk shijojnë dhe ushtarët që luftojnë në llogore nuk do hanë. Dhe po të mos hash, ta pret mendja se do të të marrë uria dhe s’do të kesh forca të luftosh kundër armikut.
Po dëgjoja plot kureshtje dhe mjaft i habitur. Kurrë nuk do ma merrte mendja sa e rëndësishme ishte një punishte salce! Befas aty për aty u ndjeva krenar që në Punishten e Salcës të qytetit tonë punonte edhe mamaja ime dhe për një çast më ngjau sikur atje ku punonte ajo nuk prodhohej salcë domateje, po bomba dhe fishekë.” (f. 93-94)

Situata e dytë: Pipkoja imagjinon një përleshje kundër fotografit Janko që supozohet të jetë spiun. Bashkë me një shok kanë planifikuar ta zënë në flagrancë, por kjo mund t’u kushtonte edhe jetën. Pipkoja mendon në këtë rast të keq edhe reagimet në shkollë.

“Të gjitha këto më mbushën plot me mallëngjim. Fundja, të vdisje për Atdheun dhe në një luftë dhëmb për dhëmb me një spiun të pështirë si xha Jankoja nuk ishte dhe aq keq. Sepse, po ta shikoje hollë-hollë, përveç ca dhimbjeve të mprehta nga grushtet, shkelmat e thikat e tij, kjo punë kishte edhe disa të mira jo të vogla. Pikë së pari, do të mbuloheshim nga lavdia, gjë që e ëndërronin të gjithë shokët tanë. Së dyti, duke vdekur ia hidhnim paq atyre orëve të mërzitshme të aritmetikës e gjuhës dhe sidomos orës së edukatës qytetare të cilën na plaste buzën dhe shpirtin Bishttundësja. Dhe ajo që ua vinte kapakun të gjitha të mirave ishte se prej kësaj dite e tutje s’do më duhej më të shkoja në mbrëmje te pusi të laja këmbët me ujë të ftohtë para se të shkoja në krevat, i detyruar nga Dedja! (f.126-127)

Situata e tretë: Fëmijëve u lind ideja të ndërtojnë një aeroplan.

“Po si ta ndërtoja atë dreq aeroplani se! Dhe sidomos, si ta bëja të ngrihej në erë bashkë me mua që peshoja kurrë më pak se tridhjetë e shtatë kile? Ah, fat po fat kishte 700 Gramshi që ishte aq i dobët sa po të frynte ndonjë erë e fortë, mund ta ngrinte dhe ta hidhte mbi çatinë e Shkollës së Vjetër pa ia pasur nevojën fare aeroplanit… Sikur të rrija një javë pa ngrënë duke rrojtur me kumbulla apo edhe vetëm me ujë, përsëri do të më mbeteshin nja njëzet e pesë kile të mira. Dhe të peshosh njëzet e pesë kile or tunjatjeta, s’ke si të ngrihesh në ajër e të fluturosh sikur këmbës t’i biesh!” (f.194)

Situata e katërt: Fëmijët koloviten me qerrka me rrota kuzhinetash në një faqe të pjerrët kodre duke rrezikuar të gërvishten ose të pësojnë ndonjë thyerje të gjymtyrëve.

“Nuk munda të shihja në u ngrit menjëherë, në çalonte apo jo sepse fill pas tij ia behu një qerrkë tjetër që po drejtohej me shpejtësi plumbi drejt Dhorit që pa Derrrin e Egër i cili ende s’ishte shkëputur nga përqafimi i ferrave. Timonieri i saj lëshoi një piskamë të mprehtë, u rropat të priste timonin për të shmangur përplasjen dhe si me sustë fluturoi edhe ai drejt fundit të përroit. Para se të zhytej, pashë kokën vezake dhe njoha Çizmen që u hodh krahëhapur edhe ai në gjirin e ferrave.

Shoferë të zot, heronj të vërtetë! Ja çfarë djemsh trima kish mëhalla jonë me emrin Lagja Brazil!” (f. 208) “Për plagët s’i japim llogari njeriu. Ato i paguajmë me dhimbjet tona dhe kështu dalim të larë. Koka bën koka pëson, siç thotë fjala. Por të shqepesh apo edhe më keq: të grisesh, kjo nuk është diçka që të përket vetëm ty. Për atë duhet të paguash para mamave e gjysheve dhe pagesa dihet kush është: ndonjë rrahje e mirë apo mbyllje në shtëpi dhe ty or lum miku s’të mbetet gjë tjetër veçse të shohësh me dylbi lodrat e shokët.” (f.210)

Situata e pestë: Njëri nga djemtë ka grisur rrobat në ferra duke u kolovitur. Pandi Makaronka ka shkuar të marrë pe e gjilpërë duke vënë një kusht të rëndë: të ngasë dy here njërën nga qerrkat!

“Në gju ndjeva një dhimbje të mprehtë. Po ashtu edhe në kurriz. Sytë m’u përlotën. U mundova të dilja prej atij grumbulli rënkues por nuk mundja. Pranë meje vura re Çizmen. Me fytyrë të shtrembëruar nga dhimbjet mundohej të dilte nga grumbulli dhe të shqitej prej ferrave. Turbull dhe si nëpër mjegull pashë Makaronkën të fanitej në majë të përroit që tundte në erë një gjilpërë me një fill peri të gjatë duke thirrur: – Qerrkën, ose je i sharë!” (f. 216)

Situata e gjashtë: Fantazia fëminore përthyhet në një realitet tjetër, si në ato zgjimet e herëpashershme të Don Kishotit të dështuar.

“Sakaq rashë mbi gjunjë, ngjeva në kuti sfungjerin dhe nisa të vizatoja aeroplanin. Ia vizatova trupin, krahët, rrotat dhe bishtin. Me të mbaruar u ngrita në këmbë dhe nisëm ta vështronim. – Ky më shumë ngjan si sallator më rrotka! – tha i pakënaqur Indiani.

Dora në zemër, ashtu po më dukej edhe mua: si sallator me rrotka.” (f. 228)

Shkrimtari Thanas Jorgji ka plane të detajuara për krijimtarinë e vet. Një seri e gjatë janë posaçërisht për fëmijët dhe gjysma e tyre kanë parë dritën e botimit.

Gjithë kjo seri e merr brumin nga fëmijëria e shkrimtarit në qytetin e Bilishtit, prandaj personazhet shfaqen herë pas here duke mbetur brenda karakterit të tyre. Në kushte e një shoqërie të kontrolluar nga shteti totalitar, fëmijëria e shqiptarëve të asaj periudhe nuk kishte drama të mëdha. Dramat dhe tragjeditë lindnin dhe vdisnin në botën e pasur të fëmijëve që mbushnin zbrazëtitë nga mungesa e kontakteve me botën me leximin e librave dhe ëndrrat e tyre të çuditshme. Ja pse personazhet e romaneve për fëmijë e kanë të parashkruar humorin që në nofkat apo llagapet që i vënë njëri-tjetrit dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Humori që përcjell këtë roman dhe të tjerët, autori e ka gjetur në jetë. Humori tregon shëndetin mendor të një shoqërie dhe Devolli e ka kultivuar si traditë atë. Th.Jorgji ka meritën e madhe që ka arritur ta transmetojë ose ta përpunojë atë për ta shijuar edhe lexuesi.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...