Home / OPINION / HOXHA I SULIT DHE PRIFTI I ZIÇISHTIT
loading...
Kadri Kadi
Kadri Kadi

HOXHA I SULIT DHE PRIFTI I ZIÇISHTIT

HOXHA I SULIT DHE PRIFTI I ZIÇISHTIT

Lexova para ca ditësh në këtë Portal, shkrimin e Fatmir Lamajt me titull “Prifti i Kosinës dhe Imami i Leshnicës”. Në shkrim Fatmiri trajton diversitetin e besimeve fetare në Shqipëri dhe vlerëson bashkëjetesën dhe harmoninë e shqiptarëve me besime të ndryshme, por njëkohësisht godet sjelljet antishqiptare e antihumane të disa klerikëve të veçantë si puna e Priftit të Kosinës i cili zhvarroste eshtrat e shqiptarëve dhe ia shiste ato grekut sikur të ishin eshtra të ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore; apo si puna e Imamit të Leshnicës, i cili rekrutonte të rinj shqiptarë dhe i dërgonte si mish për top në luftën xhihadiste në Siri e gjetkë.

Harmoninë dhe tolerancën fetare në Shqipëri Fatmiri, me të drejtë, ia atribuon të gjithë shqiptarëve, myslimanë, ortodoksë apo katolikë qofshin, por e thekson se merita kryesore këtu i takon, padyshim, popullsisë myslimane që është në mazhorancë. Prandaj Fatmiri, me tërë të drejtën e Zotit thotë: “Unë për veten time i falem Zotit të Madh që jam mysliman shqiptar, sepse i përkas asaj pjese të këtij Populli që në gjithë historinë e saj ka reflektuar dashurinë për këdo shqiptar të besimeve të tjera”.

Më pëlqeu shkrimi i Fatmirit por edhe më vuri në mendime. Edhe unë, nga përkatësia fetare, jam mysliman 24 karatsh. Gjyshi nga babai ka patur titullin Kadi, funksion ky fetar dhe administrativ. Nga ana e nënës, unë jam nip i Hafiz Abdullah Zëmblakut, patriot, dijetar dhe lëvrues i shquar i Fesë Myslimane. Bashkëshortja ime gjithashtu është myslimane, e Sektit Bektashian. Por tre vajzat e mia, bashkëshortët i kanë të krishterë dhe ato shkojnë në Kishë së bashku me burrat dhe fëmijët e tyre. Rrjedhimisht, meqenëse nipat e mbesat i kam të krishterë, shkoj edhe unë ndonjëherë në Kishë me ata pasi, fjala vjen, nuk mund të mos jem pjesëmarrës e të mos gëzohem në ceremonitë e pagëzimit të nipave e mbesave të mia.

Formimi im botëkuptimor në fakt është materialist, pra ateist. E megjithatë jo ateist konsekuent. Kur kam hall e kur kam keq, i lutem Zotit edhe unë. Më kujtohet se, kur isha student, një shoku im i cili ishte besimtar, i bëri këtë pyetje pedagogut të Materializmit Dialektik: “Profesor; a do të kishit juve frikë, nëse natën, në errësirë, i vetëm, do të kalonit përmes një varreze?”. Profesori u zu ngushtë, por dha një përgjigje të sinqertë: “Dëgjo mor djalë-tha-, në rast se mua do të më rastiste që natën të kalonja nëpër varreza, por pa e ditur ku ndodhem, nuk do të më ndodhte asgjë. Por në qoftë se unë do e dija se ndodhem në varreza, atëherë një shpend po të lëvizte, një shkurre po të fëshfërinte, apo një vezullim drite po të shfaqej nga ndonjë objekt fosforeshent në tokë; do të trembesha sa, ferra do më dukeshe Ibrahim, pasi thellë në qenien time, si tek çdo njeri, janë të ngulitura që në fëmijëri tregimet me lugetër, me xhinde e me shejtanë”.

Këtu në Kolorado ku jetoj, janë rreth 200 familje shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova. Mblidhemi në raste festash e gëzohemi sëbashku. Kuptohet që me disa familje afrohesh më shumë dhe krijohen marrëdhënie më të ngushta e hyrje-dalje familjare. Kisha para ca ditësh, në shtëpi, për darkë, për një gëzim familjar, katër familje shqiptare e konkretisht Fehmiun me bashkëshorten e tij Lulen, Dilaverin me bashkëshorten Anxhelina, Arturin me bashkëshorten Daniela dhe Ilirin me bashkëshorten Renata. Kam qënë edhe unë disa herë familjarisht në shtëpitë e tyre pasi na puqet muhabeti. Kisha dijeni për gjendjen dhe begrandin shoqëror e kulturor të secilit prej tyre, dija se nga cili vend i Shqipërisë vinin, çfar arsimi e profesioni kishin, çfarë pune kanë bërë në Shqipëri dhe çfarë pune bëjnë këtu në Amerikë, dija hobet e pasionet e tyre, dija edhe hallet që kanë, dija edhe bindjet e tyre politike, madje i dija edhe skuadrat të cilave iu bëjnë tifozllëk në Kampionatin Botëror të Futbollit që po zhvillohet në Brazil, por nuk i kisha pyetur e nuk më interesonte fare besimi i tyre fetar. Por muhabeti i gjatë në tavolinë, me verë, uiski e birra, (se raki s’para kemi këtu në Kolorado), na hodhi degë më degë kështu që u hap edhe tema e fesë. U zura ngushtë pasi që të jepja edhe unë ndonjë mendim për këtë temë, më duhej së pari të dija se kujt besimi fetar i përkisnin miqtë e mij. Duke gjykuar nga emrat e tyre mendova se Fehmiu me Lulen janë myslimanë kurse Dilaveri me Anxhelinën janë një çift miks. Mirpo vështirësinë e pata në dy çiftet e tjera. Emrat Artur- Daniela dhe Ilir- Renata nuk tregonin gjë për të përcaktuar identitetin fetar kështu që i pyeta e u sqarova se njëri çift ishin myslimanë dhe çifti tjetër ishin të krishterë. Mirpo unë kisha gabuar pikërisht me Fehmiun dhe Lulen. Ata janë një çift intelektualësh të mirëfilltë nga Ferizaj i Kosovës dhe vërtet kishin qënë myslimanë, por të mërzitur nga veprimet fondamentaliste të disa hoxhallarëve e imamërve të Ferizajt, ishin kthyer në katolikë.

Qeshëm të gjithë me këto që mësuam për njeri-tjetrin dhe ngritëm një dolli për fenë tonë të përbashkët, Shqipërinë dhe Shqiptarizmën. Pastaj kaluam në temën e politikës. Ishim të gjithë në një mendje se Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk iu ka ardhur e keqja nga diversiteti i besimeve fetare por nga politika. Historia ka treguar se përçarja, lufta e klasave, grindjet, fyerjet, sherret dhe deri në vëllavrasjet kanë ndodhur dhe ndodhin në Shqipëri jo midis myslimanëve e të krishterëve, por midis idhtarëve e militantëve të partive.

Fshati im, Mançurishti, banohet vetëm nga myslimanë. Por deri në vitin 1967 fshati im ka patur tre objekte të kultit fetar; Xhami, Teqe dhe Kishë. Në Xhami shërbente Hoxha i Fshatit, në Teqe shërbente Baba Dervish Musai kurse Kishën e Mançurishtit e administronte Prifti i fshatit fqinj, Progrit, por për atë kujdeseshin dhe e mirëmbanin edhe bashkëfshatarët e mij myslimanë të cilët e vlerësonin si institucion të shenjtë. Bashkëfshatarët e mij myslimanë faleshin e i kryenin ritet fetare në Xhami dhe në Teqe, por ata shpesh shkonin për të kërkuar ndihmën e Zotit edhe në Kishë, ku ndiznin qirinj dhe linin ndonjë bakshish për sevap. Kisha ishte ngjitur me Shkollën e Fshatit dhe ne nxënësit hynim aty si në shtëpinë tonë, na dukej një shtëpi e qetë dhe me autoritet.

Në Fshatin Progër, që banohet nga të krishterë e myslimanë, ishte një Kishë më e madhe dhe aty zhvilloheshin shumë festa e aktivitete fetare. Në disa nga këto aktivitete, si përshembull në festimin e Krishtlindjeve, në organizimin e Rogeçëve të Progrit (Karnavaleve), në ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujin e Basenit të Izvorit etj, përveç të krishterëve, merrnin pjesë edhe besimtarët myslimanë të Progrit, por edhe të Mançurishtit, pasi fshatrat tona janë vetëm disa qindra metra larg njëri-tjetrit. E kjo tregonte, padyshim, marrëdhëniet njerëzore shumë miqësore që egzistoninn në fshatrat tonë ndëmjet krishterëve e myslimanëve.

Nuk më vjen mirë dhe brengosem sot, pasi sa herë që vij në Korçë , shikoj kodrat mbi Korçë dhe Malin e Moravës të mbjellë me kryqe të mëdhenj. Epo këto kodra e male nuk janë vetëm të ortodoksëve por edhe të myslimanëve të Korçës, të cilët nuk i janë kundërpërgjigjur këtij veprimi dhe të vendosnin aty, edhe ata, simbolet e Fesë Myslimane. Mendoj se ky karshillëk dhe provokim ndaj myslimanëve nuk bëhet nga ortodoksët korçarë, të mirë e të sjellshëm, por nga disa klerikë lakej të shovinizmit të Kishës Greke dhe të priftit Janullatos, këtij peshqeshi që Saliu i Viçidolit ia la në derë Kishës Ortodokse Shqiptare.

Kujtoj me mall se si në Shoqatën e mrekullueshme “Devolli”, ne devollinjtë e Degës së Tiranës mblidheshim shpesh e diskutonim vëllazërisht, pa asnjë dallim, myslimanë e të krishterë. Ziçishtari Pandi Konomi na tregonte se si, për Pashkët vinte për vizitë në shtëpinë e Priftit në Ziçisht, Hoxha i Sulit kurse për festat e Bajramit, Prifti i Ziçishtit shkonte në Sul për ta uruar Hoxhën.

Ja kjo është mrekullia shqiptare e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare që nuk mund t’ia gjesh shoqen në Botë.Të jemi vigjilentë e të mos i lejojmë sharlatanët e politikës dhe të feve të ndryshme që të na i prishën këto vlera të bashkëjetesës fetare dhe dashurisë njerëzore, të krijuara në shekuj nga brezat e Popullit tonë. Është gjithmonë aktuale thirrja e Rilindasit Pashko Vasa:

“Çoniu shqyptarë prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngoniu,
E mos shikjoni kisha e xhamia,
Feja e shqyptarit asht asht shqyptaria.”

Kadri Kadiu
Denver qershor 2014

loading...

Komento!

loading...