Home / OPINION / Historia, përrallë ose njohuri mbi të vërtetën
loading...

Historia, përrallë ose njohuri mbi të vërtetën

Historia, përrallë ose njohuri mbi të vërtetën

Nga Rami Miftar Laçi

[quote_simple]Nëse i pëlqeni përrallat, lexoni historinë nga burime të fituesit. Nëse doni të mësoni diçka më pranë të vërtetës, lexoni burimet e humbësit; aty do të gjeni shkatërrimet, dhunën, dhimbjen, vajin, humnerën…[/quote_simple]

Flitet e përflitet se fituesi e shkruan historinë. Gabim me parapëlqim! Historinë e shkruan edhe humbësi por ata që fituan e kanë forcën e publikimit, shërbimit, hedhjes në masa… dhe me këtë, e mbajnë në dorë hipokrizinë dhe dredhinë që e quajnë “e vërteta” apo që na e njohim më së shumti si e vërteta historike. Mandej historia është njëra ndër mënyrat e njohjes së kaluarës duke u mbështetur në dëshmi e prova por të cilat kanë interpretime shumanësore. Që në çastin kur themi se historinë e shkruan fituesi, dëshmojmë se këtu ka thellësi marramendëse të pasaktësive dhe subjektivizmit rrënues të së vërtetës, të qenësishmes.

Përderisa të dy palët kanë mundësi të fshehin provat e padëshirueshme, fituesit (luftë, ideologji, mbisundim) janë në epërsi, pasi materiali në sasinë dhe cilësinë dëshmuese e faktografike është në posedim të tyre. Fshehin çka duan, zhdukin çka duan, ndërrojnë çka duan… Mandej anët e kanë edhe si kukull këtë lëmi, e veshin sipas mundësive, sipas aftësive, sipas dëshirës e sipas nevojës vetjake. Edhe në qëllimet më të sinqerta të historianëve dhe shkencëtareve relevantë por edhe e dëshmive okulare si dhe e xhirimeve audio-vizuale nuk janë dokument e as provë të një vërtetësie besnike.

Për çdo ngjarje mund të tërhiqen paralele krahasuese. Kjo vlen edhe për momentet e historisë ku një anë e madhe është e të njëjtit mendim por as kjo nuk bënë pjesë në saktësi kuptimplote. Natyrisht, kur flasim për data të vërtetuara, për ngjarje të diapazonit me horizont të gjatë kohor të zhvillimit të rrjedhave e rrjedhojave të tyre, saktësia (sidomos nga Mesjeta e këndej) është mjaft koherente. Çka i mungon historisë është paanshmëria e shkoqitjes së ngjarjeve dhe ecurive kulturore e sidomos të rrethanave ku kemi të bëjmë me armiqësi në mes dy ose më tepër subjekteve.

Historia dhe as shkencat e afërta me të, nuk janë në situatë por as kanë bërthamën e duhur të shkoqitjes së saktësive ngaqë nuk janë të pajisura me aftësinë përcaktuese të kuptimeve dhe sjelljeve shoqërore. Derisa sociologjia kërkon zgjedhje dhe shpjegime të mirëfillta, historia shpall tradhti dhe tradhtarë, që është fillimi i gabimeve të rënda vështruar nga kënde reale të jetës dhe përbërjes së shoqërisë. Historiani duhet që skajshmërisht t’i largohet termit tradhti/tradhtarë (shih pjesën e dytë) kur kemi të bëjmë me vëzhgime qëndrimesh të kohëve të caktuara, në situata të caktuara dhe në rolet e botëkuptimet e caktuara të subjektit apo subjekteve të përfolura.

Që nga kohërat e njohura si historike, njeriu anoi nga më i forti. Lavdet iu thurën pushtuesve dhe sunduesve më mizor. Sparta, Egjipti, Leka i Madh… Që atëherë vlente thënia e mëvonshme për vrasësit: Vra një-dy: je vrasës, vra 100: je hero, vra 1 000: je Zot (citim i përafërt).
Na shumë pak i kemi të njohur të dhënat e të thënat e të shtypurve. Ata nuk kanë lavdi, ata kanë vetëm humbje jete. Mijëra e mijëra të vrarë e të masakruar dhe askush nuk i evidenton si heronj! E njëjta gjë vazhdon me shekuj me dallim se gradualisht fillojnë të dalin në shesh edhe humbjet, dëmet e të shtypurve si që është shembulli i Spartakut por i cili gjithashtu konsiderohet në njërën anë fytyrë negative, bukëshkalë kurse në togun tjetër, fytyrë pozitive e me hipjen në forcë të komunizmin, ai u bë luftëtari më i ndritur i “vegjëlisë”.

Kur jemi të komunizmi, historia (lexo: historianët) ngatërroi lëndën me politikë dhe synimet nënshtruese ndaj qytetërimit të gjeratëhershëm i paraqiti si qëllime sublime të njeriut. Komuna e Parisit morri epitetin e fitores së parë të një klase e njohur si e nënshtruar. Klasë e nënshtruar po, por terrori i këtyre viteve do të ngelet vragë në kujtesën e popullit francez. Sa për ilustrim do të cek se gjatë Terrorit në Francë që filloi në gusht 1792 e gjer në përfundim të tij më korrik 1794, është kalimi i nxirë i Revolucionit Francez. Me rënien e ruajalistëve, filloi prerja e kokave. Sipas të dhënave, gjatë kësaj kohe dyvjeçare, iu pre koka rreth 16 000 – 17 000 njerëzve, që do të thotë, 23 koka të shkurtuara brenda një dite ose ndryshe të themi, një kokë në orë. Kësaj i shtohen edhe përafërsisht 25 000 ekzekutime me procedura të shpejta e të përcipta, si dhe afro gjysmë milion burgosje.

Pas kësaj, është domethënës fakti se ka ende shumë historianë që këto vite të Revolucionit Francez, vazhdojnë ti konsiderojnë si fitore dhe liri nga një sundim i rëndë mbretëror!

Kohëve më të reja flasim mbi demokracinë amerikane dhe ngrihen lavde për drejtësi të pashoqe por mbi çka dhe si u ngrit ky gjigant. T’i pyesim vendasit e Veriut dhe të Jugut, aty do e gjejmë gjykimin më të drejtë historik. Ndoshta më parë duhet historianët t’i artikulojnë himne autoktonëve dhe jo pushtuesve edhe pse çdo hyjnizim është dekadencë e vërtetës shkencore por së paku, kështu arrihet një barazim hyjnizimesh në mes fituesit dhe pësuesit. Shembuj më të freskët janë republikat e bashkuara të quajtura BRSS. Gjer dje, për shumë historianë, ishte shtet me barazi shembullore në botë dhe me ndryshimet e fundshekullit të XX ky Bashkim u shndërrua për “gjysmën” e historianëve, në ferr të popujve (kryesisht jo rus).

Histo(e)rianët të cilët shkruajnë për të kaluarën e re të Afganistanit, nuk ndalen së dokumentuari egërsitë e pushtuesit sovjetik – rus por, të njëjtën shkruajnë pa asnjë turp me terma poshtëruese për popullin afgan të rënë nën thundër të pushtuesve të “mirë”. Një pikë mund të jetë e drejtë këtu; kur flitet për terror ndaj civilëve të cilit krah që të jenë, duhet çrrënjosur dhe kjo është e tëra.
Paralele të tjera mund të hiqen pa mbarim nga përjetime dhe ngjarje në të kaluarën ku bëhen më tepër komente dhe shprehje simpatish se sa përshkrim i rrjedhës faktike. Në të vërtetë, faktet historike edhe nuk mungojnë, çka mungon është paanshmëria e sidomos shmangia nga opinionet mbi një ecuri historike. Nuk njohim raste kur mungon plotësisht mendimi i historianit mbi ngjarjen që dokumenton. Është pikërisht kjo që e përdhosë historinë, që e bënë përrallë dhe histeri animesh dëmtuese të një studimi të mirëfilltë.

Për të pasur një parafytyrim të së kaluarës në botë, duhet patjetër historianët t’i largohen gjer në skajshmëri cilësimeve të subjekteve, cilësime të cilat ushqejnë një ide e ideologji por që nuk sjellin asgjë në dritën e së vërtetës. Për më tepër, hasim akoma në historianë që janë shumë pak të aftë në njohjen e terminologjisë së përpiktë por edhe mosnjohjeve të tyre gjuhësore. I gjejmë të përziera kuptimet pushtues, sundues dhe robërues, që është e palejueshme për një specialist të lëmisë në fjalë. Akoma më e papëlqyeshme bëhet kur këto terma përdoren vend e pa vend në librat shkollor.

Cilësimet e panevojshme, të cilat shërbejnë për nacionalizëm të ”vogël” apo hyjnizim të diçkahit, vetëm se shpartallojnë besnikërinë ndaj së vërtetës por edhe dëmtojnë vet anën që e mban historiani. Ai shpesh bëhet rrenacak ose është i padijshëm kur kërkon të shpjegoj një ngjarje historike duke e thurur me cilësime, hiperbolizime e fyerje. Të thuash se një pushtues dhe sundues i mëtejshëm ishte i egër me Shqiptarët por jo me Bullgarët e të tjerë, jo vetëm që poshtëron një komb por poshtëron edhe kombe të tjera me të cilët i njëjti okupator paska qenë i butë, i mirë. Si ndihemi na dhe të gjithë të apostrofuarit kur lexojmë të tilla histori nga autorë të papërgjegjshëm apo të çartur nga ndonjë far dashurie, gjoja patriotike. A ju kujtohet sa herë keni lexuar se hordhitë pushtuan trojet tona. Ku dhe kur keni dëgjuar se hordhitë pushtuan vende?! Nëse hordhitë pushtuan tokën tonë, aferim ju qoftë historianë që shpikët diçka të re në botë. Në vend të themi të vërtetën e dokumentuar, na krijojmë mite për hordhi. Tokat tona (por edhe çdo vend e popull tjetër në botë) kanë qenë të okupuar me ushtri të rregullta e më të fuqishme në momente të caktuara të historisë. Hordhitë janë gjetur aty për të plaçkitur e ecur pas viktimave të reja të popullit të dërmuar që lente pas ushtria okupatore.

Dy kuptime apo veti të njeriut me të cilat historia merret vend e pavend, janë tradhtia dhe heroizmi. Këto dy “pajisje” të njeriut janë dy skaje diametrale që më tepër i takojnë psikologjisë, sociologjisë, në disa pikë-vështrime psikiatrisë, politikës dhe më së fundi historisë. Andaj historiani nuk guxon t’i kualifikoj e t’i radhis subjektet dhe vendimet në taborë, – tradhtarë e hero; gjegjësisht, tradhti e heroizëm. Përderisa heroizmi mund të përcaktohet më lehtë, tradhtia ngelën për vëzhgim të palëve të ndërlidhura në qark të njëjtë rrethanash.

Në këtë kontest do të marr në shqyrtim shembull nga historia e ynë nga vitet e pas LDB. Vendimi për “ndaljen” e fesë i prurë nga Hoxha dhe të gjithë të tjerët pranë tij, nuk mundet e as nuk është detyrë e historisë e pra e historianit. Përderisa Enver Hoxha mund të konsiderohet si tradhtarë nga pjesa myslimane (jo nga historianët) duke llogaritur prejardhjen e tij, ai padrejtësisht mund të trajtohet si tradhtarë nga besimet e tjera jo për shkak të armiqësive por për shkak të botëkuptimeve të ndryshme si dhe dallimeve numerike. Por sikur ai të ishte i krishterë? Për çfarë tradhtie do të flitnin besimet tjera? Nëse historia dëshiron ta quaj tradhtarë për këtë politikë, ai, a ishte tradhtarë në kuptim kombëtar? Ndaloi fenë për tradhti apo për ndonjë dobi që e shihte si reale për kombin? Ja kjo është ajo që historia duhet të dëshmon kurse për tradhti e heroizëm, duhet t’i lehet për shqyrtim sociologëve, filozofëve, pse jo etnologëve, opinionit mbarë…; dhe vetëm nga aty, të shërbehet disi historia. Ndaj, ngelën të dëshmohet aq sa është e mundur se ishte i gabuar ose jo vendimi për ndalesë të fesë. Dhe përsëri, as këtë nuk e ka për detyrë e as ka formatin e duhur që ta shqyrton historia.

Do të ndalem tash në “historinë” e udhëheqësit tjetër komunist që veproi në trojet shqiptare të ngelura nën Jugosllavi. Konkretisht, e kam fjalën për cilësimet ndaj Fadil Hoxhës, ushtrues i detyrave të larta në Kosovë dhe në nivel të federatës së dikurshme jugosllave. Akoma sot gjemë “britma” historike se ai tradhtoi, ai lejoi, mundësoi, ndihmoi vrasjen e 5000 shqiptarëve. Këtu kemi një cilësim të bazuar në hamendje të historianëve (dhe të tjerëve). Nuk kemi asnjë dokument që pohon (e vërteton) se Fadil Hoxha dinte ç’do do të ndodh në Tivar apo gjetiu. Donte Fadili ose jo shkëputej Kosova dhe trojet tjera nga Shqipëria ose qe i detyruar të pranoj një të keqe të imponuar por që nuk ishte më e dëmshme se vazhdimi i luftës. Së fundi edhe nëse ai mund të konsiderohet si tradhtar në rastin e eliminimit të atdhetarëve jo komunistë, çka do të kishim thënë sot nëse krahu tjetër fitonte në fund të luftës dhe merrte pushtetin duke ndenjur po ashtu në RFPJ (dhe supozojmë të kishte likuiduar Fadilin me komunistë të tjerë). Në rastin konkret, historisë i ngelën të dokumentoj, të sjellë prova, dhe të flet për data e shifra pa u “kallur” pas tradhtive e manovrave tjera jashtë kontekstit të vet!

Duke vazhduar me shembuj nga e kaluara e ynë e messhekullit të XX, do t’i kthehem një rasti ku mu historia duhet të merr fjalën e jo të lej politikën dhe bisedat e mediave për ditën e çlirimit të Shqipërisë. E shkruaj “dita e çlirimit” me të vogla, enkas për të ra në sy se janë dy (ose më shumë) çlirime në vitin 1945. Këtu historiani duhet të ketë fjalën dhe jo sikur gjer më sot, të lejoj manipulime partiake. Dita e përfolur nuk është e kohës parahistorike dhe mundësitë janë në “grusht”. Duhet guxim qytetar e shkencor që të kënaqet e vërteta rreth kësaj çështje pa pasur nevojë për gojëdhëna ideologjike.

Së fundmi, historisë i lejohen disa kuptime edukative lidhur me çështjen atdhetare e kombëtare si bie fjala në tekstet shkollore gjithë duke pasur para syve moshën e nxënësve si dhe nivelin e mëtejshëm për ku atribuohen tekstet. Çdo ndërhyrje subjektive ose me qëllime të tjera jashtë kontekstit dhe rolit historik, janë përzierje e së vërtetës dhe mitologjisë së pavlerë për një njohje të mirëfilltë dhe të qëndrueshme.
Nëse është e vështirë për t’iu shmangur subjektivizmit pasi njeriu mbisundohet pak a shumë nga ndjenjat subjektive, nuk është aspak e ndërlikuar mënjanimi i terminologjisë politike, nacionaliste dhe cilësimeve ideologjike. E them këtë se ende gjejmë shprehje të kohës komuniste por edhe më të vjetra, për tradhti ndaj mbretit, ndaj republikës, ndaj partisë, ndaj sistemit; analogjikisht edhe besnikëria “ndaj”, që nuk qëndrojnë aspak në një saktësim historik.

Historia duhet (do t’i) të gjykoj! Ajo nuk është për të gjykuar por për të shërbyer në njohjen e totalitetit të ngjarjeve për të cilat as nuk ka detyrë të jep vlerësime nëse mund të shmangeshin nëse… Ajo mund të vlerësoj me së shumti një shkak apo shkak për të nisur një lëvizje shoqërore, luftë, betejë, ndryshim por nuk guxon të merret me kalkulime si bie fjala “do të ishte, sikur mos të ishte…”. Kërkuesi i të kaluarës eviton edhe superlativin si dhe denigrimin e të gjitha ngjyrave. Nëse mbështetet në fakte por edhe dëshmi të verifikuara, ai do të shprehet: “ ra në fushëbetejë (front etj.) dhe jo “ra heroikisht në fushëbetejë…) Nëse ra heroikisht, këtë do ta thotë letërsia, dhe artet pa dallim; filozofia, sociologjia etj.

Mbreti Zog nuk luftoi. Ai u largua jashtë Shqipërie. Në asnjë mënyrë historianen nuk kanë për rol të vlerësojnë si pikë historike këtë largim si tradhti. Konditat historike janë ata të cilat duhet të trajtohen dhe vlerësohen. Pse nuk luftoi, pse lëshoi vendin? Cilat ishin rrethanat për të (mos)hyrë në luftë?

Esat Pasha, Avni Rrustemi… E vërteta është se që të dy ishin trima por etiketa tradhtarë nuk qëndron. Nëse dobësi e gabim ka pasur, kjo duhet të dokumentuar aq sa na mundësojnë të dhënat pa iu rrekur fjalës tradhti për t’u dukur historian patriot.
Etiketimet nuk kanë qenë as në kohërat e lashta e nuk janë as sot pikë e qëndrueshme e historisë. Nëse tolerojmë një shkencë të tillë, nuk do të mbete asnjë sekondë e egzistencës së njerëzimit që do të jetë e vërteta reale historike. As nuk kemi nevojë të kthehemi larg; Demaçi, Berisha, Nano, Rugova, Qosja… dhe lista bëhet e pafund, do të dalin herë trima e atdhetarë, herë frikacakë e tradhtarë. Gjendja e këtillë është ajo që më së paku ka të bëjë me historinë, ndaj, historianët duhet t’i rreken lëvrimit të së vërtetës pa u lidhur pas opinionit dhe mendimit ditor ose atij vetjak.

Si që vërehet përgjatë shkrimit, unë nuk kam emëruar historianë e as kam dhen raste të përpikta sepse nuk e shoh të rrugës të bëjë histori në këtë shkrim por do të përmend fytyra të njohura kombëtare si dhe ngjarje nga e kaluara në botë, për të mundur kështu, të kemi një pasqyrë më të qartë mbi problematikën e terminologjisë e cila kur është jo adekuate shkakton “kakofoni” historike.
T’i rikthehem tani sqarimit të dëshmisë nga fakti. E dimë se këto dy kuptime dallojnë edhe në fushë të jurisprudencës e nga këtu, dallojnë në jetën e përditshme por natyrisht edhe në dokumentimin e ngjarjeve historike. Për dëshminë ka një procedurë të tërë të vërtetimit të saj sepse ajo në vetvete nuk është automatikisht diçka që dëshmon. Në rastin tonë, nëse historiani i mbështetet besnikërisht dëshmisë nga një person prezent kur, “trimi X vrau me një të shtirë armikun” dhe e plason këtë si të vërtetë, nuk kemi më këtu të bëjmë me një ngjarje të vërtetuar dhe të vlefshme për histori. Ka shumë rrethana që bëjnë një dëshmi jo të besueshme:

Përjetimi psikologjik, perceptimi i gabuar, jehona e zërit, vlerësimi i gabuar pamor ku i vdekuri (apo i plagosuri) ka në trup vetëm një goditje nga se tjetri (të tjerët) ka huqur…

Tash t’i rrekemi faktit (fakteve):

Analizë balistike e armës (armëve) gëzhojat, eventualisht të gjinden plumbat (nëse të shtëna ka pasur) që nuk qëlluan cakun. Dhe mandej faktet do të vërtetojnë edhe mundësi të tjera si huqja e cakut por një ose më shumë të shtira nga dikush jo i pranishëm në fushëngjarje por i kamufluar në afërsi… Mandej analizë e trupit (lëkurës) së personit (personëve) që mendohet të kenë shti…
Flagrancë tjetër është përdorimi i kohës së tashmja historike (prezentit historik) gjatë rrëfimit (me shkrim) ose gojor e që përdoret shpesh nga pedagogë në orë të mësimit. Forma e këtillë duhet të hiqet fund e krye nga përdorimi. Mjafton për këtë lloj prezantimi të historisë filmi, filmi i vizatuar, romani, poezia, politika ditore…).

Gjatë ligjërimit në shkollë nuk guxon asnjë pedagog për hirë të ndonjë edukate patriotike të stërmadhoj ose ndryshoj njohuritë e dhëna historike si që dëgjoja në fillore: “ Kur, e nxori shpatën dhe pa një pa dy, iu vërsul armikut dhe ia preu kokën si mollë…” Nuk do mend se kjo nuk është aspak lënda e historisë. Këtë na e shiste profesori në fillore.

Unë do të përmend këtu edhe rastin tjetër të mëvonshëm, kur në ligjërata, një Dr Prof, nuk lejonte ta quajmë Aleksandrin, Aleksandër. Ai ishte Lekë, pra Leka i Madh, ishte Ilir pa asnjë dyshim. Gjer këtu mirë. Por pse kur filluan përvetësimet e Lekës nga mbarë popujt e Ballkanit, Doktori nuk e hapi gojën, as e gdhendi lapsin, as nuk i lëvizi gishtat mbi tastierë për ta shkruar një fjalë, për ta thënë atë që na e thoshte dikur?! Nuk mund të them se i mungoi guximi, njohuritë ose e gjitha bashkë. (Nuk do t’ia përmend emrin se si që thash më lart, nuk do të merrem me emra në këtë shkrim; mandej për arsye se profesori në fjalë ka ndërruar jetë dhe më në fund, emri nuk është me interes për këtë punim). Nuk kishte edhe si t’i rreket një demanti të “historianëve” që përvetësonin, të them me pallavra Aleksandrin. Ata i përdorën faktikisht pallavrat e njëjta të profit tim. Nga kjo nxjerr përfundimin e gjithë betejës time për një histori të mirëfilltë, se krejt të tjerat sot ose nesër do të bien në harresë por duke lënë dëme në brezat e ri. Ata nuk meritojnë të edukohen me patriotizëm të pabazë se me këtë vetëm sa dëmtohen rëndë.

Rezyme

Një qasje se çfarë është historia, do të nis nga pikëpamja se ajo qëndron në njohjen e së kaluarës së njeriut. Shpjegimet e tjera si “tregim (shtjellim) i së kaluarës” ose edhe “vepër letrare mbi të kaluarën e njeriut”, janë tentativa të dobëta për ta klasifikuar historinë. Historia e shkruar egziston që më parë në njohuritë e tubuara të autorit dhe hedhja në fletë është akt shoqëror me kërkesa të përcaktuara si që janë saktësia, paanësia, mbështetja në fakte dhe dëshmi të provuara andaj unë i referohem formulimit se historia është “njohje e së kaluarës” dhe me këtë, dallon thellësisht nga çdo interpretim tjetër.

Nëse pajtohemi se historia është njohuri, i eliminojmë emërtimet hulumtim, studim e me këtë edhe kuptimin fillestar të fjalës greke anketim. Të gjitha këta kuptime me përjashtim të “njohje” kanë në brendi një fund gjë që nuk i përkon aspak teorive të tjera mbi përkufizimin e historisë pasi çdo anketë, hulumtim, kërkim e me radhë, kanë një mbarim, në mos edhe synim në raste të ndryshme që i përkasin tendencës së një numri të autorëve. Njohja si përkufizim për historinë, konsiston në arritjen e së vërtetës ku patjetër duhet të arrin duke u treguar e aftë t’i përmbushë kriteret e vërtetësisë dhe përpiktësisë së dokumentuar me metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
Krejt kjo çon drejt asaj se historia është NJOHURI mbi gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën dhe pra nuk kemi të bëjmë me histori – shkencë. Kjo njohuri është e ndihmuar nga shkenca të tjera (arkeologjia, antropologjia, mjekësia, etnologjia, gjuhësia, biologjia…) për të arritur një të vërtetë por pa qenë vet shkencë.

Kur them NJOHURI, kam parasysh në radhë të parë kushtet jetike që bëjnë ta konsiderojmë historinë e shkruar si diçka të tillë e kjo është e vërteta, paanësia dhe e vlefshmja. Këta komponentë duhet detyrimisht larg të së gabuarës, të mashtrimit (falsifikimit), miteve, dokeve dhe varësive nga qëllimet pedagogjike apo populiste. Nuk mund të bashkojmë nën një kulm njohurinë dhe ngulitjen në tru të shkollarëve, pseudonjohuri mbi të kaluarën sepse këtë e don një sistem politik ose një metodë pedagogjike që thirret në devalvime të njohurive mbi të vërtetën.

Historia nuk mund të jetë materie për pëlqim nga se ajo që ka ngjarë dhe përjetuar në kohë, është plotësisht jashtë kontekstit dhe dëshirave tona. Historia si njohuri mbi të kaluarën, nuk është aty të len të plasohen ngjarjet për të pëlqyer; artet e ndryshme të cilat nuk pretendojnë vërtetësinë reale por kërkojnë trend, i kanë të tëra mundësitë ta bëjnë këtë.

E pra, mund të themi tani se a është lehtë të njihet e vërteta. E bëra pyetje edhe pse nuk mendoj se problemi thelbësor qëndron në këtë segment. Por pas elaborimit të gjatë mbi të vërtetën e pashë të arsyeshme të shtjelloj rëndësinë e së vërtetës dhe jo të vërtetën si kuptim leksik. Për historinë e qenësishme është shkoqitja e së kaluarës e ndihmuar nga shkencat përkrahëse që shpijnë drejtë të vërtetës, drejt përcaktimeve kohore, kuantitative dhe vendngjarjeve. Në momentin që arrihet kjo e vërtetë maksimale shkencore, e sistemuar dhe e përkufizuar me elaborat plotësisht jo subjektiv, do të dallojmë atë që unë e quaj NJOHURI (e përgjithshme e së kaluarës) në raport me HISTORINË SHKENCË.

Rami Miftar Laçi

loading...

Komento!

loading...