Home / REPORTAZH / Historia më e vjetër e Devollit
loading...

Historia më e vjetër e Devollit

Historia më e vjetër e Devollit

(Sipas librit të Zhan Klod Faverial “Historia më e vjetër e Shqipërisë”, Tiranë 2004)

Gjuha shqipe është një e folme pellazgjishte. Straboni (historian e gjeograf 63-20 p.e.s.) thotë se shumë njerëz e quanin Epirin Pellazgji. Pas mposhtjes nga grekët disa pellazgë u vendosën në Shqipëri e në kreshtat e Pindit.

Në kohët e hershme popullsia krijoi dy grupe kryesore: ai i veriut me qendër Shkodrën dhe ai i jugut me qendër Pasaronin. Në grupin e veriut përfshiheshin edhe Dasaretët me qytete kryesore Ohrin (Lyhnis) dhe Pelionin (Bilisht). (fq.60)
Neoptolemi kishte dy fëmijë: Olimpian – gruaja e Filipit II dhe nëna e Aleksandrit të Madh dhe Aleksandër Mollosin. Neoptolemi u përkiste fiseve shqiptare.

Mbreti Bardhyl udhëhoqi linkestët ilirë për 60 vjet. U vra nga Filipi II. Kliti, i biri i Bardhylit, u bashkua me Glaukun, mbretin e Taulantëve kundër Aleksandrit të Madh, por u mundën prej tij në Pelion dhe i dhanë atij një trupë të forcave ilire për të pushtuar Persinë. (fq.65)
Viti 205 p.e.s. Roma dhe Maqedonia ndanë mes tyre Shqipërinë. Roma mori Pleuratin dhe Ilirinë e Epërme.
Viti 200 p.e.s. Sulpici – konsull romak – depërtoi deri në zemër të Maqedonisë e theu Filipin në rrethinat e Atakut, mbi një prej liqeneve të Prespës. Ai pushtoi Celetrumin (Kosturin) dhe mori rrugën e Apollonisë duke lënë një garnizon të fortë në Pelion, të cilin ua kishte rrëmbyer Dasaretëve.

Viti 168 p.e.s. Maqedonia ndahet në katër pjesë, kurse Iliria në tri.
Viti 147 p.e.s. Maqedonia, Shqipëria e Epërme dhe Epiri bashkohen në një provincë të vetme. Ato kishin prokonsuj ose magjistratë romakë si guvernatorë. Kishte 5 komisionerë romakë në Iliri dhe 10 në Maqedoni. Pasi pushtohej një vend, kujdesi parësor i Romës ishte ta lidhte kryeqytetin me anën e rrugëve ushtarake. E tillë ishte rruga Egnatia. Straboni i emërton epirotë fiset shqiptare në të djathtë të Egnatias dhe ilirë në të majtë, sot gegë e toskë.(fq.68-71)

Visigotët dhe ostrogotët pushtuan Dalmacinë dhe Shqipërinë e Epërme deri në vitin 535.
Sllavët dhe avarët plaçkitin Ilirinë në vitin 581.
Robërit iliro-romakë të rënë në duart e sllavëve kërkuan të bëheshin të krishterë katolikë. Sllavët e ardhur udhëhiqeshin nga një zhupan (koxhabash). Ata ishin të krishterë.

Bullgarët erdhën nga Vollga. Ata morën në mbrojtje popullsinë që përndiqej nga grekët, prandaj në Shqipëri ka emra bullgaro-sllavë.
Viti 865. Shqipëria duhet të ketë qenë politikisht e varur prej princërve bullgarë, pasi kishte parapëlqyer mbrojtjen pagane të mbretërve bullgarë kundrejt mbrojtjes ikonoklaste të perandorëve bizantë.
Viti 916. Vdiq në Ohër Shën Klementi i cili konvertoi popujt ende paganë në rrethinat e Ohrit e Devollit. (fq.147)
Shekulli X. Ipeshkvi i Kosturit kishte kështjellat e dioqezës së tij në Kostur, Kirestrou, Kalone, Devoll, Boazan dhe Moron, 40 klerikë dhe 30 famullitarë. (fq.156)

Të vetmit në Europë vllehët, shqiptarët dhe bullgarët që grekët i kanë shkëputur nga katolicimi dhe i kanë lidhur pas orbitës së tyre, nuk kanë literaturën e tyre. Më fatkeqë se gjithë të tjerët, shqiptarët nuk kanë as alfabet dhe nuk dinë as si shkruhet gjuha e tyre. (fq.168)
Viti 1081. Robert Guiskardi – udhëheqës i normanëve italianë, kishte dërguar Helenën (të bijën) në Kostandinopojë. Mikel Parapinasi e kishte kërkuar atë për të birin, Kostandinin. Mikeli u rrëzua nga froni, Helena u burgos. Aleks Komneni nxitoi ta lirojë. Robert Guiskardi ishte i pakënaqur dhe me 30 mijë burra e 150 anije zbarkoi në Shqipëri. Aleksi shpëtoi duke shkuar në Ohër, prej andej në Devoll, u bashkua me pjesën e mbetur të ushtrisë dhe shkoi në Kostandinopojë t’i kërkonte ndihmë Turqisë. Vitin tjetër Roberti pushtoi Ohrin, Përlepin, Yskupin, Kosturin, etj.

Roberti çliroi papën në Romë, kurse Aleks Komnini bleu garnizonin e Kosturit. (fq.179-80)
1108. Aleks Komeni ndodhej në kampin e Devollit dhe bëri marrëveshje me Bohemundin. (fq.188)

Teofilakti – primati i Ohrit- i shkruan letër djalit të Sevastokratorit – vëlla i Aleks Komnenit:
“Oh, zotëri dhe mbrojtësi im i lartë, tashmë ju keni bërë në këtë vend një mirësi të madhe. Ju i kthyet jetën Prespës dhe Devollit…çfarë rreziqesh nuk kanoseshin këtu!” (fq.191)

Bogomilizmi bullgar dhe manikeizmi shqiptar ishin një herezi që shkatërroi Ilirinë për shekuj me radhë. Ata mohonin mëkatin e zanafillës. Për ata kishte dy zota, dy krijues, dy parime për të gjitha gjërat: njëri shkaktar i së mirës, tjetri i së keqes. E mira dhe e keqja nuk ishin të njeriut, po të Zotit.

Viti 1251. Vataci pushton Vodenën, Kosturin, Devollin, Përlepin dhe Velezin.

Viti 1259. Për t’u hakmarrë për një fyerje të bërë Gjon Bastardit, birit të tij dhe dhëndër i Taronasit, Vataci braktisi gjatë natës kampin e Devollit dhe aleatët e tij bien në duart e grekëve. Gjon Bastardi kur sheh zotërimet greke, kërkon falje dhe bashkon vllehët e tij me shqiptarët e të atit dhe i dëbon grekët nga Epiri.(fq.228)

Viti 1261. Mikel Paleologu dërgoi Strategopulin në Shqipëri. Ky bie në duart e Mikelit mizor dhe shkëmben Strategopulin me të motrën – Anën, vajzën e Vatacit. Në betejën e Devollit forcat e Perëndimit u gjendën të bashkuara kundër forcave të Lindjes. Nga ana e despotit ishin gjermanët e rekrutuar nga Manfredi, kalorësit francezë të Pelponezit, epirotët dhe vllehët. Nga ana tjetër ushtria e Palologut përbëhej nga hungarezë, komanë, turq e grekë. Fati i Shqipërisë ishte i lidhur me humbjen apo fitoren e kësaj beteje. Despoti kishte trupa për t’i zmbrapsur grekët deri në Bosfor. Po gjatë natës ai ia mbathi nga fusha e betejës. Kalorësit frankë u zunë rob, epirotët u ndoqën deri në Adriatik. Kalorësit e arratisur lanë tri fortesa.
Viti 1262. Gjon Bastardi e humbi betejën e Devollit sepse kishte sjellë gruan e tij në ushtri. Kurrë një grua e ndershme nuk ka qenë e nuk do të jetë në vendin që i përket, në mes të një kampi ushtrie. (fq.236)

Viti 1270. Despoti vdiq, po Niqifori, djali i tij nuk kishte aftësi për të rimëmkëmbur katastrofën e Devollit. (fq.229-30)
Viti 1336. Bizanti dërgoi në Shqipëri një trupë të ushtrisë së turqve të Azisë, të armatosur lehtë, që i ndoqën shqiptarët deri në lartësitë e maleve dhe therën shumë prej tyre. Ata grabitën dhe i nisën për në Turqi 300 mijë qe, 50 mijë kuaj, 1.2 milion deshinj. Kështu Androniku e bashkoi Epirin me fronin e Bizantit. (fq.241)

Deri në shek.XIII shqiptarët janë mbajtur pak a shumë si katolikë të pastër. Në fillim të shek XIII bastardët bizantinë futën frymën e tyre në Shqipërinë jugore dhe diktuan skizmën greke. (fq.253)
Viti 1348-57. Vendi ra në duart e serbëve të cilët besonin se mund të zëvendësonin grekët në Europë. Më 1349 car Dushani kishte marrë titullin car i Serbisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Hungaro-Vllahisë. Kjo ishte ëndrra e Dushanit I cili vdiq në Devoll më 1356 në moshën 45 vjeç. Gjatë perandorisë kalimtare të Dushanit guvermnator i Kosturit ishte Nikola Zhupani. (fq.261)
Otomanët pushtojnë Manastirin 1380, Kosovën 1383, Kostandinpojën 1453 dhe merr fund perandoria e poshtme. Raca shqiptare i detyrohet pushtimit turk për mbijetesën e saj. (fq.278)

Viti 1447. Murati II urdhëroi që të ktheheshin në xhami të gjitha kishat e Shqipërisë.
Viti 1875. Në një kishë të Krupishtës afër Kosturit ndodhej një shtatore. Një peshkop e hodhi atë në Aliashmon, por pas dy orësh ra një breshër i tmerrshëm që shfarrosi të korrat. Peshkopi e kërkoi dhe e vuri sërish në vend shtatoren. (fq.308)
Voskopoja kishte më shumë se 45 mijë banorë, tri kisha të mëdha: Shën Mëria, Karallambi dhe Shën Nikolla. Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin edhe nga fëmijë të ardhur nga Nikolica, Litopeni, etj. (fq.363)
Krusheva u themelua më 1680 nga vllehët e Dibrës, por fillimisht është banuar nga vllehët e Gramozit të emigruar nga Nikolica, pasi e kishin plaçkitur shqiptarët. Atje kishte prodhime të mahnitshme argjendarie në filigram. (fq.365)

Në mesin e shek.XVIII bizantini Samuel – arkipeshkv i Kostandinopojës e suprimoi primatinë e Ohrit që kishte 7 metropoli dhe 7 ipeshkëvi. Metropli: Kosturi, Bitola e Përlepi, Edesa, Korica e Selasfori (Devolli), Berati e Kanina, Tiberipoja, Strumica, Grebenaja. Ipeshkvi: Sisani, Megleni, Malëshova, Prespa, Dibra, Kiçova, Mokra.

Metropolia e Ohrit ishte e urryer prej grekëve, prandaj ata kishin gisht në plaçkitjen e qyteteve të lulëzuar të Voskopojës, Vithkuqit e Nikolicës.
Shpërngulja e vllehëve për në Shqipëri pati si shkak parësor shpërnguljen e shqiptarëve për në Itali. (fq.508)
Piloni (Pelioni) duhej të gjendej në Diavot (Devoll) një nga kalimet më të larta në rrugën nga Durrësi në Selanik. (fq 522)

Zgjodhi: Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...