Home / SOCIALE / HISTORIA E VITHKUQIT NË NJË PRERJE KLERIKALE
loading...

HISTORIA E VITHKUQIT NË NJË PRERJE KLERIKALE

HISTORIA E VITHKUQIT NË NJË PRERJE KLERIKALE

Romanet “Varri i Pagëzimit” dhe “Enigma e dhimbjes”
të shkrimtarit Artan Mullaj

I bindur se ka mundur të hulumtojë atje ku rrallëkush ka mundur të hyjë, i sigurt se ka thënë ca gjëra që s’ia ka thënë tjetër njeri para tij, i vetëdijshëm se vepra nuk ka arritur të tërheqë vëmendjen e pritshme nga lexuesit, Artan Mullaj e risjell romanin “Varri i Pagëzimit” (Tiranë 2010) me një version të ri të titulluar “Enigma e dhimbjes” (Tiranë 2014). Kjo dukuri është e zakonshme tek poetët të cilët poezitë e tyre më të bukura i rimarrim në vëllimet pasardhëse, ka ndodhur edhe me prozatorët duke i rimarrë motivet dhe duke sjellë vepra të përmasave më të mëdha.

Indicjet për këto dy vepra më duket sikur fillojnë me një shkrim të autorit në korrik 2008 “Mallkimi i gjelbër” dhe i perceptoj si prirje drejt zhanrit psikoanalitik. Po citoj pak rreshta nga ky shkrim për ta rigjetur me përmasa të mëdha në të dy romanet:
“Të ndjesh, të këqyrësh, të shijosh vetminë murgërore në një qetësi të shenjtë, në një vend ku natyra dhe vetëdija kanë harmoni, kanë mirëkuptim, ku deliret ngjajnë me krijimin, dhe krijimi është freski e instinkteve dhe është fuqi e origjinës, por është edhe vazhdim… Të provokosh arsye të fshehta të ekzistencës dhe ti japësh kuptimin hyjnor asaj ç’ka jemi dhe përse jemi këtu, në këtë vend dhe në këtë kohë… Të meditosh, të mendosh, të provokosh, të gjykosh, të profetosh nga kjo pikë e gjelbër dhe e pastër e planetit, do të thotë të besosh se të gjitha këto janë një shkulm i pashlyeshëm ngushëllimi të ndershëm larg andrallave të ditës dhe larg politikës…”

Është një përpjekje për të zbërthyer enigmat e historisë edhe pse po ta ballafaqosh me autorë të tjerë, ka shifra të diskutueshme. Autori flet për 14 kisha, Gjikë Kurtiqi përmend tri kala, 24 kisha dhe 3 manastire. Mungojnë në roman figurat e njohura historike të Evstrat Vithkuqarit, Naum Veqilharxhit e Spiro Dines. Kjo gjë më bëri ta quaj prerje klerikale të historisë.
Ndryshimet mes dy romaneve janë vetëm në formë: Despina e “Varrit të Pagëzimit” bëhet Marie te “Enigma e dhimbjes”, kompozicioni i romanit të dytë është perfekt. Tek romani i parë ka digresion, tek i dyti një vijë lineare.
Romani ka një intrigë të jashtëzakonshme gjë që dëshmon për talentin e padiskutueshëm të autorit. Është një intrigë befasuese, autori na udhëheq nëpër një labirinth ku shpesh të duket se do të dalësh tek një rrugicë qorre, po në hapat e fundit zbulon se paska edhe një kthesë tjetër të padukshme. Aftësia për të bërë udhërrëfyesin në një labirinth të tillë dëshmon se autori është një mjeshtër i peizazhit, i përndritjes së karaktereve dhe i analizave filozofike e fetare. Shkrimtari ka një vëmendje të shtuar ndaj qiellit dhe mëton të shohë përtej kaltërsisë ose zezonës së tij.

Të dy romanet fillojnë me eklipsin e diellit, por me distancë më se treshekullore mes tyre. Te romani i parë është Andonia shtatzënë që pret efektet e eklipsit tek fëmija që ka në bark. Tek i dyti është prifti Efrem që ka një ngarkesë të rëndë shpirtërore që gjithashtu fillon pas një eklipsi.

Në të dy romanet kemi temën e tradhëtisë bashkëshortore dhe të marrëdhënieve seksuale mes dy gjinive në dy linja paralele, prift – murgeshë, shkrimtar – pastruese. Në linjën e parë që i përket një kohe të kaluar shtrohet çështja e pastërtisë morale në raport me dogmën fetare, në linjën e dytë personazhet janë bashkëkohorë.
Pse ndodh tradhëtia?

Tek burrat mund të jetë shpirti aventurier i tyre, demonstrimi i burrërisë, besimi i dobët, mërzia nga bashkëshortja, perversiteti, etj.

Tek gratë mund të jenë hakmarrja për tradhëtitë e të shoqit, mungesa e dashurisë, besimi i dobët, nevoja materiale, shkëmbimi me divorcin, etj.

Veprat e Artan Mullajt hedhin dritë në arsye të tjera.

Së pari sepse ajo partenri mund të jetë i pabesë kronik, siç ndodh me Efremin i cili mëkatin e ka bërë para se të përgatitej si prift dhe i ka mbyllur karrierën si episkop pavarëisht kulturës së lartë fetare.
Konsumimi i martesës bën që “tradhtarët” kërkojnë mbi të gjitha partnerë më të rinj, për t’u kthyer idealisht mbrapsht me orën biologjike. Kështu i ndodh Efremit që, edhe pse ka një marrëdhënie ilegale me mugeshën Theofili, joshet nga njomështia e Despinës/Maries.

Mjaft hapësirë zë në romane dashuria platonike e shkrimtarit Mitro Filipi për Stefaninë, gruan e ish-ministrit. Shkrimtari tundohet nga fustani i kuq i Stefanisë ku zbulohen format e trupit të saj. Mitroja nuk ka ndonjë frymëzimi fetar për t’u frenuar, por ka një pengesë gjithaq të madhe – xhelozinë e bashkëshortes së vet.
Autori ka dhe një shpjegim shtesë për këtë tradhëti që është po aq e vjetër sa bota: tek meshkujt ai zbulon një tepri energjie të paharxhuar nga dashuria e bashkëjetesës.

Kjo qasje e ndryshme jepet artistikisht me raportin Mitro- Andoni, e shoqja e Hasanit. Në këtë rast është Andonia ajo që priret më shumë drejt aktit seksual. Kjo linjë ka pika konverguese dhe diverguese me historinë e Jusufit kuranor me Zulejhanë, gruan e Asirit. Durimi i Jusufit për të përballuar joshjen e gruas së Azizit, ishte më i madh se durimi që bëri kur u hodh në pus, u shit si skllav dhe u nda nga familja e tij e dashur. Durimi dhe maturia që tregoi përballë joshjeve dhe tundimit të saj, ishte me vullnetin dhe zgjedhjen e vet. Përveç joshjes së Zulejhasë, Jusufi kishte dhe arsye të tjera që mund ta bindnin t’i përgjigjej tundimit të saj sepse ishte i ri përballë një femre shumë të bukur dhe me pozitë të lartë, pronarja e tij, madje ajo e kërcënoi se do e burgoste nëse nuk i bindej. Megjithë këto rrethana lehtësuese, Jusufi e përballoi me dëshirë dhe vullnet këtë sprovë duke shpresuar në shpërblimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhëruar. Krejt ndryshe sillet Mitro Filipi; ai gjen një Stefani tjetër më të re dhe pranon ta ndajë shtratin me Andoninë duke i përmbushur dëshirën për t’u bërë nënë.

Islami edhe kristianizmi e predikojnë tradhëtinë bashkëshortore si mëkat, madje i penalizojnë mëkatarët. Murgesha Theofili (Ofilia) përfundon me grykë të prerë, Efremi po ashtu, edhe shkrimtari Mitro Filipi qëllohet për vdekje pas tre shekujsh.
Si realizohet ky ndëshkim? Kjo është ajo që organizon intrigën në vepër. Dyshimet për vrasjet bien mbi priftin Efrem, mbi murgeshën Agathi, mbi Thanon që humbi gruan dhe djalin, mbi Panajotin që zhduket pas çdo vdekjeje, mbi magjistaren Faride dhe magjistarin Faraudinin, por askush nuk është në gjendje ta provojë fajësinë dhe ky grup kthehet figurshëm në një amalgamë mbrojtëse të dogmës.

Enigma e vrasjeve e shoqëruar me largimin e burrave nga vendi ku ndodh vdekja e bën autorin e veprave të kërkojë edhe një defekt në kodin gjenetik të një familjeje.

Së fundi, ka edhe diçka tjetër që duhet marrë në konsideratë kur flasim për tradhëtinë: të gjithë proçeset fiziologjike, biologjike dhe kimike tek njeriu, janë organizuar në formë të tillë, që joshja seksuale të kryhet në formën më të përshtatshme për të siguruar rigjenerimin e shoqërisë njerëzore dhe për të rrjedhur në hullinë e një ligjësie të lindur që në krye të herës.

KOSTA NAKE

FOTO GALERI

loading...

Komento!

loading...