Home / BOTIME / Hijezeza
loading...
Hijezezea illustrim nga Gazmend Freitag
Hijezezea illustrim nga Gazmend Freitag

Hijezeza

Hijezeza

Mëngjeset e fillimmarsit ishin të errët si asnjëherë. Shiu i dendur ishte bërë i përditshëm, mbi parmakët e dritareve me lojën bllumqe e monotone. As kjo nuk kishte penguar korbat të shtrijnë kthetrat e tyre thellë deri në rrugicat e qytetit të vjetër në kërkim të gjakosjes, pa të cilën s’mund të mbahen. Muret e vjetra të pallateve të veshura me myshqe kundërmuese e humbnin kuptimin e hapave në zhvillimin njerëzor. Qyteti kishte humbur shkëlqimin e tij, ku pranë çdo pragu dëgjohej krisma e çizmeve ushtarake të ngulitura në trurin e banorëve me gjithë pakuptimin e tyre.

Ilkoni u shtri i lodhur mbi krevatin e tij të mbuluar me batanijen e rrudhosur dhe kushedi kur të larë. Kishte kohë që mungonte ajri i pastër në dhomën erë myku këndeve të errëta përplot lagështirë. Ndalimhyrja në Bibliotekë Kombëtare në kryeqytet e kishte dërmuar së tepërmi duke harruar tani sa kohë auditorët e Universitetit e studentët e tij. Aty ishte kaluar tërë jetën e tij me gjithë përjetimet e zbulimeve të tij që nga lashtësia e zotave pellazgë, të cilën e konsideronte themel i fjalëve të botës, zërin e tyre e kishte përjetësuar në diskun pluhurhekur.

Zhdukja pa shenjë e pa doke e koleges Eli e kishte tronditur së tepërmi dhe kjo sikur forconte urrejtjen e tij edhe pse ishte një paralajmërim kobzi për të. Kërkimi i saj kishte mbaruar me pamjet përmbysës ndaj gjësendeve, rrobave e orendive të cilat dukeshin që nga dera e përgjysmuar kacavjerrë në gjysmëbravën e sipërme, e cila nuk pushonte së kuisuri. Djathtas në mur Omega luante akoma lojën e mistershme ritmike të sekondave sipër tryezës së pluhurosur mbi të cilën qëndronte taketukja e mbushur mbetje duhani të përsheshura në hirin e vjetër kushedi sa kohë.

“Nuk mund të të mbroj më. Tani rrezikoj dhe kokën time, e kupton ti! Tani edhe shkenca duket e çmendur dhe nuk i duhet askujt, e kuptoni zotëri. Sot është takimi ynë i fundit, shporruni, shporruni dhe gjeni zgjedhje, gjeni zgj …gjeni… gjeeeee.”
Iu përsëriten për të satën herë në ëndërr fjalët e fundit të rektorit, të cilave u mundua t’ua shtonte edhe fjalët vdekje pa vuajtje, por ishte vonë.. I mbytur në djersë me frymëmarrjen e ngufatur pa e përfunduar mirë ëndrrën e tij dera u përplas me forcë mbi stufën e vjetër prapa saj. Urdhërzbatuesit e zhdërvjelltë me inatin e botës të mbledhur në shpirtin e tyre e rrëmbyen nga shtrati sa hap e mbyll sytë. E kotë ishte mendimi i mbledhjes së letrave me hulumtimet e fundit që i duheshin për të mbyllur kapitullin e nisur nga Ippeni deri në hijezezën e Natës së Kaltër. Kjo ishte pjesë më e rëndësishme e testamentit stërgjyshor dhe s’kishte mundur ta përmbushte. Fotografia e nënës, të vetmen që i kishte mbetur, ashtu të rrudhosur e futi në gjirin e pa mbërthyer nën grykën e armës. Një parandjenjë i thoshte ta merrte, se do i sillte fat në jetën e tij, tjetra i thoshte se duhet ruajtur për të tjerët e të mos digjej apo zhdukej, u duhej dëshmia e një rrënje, familje, kohe. Miliona herë e kishte lexuar emrin e nënës në kundërfaqen e saj me lulediellin e verdhë shumëdegësh si shenjë mbarësie e fati ruajtur me kujdes. Kudo që ishte gjendur e kishte bartura me dashuri e kujdes engjëlli.

Tani Ilkoni e ndiente fundin e qenies brenda këtyre mureve ku kishte kaluar jetën e tij me gjithë lumturitë dhe brengat e kohës. “Nuk merret e gjitha, do mbeten letrat e shkruara nga e dashura, porosia e saj: „Dashuria nuk vdes kurrë, ajo jeton në të gjitha botët”, të cilën ai e kishte shijuar vetëm në ëndërr bekuar nga Qielli i Lindjes. Në kokë vlonte zëri i Idomeneos me gjithë instrumentet në tribunën e Teatrit që përmbysej bashkë me portretin e autorit të mbuluar me hije kobëndjellëse.
Kjo, tani nuk kishte rëndësi kur përjashta e priste kolona e zezë me padurim ushqimin e tyre në dimrin e marrëzisë njerëzore. Në rreshtin para portës gurërëndë të pallatit e lidhën në rresht me plakën e cila në gjoks mbante Yllin e verdhë shumë rrembash. Dy mbesat e saj të vogla flokëprera, me fustane të bardhë pikalosh, me të cilët do e prisnin majin e luleve pranverore e do vraponin bashkë me ngjyrat e fluturave Livadhit derisa harlisja të ngrysej në prehërin e nënës.

Pritje e pafund në rrugë pranë mureve të ftohta ku mbetej dëshmia me vuajtjet e atyre që qytetit i dhanë kuptim. Kambana e katedrales përplasi tinguj të mbytur që vetëm dhembja i dëgjonte e veshur në trupa njerëzish me ndjenja të vrara. Pikat e shiut nga silueta e plakës krijonin currila shiu të ftohtë në agimin e fundit mbi qytetin e lindjes. Vajzat me fytyra të ngrysura nga frika tërhiqeshin lodhshëm në duart e gjyshes së kërrusur nga barra e viteve. Shikimi i tyre i dhembshëm nuk shpëtoj pa e vërejtura shkencëtari

,,Do jemi bashkë, zonjë.. Mos u shqetësoni. ….Shiu do ndalet, do bëhet mirë”.
,,Posi, do bëhet. Ne do jemi rehat vetëm atje”- bëri me dorë nga dheu llucë i qullosur nga shiu që s’i dihej fillimi as mbarimi.
,,Si t’ua bëjë këtyre dy luleve, për vete nuk e kam dert”- tha plaka e mërtisur, lotët e së cilës u bashkuan me pikat e shiut të ftohtë që rridhte rrudhave të fytyrës. Ato tregonin ndarje rrugësh e vuajtjesh bashkë me shpresën e përjetshme.
Zhurma e motoçikletës ndërpreu mendimet e njerëzve që kishin mbetur hije të errëta pa gojë. Ajo kaloi aty pranë tyre bashkë me përplasjen e spërkatjeve në muret e godinës së qytetit hijerëndë. Pasi bëri një rrotullim tek udhëkryqi i Bulevardit Paqja, motoçikleta u kthye mbrapsht me të njëjtën shpejtësi. Ushtarët morën sinjalet që vetëm ata i kuptonin, kurse motoçikleta humbi në thellësinë e rrugës së qytetit të mbytur në ujë.
Kolona e njerëzve mbushej me shpejtësi nga dyert e pallateve nga të dy anët e rrugës. Qetësia e krijua në blluqitjet e shiut prishej nga zërat urdhërues të ushtarëve hijerëndë.

,,Fëmijët në vagonin e tretë, të tjerët në vagonin një, dy e katër” u dëgjua një zë ushtaraku. Plaka rënkoi, Ilkoni hoqi cilindrin e tij nga koka dhe pikat e shiut s’mund të shuanin zjarrin e ndezur në trurin e tij. Tani çdo gjë ishte pa ndjenja, shiu kishte humbur freskinë e çdo kuptim nga shiu pranveror.
Në kthesën e parë ushtarët ngarkonin fëmijët në vagonin e tretë. Ata që qanin ua lidhnin gojën dhe hidheshin në krahët e ushtarit që mbushte vagonin. Nga duart e plakës shkëputën dy mbesat e saj të njoma të lindura për pranverën që trokiste. Ashtu pa ndjenja atë e hodhën në dyshemenë e vagonit tjetër ku Ilkoni tani kishte zërë vend.

,,Ne i ngarkuam fëmijët në vagon, por i zbritëm në kodrën sipër qyteti, nën kështjellë. Aty i pushkatuan ekzakt 100 fëmijë. Dy vajzat me fustanet e bardhë më pika ishin në numrin 9 dhe 11 të rendit për ekzekutim. Të rriturit përfunduan në Kabinat e Gazit” – shkruante gazeta e qytetit pas tridhjetë vjetësh, kur gjyqi nuk kishte më vlerë.
Lëndina mbi qytetin e vjetër në çdo fund marsi mbushet me flutura pikaloshe shumëngjyrëshe që fluturojnë lojën vallëzuese të Anës dhe Lenës. Sytë e nënës shohin vajzat me vellon e nusërisë së mbetur në ëndërr. Ajo ishte kthyer në qytetin verior ku ishte varri i luleve të saj, atje ku në çdo pranverë kthehen lulet e freskëta të marsit. Pika loti në shkëlqimin e dritëqiririt ndanë dhembjen e natës së djeshme.

Ilkoni i Bronztë kthehej në Bibliotekën e Kryeqytetit me studentët e tij, tani krahë të Universitetit Shekullor. Porta e Herkulesit hapej sërish lirshëm drejtë njerëzores së plagosur nga Nata e Kaltër e Vdekjeve pa Dhembje, Kuçedra përpëlitej në Purgatorin e Kohës Hijezezë. Ilkoni përshëndeste me gjuhën e atit të shkencës së shqipes kudo mistereve mijëvjeçare të Dijeve të Vjetra.

Tregim
Nga: Hazir Mehmeti

loading...

Komento!

loading...