Home / LAJME / PERSONALITETE / HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU SHËRBËTOR I KOMBIT SHQIPTAR, MISIONAR E MËSUES I FESË ISLAME E I GJUHËS SHQIPE.
loading...

HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU SHËRBËTOR I KOMBIT SHQIPTAR, MISIONAR E MËSUES I FESË ISLAME E I GJUHËS SHQIPE.

HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU SHËRBËTOR I KOMBIT SHQIPTAR, MISIONAR E MËSUES I FESË ISLAME E I GJUHËS SHQIPE.

Këtë titull të shkrimit nuk është se e kam vënë unë. Vetë Hafiz Zëmblaku, sa ishte gjallë, përsëriste me krenari se

“Qëllimi i jetës time është që t’i shërbej Zotit, të jem shërbëtor i Kombit Shqiptar, të jem mësues i Fesë Islame dhe i Gjuhës Shqipe”. Tërë jetën e tij Ai këtij qëllimi ia kushtoi dhe e realizoi.

Hafiz Abdullah Zëmblaku rrjedh nga dera e madhe e Shehlerëve të Zëmblakut. Babai i tij, Sali Hulusi Zëmblaku, një intelektual i shkolluar e patriot, ka shërbyer mbi 30 vjet si mësues (Ruzhdije) në krahina të ndryshme të Shqipërisë, si në Bilisht, Korçë, Ersekë Durrës dhe në disa qytete shqiptare të Maqedonisë.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ka lindur në qytetin e Bilishtit në vitin 1892, kohë në të cilën babai i tij punonte e jetonte aty. Nëna e Hafizit ishte Aishe Mulla Hysen Spaho, nga një familje me ndjenja fetare e atdhetare në Baban. Ndaj që në fëmijëri, Hafiz Abdullah u edukua me këto ndjenja. Ai u dallua për pasion të madh në studimin e librave fetare, prandaj, pas marrjes së mësimeve të shkollës fillore e qytetëse prej të atit, u dërgua për studime në Maqedoni ku mbaroi Medresenë Përlepat. Studimet e larta i kreu për teologji në Universitetin Darulhilafe të Stambollit.
Në vitin 1921 u kthye në atdhe dhe nga Ministria e Arsimit u emërua mësues në shkollën Kuç-Belorta të rrethit të Korçës. Mbas 3 vjet në këtë detyrë, dha dorëheqje me qëllim që të jetë i lirë për tu marrë vetëm me veprimtari fetare dhe botuese. Duke kryer ritet fetare si Imam Hatib në fshatin e tij Zëmblak, njëherësh iu kushtua hartimit dhe përkthimit të librave fetare, me anën e të cilave përhapej drita e shenjtë e Zotit, si brenda në Shqipëri ashtu edhe jashtë kufijve shtetërorë të saj.

Kjo ishte arsyeja që disa herë refuzoi propozimet që i ishin bërë nga ana e Komitetit Mysliman të atëhershëm, për ta emëruar Myfti në Korçë ose në detyra të tjera. Hafiz Abdullah Zëmblaku gëzonte një reputacion dhe popullaritet të madh në të gjithë vendin pasi ai çdo vit, 6 muaj qëndronte në Zëmblak si Imam Hatib dhe 6 muajt e tjerë, duke lënë një zëvëndës këtu, shëtiste në gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku jepte mësime fetare pa shpërblim nëpër faltoret dhe këndonte mevlude nëpër konakët e besimtarëve, të cilët e pritnin me nderim e kënaqësi.

Në mënyrë të veçantë, nuk ka fshat të Devollit e të Korçës që nuk ka pritur e përcjellë Hafiz Zëmblakun. Edhe sot, më të moshuarit, e kujtojnë se kur vinte Hafizi bëhej ditë feste dhe mblidheshin të gjithë në xhami ose në sheshin e fshatit për të dëgjuar ligjërimin e këtij oratori erudit, për tu kënaqur me mevludet e tij, që me atë zërin kumbues dhe melodios, nuk i këndonte por “i qante”. Hafiz Abdullah Zëmblaku shkroi dhe përktheu mbi 30 libra fetare, të njohura e të mirëpritura nga publiku mysliman shqiptar, disa prej të cilave janë: -Kurani i Shenjtë me Gërma Shqipe -Bilbili i ri i Hazreti Kuranit -Bilbili i Veriut (mevludi gegnisht) -Bilbili Shpirtnor -Bilbili Besëtar -Sherhadi Muhamedia -Hadithi Sherifi -Mevludi Sherif -Çelsi i Parajsit -Hytbea, etj.

Librat dhe ligjërimet e Hafiz Zëmblakut janë me një shqipe të pastër, të kuptueshme për njerzit e thjeshtë. Ai ishte dhe mësues i gjuhës shqipe kështu që luftonte për ta ruajtur atë nga përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja, sidomos fjalëve turqisht, italisht etj. Hafiz Zëmblaku ishte një nismëtar dhe organizator i ngritjes së qindra kurseve kundër analfabetizmit nëpër qytete e fshatra, ku pjesëmarrësve u siguroheshin libra e fletore falas prej ndihmave e bamirësive që siguronte Hafizi. Librat e Hafiz Zëmblakut shkruheshin në gegërisht e në toskërisht dhe më shumë shpërndaheshin falas gjatë veprimtarive që Ai organizonte me besimtarët në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë . Gegnishten Hafizi e ka fituar duke punuar gjatë edhe në viset veriore të Shqipërisë e në Kosovë ku kryente shërbime fetare, siç thoshte Ai, “Për hatër të Zotit e jo për hatër të rrogës”. Në mënyrë të veçantë Hafiz Zëmblaku ka punuar në Shkodër, ku kishte shumë institucione fetare e besimtarë të devotshëm, atje Ai ka botuar shumicën e veprave të tij, prandaj dhe Shkodrën e quante “Meka e Shqipërisë”.

Me dekret të Këshillit të Përhershëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar nr.65 datë 15.07.1934, emërohet Inspektor i Përgjithshëm i shkollave fetare të Shqipërisë. Edhe në këtë detyrë, krahas veprimtarisë fetare, dhe nëpërmjet saj, ka ushtruar pa reshtur një veprimtari të gjallë patriotike atdhetare për edukimin e masave. Ai ka qënë i prirur për drejtësi shoqërore, demokraci dhe pavarësi të Shqipërisë. Duke shëtitur në gjithë Shqipërinë, qytet më qytet dhe fshat më fshat, në tubime popullore ka luajtur rolin e një gazete folëse që shpesh fshikullonte miopinë politike dhe tallej me dallkaukllëkun e pushtetmbajtësve. Kështu, ai nuk u pajtua kurrë me politikën italianizuese që ndiqte regjimi i Ahmet Zogut dhe që përgatiste pushtimin fashist të Shqipërisë. Si pasojë e këtyre qëndrimeve dhe mosbindjes ndaj Mbretit Zog, në vitin 1938 Mbreti e shpalli të çmendur, e arrestoi dhe e dërgoi në Spitalin Psikiatrik të Elbasa nit. Kur shoqëruesit e futën në dhomën e doktorit psikiatër për ta vizituar ata ngelën të shtangur nga skena që panë: Doktori brofi më këmbë dhe i u sul Hafizit duke e përqafuar e duke e puthur.
-Po ku je o Hafiz Abdullai, na këputi malli; ç’e mirë të solli?
-Nuk më solli e mira, më solli e keqja;
Mbreti më ka shpallur të çmendur. -Mirë, mirë, po tani hajt të dalim jashtë të freskohemi, pijmë e ndonjë kafe e kujtojmë ato kohërat kur ne ishim studentë në Stamboll.
-Po Mbreti, çdo të thotë kur ta marrë vesh?
Pyetën ata që e sollën Hafizin.
-Juve, iu drejtua doktori, ndofta nuk e njihni por ua them unë se kush është Hafiz Zëmblaku; unë kam jetuar për pesë vjet sëbashku me Hafizin në një dhomë;
Ai është një mendjendritur që nuk mund ta gjykojnë dot mendjengushtit. Prandaj thuajini Mbretit që ta çojë në burg nëse ka shkelur ligjet, se në këtë spital nuk ka vend për dijetarë. Çmenduritë e Mbretit nuk e ndryshonin dot mendjen e Hafizit, nuk ia ndalonin dot dorën për të shkruar e as gojën për të ligjëruar, kështuqë Hafizi i dërgoi Mbretit një xhevap me këto Vargje: Doli Urdhër ministerial Të më çojnë në spital Mua zëmblakasin anormal Por të lutm Mbreti jonë Më lerë rehat përgjithmonë Mos më nga, mos më trazo Nga puna mos më pengo Përndryshe qaje fuqinë Me gjithëçka që ke tinë Se do humbasësh mbretërinë E një ditë do marrësh arratinë Ne kemi një Perëndi Që sundon me drejtësi Ai s’pyet se ti je mbret Të përplas me marifet Ai është fuqiplotë Mbi çdo mbret në këtë Botë. E mbas këtyre vargjeve Mbreti reagoi; e dërgoi Hafizin në Burgun Krujës, aty ku pranoheshin edhe burra të fortë e të mençëm si Hafiz Zëmblaku.

Nuk qëndroi shumë gjatë në këtë burg pasi më 7 prill të vitit 1939 Mbreti Zog mori arratinë, ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar Hafizi. Luftën Nacional-Çlirimtare, Hafiz Zëmblaku e përkrahu dhe e mbështeti moralisht e materialisht, pasi aty shihte shpëtimin e Shqipërisë dhe u distancua prerë nga bashkëpuntorët dhe veglat e okupatorit. Por ndërkohë, ai ishte kundër diktaturës komuniste që u vendos mbas çlirimit të vendit, e cila, shkallë-shkallë, e çensuroi dhe e atrofizoi veprimtarinë fetare në veçanti dhe lirinë e ndërgjegjes në përgjithësi. Në këto kushte, Hafiz Zëmblaku, si shumë klerikë e besimtarë të tjerë të nderuar, shprehu revoltë e papajtushmëri me këtë regjim.
Filloi kështu përndjekja dhe persekutimi i këtij patrioti, këtij dijetari, bilbilit të fesë myslimane shqiptare, që gëzonte aq dashuri në popull. Në vitin 1946 arrestohet dhe me vendimin nr.294 datë 10.10.1946, Gjykata Ushtarake Korçë e dënon me heqje të lirisë për 6 muaj, si “sabotator i pushtetit”. Në vitin 1948, përsëri arrestohet dhe me vendimin nr.863 datë 03.12 1948, Gjyk ata e Rrethit Korçë e dënon me 6 muaj të tjera burgim, për “sabotim ekonomik”.

Edhe pas lirimit nga burgu, Hafiz Zëmblaku, megjithë kufizimet dhe përndjekjen që i bëhej, vazhdoi të bënte detyrën ndaj Zotit dhe Popullit të vet. Me fjalën e tij të ëmbël, melhem, ai shëronte dhe ngrohte zemrat e besimtarëve e të popullit, por si mjeshtër i fjalës dhe poet popullor që ishte, nuk pushoi së talluri me qeverinë e qeveritarët e pafe. Këtë e bënte nëpërmjet fjalëve të urta që tregonte, me ironitë, aludimet dhe alegoritë që përdorte, dhe që i bënte njerzit të qeshnin dhe të mendonin. Vdiq në vitin 1960. Iu bë një varrim madhështor duke e përcjellë me shumë nderime jo vetëm bashkëfshatarët dhe besimtarët e rretheve të Korçës e të Bilishtit, por shumë klerikë e besimtarë myslimanë të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Hafiz Abdullah Zëmblaku nuk punoi për pasuri, po për fe dhe për Shqipëri.

La tre djem dhe dy vajza. Djali i madh, Haxhiu Reshat, sot është Imam i fshatit Zëmblak dhe për shërbimet me dashuri e devotshmëri që iu bën gjithë banorëve të Komunës Pojan e fshatrave për-rreth, është shpallur “Nderi i Komunës Pojan”. Hafizi la një bibliotekë shumë të pasur me libra fetare, por uragani komunist i vitit 1967 kundër institucioneve dhe krijimtarisë fetare, çoi një kontroll-bastisje edhe në shtëpinë e Hafiz Zëmblakut, kështu që shumë nga këto libra përfunduan në flakët e zjarrit.

Biblioteka, kjo pasuri e vyer, që përfaqësonte njëherësh djersën, mundin, jetën e tërë të dijetarit Hafiz Zëmblaku, u shkatërua. Por vepra e tij ron përjetë në zemrat e besimtarëve myslimanë shqiptarë, madje dhe librat e tij, të ruajtura me fanatizëm nga shumë besimtarë, sot po lexohen me shumë ëndje. Disa nga këto libra tani po ribotohen në Shqipëri, në Maqedoni e Kosovë. Përjetësimi i figurës së ndritur të këtij dijetari e patrioti të madh, i cili është edhe dajua im, është bërë dhe me krijimin Medresesë
“Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë, funksionimi i së cilës si institucion arsimor, është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.602 datë
04.12.2002.

Dr. Kadri Kadiu

loading...

Komento!

loading...