Home / OPINION / Grekomanët uzurpojnë institucionet, kryengritje në pazar të Korçës
loading...

Grekomanët uzurpojnë institucionet, kryengritje në pazar të Korçës

Grekomanët uzurpojnë institucionet, kryengritje në pazar të Korçës

Ngjarje e vitit 1915

Më në fund plasi!

Kishte kohë që flitej se në Korçë do të kishte një trazirë të madhe, por se kur, askush nuk mund ta parashikonte dot. Së paku duhej të ndodhte ndonjë incident që pas kësaj shpirtrat e trazuar të njerëzve të merrnin flakë dhe të mos mendonin më për vdekjen. Kishte kohë që grekomanët të ndihmuar edhe nga Greqia po u merrnin frymën njerëzve. Ata kishin uzurpuar të gjitha institucionet. Drejtësi nuk kishte më; vetëm vidhej dhe rrëmbehej; varfëria dhe mjerimi po trokiste në çdo portë; jeta ishte bërë e padurueshme. Veç sa më sipër, Grekët u kërkonin banorëve të Korçës ndërrimin e emrit dhe të mos flisnin në gjuhën shqipe. Jeta ishte bërë e pasigurtë. Së fundi, gjendja ishte rënduar edhe më shumë. Banorë të qytetit kishin mbetur pa bukë. Më keq nuk kishte ku të shkonte më. Kur ja, një mëngjes, nëpër rrugët e qytetit, nisën të dëgjoheshin thirrjet:
– Plasi në pazar të Korçës!…
– Populli dhe policia janë vënë përballë njëri-tjetrit…
– Gjaku do të shkojë deri në gju të kalit…
– Nuk dihet kush do të fitojë e kush do të humbasë…
– Grekomanët janë mbledhur në një cep të pazarit dhe të verdhë dyllë, shpresojnë që mllefi i njerëzve të mos shkarkohet edhe mbi ta…
Njerëzit ishin të vendosur të vdisnin të gjithë bashkë, por jo të tërhiqeshin. Çasti i shumëpritur kishte mbërritur…

100 KILLË GRURË

Gjithçka kishte filluar për 100 killë grurë. Drithin e kishin sjellë nga Fëllërina (Follorina) ca vllehë që ta shisnin në pazar të Korçës. Lajmi për mbërritjen e drithit ishte përhapur sakaq në të gjitha shtëpitë e qytetit të Korçës. Ishte një rast i mirë që të blinin nga një killë grurë. Që të gjithë nisën të nxitonin drejt pazarit. Prapa burrave vraponin gratë me nga një thes në dorë dhe pas tyre vinte grumbulli i fëmijëve që të shihnin prindërit e tyre nëse do të arrinin dot të merrnin ndonjë killë grurë ose jo. Lajmi u mor vesh edhe nga grekomanët. Në pazarin e drithit ata bënin punën e hambarxhinjve, (kështu quheshin atëherë tregtarët që grumbullonin drithin). Ishin pikërisht këta njerëz që mblidhnin gjithë grurin që vinte në Korçë për t’ua shitur më pas qytetarëve. Për këtë arsye edhe ata vrapuan ta blinin gjithë sasinë e grurit që kishte ardhur nga Fëllërina e ta shisnin me çmim më të lartë. Blerja e grurit nga grekomanët bëri që furtuna të shpërthente në pazarin e Korçës. Kishin mbërritur të gjithë në të njëjtën kohë. Hambarxhinjtë po bënin pazar me vllehët. Çmimi që ofronin grekomanët ishte i mirë. Duket se palët ishin marrë vesh. Nisën të merrnin thasët me drith dhe t’i zbrasnin nëpër hambarët e grurit…

POSHTE HAMBARXHINJTË!

Pikërisht në këtë kohë u dëgjua një zë i fortë që ngjasonte me një piskamë të mprehtë e që sakaq u shoqërua nga zëra të tjerë:
– Poshtë hambarxhinjtë!…
– Do të vdesim të gjithë dhe grurin nuk e lëmë të futet në hambar!…
– Poshtë…
Nuk kishin kaluar veç disa minuta nga përplasja e njerëzve me hambarxhinjtë, kur në pazar vërshoi një grumbull edhe më i madh njerëzish. Gazeta “Koha” që i referohet kësaj ngjarje thotë se numri i kryengritësve shkoi në 3000 veta. Revolta shihej qartazi në sytë e të gjithëve, edhe tek ata që kishin mbërritur dhe tek ata që po vinin. Fytyrat e tyre ishin të mërzitura. Nga vështrimet u pikonte vetëm mllef. Ishin gati të rrëmbenin drunë, sopatën, sfurkun dhe të qëllonin pas koke gjithkënd që nuk dëshironte t’u hapte udhë. Vreri kishte filluar t’u mblidhej në kraharor që nga dita e parë e hyrjes së grekëve në Korçë. Që nga ajo ditë e më pas, grekomanët do të bëheshin zot të vendit e do të uzurponin gjithë institucionet. Padrejtësitë do të ishin të mëdha dhe fukarallëku nuk do t’u ndahej kurrë. Përpara bëmave të grekëve dhe grekomanëve koha e Turqisë kishte qenë lule…
Së paku kështu e përshkruan situatën korrespondenti i gazetës “Koha”, i cili i drejtohet gazetës me anën e një letre. Gazeta “Koha” në atë kohë botohej në Nju Jork

“Nuk dimë as neve qysh t’u shkruajmë dhe t’u lajmërojmë mjerimet dhe vuajtjet tona, se hafijet e sotme që na sundojnë ia kanë kaluar edhe kohëve të Sulltanit të Kuq, të cilat tani na duken që ishin mjaft përpara kohës së sotme. Ah! Atëherë kishte liri më shumë, sepse nuk na shtrëngonin sa të arnisnim (ndryshonim) emrin shqiptar e të druhemi të flasim shqip! Hafijet nuk lënë gjë pa bërë dhe pa shpifur, kështu që jemi në rrezik të madh dhe nuk guxojmë të mblidhemi katër veta bashkë dhe të qajmë hallet. Sot që u çoj letrën , ua dërgoj me një njeri të besuar, por nuk di vallë do t’u bierë në dorë se mos e zënë gjëkundi…”Gazeta “Koha”, Yamestown NY, USA, 24 june 1915.
Korespondenti i gazetes “Koha” e ka shpjeguar situatën në Korçë nëpërmjet disa artikujve, që nga ardhja e grekëve e deri në shpërthimin e kryengritjes.

INSTITUCIONE TË UZURPUARA

Sërish është korrespondenti i gazetës “Koha” që sqaron edhe më tej situatën e krijuar:

“Këtu në Korçës ka ca kohë që zunë të punojnë dhe në Hyqymet (është fjala për grekët dhe grekomanët). Kanë ardhur shumë memurë, janë hapur nja tri lloj gjykatore, memurët dhe shkronjësit, tërë i dërguan nga Greqia, pasi zgjodhë gjithë katilët e litarit prej vendi, kanë marrë nga ndonjë të çalë dhe për të bërë terxhumanllëk, tërë të tjerët si në gjykatore edhe në gjymbryk, edhe në arkat, edhe në polici, edhe në postë, janë rrjepacakët e Greqisë. Kanë ardhur këtu për të rrjepur botën. Posa t’u kapërcesh pragun të shikojnë më parë nga douartë, a solle gjësendi, para (të holla) që t’u japësh, sepse tjetërsoj, s’ta kthejnë veshin fare, por të kthejnë krahët dhe më së fundi të thonë dhe një hajt sikter!!! Këtu në hyqymetet e grekut nuk vështrohet as e drejta, as e shtrembra, po vështrohet vetëm paraja dhe veprimi i këtyre do të mbetet historik në Korçë nga që asnjë punë nuk vështrohet, vetëm rrëmbehet!… Qëllimin e poshtër të këtyre gjykatoreve greke e pikasën shumë korçarë dhe sa mundin po u largohen, po qeveritarët e Greqisë këtu, përpiqen sa mundin që t’i futin spica popullit që të vijë për çfardo gjëje të gjykohet, që të mundin t’i rrëmbejnë qesen! Kjo është një vjedhje me lezet; hajduti të merr paratë natën dhe fshehtas, gjykatorët e grekut këtu, të zhveshin në mes të ditës”
Gazeta “Koha”, Yamestown NY, USA, 14 octobër 1915

SHPËRTHIMI I ZEMËRIMIT

Që të gjitha këto e sollën qytetin në një gjendje shpërthimi, a thua se Korça nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një një copë eksplozivi që tashmë i ishte vënë flaka Grekomanët të mbledhur bashkë në një cep të pazarit, të verdhë dyllë, vazhdonin t’i luteshin zotit që mllefi i njerëzve të mos zbrazej mbi kokat e tyre. Por vetëm lutjet nuk ishin ndonjë garanci e madhe për ta. Dërguan dikë në polici që të paguante policët dhe t’u dërgohej ndihmë sa më parë që të ishte e mundur, sepse askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas në pazar të Korçës.

Gazeta “Koha” e përshkruan kështu këtë moment:

“Kur shikojmë një polic me dhjetë xhandarë të rendë në pazar të drithit dhe me kamxhik zuri të godiste e të përndante popullin duke thënë që grurin e vllehve duhej ta blinin hambarxhinjtë dhe mileti po të donte grurë le të vinte karshi, në hambar të heqimit Llambi Dardha që ta blinte grurin e tij me 170 grosh killën”.

Fjalët e policit i ndezën edhe më tepër gjakrat e njerëzve që ishin mbledhur aty. Si mund të blinin ata grurin e heqim Llambi Dardhës kur gruri i tij nuk ishte grurë, por gëzhuta (mbeturina) dhe killa e tij kishte vetëm 35 okë! Përse i vinin në ndihmë doktorit kur ai nuk duhej të ishte përzierë fare me punët e drithit? Përse ky doktor kishte kaq dëshirë t’i binte në qafë fukarasë?

“Gratë me nga një thes në dorë, shkruante më tej gazeta, thërrisnin që nuk mundnin më që të hanë misër dhe miell të hidhur dhe që ato nuk do të loznin nga pazari, pa makari le t’i vrisnin! Policia zuri përsëri t’i shfryjë miletit, por njerëzia nuk po tundej, të gjithë si një trup i tregonin grushtet policisë. Ky sherr mbi policinë dhe popullin mbajti nja dy sahatë dhe ishte për t’u çuditur se policia bënte kokëfortin që gruri t’u shitej hambarxhinjve, por populli mezallah se e linte”.

(Gazeta “Koha”, Yamestown NY, USA, 21 octobër 1915)

THYHET POLICIA

Turma e mbledhur aty vetëm tërheqjen nuk e mendonte më. Sa herë që hidhnin sytë mbi grekët dhe grekomanët vështrimi i tyre bëhej edhe më i egër. Kishte ardhur çasti që të shfrynin gjithë mllefin e mbledhur kohë pas kohe. Sigurisht, të gjithë ata që ishin mbledhur te pazari, prisnin të niste kacafytja me palën tjetër. Po kuptohej qartazi se momenti final, që në raste të tilla qëndron për një kohë të shkurtër mes jetës dhe vdekjes, po priste rënien e gongut. Dhe ndërsa pritej përleshja e madhe, policia ndjeu se i duhej të hiqte dorë nga kokëfortësia e saj që kishte nisur ta dëftente parreshtur. Iu desh veçse një grimë kohe që të kuptonte se humbja, pa asnjë dyshim, do të ishte në anën e saj. Instiktivisht, (xhandarë dhe policë), kishin kuptuar se duhej të iknin nga aty e të mos qëndronin më gjatë, nëse donin t’i shpëtonin irritimit dhe verbërisë së turmës. Pas kësaj logjike të shpejtë, u deshën vetëm disa sekonda që ata të mblidhnin bishtin ndër shalë e të iknin duke u përpjekur që vetëm njerëzit të mos e kuptonin se tashmë te njerëzit e qeverisë frika u kishte hyrë në bark dhe u ishte shndërruar në një lepur që përpiqet të vrapojë sa t’i hanë këmbët. Pas pak, ata nuk ishin më aty, a thua se i kishte përpirë dheu; kishin ikur edhe grekomanët. Ishte ky çast kur u dëgjua sërish një zë i fortë, i ngjashëm me një piskamë të mprehtë që përhapej mbi kokat e njerëzve:
– Rroftë mileti!…
– Rroftë mileti!… u dëgjua zëri I turmës
Mileti kishte triumfuar.
Vllehët nisën të shisnin grurin që kishin sjellë nga Fëllërina për njerëzit e qytetit të Korçës, ku të gjithë dëshironin të merrnin nga një killë.

ÇMIMET NË DORË TË GREKOMANËVE

Ishte hera e parë që po blinin me një çmim të arsyeshëm. Hambarxhinjtë grekomanë ishin shmangur. Por çfarë kishin sajuar grekët dhe grekomanët për rrjepjen e popullit?

Ja si e përshkruan gazeta “Koha” gjendjen e tregut në atë kohë:
“Greqia ka kohë që vuri këtu gjymbrykun e Greqisë së vjetër dhe kështu i shtrenjtoi të tëra: 1 kuti shpirto (shkrepse), 1 grosh; 1 okë sheqer, 9grosh; gazi 7 grosh, mielli 6 grosh oka. Të dhjetat e Korçës dhe të fshatrave të saj u shitën aq shumë sa nuk rrëfehet, u shitën në kësoj kondicje: Qeveria e Greqisë kërkoi nga hambarxhinjtë dhe nga njerëz të tjerë të poshtër të blejnë të dhjetat e këtij moti kaq shtrenjtë sa t’u kostojë multezimëve 100 grosh e lartë killa e bereqetit. Qeveria u zotua që tërë motin nuk do t’i vërë fiat bereqetit, po do të lërë hambarxhinjtë të shesin bereqetin sa të duan. Kështu qeveria greke mblodhi të shiturat e të dhjetave në Korçë më tepër se një milionë e gjysëm franga. Myltezimët, të cilët më të shumtit janë hambarxhinjë dhe ca të poshtër i blenë të dhjetat aq shumë, sa u koston gruri, misri, thekri njëri mbi tjetrin 120 grosh killa. Por për fat të keq sivjet bereqeti u bë fare i pakët dhe kështu që sot në mes të lëmit është gruri në Pazar të Korçës 170 grosh killa, s’ka shupe që në dimër do të arrijë 270 grosh killa. Që të vijë bereqet nga Shqipëria, Greqia nuk e lë se thotë që i ka shitur të dhjetat shtrenjtë dhe u është zotuar spahinjve që të mos lërë të sjellin bereqet më të lirë nga Shqipëria. Veç kësaj i ka vënë bereqetit 50 grosh për okë gjymbryk, kështu siç duket do të hamë sivjet 7 grosh okën e bukës. Nuk ishte mjaft që në Korça e varfër hëngri bukën shtrenjtë dhe u farmakos së ngrëni misër dhe miell të hidhur, por është thënë që akoma të vdesë urie dhe të mos ngopet me bukë”.
(Gazeta “Koha”, Yamestown NY, USA, 14 octobwr 1915)

VAZHDON KRYENGRITJA

Gruri ishte shitur dhe shumë familje kishin mundur të merrnin diçka, por zëmërimi i njerzve nuk kishte marrë fund. Tashmë edhe numri i njerëzve ishte bërë më i madh. Që të gjithë bashkë nisën të protestojnë për të drejtat e tyre. Dikush përgatiti kërkesat që do t’i drejtoheshin qeverisë greke në Korçë. Katër do të ishin kërkesat e tyre:
1) Në Korçë të vijë bereqet pa gjymbryk
2) Nëpunësit të jenë korçarë dhe të ditur, me shkollë.
3) Të largohet xhandarmëria greke.
4) Nuk do të lejonin më që djemtë e tyre të vishen ushtarë për Greqinë.
Ndërsa kryengritësit po bënin të njohura kërkesat e tyre, u dukën sërish policët dhe xhandarët. Kur u lajmëruan për herë të parë, ata hynë në Pazar duke qëlluar mbi burrat dhe gratë, kurse tashmë nuk e patën më atë guzim. U vendosën të gjithë në rresht si për të mbajtur rendin dhe qetësinë. Njerzit e rebeluar përsërisnin kërkesat e tyre, por ajo që dëshironin në të vërtetë kishte qenë diçka tjetër. Ata donin largimin e qeverisë greke nga Korça. Nuk do të vononte shumë dhe kjo kërkesë nisi të artikulohej nga të gjithë. Grekët dhe grekomanët nisën të kuptonin se kishte ardhur fundi i tyre, ndërsa rebelët kishin filluar të ndiheshin zot të vendin. Më pas ata u shpërndanë për të shkruar në shtëpitë e tyre me një lajm të mirë. Të gjithë bashkë ia kishin dalë mbanë.

Ndërkaq, korrespondenti i Korçës i shkruante gazetës “Koha”:

“Që do të kemi ca ngjarje kryengritëse kondra qeverimit të lig të Greqisë këtë ta dini sallam ( sigurtë) dhe është shpresa që populli me fuqinë e Perëndisë do ta këputë zgjdhën që i kanë hedhur pas qafe, dhe që do të marrë vetë frenat në dorë”.

“Prisni dhe dëgjoni!” – theksonte në artikullin e tij, korrespondenti i gazetës në fjalë, duke paralajmëruar ngjarje të tjera në të ardhmen…
Gazeta“Koha”, Yamestown NY, USA, 21 octobër 1915

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...