Home / OPINION / Grabiten fondet për muzeun e Dritëro Agollit
loading...

Grabiten fondet për muzeun e Dritëro Agollit

Grabiten fondet për muzeun e Dritëro Agollit

Ikonës së letërsisë, kulturës dhe pionierit të LANÇ-it nuk i gjendet shtëpia e lindjes dhe një pllakat për turistët

“Ky plis nga herë ish i fortë,
Shkoi n’Europë, brodhi në Azi,
Po kudo nga flokët gjer në thonjtë,
Mbeti Devolli!”

Nëpër Devoll prej kohësh kërkoj plisin e çmuar, Dritëroin e madh. Si shumë artdashës dhe adhurues së veprës së tij, dua t’i njoh gjurmët në vendlindjen që ai e ka ngritur në piedestalin e nderit kudo, në të katërta anët e botës. Kalova përgjatë qytetit të vogël të Bilishtit, për të udhëtuar më pas drejt fshatit ku lindi gjeniu i letërsisë shqiptare. Bilishti kishte fshehur çdo hap të Dritëroit, çdo kujtim si nxënës i një shkolle 7-vjeçare, çdo kontribut si aktivist përgjatë “LANÇ”, çdo gurë të vënë si deputet prej tridhjetë vitesh me rrallë, çdo gjurmë si njeriu i madh.

Më kot u lodha të kërkoj ndonjë pllakatë me emrin “Dritëro Agolli”, që të ishte vendosur përgjatë ndonjë rruge, sheshi, ose mbi ndonjë muze, shkollë, kopsht, bibliotekë apo ndonjë institucioni tjetër shtetëror. I zhgënjyer nga Bilishti, udhëtoj përgjatë luginës së Devollit, për t’ju drejtuar vendlindjes se poetit, me shpresën se aty do të gjej gjurmët e tij. Sa jetë të gjatë që ka mbushur me bëma të papërshkrueshme. Dua te hyj në shtëpinë e vjetër ku lindi dhe u rrit poeti, dua të eci nëpër lagje e rrugica ku ai kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën. Dëshiroj të njihem me ato dhjetëra dorëshkrime, dua të shfletoj të gjitha veprat letrare origjinale aq shumë të çmuara, që sot janë zhdukur nga libraritë dhe bibliotekat. Dëshiroj të shoh ato qindra e qindra fotografi shkrepur përgjatë udhëtimeve, konferencave, takimeve, fjalimeve, momenteve kyçe të jetës.

Dua të vizitoj atë vend, që të gjithë e njohin si “Menkulasi i Dritëroit” sepse nisi birin e tij drejt rrugës së pavdekësisë. Shpresoj që atje të gjej të gjitha ato që kërkoj, siç mund të gjej për çdo njeri të këtyre dimensioneve në çdo vend europian, ku synojmë ti bashkohemi. Shpresoj që, atje të gjej të ruajtur me krenari edhe çdo gur që i përket birit të asaj krahine dhe babait të letërsisë shqiptare. Sa me fat që janë qe kanë Dritëroin! U ngjita në fshatin vendosur mbi një kodrinë që ngrihej rrëzë lumit “Devoll” në krah të malit “Morave”. Disa fshatarë u afruan plot kureshtje për të më uruar mirëseardhjen. Mes atij grupi banorësh, veç njëri sikur kishte dijeni për shtëpinë e vjetër të Dritëroit, të tjerët ngritën supet, disa ulën kokën plot turp! Lagjja e vjetër e Agollinjve, i përngjante një lagjeje mesjetare, që flinte bashkë me vargjet e para të poetit të vogël. Poshtë një grumbulli rrënojash mbuluar nga barishte, mësova se gjendeshin themelet e shtëpisë ku doli e qara e parë e Dritëroit. Në qendër të fshatit, prej afro gjysmë shekulli ngrihet një ndërtesë e cila dikur shërbente si qendër shëndetësore dhe si zyrë kooperative. Mes bisedash kuptova se ajo ishte ndërtesa e famshme me të cilën gënjejnë nderin e kombit. Pas hyrjes së demokracisë, Dritëro Agollit i është premtuar disa here se atë godinë do ta shndërrojnë në një shtëpi-muze, ku të pasqyrohet jeta e tij. Shoqata “Devolli”, megjithëse eksperimentoi me premtimet e saj për shumë vite, nuk mundi të bënte asgjë. Z.Ridvan Bode, deputet i PD-së në atë zonë, i ka premtuar vetë poetit si dhe elektoratit të tij se do të ndërtonte një shtëpi-muze dhe do të ngrihej një bust për nder të Homerit të gjallë në botën e letrave. Ish-ministri i kulturës z. Aldo Bumçi, i është bashkuar fjalëve të z.Bode, duke ripremtuar këtë projekt. Gjatë kërkimeve të bëra në institucionet përkatëse, si në Devoll ashtu dhe në Tiranë nuk ekziston asnjë shkresë zyrtare që i referohet këtyre premtimeve, ndërkohë zyrtarët heshtin duke mos dhëne asnjë përgjigje. Por gënjeshtra më e madhe rezulton më 5 tetor 2001, kur përpara kësaj godine u prenë shiritat e inaugurimit për çeljen e punimeve. Dritëroi i emocionuar atë ditë, mbajti një fjalim rrëqethës duke bërë një sëre falënderimesh për të gjithë ata që po jepnin kontributin e tyre në ndërtimin e këtij projekti. Ai tha se do të sillte të gjitha sendet vetjake qe ruante nga vegjëlia deri tani në pleqëri (gazeta “Devolli”, tetor 2001).

Ato pak investime që u bënë pas prerjes së shiritave sa për të gënjyer ikonën e letërsisë shqiptare, u zhdukën bashkë me gjurmët e fundit të poetit, duke e lënë atë godinë të ngrihet akoma si një gërmadhë, që s’mban gjë tjetër brenda veç se premtimeve boshe të zbardhura nga koha. Këto rrëfime të hidhura i grumbullova gjatë bisedave me banorët e atij fshati dhe më pas i vërtetova nga familja Agolli. Pavarësisht se të thuash “Devoll” nuk mund të mos përmendësh Dritëroin dhe të thuash “Dritëro” nuk harron pa përmendur Devollin, pavarësisht se në çdo grusht të asaj toke copëza vargjesh ende jehojnë, ai vend nuk të tregon asgjë për birin e tij.

Nëpër vargjet e poetit e kam të thjeshtë të gjej Devollin, ndërsa në Devoll e kam të pamundur të gjej Dritëroin. Grupi i fshatarëve më përcolli deri në të dalë të fshatit, ku një prej tyre më dhuroi një punim artizanal prej kashte dhe më pëshpëriti në vesh plot dhimbje: “Si do ta nderonte një vend tjetër plot kulturë këtë njeri kaq të çmuar more bir?!” Tunda kokën dhe u largova i zhgënjyer me një sërë pyetjesh që më rrihnin si çekan mbi kokë. Pse po pret Devolli që biri i tij të mbyllë sytë dhe pastaj ndoshta t’i japë vendin që meriton?! E sa do të presim që “Qeveria Shqiptare”, “Bashkia Korçë”, “Bashkia Bilisht”, “Komuna Miras” apo ndonjë institucion tjetër të zgjojë pak krenari dhe të verë qoftë dhe një pllakatë me emrin “Dritëro Agolli”!? Deri kur do të gënjejnë poetin e madh?! Një njeri i vetëm nderoi të gjithë Devollin , ndërsa i gjithë Devolli nuk po nderon dot një njeri. Largohem nga ky vend me shpresën se një ditë Devolli do të nderojë ashtu siç duhet birin e tij.

Duke shpresuar që kjo gjë të ndodhë përpara se ai të mbyllë sytë dhe të mos shohë asgjë nga ato që po bëhen për të, duke shpresuar që ai të mos mbyllë sytë me pengun e madh në zemër, që lindi si plis dhe si plis e thërrmuan mbi baltën e Devollit!
(Shkëputur nga gazeta “Telegraf” , 9 shtator 2014)

Andrea DANGLLI

FOTO GALERI

Grabiten fondet për muzeun e Dritëro Agollit Ikonës së letërsisë, kulturës dhe pionierit të LANÇ-it nuk i gjendet shtëpia e lindjes dhe një pllakat për turistët “Ky plis nga herë ish i fortë, Shkoi n’Europë, brodhi në Azi, Po kudo nga flokët gjer në thonjtë, Mbeti Devolli!” Nëpër Devoll prej kohësh kërkoj plisin e çmuar, Dritëroin e madh. Si shumë artdashës dhe adhurues së veprës së tij, dua t’i njoh gjurmët në vendlindjen që ai e ka ngritur në piedestalin e nderit kudo, në të katërta anët e botës. Kalova përgjatë qytetit të vogël të Bilishtit, për të udhëtuar më…

Review Overview

Autorit

Mirë!

Summary : Grabiten fondet për muzeun e Dritëro Agollit

User Rating: 4.58 ( 2 votes)
loading...

Komento!

loading...