Home / SOCIALE / Fuat Memeli:Asgjë e madhe në botë nuk është bërë pa pasion
loading...

Fuat Memeli:Asgjë e madhe në botë nuk është bërë pa pasion

Fuat Memeli:Asgjë e madhe në botë nuk është bërë pa pasion

fuat-memeliSinica është një nga fshatrat më të bukur të Devollit, sepse aty çdo gjë të bën për vete, që nga mënyra si të parët e kanë zgjedhur vendbanimin të hershëm si dhe për bukuritë e shumta të natyrës që e rrethon. Ajo ka pasuri të shumta, por pasuria më e madhe janë njerëzit e saj fisnikë, mikpritës, punëtorë, të zotë dhe atdhetarë të shquar. Një prej këtyre sinicarëve është edhe Fuat Memeli, që ka dhënë ndihmesë të veçantë në zbulimin e vlerave historike të fshatit të vet. Një shkrim i tij problemor para 30 e ca vjetësh, u bë nxitje që një grup arkeologësh organizuan një ekspeditë kërkimore në Selisht (vëndbanim afër Sinicës) që u kurorëzua me zbulimin e mjaft sendeve me vlerë si heshta, vathë, bylyzlukë, gjerdanë, që u përkisnin shekujve 6-7 p.e.s. Në praktikën e përditshme të jetës e të punës, kemi mësuar se ajo që bën çdo njeri me vepra, e dallon nga të tjerët, cilësi kjo që Fuatit i shkon shumë për shtat. Është interesante të mësojmë çka e bën këtë intelektual jo vetëm të shquhet në punë, por edhe të kërkojë të futet në të fshehtat e punëve të tjera. Ai është personalitet i veçantë dhe i spikatur.

U lind në Sinicë më 14 shkurt 1946. Sinica për të është gjithçka dhe këtë e thekson sa herë bie fjala. Me Sinicën është e lidhur bujqësia dhe blegtoria, që të mbushin me emocione, por edhe që u bënë pjesë e profesionit të tij të jetës. Dhe ai shkruan: “Dhjetëra herë kam ardhur/ e qindra herë do të vij/ veç gjithmonë ndodh me mua/ vij këtu për  t’u shmallur/ dhe ik më i përmallur.” Thjesht e bukur e me sinqeritet ai zbulon botën emocionale që ngarkohet nga lidhja e fortë me fshatin. Gjatë gjithë jetës, ka gjeneruar me gjithë forcën e shpirtit vetëm dashuri  për fshatin, prindërit, familjen, shokët dhe gjithë njerëzit që ka takuar në rrugën e vet si gazetar e kineast.
Tek ai është kristalizuar motoja: “Dashuri për të gjithë – urrejtje për askënd.” Çdo gjë e bukur te ky intelektual i kompletuar, u skalit që në vendlindje ku pati mësues  Dhimitër Farmaqin e Petraq Samsurin. Ata i ushqyen dashurinë për shkollën dhe letërsinë. Libri monografik “Mësuesi ynë” kushtuar Dhimitër Farmaqit, njërit prej mësuesve më të mirë të Devollit, tregon jo vetëm përkushtimin e mësuesit, por edhe ndikimin e këtij edukatori të talentuar në formimin e brezave të tërë. Pas përfundimit të shkollës 7-vjeçare në vendlindje iu dha e drejta e studimit për të vazhduar në teknikumin bujqësor “Irakli Tërova” në Korçë. Edhe pse në një shkollë bujqësore, ëndrra e Fuatit për letërsinë nuk u shua. Që aty zunë fill shkrimet e tij për shtypin e kohës. Gazetaria dominoi më pas gjithë jetën e tij.
fuat-memeli1Me përfundimin e shkollës së mesme, edhe pse në kërkesën për shkollës së lartë shënoi tri herë vetëm “gjuhë-letërsi”, iu dha e drejta e studimit për shkencat bujqësore. Atje ishte student cilësor. Shtysën për të vazhduar më tej me gazetarinë, e mori nga shoku i tij Abdurrahim Ashiku që trajtonte probleme të bujqësisë. Në vjeshtën e vitit 1969, filloi profesionin e vështirë por të bukur të gazetarit, pasi kishte mbaruar një kurs dyvjeçar të gazetarisë ku kishte pedagogë Dritëro Agollin, Hamit Boriçin, Vangjush Gambetën dhe figura të tjera të shquara të gazetarisë sonë. Në fillim të 1969, nisi botimi i gazetës “Studenti i bujqësisë” që vazhdoi për 20 vjet. Ajo pati për kryeredaktor të pare, Fuat Memelin. Po atë vit filloi punën në RTVSH si redaktor i parë i emisionit për bujqësinë. Ai u shqua duke qenë ndër më aktivët në median vizive dhe shtypin e shkruar. Ishte dhe mbeti i suksesshëm. Demokriti thotë “Njeriu duhet vlerësuar jo vetëm nga vepra, por edhe nga synimet e tij.” Fuati kishte synime të qarta, prandaj iu hapën dyert e medias. Suksesi i tij shpjegohet edhe me mënyrën e komunikimit me njerëzit, me trajtimin e problemeve serioze dhe me interes për publikun e gjerë. Për të krijuar një ide më të qartë për ndihmesën e tij, po jap disa fakte: mbi 1000 shkrime në median e shkruar gjatë 42 viteve. Vend me rëndësi në punën e tij e zë gazetaria televizive për 36 vjet. Mori pjesë në përgatitjen e 5000 kronikave, 400 emisioneve televizive, 100 filmave dokumentarë. Si ka mundësi të realizohen të gjithë këto? Përgjigjen e jep vetë Fuati: “Pasioni është arma ime në rrugën e vështirë por të bukur të artit.” Fuati është jo vetëm njeri i virtytshëm, por edhe një enciklopedi e gjallë. Nuk flet për veten, por për të tjerët, gjen tek ata anët pozitive që sigurojnë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore. Ai ka sjellë tipa dhe karaktere në realizimet e veta duke shkelur dhe parë nga afër çdo zonë e çdo fshat të Shqipërisë. Në disa prej tyre ka shkuar më shumë se një herë.

fuat-memeli2Kjo është detyra e gazetarit dhe privilegji i tij, të zbulojë bukuritë e vendit dhe njerëzit e mrekullueshëm të tij. Këto kanë përftuar tek ai një ngarkesë pozitive duke e frymëzuar jo vetëm të regjistrojë në celuloid, por edhe t’i tjetërsojë në poezi, rreth 100 prej të cilave kanë parë dhe të tjera presin të shohin dritën e botimit. Me fotografitë e realizuara, një pasion tjetër i tij, ka hapur dy fotoekspozita me temë nga bujqësia shqiptare dhe ajo franceze dhe një tjetër ekspozitë është në projektet e ardhshme. Syri dhe kamera e tij janë fiksuar tek njerëzit sepse vetëm atje mund të kërkohen frytet e një pune cilësore. Gjithçka e bërë për njeriun dhe me shumë profesionalizëm.

 

Kam shumë vite që e njoh dhe kam vënë re përkushtimin e tij në punë. Ka qenë i pranishëm në ngjarje të rëndësishme  të shokëve dhe miqve dhe kam vënë re vlerësimin që u bën njerëzve. Ai i rri roje punës duke shfrytëzuar çdo rast që i krijohet në dobi të saj, edhe kur është në kohën e lirë. Ka marrë pjesë në festivalet kombëtare të filmit dokumentar dhe ka fituar tre çmime, kurse në festvalin ndërkombëtar të filmit dokumentar bujqësor, ka marë pesë çmime. Këto i kanë dhënë mundësi të kontaktojë personalitete të larta dhe me përvojë, një prej tyre, presidenti i festivalit në Sllovaki në vitin 2002. Paralelisht ka punuar për kualifikimet për filmin dokumentar, gazetarinë dhe fotografinë, njëri prej tyre në Francë në vitin 1996. Vlerat e tij shtohen kur mësojmë se puna e tij ka ndikuar pozitivisht tek punonjësit dhe specialistët e  bujqësisë, duke shërbyer si pikë referimi për  përmirësimin e gjendjes në sektorë të rëndësishëm të bujqësisë. Si shembull për trajtimin e temave interesante mund të sjell filmat “Devolli – djepi që përkund devollinjtë”, “Shtegëtarët”, “Njerëzit sfidojnë malet”, “Pyjet që mbrohen nga ligjet e pashkruar”, “Apel për një kafshë që po zhduket”, “Barinjtë e Progonatit”, etj. Ku rreh çekani? Në filmin “Njerëzit që sfidojnë malet” në fokus vihet fshati Bënçë i Tepelenës. Pas viteve ’90 braktisja e fshatrave përbënte një trend zhvillimi, kurse banorët e Bënçës qëndruan aty edhe pse kanë pak tokë. Përcillet kështu një mesazh i fuqishëm që lidhet me dashurinë për vendlindjen.

fuat-memeli3Ky dokumentar fitoi çmim në Sllovaki. Në filmin “Apel për një kafshë që po zhduket” është fjalë për buallicën që vite më parë quhej “tanku i bujqësisë.” Dikur në gjithë vendin kishte 250 mijë buallica, Devolli ishte një nga rajonet ku mbarështoheshin mjaft ato, ndërsa në kohën e realizimit të filmit kishin mbetur vetëm 40 të tilla. Sensibilizimi ishte i efektshëm dhe shteti vendosi të investojë për ta ruajtur këtë kafshë bujqësore të dobishme. Fuati flet me emocion kur përmendet emisioni “Tunel” në Vizion Plus, sepse ai ka përgatitur shumë reportazhe interesante për fshatin dhe mendon se emisione të tilla që sjellën aromën e fshatit, duhet të jenë edhe më të shumë.
Në pamundësi për të folur për secilin film, do të nënvizoja aftësinë e Fuatit për kapjen dhe trajtimin e problemeve. Ja pse prej tetë vjetësh ai është kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë. Dhe ai nuk i bën punët dosido. Ai ka shërbyer dhe shërben me devotshmëri dhe profesionalizëm edhe si gazetar, edhe si kineast, edhe si poet. Ai rrezaton vlera të larta qytetarie dhe është shok e mik  i sinqertë. Fuati është bashkëshort dhe prind i mirë, një karakteristikë kjo e të gjithë devollinjve që dinë të ballafaqohen me dinjitet duke u përballur me punë të mëdha dhe duke reflektuar kapacitete të larta intelektuale. Suksesi i tij është i lidhur edhe me mbështetjen që i ka dhënë familja. Bashkëshortja e tij, Mukadezi, duke parë ngarkesën e madhe të punës së gazetarit që duhet të shkelë gjithë Shqipërinë, ka marrë më shumë përgjegjësi për rritjen e fëmijëve. Investimi i përbashkët ka dhënë fryte të bukura: katër fëmijë të mrekullueshëm në një çerdhe të shëndetshme. Vajza Gledis, ka përfunduar studimet për master dhe punon si ekonomiste në një bankë  në SHBA. Djali Elton, pasi përfundoi shkollën e baletit, punoi për një kohë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, më pas përfundoi universitetin për informatikë në Kanada dhe sot është i punësuar atje. Djali tjetër, Erjoni, kreu Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në degën e italishtes dhe është sistemuar në punë në një bankë. Vajza tjetër, Rezarta, u diplomua për sociologji, jeton në SHBA dhe është punësuar në një bankë po ashtu.

Fuati është një vlerë e padiskutueshme. Dhe jo vetëm për Sinicën e Devollin, po edhe për Shqipërinë e më gjerë. Në fund, në vend të ëmbëlsirës, do të them se, si shumë njerëz, edhe ai ka një idhull: ai është poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli, Nderi i Kombit. Përpiqet të jetë si ai popullor, i thjeshtë, i kuptueshëm, mbi të gjitha, njeri me zemër të madhe, mik i të gjithëve.
Besoj se arrita të zbuloj për ty, i dashur lexues, majën e bukur të një mali, me emrin Fuat Memeli.

Pëllumb AGOLLI
Bilisht – Devoll
09-10-2011

loading...

Komento!

loading...