Home / OPINION / Foljet dhe kohërat
loading...

Foljet dhe kohërat

Foljet dhe kohërat

Pedagogët do të jenë me siguri dakord me mua, jam i bindur. Por ani, nëse ata nuk pajtohen me mua,, unë i kam shumicën e popullit me vete në këtë që do ta them më poshtë, sepse këshilloj që të mos merren folje të cilat nxënësit nuk do t’i dëgjojnë gati asnjëherë në jetë! Tash dajë, është jeta e re, fjalë të reja, mënyra të reja e marrëdhënie të reja shoqërore!

Për ta mësuar gjuhën shqipe, me gramatikë se jo si t’ua rrok rradakja, duhet me i dhënë gjer në skaj hov me i mësua gjuhët e huaja se e kemi evropianizuar aq shumë shqipen sa që përveç ca lidhëseve s’i kemi lënë gjë pa ia shpërdredhur. Por ani se për këtë kam folur më parë… Sot do të flas për foljet. Cilat janë më parimore për t’i marr si shembuj gjatë zgjedhjeve, gramatikore e pse jo edhe ato politike..?

Me këtë do t’i përgatisim fëmijët dhe të rinjtë të ndajnë shapin nga sheqeri e disa, sipas shprehive që kanë, do t’i udhëzojnë të luajnë rol në politikë, në biznes, në ndeja e ahengje …

Para se të paraqes listën e foljeve që pedagogët e gjuhës shqipe duhet t’u japin përparësi, do të cek se edhe nuk e kam pasur shumë vështirë të bëj përzgjedhjen ngaqë një numër të caktuar syresh, i dëgjoj e i lexoj më së shpeshti nga çdo gjë tjetër, në punë, në kafe, në media… Janë bë si kripa, nuk mundet njeriu t’i anashkaloj; ik andej ik këndej, s’ke kah ia mban pa ra në to.

Në konspektin e orës suaj, nuk do të shtini grupin as kohën! Orën do ta titulloni: Foljet që hallku i kanë harruar po që shqiptarët i kanë huazuar. Mandej do t’i zhvilloni tri kohët kryesore që lidhen për materien e propozuar: e kaluara, e tashmja, dhe e ardhshmja. Në fillim pak a shumë si hyrje e familjarizim me lëndën, do të filloni me kalimtaret PREMTOJ dhe RREJ. Pas dy minutash, që jeni punëtorë i zellshëm, keni kryer me këto dy folje dhe ia mësyni zemrës së njësisë mësimore-edukative. Vetën e parë mund ta anashkaloni por kujdes se kjo mund të jetë manipulim prandaj merreni si të parën këtë folje, në të kaluarën, të tashmen, dhe të ardhshmen: ti manipulove …, ti manipulon …, ti do të manipulosh …

Auditoriumi u përgatit, të gjithë janë bë sy e veshë…:

Korruptoj, kopjoj, diplomoj, dirigjoj, spiunoj, magjistroj, doktoroj …, (mos harroni t’iu përkujtoni nxënësve se këto folje janë të huazuara nga gjuhë të tjera dhe se “atje” më, përdorën shumë – shumë rrallë kurse të na, hyjnë në rangun e fjalëve (dhe punëve) më në zë.

Më në fund, do t’i zhvilloni edhe foljet që nuk janë të huazuara por që në kohërat e lashta të parët tonë i përdornin me të vërtetë rrallë mirëpo këtyre viteve të fundit kanë hy në modë: Vjedh, plaçkit, vras, pres, thyej, rrah, shpërdoroj…
Që jeni me studentë, mund t’i merrni shembuj edhe foljet dhunoj e përdhunoj por, ndalohet rreptësishtë që këto dy folje t’i zhvilloni në shkolla fillore dhe të mesme!

Për të vërtetuar se jeni pedagog bos, lëshoni mësonjëtoren (ose amfiteatrin) me një “adio” ca 3-4 minuta të vogla para kohe por, mos harroni assesi t’iu jepni detyrë shtëpie ta zgjedhojnë foljen PROTESTOJ!

Rami Miftar Laçi

loading...

Komento!

loading...