Home / SOCIALE / Filozofia politike e ngërçit dhe hiçit
loading...
Reis Mirdita
Reis Mirdita

Filozofia politike e ngërçit dhe hiçit

Filozofia politike e ngërçit dhe hiçit

Asgjë nuk na shërben sot as Platoni me turli-tavën e idealizmave të „Republikës“ së tij. Asgjë nuk na kryen punë, as misticizmi e as predikimet e barkut të thatë të stoikëve vet të ngimë. Asnjë apoteozë sot nuk qëndron përveç ajo e kënaqësisë momentale që nuk jep asnjë shenjë progresi për njeriun së paku gjer nga vitet e dyzet pesëdhjetë të qindvjeçarit modern të hiçit.

Politikat tona të sodit nuk ia varrin fort Platonit se ia kanë gjetur fijet e Machiavelli-t e sidomos të ca monistëve nga Moska, Pekini, Tirana, Beogradi… dhe nuk lëshojnë pe. Por nuk habitin ata! Ajo që del si dukuri janë pjesëtarët që jetojnë në rrugët e pashpresa të asgjësë që i servon me dekada nomenklatura (ka ndonjë term tjetër?) si arritje madhore. Përparimi i ynë sot nënkupton televizorin me diagonalë së paku 100cm., të blerë me kredi, celularin nëpërmjet angazhimit parapagues të rrjetit me nga 2-3 vjet dhe me hiçin në xhepa të frekuentosh shitoren e mëhallës për bukë goje duke e trashur fletoren e pronarit me shënimin e huamarrësve gjer në një ditë më të lumtur kur të shitet bukë blerësi në pazarin e argatëve e t’ia sjellë një hise të borxhit që trashet. Të këtillë janë konsumatorët e sotshëm në të katër anët. Post modernizëm është kjo. Përparim i hovshëm: Një televizor me borxh, një Smartphone me borxh, një bukë me borxh, ujin borxh, rrymën borxh, drurin për nxehje borxh…, gjer sa të shkoje, e me këto mend, do të na zhagmisin gjatë udhëheqësit e republikave tona; borxh e m’borxh na; kolltuk m’kolltuk ata.

Sot, për të qenë me kohën, duhet edhe nëse din të lexosh, mos të humbish kohë t’ia hedhësh sytë leximit, sidomos jo atij të zgjedhur. Ke të drejt të shikosh ekranin e lëmuar të televizionit të pa paguar akoma, të celularit që e ke vonuar gjithashtu abonëmentin mujor dhe po po, mund të konsultosh ekranin e kompjuTERIT që e ke, që se ke, vrap e një « top-lap » hua sa për FCB e ndoshta pak skype. Vetëm kështu do kualifikohesh në tabula rasa modern. Kjo për grupet e hiçit që tolerojnë edhe ndonjë ditë gjer sa të vjen fundi i historisë së fatalitetit. E dini punën e mbretit dhe miletit të kohërave të kaluara, atij mbretit të keq por të mençur. Kur i raportuan se populli po bënë zhurmë ngase ia shtuan tatimin e ja dunuan ushqimin, ai u tha shërbëtorëve me kolltukë që t’ia rritin mjerimin ende më shumë popullit. Populli e rriti zhurmën! Ai ua rriti zullumin; populli e mbylli gojën dhe rrotullohej rrugëve me sy të zgurdulluar. Mbreti tha: “Derdhni pasuri në popull se tash puna ka ardhur n’teh të mprehtë.” Por te na nuk ka mbret si bie fjala në Belgjikë e nuk e ndjejnë mungesën e kuvendit.
(Disa bënë krahasimin e ngërçit por kjo është qesharake se atje ka një mbret kurse te ne një zarfet. Atje u bashkuan katër parti të djathta; te na katër të majta e të asnjëjta…)

Mirëpo tani të shohim çka më tutje, të presim si guaca e shprazur të na sjellë rryma e ujit ndonjë insekt apo do të shkojmë në zgjedhje e të hamë nga një byrek ose…, ose do të heshtim ca 4-5 ditë para se t’ua heqim foteljet aspirantëve të përjetshëm që i ngritëm dikur e vet mbetëm përsëri në asgjë ose në premtime të asgjëshme.

Filozofia e hiçit që ndryshe përkthehet me „n’dashtë se ka ende më keq“, duhet të zëvendësohet (detyrimisht) me „hygjym se ka më mirë“, vetëm atëherë do të jetojmë si na ngjanë, ashtu, jetesë korrekte.

Por ky brumë i mirë i quajtur popull e që politikhedonistët e lëshuan në fundet e asgjësë, në fundet e hiçit ekonomik e social, nuk do të qëndroj akoma shumë gjatë, ndoshta edhe nuk do të pres „çngërçjen“ e atyre që jetuan do kohë në perëndim si të ngërçur të shoqërisë gjegjëse dhe një hise të tjerësh që rrjedhin nga qoshet e sofrës jugosllaviste, gjithashtu të „ngërçur“ pas sahanit të pushtetmbajtësve të kohës së tyre. Ja pra prej nga ngërçi i famshëm i këtyre muajve të ngërçta. Nisur nga kjo, përfundimi është i qartë: Nuk kam shpresa për të dalur nga hiçi që na prunë zvarritësit karieristë të foteleve që mbuluan tokën tonë me demagogji, mjegullnajë kanceroide, me selfie narcisoide e me marifete xhepash e byrekësh…

Si t’ia tejkalojmë kësaj dhimbje eshtrash, këtij ngërçi të zorrëve nga uria, si? Nietzsche do të kishte thënë: „Më së fundi foli turma“.

Reis Mirdita

loading...

Komento!

loading...