Home / LAJME / PERSONALITETE / Figura të shquara të Bilishtit
loading...
Mazllëm Karaiskaj
Mazllëm Karaiskaj

Figura të shquara të Bilishtit

Figura të shquara të Bilishtit

Mazllëm Hysen Karaiskaj
(1891 – 1944)

Mazllëm Karaiskaj

Mazllëm Karaiskaj

U lind në qytetin e Bilishtit në një familje të pasur. Që i vogël u ushqye me ide patriotike. Vazhdoi shkollën e mesme jashtë shtetit dhe u kthye në qytetin e lindjes. Filloi të bëhej i njohur me satirën e hollë të barsaletave dhe anekdotave që thumbonin qeverinë dhe nëpunësit lokalë. Fliste hapur dhe kjo e bëri të dëgjuar e të respektuar.
Më 1920 krijoi në Bilisht shoqërinë “Fati i Atdheut” e cila me propozimin e Avni Rustemit u bë pjesë e shoqërisë “Bashkimi”. Mazllëmi u zgjodh kryetar i degës së shoqërisë për Bilishtin.
Më 21 korrik 1921 filloi botimin e gazetës “Qarku i Bilishtit” duke qenë drejtor i saj. Gazeta u bë tribunë e mendimit atdhetar dhe autori i saj u afirmua për pikëpamjet e tij përparimare në mbrojtje të interesave të popullit.
U bë pjesëmarrës i lëvizjes çlirimtare duke filluar me njësitin guerril, me përgatitjen e trakteve, ndërsa në qershor 1943 u rreshtua në batalionin “Fuat Babani”. Luftoi me heroizëm deri sa u vra më 22 mars 1944 në përpjekje me nazistët gjermanë te kodra e borigave afër Qytezës.
Ismet S. Larti “Të njohim Devollin”, Bilisht 1999 (f.148-149)

Bexhet Hysen Barbuta
(1897 – 1961)

Bexhet Hysen Barbuta

Bexhet Hysen Barbuta

Ishte akoma 16 vjeç kur mori pjesë në luftimet e Kapshticës kundër sulmeve të andartëve grekë të cilët kishin si synim daljen në Bilisht e Cangonj dhe pushtimin e Korçës. Në përleshje dyfek më dyfek me junanët e kapedan Nikos Thrakas, Bexhet Barbuta tregoi shembull të lartë vetmohimi. Ishte komit kapedan. Nuk rrintë kurrë në bisht të kohës dhe të moshatarëve. Ishte rritur si një lis krahëfortë në shtëpinë e patriotit Hysen Barbuta, ishte i edukuar dhe kishte mësuar shumë nga e kaluara liridashëse e krahinës. Mori pjesë edhe në luftimet e Bilishtit e të Nikolicës. Në mars 1913 në teqenë e Bilisht u mblodhën në kuvend burrat e Devollit. Bexheti ishte mes tyre dhe pati nderin që memorandumin e kuvendit t’ia dorëzonte me dorën e vet Themistokli Grëmenjit, komandant i xhandarëmrisë së qarkut të Korçës. Ishte bashkëpunëtor i Llazo Progrit, Mazllëm Karaiskajt, Vasil Tromarës, Emin Menkulasit. Në nëntor 1913 u takua në Korçë me At Dhimitër Ballamaçin prej të cilit mori libra e fletore për mësimin e gjuhës shqipe dhe përgatitjen e hapjes së shkollës shqipe në Bilisht. Më 30 dhjetor 1916 së bashku me Qamil Panaritin – drejtor policisë së Bilishtit, ngritën flamurin kombëtar në qytetin e Bilishtit si pjesë e Republikës Automome të Korçës. Më 1921 ishte krahas Mazllëm Karaiskajt në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi”. Duke qenë fanolist u burgos në Berat, Korçë e Tiranë dhe pushtimi fashist e gjeti në burg. U arratis nga burgu dhe u bashkua me lëvizjen çlirimtare.
Albert Gora “Portrete patriotësh të Qarkut të Korçës”,Vol. II, Korçë 1999 (f.49)

 

loading...

Komento!

loading...