Home / POEZI / Fation Pajo: Krijimtaria (CIKËL POETIK)
loading...

Fation Pajo: Krijimtaria (CIKËL POETIK)

Fation Pajo: Krijimtaria (CIKËL POETIK)

CIKËL POETIK

Mall
——–

Kumtirën e shpirtit sot po zgjoj
E di
Nuk e kam të lehtë
Nën hijen e natës
Për ty nënë…për ty
Vetëm për ty
Llavën e përfjetur të vargjeve ngas
pas kaq kohe
të gatuaj si duhet
të kthjelltat mendime
Që mallin e mbledhur shuk
Syvet
Sonte të paktën të mund ta shoj.

Qytetit tim
—————–

Thëllimë e dëborës në mbrëmje
Ëndrat më shpleks keqas në harbim
Për çudi sonte s’qenkam në gjëndje
Ndjenjat trazohen në përvëlimë.

Së largu ndjej një këngë të vjetër
Është kënga e qytetit tim
Tek unë ajo ngjizet patjetër
Si kjo dëborë që s’ka pushim.

Para meje dëbora vallëzon
Të ftohin çuditërisht s’e ndjej
Së brendëshmi kënga bëlbëzon
Me Të zërin ngeshur përzjej.

Jashtë ndodhem këtë mbrëmje i vetëm
Dëborë,acar e fryn veri
Pak çaste me Ty dua të mbetem
Brengat të zbraz këtë terr të zi.

Sonte vërtetë harroj ku ndodhem
Po jetoj pak çaste shpërthimi
Me zë të ulët këndoj e s’lodhem
Për Ty shtjell valë përmallimi.

Ndonëse larg,shumë larg po jetoj
Sytë mbushur i kam plot trishtim
Këtu as luks e as gjë s’shijoj
Zërin ngre:-“Ku je,VENDI IM !”

Vetëm për Ty
——————–

Falmë qoftë një vështrim e dashur
Falmë vetëm një,ashtu si dikur
E unë…
Pa pyetur ç’kohëra jetojmë
Pas do të le gjithshka
Veç të ta rizgjoj ëndrën e mpakur.

Vegim
———–

Ndjeva një rrënqethje
marr frymë
dihas
ju ishit atje,
një rojtar i bindur,
vigjilent,
fshehur
pas imazhit tim.

Magjia jote ndjell
troshitje,
të flas :
-Më thuaj kush je ?
Ti buzëqesh hidhur,
Ringrihesh,
heshtur
mban tonin premtim.

Në këtë jetë
——————–

Vijmë në këtë jetë
Me qarje e lotë gëzimi
Pastaj ikim të lodhur
Rrethuar nga lotë hidhërimi.

Një ditë më kot prisja
——————————

Një ditë më kot prisja
Të mbillja në arë
Fare të re poezie
Me plorin mendim
Ktheva dheun e vargjeve
E shkriftova me merak
Më pas e plehërova
Hapa dhe vijat e metrikës
Por dikush shtegun më zuri
Farën të mos vadisja.

Brenda atij dheu të murrmë
Fara e re m’u dogj
Në vija
Më mbeti
I vetmi dëshmitar
Ëndërimi,kthyer në gjurmë.

E gdhiva një natë…
—————————

E gdhiva një natë…
Me lirikat e Lasgushit të madh
Padashur ato më sollën ndërmend
Kohën çapkëne të rinisë
Të rinisë së herëshme
Megjithëse mes muresh të lartë
Të pranguar në shpirt
Nën zë bilbilash
Zgjuar mbanin dashurinë
Mes dimrash të thatë.

E gdhiva një natë…
Me lirikat e Lasgushit të madh
Pas kaq vitesh fjetur
Në fund të rafteve
Më malluan
E njëherësh
Më rinuan zemrën
Por vetëm për një çast
Tashmë jam ndryshe
Jo më djalë i prapë.

E gdhiva një natë…
Me lirikat e Lasgushit të madh
Ëndra ëndrës i foli
Si bregun rreh një valë.

Chicago,2007

Mos më thoni…
————————————-
Dikur…

Dikur…
Fjala “Heshtje”
Më dukej ves i huaj
S’e përtypja dot
Sot…me të endem pa u ndarë
E duroj gjer në dhimbje
Stinët ndër sy shpesh më dyzohen
Dhe vuaj…

Janar,2008

S’kam kohë…

S’kam kohë…
Të endem me orët e tua ditë
Më duhet të jetoj.

S’kam kohë…
Të pres ngrohjen e shpirtit nga Dielli
Më duhet të punoj.

S’kam kohë…
T’i flas mëngjesit të kthjellët
Pa i kënduar yllit tim.

S’kam kohë…
Të shoh plakjen e fjalëve
Pa i thënë të gjitha.

S’kam kohë…
Të pres,të pres
Më duhet të shkoj.

Janar,2008

Atë mëngjes në ikje

Atë mëngjes në iklje
Në vend të Lamtumirës
Breshëri lotësh ranë
nga sytë e Tu
Në shpirtin tim
Megjithëse mallkova vitet
Dhe pritja m’u lodh
Ato kurrë s’u thanë…

Janar,2008

Mos më thoni…

Mos më thoni…
Ku shkoj
Ku përcjell ditët
Ku trokas
Ku gdhihem.

Jam mes jush
Nga lindja e ditës
në lindjen tjetër
Brenda dhimbjes suaj
përfshihem.

Janar,2008

Psherëtimë…

Kur numuroj
vitet e dashurisë
ndjej lehtësim
përtërihem.

Kur mendoj
vitet e pleqërisë
ndjej thëmbim
mpihem.

Janar,2008

S’më mjafton një verë

S’më mjafton një verë
Të më shkrijë
Ngricën “Ndarje” në shpirt
Pa të të parë Ty
Zogthi im i verandës
Qoftë dhe një herë.

Janar,2008

Për dashurinë…

Në blerje e shitje
Në lindje e funeralë
na duhet të presim
harrohemi në to

Për dashurinë…
Eh…jashtë fjalorit
Mbeti gjithnjë
Fjala –Pritje.

Janar,2008

Do ti gjej disa fjalë…
(poetit D.Luzaj)

Do ti gjej disa fjalë
Në Galaktikën e shkronjave
Dhuratë vetëm për Ty
Një jetë dimëruar
Zjarret e shpirtit yllësi
Një jetë hidhëruar
Ëndrat…lotët…
Kasafortash kyçur
Pa dëshirë
Dritë-hije ndër sy.

Për Ty mik i heshtjes
Endur me qyrkun e vjeter
I huaj brazdash vendlindje
Me vargjet dallgë ndër valë
Shpateve të çveshur
Stinëve pa u ngrohur kurrë
Në Galaktikën e shkronjave
Do ti gjej disa fjalë.

Do ti gjej disa fjalë
për Ty miku im
Bir i gjeneratës “Dhimbje”
Që zgjimet
Ndryshe i përshëndet
Pa mjegull…pa shfrim.

Janar,2008

Pranë Jush vij

Lodhja s’më tremb
Udhës gjer të mbrij
Me një grusht yje
e një shportë të thjeshtë thjeshtë
poezishë
pranë Jush vij.

Në sofrën e gjerë ua shtroj
Të përzgjidhni prej tyre
Pak Dashuri…pak mirësi
Pak Dhimbje…pak nostalgji
Pak Mall për ato troje
Metaforë njerëzore
Prej mikut…poet
Mbledhur rrembave të shpirtit
Nëse vërtet s’u ngjizin
Hidhini pa aspak droje.

Pranë Jush vij
Siç vjen mbrëmjes
Një bashkëfshatar
Në sofrën e shtruar
I çveshur nga zjarrmet
Natën ta gdhij.

Janar,2008

Për Ty poet…

Sonte s’jam i vetëm
Dimrin e egër ndër sy shtrydh
Për Ty poet…
Më muzën tënde në gojë
Endem bulevardit i qetë
Drurëve të ngarkuar me Borë
E trotuarëve që flenë
U afroj pak shpresë…pak jetë.

Janar,2008

Meditim

Në detén e dashurisë
U krodhëm të dehur
E gdhimë mes puthjesh
Herë unë mbi dallgë
Herë Ti mbi valë
Hëna na i numuroi…
Dhe s’di kush na nxorri prej andej
Ëndra a ylli që shkoi.

Janar,2008

Etyd

Flladi i mëngjesit
Përgjumjen e mendimet
M’i shkundi një çast nga sytë
Janarin e ngrictë
Supesh ma hodhi
Kostum të dytë.

Janar,2008

Jo tek unë…

Mos më lodhni sonte
Ju hije të natës
me buzët lyer diskotekash
me lakuriqësi trupi rrugësh
Trokitni tjetërkund
Jo tek unë…

I dehur jam
pas një zjarri në vatër
pas cicërima zogjsh në agim
Gjithshka tjetër më prangos
Ndaj s’u qasem
Pazareve…tymnajave
Të thinjem dua
në timen ngastër.

Mos më lodhni sonte
Ju hije të natës
S’mi verbon sytë ligësia
As mbidoza me emrin “Liberta”
Trokitni tjetërkund
Jo tek unë…

Shkëputur nga vellimi poetik “Netë të thyera”

Trazim

S’e di pse gjumi sonte s’më merr
është natë e çmendur
që s’më lë të qetë
Janë ëndrrat
që fort më trazojnë
a mungesa jote e dashur
As vetë s’e di
çmendurisht orët kush m’i tjerr…

Mos m’u zemëro e dashur

E dashur, mos m’u zemëro
pse të tradhëtova mbrëmë
Në krahët e saj më priste
mikja ime e vjetër,
bukuroshja
POEZIA
E bukur sa dhe Ti
Të ndahem prej saj tash
Të lutem, jo, mos ma kërko.

Nën drithma nate i përflakur
pranë zjarrit të shpirtit
me miken gdhihem
ndaj, mos m’u zemëro e dashur.

Baret e natës

Muzikë…fashitje
Lakuriqësi e shtirur
Pije që s’i mund
Fytyra të lodhura
Muskuj të mpiksur
E përsëri
Joshje e ankthe
Tundime të pafund.

Baret e natës
Sinonim i amëshimit
Të huaja…pa jetë
Pa dritare të zgjimit.

Ngasje

Urë e vjetër rrënkon
ndër këmbët e thinjur
Përroi s’ka gjumë
valëz ë tij e lemon…

Një natë…

Një natë…
Si dallëndyshet pas shtegtimit
U mblodhëm si miq
Zgjuam të ëmblat kujtime
Befas…
Dikush një “hijenë” të harruar
Na e mburri për dreq
Në sytë tanë mbrëmja u nxi
…u ndamë si armiq…

Xhelozisë

Rrebele në shpirt
Në fjalë gjithashtu
Ndaj larg teje shkoj
Pse s’rroj dot kështu.

Kujtimet

Udhëtoj sot drejt vendlindjes
Dallgët e kohës
…………. Keopse malli
Pranë të vij ndryshe
flokë gri…
Buzëdridhur syvet një lot
S’më ndahet
Kujtimet… sekuenca filmike
brenda meje
…………të kthjellta gjithsesi.

Befasi

Nëse Ti s’mi ndjen
Si duhet valët e shpirtit
Netëve që s’shihemi
Mos më lërë…
Të paktën sonte
Jo, të të humb
I malluar gjer në thinjë
Rrebel do të bëhem
Cipën e përfjetur të kujtesës
Në ata sy të lodhur
Nuk dua ta tremb
Jo…as ta shkund…

Ndryshe s’bëhem dot…

Mes shoqërisë i rrethuar
mundohem të jem i matur
kur flas
Të tjerë s’imitoj.

Ndaj atyre që kanë shkuar
Përulem me respekt
një çast
I përshëndes e shkoj.

Ndryshe s’bëhem dot…
I tillë jam unë
Një shtegtar i rrugës së gjatë
Që s’derdh kollaj lot.

Brengat…

Plagë në shpirt që s’më thahen
janë brengat…
Me kodin e tyre më brejnë
dimrave një nga një
rrugës pa u ndjerë
Në sytë e mi
piratë mbetën lotët
dhe ëndrra ende pa tjerrë.

Atë ditë që do shkoja…

Atë ditë që do shkoja…
Larg, shumë larg
Me vehte mora
Një sapun aromatik
Një llullë tim-atë kujtuar
Përqafimin e nënës në prag
Dhe dy pikëza lotë…
Kostumin e dhëndërisë
Përgjumur në varëse
Jo, s’e mora dot…

Ky tregim është shkëputur nga vëllimi me tregime “Shpagimi”

VAJZA ME KITARË

Nuk kisha shumë kohë në këtë qytet të vogël. Vija tek të afërmit e mi. Dy ditët e para i kalova shpejt. Nuk i ndjeva si ikën. Ditën e tretë u ngrita herët. Nuk më rrihej brenda. Dolëm bashkë me tim-vëlla, Admirin, më i madhi i vëllezërve. Ai punonte në uzinën e përpunimit të naftës. Ua kisha premtuar atij dhe Lindës, kunatës, që lejen ta kaloja pranë tyre, dhe ashtu bëra. Lashë Tiranën dhe erdha në këtë qytezë ku të kundërmonte ajri i rrëndë i tij. Gati sa nuk u bllokovaorët e para,por me kalimin e kohës sikur u ambjentova me të. Po ecja i vetëm në sheshin kryesor. Me Admirin u ndava në kryqëzimin e rrugëve, kështu po shëtisja pa ndonjë ide. Përgjatë bulevardit kryesor në të dy krahët ishin ndërtuar disa klube luksoze të xhamtë. Në njërën prej tyre hyra të pi një çaj,ose ndonjë freskuese.U ula në një nga tavolinat boshe të verandës buzë trotuarit dhe porosita. Orët e para të këtij mëngjesi Maji të bënin për vehte me flladin e lehtë që të përshkonte pjesët e lakuriqta të trupit. Nëpër trotuare kalimtarët encin të shpenguar. Nxora paketën e tek po ndizja një cigare syri më vete në një ballkon të pallatit përballë, ku një vajzë me flokë të argjendtë e të prera shkurt diçka po kryente. Lëvizjet e saj më bënë shumë përshtypje. U mbështeta mirë dhe nisa ta vështroj për një kohë të gjatë. Nuk e di , por m’u duk se edhe ajo po vështronte në drejtimin tim. Nga tiparet e fytyrës krijova pështypjen se do të ish një vajzë tek të njëzetat , që mund të ketë mbaruar gjimnazin e qëndronte e kyçur. Ishte shumë simpatike dhe sepse këtë mëngjes më ngjasonte me ata trandafila që përskuqin ballkonin e saj.

Pasi pagova, dola dhe vazhdova xhiron pa ndonjë ide në drejtim të sheshit. Njerëzit grumbuj-grumbuj në të dy trotuaret lexonin me kureshtje gazetat e posa ardhura në qytet. Lexonin e komentonin me zë të lartë sa u tërhiqnin vëmendjen kalimtarëve që ecnin në shesh. Këta tipa gjithmonë më mërzitnin. Ata më duken sikur s’kanë punë të tjera. E ndërkohë që ata diskutojnë për ngjarjet e ndodhura një ditë më parë, mua s’më hiqet nga sytë ajo vajzë e ballkonit. Enkas hidhja vështrimin andej e ajo po në atë vend. Në kthesën e fundit që larg dalloj se vajza po luante diçka me kitarë. Më tërhoqi pa masë veprimi i saj. “Kjo bukuroshe në këtë qytezë t’i bjerë kaq mirë kitarës ?!” më erdhi ndërmend dhe i lodhur mora rrugën drejt shtëpisë. Ora po shkonte dhjetë kur hyra brenda. Linda po merrej me gatimin e drekës. Kish gati një vit që kish dalë në asistencë dhe tërë ditën e kalonte me fëmijët. Genci shkonte pasdite në klasën e dytë fillore,ndërsa Erën katër vjeçare e shpinte në kopësht. Iu afrova Gencit,i cili ish ulur në tavolinë e po bënte mësimet. E doja tej mase nipin pasi ngjante shumë nga ne. Por edhe pse ishte i pari nip i familjes. Ishte shumë i lëvizshëm. Në Tiranë thuajse i kalonte gjithë pushimet,ndaj dhe përkëdhelej kur i vinim në shtëpi. Pasi mbaroi mësimet m’u lut të dilnim. Nuk ia prisha.U ula në divan dhe derisa Linda e bëri gati,po ndiqja një film të njohur të Hollivudit.

-Xhaxhi,shkojmë?-më afrohet nipi dhe instiktivisht fiku televizorin. Hodhi çantën në krah e pasi puthi të ëmën hapi derën. Dolëm por gjatë gjithë rrugës s’i pushonte goja. Fliste si të ish një i rritur. Iu afruam një kioske në fillim të sheshit.

-Genci,ç’do të të blejë xhaxhi? – e pyeta.

-Patatina!-foli ai dhe zgjati dorën e mori një nga ato të ekspozuarat në vitrinë. M’u qetësuan veshët. Genci si të ish vënë në garë fuste nga dy-tre patatina njëherësh në gojë,kështuqë s’kish kohë për të folur.Në fund të bulevardit hodha përsëri sytë në ballkonin e katit të dytë,e çuditërisht vajza vazhdonte të qëndronte aty duke vazhduar të luante diçka me kitarën e saj.Ndala hapat.Diku lart në hapësirën qiellore një re e hirtë kish zënë për disa çaste diellin. Akordet e kitarës ,aq të njohur, më bënë të mos luaj nga vendi. Një marramendje e lehtë më lëvriu nëpër trup.U bëra njëzetepesë vjeç,por si kjo vajzë s’më kish rastisur të takoja apo edhe të shihja në vende të tilla larg Tiranës. Me erdhi një dëshirë t’i afrohesha e t’i flisja,por sepse ngurova. Ishte vështrimi i saj që po më sfilitte në këtë prag mesdite.Do të vazhdoja të qëndroja edhe më përballë kësaj bukurie,por s’më la im-nip. Ai më tërhoqi për krahu.

-Xhaxhi,më vajti ora për në shkollë.Do të ikim apo të mbetem pa mësim sot?!-tha dhe u nis. E ndoqa pas,por isha i sigurtë se po më shoqëronin sytë e saj. Një kërshëri e paimagjinueshme po më shtynte drejt kësaj vajze të panjohur. Kur morëm kthesën në fund të unazës e ndesha sërish. Këtë herë ajo u shfaq e mbështetur mbi diçka të drunjtë. Megjithëse qëndronte në mes të vazove ajo dukej tepër joshëse. Fytyra e saj e lëmuar dhe e shkëlqimtë me ata sy të kthjellët,të kujtonin sikur para meje nuk ish një vajzë e zakonëshme,por një top-modele pas sfilimit. Në cep të syve i qëndronin të pranguara dy pikëza loti të qelqta. Vështrimi i saj i thellë më emocionoi së tepërmi. Ndoshta po ngutesha. E dija mirë që në vende të vogla bie në sy shpejt. Me kujdes i afrohem nipit dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë nxitojmë për në shkollë. Pas hapave këtë herë,edhe pse disi larg, dëgjova të tjera akorde. Ato ishin çjerrëse,të vrazhdë për duar të tilla delikate,ishin ndoshta si një shuplakë ndaj ikjes sime. Ktheva menjëherë kokën pas. Ç’të shihja,vajza në dënesje e sipër fshikullonte telat e pafajshëm të asaj kitare magjike. “Me mua t’a ketë vallë ?!”-mendova. Nuk u ndjeva,vazhdova përsëri rrugën.

Kjo ditë e tretë shkoi duke më zgjuar thellë në shpirt një ëndër të re,ëndër që do të më mbante rob të saj gjithë natën. Arturit vendosa të mos i them gjë. Kjo natë m’u duk sa tre netë bashkë. Edhe ato pak orë që fjeta,bëra një gjumë të ligë e me lloj-lloj ëndrash. Rrezet e para të mëngjezit mbi sistemin e kodrava të stërmëdha më zgjuan. Koha ishte e bukur. Nga dritarja e kuzhinës dukej uzina si në zgjimin nga një përgjumje e thellë. Oxhakët e ndritshëm rrezatonin e njëkohësisht nisën të vjellin në ajrin e freskët gazin e ndohtur që vinte deri në dhomën gjysmë të hapur. U ngrita e pasi rregullova divanin bëra tualetin gati pa zhurmë dhe ndeza televizorin. Nuk vonoi dhe erdhi edhe Admiri. Linda na bëri kafetë dhe shkoi të çojë vajzën në kopësht. Dolëm edhe ne. Si zakonisht tek rrethi i policit u ndamë. Mezi prisja të vinte kjo ditë që të mundja të shihja sërish atë vajzë.

Mora një gazetë sportive dhe iu drejtova vendit tim të preferuar në lokal. Porosita një frape dhe fillova të shfletoj faqet e saj. Pas disa minutave doli edhe vajza në ballkon. Vështrimin këtë mëngjes e kish të largët. Në ata sy, edhe pse ndodhesha gati njëqind merta larg saj, nuk dallova asnjë gjë të re, përkundrazi ata ishin të thellë e dukeshin si të lodhur.

Mbetëm një hop në heshtje.Heshtje e zakonëshme që lind mes njerëzish që takohen për të parën herë.Vetëm se në këtë rast dy të njohur, si të thuash sejcili më vehte. Kur dola në trotuar,pa bërë as disa hapa, nga pas dëgjoj të më flasin në emër. Kthehem menjëherë pas. Ishte Fredi,shoku im i fakultetit. U çela menjëherë në fytyrë. Pas përshëndetjes së rastit vazhduam të shëtisim. Megjithëse kishim kohë pa u parë,sa herë i afroheshim pallatit të vajzës e harroja shokun,i hidhja një vështrim ballkonit e në buzëqeshje e sipër vazhdoja bisedën ku e kishim lënë. Vajza herë pas here zgjatej të na shihte e kur haste vështrimin tim,ulte kokën si e trembur. Edhe pasdite po të njëjtat veprime. E kisha lënë me Fredin për t’u takuar në lokal dhe deri sa të vinte ora vazhdova itenerarin e zakonshëm. Ndonëse u vonua pak në kohë, Fredi erdhi dhe si për t’u shfajësuar më futi krahun dhe hymë në lokal.

-Fredi,qëndrojmë më mirë jashtë. Është vapë këtu brenda-i thashë më shumë për të qëndruar në vendin tim të preferuar. U çuam dhe shkuam atje. Kishim shumë kujtime së bashku. Folëm gjatë për kohën tonë studentore.

Kur mbrëmja po pushtonte tërë qytezën,përtej ballkonit tashmë të boshatisur dalloj një dritë të zbehtë e pas perdeve të përhimta siluetën e vajzës. Isha i bindur që ajo më kish parë,ndaj dhe nuk shkulej nga dhoma e saj. Vonë kur në magnetofon u dëgjua sigla e mbarimit të lajmeve kryesore,u çuam e dolëm në rrugë. Pasi u ndamë ai mori djathtas për në uzinë,ndërsa unë vazhdova drejt qendrës.

Nën neonet e veçuara,por të ndezura nxitoj për në shtëpi. Ish e kotë të qëndroja më gjatë në këtë vend të panjohur e të vogël,aq më keq dhe i vetëm. Në shtëpi gjej vetëm Gencin duke ndjekur një program për fëmijë. Ai vdiste për serialin e njohur “Tommy&Xhery”.

-Ku janë këta?-e pyes për të tjerët.

Djali pa u shkëputur nga sekuencat e ekranit më përgjigjet:

-Kanë dalë…vanë për një vizitë tek teta Sena!…Tani duhet të vijnë.

Shkova në dhomë,u ndërrova shpejt e shpejt dhe u ula pranë Gencit në divan. Nisa të lexoj një libër me tregime të autorëve të rinj. As vetë s’e kuptova si më kish zënë gjumi me gjithë atë zë që kish televizori.

Kur erdhi im-vëlla me gjithë kunatën,megjithëse lëviznin me kujdes më zgjuan. Ndenjëm deri pas mesnatës duke biseduar. Kujtuam gjithshka mbanim mend nga fëminia e rinia. Gjatë gjithë kohës që bisedonim,Genci qëndronte i mbështetur pranë meje.Dikur e kish zënë gjumi.Linda e mori ngadalë dhe e shpuri në shtratin e tij. Pas pak edhe ne e prishëm.Nuk po më zinte gjumi. Ndeza sërish televizorin dhe nën sekuencat e një filmi të vjetër mendja po më shkonte përsëri tek ajo vajzë,të cilës s’po arija t’i mësoja të paktën emrin. Vonë në orët e para të mëngjesit,me televizorin të ndezur ,më kish këputur gjumi. Po gdhihej e shtunë. E shtuna e parë në një qytet të vogël.

Flladi i mëngjesit depërtoi nga dritarja gjysmë e hapur e më rrahu fytyrën. Era e lehtë fëshfërinte mes gjetheve të plepave që kishin shtrirë krahët deri pranë dritareve të pallateve. Disa prej tyre,të lodhura shkëputeshin dhimbshëm e valëviteshin mbi asfalt. Kur u çova të gjithë ishin në lëvizje. Hapa dritaren e dhomës dhe hyra në kuzhinë.

– Xhaxhi Gimi,do më çosh edhe mua një herë në cirk?-ishte Era e vogël që më shpupuriste flokët. Mezi u ngrita. Ndjehesha i tëri i këputur por s’mundja t’ia prishja. Nga ky siklet më shpëtoi Linda. Ajo do ta shpinte tek një shoqe për një provë fustani. Mëngjesi ishte gati. Për të mos ia prishur kunatës futa me shpejtësi diçka në gojë dhe si u vesha,nga dera u përshëndeta me ta e dola. Ora kish pak që kish kaluar nga e zakonëshmja për kafenë në lokal. S’më mbante vendi gjer të mbrija. Shtova shpejtësinë dhe sakaq u gjenda në vendin e caktuar. Para meje shtrihej një pejsazh i bukur vjeshte. Në ballkon kish dalë më përpara vajza bjondine. Kur më vuri re buzëqeshi lehtë dhe filloi t’i bjerë kitarës. I kisha parandjerë me kohë tingujt gjigandë të Mozartit. Ata vinin gjer tek unë të freskët si ky agim,e të ëmbël si fytyra e saj. Diçka e pakuptimtë po më shpinte drejt saj. Pagova dhe dola. Në sytë e asaj vajze ndjeva të shpalosej një pranverë që rrallë e kisha hasur. Në ata gishtërinj dalloj si marrin frymëzim telat e hollë të kitarës. Kapërceva trotuarin dhe iu afrova edhe më pranë. Vendosa ta sfidoj mentalitetin mbytës që ekzistonte. Vajza ,të cilës nuk ia dija as emrin,u mbështet përsëri në diçka të drunjtë e u përkul mbi parmak karshi meje. Hapat e mi isha i sigurtë që po ia trazonin shpirtin dhe ata sy të mjegullt. Nuk mundesha të qëndroja më i heshtur para saj. Së brendëshmi ndjeva një zagushi që thuajse po më pushtonte të tërin.

-Si të quajnë?-e pyes më në fund.

-Berta,shkurt…Më quajnë Alberta!-bëlbëzoi ajo dhe një purpur iu pështoll rreth fytyrës.

-Ku e ke mësuar kaq mirë kitarën?-s’mu durua.

-Vetë…kam gati dhjetë vjetë që i bie.

-Besoj vetëm në ballkon?!-e provokoj.

-Jooo…këtu i bie vetëm kur është ditë e mirë…

U dëgjuan disa hapa. Dikush po vinte pas meje.Vajza e trembur u ul menjëherë dhe nisii të luaj një pjesë të njohur,(Apasionatën e famëshme).U ktheva dhe pa marrë as përshëndetjen e saj shkova drejt postës së qytezës.E kisha lënë të flisja me prindërit rreth asaj ore.

“Berta!” ç’emër i bukur vajze. Imagjinata e prindërve të saj nuk kish shkuar dëm. Deri në mbrëmje u enda së koti sa në një trotuar në tjetrin. Ajo përsëri rob i ballkonit të saj. E përshëndes së largu. Ajo përsëri ngrihet dhe mbështetet diku pranë parmakut. Një dëshirë e çmendur më bëri ti afrohem përsëri. Këtë herë në thellësi të retinës së syrit të saj që larg i dallova dy yje të shndritshëm dhe ekzaltues. Teksa frohesha drejt saj me vehte si një i marrë përsërisja të njëjtin refren:”A do të mundem vallë ta prek këtë fytyrë prej engjëlli!…A do të kem atë fat të puth këta sy aq joshës e këto buzë të trëndafiltë,aq të epshëm…?!” Ajo përsëri,si edhe më parë,përkulet mbi parmak.. Nën bluzën e hollë dalloj mjaft qartë si i rreh ai gjoks i bardhë i formuar e delikat,i zgjuar ndoshta nga ndonjë përgjumje e gjatë.

-Mirëmbrëma!-i them.Ajo ,si të zgjohet nga një ëndër pëshpërit.

-Mirëmbrëma!

-Nuk zbret dot poshtë…Apo s’të lenë prindërit të dalësh?!-e pyes..

-…-ajo hezitoi të më kthejë një përgjigje.

-Atëherë zbrit,ç’pret më…U bënë kaq ditë që vetëm të shoh…Zbrit të të dëgjoj zërin e ëmbël,të t’i ndjej më pranë ata tinguj melankolikë që po më robërojnë të tërin ! -ngulmova në timen. As vetë nuk po e kuptoja si më erdhi gjithë ai frymëzim. Ajo ,në vend që të më kthente një përgjigje,ngriti lart patericat e drunjta, tundi kokën në shenjë mohimi dhe bëlbëzoi nëpër dhëmbë diçka që s’arrita ta kap.

-Nuk mundem…?!-m’u kthye shpejt e në çast iu mbushën sytë me lotë. Pas pak u shemb në dyshemenë e ballkonit zhurmëshëm e gati pa ndjenja. S’u besova syve.”Si ka mundësi që kjo krijesë mahnitëse që shoh të jetë uloke?!” I thirra në emër,por vetëm heshtje. Prita disa çaste për ndonjë reagim të saj,por më kot. Vendosa të kthehem prapa. Ajo në dënesje e sipër merr forca dhe me rrebeshë lotësh në sy fillon ti bjerë sërish kitarës. E sërish tepër e prekëshme. Në veshët e mi tingëllonin si këmbana fjalët e saj:”Nuk mundem…Nuk mundem…?!”. U shtanga. S’e prisja një gjë të tillë këtë mbrëmje . Tingujt pushuan. Papritur u shua drita në ballkonin e saj. Heshtjen e kësaj mbrëmjeje e thyen ngashërimat e zëshme të saj. Ato vinin deri tek unë si shigjeta të helmëta. Befas pas këmbëve dëgjoj një zhurmë. Ishte një shuk letre e hedhur nga ajo. E hap dhe me shpejtësi nisa ta lexoj:

“I pari njeri që i kushtoi pak vëmendje një vajze si unë,ishe Ti. Të lutem falmë. Ndoshta të zhgënjeva…Unë kështu jam… Shpirti im jetoi disa ditë vegimi falë teje…Nuk mundem! Falmë edhe një herë…! Sytë e Tu dhe kitarën time të dashur tërë jetën s’kam për t’i ndarë…Të lutem njëmijë herë ,falmë…!
Berta! “

Kjo letër me shkrim të nxituar e me pikëza të ngrohta loti më drithëruan zemrën.Vajza vazhdonte të qëndronte në vendin e saj e njëherazi të jetonte me ëndrën që sapo kish kaluar. Sytë e saj filluan të puliten si ditën e parë të njohjes.

“Berta,s’do të të harroj dot. Lamtumirë!”- Kërkova ta përshëndes, por ajo tashmë kish hyrë brenda. Qëndrova disa çaste me vështrimin drejt ballkonit të saj dhe kthehem. S’u besoja ende syve nga kjo histori e vogël në këtë qytezë të largët. I vetmi shpëtim nga ky zhgënjim që pësova ishte të largohesha sa më parë nga ky vend. Kështu veprova. Nën feksien e neoneve të mbrëmjes nxitova për në shtëpi pa e kthyer më kokën pas.

Fation Pajo

loading...

Komento!

loading...