Home / BOTIME / Familja Tuxhari- nga Vepror Hasani
loading...

Familja Tuxhari- nga Vepror Hasani

Familja Tuxhari- nga Vepror Hasani

Tuxharët patrotë dhe tregtarë të medhenj, përballë patriotizmit të rremë

Korçë- Familja e Tuxharëve bën pjesë ndër familjet më të mëdha të Korçës. Ishin fis tregtarësh të dëgjuar. Vetë fjala “tuxhar” do të thotë “tregtar”. Mbi të gjitha ishin familje patriotësh. Abedin Seit Tuxhari, kishte qenë një nga njerëzit më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Ai lindi më 1851 dhe vdiq pa u ndarë nga beteja në vitin 1921.
Pas çlirimit të vendit pasardhësit e tij do të gjendeshin nën presionin dhe kërcënimet me burg, me sekuestrimin e banesave dhe të pasurisë. U kërkonin me ngulm, orë e cast, të nxirrnin floririn, që sipas njerëzve të regjimit, e kishin groposuar netëve të errta, diku thellë, poshtë themelive të shtëpive. Tuxharët thërriteshin përditë në degën e punëve të brendshme.
Çfarë ndodhi me familjen e Tuxharëve, të gjitha këto na i tregon Maksim Tuxhari, biri i Aliqemalit, njerit prej tregtarve më të nderuar të qytetit të Korçës

Vdekja e Shefqet Tuxharit

Në shtëpinë e madhe të Tuxharëve, poshtë në bodrumet e saj, u gjet i vdekur Shefqet Tuxhari. Kështu e nis tregimin e tij Maksim Tuxhari, biri i Aliqemal Tuxharit, nipi i Neim Tuxharit ose stërnip i Abedin Seit Tuxharit. Që të gjithë bënin pjesë ndër tregtarët më të mëdhenj të Korçës.
Ishte viti 1948. Vdekja e Shefqet Tuxharit kishte qënë tragjike, vijon të tregojë pasarëdhësi i Tuxharëve, Maksim Tuxhari. Ai u gjet që në çastin e parë, kur sapo ishte ndarë nga jeta. Gjaku i ngrohte rridhte ende nga damarët e tij si një rrjedhë që nuk ka të mbaruar. Shumë afër me trupin e tij qëndronte një thikë e gjakosur. Fillimisht të gjithë Tuxharët mbetën të shokuar. Ishte vrarë apo vetëvrarë? Në trupin e tij u gjetën edhe njolla të tjera, por ndoshta nga që trupi i tij ishte përpjekur pas mureve në çastin e fundit të jetës. Të mendoje se e kishin vrarë ishte e pabesueshme. Nuk kishte ndodhur kurrë që në shtëpinë e Tuxharëve të Korçës të hynin masakrues apo të çmendur që të tregonin se ishin “trima”. Që të gjithë Tuxharët ishin rritur bashkë me armën, madje fëmija që lindte e gjente atë te koka e jastekut.
Megjithatë një fije dyshimi ravijëzohej në të gjitha fytyrat e Tuxharve dhe miqve të tyre që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë vdekje. Babi im, Aliqemal Tuxhari, por edhe gjyshi Neim Tuxhari, nuk pohonin as vrasjen, as vetëvrasjen. Thjeshtë thoshin, “na iku edhe Shefqeti”, njësoj sikur të paralajmëronin vdekje të tjera. Doktori që e kishte vizituar i fundit, kishte thënë se Shefqeti kishte vrarë veten dhe se për këtë nuk duhej të kishte asnjë dyshim. Fjalët e doktorit duket se ishin të vërteta. Me thikën që i qëndronte afër trupit, Shefqeti kishte prerë damarët e duarve, ndërsa gjaku i ngrohtë vazhdonte t’i rridhte edhe nw çastet kur e kishin gjetur.
Sigurisht që nxituan ta ngrinin në këmbë, por ai ishte ndarë përfundimisht nga jeta. Pulsi i tij nuk jepte më asnjë shenjë. Shefqeti kishte vdekur dhe kjo ishte më se e sigurtë

Si ndodhi?

Sapo u tha se Shefqeti kishte vdekur, të parat që dhanë alarmin me kujë e vajtime ishin gratë: “Të vranë o bir, të vranë…”, ishte zëri i parë i një ulërime rrëqethëse. Pas kësaj zëra të tjera grash do të mbulonin gjithë shtëpinë. “Mallkuar qofshin ata që të vranë!”- ishin zërat në kor të grave. Ndërsa në dhomën e të vdekurit hynin gra të tjera, ato që gjendeshin pranë arkivolit jepnin sërish lajmin me qarje dhe lot: “Na e vranë Shefqet Efendinë o-i-i-iii…”. Vetëm burrat rrinin të heshtur dhe prisnin mysafirët për ngushëllim. Të ardhurit, pasi dridhin një cigare pyesnin: “Po si ndodhi? Atëherë vëllai i Shefqetit, Neim Tuxhari, niste të shpjegonte vetëm atë që kishte parë me sytë e tij. Tregonte se si e kishin gjetur poshtë në bodrum, ndërsa një thikë e gjakosur kishte qenë pranë trupit të tij. Vetëm kaq tregonte ai, ndërsa shtonte: “na iku pa e kuptuar as vetë”. Këtë shpjegim e jepte herë pas herë, sepse herë pas herë vinin mysafirë të tjerë, të cilët bënin të njëjtën pyetje: “Po si ndodhi”? pastaj si dëgjonin me pak fjalë historinë shtonin: “Po përse duhej ta vriste veten”?! Neim Tuxhari, vëllai i të vrarit dukej sikur belbëzonte, “po… ja… si të them unë… nuk e di… ndoshta…. por atë “ndoshta” nuk e thoshte dot askush

Ankthi i Shefqet Tuxharit

Po, Shefqet Tuxhari ishte gjetur i vetëvrarë poshtë te bodrumet. Pikërisht në këtë kohë qeveria kishte nisur t’u kërkonte tregtarëve më shumë nga sa kishin në të vërtetë. Ose do të jepje atë çfarë të kërkonin, ose dera e burgut ishte e hapur. Shefqeti nuk kishte zgjedhur as të parën dhe as të dytën, kishte vrarë veten duke prerë damarët e duarve. Ai kishte qenë një nga tregtarët më të mëdhenjë të Korçës. Të gjithë Tuxharët ishin tregtarë. Gjithë mallrat e tyre i sillnin nga Turqia, por edhe nga shtetet fqinj. Gjithsesi, Turqia mbetej një nga tregjet e tyre të preferuara. Edhe sot e kësaj dite Tuxharët kanë lidhje miqësore me Stambollin. Fillimisht Tuxharët kishin paguar gjithçka kishin, por njerëzit e qeverisë vazhdoin të kërkonin të pamundurën. Nëse nuk do të paguhej ajo që kërkohej, kërcënohej me burgosje. Miqtë më të mirë të Tuxharëve ishin edhe Merdanët, ata kishin patur krushqi të herë pashershme mes tyre. Nëna ime, tregon Maksim Tuxhari, Nadireja, ishte motra e Fuat Merdanit, ndërsa Verore Tuxhari, motra e babait, ishte martuar me Reshat Merdanin, i cili ishte një nga tregtarët e mëdhenj të Korçës. Kur Shefqet Tuxharit, por edhe njerëzve të tjerë të fisit, nuk u kishte mbetur asgjë tjetër për të dhënë, shkoi në familjen e Merdanëve për të marrë një mendim se si do të dilej nga kjo situatë, por edhe atje kishte gjetur një gjendje të trishtuar.

Kërcënimi

Nëse nuk do të shlyenin tatimet atëherë Shefqetit i kërkohej të linte shtëpinë dhe të strehohej diku tjetër, që kjo tjetër nuk do të ishte as më pak as më shumë veçse një bodrum. Madje mund të rrinte edhe në bodrumin e shtëpive të tij, ndërsa sipër do të rrinin ata që kishin luftuar për të sjellë komunizmin. Ky kishte qenë një nga paralajmërimet e qeverisë drejtuar Shefqetit dhe njerëzve të fisit. E kishin thirruar disa herë në degën e punëve të brendshme për ta paralajmëruar se cili do të ishte fundi i tij në rast se nuk shlyente detyrimet. Mbi të gjitha kërkonin floririn e fshehur. Përderisa flitej që Merdanët kishin patur sasi të mëdha floriri, përse të mos kishin edhe Tuxharët. Njerëzit e qeverisë i kërkonin të jepte edhe qindarkën e fundit. “Vendi yt është burgu”, kishte qenë shprehja e fundit e tyre.

Revolta

Shefqet Tuxhari i gjendur përpara një absurdi të tillë, ishte revoltuar. Në gjaknxehtësi e sipër kishte ngritur zërin edhe më shumë se ata. U kishte kujtuar se Abedin Seit Tuxharin. I kishte pyetur nëse e kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e tij ose jo, nëse kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Sali Butkës, Doktor Haki Mborjes, Stavri Karolit, Cerçiz bej Zavalanit etj. “Që të gjithë ishin miqtë tanë, u kishte thënë Shefqet Tuxhari, por ju nuk e njihni historinë”.

Tuxharët kanë lindur në Korçë dhe e duan Korçën, kishte ngritur zërin ai. Por ndoshta më duhet t’u pyes: ku ishit atëherë ju zotërinj?! Gjyshi im, Abedin Sehit Tuxhari shkonte sa në Stamboll në Bukuresht, sa në Manastir dhe në Sofje që ju të mësonit gjuhën shqipe. Seit Abdin Tuxhari ishte në krye të mitingut për alfabetin e gjuhës shqipe më 14 shkurt të vitit 1910. Punoi gjithë jetën e tij për të hapur shkolla shqipe Dhe e dini kush ishte bashkë me Abedin Efendi Tuxharin? Po ja u them unë: ishte Çerçiz bej Zavalani, Haki Hysen Floqi, Stavre Karoli, Qazim Dërsniku, Sulejman Mborja. Bashkë me ta hartoi alfabetin e shqipes dhe në këtë alfabet do të gjeni edhe firmën e gjyshit tim.
Në shtëpinë tonë mblidheshin njerëz të tillë si Liri Leskoviku, Stavri Karoli, Vaskë Gorguzi, Qani Dishnica, Llazo Progri, Mendu Zavalani, Spiro Zega, Sotir Peci, Nepsi Kernxhi, Feihm Xhaferaj etj. Ju ndoshta sot i dëgjoni për herë të parë këta emra.
Por nuk ka luftuar vetëm për shkronjat e shqipes, ka luftuar edhe me armë në dorë kundër ushtrive greke dhe xhonturqëve. Ju nuk e dini, por ai ka qënë edhe në Komisinin Qeveritar për Mbrojtjen e Korçës. Në këtë komision merrnin pjesë Emin Efendi, Ahmet Efendi, Shaqir Efendi, Rakip Efendi, Abendi Efendi Mborja, Miçi Çikizi, Andrea Turtulli dhe Xhafer bej Luarasi, ku ishte dhe gjyshi im, por ata ishin efendilerë ama, ishin efendilerë. Fjala “efendilerë” kishte përmbushur gjithë revoltën e tij.
Kishte thënë gjithçka kishte dashur, por kishte thënë atë që kishte qenë e ndaluar. Ai donte të thoshte se ishin tregtarët ata që ndihmuan me paratë e tyre për shtypjen e librave shqip dhe hapjen e shkollave, por nuk e kishin lënë të fliste më shumë.
Pas kësaj e kishin radhën ata t’i tregonin se kush ishin.
Pala tjetër kishte mbetur e irrituar edhe më shumë kur kishte dëgjuar emra efendilerësh dhe pasanikësh. Për ta shqipëria ishte vetëm e atyre që kishin qenë të varfër. Tregtarët e kishin vendin vetëm në burg.
“Do ta shohim punën tënde!”. Me këto fjalë e kishin lënë Shfqet tuxharin të largohej për në shtëpinë e tij. “Nëse do të më burgosni, ua kishte kthyer ai, ejani dhe merrni edhe dy vulat që ka lënë gjyshi im, ku thuhet “Rroftë Shqipëra!”

Vdekja e Tuxharit

Gjendja e fisit Tuxhari u rëndua edhe më shumë. Duket se e kishte tepëruar me patriotizmin. Patriotë tashmë ishin vetëm ata… Pas asaj që kishte ndodhur në familjen e tuxharëve gjëndja ishte e nderë. Nuk voni dhe në derën e Tuxharëvë u dëgjuan të trokitura. Kërkonin Shefqet Tuxharin. Thirrja e tij në degën e punëve të brendshme po përsëritej gjithnjë e më shpesh. Së fundi, Shefqeti solli një lajm të keq: “Do të na nxjerrin nga shtëpia”, tha ai. Lajmi që solli Shefqeti kishte qenë i vërtetë. Njerëz të qeverisë trokitën tek porta dhe na lajmëruan për daljen nga shtëpia. Na lanë vetëm një afat të shkurtër kohe, aq sa për të përgatitur plçkat. Atë ditë Shefqet Tuxhari ra në një gjendje të dëshpëruar. Nuk dha shpjegime. Qëndronte i heshtur, dukej vazhdimisht i menduar. Në të vërtetë të gjithë Txharët ishin të dëshpëruar. Pikërisht në këtë kohë ai kishte zbritur në bodrumet e shtëpisë. Nuk e kishte parë askush kur kishte shkuar atje, vetëm kur njerëzit e shtëpisë kishin zbritur rastësisht në bodrum, kishin parë të shtrirë nË mes të bodrumit, të mbuluar nga gjaku trupin e Shefqet Efendiut. Pranë tij ishte një thikë e gjakosur.
Ai kishte vrarë veten. Kështu kishte thënë edhe doktori që e kishte vizituar i fundit, por gjithë Tuxharët kishin një mendim tjetër, atë e kishin vararë sepse kishte dalë në mbrojte të efendilerëve dhe të tregtarve të Korçës.
Por edhe pse Shefqeti u nda nga jeta në mënyrën me tragjike, të nesërmen urdhëri për daljen nga shtëpia u vu në zbatim. Tuxharët ndërsa çonin arkivolin në varreza, kuptonin se diçka e keqe kishte filluar për jetën e tyre. Pas kësaj ngjarjeje për 10 vjet me radhë do të endeshim nga një bodrum tek tjetri, ndërsa do të beteshim krejtësisht të braktisur. Që nga dita e vdekjes se Shefqet Tuxharit kanë kaluar shumë vite, por në kujtesën e tonë ka mbetur si një ngjarje që nuk harrohet.

Martesa e Maksim Tuxharit

Ishte viti 1961. Që nga vdekja e Shefqet Tuxharit në vitin 1948 kishin kaluar 13 vjet, por ne ende kujtoheshim si pinjollë të borgjezëve. Na e kujtonin shpesh që ishim sekuestruar, që kishim patur flori, që na kishin nxjerrë nga shtëpia, madje nuk linin pa sjellë ndërmend as vdekjen e Shefqet Tuxharit. Mbi ne rëndonte një hije e zezë. Nuk bëhej fjalë për studime të larta. Fal aftësive të mia arrita të bëhesha futbollist i ekipt “Skënderbeu”. Pikërisht në këtë kohë u dashurova me Zhaneta Bibollin, ishte mësuese, por kishte përfunduar edhe Universitetin e Tiranës. Gjithë frika ime kishte të bënte më faktin nëse do të pranonte familja e saj martesën me një nga pasardhësit e Tuxharëve apo do ta refuzonte krejtësisht. Të them të drejtën nga që isha i dashuruar, prisja në ankth. Zhaneta kishte vendosur t’u tregonte prindërve dhe një mbremja ua kishte thënë të gjitha.
“Je dashuruar me një djalë nga fisi i Tuxharëve”? e kishte pyetur gjyshi i saj, Zhanetën. “Po”, i kishte tëhënë ajo. Gjyshi i Zhantetës kishte treguar gjithë historinë e familjes tonë. Pasataj i kishte thënë: “Dëgjo bijë, ata kanë qenë njerëz të nderuar. Regjimi u soll shumë keq me ta, por ata përsëri janë fis i nderuar”, kishte thënë ai.

Ky kishte qënë lajmi më i mirë i jetës time, jo vetëm që isha i dashuruar, por pas 13 vitesh, unë dëgjoja për herë të parë që të flitej mirë për Tuxharët. Pavarësisht se si sillej regjimi, njerëzit paskëshin pasur gjithnjë vlerësin e tyre për gjithçka kishte ndodhur. Të jepnin atë që meritoje. Ndoshta kështu ndodh gjithnjë. Gjithkush, shpejt apo vonë, merr atë që meriton, përfundon tregimin e tij Maksim Tuxhari, biri i Aliqemalit, stërnip i Abedin Seit Tuxharit

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...