Home / BOTIME / Familja Ballauri si lindën dhe vdiqën njerëzit e saj
loading...

Familja Ballauri si lindën dhe vdiqën njerëzit e saj

Familja Ballauri si lindën dhe vdiqën njerëzit e saj

Origjina e fisit Ballauri është Voskopoja. Ata u shpërngulen prej saj kur ky qytet mesjetar isht e djegur disa herë me rrdhë. Sa herë digjej Voskopoja digjej edhe shtëpia e ballaurëve, ashtu siç digjeshin edhe shtëpitë e tjera të voskopojarëve, dyqanet dhe kishat. Por pas çdo djegie ballaurët ndërtonin sërish një shtëpi tjetër, ashtu siç kishte qënë e para, e lënë nga stërgjyshërit. Edhe shtëpia e fundit e tyre mbahet mend si një nga ndërtesat më të bukura të Voskopojës. Ballaurët ishin të pasur, por edhe të dashuruar me Voskopojën.

Po kaq të dashuruar ishin edhe me librat. Kur Voskopoja po përjetonte një nga djegiet më të mëdha dhe kur mbi truallin e saj kishte mbetur më shumë hi dhe gërmadha, se sa banesa të mbetura më këmbë, voskopojarët u shpërngulën pothuajse në gjithë qytetet e vendit, në Berat, Durrës, Elbasn Shkodër, Shkup, por një pjesë e tyre u vendosën në Korçë. Shumë të tjerë emigruan në vendet fqinj dhe në viset më të largëta të botës, aq sa tashmë të duket se kudoqë të shkosh do të takosh voskopojarë.

Të njëjtin fat pati edhe fisi i ballaurëve, ku një pjesë e tyre u sistemua në qytetin e Korçës, ndërsa të tjerë në vende të huaja. Ata që ikën larg patën fat. Emri i tyre ose gjendet i shkruar nëpër enciklopedi ose shumë rrugë dhe sheshe të qyteteve evropianë mbajnë emrat e tyre, ndërsa ata që mbetën këtu, patën një fat të zi që i ndoqi hap pas hapi për 50 vjet me radhë, njësoj siç të ngjitet sëmundja e morrit të kuq dhe nuk të shqitet deri në vdekje.
Një histori të tillë tregon Aleko Ballauri, e cila i ka mbetur në kujtesë që nga fëmjëria, por që do t’i mbetet e pashlyeshme nga kujtesa përgjatë gjithë jetës. Edhe sot e kësaj dite ballaurët nuk janë në gjendje të shpjegojnë përse regjimi i Hoxhës i kishte patur kaq frikë ballaurët. Ndoshta nga që ishin njerëz të librave. Por për të kuptuar të vërtetën e këtij fisi të madh e të shkolluar na vjen në ndihmë jeta e ballaurëve, ashtu sic e kanë përjetuar ata gjatë regjimit komunist

Babai

Babai, Vasil Ballauri, u shtri një ditë të papritur në shtrat për të lënguar për 10 vjet me rradhë deri sa në vitin 1962 do të ndahej përgjithmon nga jeta. Unë atëherë isha i vogël, tregon Aleko Ballauri dhe nuk e dija nga se vuante babai, por ajo që kisha më shumë frikë nga të gjitha ishte sëmundja e morrit të kuq. Unë e kisha shumë frikë morrin e kuq, vijon të tregojë Aleko Ballauri. Shprehjen, “morri i kuq”e kisha dëgjuar shumë shpejt në fëmijërinë time. Në familjen tonë, thoshin se morri i kuq është sëmundje e rrezikshme, madje shtonin se dy ballaurë kishin vdekur për shkak të kësaj sëmundjeje. “Ilian dhe Gaqo Ballaurin, thoshte nëna, i hëngri morri i kuq”. Ngaqë kjo fjalë ishte përmendur shumë shpesh në familjen tonë, unë kisha krijuar përfytyrimin tim për këtë sëmundje. Më dukej sikur morri i kuq ishte një krijesë e çuditshme, e shëmtuar që më shumë se trupin kishte dhëmbë të mëdhenjë dhe një helm që nuk kishte të mbaruar. Kjo krijesë u afrohej njerëzve ngadalë dhe derdhte helm në shpirtrat e njerëzve, më qëllim që ata të kishin një vdekje të llahatarshme, të papërballueshme nga dhimbjet. Sëmundja e babait tim sa vinte dhe rëndohej gjithnjë e më shumë. Ai pati një hemoragji cerebrale, (sigurisht nuk vuante nga morri i kuq), pastaj pësoi paraliza të njëpasnjëshme në këmbë, në dorë, në gojë, në fytyrë. Babai im po shpërfytyrohej i gjithi. Ndërsa e shihja në këtë gjendje, gjithnjë mendja më shkonte të morri i kuq. Unë i lutesha zotit që vetëm nga morri i kuq të mos ishte i sëmurë, sepse e dija që kjo ishte një sëmundje e llahtarshme

Dy ballaurë vdesin nga morri i kuq

Morri i kuq po më kthehej në fiksim. Doja të dija si kishin vdekur dy ballaurët që më kishte treguar në familje. Një ditë pyeta për të mësuar se kush nga ballaurët kishte vdekur nga kjo lloj sëmundjeje dhe si kishin qënë vuajtejet e tyre. Mësova se në vitin 1945 nga sëmundja e morrit të kuq kishte vdekur Gaqo dhe Ilia Ballauri, që të dy njerëz të afërt të babait. Kishte qënë një histori tepër e dhimbshme. Të dy ballaurët kishin vdekur të përbuzur, të zhgënjyer, të dëshpëruar dhe të braktisur nga të gjithë. Kur mora vesh se që të dy ballaurët, si Ilia ashtu dhe Gaqua kishin qënë mjekë, u tmerrova edhe më shumë. Edhe pse mjekë nuk i kishin bërë dot ballë morrit të kuq. Bashkë me dy ballaurët kishin vdekur edhe të tjerë. Që të gjithë i kishte ngrënë morri i kuq. Ndërsa pyesja për vdekjen e tyre, mësova se dy ballaurët kishin qënë mjekë radiologë me aftësi të rralla. Ilia kishte studiuar në Athinë, kurse Gaqoja në Davas të Zvicrës. As ata të dy nuk kishin qëndruar dot larg Korçës dhe vendit të tyre. Ashtu si im at, ishin kthyer në Shqipëri, por asnjëhre nuk e kishin menduar se aty në qytetin e Korçës i priste një fat i zi, i ngjashëm me atë të morrit të kuq. Sot në Historinë e Mjekësisë Shqiptare përmenden si themelues të radiologjisë në vendin tonë. Siç e thash në fillim, vdekja e tyre kishte qënë tepër e dhimbshme. Gjithçka kishte ndodhur në vitin 1945, kur një batalion partizan kishte i mbetur i izoluar në malësitë e Gorë-Oparit. Kishte qënë dimër dhe bënte ftohët. Dëbora kishte shkuar mbi dy metra. Në rradhët e batalionit kishte rënë morri i kuq. Njerëzit po vdisnin me rradhë njëri pas tjetrit. Askush prej tyre nuk do të mbetej i gjallë. Ishte e pamundur që kjo gjendje të përballohej pa ndihmën e mjekëve të tjerë. Lajmi kishte pushtuar gjithë Korçën: “mori i kuq po hante përditë njerëz”. Për të dalë nga situata, Mehmet Shehu u bërri thirrje mjekëve të Korçës për të dhënë ndihmën e tyre. Në të vërtetë askush nuk lëvizi nga vendi. Morri i kuq ishte një sëmundje e rrzikshme, të çonte drejt e Shën Triadë. Askush nuk donte të sakrifikonte me jetën e tij. Të vetmit që u treguan të gatshëm ishin Ilia dhe Gaqo Ballauri. Duke qënë mjekë e kishin të vështirë t’i shmangeshin kësaj thirrjeje. U përpoqën të kuronin çdo të sëmurë nga morri i kuq, por gjatë përpjekjeve të dy ballaurët u infektuan nga kjo sëmundje e keqe. Arritën të shpëtonin shumë jetë njerëzish, por së fundi vdiqën edhe vetë nga morri kuq. Jo vetëm fisi i Ballaurëve, por edhe shumë qytetarë të Korçës pritën që ata të shpalleshin heronj, por asgjë e tillë nuk ndodhi. Regjimi qëndroi në heshtje njësoj sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Për fat të keq, familjet e dy mjekve jo vetëm që nuk patën përkrahje, por në të njëjtën kohë u përndoqën për 50 vjet me radhë si familje borgjeze. Të mendoje për heronj kjo kishte qënë e pamundur. Për shumë kohë, ndërsa përmendej vdekja e tyre, mua më fanitej morri i kuq duke derdhur helm në shpirtrat e njerëzve

Borgjezët e Korçës

Babai vazhdonte lëngonte në shtratin e tij. Kishte filluar të ndihej i braktisur nga të gjithë. Kishte një vështrim të dëshpëruar që nuk i hiqej për asnjë çast nga sytë. Dëshpërimi i përhershëm kishte mbërthyer edhe tonin e zërit të tij. Në të vërtetë kështu ishin braktisur edhe dy mjekët, Ilia dhe Gaqoja, për të cilët thuhej shpësh se edhe ata kishin patur një të kaluar jo të mirë. Mjekët që vdiqën nga morri i kuq, kishin patur faj që kishin studiuar jashtë shtetit dhe që gjatë gjithë kohës kishin patur pasuri dhe shtëpi të mira në Voskopjë, por edhe në Korçë. Me sa duket edhe mbi babain tonë rëndonte i njëjti faj. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte shërbyer si përkthyes i gjeneralit frances, De Kuen. Më pas kishte qenë konsull në Madagaskar, Seuez dhe në Vietnam. Në të njëjtën kohë familja jonë kishte patur pasuri dhe banesa të kohës. Për këtë arsye, kur regjimi i Hoxhës erdhi në pushtet, së pari na mori shtëpinë duke na lënë në mes të katër rrugëve. Për 10 vjet me rradhë, ashtu si shumë të tjerë të cilësuar si borgjezët e Korçës, jetuam nëpër bodrume dhe kasolle. Ndërsa im at lëngonte prej 10 vjetësh i duhej të përballonte gjithçka ndodhte me Korçën dhe njerëzit e tij. Ai pa me sytë e tij se si shkatërohej gjithçka që mezi ishte krijuar. Pa burgosjet, internimet, torturat, spiunimet, vrasjen për një copë bukë, bastisjet e plaçkitjet, djegiet e fyerjet, ofendimet, shpronësimet e rrëmbimet. Të gjitha këto si një uragan i zi me gojë të kuqe rrëmbenin gjithçka që gjenin përpara. Çizmet e spaletat me yje vringëllinin nëpër rrugët e shqyenin porta në mesnatë dhe në agim. Shkuleshin burrat prej krevatëve e ngjisheshin nëpër biruca e këneta, torturoheshin për t’u rrëmbyer dijet, kulturën pasurinë, jetën. Të gjitha këto e trishtonin edhe më shumë tim at. Dëshpërimi i tij ishte kaq i dukshëm sa të dukej sikur kishte diçaka për të na thënë, por që nuk arrinte të na i thoshte, sepse ne ishim të vegjël dhe ndoshta do të kishim të vështirë për ta kuptuar.

Koço Ballauri themelues i mikrokirurgjisë në Amerikë

Dëshpërimi i babait dhe i yni u kthye në një brengë të madhe, kur babai u paralizua dhe nuk kishte mundësi të fliste më. Ai kishte diçka për të na thënë, ndërsa ne që kishim shpresuar se një ditë do të na i thoshte e kishim humbur tashmë këtë mundësi. Ndoshta për këtë arsye babai mori një pamje edhe më të dëshpëruar. Por kur sëmundja nuk e kishte vënë akoma poshtë na tregonte se gjatë periudhës së emigrimit, nje tjetër ballaur nga fisi ynë kishtë përfunduar në Amerikë Atë e quanin Koço Ballauri. Kshte studjuar për mjeksi. Në Amerkë ishte bërë mjaft i dëgjuar veçanërisht në fushën e mikrokirurgjisë. Ndërsa dëgjoja tregimin e babait tim, nuk di pse besoja që ky njeri i fisit tonë mund të ishte i zoti të zhdukte nga faqja e dheut sëmundjen e morrit të kuq. Në të njëjtën kohë besoja se vetëm ai mund ta shëronte babain tonë. Dy mjekët që kishim patur nga fisi ynë kishin vdekur nga morri i kuq, ndërsa Koço Ballauri kishte përfunduar në Amerikë. Kjo ishte një fatkeqësi e jona që në fisin tonë nuk kishte mbetur asnjë mjek. Askush nuk vinte për të vizituar babain. “Po Koço Balauri, a mund të vijë ndonjëherë në Korçë”, pyeta tim at. Nëse Koço Ballauri do të vinte në Korçë, unë isha i sigurtë se ai do të kuronte babain tonë dhe nuk do ta linte të vdiste. Por babai pyetjes time iu përgjigj: “Ai është shumë larg bir, ndoshta do t’i duhet shumë kohë që të vijë këtu”. Kur dëgjova këto fjalë nuk e di pse më erdhi keq. Gjendja e babait po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ndërsa askush nuk i qëndronte pranë përveç familjes. Vonë kur i rrita, tregon Aleko Ballauri, dëgjova se Koça Ballauri vazhdon të mbetet një një nga themeluesit e mikrokirurgjisë në SHBA. Ai kishte qënë i pari në SHBA që realizoi transplantin e gishtit. Më 1991 “Zëri i Amerikës” për këtë arritje shumë të madhe në mjekësi, dha disa emisione. Megjithatë nëse do të kishte qëndruar në Korçë ndoshta do të kishte patur të njëjtëin fat me ballaurët e tjerë

Xhankarlo Ballauri fizikant i njohur në Itali

Fatmirësisht babai na kishte treguar shumë edhe pse i tregonte me një zë që përcillte dhimbje dhe dëshpërim të vazhdueshëm. Na kishte treguar se një nga njerëzit e fisit tonë, Xhankarlo Balluri ishte bërë mjaft i njohur në Itali. Ai ishte djalë i Irakli i Ballaurit, gjyshi i të cilit, si shumë ballaurë të tjerë kishte ardhur në Korçë nga Voskopoja. Më pas emigruan në drejtim të Italisë. Atje Xhankarlo Ballauri u bë një nga fizikantët më të njohur të fushës së elektronikës. Zbuloi një ekuacion për llampat elektronike që njihet ekuacioni Ballauri (Vallauri) Që nga viti 1929 ishte akademik në Akademinë e Shkencave të Iltalisë. Në kohën kur fizikanti i madh Markoni ishte President i Akademisë, profesor Ballauri ishte nënpresident i Akademisë. Sot në Itali ka disa rrugë dhe sheshe që mbajnë emrin e Xhankarlo Ballaurit. Megjithatë unë lutesha çdo ditë që Ballaurët e mbetur jashtë vendit të mos ktheheshin në Shqipëri, sepse nuk doja që njerëzit e babait të kishin një vdekje të dëshpërueshme për shkak të morrit të kuq. Që kur kisha dëgjuar për vdekjen e dy mjekëve, sëmundja e morrit të kuq nuk më shqitej nga kujtesa Edhe Babai mund të kishte qëndruar shumë mirë në vende të huaja ku kishte punuar, ashtu siç mund të kishte qëndruar në Hungari, Iltali, Austri, Slloveni, Greqi, Rumani por edhe në Amerikë. Kishte qënë njëri me kulturë të gjerë. Ai kishte mbaruar gjimnazin grek “Zosimea”, institutin frances Misione Laqiue, zotëronte një sërë gjuhësh, si italisht, frëngjisht, turqishten e vjetër dhe të re, greqishten e vjetër dhe të re, si dhe latinisht, por në të njëjtën kohë ishte i aftë të komunikonte edhe në bullgarisht dhe rumanisht. Babai njihte me thellësi muzikën, teorinë e saj, komozitorët e mëdhenj, luante në piano, violinë, mandolinë, kitarë, violinçel, kontrabas etj. Kompozonte mjaft bukur. Kishte qënë një nga nismëtarët për themelimin e korrit patrotik “Lira”. Ai e donte Korçën dhe ishte kthyer në Korçë, ashtu siç kishin bërë dy mjekët Ilia dhe Gaqo Ballauri, ku njëri kishte lënë Athinën ndërsa tjetri kishte braktisur Zvicrën për të ardhur në Korçë. Por pavarësisht nga kjo, e kaluara e babit tonë konsiderohej e zezë, sterë e zezë. Po kaq të zinjë ishim edhe ne, pinjollët e tij. Biografinë tonë nuk e shpëtonte dot askush.

Ilia Ballauri ministër arsimi në Rumani

Në shtëpinë tonë vazhdon të tregojë Aleko Ballauri nuk vinte askush. Dhoma ku jetonim ishte e braktisur nga të gjitha orenditë, sepse gjithçka kishim patur na i kishin marrë. Na kishin mbetur vetëm librat. Nuk e kuptoja përse nuk kishin arritur të na grabitnin edhe librat. Ndoshta nuk u duheshin. Ndoshta babai i kishte ruajtur me shumë kujdes. Nuk mund të them se si kishte ndodhur, por e vërteta ishte se librat nuk i kishin prekur me dorë. Gjithsesi unë ndihesha i kënaqur që na kishte ngelur diçka si trashëgim nga babai. Të vetmit miq që kishim në shtëpinë tonë ishin, Platoni Turqiditi, Dhemostenin, Aristoteli që fliste me greqishten e vjetër, kurse Ciceroni dhe Çezari që flisnin në latinisht, ndërsa Ëagnerin e Çajkovskin i kishim në tekste gjermanisht. Babai na tregonte se Ballaurët kishin qënë të dashurura pas librave dhe arsimit. Pas kësaj na tregonte për një tjetër Ilia nga fisi ynë. Ilia Ballauri, tregonte babai, ka lindur në vitin 1867 dhe u nda nga jeta në vitin 1936. Jetoi 69 vjet, por la pas një vepër të mirë. Ai së bashku me familjen ashtu si shumë voskopojarë të tjerë, emigruan në vende të ndryshme të botës, por Ilia Ballauri dhe familja e tij u ndalën në Rumani. Pas Luftës së Parë Botërore, Ilia Ballauri u bë ministri i Arsimit. Ai vlerësohet si një nga më të suksesshmit në Rumani. Sot në Bukuresht një nga rrugët kryesore mban emrin e tij, tregonte babai. Gjithsesi edhe përballë këtij realiteti ne mbeteshim me një të kaluar të zezë. Ndoshta dëshpërimi i babait bëhej edhe më i madh nga që e dinte se edhe pasardhësit e tij nuk do ta kishtin të lehtë jetën. Megjithatë edhe pse nuk e linte sëmundja të fliste arrinte në na thoshte se ne do të arrinim të shikonim një të ardhme tjetër…

Gjergji Ballauri, profesor i Akademisë në Voskopojë

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga vdekja e babait. Mendoj se ai u nda nga jeta shumë i dëshpëruar. Këtë gjendje kërkonte ta largonte duke përmendur emra ballaurësh që kishin bërë emër kudo që kishin shkuar, por edhe duke treguar për origjinën tonë. Ballaurët, tregonte ai, e kanë zanafillën nga qyteti mesjetar dhe shumë i kulturuar i Voskopojës. Gjurmët e tyre në këtë qytet janë nga më të hershmet. Banesa e parë e ballaurëve, ndodhej në qendër të Voskopojës, afër kishës së vjetër të Shën Konstandinit, pranë shtëpisë së familjes shumë të njohur të Kukuzelëve, por kjo shtëpi u dogj më 1769 në djegien e parë të kobshme të Voskopojës. Për këtë arsye, rrëfente babai, ballaurët ndërtuan një banesë tjetër. Dokumentet e kohës tregojnë se shtëpia e ballaurëve ishte e stilit të Evropës Qendrore, e gjerë dhe me plot ajër dhe dritë, me shumë ambiente, me kopësht plot pemë, mollë, ftonj e pemë të tjera. por edhe kjo shtëpi u dogj. Ballaurët ndërtuan një shtëpi të tretë po kaq të madhe dhe të bukur, pa mendur se zjarri do ta digjte sërish, por Voskopja do të pësonte djegie të njëpasnjëshme. Për këtë arsye nga mezi i shkullit të XVII nisi emigrimi i pjestarëve të kësaj familjeje në qytetin e Korçës dhe në botë. Ballaurët u shpërngulën në Hungari, Iltali, Austri, Slloveni, Greqi, Rumani dhe Amerikë. Pikërisht në këtë kohë voskopojarët u detyruan të braktisnin edhe Akademinë, e cila ishte kthyer në rënojë. Këtë histori babai e rrëfente me dhimbje dhe pasi qëndronte një çast, na tregonte për një nga njerëzit e dëgjuar të fisit tonë, Gjergji Ballaurin. Sipas leksikografit Danil, Gjergji Ballauri kishte qënë një personalitetet më të spikatura të kohës, njeri me kulturë shumë të gjerë dhe një nga profesorët më të njohur të Akademisë në Voskopojë. Të tilla histori përpiqej të tregonte deri në momentin që u paralizua. Pas kësaj ai ra në heshtje të plotë. Brenga e mos fljes nisi ta brente edhe më shumë, dersa një ditë të vitit 1962 mbylli sytë përgjithnjë.

Vdekja e babait

Babai vdiq. Po ai duhet të ketë vdekur shumë i dëshpëruar. Ne ishim të vegjël dhe nuk arrinim të kuptonim çka donte të na thoshte, por para se të vdiste na tregoi tre stilografë prej floriri. Vetëm ai e di se si kishte mundur të shpëtonte nga garabitja ata tre stilografë prej floriri. Kur të mos jem më tha babai secili nga ju (ne ishim tre vëllezër) do të marrë një stilograf. Ndoshta ato që nuk kishte thënë dot ai, ndoshta ato që ne nuk kishim arritur të kuptonim ne do të na duhej t’i hidhnim në letër, kështu e mbyl tregimin e tij Aleko Ballauri, i cili tashmë është botues i shumë librave me poezi, ku pjesa më e madhe e tyre përfshihet nga poezitë e përkthyera nga poetë të mëdhenj të botës si Edgar Alla Poe, H. Longfellou, lirikët e medhenj rusë si, Pushkin Lermontov,Tjutçev, Esenin, Bunin etj.

Nuk ka mbetur pas në krijimtari as vëllai i tij Ila Ballauri, ka botar disa libra mbi gjenetikën ku është specialist i njohur, por në të njëjtën kohë njihet edhe si historian i mirë i Voskopojës, i këtij qyteti të dikurshëm mesjetar ku kishte lindur babai i tij Vasil Ballauri por që do të vdiste i dëshpëruar për shkak të nje rregjimi që ngjante me sëmundjen e morrit të kuq

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...