Home / POEZI / Fabula nga Skender Demolli
loading...

Fabula nga Skender Demolli

Fabula nga Skender Demolli

KORBI E DHELPRA

Korbi me djathë në gojë
Të këndojë , mos këndojë …
Dhelpra e kësaj historie ,
Eshtë k r y e t a r e j u r i e .

VIÇI DHE KERMILLI

Në një livadh,
Bleruar nga trifili,
na u takuan viçi dhe kërmilli.
– Shiko, shiko , – tha viçi, –
kush paska brirë!…
Shiko, shiko,
Do të më ftojë dhe në dyluftim!
– Nuk janë brirë,
o viç, i pa lëpirë,
po janë antena
që flas me Zotin tim!

HENA DHE FUKARAI

Zoti e preu Hënën,
si çyrek para Krishtit
Në tre pjesë të barabarta,
Ashtu si ç’do Vit të Ri:
– Një pjesë për fukaranë,
Një unë për vete,
Një , o Bir edhe ti.
Dhe zbriti Krishti në Tokë.
Dhe ndau çyrekun si babai,
Në tre copë …
Po Hëna është memece
E nuk mundet të flasë …
Kush vallë,
Ia rrëmben copën fukarasë?

GOMARI DHE MIZAT

– Më lidhni në bisht një tullë , –
tha gomari. – T’u jap
mizave një shpullë!…
E në vend të vriste
Ndonjë mizë ,
e bëri copë kokën dhe kurrizë.
Eh!…
Mbetëm tërë jetën gomerë…
Me veten tonë e vemë gjithmonë ,
Sa herë matemi me të tjerë.

QYTETAR BOTE

Tek derdhej njëherë një lumë,A
Një lumë i ngushtë e i rrëmbyer,
I thosh detit në deltën me shkumë,
Zilinë pa fshehur, i zhgënjyer:
– Më thuaj ta di edhe unë i mjeri,
si ia del vallë,
të jesh kudo qytetar nderi?
E tërë bota mbarë,
Me të mirë e të liq
Të duan e të falen të tërë?!…
Tha deti vetëm një fjalë:
– Mjafton, o lumë, të jesh i gjërë.

Skënder Demolli

loading...

Komento!

loading...