Home / LAJME / PERSONALITETE / Elfrida Zefi “gruaja e hekurt e Korçës”
loading...

Elfrida Zefi “gruaja e hekurt e Korçës”

Elfrida Zefi “gruaja e hekurt e Korçës”

“Ajo është gruaja e hekurt e Korçës”, kështu kanë nisur ta quajnë prefekten e tyre, prof. dr. Elfrida Zefi, banorët e rajonit të Korçës. Këtë shprehje mund ta dëgjosh në Korçë, Pogradec, Devoll apo Kolonjë, madje të shprehur me mjaft kënaqësi. Ndoshta, po të ishte ndryshe, prefektja e këtij qarku do të ishte harruar në karrigen e saj. Megjithatë nuk jemi të sigurtë nëse vetë prof. dr Elfrida Zefi ka dijeni mbi atë se si kanë nisur ta quajnë banorët e rajonit të saj. Me ndjesinë se do të gjendeshim përballë një gruaje të ashpër, trokitëm, jo padroje, në zyrën e saj. Befas vumë re se një grua e re, mjaft tërheqëse, ngrihet nga tavolina dhe na pret me një ton mjaft të ngrohtë dhe miqësor, me një vështrim të kthjellët, nga ku mund të vije re se buronte mirësi dhe besim.
Edhe pse me tituj shkencorë mbi supe, ajo grua di të prezantojë atë çka është më njerëzore, por njëherazi edhe çka është dhe më e rëndësishme, larg akdemizmave që dëgjohen rëndom. Idetë e saj të befasojnë. Ajo flet për gjithçka të mirë që ka rajoni i Korçës, madje këtë e bën me një dashuri që do të thoshim se i ngjason të magjishmes.
Me të njëjtën mënyrë prezanton Korçën edhe përpara delegacioneve të ardhur nga vende të huja. Në ksi rastesh i pëlqen të shprehet me mjaft ngrohtësi:

“Dua të theksoj se ndodheni në një rajon që pa asnjë hezitim do ta quaja galeri vlerash…” “Ndodheni në Korçën e penës dhe të dijes…” “Ndodheni në një rajon që gjithmon ka ditur të krijojë marëdhënie mbi bazën e respektimit të interesvave reciproke me fokus progresin socialekonomik…” “Jeni në një rajon që di të krijojë marrëdhënie të qëndrueshme…”
Dhe ndërsa prezanton Korçën, me mjaft fisnikëri merr pozicionin e mikpritëses, që di të presë me dinjitet miqtë e saj të ardhur nga larg dhe që i bën të besojnë vërtet se ndodhen në një rajon që nuk kanë patur fatin t’u prezantohet kështu.
Por deri këtu ka vetëm dashuri njerëzore, larg asaj që mund të konsiderohet e ashpër. Gjithsesi shprehja “Ajo është gruaja e hekurt e Korçës” na nxiste pa rreshtur për të zbuluar se ku e kishte zanafillën “ky pagëzim” që banorët e thoshin kaq dendur, njësoj sikur të ishte emri i saj i vërtetë.

Karrierë dinjitoze

Ndërsa jemi në momentet e para të pritjes, vështrimi ynë mbetet mbi këtë grua e cila vërtet ka përshkuar me dinjitet rrugën e karrierës së saj. Ndoshta këtu nis dhe zanafilla e këtij vlerësimi prej vetë banorëve të rajonit, por që gjithsesi ne do të këmbëngulnim në zhbirimet tona, deri në zbulimin e këtij sekreti. Është hera e parë që nje prefekte fiton një popullaritet të tillë në një hark kohor kaq të shkurtër. Kësaj zonje, për të mbërritur tek titulli shkencor Profesor Doktor i është dashur një përpjekje studimore e jashtëzakonshme. Pasi diplomohet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, në tetor të vitit 1994, mbron në kërkim të gradës Doktor i Shkencave dizertacionin me temë: “Politikat e Stabilizimit Makroekonomik për vendet e Euorpës Lindore Qëndrore në Tranzicion, Rasti i Shqipërisë” dhe merr kështu gradën Doktore e Shkencave: Ekonomiks, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, por Elfrida Zefi nuk do të ndalej këtu. Në tetor të vitit 1999 fiton titullin akademik Prof.As.Dr., ndërsa në korrik të vitit 2004, vlerësohet nga Komisioni i Lartë i Kualifikimit Shkencor me titullin më të lartë akademik Profesor. Doktor. Në historinë prefektoriale të Korçës është hera e parë që në krye të këtij institucioni vjen një personalitet i përmasve të tilla. Megjithatë përpjekjet për të ecur përpara, duket qartë se nuk kanë të rreshtur nga ana e saj. “E rëndësishme, thotë ajo, është të fitosh mbi vetveten” dhe duket qartë se ia ka dalë mbanë kësaj filozofie.
Ndoshta këtu zë fill zanafilla e të qeniet e fortë, por nëse do të vazhdonim me hamendjet tona, duke bërë lidhje të gjithëfarsojshme, nuk do të arrinim gjë tjetër veçse do të mbeteshim në plane imagjinare, larg të vërtetave të shpirtit të kësaj gruaje, sa të fortë aq dhe të ndjeshme.

Ditët e mia janë të qytetarëve të mi

Meqenëse ishin banorët ata që e thërrisnin “Gruaja e hekurt” dhe këtu duhej të fshihej sekreti, e nisëm bisedën me prof.dr. Elfrida Zefi, me pyetjen se sa e lodhshme ishte për të, një ditë takimi me qytetarët që vijnë për të qarë hallet e tyre. Pas kësaj pyetje ajo hodhi vështrimin mbi ne dhe pyeti:
“E lodhshme?!”
Vështrimi pyetës që ende rrinte pezull mbi ne, dukej sikur thoshte :
“Ju vërtet doni ta formuloni pyetjen kështu?!”
S’kishim arsye pse të korregjonim pyetjen, në të vërtetë duhej të ishim ne ata që do të çudteshim, sepse një ditë takimi nuk mund të konsiderohet e lehtë. Megjithatë ishtë prefektja ajo që e kapërceu këtë situatë, krejt natyrshëm dhe nis të japë përgjigjen po me atë ton miqësor që na ishte prezantuar që në çastin e parë, pa ndryshuar asgjë nga vështrimi i saj i kthjellët nga ku buronte mirësi dhe besim:
Oh, thotë disi e menduar, Elfrida Zefi, po ajo nuk është një ditë vetëm për mua, është një ditë jete edhe për një banor që vjen nga Pogradeci, Korça, Kolonja apo Devolli, nga Opari, Gora, Mokra apo Leskoviku. Mendo një çast se sa e lodhshme do të ishte për një njeri që i është mohuar një e drejtë dhe që ka vendosur t’i drejtohet prefektes së tij, me shpresën se do ta zgjidhë hallin që ka, dhe ndërsa hyn në zyrë të gjejë një prefekte të lodhur që mundohet ta përcjellë me fjalët: “Do ta shohim”. Mendo se sa zhgënjyese do të ishte për të, po të gjente një prefekte që bën sikur e dëgjon, por që në të vërtetë përpiqet ta përcjellë sa më shpejt nga zyra. Ai që vjen këtu, vjen sepse shpreson tek shteti i tij. E ka menduar gjatë në shtëpinë e vet, dhe ka vendosur të marrë rugën, nga kudoqoftë, për të zbritur në Korçë, ndërsa familja pret që ai të kthehet me një lajm të mirë. Nëse një qytetari im ka të drejtë dhe unë nuk e dëgjoj, unë e kam vrarë atë, shpresën e tij, kam vrarë një nga ditët ku ai ka shpresuar. Kjo më bën të mos lodhem. Cilidoqoftë problemi i qytetarit tim, unë jam e vendosur ta ndjek deri në fund dhe kështu kam vepruar për çdo rast.
Dhe ndërsa flet për banorët e rajonit të saj, Prefektja nis e bëhet gjithnjë e më serioze, toni miqësor nuk humbet në timbrin e saj, por gjithsesi fillon të ndjesh se ke përpara një grua të fortë që nuk toleron kur bëhet fjalë për të drejtat e banorëve. Vështrimi i saj i kthjellët nis e tregon haptas besimin që buron nga gjithë qënia e saj. “Ajo është gruaja e hekurt e Korçës” është shprehja e vetme që na vjen ndërmend atë çast. Dhe me siguri kanë patur të drejtë ata që e kanë quajtur kështu.

E dashuruar me ligjin

A ju ka ndodhur të ktheni mbrapsht vendime të njësive të qeverisjes vendore, të cilat nuk kanë patur bazueshmëri ligjore dhe a jeni tunduar ndonjëherë nga ndërhyrjet dhe miqësitë, e pyesim sërish Elfrida Zefin, të cilën sa më shumë e njeh, aq më shumë të imponon respekt.
Sigurisht, vjen përgjigjja e saj, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë ai qytetari që vjen nga ana e anës, nuk kishte përse të vinte, sepse do të isha unë ajo që do t’i kisha mohuar një të drejtë. Ky do të ishte një rast flagrant i së keqes që na ka munduar prej vitesh. Një vendim i paligjshëm cënon të drejtat e një komuniteti të tërë. U ula në këtë karrige për të sjellë ndryshim dhe besim tek banorët e rajonit tim. Jam një grua e dashuruar me lgjin, e kam shumë frikë përgjumjen, sepse kërkoj me ngulm të jem roja e tij. Jo rrallë jam përballur me xhelozi, ambicie të sëmura, që e dëmtojnë të mirën, të drejtën, të vërtetën, por jam e sigurtë se sa më shumë rrit angazhimet e mia aq më shumë më duhet të jem e përgatitur përballë vështirësive të kësaj natyre, të cilat shkaktohen nga gjëra dytësore dhe mentalitete të veçanta, por jo nga realiteti, sado kompleks të jetë ky i fundit. Më duhet të mbështes fuqishëm ato politika që sjellin zhvillim.
Dhe për këtë gjë, ajo nist e flet me mjaft kompetencë. Sigurisht, nuk ka si të jetë ndryshe.. Zefi ka patur një kompletim të vazhdueshëm nëpërmjet programeve të Ekonomiksit të Tregut dhe Programeve ta Avancuara të Menazhimit, realizuar dhe mbështetur nga institucionet Akademike e Kërkimore dinjitoze në Shqipëri dhe jashtë vendit si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Universiteti Boçoni në Itali, Francë, Greqi etj. Është kjo arsyeja që përballë kësaj gruaje fillon dhe ndjen njeriun e pushtetshëm, por që nuk buron nga karrigia, por nga dijet dhe personaliteti i saj. Kemi nisur kështu të zbulojmë shprehjen “gruaja e hekurt e Korçës”

Librat, fundjava e prefektes

Nuk mund të them se kam një fundjave të vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Diçka e tillë nuk ekziston më. Por nuk mund të them se më vjen keq, sepse këtu qëndron edhe sfida, e cila të ofron shansin për të treguar se kush janë rezutatet e aftësisë dhe vlerave, të cilat nuk spikasin në periudha rehatie dhe qetësie. Shumë probleme pune vijojnë edhe ditën e shtunë, por edhe të dielën Jetoj me to, janë bërë pjesë e qenies time. Vetëm me profesionalizëm mund të zbulohen vlerat e vërteta, por ndodh që të ndeshemi dhe me antivlerat, zilitë, smirat, pabesitë, zhelozitë e sëmura, paaftësinë për të arritur të bukurën dhe përpjekjet për ta plagosur atë. Gjithsesi nuk mund të them se fenomene të tilla më thyejnë. Jo, kjo nuk ka për të ndodhur. Kur gjej kohë nxitoj tek rafti i librave. Ata janë miqtë e mi më të mirë. Tek shumë autorë librash gjej një nxitje të re për të ecur përpara . Më tmerron humbja e kohës, qoftë kjo edhe në një ditë pushimi. Ambiciet e mia janë arritja e standartev më të larta profesionale. Ato që më tërheqin janë studimet mbi problemet e mprehta të kohës, efektet e lëvizjes migratore në grupmoshat e reja, efektet pozitive dhe negative të kësaj lëvizjeje në komunitet dhe domosdoshmëria për rritjen e kapaciteteve në komunitet për hartimin e projekteve konkrete me synimin zhvillimin rajonal.

Qëllimi ynë është të krijojmë mundësi për të rinjtë që ata të shohin me besim të ardhmen. Ky është një impenjim i imi maksimal. Në këtë këndvështrim ka qënë dhe hartimi e ribotimi i teksteve të Ekonomiksit, në ndihmë të studentëve. Po kaq e vëmendshme ndihem edhe ndaj biznesit, turizmit, kulturës dhe arsimit. Është kjo arsyeja që nuk më pëlqeu kur formuluat pyetjen nëse ishte një ditë e lodhshme për mua takimi me qytetarët që vijnë të qajnë hallet e tyre. Jo, kursesi nuk do të lodhesha për të zgjidhur një problem që ka një qytetari im.

Këtu ka marrë fund takimi ynë me Pefekten e Qarkut Korçë, Prof. Dr. Elfrida Zefi. Ndërsa largohemi nga institucioni, na mbetet në mendje një grua e ndjeshme e me një vështrim të kthjellët ku buron mirësia dhe ngrohtësia e një gruaje, por tepër të ashpër kur flet për ligjin dhe banorët e saj, madje kaq e ashpër sa të krijon ndjesinë se ndodhesh përballë një gruaje të hekurt që nuk di të bëjë kompromis me atë që nuk është e vërtetë edhe pse në pamje të parë mund të shkëlqejë si diamant.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...