Home / KULTURA / Ekspozitë figurative Bilisht, 17 Tetor
loading...

Ekspozitë figurative Bilisht, 17 Tetor

Ekspozitë figurative

Bilisht, 17 tetor. Në prag të 19 tetorit – ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës në sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Bilisht u hap ekspozita e piktores Diana Xhaçi. Mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së qytetit z.Valter Miza. Fjalën e hapjes e mbajti Kosta Nake, kryetar i Forumit të Devollinjve të Penës. Piktorja falenderoi të pranishmit që pranuan të ndajnë me të emocionet e procesit krijues.

Kjo është ekspozita e dytë e piktores Xhaçi, pas asaj të hapur në vitin 1997. Është një akumulim i gjatë që shpërthen me këto punime plot ajër dhe dritë, plot ndjenjë e thellësi, është një shpatull delikate që u jep jetë abstraksioneve, peizazheve dhe natyrave të qeta, është një prush talenti që zbulohet nën hirin e kohës.
Diana derdh mbi telajo luleverdhat dhe margaritat e bukura dhe i pasuron me ngjyrën okër të grurit dhe purpurin e lulekuqeve. Bluja e deti është joshja e saj e përhershme si një reminishencë e vendlindjes, si në një prizëm spektral zbërthen të gjitha nuancat, nga ngjyrat e hapura te ato të thellat. Shkëmbinjtë me kontrastet dritë-hije arrijnë të futen magjishëm në vështrimin e saj dhe përcillen me shkëlqim në sytë tanë.

Përvoja më se 20-vjeçare vjen në këtë sallë me pjekurinë dhe nivelin e kërkuar artistik. Pas tre muajsh pune intesive, ditën dhe natën, Diana na tregon edhe një herë se Bilishti dhe Devolli është një oaz kulture e vlerash që na bëjnë krenarë. Kur këtë e dëshmon një grua, atëherë kjo përbën edhe një tjetër vlerë të shtuar.

Kosta Nake

FOTO GALERI

loading...

Komento!

loading...