Kryefaqe / DEVOLLI / E FOLMJA E DEVOLLIT
e-folmja-e-devollit

E FOLMJA E DEVOLLIT

E FOLMJA E DEVOLLIT

(Sprovë etnosociolinguistike)

TEZË PËR PUNIM DOKTORATURE

Crede mihi, sacra populi lingua est (Më beso, gjuha e popullit është e shenjtë)-Seneka

Krahina e Devollit

PARATHËNIE

Qëllimi dhe objektivat e studimit

Zhvillimi i studimeve etnosociolinguistike në shkencën gjuhësore shqiptare nuk janë as të vonshme, as të pakta. Pavarësisht se në vitet e fundit ato kanë marrë një fytyrë të përcaktuar mirë, duke u përqëndruar mirëfilli në studimin e gjuhës si mjet komunikimi në gji të bashkësisë shoqërore, ato janë paraprirë nga një shumësi studimesh të pjesshme a të plota në fushën e dialektologjisë. Në këto punime gjejmë trajtimin e veçorive fonetiko-gramatikore të të folmeve, por, njëkohësisht, vihen re dhe shtjellime të veçanta që lidhen me përdorimin e të folmeve në varësi të ndryshorëve sociolinguistikë.

Në panoramën e përgjithshme të hartës të të folmeve të shqipes, e folmja e Devollit ka tipare të veçanta fonetike, gramatikore e leksiko-frazeologjike. Si e tillë, ajo ka ngjallur prej kohësh interesin e gjuhëtarëve. Kështu, mund të përmendim punimin e V. Xhaçkës «Një shikim mbi të folmen e krahinës së Devollit» të vitit 1958 dhe atë të J. Gjinarit «Mbi të folmen e Devollit» të vitit 1960, të pasuara nga një sërë punimesh të mëvonshme mbi leksikun, frazeologjinë dhe toponiminë e kësaj krahine, të botuara në periodikë të ndryshëm. Pavarësisht nga të arriturat e deritanishme, mund të vihet re se e folmja e Devollit nuk është studiuar ende në të gjithë elementët dhe veçoritë e saj, për më tepër, për të nuk ka pasur studime të mirëfillta etnosociolinguistike.

Duke u nisur nga rëndësia e studimeve të sotme në fushën e etnosociolinuististikës, në punimin që po paraqesim në kërkim të gradës «Doktor», janë bërë përpjekje për një studim të plotë e të thelluar të të folmes së Devollit, si një e folme me karakteristika të caktuara, të shqyrtuara në tri boshtet kryesore: në hapësirë, në kohë dhe në shoqëri.

Qëllimi kryesor i këtij punimi është shqyrtimi i kësaj të folmeje anësore, e cila ka ruajtur mjaft karakteristika të gjendjes së hershme të shqipes në tërësi, por, gjithashtu, edhe si një e folme që ka dhënë e ka marrë me të folme të tjera të krahinave përreth. Kjo krahinë, si pikë etnografike e veçantë, si krahinë kufitare me dy shtete ballkanike, me histori të trazuar pushtimesh, me lëvizje të mëdha të popullsisë në periudha të ndryshme historike (lëvizje që vazhdojnë dhe sot), me një mendësi të caktuar shoqërore, me një kulturë të veçantë shpirtërore e materiale, ka lënë gjurmët e veta dhe në të folmen e saj.

Disa nga synimet që e kanë paraprirë këtë punim janë: cilat janë këto gjurmë, sa dhe si janë bërë pjesë e etnikumit shpirtëror të bashkësisë që përdor këtë të folme, cilat janë përbashkësitë me mbarë shqipen në tërësi, cilat janë veçoritë që mund të bëhen shumë lehtë pjesë e gjuhës në komunikim etj.

Punimi përqendrohet në dy drejtime kryesore:

së pari, në një analizë të thelluar të të folmes së Devollit që i përket një mjedisi të kufizuar nga pikëpamja territoriale dhe shoqërore, duke vënë në dukje veçoritë fonetiko-gramatikore e fjalëformuese të saj në gji të toskërishtes veriore dhe në marrëdhënie me të folme të veçanta që i përkasin gegërishtes; së dyti, në një analizë sociolinguistike të të folmes mbi bazën e faktorëve gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë që kanë ndikuar dhe ndikojnë në aspektin funksional të përdorimit të saj. Nga kjo pikëpamje, në të folmen e Devollit hasen elementë të veçantë gjuhësorë, që lidhen me situatat dhe përdoruesit e kësaj të folmeje në bashkësinë shoqërore përkatëse. Për të arritur këto qëllime u përcaktuan disa objektiva:

1. E folmja e Devollit të shqyrtohet si pjesë përbërëse e toskërishtes veriore me karakteristika të dallueshme të grupit lindor të saj.

2. E folmja e Devollit të analizohet në vështrim diakronik e sinkronik në veçoritë e saj fonetiko-gramatikore mbi bazën e përqasjeve të dukurive të veçanta gjuhësore.

3. Të klasifikojë nga kriteri i «formës së brendshme» frazeologjinë e të folmes, duke krijuar një fond frazeologjik si burim i përdorimit të saj në mbarë shqipen dhe për hartimin e një fjalori frazeologjik krahinor.

4. Të analizohet e folmja e Devollit mbi bazën e ndryshorëve sociolinguistikë si një e folme që pasqyron mendësinë, kulturën, historinë dhe zhvillimin e krahinës.

5. Të plotësojë të dhënat e onomastikës shqiptare të shqyrtuara deri më sot me të dhëna të toponimisë dhe antroponimisë së krahinës së Devollit për t‟u përdorur si burime për shpjegime, shqyrtime dhe argumentime rreth historisë së gjuhës shqipe dhe si burim për hartimin e një fjalori onomastik të krahinës së Devollit.

Metodologjia e kërkimit

Duke u nisur nga qëllimi i punimit, metodologjia e kërkimit u mbështet në shqyrtimin sinkronik dhe diakronik të të folmes së Devollit, në përdorimin situativ të saj në kontekste të përcaktuara nga pjesëmarrësit në komunikim në vende dhe kohë të ndryshme duke ndjekur dy drejtime:së pari, mbledhja e materialit gjuhësor të të folmes në terren duke hulumtuar konkretisht përdorimin e saj në bashkësinë shoqërore përkatëse. Për këtë u mbështetëm në pyetësorët e hartuar për mbledhjen e materialit leksiko-frazeologjik, onomastik dhe për veçoritë fonetike dhe morfologjike të të folmes.së dyti, shqyrtimi i materialit faktik mbi bazën e literaturës teorike për të të dhënë një pamje të plotë fonetiko-gramatikore, leksiko-frazeologjike dhe etnolinguistike të të folmes.

Fazat e kërkimit

Faza përgatitore

1. Studimi i literaturës.

2. Hartimi i pyetësorëve.

3. Formulimi i platformës studimore «E folmja e Devollit si një e folme me tipare të veçanta fonetiko-gramatikore dhe etnosociolinguistike në gji të toskërishtes veriore dhe në bashkëmarrëdhënie me të folme të tjera jashtë dialektit».

Faza e mbledhjes të të dhënave

1. Pyetësorët me studentët, ekspeditat gjuhësore.

2. Intervistat e drejtpërdrejta.

3. Materialet leksiko-frazeologjike e folklorike në periodikë të kohës.

Shqyrtimi i të dhënave dhe analiza e tyre

1. Përqasja me studime të mëparshme, duke plotësuar analizën për një territor më të gjerë që përfshin mbi 20 pika të grumbullimit të të dhënave.

2. Analiza e veçorive fonetiko-gramatikore dhe shqyrtimi sociolinguistik i frazeologjisë, duke e parë në vështrim përqasës me punime të mëparshme në këtë fushë.

3. Shqyrtime të thelluara dhe mbështetëse për etnografinë e të folurit në të folmen e Devollit.

4. Përgjithësime dhe përfundime.

Pozita gjeografike

Krahina e Devollit, si njësi administrative, shtrihet përgjatë brigjeve lindore dhe perëndimore të lumit me të njëjtin emër, në skajin më juglindor të Shqipërisë. Në pikën më lindore të Shqipërisë, në fshatin Vërnik, shtrihet në gjatësinë gjeografike 210 40‟1. Gjeografikisht, territoret e këtij rrethi shtrihen në nënnjësinë jugore të Krahinës Malore Qendrore, pikërisht në gropat juglindore. Në veri, veriperëndim dhe në perëndim kufizohet me rrethin e Korçës nga lartësitë që zbresin në liqenin e Prespës dhe përgjatë kurrizit të Moravës. Në jugperëndim kufizohet me rrethin e Kolonjës nga pjerrësitë verilindore të malit të Gramozit, ndërsa në juglindje, lindje dhe verilindje kufizohet me Republikën e Greqisë, përgjatë një vije kufitare prej 83 km, ku ngrihen lartësitë mbi Nikolicë, Arrëzë, Qytezë, Vidohovë, Kapshticë, Vërnik, Rakickë e deri në lartësinë e Llapishtit. Gryka e Cangonjit e lidh këtë krahinë me fushën e Korçës. Në lindje lidhet me shtetin fqinjë, Greqinë, nëpërmjet Grykës së Kapështicës.

Brenda këtyre kufijve, rrethi i Devollit ka një sipërfaqe2 prej 429 m2.Për nga madhësia Devolli grupohet në rrethet e vogla të vendit, duke u renditur i nënti në Shqipëri3. Rrethi i Devollit ka një shtrirje gjatësore horizontale meridionale veri-jug prej rreth 60 km dhe gjerësi maksimale prej 16.5 km.

Kjo krahinë rrethohet nga lartësitë e vargmalit të Moravës në Perëndim, nga malet Vojskovar, Ruki, Pllashovec në lindje, nga mali i Golinit dhe i Qafashticës në veri dhe në jug nga Paçarovi, Bidoja dhe Kruki. Si pjesë përbërëse e Gropave Juglindore, krahina e Devollit përfshihet tek albanidet e brendshme, ku mbizotërojnë shkëmbinjtë sedimentarë (terigjenë në vargun lindor të Moravës, gëlqerorë në lindje, në malësinë e Rakickës dhe të Llapishtit dhe në kontakt me magmatikët në sektorin Tren-Kokogllavë)

Ndryshime e lartësisë së shkojnë nga 850 m mbi nivelin e detit në veri e deri në 1050 te Maja e Lartë në vargmalin e Moravës.

Në pjesën qendrore të kësaj njësie administrative ndodhet lugina e Devollit të Sipërm6, me gjatësi prej 21 km dhe gjerësi prej 7 km. Degët e lumit Devoll kanë marrë emrat e fshatrave ku kalojnë; lumi i Qytezës, i Ziçishtit, i Vidohovës (Shagut), i Hoçishtit, i Pilurit, i Gjyresit, i Babanit, i Llofkës etj. Në pjesën qendrore shtrihet fusha e Bilishtit, e gjatë 10 km dhe e gjerë 7 km, e ndjekur prej fushës së Kurrilës.

Pjesa më e ulët e luginës së Devollit të Sipërm mendohet se ka qenë e mbuluar nga uji në formën e një liqeni që lidhej me liqenin e Korçës nëpërmjet grykës së Cangonjit. Më pas ai është tharë nga lumi i Devollit, i cili bënte shkarkimin e ujërave në Fushëgropën e Korçës dhe ka ndikuar në formimin e Grykës së Cangonjit. Kjo krahinë laget nga ujërat e liqenit të Prespës së Vogël.
Klima e rrethit të Devollit është mesdhetare paramalore juglindore, me nuanca të theksuara kontinentale, për shkak të pozicionit lindor dhe ndikimit më të madh të brendësisë së Gadishullit Ballkanik. Gjatë vitit mbizotërojnë rreshjet e shiut, ndërsa në dimër janë të zakonshme rreshjet e borës.

Hidrografia e rrethit të Devollit mbizotërohet prej lumit Devoll, që e ka burimin e tij pikërisht në malet e kësaj krahine dhe kalon mespërmes hapësirës gjeografike të këtij rrethi. Një element mjaft i rëndësishëm hidrografik i këtij rrethi është prania e liqenit të Prespës së Vogël, i cili po zhduket për shkak të derdhjeve të lumit Devoll, duke u kthyer më tepër në një kënetë.

Përsa i përket bimësisë dhe tokave, Devolli dallohet si një krahinë e pasur me pyje në brezin e dushkut, ahut dhe haloreve, ndërsa në lartësitë mbi 1000 m ka kullota alpine me shumëllojshmëri barishtesh dhe lulesh. Në pjesën perëndimore të kreshtës së Moravës, që njëherazi shërben dhe si kufi administrativ me rrethin e Korçës, ngrihet monumenti natyror i Gurit të Capit (shkëmb në formën e gamiles i formuar si rrjedhim i veprimtarisë eolitike mbi shkëmbinjtë ranorë). Po ashtu, në territorin e kësaj krahine shtrihet rezervati natyror i Cangonjit, ndërsa në Nikolicë gjendet një peizazh i mbrojtur natyror me një bukuri të rrallë.

Kjo krahinë përbën njësinë administrative të rrethit të Devollit, me qendër qytetin e Bilishtit. Si rreth më vete është ndarë në vitin 1992 dhe përmbledh bashkinë e Bilishtit, komunat e Mirasit, Progrit, Bilishtit Qendër dhe atë të Hoçishtit. Në këto komuna përfshihen rreth 45 fshatra, të vendosur përgjatë brigjeve të lumit Devoll, në krahun e majtë dhe të djathtë të tij (duke nisur nga burimet e tij në malet e fshatit Nikolicë). Kjo krahinë, në varësi të relievit të fshatrave dhe vendndodhjes së tyre, ndahet në dy pjesë: në Devollin e Sipërm dhe në Devollin e Poshtëm, të cilat, duke shkuar drejt jugut të krahinës, si ndarje gjeografike lidhen më tepër me faktin e terrenit të thyer malor që vjen duke u ngritur.

Rrethi i Devollit ka një popoullsi prej 42567 banorësh7, me dendësi të ulët, 99. 2 banorë/ km2. Kjo dendësi është nën mesataren e dendësisë së popullsisë në Republikën e Shqipërisë8, çka ka ardhur për shkaqe që lidhen me pozicionin gjeografik të kësaj krahine, me mundësitë natyrore për të siguruar jetesën, me kushtet historike të zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të krahinës, si dhe me tradita të hershme të zonës që janë mjaft të gjalla dhe sot (p. sh. emigrimi). Nga ana tjetër, kjo krahinë dallohet për nivel të lartë lindshmërie: rreth 12.2%, më e lartë se mesatarja e gjithë qarkut9.

Popullsia e Devollit i ka pasur traditë lëvizjet migratore, si sezonale ashtu dhe të përhershme. Kryesisht migrimi është drejtuar në Greqi, por dhe në Rumani e Bullgari, ndërsa një pjesë e madhe kanë emigruar në SHBA dhe Kanada. Prirje e sotme është dhe lëvizja drejt qendrave kryesore qytetëse të vendit, si në Korçë, Durrës e Tiranë. Megjithatë, duhet theksuar se prirja për emigrim ka qenë kryesisht e banorëve të fshatrave të Devollit të Sipërm (Dardhë, Sinicë, Qytezë, Ziçisht, Bradvicë etj.), për shkak të mundësive të kufizuara për të jetuar në këto zona të thella malore. Ka pasur fshatra, si: Dardha, Grapshi, Ziçishti, Hoçishti etj., të cilat në pjesën më të madhe të vitit mbeteshin pothuaj pa meshkuj të rritur, pasi këta shkonin në kurbet stinor e më vonë në kurbet të gjatë.10 Disa fshatra janë zbrazur pothuajse plotësisht që në vitet „60 të shekullit të kaluar, për shkak të terrenit të thyer malor (Bradvicë, Nilkolicë). Për më tepër, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar u kufizuan plotësisht dhe rrugët tregtare dhe mundësitë e banorëve për të punuar me punë stinore në Greqi.

Pas viteve „90 të shekullit XX, si në gjithë vendin, edhe në Devoll u përhap gjerësisht emigracioni, si nga zonat malore drejt atyre fushore e sidomos drejt qendrave të mëdha qytetëse, por, mbi të gjitha, u përhap gjerësisht emigracioni në Greqi e SHBA. Vitet e fundit vihet re një prirje e rindërtimit të shtëpive të vjetra ose ripopullimi stinor i disa fshatrave të kësaj krahine nga emigrantët ose nga banorë të tjerë me lidhje të vjetra me fshatrat e tyre. Kjo ndodh për shkak të kushteve klimatike që kanë këto fshatra (sidomos Devolli i Sipërm), si dhe nga një përmirësim i kushteve ekonomike të këtyre banorëve të rinj. Në një farë mënyre, ata po rigjallërojnë jo vetëm jetën ekonomike të fshatit të tyre, por, njëkohësisht, mbajnë gjallë dhe ripërtërijnë traditat dhe kulturën e hershme të krahinës.

Nga pikëpamja ekonomike, në këtë rreth peshën specifike ekonomike më të madhe e mban bujqësia, blegtoria, bletaria e pylltaria. Pjesën tjetër e zë tregtia, transporti, turizmi e shërbime të tjera dhe shumë pak industria. Kuptohet që, faktori natyror, prania e fushave pjellore dhe kullotave të shumta, sidomos në pjesën qendrore dhe veriore të rrethit, në të dy anët e rrjedhës së lumit, por dhe mendësia e theksuar e punës te devollinjtë ka bërë që të mbizotërojnë bujqësia dhe blegtoria. Në këtë krahinë ka prodhimtari të lartë të kulturave bujqësore dhe të frutikulturës. Është një nga krahinat që, si në shekullin e kalur dhe sot, furnizon me prodhime bujqësore dhe blegtorale me cilësi të lartë një pjesë të mirë të tregut vendës dhe eksporton dhe në vendet fqinjë.

HYRJE

Crede mihi, sacra populi lingua est,
(Më beso, gjuha e popullit është e shenjtë)-Seneka

1.1.2 Lashtësia e krahinës dhe e banorëve të saj

1.1.2 Lashtësia e krahinës dhe e banorëve të saj

1.1.2 Lashtësia e krahinës dhe e banorëve të saj

Nga gjetjet arkeologjike, kjo krahinë dëshmohet hershëm si vendbanim, qysh në periudhën e neolitit (shekujt XVI-XV p.e.s). Si vendbanim i hershëm prehistorik ka shërbyer shpella në fshatin Tren, përfund një kodre shkëmbore rreth 15 m pranë bregut të liqenit të Prespës së Vogël. Ky vendbanim shpellor mendohet se i përket fundit të mijëvjeçarit të katërt p.e.s., periudhës së
neolitit të vonë (eneolitit).11 Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1952 dhe nga fshatarët njihet si Shpella në Grykën e Ujkut, Shpella e Spilesë, apo Shpella e Trenit. Këtu janë gjetur vegla pune të gdhendura në kockë, gur, strall, bri, e më pas, prej bronzi, hekuri e argjendi. Kalimi nga vegla guri e stralli në ato të përpunuara prej metali tregon për vijimësinë e një bashkësie shoqërore që nga periudha neolitike, në epokën e bronzit dhe të hekurit, në periudhën qytetare ilire (shek. IV-I p.e.s.), duke vazhduar në periudhën romake (shek. I-III e.s.), Antikitetin e Vonë (shek. V-VI e.s.) e deri në Mesjetën e zhvilluar.12

Vlera të veçanta kanë dhe objektet prej qeramike që i përkasin neolitit të vonë dhe periudhës së bronzit e të hekurit (shekujt XIII-XII p.e.s.). Këto enë kanë mure të holla, të pjekura mirë, me ngjyra të çelëta të kuqërreme, okër dhe gri në të blertë, të zbukuruara me motive të larmishme gjeometrike13. Në literaturën arkeologjike ky tip qeramike është quajtur “qeramika devollite”14 dhe gjurmët e punimit të saj vijnë deri vonë, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Në fillimet e epokës së hekurit Shpella e Trenit u rrethua me mure në shpatet jugore. Brenda së njëjtës kohë, në afërsi të shpellës, janë ndërtuar pranë njëra-tjetrës dhe disa kala të tjera. Kështu, ngjitur me kodrën, në anën lindore, ngrihet kreshta shkëmbore e malit të Trajanit (1245 m), e rrethuar me mure në jug dhe verilindje, që njihet nga banorët vendës si Kalaja e Trajanit me sipërfaqe rreh 20 ha. Në anën jugore lartësohet një kodër tjetër, e cila lidhet me të parën nëpërmjet një qafe që shërben si udhë kalimi. Në këtë kodër ruhet një mur rreth 50 m i gjatë dhe njihet si Kalaja e Mokut, që ka shërbyer si pritë në raste rreziku. Kalaja e Trajanit përmendet si një nga qendrat më të rëndësishme protourbane të vendit tonë dhe për të kanë shkruar autorë antikë grekë e romakë (Tit-Livi, Kurt Rufi, Ariani etj.).

Pranë kësaj shpelle, rreth 300 m në perëndim të saj, ndodhet Kalaja e Vëntrokut, ndërsa mbi një kodër të vogël shkëmbore, shpatet e së cilës zbresin në deri në ujërat e liqenit të Prespës së Vogël, ngrihet një kala tjetër, e quajtur Gradishta e Shyecit. Këto vendbanime me ledhe rrethuese, të ndërtuara me gurë të thyer të përzier me dhé, quheshin “gradina”, emërtim që është ende dhe sot në fjalorin aktiv të të folmes së Devollit. Kalaja e Vëntrokut dhe Gradishta e Shyecit përbëjnë të vetmet fortifikime të këtij lloji në Shqipëri, të ngritura në pika strategjiike, ndërsa gjithë fortifikimet rreth liqenit të Prespës dhe Grykës së Ujkut kanë shërbyer si rrugë kalimi që lidhnin fushën e Devollit me pellgun e Korçës, Pelagoninë, Maqedoninë, Thesalinë dhe
gjithë pellgun e qytetërimit të Egjeut.15

Nga Rufi dhe Ariani16 përmendet dhe një qytet i fuqishëm i Desaretisë, me emrin Pelion. Pelionin, disa studiues janë munduar ta lidhin me fshatin e sotëm Pilur, i cili gjendet në perëndim të rrjedhës së Devollit. Por, në të vërtetë, ende nuk dihet mirë vendndodhja e këtij qyteti,megjithëse përmendet si rezidencë e mbretit ilir, Bardhylit. Gjatë kryengritjeve ilire kundër maqedonasve (pas vdekjes së Filipit, viti 355 p.e.s.), Kliti, i biri i mbretit Bardhyl, pushtoi Pelionin, qytetin e fortë buzë lumit Eordai17 (ndoshta lumi i sotëm i Devollit).

Fakti që lugina e sipërme e Devollit (zonë ku shtrihet sot krahina e Devollit), ishte një nga arteriet kryesore të lëvizjeve tregtare, bëri që në këtë krahinë të depërtonte hershëm krishtërimi, duke u përmendur si një nga qendrat episkopale pas shekullit VI (e.s.)18. Në shekujt IX-XII qyteti i Devollit lidhet historikisht me Mbretërinë Bullgare dhe me Perandorinë Bizantine. Kjo periudhë shtrihet që nga sundimi i mbretit të parë bullgar, car Borisit I dhe deri në rënien e Mbretërisë Bullgare dhe triumfin e Bizantit me Vasillin II, i njohur në histori si Vasil Bullgarovrasësi.

Pavarësisht se kjo është një periudhë me lëvizje të mëdha të popullsisë, ka një përvijim kulturor-gjuhësor të dallueshëm të të gjithë zonës. Mendohet që këtu dy nxënësit e vëllezërve shenjtorë Kirilli dhe Metodi, që quheshin Klimenti dhe Naumi, punuan me vite të tëra për përhapjen e shkollave dhe kishave sllave në zonën e Korçës, Ohrit dhe Devollit19. Krahina shqiptare që njihej me emrin Kumtiçevica përfshinte tri qendra kryesore: Ohrin, Devollin dhe Gllavenicën (Ballshin e sotëm)20. Për lokalizimin e e Kutmiçevicës dhe tri qendrave kryesore të saj D. Obolenski21 i referohet “Biografisë së gjatë”, e cila mendohet se është nga shkruar Teofilakti, kryepeshkopi bizantin i Ohrit i shek. XI- XII. Disa studiues bullgarë, këtë emërtim (Kutmiçivica) e nxjerrin me burim nga protobullgarishtja me kupimin “tokat e reja të pushtuara”22, gjë që të lë të mendosh se këtu, në këto toka të huaja për bullgarët, u dyndën ushtri dhe popullsi bullgare, të cilat sollën me vete fenë dhe gjuhën e tyre.

Nën ndikimin e Despotatit të Epirit (shek. XIII) disa peshkopata, midis tyre dhe peshkopata e Devollit (ndoshta e njohur si Selasfor, emër me të cilin dokumentohet në shekullin IX) mori lulëzim si qytet mesjetar 23.
Përfshirja e saj në Perandorinë Bizantine të Rindërtuar ndikoi në forcimin e karakterit ortodoks të besimit fetar24.

Fuqizimi i feudalëve shqiptarë në shekullin XIII solli ndarjen e territoreve ndërmjet tyre. Në kronikat mbi historinë dhe gjenealogjinë e familjes së Muzakajve, të shkruar nga Gjon Muzaka më 151025, thuhet se Devolli ishte pronësi e kësaj familjeje. Despoti Andrea Muzaka zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij drejt Korçës dhe Devollit. Ndërkohë, në tokat shqiptare kishin filluar sulmet e perandorisë osmane. Vdekja e Andrea Muzakës dhe ndarja e zotërimeve mes bijve të tij (ku Devolli i kaloi në pronësi djalit më të vogël, Stojës), sollën dobësimin e sundimit të Muzakajve dhe shthurjen e principatës, si rrjedhim, dhe osmanët në këtë kohë ishin bërë zotër realë të viseve fushore të Devollit26. Kështu popullsia e krishterë u detyrua të konvertohet ose të rrudhej në zonat malore. Këtë e dëshmon fakti që në fshatrat e Devollit të Poshtëm, ku mbizotëron popullsia myslimane, ka mikrotoponime të tilla, si: Klisha, De klishka, Lisi i ma dh te klisha, ose me emra shenjtorësh të krishterë, si: Shinepremte (Vranisht), ndërsa fshatrat e Devollit të Sipërm kanë qenë ose vetëm me popullsi të krishterë, ose me shumicë të krishterë.
Nga regjistri i Korçës dhe i Përmetit, më 1431-1432, fill pas pushtimit osman, Devolli bënte pjesë në kazanë e Korçës dhe Nikolica ishte një qendër e rëndësishme zejtaro-tregtare27.

1.1.3 Të dhëna etnofolklorike për krahinën

1.1.3 Të dhëna etnofolklorike për krahinën

1.1.3 Të dhëna etnofolklorike për krahinën

Devolli është një nga krahinat më të veçanta nga pikëpamja etnokulturore. Në të ndërthuren larmi mikrokulturash, të cilat lidhen me rrethanat e historisë së themelimit dhe vazhdimësisë së kësaj krahine, me larminë e bashkësive fetare, por edhe me mënyrën e jetesës së zonave të ndryshme për shkak të mundësive që u jepte natyra.

Megjithëse në Devoll familjet janë ndërtuar dhe një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë me më shumë se një kurorë në shtëpi, nga pikëpamja e marrëdhënieve brenda familjes kanë qenë shumë më liberale se në krahina të tjera të Shqipërisë. Familjet e besimit të krishterë, për shkak të rrethanave historiko-shoqërore, ishin përqëndruar në zonat e larta malore, kryesisht në krahun e majtë të rrjedhës së Devollit. Te këto familje kishin depërtuar me kohë elementë të jetës në grupe të vogla. Kjo ndodhi se pjesa më e madhe e këtyre banorëve emigronin në vendet e Ballkanit, si:Bullgari, Greqi e Rumani ku krijuan dhe koloni, por sidomos ata emigruan në SHBA, nga ku sollën me vete elemente të mënyrës së jetesës dhe të kulturës evropiane dhe amerikane. Gjithsesi, duhet theksuar se dhe familjet myslimane në këtë krahinë kanë qenë shumë më liberale se në krahina të tjera shqiptare dhe kjo dukej, për shembull, në trajtimin që u bëhej grave dhe në mënyrën e veshjes së tyre. Gratë myslimane në Devoll s‟kanë qenë asnjëherë të mbyllura brenda mureve të shtëpisë. Ato punonin në fushë dhe nuk mbuloheshin me shami.

Pavarësisht se kjo krahinë e ka mbështetur historikisht ekonominë e saj në bujqësi dhe në blegtori, Devolli përmendet për lëvrimin e një sërë zejesh që e bënë atë të njohur edhe në Ballkan. Ushtrimi i zejeve dallohej sipas zonave dhe sipas feve. Zejtaria ishte e përqëndruar kryesisht në Devollin e Sipërm, për shkak të mungesës së tokës. Në këtë pjesë të Devollit ushtroheshin zeje industriale, si: poçeri, prodhim qymyri, përpunim lëkurësh etj.

Popullsia e Devollit ruajti për një kohë të gjatë veshjen tradicionale të punuar me dorë. Mjaft i përmendur është kostumi dardhar, i cili, me ndryshime fare të vogla, përfaqëson gjithë kostumet e grave në Devollin e Sipërm (Qytezë, Sinicë, Dardhë, Nikolicë). Etnografi A. Dojaka shkruan se veshjet më të bukura u përkasin grave të të fshatrave të kurrizit lindor të Moravës që zbret në Devoll, ku përfshihet kryesisht kostumi i Dardhës dhe Hoçishtit.28

Kostumi i fshatit Hoçisht ka kohë që është zhdukur, por pjesët e tij janë ndërtuar nëpërmjet të dhënave gojore, si dhe nga disa pjesë shumë të vjetra të gjetura në fshat. Fustani, prej stofi të leshtë jo shumë të trashë, me bazë jeshile të errët (ngjyrë smeraldi) apo kafe të mbyllur në të kuqërremtë, ishte i gjatë deri te nyjet e këmbëve. Në fund të fustanit kishte një shirit të zi shumë të hollë, në brendësi të tij ishte i ngjitur me qepje një shirit tjetër po i zi, me qimëza të holla që, për këtë shkak, quhej furçe. Kapakët e mëngëve ishin prej kadifeje të zezë, pregaçi, i cili përdorej nga të dy anët ishte blu ose jeshil me fr utka të punuara prej astari mëndafshi të zi apo me tantella të punuara me grep dhe lidhej me dizga mbi fustan. Mbi të vihej brezi me ndërthurje ngjyrash të bardha të verdha e jeshile dhe me pafta metalike të punuara me filigram dhe me gurë shumëngjyrësh. Shamia e kokës ishte zbukuruar me rrota të zeza ose trëndafila, ndërsa shamia e belit dhe e qafës kishte thekë. Çorapet, për gratë e moshuara, thurreshin me fushë vishnjë të errët apo blu të thellë, ndërsa për gratë e reja motivet ishin me heqkë, me ngjyra më të hapura.

Në ndryshim nga kostumi i Hoçishtit, ai i gruas qytezare përbëhej nga xibuni i zi prej shajaku, i qëndisur në pjesën e përparme me fije ari, në pjesën e poshtme dhe anësore me gajtan të kuq, nga fustani prej stofi ngjyrë vishnje me pafta metalike e pala, me brezka e dizga me xhufka, nga këmisha me hoja anash, nga shami të ndryshme, nga pregaçi i kuq me gajtan të zi, nga çorapet me vija “aliver” në ngjyrë vishnje. Deri në vitet 30‟ të shekullit XX gratë mbanin dhe floçkë. Gratë qytezare nuk mbanin brez, ato vishnin fustane me klinda prej një lloj kadifeje që quhej manicë. Vajzat e reja zakonisht vinin në kokë dylbenka të bardha me hoja të zeza29.

Në emërtimin e veshjeve, myslimanët përdorin mintan “këmishë burrash, e bardhë e me mëngë të gjera, kryesisht pa jakë”, dolloma “lloj fustani grash, i gjatë deri te nyjet e këmbës”, setre “xhaketë burrash”, tallaganet me lara ose sivë “veshje burrash në formë jeleku”, kallcat “pjesa e poshtme e ngushtë e pantallonave” degërme “shami koke, kryesisht e përdorin gratë e moshuara”, perushan “tel i mbështjellë me pe të kuq që i vihet nuses në ballë ditën e martesës”, meste “lepitka”, sergi “shall i hollë që hidhet krahëve”.

Punimi i leshit bëhet me razboj (avlëmend), dr ugë, furkë, qerthull. Punohen kryesisht qilima e levenxe leshi për shtëpinë, si dhe veshje që merren në pajë. Përsa i përket veshmbathjes, në fshatrat e Devollit ka qenë dhe është e zhvilluar rrobaqepësia, qëndistaria dhe puna me shtiza e grep. Punimet e dorës dallohen për motivet dhe për ngjyrat e përdorura. Punimet me grep dhe qëndismat shërbejnë kryesisht për zbukurim, në çarçafë, veshje etj. Punët me grep e me sovalkë dallohen për larminë e motiveve, sepse në pjesën më të madhe kanë në bazë ngjyrën e bardhë, ndërsa qëndismat bien në sy për larminë e motiveve dhe të ngjyrave.

Përpunimi i lëkurëve bëhej kryesisht në Hoçisht. Aty kishte punishte për regjjen e lëkurëve, e cila zotërohej nga familja e Tabakëve (dhe patronimi i familjes lidhet me këtë profesion). Sot kjo mjeshtëri nuk vazhdon.
Devolli i Poshtëm merret kryesisht me bujqësi dhe blegtori, për shkak të kushteve më të përshtatshme natyrore, ndërkohë që fshatrat buzë liqenit të Prespës së Vogël (Shyec, Zagradec, Tren) merreshin dhe vazhdojnë të merren edhe me peshkim.
Urbanistika e fshatrave të Devollit është mjaft moderne në raport me krahina të tjera të Shqipërisë. Fshatrat, të vendosura në faqet e kodrave, janë në tipin e fshatrave të dendur, me banesa afër njëra-tjetrës në territore të kufizuara, me vendosje të rregullt të banesave të tyre, me rrugë të drejta me çezma e burime. Përgjithësisht fshatrat e Devollit i kanë pasur rrugët të shtruara me kalldrëm (sepse ishin të vendosur kryesisht në shpatet e maleve ku e gjenin gurin me lehtësi)30.

Tipi i banesës ndryshon sipas fshatrave, por dhe sipas fuqisë ekonomike të banorëve. Në Devollin e Sipërm mbizotëron banesa prej guri (kryesisht prej shtufi) me dy kate, rrallë dhe me tri kate, e mbuluar me rasa guri, ndërsa në Devollin e Poshtëm gjenden shtëpi të ndërtuara me gurë dhe me plitharë (tullë balte e tharë në diell), por që janë të mbuluara me qeramidhe (tjegulla)31.
Në këtë krahinë bie në sy arkitektura e kishave të vjetra (kryesisht të fundit të shek XIX dhe fillimit të shek. XX), të cilat janë të ndërtura me blloqe guri të gdhendura, me shtylla guri e me kapitele të zbukuruara me motive floreale dhe me afreske murale që kanë një bukuri të veçantë. Një nga më të bukurat është kisha e Shën Kollit në fshatin Hoçisht.

Kisha e Shën Kollit në fshatin Hoçisht

Muzika e krahinës e Devollit, si pjesë e Toskërisë së Veriut, ka në bazë muzikën polifonike (me shumë zëra), por dhe këngë homofone të shoqëruara gjithmonë me vegla muzikore.

30 Për tipin e banesës të dhënat janë mbledhur në terren nga banorët, si dhe nga dëshmitë e ndërtimeve të vjetra që ende ruhen. Megjithëse një pjesë e banorëve kanë emigruar, ata po rindërtojnë banesat e tyre duke ruajtur tiparet e banesës së vjetër (kjo vlen për banesat e ndërtuara me gur).
31 Gjurmët e zejes së prodhimit të tjegullave dhe plitharëve janë ruajtur deri vonë (shekulli XX). Familja e Talurëve në Hoçisht prodhonte për fshatin dhe për fshatrat rreth e rrotull, por edhe në Menkulas gjendet toponimi “Qeramithana ”, sepse aty dikur ka pasur punishte të prodhimit të tullave.

Ndër vallet veçohet devolliçja, si valle burrash, (megjithëse ka pasur raste që është kërcyer dhe nga gratë), me ritëm të shpejtë dhe mjaft e gjallë, çka lidhet ngushtë me karakterin bujqësor të krahinës. Mënyra e tërheqjes së këmbës në këtë tip valleje mendohet se simbolizon punimin e tokës. Në këtë krahinë mungojnë vallet luftarake mjaft të njohura në zonën veriore të Shqipërisë. Këtu bën përjashtim një valle, që quhet kasa pçe dhe kërcehet pa armë (është kërcyer në Kapështicë)32, që, më tepër se një motiv luftarak, mund të përbëjë një motiv flijimi në dobi të ringjalljes (ajo lidhet më shumë me ritet e flijimit).

Po ashtu, është e njohur vallja ka çakçe që kërcehet në fshatrat Hoçisht dhe Gracë. Edhe kjo është një valle që kërcehet pa armë, por në lëvizje të kujton veprimet e kaçakëve. Karakteristikë e valleve të grave është ritmi i qetë dhe mjaft i rregullt i lëvizjeve të tyre. Më e njohura nga vallet është vallja dardhare ose vallja e Isuf Arapit, e cila lidhet me historinë e një kapedani kaçakësh, për nder a frikë të të cilit vajzat dardhare kërcyen një valle të kënduar për të qetësuar trimin e çartur, kapedan Isuf Arapin. Në tërësinë e vet, vallet e krahinës së Devollit janë kryesisht me shumë valltarë që lidhen në varg, çka dëshmon për karakterin miqësor dhe mjaft tolerant të banorëve të kësaj krahine.

Veglat muzikore më të përdorura janë ato idiofone (gërgërja, kërcaçka, xilkat), kordofone (si ungari që sot nuk përdoret, por dëshmitë për të i gjejmë në këngët folklorike të mbledhura në Devollin e Sipërm: εblidhuni o shokë,ή t‟i bijem ungarit,/ të na mblidhen çupkat/ si dhentë pas barit33; buzuku etj. Gjithashtu, në fshatrat e Devollit të Sipërm, këndoheshin serenatat që nga fundi i shekullit XIX të shoqëruara me kitara dhe mandolina, vegla aerofone (si shtambushka ose bardhaçka, bilbilka, pizga, gajdja e mirëfilltë, gërneta etj.).34

Në Devoll ende janë të gjalla këngët që lidhen me festa e rite të ndryshme fetare apo pagane, si: Kolendrat, Rusicat, Llazore, Të lidhurat, Sulltan Novruzi, Shën Vangjelizmoi, Shën Gjergji, Shën Gjini, Pashkët, festat me të lusura (që lidhen me kremtimin e shenjtit që quhej si mbrojtës i familjes)35 apo me rite pagane, si: Dita e Verës, Festa e Luleve, këngët për shiun etj.36

1.2 Rreth prejardhjes së emrit “Devoll

1.2 Rreth prejardhjes së emrit “Devoll

1.2 Rreth prejardhjes së emrit “Devoll

Historia e emrit të Devollit është mjaft e ndërlikuar. Nëse vendodhja e tij si qytet ende nuk është përcaktuar saktësisht, po aq dyshime ka dhe për etimologjinë e emrit. Fakti që ky emër haset si toponim i trefishtë: si emër qyteti, lumi e rrethi, e bën të vështirë të dallohet nëse ai fillimisht ka qenë hidronim apo oikonim.

Në dritën e dëshmive historike dhe arkeologjike, Devolli është një emër që dëshmohet diku nga shekulli II (e. s.). Si qytet për herë të parë është përmendur nga Ptolemeu, “Deabolis” (ΔȒβοȜȓα). Sipas këtij gjeografi të njohur grek, ka ekzistuar një qytet i fisit ilir të Eordejve, i quajtur “Divolia”, buzë lumit Eordakus (sipas të gjitha gjasave lumi Devoll i sotëm).

Harta e Ptolemeut37

Sipas kësaj harte, që mendohet se mund të jetë një riprodhim i hartës së Ptolemeut, fisi i eordejve shtrihet në një territor mjaft të gjerë, po të papërcaktuar qartësisht.

37 Për variantin e plotë të kësaj harte shih në fund të punimit.

Sipas K. Paçit, eordejtë banonin në Devollin e Poshtëm dhe në Shkumbinin e Mesëm, pak a shumë ku ndodhet sot fusha e Korçës38. Në Mesjetë emri paraqitet në variante të ndryshme fonetike. Qyteti i Devollit përmendet që në krisobulën e parë të perandorit Vasil II, si qytet i varur nga eparhia e Kosturit. Në letrat e Theofillaktit39 thuhet se deri në kohën e tij Devolli ishte seli e eparhive të pavarura40. Nga vepra e Gjergj Kedrenit41, i cili kopjoi me besnikëri veprën e Jan Skilices, thuhet se perandori Vasil II, me gjithë ushtrinë e tij, pasi la Ohrin, kaloi në liqenin e Prespës. Në malin ku kaloi ndërtoi një kështjellë, të cilën e quajti “mbretëreshë” dhe një tjetër në po këtë liqen: “Prej Prespës shkoi në të quajturin Deabol, ku mbi një fr on të lartë, që u ngrit, priti Prusianin dhe të ba rabartët e tij, të cilët i qetësoi me fjalë të buta dhe të njerëzishme.”42 Te Vazhduesi i Jan Skilices43 përmendet se Devolli ka qenë një qendër e rëndësishme në shekullin X (e. s.) dhe ka pasur patric dhe prokonsull Theognost Vurcin.

Po me këtë emërtim e përmend dhe Pukëvili, i cili, kur përshkruan rrugën e lumit Eribea, thotë se ky lumë që buron nga malet Kandavian, pasi kalon nën fshatin Helmës (fshat që ndodhet dhe sot në rrethin e Skraparit), “… bashkohet me ηsumin që rrjedh pesë lega në malin Slobokoe, maja më e lartë e maleve Deabolis, tani Devoll”44

Te Ana Komnena45 përmendet shpesh si emërtim qyteti: “Perandori (Aleksi I), duke ngritur kampin e tij rrëzë ngushticave dhe në Deaboli, pengonte ata që kishin ndërmend të kalonin tek ψoemundi…” (VII, Lib.XIII, 196-206). Po sipas Ana Komnenës, ky qytet ndodhej rrëzë rrugëve të pakalueshme, gjë që e vërtetojnë dhe një sërë rrënojash me mure të larta që kanë qenë në fshatra dhe vende të krahinës së Devollit.

Në fakt, problemi i përcaktimit të vendndodhjes së këtij qyteti është mjaft i ndërlikuar. Duke nisur që nga Ptolemeu, ky qytet mbetet i papërcaktuar, përderisa dhe shtrirja e fisit të eordejve buzë këtij lumi nuk dihet me saktësi. Dihet vetëm që ky fis zinte vend në jug të lynkestëve, të cilët gjendeshin në lindje të enkelejve, përtej liqeneve të Ohrit dhe të Prespës. Duke iu referuar toponimisë, disa studiues e vendosin këtë qytet në fshatin e sotëm Zvezdë, në juglindje të Korçës. Ky fakt ka dalë nga jetëshkrimi i peshkopit Mihal të Devollit në fillim të shekullit XII. Në të thuhet se qyteti i Devollit është quajtur Selasforos “dritëmbajtës”. Sipas studimeve të Th. Kacorrit, këtë e vërtetojnë dhe disa mbishkrime bullgare të periudhës bizantine. Në librin e Jordan Ivanovit gjendet shënimi: “u ndërtua dhe u pikturua ky tempulli i Zotit i nderuar prej të gjithë shenjtorëve kryepeshkopit të Kostandinopojës, Grigor it, folës i zoti, me ndihmën dhe shpenzimet e peshkopit të përndriturtë Devollit- Selasforit…”46

Fragment nga mbishkrimi47

Ndërsa në librin “Prespa”, të botuar më 1923 në Sofie, shkruhet për peshkopatën e Selasforit si peshkopatë më vete dhe në faqen 84 tregohet për kishën e Shën Akilit, e cila kishte marrë këtë emër nga Samuili, mbret bullgar në vitet 980-1014. Brenda absisës së kishës janë shkruar në greqisht emrat e 18 peshkopatave, midis tyre dhe Selasfori48.

Fragment nga emërtimet e peshkopatave49

Këtë fakt e përmend dhe W. M. Liku, i cili thotë: “Peshkopi i Deabolisit (në pjesën e Shqipërisë që sot quhet Devoll), i ftoi nga Italia frankët dhe ata përbënin një pjesë të po atyre normanëve, të cilët pas pak kohësh u sollën shumë shqetësime perandorëve grekë.”50

Burimet tregimtare nga studiuesi J. G. Hani tregojnë se në shekullin IX, me përhapjen e fiseve maqedono-bullgare, kjo trevë ku lulëzoi dhe qyteti i hershëm mesjetar Selasfor-Devoll përfshihej në krahinën e quajtur Kutmiçevica.51 Në Kodikun e Korçës dhe Selasforit, në një dokument të vitit 1677, thuhet se: “Kodiku i Mitropolisë së Shenjtë të Korçës dhe Selasforit, në kohën që ishte ekzark dhe patrik shumë i lumturi dhe shumë i dituri arkipeshkop i Justinianës Parë të Ohrit zoti Partheni nga Korça; iu bë dhuratë shpirtërore prej tij mitropolisë së shenjtë.”
Po ashtu, emërtimin Devoll i Sipërm dhe dhe Devoll i Poshtëm e hasim në testamentin e Andrea Muzakës52.

Po cila mund të jetë etimologjia e këtij emri? Për këtë duhet t‟u referohemi trajtave fonetike që paraqet ky emër në rrjedhën e kohës dhe ligjësive që kanë vepruar në gjuhën shqipe për të arritur në trajtën e sotme fonetike.

Në hartën e Ptolemeut trajta fonetike e emrit është “ΔȒβοȜȓα” dhe përmendet për herë të parë si qytet. Trajta fonetike e Ptolemeut është mjaft e ngjashme nga përbërja tingullore me trajtën e sotme. Jireçek53 thekson se ky është një emërtim qyteti, i cili, më pas i ka kaluar lumit, por transkriptimi i emërtimit të Ptolemeut është jo i saktë, përderisa në atë kohë /β/ e greqishtes ishte kthyer me kohë në /v/. 54

Sipas Mlladenovit55 toponimi fillimisht mund të ketë qenë substrat hidronimi me rrënjë trakase Dev-ula (dheë-ula), me kuptimin “rrjedh”. Por nga ana tjetër, sipas Vojnikovit56 toponimi mund të jetë me burim nga protobullgarishtja (gjuhë ugro-fine), duke e lidhur këtë me semantikë paralele me iranishten deëo-diëol me kuptimin “mur”, për analogji dhe me rrënjën indoevropiane të trakishtes dava-deva (fortesë, qytet). Studiuesi A. Majer, duke mbështetur tezën e kalimit të emërtimit të këtij qyteti që ndodhej në Ilirinë Jugore, pranë lumit me të njëjtin emër (që sipas tij e kishte marrë nga qyteti i lartpërmendur), pranon një ndërmjetësi të sllavishtes së vjetër Devolb57.

Selishçevi58, po ashtu, pranon se emri i lumit vjen nga emri i qytetit të përmendur nga Ptolemeu dhe e rendit atë midis emrave të lumenjve të mëdhenj të Shqipërisë që sllavët i morën “… nga popullsia që gjetën aty ose në viset fqinjë”. Ai shton se “…në burimet bizantine lumi dhe qyteti ΔȒβοȜ jepen kështu: ΔȒβοȜις; IJȒȞ ΔȒβοȜιȞ; IJȒ ΔȒβοȜιȞ”, pa përmendur ndonjë ndërmjetësi sllave lidhur me të. Ndërkohë, kur ai bën fjalë për reflektimin e /ł/ në disa toponime sllave si Bellovoda, Gllava, ai përmend dhe DeȦoll-DeȦoł, duke nënkuptuar kështu këtë ndërmjetësi sllave. Në dëshmitë e Ana Komnenës hasim një devijim semantik ku trajta fonetike (ποIJαȝİος ΔȒβοȜİος) jepet si flumen Diaboli- lumi i Djallit.

Duke iu referuar historianit që ka jetuar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Kostandin Jireçek, Th. Kacorri vë në dukje se në leksionet e tij të mbetura në dorëshkrim me titull “Thema e Durrësit”, vetëm sa thotë se Devolli i lartpërmendur që në shekullin XII(Selasfor) ndodhet në Korçë që më 1490.59 Nëse e vërejmë me kujdes emërtimin në dorëshkrim,Jireçeku vë shenjën e barazimit midis fjalës Lucifer, që është përkthimi latinisht i Selasfor, dhe Diaboli dhe Debol, duke u bazuar ndoshta në këtë lloj devijimi semantik që është bërë qysh në dëshmitë e Ana Komnenës. Një shpjegim i tillë do t‟i shkonte për shtat karakterit të rrëmbyeshëm të këtij lumi, i cili buronte nga malet dhe përmbyste tokat e krahinës.

Fragment nga dorëshkrimi i leksionit të Kostandin Jireçek60

Te V. Kamsi hasim një sërë trajtash fonetike të përmendura gjatë Mesjetës, si: Deaboli, Deabolis, Deebu (1273), Deavois, Dievolis, Euali (1351, 1367), Drevale, Jevali (1360, 1363),

60 Fragmenti është marrë nga Th. Kacorri, Mbishkrime sllavo-bullgare në ndihmë të historisë shqiptare, Tempulli, I, Korçë, 2000, f. 30.

Dievali (1344, 1347, 1359), Devoli (1380)61. Ky studiues e vendos këtë si emërtim të një skele tregtare në lumin Seman. Faktin që banorët e sotëm e përdorin emërtimin topik Dell për shtratin e tharë të lumit, i cili ndodhet afër brigjeve të Semanit, e shpjegon si një kalim fonetik Deabolis> Deebolis> Deell> Dell, duke theksuar se ka një rënie të mbylltores b, pra një zgjatje të zanores në trup të fjalës, rrjedhim i natyrshëm për gjuhën shqipe.62 Për E. Çabejin emri Devoll i përket shtresës parasllave, bashkë me emrat e Matit dhe të Bunës.63 Ai thekson se në gjuhët e lashta të Ballkanit, që vijnë ngushtësisht të afërta me shqipen, ky toponim i trevës ilire jugore lidhet me numërorin dy në trajtën fonetike di (ΔιβοȜȓα -me burim nga ilirishtja).

Nëse shohim emërtimin si me burim vendës, grek, latin apo sllav, së pari duhet gjetur vjetërsia e këtij emërtimi për të përcaktuar më pas se çfarë ligjësish fonetike kanë vepruar deri në trajtën e sotme. Si qytet, Devolli përmendet që në shekullin II e. s., më pas krijohet një shkëputje dhe ai përmendet rreth shekullit XIII. Pushtimi turk e ka gjetur plotësisht të shkatërruar këtë qytet. Lidhur me idenë e emërtimit të Devollit si “lumi i djallit”, fjala djall është me burim të diskutuar. Fakti që Devolli është një qytet jo fort i lashtë, sipas Thumbit, mund të lidhet me futjen e kësij emri si huazim i greqishtes së vjetër i marrë pas epokës latine, ndërkohë që G.Majeri, Pederseni e Mikloshiçi janë për një rrjedhojë nga latinishtja.64

Duke u nisur nga pohimi i Selishçevit se sllavët e morën emrin nga popullsia që gjetën, mund të arrihet në përfundimin se kjo popullsi duhet të ketë folur ilirisht, latinisht ose greqisht. Sipas Sh. Demirajt, nëse do kishim një popullsi që mund të ketë folur greqisht, grupi /li/ vështirë të ketë dhënë /ł/.

Po sipas tij, po t‟i përmbaheshim tezës se në këto territore përdorej latinishtja, grupi /li/ s‟mund të ketë dhënë /ł/. Ndërkohë, në gjuhët sllave, ky grup nuk mund të gjendet para zanoreve të përparme /i/, /e/, /j/. 65

Gjithashtu, në gjuhët sllavo-jugore, në pozicion fundor /l/ alveolare apikale ka dhënë ose bashkëtingëllore të lëngët /lj/, si tipar i protosllavishtes, ku /l/ para një zanoreje të përparme shqiptohet “e butë”, ose bashkëtingëllore të fortë /l/, e ndjekur nga një zanore e prapme. Sipas këtij arsyetimi, ky emërtim nuk mund të jetë me ndërmjetësi sllave, aq më tepër kur në fjalët e trashëguara dhe huazimet latine, /l/, në pozicion ndërzanor, ka dhënë rregullisht /ł/ dhe kur është ndodhur para zanoreve të përparme (molinum> mulli, oliva> ulli)66.

Ruajtja e bashkëtingëllores /v/ ndërmjet dy zanoreve përligjet nga fakti që ky emërtim ka zëvendësuar një emërtim më të vjetër, por jo që t‟i përkasë greqishtes së vjetër, si rrjedhim, bashkëtingëlloret e zëshme ndërzanore janë ruajtur.
Gjithsesi, megjithë përpjekjet e shumta që janë bërë për shpjegimin e etimologjisë së këtij toponimi, si dhe faktit që trajta e vjetër ka ngjashmëri të madhe fonetike me trajtën e sotme, emërtimi Devoll tregon për një qëndrueshmëri të theksuar gjuhësore, e cila mund të ketë ardhur qoftë si rrjedhim i një vazhdimësie të së njëjtës popullsie në këto territore, qoftë si rrjedhim i ruajtjes së gjendjes së vjetër të të folmes, sidomos në zonat malore, të cilat kanë prirje të theksuar ndaj konservacionit gjuhësor, pavarësisht lëvizjeve të mëdha migratore.

Fakti që ende nuk dihet me saktësi vendndodhja e qytetit të vjetër të Devollit (afër qytetit të Korçës, në fshatin Mborje, në Zvezdë apo në zonën ku sot shtrihet krahina e Devollit) lë të hapur mundësinë e hulumtimeve të dëshmive dhe burimeve historike. Megjithatë, duhet vënë në dukje se e gjithë krahina ka qenë nga më të zhvilluarat në trojet shqiptare, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu dhe nga pikëpamja kulturore. Si e tillë, ajo ka lënë gjurmët e saj në traditat dhe historinë shqiptare, është studiuar për veçoritë e saj etnofolklorike, por ende përbën një krahinë me interes për studimin e dukurive që lidhen me veçoritë e të folmes së saj.
Edhe punimi që po paraqesim si tezë doktorate është një përpjekje për të nxjerrë më në pah disa nga veçoritë gjuhësore dhe etnofolklorike që lidhen ngushtë me historinë, kulturën dhe
mënyrën e jetesës të kësaj krahine.

2. E FOLMJA E DEVOLLIT BRENDA NDARJES DIALEKTORE TË SHQIPES

2.1 E folmja e Devollit si pjesë e toskërishtes veriore

2.1 E folmja e Devollit si pjesë e toskërishtes veriore

2.1 E folmja e Devollit si pjesë e toskërishtes veriore

Dialektet, si kategori historike, kanë lindur në kushte të caktuara të zhvillimit të shoqërisë. Ato kanë pësuar dhe pësojnë ndryshime në rrjedhë të kohës. Këto ndryshime kanë qenë të pranishme qysh në kohë të hershme, por gjurmët e tyre treten në vite. Ato mund të zbulohen vetëm në dëshmi të shkruara të dialekteve, si dhe në veprimin e ligjësive të brendshme të zhvillimit fonetik dhe gramatikor të tyre. Sot, në të folmet e shqipes, në një vështrim diakronik të dialekteve në përgjithësi dhe të të folmeve në veçanti, dallojmë kryesisht tipare që kanë lindur gjatë mesjetës dhe një numër të vogël tiparesh që vijnë prej periudhës së vonë antike.

Tiparet dalluese më të hershme janë ato që ndajnë dy dialektet dhe kanë shtrirje të plotë në territoret përkatëse të secilit dialekt.Vetëm ndonjë tipar i hershëm haset në grupe të folmesh me territore shumë të kufizuara. Tiparet dalluese më të reja u përkasin dy, tre apo katër shekujve të fundit dhe kanë shtrirje të ndryshme gjeografike. Disa prej këtyre tipareve, duke u përhapur, janë bërë tipare të një dialekti duke iu mbishtresuar tipareve dalluese të hershme, por pa arritur të marrin të gjitha të njëjtën shtrirje të plotë në truallin e dialektit të tyre. Disa prej tyre kanë marrë një shtrirje më të kufizuar, por njëkohësisht kanë kapërcyer kufijtë gjeografikë për shkaqe të ndryshme. Kështu, këto tipare të veçanta, janë bërë tipare dhe për disa të folme të dialektit tjetër.
Dy sistemet e mëdha dialektore shqipe ndahen në Veri dhe në Jug të Shqipërisë. Kufiri i përafërt gjeografik i ndarjes së këtyre dialekteve është lumi Shkumbin. Në të djathtë të këtij lumi shtrihet dialekti geg, ndërsa në të majtë ai tosk.

Theksojmë se Shkumbini është kufi i përafërt gjeografik, sepse midis dy dialekteve, më tepër përgjatë krahut të majtë të Shkumbinit, janë formuar disa të folme kalimtare me përzierje të tipareve të qenësishme të toskërishtes e të gegërishtes. Në disa nga këto të folme, si shtrat është toskërishtja e, në disa të tjera, gegërishtja. E. Çabej thekson se: “Në pikëpamje gjuhësore nuk vihet re kurrkund ndonjë kufi: midis dy dialekteve shtrihet nga perëndimi në lindje, ku më i gjerë e ku më i ngushtë, një brez ligjërimesh kalimtare, në të cilat dalin krah për krah tipare të toskërishtes dhe të gegërishtes.”67

G. Hani68 është i pari që ka bërë një ndarje të dialekteve mbi bazën e ndarjes territoriale të Shqipërisë në antikitet, në mbretërinë e Ilirisë dhe në atë të Epirit. Duke iu referuar një shënimi të Strabonit69 ai thekson se Shkumbini është kufi territorial si për ndarjen krahinore dhe për atë dialektore. Kjo ndarje territoriale, e cila përkon me periudhën e vonë antike, shpie në përfundimin se ndarja dialektore ka filluar të bëhet në atë kohë. Sipas të dhënave historike, një shpjegim i tillë do t‟i binte ndesh faktit se Epiri arrinte në Veri deri te bregu i majtë i Vjosës dhe përfshinte një territor tepër të ngushë në krahasim me atë të toskërishtes së sotme.

Harta 1. Shtrirja e territoreve ilire70

G. Majeri, duke pasur parasysh shqipen që flitet në Greqi, e sheh ndarjen dialektore në një periudhë më të vonë.71 Duke u shtyrë përpara në kohë, në shekujt I-IV të erës sonë, mund të përqasen territoret e disa ndarjeve të tjera dialektore. Kështu, të folmet e gegërishtes jugore dhe ato të toskërishtes veriore shtrihen sot në territorin e provincës Makedonia (shek. I-III e.s.) dhe Epiri i Ri (shek. IV-VI e.s.)72.

Dialektet, si degëzime gjuhësore të lidhura me ndarjen territoriale, lidhen ngushtë dhe me një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me kulturën shpirtërore dhe materiale të këtyre territoreve. Në qoftë se dialektet vështrohen dhe trajtohen thjesht dhe vetëm nga pikëpamja gjuhësore, nuk mund të përvijonim një pamje të plotë të ngjashmërive dhe dallimeve ndërmjet tyre. Janë kushtet historike, shtrirja gjeografike e tyre, një sërë rrethanash etnografike që lidhen ngushtë me mënyrën e jetesës, shijet, besimet pagane e fetare, marrëdhëniet me kulturat e fqinjëve të së njëjtës kombësi, por dhe të popujve që flasin gjuhë të ndryshme në kufi me ta, të cilat kanë ndikuar në një diferencim të dukshëm të dialekteve të shqipes.

Duhet theksuar se dallimet dialektore në gjuhën shqipe janë të tilla që nuk ndikojnë në të kuptuarit e ndërsjellë të përdoruesve të dialekteve përkatëse, ndryshe nga mendimi i shprehur nga J. G. Hani se: “Toskë dhe gegë nuk merren vesht shoq me shoq, ose me shumë zor në qoftë se nuk e dijnë dialektin e huej dhe u duhet disa kohë sa ta mësojnë.”73

Sipas J. Gjinarit: “Ndryshimet që ka pësuar gjuha shqipe gjatë zhvillimit të vet nëpër territore të ndryshme nuk kanë çuar në krijimin e varianteve dialektore me dallime shumë të thella, ndryshe nga ajo që ka ndodhur në disa gjuhë të tjera të Evropës”.74
Shkalla e madhe e njësisë që përshkon tejendanë dialektet e gjuhës shqipe nuk shfaqet vetëm nëpërmjet tipareve që janë krejtësisht të përbashkëta nga forma dhe nga përmbajtja (d.m.th. si nga shprehja tingullore dhe struktura ashtu dhe nga ana funksionale), por ajo duket dhe më shumë në tiparet dalluese që janë shfaqur në vijën e prejardhjes së gjuhës dhe në shfaqjet e saj në planin sinkronik.
Duke e parë të folmen e Devollit në lidhje me tiparet e përbashkëta ndërmjet dy dialekteve, vihet re se në këtë të folme shfaqet, në rrafshin fonetik, sistemi i njëjtë i fonemave zanore të shkurtra gojore dhe bërthama e njëjë e sistemit të fonemave bashkëtingëllore.

Në vijë diakronike fondi i lashtë, i trashëguar nga indoevropianishtja, në rrafshin fonetik shfaqet në reflekset th[Θ] , dh[ð] dhe d si dhe të grykoreve qiellzore k‟, g‟, në reflekset s, z të grykoreve labiovelare kw gw të ndjekura nga i dhe e, në refleksin a të o-së së shkurtër, në monoftongimin e diftongjeve si dhe në reduktimin e shumë grupeve të bashkëtingëlloreve.75 Ky njësim i përshkon dialektet edhe në zhvillimet e brendshme që ka pësuar shqipja pas fazës indoevropiane. Kjo duket te prirja e përbashkët e të dy dialekeve në reduktimin e zanoreve në rrokje të patheksuar (në të folmen e Devollit vihet re në reduktimin e ë-së patheksuar në disa pozicione), në theksin dinamik dhe rregullimin mekanik të theksit (i dallueshëm në të folmen e Devollit te disa huazime turke), në diftongimin e zanoreve në rrokje që mbyllen nga një bashkëtingëllore e tingullt (fton> ftua, del> diell, fel> fyell), në ndërrimin fonetik a> e (metafonia) (dal-del, mar-mer).

Në rrafshin morfologjik, tiparet e përbashkëta lidhen me krijimin e kundërvënies gramatikore trajtë e shquar//trajtë e pashquar, strukturën e formimit të përemrave pronorë, e ardhmja me do+ lidhore, trajtimi i njëjtë i elementeve të huazuara nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja e turqishtja.

Dukuri më të reja si qiellzorëzimi i grykoreve pas zanoreve i dhe e (miki> miq, zogi> zogj), bashkë me këto dhe zhvillimi i grupeve kl dhe gl në q dhe gj përfshihen në zhvillimet e mëvonshme që i përkasin kryesisht periudhës mesjetare. Gjithsesi, duhet vënë në dukje se disa shekuj më parë (deri në shekullin XV kur u shfaqën shkrimet e para të shqipes), pavarësisht ndarjes së dialekteve, nga studimi i autorëve të vjetër shqiptarë, në disa prej dukurive gjuhësore vihen re më shumë pika të përbashkëta sesa dallime.76 Këto pika të përbashkëta pasqyrohen dhe në gjendjen e sotme të dialektit, sidomos në të folmen e Devollit. Ky njësim gjuhësor ka shkuar krah për krah me njësimin shpirtëror dhe kulturën materiale (guna, fustanella, vallja me përmbajtje plastike, tipi asimetrik i valles, trehapshi i dyzuar). Megjithë ndarjen territoriale të mënyrës së të kënduarit (homofonia në veri të Shkumbinit dhe polifonia në jug të tij), shtrirja e polifonisë në një territor shumë të gjerë, si në Kalabri, Sicili e deri në Kaukaz, tregon për një shtrirje të hershme të kësaj dukurie në të gjitha viset mesdhetare. I parë në këto lidhje, veçimi i dialektit jugor të shqipes që në kohë relativisht të hershme u shtohet të dhënave të toponimisë, arkeologjisë, historisë dhe etnografisë për një shtresëzim vendës të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre në trojet e sotme.

Gjithsesi, midis ligjërimeve toske dhe gege, ka një varg dallimesh, të cilat, përfshijnë, ku më shumë e ku më pak, të gjitha sistemet dhe nënsistemet e gjuhës. Sigurisht, dialektet dallohen në një sërë tiparesh të qenësishme, të cilat kanë shtrirje të caktuar gjeografike. Këto tipare shtrihen kryesisht në rrafshin fonetik dhe leksikor, por nuk mungojnë dhe në sisteme të tjera të gjuhës.

Përsa u përket dallimeve dialektore në rrafshin fonetik, e folmja e Devollit, si pjesë e toskërishtes, shfaq një sërë tiparesh që lidhen kryesisht me sistemin e fonemave zanore dhe më pak me sistemin e fonemave bashkëtingëllore.

Këto tipare duken në:
1)Mungesën e serisë së zanoreve hundore në këtë të folme. Kështu, në të folmen e Devollit mungon kundërvënia zanore hundor e//zanore gojore, që është tipar karakteristik i gegërishtes. E folmja e Devollit ka vetëm shtatë zanore gojore.
2)Në të folmen e Devollit ruhet mjaft qartë zanorja ë në serinë e zanoreve të theksuara, ndërkohë që në gegërishte asaj i përgjigjet një â hundore (bënj-bâj, lëmë- lâmi, tënde-tâne, lëndë-lâ:n). Prania e zanores ë në gjuhën shqipe është një dukuri ballkanike (ajo është e pranishme dhe në rumanishte dhe bullgarishte), e cila shfaqet në të dy dialektet, por me zhvillime të ndryshme.77 Ndërkohë që në dialektin geg ajo del vetëm në rrokje të patheksuar ku pëson reduktim deri në rënie të plotë, në dialektin tosk ajo del si në rrokje të patheksuar dhe në rrokje të theksuar. Në rrokje të patheksuar zanorja ë del në pozicion paratheksor (lëpjetë, lëçoj, i lëmpitë) dhe në pozicion pastheksor, kryesisht në pozicion fundor78. Rëgjimi zanores ë është një dukuri që ka përfshirë dhe dialektin e jugut, përkatësisht dhe të folmen e Devollit, ndërsa në rrokje të theksuar ajo gjendet vetëm në toskërishte dhe në këtë të folme dallohet qartë (bënj, llagëm, gjilpërë, tërë). Gjuhësisht, lindja e zanores ë të toskërishtes, sipas J. Gjinarit79, shpjegohet me shndërrimin e â-së hundore si një zanore e prapme e buzorëzuar nëpërmjet humbjes së tiparit të hundorësisë dhe buzorëzimit, duke u ruajtur si një zanore më qendrore se a-ja dhe pak më e mbyllur.

Vetë fakti që sot areali i zanores ë shtrihet në jug të Shqipërisë deri në lumin Shkumbin, ku fillon areali i â-së hundore të gegërishtes, mund të na çojë në përfundimin se areali i kësaj zanoreje shtrihej në një zonë më të gjerë se e ajo e sotmja, që nga brigjet e Adriatikut dhe të Jonit e deri në brendësi të Gadishullit të Ballkanit, çka vërtetohet dhe me faktin që një ë e tipit të toskërishtes gjendet dhe në rumanishte dhe bullgarishte, dy gjuhë të degëve të ndryshme, por me nënshtrat të hershëm nga gjuhë dhe dialekte të Ballkanit.

3) Në të folmen e Devollit mungon plotësisht kundërvënia zanore të gjata//zanore të shkurtra, që ëshë tipar i të folmeve të dialektit geg. Në këtë të folme janë karakteristike zanoret e shkurtra dhe të mesme.

4) Diftongut ṷe të gegërishtes i përgjigjet ṷa e toskërishtes (lṷej-lṷanj, e dṷe-e dṷa).80

5) Grupit nistor vo- të gegërishtes, në toskërishte i përgjigjet grupi va- (vojin-vajnë e kandiles, votrën-e ndezi vatrën, vorr-var etj.).

6) Në të folmen e Devolli, është mjaft i dallueshëm rotacizmi i n-së ndërzanore (freri, verën, lakrat, vura, bëra). Në lidhje me rotacizmin, nyjëtimi i labërguar i n-së ndërzanore kaloi fillimisht si variant i bashkëtingëllores n e më pas në dridhësen e tingullt r81. Rotacizmi ka përfshirë fjalët e vjetra anase (emër, zëri), disa huazime nga greqishja e vjetër (lakër), si dhe disa huazime nga latinishtja (mulliri)82. Fakti që rotacizmi nuk ka vepruar më vonë duket në disa huazime turke, si: inat, iman, lanet, këna etj.

7) Në toskërishte, përkatësisht në të folmen e Devollit, ruhen mjaft qartë grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj, ndërkohë që në gegërishte ato janë asimiluar në bashkëtingëlloren hundore përkatëse83. Fakti që këto grupe në shqipen paraletrare shfaqen në veprat e atyre që u quajtën shkrimtarë të Veriut (Buzuku, Bogdani,Budi), arsyetimi se ata i shkruan shpërthyeset pas hundoreve jo thjesht duke ndjekur një traditë shkrimi, por ato kanë qenë të pranishme dhe në të folmet e këtyre krahinave që i përfshinte gegërishtja, është logjik. Kjo na çon në përfundimin e E. Çabejt, që dallimet kryesore dialektore i përkasin kryesisht periudhës së Mesjetës84.

8) Po ashtu, ruhet qartë bashkëtingëllorja nj, si në pozicion ndërzanor (lanja, fshinja ), ashtu dhe në pozicion fundor (ftonj, rëminj), kurse në gegërishte ajo ëshë kthyer në j.85

9) Në gegërishte, për një numër huazimesh, kryesisht nga turqishtja, ka ndodhur rregullimi mekanik i theksit (pra nga fjalë me theks fundor janë bërë me theks parafundor), ndërsa në toskërishte ato kanë ruajtur theksin fundor të gjuhës nga janë huazuar.86

Për lashtësinë e këtyre tipareve dalluese dialektore, të cilat ndajnë dy dialektet, nisur nga historia e brendshme e shqipes dhe nga gjurmët e marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera, mund të vihet në dukje se procesi i kalimit të â-së hundore në ë si dhe rotacizmi, ishin duke përfunduar andej nga fundi i periudhës antike, duke u përcaktuar si dy nga dallimet më të hershme midis dy dialekteve. Brenda shqipes kjo zbulohet nga fakti se këto procese kanë përfshirë fjalë të fondit vendës të shqipes dhe fjalë të huazuara nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por nuk ndihet në në fjalët e huazuara më vonë nga sllavishtja, greqishtja e mesme dhe e re, nga gjuhët neolatine dhe turqishtja. Këto dy veçori thelbësore, tregojnë diferencimin nga pikëpamja etnografike (kryesisht me dukuritë që lidhen me mënyrën e të kënduarit, polifoninë dhe homofoninë) të këtyre zonave, Toskërisë dhe Gegërisë.

Në sitemin morfologjik, në të folmen e Devollit, tiparet më të dallueshme përfshijnë kryesisht kategori të caktuara gramatikore të emrave dhe më tepër të foljeve. Te këto tipare përfshihen si dallime të plota, ashtu dhe të pjesshme.

Në lidhje me dallimet e plota, në inventarin e formave dhe kategorive gramatikore mund të përmenden:

1) Kategoria gramatikore e numrit shumës të disa emrave, të cilët në gegërishte dalin me prapashtesën trajtëformuese -a, në toskërishte dalin me -ë (doktora-doktorë,demela-dembelë), me -e (aure, puse, zjare). Megjithatë, mund të theksohet se kjo-

84 E. Çabej, Për historinë e konsonatizmit të gjuhës shqiptare, Studime gjuhësore III, Prishtinë, 1976. f. 35-37.
85 Këtë dukuri e ka vënë në dukje J. Gjinari, si dukuri të izoluar në Progër, por ne e kemi hasur dhe në fshatra të tjerë
(“Mbi të folmen e Devollit”, BUSSH, nr. 4, 1960, f.109)
86 Megjithatë në të folmen e Devollit vihen re të dyja dukuritë, shih më gjerë në sythin 3.3.1 të këtij punimi.

-dukuri nuk përbën një tipar binar mungesor për këtë dialekt, sepse, po në të folmen e Devollit, gjenden emra që e formojnë shumësin me -a.
2) Përdorimi i numërorit tre për gjininë mashkullore dhe tri për gjininë femërore, formë që gjendet dhe në gegërishten jugore (kam tri ditë ktu).

3) Në toskërishten veriore, përkatësisht në të folmen e Devollit, mungojnë mbiemrat e formuar me prapashtesën -shëm të cilët tregojnë mundësi, aftësi (të tipit i punueshëm, i lexueshëm, i besueshëm)87. Për më tepër, në këtë të folme edhe mbiemrat e këtij tipi që kanë hyrë nëpërmjet ndikimit të gjuhës standarde, pësojnë ndryshime fonetike që lidhen me tiparet fonetike karakteristike për këtë të folme, duke shmangur shqiptimin e togut zanor ue apo ye (i besushmë, i shkëlqyshmë).

4) Në toskërishten veriore, përkatësisht në të folmen e Devollit, mungojnë përemrat dëftorë të përngjitur të tipit nj‟ai, qeky, karakteristikë për gegërishten.

5) Po ashtu, mungojnë format e mbipërbëra të foljeve, të cilat janë karakteristike për gegërishten (kam pas shkue).
Përsa u përket dallimeve të pjesshme, ato vihen re kryesisht në një sërë tiparesh gramatikore, të cilat lidhen kryesisht me emrin dhe me foljen dhe më pak me pjesët e tjera të ligjëratës. Këto dallime janë të pakta në numër dhe e folmja e Devollit paraqet disa forma tepruese (pra në këtë të folme ka një formë më tepër).

1) Në lidhje me gjininë e emrave midis dy dialekteve nuk ka dallime strukturore, por në toskërishte ruhet në forma të ngurosura (në frazeologji) ose jo gjinia asnjanëse e disa emrave që tregojnë lëndë (ngjesh brumët, u sos grurët, gjalpët dë lakr ort, ujët e jazit), ndërsa në gegërishte këta emra paraqiten kryesisht si mashkullorë (ujti, gjalpi etj.).

2) Po ashtu, emrat që mbarojnë me grykoret k, g, h, në gegërisht trajtën e shquar e bëjnë me mbaresën -i, kurse në toskërishte ata marrin mbaresën -u (kra (h)-u, zog-u,mik-u).

87 Duhet theksuar se në gjendjen e sotme të dialektit këta lloj mbiemrash kanë zënë vend si rrjedhim i ndikimit të gjuhës standarde, mjeteve të informimit masiv dhe lëvizjeve të mëdha të popullsisë. Megjithatë, dhe në këtë rast, në të folmen e Devollit kemi forma fonetike të ndryshme nga ato të gegërishtes, që vijnë si rrjedhim i proceseve të caktuara fonetike.

3) Në toskërishte ruhet mirë prapashtesa e shumësit të emrave me -nj, (ullinj, shkëmbinj, stapinj, aganj, shkopinj etj.), ndërsa në gegërishte kjo dukuri shfaqet kryesisht me prapashtesën -j ose me –na.

4) Përsa i përket kategorisë gramatikore të rasës, në toskërishte, më saktësisht në të folmen e Devollit, është e pranishme ende e ashtuquajtura rasë vendore me parafjalët përkatëse (bë diellt, dëpër lumt, d‟aurt).

5) Në rasën kallëzore, mbaresa -n (ë) i ngjitet drejtpërdrejt temës (takova kushërinë- kushëririn, mullinë e kishnë hapur-mullirin).

6) Në toskërishte mungon përemri pronor i vet, e vet i pranishëm në gegërishte. Këtë funksion e mbulon pronori i vetës së tretë i tij, e saj dhe në format e emërzuara (shkoj dë punë të tij, e kishte të sajnë).

7) Vihet re përdorimi i rasës dhanore të përemrave të vetës së parë dhe të dytë shumës për rasën emërore dhe kallëzore (ne-neve, ju-yve) (neve na kër kuanë, yve a rthtë)

Që nga koha e formimit të dialekteve me tiparet e tyre të veçanta (rreth shekujve V-VIII), në territorin shqiptar ndodhën procese të ndryshme historike që lidhen kryesisht me shpërbërjen e rendit fisnor, madje dhe në brendësi të territorit. Kuptohet që, në zonat malore, ky proces vazhdoi më gjatë. Shthurja e këtij sistemi solli me vete zhvillimin e sistemeve të bashkësive fshatare. Zhvillimi ekonomik dhe administrimi i një sërë bashkësive fshatare me afërsi gjeografike çoi në formimin e krahinave. Deri në shekullin X bashkësitë shqiptare bien në kontakt me bashkësitë sllave. Dyndjet bullgare të shekujve V dhe VI sollën ngushtime të territoreve shqiptare, po ashtu dhe zhvendosje të mëdha të popullsisë. Ndërkohë kjo është një nga periudhat kur në këto territore kemi lëvizje të mëdha të popullsisë për shkak të dyndjeve masive sllave përgjatë luginës së lumit Devoll. Diku andej nga shekulli VI, grupet të veçanta sllavësh u vendosën në lartësitë përgjatë këtij lumi, të cilat nuk u organizuan në bashkësi kompakte.

88 Aty-këtu, në zona të caktuara, u krijuan ishuj me banorë që flisnin gjuhë sllave, kryesisht në disa fshatra të Korçës e të Devollit. Nuk është ende e qartë nëse në këta ishuj mbeti popullsi e ardhur, nëse kjo popullsi u asimilua nga ata që erdhën apo nga ata që ishin. Udhëtari i famshëm anglez Ë. Martin-Leak (Lik) i cili ka kaluar në krahinën e Devollit, thekson: “Në lindje të Korçës është Devolli, që në historinë bizantine përmendet me emrin Deabolis dhe si i ba nuar prej shqiptarëve.

Aty është qyteti Biklisht (Bilishti i sotëm) i cili në zanafillën e vet ka qenë një koloni bullgarësh.”89.

E vërteta është se në të folmen e Devollit ka mjaft huzime sllave, si: leksikore, gramatikore dhe onomastike që u përkasin periudhave të ndryshme, shumë syresh shumë të vjetra e ende të pashpjeguara90.
Këto fakte e bëjnë të vështirë të përcaktohet me saktësi periudha e saktë e ndarjes së dialekteve, ndërkohë që lëvizjet e mëdha të popullsisë i kanë përzier më tepër veçoritë gjuhësore.

Fakti që në shqipen paraletrare pasqyrohen dukuri që i kanë veçori si gegërishtja dhe toskërishtja, tregon që këto dy dialekte, përveçse kanë një bazë të përbashkët, janë degëzuar në një periudhë pak a shumë të vonë (në periudhën e Mesjetës, shekulli XV).

2.2 E folmja e Devollit në grupin lindor të toskërishtes veriore

2.2 E folmja e Devollit në grupin lindor të toskërishtes veriore

2.2 E folmja e Devollit në grupin lindor të toskërishtes veriore

Nën termin historiko-gjeografik “Toskëri Veriore”, përfshihen të folmet që fliten mbi Vjosë, ku hyjnë të folmet e Beratit me rrethinat, Myzeqesë, të krahinës së Skraparit, të folmet e qarkut të Korçës (Gorë-Opari, fusha e Korçës, Devolli, Pogradeci, Kolonja, Leskoviku), të krahinës së Dangëllisë, të Shqerisë, si dhe të Tepelenës toske (që ndodhet në të djathtë të
Vjosës)91

Harta 2. Shtrirja gjeografike e Toskërisë Veriore

Emërtimi “toskë” ka shënuar qysh herët pjesën më veriore të shqiptarëve të jugut, ndërsa “gegë” pjesën më jugore të shqiptarëve të veriut.92 Zgjerimi i emërtimit “toskë” për një territor më të gjerë në jug u krye shkallë-shkallë. Pikërisht, këtu merr rëndësi fakti që në dokumentet mesjetare dalin shumë emra fisesh, por nuk dalin këto të dyja që sot janë kryesore.
Duke iu referuar J. G. Hanit, emërtimi “toskë” 93, në dallim me “gegë”, përdorej për gjithë shqiptarët e Jugut, por kjo vetëm për gegët dhe për fqinjët e tjerë të Shqipërisë së Jugut, sepse në këtë kahinë ky emërtim kishte një kuptim shumë më të ngushtë.
Ë. M. Liku, në veprën e tij “Researsh in Greece”, toskët i përfshin në territoret që nga kodrat e Durrësit deri në Berat dhe Vlorë dhe në anën lindore, gjithë malet deri në krahinën e Korçës. Kështu, ai veçon labët dhe çamët.94

Në ndarjen e të folmeve të toskërishtes veriore që ka bërë J. Gjinari, nën termin “Toskëri” ka përfshirë gjithë Jugun e Shqipërisë (nga Shkumbini drejt viseve jugore), por thekson se Toskëria Veriore dhe të folmet e saj përfshijnë territoret midis lumenjve Shkumbin dhe Vjosë, atë që dikur e quanin si Toskëria e vërtetë.95 Në ndonjë krahinë, toskërishtja veriore shtrihet dhe më në jug të Toskërisë së vërtetë, matanë Vjosës, duke përfshirë qytetin e Vlorës si dhe fshatrat e saj veriore dhe verilindore (deri te vija Radhimë-Dukat).

Harta 3. Shtrirja gjeografike e toskërishtes veriore

Duke qenë se të folmet e dialektit jugor kanë qenë më njësuara se ato të gegërishtes, dallimet midis këtyre të folmeve kanë që më të pakta.

Në grupimin që u ka bërë J. Gjinari këtyre të folmeve, theksohet se ato janë studiuar hershëm dhe për to është mbledhur një material i pasur dialektologjik. Kjo dëshmohet sidomos nga punimet e hershme në fushën e dialektologjisë, duke përmendur punimet për të folmen e Devollit të V. Xhaçkës dhe J. Gjinarit, e sidomos dhe lëndën e shumtë etnofolklorike e frazeologjike të mbledhur nga studiues të folklorit dhe të gjuhësisë. Për më tepër, kjo e folme dëshmohet nëpërmjet toskërishtes letrare së shkruar.
Duke i parë në tërësinë e tipareve të përgjithshme, të folmet e toskërishtes veriore paraqesin dallimet më të mëdha me toskërishten jugore në fushën e fonetikës dhe morfologjisë.

2.2.1 Dallimet në rrafshin fonetik

1) Në të gjitha të folmet e këtij nëndialekti ka vetëm zanore të gjatësisë së shkurtër ose të mesme. Në të gjithë të folmen e Devollit nyjëtohen vetëm zanore të shkurtra gojore. Ndërsa në disa të folme të toskërishtes jugore (sidomos në të folmet e Bregdetit dhe të Kurveleshit) dhe në çamërishte, zanoret e gjata ndihen edhe sot.

2) Ë-ja e theksuar (këmba, nepërka, kënga, mënga, lëngu) ndryshon si timbër nga varianet e saj në labërishte dhe në çamërishte. Ajo i afrohet më tepër një e-je të hapur (madje në folës të veçantë, të cilët nuk kanë lëvizur nga fshati i tyre, ky tingull dëgjohet plotësisht si /ɛ/ e hapur)96. Zanorja ë e kësaj të folmeje është gjegjëse gojore e â-së hundore të gegërishtes.

3) Në sistemin vokalik janë të shtatë zanoret themelore, d. m. th. përfshihet dhe zanorja y, e cila në të folmet jugore të toskërishtes mungon fare. Megjithatë, për këtë zanore vihen re dukuritë e përftimit të saj nëpërmjet qiellzorzimit të u-së apo buzorëzimit të i-së (gjyrmë, pyperka, pyper).

4) Përveç disa trevave anësore, diftongu ṷa ruhet në të gjitha pozicionet, ndërkohë që në të folme të tjera të toskërishte jugore është zbërthyer në togzanor97, ndërsa në gegërishte shfaqet me variantin ṷe. Devolli, si një trevë skajshmërisht lindore, e ka të ruajtur mjaft mirë këtë diftong dhe në pozicion fundor në rrokje të hapur (dṷa -dṷanë, ftṷa-ftonjtë etj.).

5) Po ashtu, në të folmet e toskërishtes veriore, posaçërisht në të folmen e Devollit, diftongjet e mirëfillta ose jo, ié dhe yé, që vijnë nga zbërthimi i një e-je të theksuar, janë ruajtur mjaft mirë (mjell, fyell), ndërkohë që në gegërishte ato janë monoftonguar.

96 Kjo dukuri është vënë re dhe në materialin dialektologjik të mbledhur nga banorë të moshës së re në fshatrat Sul, Vranisht, Braçanj, të cilët ishin rreth moshës 18- vjeç dhe nuk kishin vazhduar shkollën e mesme. Gjithashtu, dhe nga subjekte të tjerë të kësaj moshe, të cilët shkollën e mesme e kishin kryer brenda krahinës së tyre.
97 Kjo dukuri ka veçori të caktuara në të folmen e Devollit, të cilat trajtohen në sythin 3.2.3 të këtij punimi.

6) Ruhet mirë bashkëtingëllorja hundore qiellzore -nj si mbaresë foljore e kohës së tashme dhe të pakryer në foljet e zgjedhimit të parë të tipit: lanj, bluanj, punonj, lëronj.98 Në të folmet e toskërishtes verore, dhe pikërisht në të folmen e Devollit, ku vazhdon të ruhet forma foljore me -nj. Kjo duket sidomos në kohën e pakryer të dëftores, ku pas –nj së temës vjen mbaresa e foljes (punonja, flinja, anja, rëminja, lëvrinja, nakatosnja ).

7) Po në këto të folme të këtij grupimi vihet re shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme fundore ose para të shurdhëtave (zok, i math, bakti etj.).

2.2.2 Dallimet në rrafshin morfologjik

1) Në të folmet e toskërishtes veriore është e pranishme rregullisht e ashtuquajtura “rasë vendore” (dë gropët, nëpër lumt, dëpër Devollt, bë diell), rasë e cila gjendet dhe në disa të folme të gegërishtes jugore.

2) Në raport me labërishten dhe çamërishten, që kanë ruajtur format e vjetra të së pakryerës, me ndryshime të vogla fonetike, në të folmet e toskërishtes veriore ka një larmi më të madhe formash, si rrjedhim i ndryshimeve morfologjike në të folme të ndryshme (lanja, por dhe laja).

3) Në të pakryerën e foljeve kam dhe jam të folmet e toskërishtes veriore dalin me variantet kisha dhe isha, ndërsa në Jug janë ruajtur format e vjetra: keshë, jeshë etj.
Pozicioni i krahinës së Devollit në anën jugore të Shkumbinit, e bën të folmen e saj pjesë të dialektit tosk. Kjo e folme shtrihet në fshatrat përgjatë dy krahëve të lumit Devoll, duke filluar nga burimet e tij në malin e fshatit Nikolicë e deri në Cangonj, ku ndahet si kufi me rrethin e Korçës.

Kjo e folme, ashtu si dhe dialekti tosk në tërësi, ka tipare të përbashkëta me dialektin geg, në veçanti me të folme të veçanta të saj, por, nga ana tjetër, paraqet tipare karakteristike që e
përfshijnë në grupin lindor të të folmeve të toskërishtes veriore.

98 Duhet theksuar se kjo dukuri ka kufizimin e vet brenda toskërishtes veriore. Kështu në Pogradec, fushën e Korçës si dhe në të folmet e Tepelenës toske vihen re format foljore me –j, madje dhe brenda të folmes së Devollit (p.sh. në Progër, Vranisht, Pilur etj.).

Harta 4. Shtrirja territoriale e të folmeve të toskërishtes veriore

Në të folmet e toskërishtes veriore dallohen dy grupime të mëdha të folmesh: grupi perëndimor dhe ai lindor. Për shkak të pozicionit gjeografik, e folmja e Devollit bën pjesë në krahun lindor të të folmeve të toskërishtes veriore. Territoret ku shtrihen këto të folme kanë qenë pjesë e njësive administrative të ndyshme, pak a shumë të veçuara nga njëra-tjetra. Kështu, të folmet perëndimore, si kufij territorialë, kanë qenë pjesë e sanxhakut të Vlorës dhe Beratit, kurse të folmet lindore kanë qenë në varësinë e sanxhakut e Ohrit dhe të Selasforit. Para pushtimit turk këto grupime ndaheshin pikërisht aty ku mbaronin zotërimet e Muzakajve.99 Sot, me ndarjet administrative në qarqe, grupimi perëndimor bën pjesë në qarkun e Beratit dhe atë të Fierit dhe të folmet lindore përfshihen në qarkun e Korçës. Megjithatë, brenda këtij grupimi të folmesh lindore, e folmja e Devollit është më e veçantë dhe më interesante, si nga pikëpamja e ruajtjes së gjendjes së vjetër të gjuhës, ashtu dhe nga pikëpamja e dukurive të veçanta gjuhësore që janë zhvilluar në këtë të folme. Ajo paraqet karakteristika të dallueshme dhe për faktin se ajo është
skajore dhe nga pikëpamja territoriale.

Në grupimin e të folmeve lindore, e folmja e Devollit ka karakteristika të përbashkëta të të gjithë grupit në rrafshin fonetik dhe morfologjik. Këto karakteristika vihen re në disa drejtime:

1) Kështu, është karakteristike dukuria e pranisë së një e–je të theksuar që në gegërishte i përgjigjet një e hundore (zemra, vendi, embri). Por kjo dukuri vihet re dhe në të folmet e grupit perëndimor100. Kjo nuk përjashton disa raste të rralla në të cilat e-ja hundore është zhvilluar në ë (na more mëntë) si në pjesën më të madhe të të folmeve të grupit jugor.

2) Diftongu ṷa ruhet në të gjitha pozicionet, madje dhe në rrokje fundore të hapur. Kjo dukuri vihet re dhe në të folmet e grupit jugor dhe perëndimor101. Megjithatë, karakteristikat e diftongjeve në këto të folme janë të ndryshme nga grupi lindor. Ndërsa në grupin perëndimor zanorja rrokjeformuese e diftongut a është një a e prapme e buzorëzuar (kryesisht në të folmet e Myzeqesë, Beratit dhe Mallakastrës), në të folmen e Devollit kjo zanore është plotësisht e hapur, ndërkohë që, në dallim me të gjitha grupimet e të folmeve të tjera të toskërishtes veriore, diftongjet gjenden edhe në rrokje fundore të hapur.

3) Përemrat pronorë të vetës së parë në rasat e zhdrejta dalin me dy trajta, (djali tim-djali tem, çupa ime-çupa teme). Në këtë rast dallohen përkimet dhe me të folmet gege për të cilat kjo formë është mbizotëruese. Në grupet e tjera të të folmeve të toskërishtes veriore nuk hasen trajta të tilla pronori.
Po te përemrat pronorë të vetës së parë dhe të dytë (ku prona është shumës dhe pronari njëjës), trajtat e rasave të zhdrejta janë shtrirë për analogji dhe te pronorët e vetës së parë dhe të dytë, ku prona dhe pronari është njëjës (djali tim-djemtë tim, çupa time-çupat time, djali tënd-djemtë tënd etj.).

4) Përermri vetor i vetës së tretë njëjës dhe përemri dëftor njëjës që tregon frymor ose send në largësi ai paraqitet në trajtën ay. Kjo dukuri del në të folmen e Korçës dhe rrethinave të saj, si dhe në të folmen e Devollit.

5) Ndryshe nga të folme të jera të Jugut, foljet, në vetën e dytë njëjës të kohës e tashme dhe të pakryer, në diatezat pësore dhe vetvetore dalin me mbaresat –esh, -eshe (lodhesh- lodhshe, ziresh-zireshe, laesh-lashe etj.)102.

6) Foljet me temë në zanore, në kohën e kryer të thjeshtë, në vetën e tretë të numrit njëjës marrin bashkëtingëlloren anihiatizuese –v- në dy vetat e para (punovi, pivi, lavi, fshivi, lërovi).

7) Foljet me temë në bashkëtingëllore, në tri vetat e shumësit të kohës së kryer të thjeshtë, dalin zakonisht me mbaresat -më, -të, -në (qepmë, qeptë, qepnë).

8) Në kohën e pakryer, si foljet me temë në zanore dhe në ato me temë në bashkëtingëllore, në tri vetat e njëjësit, kanë mbaresat -nja, -nje, -te (nte). Këtu, përgjithësisht del në pah karakteristika e të folmes së Devollit si e folme lindore e toskërishtes veriore, sepse në këtë të folme ruhet qartë -nj, si pjesë e mbaresës foljore.

9) Foljet e zgjedhimit III, IV, në vetën e dytë të njëjës të kohës së tashme të mënyrës lidhore, dalin me mbaresën –sh, në ndryshim nga të folmet e tjera të Jugut që mbarojnë me –ç103 (të lash, të punosh, të ash).

10) Përgjithësisht, si parashtesa që u japin foljeve kuptim të kundërt, në të folmen e Devollit dalin, x, ç dhe xh (xhvesh, çkarkon, çkul, xbërthenj etj.). Shurdhimi i këtyre parashtesave nuk përkon me asnjë të folme të toskërishtes veriore.104

11) Kanë përhapje të madhe prapashtesat zvogëluese dhe përkëdhelëse me burim nga sllavishtja, si: -kë,-çkë, -ckë (çupkë, njëckë, jamaçkë etj.). Në të folmet e grupit perëndimor prapashtesa zvogëluese është -z(ë) dhe shumë më pak prapashtesa zvogëluese -th. Gjithsesi, dhe në të folmen e Devollit nuk mungojnë dhe fjalë me këto lloj prapashtesash (cazë, njëzë, atythi etj.).
Përkimet më të mëdha ky grup i ka me të folmet juglindore, por, përsa i përket të folmes së Devollit, mund të theksojmë se ka veçori të tilla që e karakterizojnë atë dhe brenda grupit lindor të toskërishtes veriore. Këtu mund të vëmë në dukje tipare të tilla, si: ruajtja e ë-së paratheksore-

102 Në të folmen e Devolli kemi hasur dhe format lodhçe, zirçe për të cilat mendojmë se janë rrjedhojë e afrikimit të sh-së dhe jo mbaresë e veçantë.
103 Në të folme si labërishtja dhe çamërishtja këto forma janë të zakonshme (Q. Haxhihasani, Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Çamërisë, Dialektologjia shqiptare I, Tiranë, 1971, f. 183; M. Totoni, Vëzhgime rreth të folmeve të Kurveleshit, Dialektologjia shqiptare I, Tiranë, 1971, f. 73). Megjithatë, dhe në të folmen e banorëve të brezit të vjetër të Devollit si dhe në materialin folklorik të mbledhur nga K. Zdruli në Devollin e Sipërm i kemi hasur trajta me –ç, si: të laç, të gjeç etj.
104 Në të folmet jugore të toskërishtes veriore dalin format me zh.

-në shumë fjalë (në dallim nga të folmet e Korçës dhe rrethinave të saj105), ruajtja e diftongjeve në të gjitha pozicionet (në të folmen e Strelcës të krahinës së Gorës dhe në fushën e Korçës janë zbërthyer në togzanor, sidomos në rrokje fundore të hapur106, ruajtja deri vonë i grupeve kl dhe gl, vazhdimësia e grupeve lg dhe lk etj.).

Pavarësisht përkimeve dhe dallimeve me grupet e tjera të të folmeve të toskërishtes veriore, e folmja e Devollit, për shkak të pozitës gjeografike, ka karakteristika të tilla që ndodhen vetëm në këtë të folme dhe jo në të folme të tjera.
Studimi i të folmeve të toskërishtes veriore ka një rëndësi të veçantë sepse ato janë pasqyruar gjerësisht në toskërishten e shkruar, në raport me të folmet e tjera jugore.107

2.3 Bashkëpërkimet me gegërishten jugore

2.3 Bashkëpërkimet me gegërishten jugore

2.3 Bashkëpërkimet me gegërishten jugore

Të folmet e toskërishtes veriore kanë një sërë përkimesh me gegërishten jugore. Pozicioni gjeografik i territoreve ku fliten këto folme është pranë me territoret ku përdoret gegërishtja jugore. Historia e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy bashkësive gjuhësore të ndryshme lidhet me marrëdhëniet tregtare, kulturore dhe afërsia territoriale me krahinat e Shqipërisë së Mesme. Duhet theksuar se këto marrëdhënie, në kohë dhe territore të ndryshme, kanë qenë të ndryshme, si rrjedhim dhe ndikimet gjuhësore janë me shtrirje të ndryshme.

Edhe pse krahina e Devollit, nga pikëpamja e grupimit të të folmeve përbën veçori brenda grupit lindor të toskërishtes veriore, kjo nuk e ka penguar të ketë ndikimet e saj në gegërishten jugore dhe anasjelltas.

Nga pikëpamja gjeografike, toskërishtja veriore dhe gegërishtja jugore shtrihen në një zonë relativisht të gjerë dhe të banuar qysh herët nga një popullsi me dendësi të lartë. Këto dy zona shtrihen në brezin ndërmjet lumenjve Vjosë dhe Shkumbin, brez që përfshin gjithë Shqipërinë e Mesme dhe zonat veriore të Shqipërisë Jugore. Relievi i kësaj zone vjen duke u ngritur në lartësi nga perëndimi në lindje, nga ultësira deri në territore të thyera malore. Luginat e lumenjve u kanë dhënë mundësi të mira komunikimi këtyre zonave që në antikitet, sepse përgjatë tyre ka kaluar rruga Egnatia me degët e saj që niseshin që nga Durrësi dhe Apollonia. Historikisht, në këto territore ka pasur qendra të zhvilluara nga pikëpamja ekonomike dhe social-kulturore. Një pjesë e territoreve që shtihen në brigjet jugore të Shkumbinit, qysh para pushtimit turk bënin pjesë në pronat feudale që e kishin qendrën e tyre në veri të Shkumbinit108. Ngulimet e Arvanitasve shtriheshin deri në Mokër.

Gjatë pushtimit turk, pjesa më e madhe e qarkut të Korçës bënte pjesë në sanxhakun e Ohrit. Devollin e përfshinte kazaja e Korçës, ndërsa pjesa jugperëndimore e tij në kazanë e Kosturit. Të gjitha territoret të quajtuara “Devolli i Poshtëm” dhe “Devolli i Sipërm” ishin në zotërim të Muzakajve. Në testamentin e Muzakajve thuhet shprehimisht se zot Andrea Muzaka “…gjithashtu zotëron dhe qeveris gjithë krahinën e Devollit të Epërm. Duhet shënuar që këtu ndodhet një vend që e quajnë Voskop, i cili është shkatërruar. Ai gjithashtu zotëron dhe qeveris gjithë qytetin e Korçës deri në fshatin e quajtur Sovjan…Ai gjithashtu zotëron dhe qeveris gjithë krahinën e Devollit të Poshtëm deri në Nestramo, qytet i cili është i shkatërruar .”109 Zotërimet e Devollit deri në Kostur i mbetën trashëgim djalit të tretë të Muzakajve, Teodorit të Stojës.

Banorët e Devollit, historikisht, kanë pasur lidhje të hershme tregtare me krahinat e tjera të Shqipërisë, sepse luginat e Devollit, Drinit, Shkumbinit, Osumit dhe Vjosës përbënin arteriet kryesore të mallrave që në periudhën e shteteve ilire (shek. III-II p. e. s.), Këto rrugë tregtare vazhduan deri vonë. Lëvizjet e mëdha të popullsisë, afërsia gjeografike, komunikimi midis qendrave të rëndësishme ekonomike dhe kulturore të përmendura më sipër sollën si rrjedhim që në të folmet e gegërishtes jugore dhe të toskërishtes veriore të ketë përkime të plota apo të pjesshme, të cilat shfaqen në rrafshe të ndryshme gjuhësore.
Në të folmen e Devollit përkimet me gegërishten jugore vihen re më tepër në morfologji dhe më pak në rrafshin fonetik.

Përkimet më të shpeshta janë:

1) Dukuria e reduktimit të ë-së së theksuar. Kjo dukuri ka përkime të pjesshme dhe vihet re në pozita paratheksore dhe pastheksore. Reduktimi sasior i ë-së së theksuar vihet re në fjalë proklitike të cilat mbarojnë me zanoren ë dhe fjala e theksuar pas saj fillon me një zanore apo me bashkëtingëlloren h (d‟arët, d‟aurt, i thiri mb‟embrë); në fjalë ku ë-ja ndodhet në pozicion një rrokje të hapur nistore (vllaj-vëllai, ktu-këtu, kshu-kështu); në fjalë ku ë-ja ndodhet në pozicion paratheksor (bakti, puntor, plotsoj). Në raste të tjera procesi i reduktimit të ë-së së theksuar është në fillimet e veta.

2) Një përkim i plotë me gegërishten veriore është ekzistenca e së ashtuquajturës “rasë vendore”, e cila sot haset vetëm në toskërishten veriore, përkatësisht në të folmen e Devollit (bë diellt, dënë të, d‟ηçisht);

3) Një veçori e përbashkët midis toskërishtes veriore dhe gegërishtes jugore që gjendet në të folmen e Devollit është dhe përdorimi i pronorëve përkatës për gjininë mashkullore dhe në gjininë femërore në rasat e zhdrejta (tat-tate, tënd-tënde). Në të dy folmet mbaresa e gjinisë është mjeti gramatikor i dallimit të dy formave;

4) Dukuri që mbulon pothuaj gjithë Toskërinë Veriore dhe Shqipërinë e Mesme është dhe ajo e formimit të emrave abstraktë nga emërzimi i mbiemrave prejpjesorë (e vrara-e vramja, e lara-e lamja, e kënduara-e kënduemja);

5) Në togfjalëshat, të cilat si gjymtyrë kryesore kanë një emër në rasën kallëzore të paraprirë nga parafjalët në, mbi, nëpër, për, me, dhe si gjymtyrë të varur një emër në rasën gjinore ose një mbiemër të nyjshëm, si në gegërishten jugore dhe në toskërishten veriore, përkatësisht në të folmen e Devollit, gjymtyra e varur e togfjalëshit e ruan nyjën përkatëse (dë fushën e lëruarë; vajtmë bë shtëpinë e Fotinisë; për bajramnë e voglë; me pogaçen e dasmës etj.). Në toskërishten jugore nyja bie fare ose kthehet në të.

Por, në disa raste vihen re disa përkime që kanë të bëjnë jo me të gjitha të folmet e toskërishtes veriore, por vetëm me disa prej tyre. Këtu mund të vëmë në dukje disa tipare të përbashkëta midis gegërishtes jugore dhe të folmes së Devollit në veçanti.

1) Në përgjithësi, në toskërishte, është ruajtur theksi fundor i huazimeve turke, ndërsa në të folmen e Devollit hasim si fjalë me theks fundor (abllá, xha xhá, pará, kafé, ashllamá, mertepé), ashtu dhe fjalë turke me theks parafundor (xhézve, qófte, shamátë, shíshe);

2) Në të folmen e Devollit vihet re dukuria e buzorëzimit të i-së para ose pas tingujve buzorë, dukuri që është e zakonshme në të folmet e Shqipërisë së Mesme (krypë- krypenicë, pyperkë). Në fakt, J. Gjinari këtë dukuri e përmend vetëm për të folmet e Beratit dhe të Myzeqesë110, por kjo dukuri vihet re në të gjithë fshatrat e Devollit ku është
mbledhur materiali ynë dialektologjik. Duhet theksuar se buzorëzimi i i-së në y nuk është shtrirë në të gjitha fjalët ku i ndodhet para ose pas një tingulli buzor, siç ndodh rëndom në të folmet e Shqipërisë së Mesme (fr ykë, qylym, krymb). Kështu, mund të arrijmë në përfundimin se te këto fjalë, procesi i buzorëzimit mund të jetë zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe jo si një ndikim i gegërishtes jugore.

3) Ashtu si në gegërishte, edhe në të folmen e Devollit vihet re dukuria e shndërrimit të ë-së së patheksuar në i përpara një rrokjeje të theksuar, megjithëse është dukuri më e kufizuar në raport me të folmet perëndimore të toskërishtes veriore (gjilpëra, livezhga, ginjeshtrë, njindizaj, të trashigohesh etj.). Kjo dukuri ka ndodhur më tepër kur zanorja ë është ndodhur më tepër pranë një bashkëtingëlloreje qiellzore.

4) Në të folmen e Devollit, bashkëtingëllorja laringale h nuk ndihet në asnjë pozicion, ndërkohë që në të folme të tjera (kryesisht në Shqipërinë e Mesme, si dhe në disa të folme të toskërishtes veriore si ajo e Myzeqesë) kjo bashkëtingëllore është shndërruar në buzore-dhëmboren f (i ngroft, me vefte). Në të folmen e Devollit, një refleks i tillë haset vetëm te fjalët llaftari-llaftaris-i llaftarisur, atfernaj etj.

5) Në të folmen e Devollit ndihet ndikimi i gegërishtes jugore në përdorimin e trajtës së pronorit tem-teme, krahas tim-time të përemrit pronor të vetës së parë, ku prona dhe pronari janë në numrin njëjës në rasat gjinore, dhanore e kallëzore (i djalit tem, djalit tem, djalën tem-i çupës teme, çupës teme, çupën teme etj.).

6) Në të folmen e fshatit Progër, por dhe në fshatrat Vranisht e Bitinckë, krahas mbaresës -nj për foljet me temë në zanore, hasen dhe format me mbaresën -j (lanj-la j, lëronj-lëroj, thanj-thaj).

7) Format pësore-vetvetore të foljeve në vetën e parë dhe të dytë njëjës, si në të folmen e Devollit dhe në gegërishten jugore, janë pa h (laesh, aesh), edhe ndërmjet dy zanoreve te disa folje hyjnë bashkëtingëlloret j dhe r kundër hiatit (ziresh, krijesh).

8) Në të folmen e Devollit hasen përkime dhe në format e shumësit të së kryerës së thjeshtë, në të cilat mbaresat -më, -të, -në të folmeve që mbarojnë me bashkëtingëllore u përgjigjen mbaresat -me, -te, -ne të të folmeve të gegërishtes veriperëndimore (khs. lithmë-lithtë- lithnë me lidhme-lidhte-lidhne). Mbaresat -më, -të, -në në toskërishten veriore janë më të hershme nga pikëpamja kronologjike.

9) Një dukuri interesante vihet re në përkimin e përdorimit të nyjës e dhe jo të në mbiemra me funksion predikativ. Kjo dukuri është shtrirë në të gjitha të folmet e fshatrave të Devollit, kryesisht në ligjërimin e brezit të mesëm dhe të vjetër (e ka gja knë e ëmbël; e ka vërnë e ngushtë; e ka viçnë e voglë).

Edhe toskërishtja veriore ka ndikuar te gegërishtja jugore. Këto ndikime duken në në disa drejtime:

1) Grupet kl dhe gl, si në toskërishten veriore dhe në gegërishten jugore, kanë dhënë përkatësisht q dhe gj111 (qumësht, gjuhë). E. Çabej sjell dëshmi të shqipes së shkruar në të cilat faktohet që këto grupe “…i ka folur gjithë lëma gjuhësore e shqipes…”112. Ruajtja e këtyre grupeve në të folmet e Çamërisë dhe në të folmen e Devollit kanë mbetur si gjurmë të fundit të një gjendjeje fonetike të hershme të gjuhës. Te këto të folme ka dallime thelbësore në zhvillimin e këtyre grupeve të bashkëtingëlloreve. Ndërsa në gegërishten veriore ka pasur një zhvillim të shkallëshkallshëm nga kl> kj dhe gl> gi (klumësht-kjumësht-qumësht, klaj-kjaj-qaj, gluri-giuri-gjuri), në toskërishten jugore ruhen më tepër format e vjetra me gl dhe kl (çamërishtja i ruan dhe sot grupet kl dhe gl, gluri, glëmp, klishë etj.). Në toskërishten veriore, këto grupe, në shembujt e përmendur më sipër, janë zhvilluar drejt qiellzoreve mbylltore q dhe g. Por, në fjalë ë tjera, si: klyçi, klisha, të cilat ruhen në të folmet lindore të toskërishtes veriore (të folmet e fshatrave Sinicë, Qytezë, Bradvicë, Grapshi etj. deri diku dhe në Hoçisht) te grupi kl nuk ka ndodhur asimilim i anësores sonante l në mesoren qiellzore j dhe më pas në qiellzoren mbylltore të shurdhët q. Kështu, grupi kl nuk është zhvilluar drejt qiellzores q, por ka mbetur në grykoren k. Përsa u përket fjalëve që kanë pasur grupin gl, mund të vëmë në dukje se në të folmen e Devoll kalimi gl> gj nuk dëshmohet të jetë bërë në mënyrë të shkallëshkallshme nëpërmjet asimilimit, por format me mbylltoren qiellzore gj janë bërë menjëherë.113

2) Në të folmen e Devollit ende ruhen grupet lk, lg, lj, të cilat janë më të pranishme kryesisht në toskërishten jugore114 (alkë, ulk, balgë-balgore), ndërkohë që në gegërishte këto grupe u asimiliuan në j dhe rënie të plotë të saj (ujk-uk, formë që haset te antroponimet gege). Asimilimi i këtyre grupeve, të cilat dikur kanë qenë të mbarë shqipes, u zhvillua në rrugë të ndryshme dhe kjo solli dhe diferencimin dialektor nga pikëpamja fonetike.

3) Po ashtu, bashkëtingëlloret qiellzore q dhe gj nuk afrikohen si në të folmet e gegërishtes veriore (qafë, gjak), një tipar mjaft i dallueshëm në të folmet e gegërishtes në përgjithësi.

4) Një dukuri mjaft e pranishme në gegërishten jugore që vjen si ndikim i toskërishtes veriore është dhe shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalëve (zok- zoq, i math, i lik etj.).

5) Në disa të folme lindore të gegërishte (Dibër) dhe në të folmen e Shestanit ruhen ende format e vjetra me -nj të foljeve në të pakryerën (dinja, lëronja)115, ashtu si gjenden dhe në të folmen e Devollit.

6) Te format e së kryerës së thjeshtë, format sigmatike të foljeve në mënyrën lidhore e dëshirore që hasen pothuaj në të gjitha të folmet e toskërishtes veriore, janë të pranishme dhe te të folmet e Shqipërisë së Mesme (por, në të folmen e Devollit, krahas përdorimit të formave të formave sigmatike të së kryerës së thjeshtë, hasen, madje, dhe format e vjetra me –ç, si: arçë, lënça, të punoç, të mësoç etj.)116.

Pohimi i J. Gjinarit se në anën lindore pikat më të mëdha të takimit vihen re në rrafshin morfologjik, mund të vërtetohet me të dhënat dialektore nga e folmja e Devollit, pavarësisht se në grupimin e të folmeve të toskërishtes veriore, kjo e folme dallon nga një sërë tiparesh që i ka vetëm ajo117.

Gjithashtu, duhet theksuar se e folmja e Devollit, nga pikëpamja e ruajtjes së formave fonetike dhe gramatikore është konservative. Në të ruhen një sërë tiparesh që dikur kanë qenë të mbarë shqipes, por në të folme të tjera kanë pësuar ndryshime të theksuara. Ndërkohë që format më origjinale ruhen kryesisht në zonat më jugore dhe më lindore të vendit (grupet kl, gl, grupet lg, lk, nj-ja fundore si mjet gramatikor) vërteton pohimin se ka një njësi më të madhe të të folmeve të toskërishtes.

Megjithatë, duhet vënë në dukje se rrethanat dhe kushtet historiko-shoqërore kanë bërë një lloj përzjerje të të folmeve apo ndryshime brenda vetë të folmeve. Nërkaq, deri në periudhën e Mesjetës e diçka më vonë mbaruan së vepruari një sërë ligjesh fonetike, ndikimet e dialekteve dhe të folmeve te njëra-tjetra vinin si rrjedhim i shpërnguljeve të popullsisë për verimin dhe dimërimin e bagëtive, i lidhjeve tregtare të qendrave të zhvilluara, kryesisht vetëm në disa qytete, si rrjedhim i emigracionit dhe pushtimeve të gjata, ndërsa sot veprojnë rrethana të tjera.

E folmja e Devollit ka pësuar ndryshime nën veprimin e gjuhës standarde e sidomos asaj të shkruar, e lëvizjeve të mëdha të popullsisë për shkak të punësimit në zona të tjera industriale apo bujqësore, si në veri dhe në jug të Shqipërisë, e ndryshimeve të thella shoqërore në arsimimin e popullsisë. Në kushtet e sotme lëvizjet e mëdha migratore, tashmë jo në formën e kurbetit, por në formën e lëvizjeve familjare, zbrazja e pjesshme apo e plotë e fshatrave të tërë, trysnia e gjuhëve të “modës” etj., ka sjellë me vete zhdukjen dhe reduktimin e disa tipareve të vjetra dialektore, si dhe një përzierje të madhe të elementeve dialektore me forma të reja gjuhësore, shpesh dhe jo fort të përshtatshme me shqipen. Në këtë mënyrë, po bëhet gjithmonë e më i vështirë hulumtimi dhe mbledhja e dëshmive gjuhësore dialektore si dhe studimi i këtyre dëshmive në mënyrë të izoluar. Të dhënat e një rindërtimi të brendshëm të kësaj të folmeje në kuadrin e historisë së shqipes dhe dialekteve të saj tregojnë se, përveç një substrati vendës, në të folmen e Devollit nuk kanë munguar ndikimet nga gjuhët fqinjë me të cilat kjo krahinë historikisht ka qenë në kufi, por, njëkohësisht, dhe me ato gjuhë të cilat kanë lënë gjurmë në të për shkak të rrethanave të caktuara historike.

3. TIPARE DHE DUKURI FONETIKE TË TË FOLMES SË DEVOLLIT

3.1 Vështrim i përgjithshëm për sistemin tingullor të të folmes së Devollit

3.1 Vështrim i përgjithshëm për sistemin tingullor të të folmes së Devollit

3.1 Vështrim i përgjithshëm për sistemin tingullor të të folmes së Devollit

Për të paraqitur tiparet e përgjithshme fonetike të një të folmeje, del e nevojshme që këto dallime të shihen nga pikëpamja strukturore dhe funksionale. Duke u bazuar në këto dy kritere, dallimet në sistemin fonetik të të folmes së Devollit ndahen në tri grupe të mëdha:
• Dallimet fonologjike (dallime në inventarin e fonemave, në sistemin e fonemave dhe në funksionin e tyre) që prekin sistemin fonologjik të të folmeve.
• Dallimet fonetike që lidhen me realizimin e varianteve fonetike në kushte të caktuara fonetike.
• Dallimet në përbërjen fonematike të së njëjtës fjalë, që lidhen me ndryshimet fonematike që mund të ketë pësuar një fjalë në rrjedhën e kohës, ndryshime që pasqyrohen dhe sot dhe dallon të folmet nga njëra-tjetra.
Sistemi tingullor i të folmes së Devollit përbëhet nga shtatë zanore, ose fonema themelore:

/i/, /y/, /e/, /ë/, /a/, /u/, /o/ dhe prej njëzet e shtatë bashkëtingëlloreve /p/, /t/, /c/, /ç/, /q/, /k/, /f/,

/th/, /s/, /sh/, /b/, /d/, /x/, /xh/, /gj/, /g/, /v/, /dh/, /z/, /zh/, /m/, /n/, /nj/, /l/, /ll/, /r/, /j/.118

Përsa u përket fonemave zanore të të folmes së Devollit, siç vihet në dukje dhe nga disa gjuhëtarë, inventari i tyre është i njëjtë me atë të gjuhës letrare dhe të pjesës më të madhe së arealit kryesor të toskërishtes veriore. Duke u nisur nga klasifikimi i të dhënave dialektore, zanoret e theksuara të kësaj të folmeje bëjnë pjesë në arealin e dytë, i cili ka një shtrirje mjaft të gjerë dhe përmbledh të folmet e Myzeqesë, Mallakastrës, qytetit të Vlorës, fshatrave përreth Mifolit dhe Selenicës, të folmen e Beratit dhe Skraparit, të Tepelenës dhe të anës së djathtë të Vjosës, të zonës së Oparit, Mokrës, Gorës, Korçës, të zonës së Prespës në Maqedoni, të Kolonjës, Përmetit, Zagorisë, Lunxhërisë, si dhe të folmet kalimtare të Lushnjës, Sulovës,Vërçës.119 Këto zanore realizohen si fonema zanore të shkurtra gojore.

Fig. 1. Zanoret patheksuara të të folmes së Devollit

[quote_right]ĭ y ŭ ĕ ë ŏ ă[/quote_right][quote_left]i y u ɛəo a [/quote_left]
Për nga inventari i zanoreve të patheksuara, e folmja e Devollit bën pjesë në arealin e parë, me inventar të plotë prej shtatë zanoresh, ku hyjnë dhe pjesa më e madhe e të folmeve të të dy dialekteve.

Fig. 2. Zanoret e theksuara të të folmes së Devollit

i y u e ë o a

Nga pikëpamja e varianteve fonetike, dallojmë variantet fonetike absolute dhe ato të kushtëzuara. Të parat nuk varen nga kushtet fonetike të fonemës në një fjalë, ndërsa të dytat janë të kushtëzuara, d.m.th., nyjëtohen në variante të ndryshme për shkak të ndikimit të tingujve fqinjë dhe pozicionit që zënë në fjalë.

Variantet fonetike absolute. Në të folmen e Devollit zanoret e ngritjes së mesme (e, ë, o), realizohen në variante më të mbyllura se në zona të tjera të toskërishtes. Fonema ë, nga bartësit e vjetër të gjuhës, nyjëtohet disi më e buzorëzuar dhe më e prapme, ndërsa në raport me të folmet e tjera të toskërishtes, ajo nyjëtohet më e përparme (ashtu si dhe në Myzeqe dhe Berat). Kjo zanore, si e theksuar, është karakteristike vetëm për toskërishten120.

120 J. Gjinari thekson se kjo zanore shihet në raport me zanoren ë të patheksuar, e cila gjendet në të gjtha të folmet
(J. Gjinari, Gj. Shkurtaj, Dialektologjia , SHBLU, Tiranë, 2003, f. 184).

Variantet fonetike të kushtëzuara. Përgjithësht këto variante dalin në të folmet e dialektit verior, por, në të folmen e Devollit, dalin variante të kushtëzuara te togjet e zanoreve ua, ye, ie. Këto grupe zanoresh në këtë të folme nyjëtohen si diftongje në rrokje të mbyllur në çdo pozicion të fjalës (duártë, djéllën) apo në në rrokje të hapur vetëm në mes të fjalës (i përziérë, guáckë, kuáçkë) si në të gjitha të folmet e toskërishtes, por realizohen si diftongje dhe në rrokje të hapur fundore (djé, kurískṷa, u rrëfyé, agáj etj.).

Po t‟u referohemi dallimeve në përbërjen fonematike të fjalës, në ndryshim nga pjesa më e madhe e të folmeve të toskërishtes si dhe në tërë dialektin geg, ë-ja fundore e patheksuar ruhet dhe shqiptohet mirë (bukë, pulë, djathë). Kjo zanore, kur ndodhet një rrokje larg theksit, ka raste që shndërrohet në i (ginjéshtrë, fingjíll).
Po ashtu, ruhet qartë dhe shqiptohet mirë dhe zanorja y, duke u dalluar mirë nga toskërishtja jugore, ku kjo fonemë është kthyer në i. Por, njëherazi, vihet re që kjo zanore, në disa raste, është përftuar si variant i kushtëzuar fonematik, nga qiellzorëzimi i zanores u (lyes> lues> lves> vles).

I vetmi dallim i pakushtëzuar në përbërjen fonematike të fjalës vihet re në ruajtjen e e-së në ato fjalë ku në gegërishte kemi një e-hundore (zemër, dhen, brenda etj.).

Duke u nisur nga veçoritë nyjëtimore, akustike dhe funksionale të zanoreve të dialektit të Devollit, mund të vihet në dukje se sistemi vokalik i kësaj të folmeje përbëhet nga tri radhë fonemash në bazë të tiparit të lokalizimit: radha e fonemave të përparme /i/, /y/ dhe /e/, radha e fonemave të mesme /ë/ dhe radha e fonemave të prapme /a/, /u/, /o/. Nga pikëpamja e tiparit të shkallës së hapjes dallohen tri seritë fonologjike: seria e të mbyllurave /i/, /y/, /u/, seria e gjysmë të mbyllurave /e/, /ë/, /o/ dhe seria e të hapurave me fonemën /a/.

Në sistemin zanor të kësaj të folmeje dallohen pesë kundërvënie mungesore:

1) /i/-/e/, në bazë të tiparit të hapjes, ndërkohë që /i/ dhe /e/ janë të radhës së përparme dhe jobuzore, /i/ nyjëtohet si zanore e mbyllur, ndërsa /e/ nyjëtohet si zanore gjysmë e mbyllur.
2) /u/-/o/, po në bazë të tiparit të hapjes, ku zanorja /u/ nyjëtohet si e mbyllur dhe /o/ si gjysmë e mbyllur.
3) /y/-/u/, krijohet si kundërvënie mbi bazën e tiparit të radhës, ku /y/ është zanore e radhës së përparme, ndërsa /u/ e radhës së prapme.
4) /e/-/ë/, kjo kundërvënie mungesore krijohet te dy zanore jobuzore, gjysmë të mbyllura, mbi bazën e radhës. /e/ nyjëtohet si zanore e radhës së përparme, ndërsa /ë/ si zanore e radhës së mesme.
5) /i/-/y/ kundërvihen mbi bazën e tiparit të buzorëzimit, ku /y/ nyjëtohet si zanore buzore.

Për kundërvënien /e/-/ë/ duhet të vëmë në pah që në të folmen e Devollit, /ë/ nyjëtohet disi më e përparme në raport me të folme të tjera të toskërishtes, por ky tipar nuk e neutralizon kundërvënien. Këtë e vërteton prania e çifteve minimale, si: ne-në, de-dë (parafjalë e emërores- parafjalë e kallëzores). Ndërsa /i/ dhe /y/ dallohen qartë, pavarësisht ndryshimeve fonemore të kushtëzuara që pësojnë në raport me tingujt fqinjë. Kjo duket në çiftet minimale në këtë të folme, si: tinë (lloj balte)-tynë, mbill-mbyll, sitë-sytë etj.

Lidhur me inventarin e fonemave bashkëtingëllore, kjo e folme bën pjesë në arealin e dytë, bashkë me të folmen e Beratit dhe rrethinave të tij, si dhe me të folmen e Korçës dhe fushës së Korçës121. Në këtë inventar, në dallim nga gjuha standarde, kanë dalë fare nga sistemi dy fonema: bashkëtingëllorja faringale /h/ dhe bashkëtingëllorja dridhëse /rr/, duke e kufizuar këtë inventar me 27 fonema bashkëtingëllore. Këto fonema nuk ndihen si në fondin e trashëguar të indoevropianishtes apo huazimet e vjetra nga greqishtja e vjetër (kallojer, lakrë, korë, bendevrekë etj.); nga latinishtja (kërqele, ljepur, fjeshtër, fembrë, kulloshtrë etj.); po ashtu dhe në huazimet e reja nga sllavishtja (brokë, rosnicë, darovis, rizë, branë etj.) apo nga turqishtja
(anxhar, asullde, amamçe, çarçaf, çërape, ambar etj.).
Fig. 3. Bashkëtingëlloret e të folmes së Devollit

p t ƴ Ƶ c k
b d Ʊ Ʋ ɟ g
f θ s ʃ
v ð z ʒ
m n ɲ
j
l ł
ɾ

Bashkëtingëlloret në të folmen e Devollit kundërvihen në bazë tiparit binar të zëshmërisë, pra seria e të shurdhëtave me serinë e të zëshmeve.

/p/, /t/, /c/, /ç/, /q/, /k/, /f/, /th/, /s/, /sh/

/b/, /d/, /x/, /xh/, /gj/, /g/, /v/, /dh/, /z/, /zh/

Në këtë bashkëlidhje, mbi bazën e tiparit të zëshmërisë, nuk merr pjesë fonema /h/, jo për faktin se nuk ka gjegjëse të zëshme, po, si një fonemë skajore e sistemit bashkëtingëllor, ajo nuk ndihet fare në këtë të folme. Duke u mbështetur në tiparin e mënyrës së formimit, seria e bashkëtingëlloreve mbylltore kundërvihet me serinë e bashkëtingëlloreve shtegore të kësaj të folmeje.

/p/, /t/, /c/, /ç/, /b/, /d/, /x/, /xh/, /q/, /k/122

/f/, /th/, /s/, /sh/, /v/, /dh/, /z/, /zh/, /j/,

Dhe këtu, fonema mbylltore /k/ nuk ka gjegjëse shtegore, sepse shtegorja glotale /h/ ka dalë nga sistemi bashkëtingëllor i kësaj të folmeje.

Duke u nisur nga këto dy tipare vëmë në dukje se bërthama e sistemit bashkëtingëllor të së folmes së Devollit përbëhet nga 24 bashkëtingëllore në bashkëlidhjet përkatëse të vendosura përgjatë brinjëve të kuboidit (fig. 5). Të gjitha bashkëtingëlloret e bërthamës së sistemit janë të njëjtat me bërthamën e sistemit bashkëtingëllor të shqipes standarde. Në sistemin e bashkëtingëlloreve të të folmes së Devollit vihen re katër seri fonemash dhe pesë radhë të tilla.

Në këtë të folme ekzistojnë dallime me gjuhën standarde përsa i përket numrit të tufave korrelative trigjymtyrëshe për shkak të mungesës së dy fonemave /h/ dhe /rr/. Kështu janë neutralizuar kundërvëniet:
l dhe k g
r rr h

Fonemat hundore m, n, nj në të folmen e Devollit janë të njëjta me gjuhën standarde dhe gjenden të shqiptuara mirë në çdo pozicion të fjalës. Ato bëjnë pjesë në bërthamën e sistemit,megjithëse ato nuk mund të hyjnë në korrelacion me mbylltoret e zëshme dhe të shurdhëta.

122 Krahasimi me gjuhën standarde është bërë duke u bazuar në sistemin e vokalik dhe konsonatik të shqipes
standarde, të dhënë nga R. Memushaj në “Fonetika e shqipes standarde” , Toena, Tiranë, 2009.

Por,ato formojnë tufa trigjymtyrëshe me mbylltoret buzore dhe qiellzore përkatëse. Kjo vërtetohet dhe nga fakti që në pozicione të caktuara këto bashkëtingëllore asimilohen plotësisht (kjo dukuri ndodh në disa parafjalë të së ashtuquajturës “rasë vendore”, si: bi, dë, dënë, dëpër ). Megjithatë, kjo nuk ndodh në çdo rast, rrallë ndodh që asimilohet bashkëtingëllorja buzore njëlloj si në të folmet gege (p.sh., mbi> mi, ta gjezdis mal e mi mal; hipi macja mi Starovë,123). Si rrjedhim, ato ruajnë lidhje më të forta me bërthamën e sistemit të bashkëtingëlloreve se sa bashkëtingëlloret rr dhe h që nuk bëjnë pjesë fare në inventarin e fonemave bashkëtingëllore të kësaj të folmeje. Kështu në bërthamën e sistemit fonetik mund të futen dhe tri bashkëtingëlloret e tingullta
hundore.
Fig. 4. Bashkëtingëlloret e bërthamës të sistemit

f th s shv p dh t z c zh ç j q k b m d x n xh gj nj g

Fig. 5. Kuboidi i bashkëlidhjeve të bashkëtingëlloreve të të folmes së Devollit
m n nj

p t c ç q k f th s sh b d x xh gj g v dh z zh j

123 K. Zdruli: Folklor nga Devolli i Sipërm, Botim i ASH, Tiranë, 1987, f. 398.

Po kështu, ruhen në inventarin e bashkëtingëlloreve, grupet mb, nd, ng, në çdo pozicion: në fillim, në mes dhe në fund të fjalës dhe bëjnë përjashtim vetëm disa parafjalë vendore124 te të cilat asimilohen plotësisht bashkëtingëlloret hundore m dhe n. Ndërkaq, grupit kl, ka kohë që është asimiluar dhe te folësit e sotëm pothuaj nuk ndihet. Praninë e këtij grupi e hasim vetëm në disa toponime125 dhe në disa banorë të moshuar të krahinës. Por prania e këtij grupi dëshmohet edhe në materialet folklorike e gjuhësore të mbledhura nga një sërë dialektologësh.

Ndër dallimet fonologjike, më karakteristike është shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme fundore (i math, urofnë, plump, qymes), por nuk bëjnë përjashtim dhe shurdhimet e të zëshmeve brenda fjalës apo në fillim të saj (dhëntrin, xbres, i barthkë, lëçuánë), ndërsa si një dallim i kushtëzuar në përbërjen fonematike të fjalëve është kalimi j> nj si mbaresë foljore në të tashmen dhe të pakryerën e foljeve të zgjedhimit të parë dhe të tretë (punonj-punonja, shkonj- shkonja, vinj-vinja, a-anja, fle–flinja, ri-rinja). Këto tipare të përgjithshme bëjnë të mundur që nga veçoritë fonetike karakteristike të kësaj të folmeje, ajo të dallohet si një e folme që ka ruajtur mjaft tipare të vjetra, të cilat e veçojnë në grupimin lindor të toskërishtes veriore. Një pjesë e këtyre tipareve përbëjnë dukuri të konservacionit gjuhësor dhe vijnë prej gjendjeve të hershme fonetike të shqipes (ruajtja deri vonë e grupeve kl, gl, ruajtja dhe sot e grupeve lg, lk, bashkëtingëllorja -nj e pazhvilluar në -j, si mjet gramatikor sidomos si mbaresë foljore për trajtat gramatikore të disa foljeve.

Nga ana tjetër, në këtë të folme ka disa dukuri që lidhen me zhvillime fonetike të pavarura, të cilat nuk ruhen nga gjendja e vjetër e gjuhës. Në të folme të tjera, këto dukuri, janë zhvilluar në tjetër mënyrë, gjë që tregon inovacion gjuhësor, i cili ka ndodhur vetëm në këtë të folme dhe që, për një arsye ose një tjetër, sot është ndërprerë (p.sh. asimilimi i hundoreve në parafjalët e së ashtuquajturës “rasë vendore”).

124 I quajmë të tilla sepse, në këtë të folme, mund të themi se ekziston ende një rasë e tillë, që sa vjen dhe po zëvendësohet me rasën kallëzore.
125 Këto toponime lidhen kryesisht me emra vendesh ku diku ka pasur kisha, në strukturën gramatikore të këtyre toponimeve hasen ndërtimet parafjalë + emër (Dë klishët, Ngaj klishka ) ose togfjalësh emër + emër, ku emri i parë i
referohet ndonjë objekti që ndodhet aty (Lisi i madh de klisha ).

3.2 Sistemi zanor

3.2.1 Zanoret e theksuara

3.2.1 Zanoret e theksuara

3.2.1 Zanoret e theksuara

Zanorja [ë]. Kjo zanore, si në të gjithë toskërishten, i përgjigjet një a-je që ndodhet para bashkëtingëlloreve hundore m, n, nj. Ky proces kthimi ka ndodhur dhe kur këto bashkëtingëllore kanë rënë historikisht dhe kur mbi hundoren n ka vepruar dukuria e rotacizmit (shkëmp, dhëmp, dhëntret, i mëngjër etj.).

V. Xhaçka thekson se: “…edhe këtu, si në të gjithë toskërishten, kemi ë-në tonike në ato pozita që ndodhet a-ja e gegërishtes.”126. Kjo a përpara bashkëtingëlloreve hundore është kthyer vetëm në disa fjalë turke, si: musëndër, nallëne, çallëm, por në të tjera ka mbetur, si: ashllama, Osman, Hasan, a ksham, amamçe, ajvan etj. Te banorët e vjetër të Devollit, sipas J. Gjinarit, kjo ë është më pasme dhe më e buzorëzuar se në të folmet e Beratit, Skraparit, Myzeqesë dhe Mallakastrës127. Megjithatë, mund të theksojmë se sot kjo zanore, pavarësisht se shqiptohet si zanore e radhës së mesme në fjalë, si: këngë, këmbë, dhëmb etj. ajo nyjëtohet disi më e përparme se në të folmet e tjera duke iu përafruar zanores e.128

Zanorja [e]. Si në të gjithë trevat e Korçës, zanorja e para hundoreve nuk është kthyer në ë (zembrë, pendë, gjembi, i shtrembrë, u trempmë). Kjo e, së cilës në gegërishte i përgjigjet një ê hundore, sipas Gjinarit129 është shndërruar në ë vetëm në disa fjalë, si: mënt, vënt, mënde, të zëç, ta lëç (te dy foljet kjo dukuri ndodh kur ato janë në lidhore ose dëshirore, në trajta të tjera gramatikore ato shqiptohen me e: zer e, ler e). Në të folmen Devollit zanorja e përafron më tepër me një [ɛ] të hapur.

Zanorja [y]. Në ndryshim nga të folmet jugore të toskërishtes, y-ja e theksuar shqiptohet qartë si zanore e përparme e buzorëzuar, në të gjitha pozicionet në fjalë (yll, sy, tym, qymyr, tynë, atyreve etj.). Por, në disa raste, kjo zanore ka ardhur nga qiellzorëzimi i u-së në fjalë ku ky tingull gjendet para ose pas një tingulli alveo-dhëmbor, alveolar, alveo-qiellzor apo qiellzor (j, t,sh, q), si: yve (juve), flytyron (fluturon), yshqimnë (ushqimin), sëndyqkë (sënduqkë) etj.

Në punimin e V. Xhaçkës130 përmendet se në disa fshatra fjala kripë shqiptohet me y. Mendojmë se duhet të jetë një dukuri e vjetër, ngaqë kjo dëshmohet dhe nga fjala e prejardhur krypenicë “mbajtëse kripe”, e cila gjendet dhe si toponim (Kodra e Krypenicës në fshatin Kapështicë), po kështu, dhe në fjalën mbruj-mbr yj (kam një javë e kam një muaj,/ që po mbryj e po gatuaj)131 .

3.2.2 Zanoret e patheksuara

Zanorja [ë]. Në të folmen e Devollit kjo zanore është ruajtur mirë dhe shqiptohet qartë në të gjitha pozicionet.

1) Ruhet dhe shqiptohet qartë si ë fundore në fjalët me theks parafundor, pavarësisht nga numri i rrokjeve (p.sh. në emra, si: farë, dizgë, zembrë, shçizë; në mbiemra, si: i butë, i lëmpitë, i fortë; në pjesoret e foljeve, si: vluarë, rëfyer ë, gëdhirë; në numërorë, si: tetë, dhjetë; në vetën e parë dhe të tretë shumës të disa foljeve në të tashmen e dëftores, si: erthmë-erthnë, xbritmë-xbritnë, folmë-folnë, katandismë- katandisnë, kanështis- ka nështisnë).

Në ndryshim nga disa folme të toskërishtes jugore (p.sh. në çamërishte ku ruhet ë-ja pastheksore në trajtat buritë-burënë, djalinë-djalënë,)132 kjo ë fundore ka rënë te emrat në rasën gjinore dhe kallëzore (burit-burën, djalit-djalën, fushës-fushën, malin-malën, lëmin-lëmën), te disa mbiemra të emërzuar me theks parafundor, si: të mirit- të mirin, të keqes- të keqen. Po ashtu, kjo ë fundore ka rënë dhe te pjesoret e foljeve që mbarojnë me -ur (ardhur, ikur, vajtur, mbodhisur, inandisur ), si dhe te disa ndajfolje (lark, anës, afër). Zanorja ë e patheksuar gjendet dhe në mes të fjalës kur ndodhet menjëherë pas rrokjes së theksuar (kopësht, çupëz, qumëshç, pe së vjetërve etj.).

2) Për ë-në e patheksuar para një rrokjeje të theksuar janë shfaqur dy mendime të ndryshme. V. Xhaçka thekson se kjo ë bie (vlla-vllezër, njerzija, ndronj, baktija,xvoglonj etj.)133. Ndërsa J. Gjinari e kundërshton këtë përfundim, duke theksuar se kjo nuk është dukuri e përgjithshme, kjo ë e patheksuar, para një rrokjeje të theksuar gjendet në shumë fjalë, pavarësisht nga numri i rrokjeve (gërshërë, lagështirë, gëdhent, misërishtat, pe dërase)134. Duke u nisur nga materiali i mbledhur në terren, vërejmë se zanorja ë-e patheksuar paraqitet në disa variante:

• Ajo ndihet e qartë, e parrëgjuar në fjalë, si: dëborë, këteja-këtezajn; si dhe në disa fjalë ku ajo ndërfutet si zanore që lehtëson shqiptimin e një grupi bashkëtingëlloresh, si: gëdhent, dë të gëdhirë, ushtërija etj.
• Është rrëgjuar në gjatësi në fjalë, si: përua, për vëlaqe, sëpatë etj.

• Ka rënë pothuaj plotësisht në fjalë, si: bakti, vlla-vllazëri-vllamë, misrok, ktu, kshu, të dorzonjë etj.
3) Ë-ja e patheksuar ka rënë në rastet kur është ndodhur në rrokjen fundore të disa fjalëve me theks tejfundor, si: kumbull(ë), uthull(ë), çupës(ë), krushkës(ë) etj. Megjithëse në variantet e këngëve popullore ruhen, kjo bëhet për efekt të ruajtjes së numrit të rrokjeve në varg.

4) Kur në fund të fjalëve me theks parafundor, ndodhet një bashkëtingëllore e tingullt (m, n, l, r) që ka përpara një ose dy bashkëtingëllore të tjera, ë-ja e patheksuar gjendet pas të tingulltës (veglë, pjeprë, embr ë, kulloshtrë, fjeshtrë, kësmetnë, dysheknë, mjellnë, pyetmë, t‟atnë, zbritnë etj.).

5) Në disa raste të veçanta ë-ja e patheksuar është kthyer në i (ginjeshtrë, fingjillos, gjilpërë). Kjo dukuri ka ndodhur sepse kjo zanore është gjendur para një bashkëtingëlloreje qiellzore, si rrjedhim është kthyer në zanore të mbyllur për shkak të afrimit të trupit të gjuhës drejt qiellzës së forte, nën ndikimin e nyjëtimit të bashkëtingëllores përkatëse qiellzore pranë saj.

6) Lidhur me fjalët lëmínj dhe lëmçínj, mund të themi se në to ka ndodhur zhvendosja gramatikore e theksit në shumës, pra këtu nuk kemi kalim ë> i, por kalim të theksit në prapashtesën trajtëformuese -nj të shumësit të pashquar të emrave përkatës, e cila është zgjeruar me zanoren fundore i të temës së këtyre emrave.

7) Përsa i përket fjalëve të tjerit (të tjerët), tonit (tonët) erthnë të parit (erdhën të parët), J. Gjinari thekson se i ka mundësi të ketë lindur si zanore mbështetëse dhe jo të jetë përftuar nga ë-ja135. Është fakt që në këto fjalë i nuk është pjesë e temës së fjalës, ajo përdoret kur këta mbiemra dhe përemra emërzohen. Nga emërzimi, krijohen emra në rasën emërore dhe kallëzore te të cilat i ndërfutet në grupin bashkëtingëllor të krijuar nga takimi i fundores së temës me nyjen shquese (të tjer(ë)-i-t, ton(ë)-i-t)136.

Zanorja [i]. Kjo zanore, pranë një zanoreje të theksuar bëhet pjesë e diftongut. Kjo dukuri haset në rrokje të hapur fundore (punoí, martoí, babaí, agaí, etj.). Në diftongjet, të cilat gjenden në mes të fjalës i-ja shqiptohet e qiellzorëzuar, duke iu përafruar shumë nyjëtimit të bashkëtingëllores j (mbjellëm, mjellnë, djelli etj.). Por, ka fjalë ku kjo i e patheksuar ka rënë (qell). Kjo dukuri, e vënë re nga V. Xhaçka, haset dhe sot, sidomos nga folësit e vjetër (flytyronte dë qellt). Është e kuptueshme se kjo ndodh meqënëse theksi bie në elementin e dytë të diftongut, aq sa element i parë i tij rrëgjohet pothuaj plotësisht.

Në disa fjalë zanorja i- e patheksuar është buzorëzuar për shkak të rrethimit fonetik nga bashkëtingëlloret buzore (varianti pyperka, pyper gjendet në të gjithë zonën e Devollit të Poshtëm, ku i, e ndodhur pas një mbylltoreje dybuzore, është asimiluar në y).
Zanorja [u]. Kjo zanore është pjesë e diftongut ṷa, si në mes dhe në fund të fjalës. Në rastet kur kjo zanore shërben si mjet gramatikor për formimin e disa trajtave të fjalëve, vëmë re se:

1) Kur u shërben si mbaresë e trajtës së shquar të emrave mashkullorë ajo është kthyer në f (u> f dhef; më ngr e dhef – më ngre dheu, e hëngri dhef- e hëngri dheu).

2) Kjo dukuri vihet re sidomos kur këta emra vihen në rasat e zhdrejta dhe në rasën kallëzore apo vendore (më futi dë dheft, shkoi de kadif, i thashë dyqanxhift, djali i Nazmift, takova daifnë, e ndreft – e drerit etj.).

3) Po kështu kemi kalim u> f, kur u shërben si mbaresë e vetës së tretë të foljeve në kohën e kryer të thjeshtë, në formën veprore dhe joveprore (e fitof atë ditë, u kthef bë të gdhirë, shkof e vate, arrif dimri etj.).

Ndryshe nga J. Gjinari që e kufizon këtë dukuri vetëm në fshatin Bitinckë duke theksuar se kjo dukuri nuk vihet re në katunde të tjera137, mund të vihet në dukje se nga materiali dialektologjik i mbledhur në terren, kthimin u> f gjendet pothuaj në të gjithë fshatrat me popullsi myslimane138.

J. Gjinari shkruan se kjo dukuri shfaqet në të folmen e fshatrave Hoçisht dhe Sinicë si një proces që duket në ndërtimet sintaksore të tipit dheu i zi, ku nyja shquese u është kthyer në v për të shmangur shqiptimin e dy zanoreve, po këtu ka mbetur deri në këtë fazë. Në folklorin e Devollit të Sipërm kjo dukuri është e pranishme në disa nga këngët e katundeve Ziçisht, Miras, Arrëzë, te foljet që mbarojnë me eu, zanorja fundore u dëgjohet si bashkëtingëllorja buzore- dhëmbore f. Është me vend të besohet se në të folmet e fshatrave ku gjenden rëndom fjalët ku ndodh kalimi u> f ka ndodhur procesi i mësipërm dhe më tej kemi dukurinë e shurdhimit të të zëshmeve në pozicion fundor.

Megjithatë, në këngët e Devollit të Sipërm është hasur u> v, si pjesë e diftongut: Dvall andarët po lëftojnë,../ po ne vendin nuk va dhamë,…ή dvamë Voriepironë.139 Pavarësisht se është pjesë e diftongut, zanorja u pëson të njëjtat ndryshime. Dhe E. Çabej e quan këtë si një gjysmëzanore, e cila, në përbërje të diftongjeve me këtë zanore, përfaqëson një v dybuzore që përbën një rrokje të vetme me zanoren që vjen para ose pas saj.140

3.2.3 Togjet e zanoreve dhe diftongjet

Në përgjithësi, në zonën e Devollit, në ndryshim nga të folmet e tjera të toskërishtes, vihet re ruajtje e mirë e diftongjeve. Ato gjenden në çdo pozicion, megjithatë në diftongje të caktura vëmë re disa dukuri fonetike.
Diftongu ṷa. Ky diftong gjendet në të gjitha pozicionet në fjalë:

1) në rrokje të hapur në mes të fjalës (grṷaja, bṷallicë, kṷaçkë, i mësṷarë, i çkollṷarë, lëçṷamë etj.);
2) në rrokje të mbyllur në mes të fjalës (blṷajmë, dṷallmë, sṷallmë, përcṷallnë etj.);
3) në rrokje fundore të hapur (duket sidomos në antroponimet dhe në kohën e kryer të thjeshtë të foljeve me temë në o, si: Jorgṷa, u martṷa, u çpṷa, kuriskṷa, u ndrṷa, u lëçṷa etj.);
Te foljet martohem, fejohem, çpohem, të cilat, në formën veprore, mbarojnë me temë në o të patheksuar, në të kryerën e thjeshtë o-ja kalon në diftongun ṷa. Ky diftong, ashtu si dhe të gjitha diftongjet e tjera të kësaj të folmeje, shqiptohet i shkurtër dhe ngjitës, ngaqë në toskërishten veriore, në tërësi, nuk u ruajtën zanoret e gjata, për rrjedhojë dhe diftongjet e
gjata.141

Por, nëse në foljet e mësipërme, diftongu ṷa ruhet dhe shqiptohet qartë në pozicion fundor në rrokje të hapur, kjo nuk ndodh te foljet që kanë këtë grup si togzanor, si: paguaj, them-thuaj, bluaj. Te këto folje ky togzanor ka kaluar në o (ku të pagojmë, thoji të vijë, vajti të blojë) dhe kjo vihet re te të gjithë folësit, si të brezit të vjetër, atij të mesëm dhe të ri, ndërkohë që pjesoren e po këtyre foljeve e gjejmë me diftong (pagṷarë, blṷarë).

Ky diftong ruhet te emrat femërorë me o të patheksuar në temë. Kjo o e temës në trajtën e shquar të këtyre emrave kalon në difongun ṷa, i cili, shqiptohet si i tillë, edhe pse ndodhet në pozicion fundor në rrokje të hapur. Një dukuri e tillë vihet re sidomos te emrat vetjakë të tipit Niko-Nikṷa, Maqo-Maqṷa, Miço-Miçṷa, të cilët në gjuhën standarde paraqiten Maqoja, Nikoja, Miçoja. Po ashtu, kjo dukuri ndodh dhe në emra të përgjithshëm, si kurizo-kuriskṷa, mapo- mapṷa. Sipas J. Gjinarit142 te emrat e këtij tipi kemi takim të dy zanoreve të ndryshme, ku zanorja o e shkurtër e patheksuar e temës është takuar me nyjen e prapme shquese femërore a. Bashkimi i tyre ka dhënë një diftong jo të gjatë oa i cili, më pas u kthye në ṷa. Ky kthim lidhet
me faktin që diftongu ndodhej në fjalë të tjera, në të cilat vinte nga zbërthimi i o-së së patheksuar.

Te emrat luadh, grua, bualli, mua grupi i zanoreve ua ndihet më tepër si togzanor sesa si diftong, ngaqë te këto fjalë nuk kemi zbërthim të një o-je të patheksuar. Elementi u (zanorja e mbyllur) në këtë grup zanor bart theksin e fjalës. Mund të thuhet se këtu grupi ua ruhet si togzanor, sepse kjo folje vjen si rrjedhim i prapashtesimit nga tema e foljes bluaj që e përmendëm më sipër. Gjithashtu, në disa raste, në të folmen e Devollit të Sipërm janë hasur dhe format muva, duva, ku një v epentetike hyn në mes të togzanorit ua dhe theksin e bart zanorja u

(Ty o plak unë s‟të dúva, ήse je plak e e s‟bën për múva.)143,

Për fjalët klloçkë-kṷaçkë, çfarë-çṷarë, xbathur-xṷathur, J. Gjinari thekson se diftongu vjen si rrjedhim i një gjysmëzanore v(u) dybuzore e përftuar nga zhvillimi i bashkëtingëlloreve f, b, ll, të cilat fillimisht kaluan në buzore-dhëmboren v, e më pas u zhvilluan më tej duke përfunduar në u144. Ai, duke iu referuar Mirçevit, e lidh këtë me veçorinë e dikurshme të bullgarishtes për kthimin e v-së në v –dybuzore, e cila më vonë është zhdukur.145 Peshën e diftongut, dhe këtu, e mban elementi i dytë, aq sa, te folësit e brezit të ri, fjala çṷarë ndihet më tepër çarë, sesa me diftong.

Diftongu ṷa dëshmohet qysh në në shekullin XIV edhe në dokumentet e shkruara, si te “Perikopeja e Ungjillit të Pashkëve”, që vlerësohet si monumenti më i lashtë i toskërishtes, por ndërkohë është mbështetur dhe në onomastikën historike (emri i princit Gjin Bṷa Shpata, i cili gjallon dhe sot si patronim Bṷa në Dhërmi.146) Fakti që ua në të fomen e Devollit u ruajt si diftong dhe nuk u zbërthye në togzanor, tregon për një dukuri të konservacionit gjuhësor.
Diftognu ié. Ky diftong haset në të gjitha pozicionet:

1) në rrokje të hapur në mes të fjalës (diéllnë, qiéllnë, mjéllnë etj.);

2) në rrokje të mbyllur në mes të fjalës (mbjéllëm, pështjéllëm-fshtjéllëm, mjélëm etj.);

3) në rrokje fundore të hapur (djé, bjé, atjé etj.);

Diftongu ié, në këtë të folme është i shkurtër dhe ngjitës dhe zanorja e e shkurter mban theksin e diftongut, meqënëse nga pikëpamja nyjëtimore zanorja e është me e hapur se zanorja i. Përsa i përket këtij diftongu, në fjalë, si: mbjéll, pështjéllën, vjélëm, kthimi i i-së në j ka ndodhur në të gjitha të folmet e shqipes, si në gjuhën standarde. Në toskërishten veriore nuk u ruajtën zanoret e gjata, për pasojë as diftongjet e gjata. Kjo solli që këto diftongje të shkurtra të ruheshin fillimisht në rrokje të mbyllura në trup të fjalës. Më pas, për analogji ose, ngaqë ndoshta dhe më parë këto diftongje nuk shqiptoheshin të gjata në këtë pozicion, ky proces përfshiu dhe diftongjet në rrokje të hapur në trup të fjalës.147 Ndërsa fakti që ky diftong u ruajt edhe në rrokje të hapur fundore vetëm në disa të folme të toskërishtes veriore, ku përfshihet dhe e folmja e Devollit,ende nuk mund të shpjegohet. Mbase, duhet të vështrohet si një dukuri e inovacionit të pavarur gjuhësor në këtë të folme.

Emrat qiéll, miéll, diéll etj. shqiptohen rëndom me diftongun ie, por te emri qiell kemi hasur dhe rastet të shqiptimit pa diftong (flytyronte dë qellt), kryesisht nga bartës të vjetër të dialektit. Sot, sidomos nga folësit e brezit të mesëm dhe të ri, nuk ndihet si rrjedhim i ndikimit të arsimimit dhe i përzjerjeve a lëvizjeve të mëdha të popullsisë.

Diftongu yé. Ashtu si diftongu ié, ai haset në të gjitha pozicionet dhe në rrokje fundore të hapur (lëryér, me të pyéturë, rëfyérë, r ëmbyérë). Vlen të vihet në dukje që ky diftong, në pozicione të caktuara, ka kaluar në e (janë ktherë-janë kthyer, ndë kre-në krye, më ka rëmberë- më ka rrëmbyer). Në disa raste, ky diftong vjen si rrjedhim i buzorëzimit më të përparmë të u-së, duke u shndërruar në y, për shkak të bashkëtingëlloreve alveo-qiellzore para saj (lyes, Shyec).
Gjithashtu, diftongu zbërthehet, por jo nga fakti se zanoret përbërëse ndahen në rrokje të ndryshme, por sepse në mes të diftongut ndërfutet një v (Shyec-Shyvec), që mund të jetë kundër hiatit.

Nga materiali dialektologjik i mbledhur në fshatrat Vishocicë, Hoçisht, Ziçisht, Vërlen etj. është hasur forma byéj (shumësi i emrit buall), të shqiptuar me diftong. Shndërrimi i diftongut ṷa në yé ka marrë vlerë gramatikore148 dhe është një trajtë që gjendet e në format e vjetra po me këtë vlerë gramatikore.149

3.3 Sistemi bashkëtingëllor

3.3.1 Bashkëtingëllore të veçanta

3.3.1 Bashkëtingëllore të veçanta

3.3.1 Bashkëtingëllore të veçanta

Bashkëtingëllorja [h]. Bashkëtingëllorja glotale h nuk ndihet dhe nuk shqiptohet në çdo pozicion: në pozicion fundor, si: kra (h), tinë na nje(h), ple(h)), në mes të fjalës (të shomë-të shohim, kthesha- kthehesha, njerë-njëherë, ater ë,atfere, atfernaj-atëher ë) dhe as në pozicion nistor (ekurin, undë, ajdutnë, alë). Kjo bashkëtingëllore glotale nuk ndihet as te huazimet turke që e kanë këtë bashkëtingëllore në trup të fjalës (muabet, reat, muamedan), apo në pozicion nistor (alldup, auz, dë aurt, arabat, asullde, ebe, etj). Kjo dukuri ndihet më tepër te emrat vetjakë të, që e kanë këtë bashkëtingëllore në trup të fjalës (Muamet, Mua merali, Memetali).

Sipas J. Gjinarit, bashkëtingëllorja h ndihet disi në të folmen e banorëve të besimit mysliman150. Nga materiali dialektologjik i mbledhur në fshatrat Bitinckë, Vishocicë, Vranisht etj. të banuara me popullsi myslimane u vu re se kjo bashkëtingëllore nuk ndihej te bartësit e vjetër të gjuhës, më tepër ajo shqiptohej e qëllimshme (dukuri që ndodh më shumë te fëmijët në shkolla, në njerëz të arsimuar ose që kanë një lloj pozicioni shoqëror).
Ndërkohë, në antroponimin Mihal, rëndom haset forma Mikail (Bradvicë, Hoçisht, Ziçisht). Pra në këtë antroponim kemi procesin fonetik të velarizimit të h-së.
Te folja zë në formën joveprore zihem (me fjalë, me grushta), ky tingull glotal nuk ndihet, por ndoshta për të shmangur hiatin midis grupit prej dy zanoresh hyn bashkëtingëllorja r (zirem kos, ziren bash a bash).

Bashkëtingëllorja [rr]. Bashkëtingëllorja dridhëse rr nuk bën pjesë në inventarin e bashkëtingëlloreve të kësaj të folmeje. Ajo nyjëtohet si r në çdo pozicion. Si rrjedhim i mungesës së kundërvënies rr//r, në këtë të folme nuk kemi formim të çifteve minimale të fjalëve: ara-arra, var-varr, ra- rra (h), të rinë(të riun)-të rrinë, por ato paraqiten si homonime gramatikore, të cilat dallohen ose nga konteksti, ose kur vendosen në trajta të ndryshme gramatikore.
J. Gjinari thekson se kjo bashkëtingëllore dridhëse, në fshatin Sinicë nyjëtohet si një r e ndërmjetme midis r-së dhe rr-së151. Mendojmë se kjo dukuri është më tepër një veçori e individit folës, sesa dukuri e veçantë e të folmes së këtij fshati.

Bashkëtingëllorja [nj]. Bashkëtingëllorja e tingullt qiellzore nj është ruajtur mirë në çdo pozicion. Ajo ruhet në rrënjë të fjalëve (një, njeri, rrënja, dëllinja, nje(h), njëzet), në prapashtesat e shumësit të emrave dhe mbiemrave (ullinj, hunj, gjarpinj, lëminj, lëmçinj), si dhe në mbaresat e së tashmes dhe të së pakryerës të foljeve (lanj-a, punonj-a, pinja, lyenj-a, shkonj-a). Sipas J. Gjinarit, në të folmen e Progrit, vihet re zhvillimi i nj-së në j te mbaresat foljore të së tashmes152. Ky zhvillim është hasur dhe në fshatrat Vranisht e Pilur te foljet punoj-punoja, duroj-duroja, por krahas tyre dhe vinj- vinja, bënj-bënja). Mesa duket, zhvillimi i nj> j është një proces që vazhdon dhe në ditët e sotme.

152 Në fakt kjo dukuri është vënë re dhe në fshatra të tjerë të krahut të majtë të lumit Devoll dhe mund të mendohet se është më tepër ndikim nga standardi i shkruar.

Bashkëtingëllorja [th]. Bashkëtingëllorja ndërdhëmbore e shurdhët th, në pjesën më të madhe të të folmeve të kësaj krahine, është shndërruar në buzore-dhëmboren e shurdhët f në pozicion nistor të fjalëve: i fellë, fingjill, fëllëzë, felë. Në trup të fjalës ajo ka mbetur th (uthull, dë Athinët). V. Xhaçka ka vënë në dukje dhe dukurinë e kundërt në të folmen e Ziçishtit, te fjala femër-thembr ë në bartës të vjetër të gjuhës, ndërsa ne e kemi hasur edhe në të folmen e Hoçishtit

Bashkëtingëlloret [l], [ll]. Këto bashkëtingëllore nuk pësojnë shndërrime në pozicione të caktuara në fjalë. Bën përjashtim folja dal në tri vetat e shumësit të kohës së kryer të thjeshtë ku l> ll (duallmë, dualltë, duallnë). Po ashtu, kjo dukuri haset dhe në disa fjalë të huaja, si: llogjikë, pllani “vegël pune e mekanizuar me të cilën priten dërrasat duke ruajtur sipërfaqen e drejtë të saj”, Sollomoni etj. Gjithashtu ll vjen dhe si rrjedhim i asimilimit në distancë të dh-së në fjalën dhallë> llallë e në fjalët e prejardhura nga kjo temë (llallanik), apo edhe në foljen mbodhis> mbollis.

3.3.2 Grupe bashkëtingëlloresh

Grupet mb, nd, ng. Në të folmen e Devollit, grupet mb, nd, ng, ngj ruhen mirë dhe shqiptohen qartë:
1) në fillim të fjalës (mbush, u mbytç, mp(b)rojtës, ndanj, ndenja, ngre, ngas, ngjevi etj.);
2) në mes të fjalës (pëllëmbë, jamballi, këndje, kandilë, tundurashkë shtëllungë, çengelë, lengjer, mallëngjenjës, e mashëngjyerë etj.);
3) në fund të fjalës (shkëmp, pëllumb, vent, munt, mënd, deng, lënk etj.);

Këto grupe, si dhe në të folme të tjera të toskërishtes, nuk janë zhvilluar si në gegërishte. Por, në këtë të folme, vihen re dy dukuri:
Së pari, në parafjalët për rasën vendore këto grupe e kanë asimiluar pothuaj plotësisht bashkëtingëlloren hundore (shkoi dë malt, e ndeu bë djellët, dënë sergjen, b‟atanë). Ky asimilim, sipas J. Gjinarit, ka ndodhur pikërisht te këto parafjalë dhe jo te fjalë të tjera që i kanë këto grupe sepse, duke qenë se parafjalët janë fjalë proklitike, të ndodhura larg theksit, u thjeshtuan në shqiptim.153

Së dyti, sot kjo dukuri vihet re më tepër te folësit e brezit të vjetër dhe deri diku tek ata të brezit të mesëm. Te folësit e brezit të ri, këto parafjalë paraqiten si në mbarë shqipen të zhvilluara drejt ruajtjes së hundores, duke u përdorur si parafjalë të rasës kallëzore. Ky zhvillim ka ardhur si rrjedhim i ndikimit të gjuhës standarde nëpërmjet shkollimit, por dhe si rrjedhim i lëvizjeve të mëdha të popullsisë.

Grupet nk, njk. Në fakt këto grupe janë pranishme më shumë si raste të shurdhimit të grupit ng, sidomos në rrokje fundore, megjithatë, ka fjalë te të cilat gjendet në përbërjen fonemore të fjalëve (banjkë, llainkë, finkë, stankë etj.). Këto bashkëtingëllore hasen kryesisht tek ato fjalë që kanë në temë bashkëtingëllore hundore dhe marrin prapashtesën zvogëluese –kë.

Grupet kl, gl. Këto grupe bashkëtingëlloresh të vjetra hasen shumë rrallë sot, kryesisht në folës mbi 60 vjeç dhe që banojnë në fshatrat e Devollit të Sipërm (Grapsh, Qytezë, Sinicë, Gjyres). Ato janë zhvilluar drejt qiellzoreve q dhe gj.
Prania e tyre në këtë të folme dëshmohet vetëm nga bartës të vjetër të gjuhës (klisha, klyçi, klinda, zglidh, zgledh, glemp, gluri). J. Gjinari thekson se këto grupe janë hasur vetëm në folës të krishterë (duke u mbështetur dhe në materialin e mbledhur nga V. Xhaçka).154. Ai thekson se kjo mund të përgjithësohet për fshatra si: Sinica, Hoçishti, e Ziçishti, që janë në krahun e majtë të Devollit dhe kanë pasur vetëm popullsi të krishterë. Megjithatë, duhet të vihet në dukje se kjo dukuri dëshmohet dhe në Bitinckë me toponimin Varet e Klishës (varre që sot nuk janë më), në Kurilë me toponimin Klishka (vend ku më parë ka pasur kishë), në Eçmenik me toponimin Klisha, në Stropan me toponimin Lisi i madh de Klisha (dikur ka pasur një lis 150-vjeçar). Këto
fshatra, ndodhen në anë të ndryshme të lumit Devoll. Fakti që emri i përgjthshëm klishë-a dëshmohet si toponim në formën e vjetër, përforcon mendimin që ky grup bashkëtingëllor është i hershëm në këtë krahinë, si në krahun e majtë dhe në të djathtë të lumit Devoll.

Tashmë procesi i kthimit të grupeve kl dhe gl, përkatësisht në q dhe gj, ka mbaruar. Për më tepër ky kalim nuk është bërë i shkallëshkallshëm, si në disa të folme të gegërishtes kl> kj, gl> gi (kian, giuri).155 J. Gjinari vë në dukje se pleqtë e Sinicës e ndryshuan shqiptimin e këtij grupi që të mos ndiheshin të veçuar nga bashkësia territoriale ku bënin pjesë.156 Megjithatë, duhet theksuar se, përderisa këto grupe janë hasur deri vonë në bartës të vjetër të gjuhës, kjo tregon për një dukuri të konservacionit gjuhësor. Për më tepër, ruajtja e grupit kl u bë te fjalët ku ajo u shndërrua në velaren k dhe jo në qiellzoren q (klisha, klyçi, klinda, ndërsa sot kemi kisha, kyçi, kinda). Ndërkohë, grupet kl dhe gl janë ruajtur në huazimet e mëvonshme, të cilat kanë hyrë pas zhvillimit të këtyre grupeve, si, p.sh., nga lat. glasë, sll. kleçkë, gletë apo në disa toponime si Kokogllavë.

Grupet lk, lg. Këto grupe janë hasur vetëm në folës të brezit të vjetër dhe deri diku dhe atij të mesëm (alkë, sovlkë, balgë-balgor-balguce, ulku). Duhet theksuar se gjiithmonë e më tepër po vihet re kalimi i alveolares sonante anësore l në qiellzoren mesore j.

Grupi sht. Ky grup bashkëtingëlloresh është mjaft i veçantë në nyjëtim te banorët e kësaj krahine. Ai paraqitet në disa variante ku, mbylltorja alveo-dhëmbore t, duke u paraprirë nga shtegorja alveo-qiellzore sh, nyjëtohet me një ulje të lehtë të shpinës së gjuhës dhe i përafrohet shumë afrikates ç, në disa raste duke u shqiptuar si vetë ajo (shçatë, shçizë, shçytkë, shçjere jashçë). Asimilimi i t në ç diku është i plotë, diku i pjesshëm e diku nuk ndihet fare. Në bartës të vjetër të gjuhës ky grup është më i qartë në variantin shç (në fshatrat Hoçisht, Bradvicë, Sinicë, Ziçisht), në folës të arsimuar ose që kanë lëvizur prej kohësh nga vendlindja t nuk ka kaluar plotësisht në ç, ajo ndihet më tepër si një t e qiellzorëzuar (pak a shumë si t e anglishtes), ndërsa te folësit e brezit të ri është shumë e reduktuar. J. Gjinari vë në dukje se kemi të bëjmë një inovacion regresiv, si rrjedhim i ndikimit të gjuhës së shkruar.157

J. Gjinari thekson se shndërrimi sht> shç është rrjedhojë e ndikimit sllav në këtë krahinë dhe gjendet vetëm në banorët e krishterë të kësaj zone.158 Pavarësisht se sot, sipas Mirçevit,159 nuk vepron si rregull fonetik në gjuhën bullgaro-maqedone, ky kalim ka qenë karakteristik për mjaft dialekte të bullgarishtes së vjetër.

Grupet psh, fsh. Grupi fsh haset në pozicion nistor si te: fshesë, fshat, fshinj, fshe(h), ndërsa grupi psh te fjalët: pështjell, kopësht, pështetem, kapshore. Te grupi psh ndërfutet një ë mbështetëse për të lehtësuar shqiptimin. Në disa raste ndodh që të përdoret grupi bashkëtingëllor psh (kapshore-kapshatë), ndërkohë haset dhe dukuria e përdorimit të grupit bashkëtingëllor fsh për grupin psh (pështjell-fshtjell, pështetem- fshtetem). Përsa i përket kthimit të grupit psh në fsh te këto fjalë ka ndodhur procesi i asimilimit në kontakt, ku bashkëtingëllorja mbylltore p, e pasuar nga një bashkëtingëllore shtegore, asimilohet në bashkëtingëlloren shtegore f, më e afërt në nyjëtim me sh. Ndërkaq, në disa fshatra, aty ku është ruajtur një gjendje më e vjetër e dialektit (Sinicë, Ziçisht, Qytezë, Bradvicë), grupi psh nuk ka pësuar ndryshime (e rite me copkat, me kapshorkat e dynjasë)160.

3.4 Modifikime të tingujve dhe ndërrime fonemore
E folmja e Devollit karakterizohet nga një sërë procesesh fonetike dhe ndërrimesh fonemore, të cilat e bëjnë të dallueshme këtë variant brenda të folmeve të toskërishtes veriore.

3.4.1 Modifikimet e tingujve161

3.4.1 Modifikimet e tingujve161

3.4.1 Modifikimet e tingujve161

Modifikimet, duke qenë dallime jofonematike të tingujve në rrjedhën e ligjërimit, paraqiten si variante të realizimit të një foneme brenda së njëjtës morfeme, në varësi të ndikimit të pozicionit që zë fonema në fjalë dhe rrethimit fonetik të saj. Kështu, modifikimet e tingujve klasifikohen në ndryshime kombinatore dhe pozicionale.

Ndryshimet kombinatore

Akomodime. Ky lloj procesi ka ndodhur në shoqërimet e tipit BZ (bashkëtingëllore/

zanore) ose ZB (zanore/ bashkëtingëllore). Në këtë të folme dallohen:

a) buzorëzimi i zanores i nën ndikimin e bashkëtingëlloreve buzore pranë saj (kr ypë, pyper, pyperka, ypa-kam ypur,). Në këtë rast bashkëtingëllorja mbylltore buzore p dhe ndikon në zanoren pasardhëse i duke i dhënë tiparet e një zanoreje buzore y.
b) qiellzorëzimi i zanores ë nën ndikimin e bashkëtingëlloreve qiellzore para ose pas tyre (ginjeshtrë, gjilpërë, fingjill). Në këtë rast, bashkëtingëlloret qiellzore nj, gj, ndikojnë në ngushtimin e zonës palatale (pjesa e përparme e gjuhës ngrihet pak lart), duke përftuar një nyjëtim të përparmë të ë-së deri në i.
c) qiellzorëzimi i zanores e>i po nën ndikimin e bashkëtingëlloreve qiellzore pranë saj (u fijua, bënë cilibrimnë, matirjali, iliktriknë etj.).
d) kalimi i u> y, sepse para ose pas saj ndodhet një tingull palatal (flytyron, yshqimnë, lyes, yve, dyke etj.).
Asimilime. Procesi i asimilimit është ai proces i fonetikës kombinatore gjatë të cilit dy tinguj të ndryshëm përafrohen në tipare ose bëhen krejtësisht të njëjtë. Në të folmen e Devollit ky proces është mjaft i ndjeshëm si te zanoret dhe te bashkëtingëlloret.

a) Asimilimet të plota janë të pakta dhe kryesisht vokalike (nuku< nuk, shimitri< shënmitri, bukuvale< bukëvale, cilibrimnë< celebrimnë, iliktriknë< elektrikun, bylyri< bërryli) dhe, siç vërehen, janë asimilime në distancë, po nuk mungojnë dhe asimilime të plota konsonantike, si: llallanik< dhallanik.
b) Asimilimet e pjesshme janë zakonisht konsonantike dhe lidhen me zëshmimin e bashkëtingëlloreve të caktuara në kontakt me bashkëtingëllore më të tingullta se vetja apo me zanore (kapërxej, gërbaç, graficë, z‟dua, xbath, xhvesh, xvor (Ixvor ), mbërdhe, vasule, mezi etj.).

c) Asimilimi i plotë i hundoreve ndodh te grupet mb, nd të parafjalëve në të ashtuquajturën “rasë vendore” (de këta të dy, de kuzhinë, e solli bë shpit, dë bark, dëpër çdo vdekje, dënë këmbë, dënë buzë, dë trem të kishës etj.). Po në këtë të folme, në raste të rralla, te parafjala mbi asimilohet dubuzorja b, si në të folmet e veriut (palë mi palë, ta hipje mal mi mal).

d) Asimilimi i pjesshëm në kontakt ka ndodhur dhe në grupin sht, ku t është asimiluar në një tingull me afrikim deri në një afrikate të mirëfilltë ç (e shçunë, jashçë, shça të).
Disimilime. Në këtë dukuri të fonetikës kombinatore ndodh procesi i kundërt i asimilimit, kur dy tinguj të njëjtë ose të ngjashëm bëhen të ndryshëm në tipare për të lehtësuar shqiptimin. Disimilimet janë vokalike dhe konsonantike. a) Si disimilime vokalike mund të përmenden rastet: alurin (ulërin), çokullatë (çokollatë), mëndjelarëskë (mëndjelaraskë), qërton (qorton), fërtunë (furtunë), bylezik (byzylyk), fërtomë (fortomë) etj.

b) Disimilime konsonantike hasen te fjalët: gjalpër (gjarpër ), Xvezdë (Zvezdë), arthrit (artrit), orthodhoks (ortodoks) etj. Metateza. Metateza haset në fjalë, si: velenxë> levencë, Rolandi> Lorandi, ligavec> gilavec, gëlqere> kërqele, portokall> protokall, trahan> tëran, spërkat> përskat,

karficë> graficë, trotuar> tortuar, minjollë> millonjë (shkarpë e hollë), byzylyk> bylezik, bërryl> bylyr etj.
Është interesante të shqyrtojmë rastin e emrit lyes. Në të kanë ndodhur një sërë procesesh fonetike, nga trajta mbles> vles> lves> lues> lyes. Grupi mb është asimiluar në v, që me anë të metatezës ka kaluar pas sonantes l. Kjo e ka bërë të vështirë shqiptimin e grupit bashkëtingëllor lv, si rrjedhim kemi shndërrimet v> u> y. Duhet vënë në dukje se, nga materiali dialektologjik i mbledhur në terren, forma lyes përdoret nga folës mbi 60-vjeç, folësit e brezit të mesëm dhe atij të ri gjithmonë e më tepër përdorin trajtën vles dhe mbles. Fonemat që ndërrojnë shpesh vendin e tyre me anë të metatezës janë lëngëzorja l me dridhësen r apo dridhësja r me buzoret apo velaret.

Shtesa tingujsh. Shtesat e tingujve janë një proces i zakonshëm që ndodh në të folmen e Devollit. Si tinguj joburimorë që shfaqen në pozicione të ndryshme në fjalë pa ndonjë funksion të caktuar, janë:

a) protetikë, kur ata shtohen në fillim të fjalës (mburimnë, ntrashem, mbeso, ngjallavitem, ndra, ndardharë, nqasni, javash, javitem). Kryesisht si tinguj protetikë ndihen hundoret m dhe n dhe j 162.

b) epentetikë, kur shtohen në mes të fjalës (lëmpjetë, thembrë, embër, andre, merselera, mejtonesha, xbukuronem, shpërlaj, burxhak, afërzali). Si tinguj epetentikë shërbejnë kryesisht bashkëtingëlloret e tingulltat m, n, r, por në disa raste dhe qiellzorja j (lejmon, xhejnem, ljepur).

c) epitetikë, kur shtohen në fund të fjalës (tynë, a ynë, ngaj, e mij, andezaj, këtezaj, atfernaj, nashtinë). Si tingull epitetik më i zakonshëm është qiellzorja e tingullt j, por në shumë raste epiteza përbëhet dhe nga rrokje që shtohen në fund të fjalës pa ndonjë funksion të caktuar. Rrokja epitetike, në të folmen e Devollit, përbëhet nga hundorja n në variantin në te përemrat vetorë (tinë, aynë), në disa ndajfolje (këtunë, nashtinë). Në këtë rast rrokja fundore në mund të ketë qenë mbaresë e kallëzores, e cila është përdorur më pas dhe në raste të tjera. Dukuria e përhapjes së kësaj mbarese edhe në pjesët e pandryshueshme të ligjëratës tregon se kjo mbaresë e ka humbur vlerën gramatikore dhe ka mbetur në këto fjalë si rrokje epitetike163. Përsa u përket ndajfoljeve andezaj, këtezaj kemi një bashkim të një rrokjeje epitetike që mund të jetë përdorur si prapashtesë zvogëluese me tingullin epitetik j.

d) tingujt antihiatizues (j baktija, palareja, ngrijem, kriju; v në kohën e kryer të thjeshtë të foljeve të zgjedhimit të parë dhe në vetën e tretë njëjës shkovi, lërovi, çpovi, kërevi, rëmivi). E. Çabej e quan tingullin j si shtesë kundër hiatit dhe tek emrat i jati, e jëma 164. A. Dodi165, K. Topalli166 janë të të njëjtit mendim, duke e parë si dukuri të sand‟hit të jashtëm që ka lindur për të shmangur takimin e nyjës së përparme me emrin që fillonte me zanore. E njëjta gjë ndodh dhe te folja avitem (afrohem), e cila në të folmen e Devollit del javitem. Po ashtu, kundër hiatit del dhe dridhësja r te folja joveprore zihem në të gjitha vetat e së tashmes (zirem-ziremi), duke zëvendësuar glotalen h, që mungon në inventarin e fonemave të kësaj të folmeje.

Rënie tingujsh. Rëniet e tingujve në gjuhën shqipe janë mjaft të shpeshta dhe në të folmet e dialektore ato shfaqen më dendur. Disa bashkëtingëllore kanë rënë në çdo pozicion, pavarësisht se janë fjalë të burimit vendës apo të huazuara (p.sh., bashkëtingëllorja h), disa tinguj kanë rënë për shkak të pozicionit të tyre në lidhje me theksin (sa më tepër të ndodhen larg theksit aq më shumë rritet mundësia e rënies së tingullit), si dhe në rastet kur është gjendur një grup bashkëtingëlloresh ndërmjet dy zanoresh, aq më tepër kur këto bashkëtingëllore kanë qenë të ngjashme në nyjëtim (i ergjendtë- i ergjendë).

a) Afereza është rënia e një tingulli në fillim të fjalës dhe ndodh shpesh si dukuri e ligjërimit bisedor për zvogëlimin e numrit të rrokjeve (kjo ndodh më shpesh në antroponimet, më tepër si dukuri e shkurtimit apo zbunimit të emrit, sesa si proces fonetik). Një nga bashkëtingëlloret që i është nënshtruar këtij procesi është h-ja, e cila ka rënë në ballë të fjalëve që fillojnë me këtë bashkëtingëllore, kjo duket sidomos në huazimet turke, si: iç, ammçe, allo, ajde, elbete, a nko etj.
b) Sinkopa, si një dukuri e rënies së një tingulli apo grupi tingujsh në trup të fjalës, vihet re në ligjërimin bisedor në fjalë, si: kthesha, zisha, shpi, aherë, kshu, ktu etj.
c) Apokopa ndodh rëndom në të folmet dialektore duke qenë se tingujt në pozicion fundor janë më të prirur që të bien (kish-kishnë, ish-ishnë, erth të shçunë, zu të binte, po dhe tek emrat prindërit-prindët, grindje-grindë, sëmundje- sëmundë etj.
d) Elizioni ndodh në ato fjalë që mbarojnë me zanore fundore dhe ndodhen para fjalëve, të cilat fillojnë po me zanore. Në këto raste zanorja fundore elidohet (tkurret derisa bie). Elidimi në të folmen e Devollit ndodh kryesisht te parafjalët që mbarojnë me zanoren ë (i thashë b‟emrë, kaloi b‟at‟anë, d‟aurt, d‟atë volltë, q‟i dha, shkovi mb‟udhë etj.).

Ndryshimet pozicionale

Një nga ndryshimet pozicionale më të dallueshme është reduktimi i ë-së së patheksuar në rrokje fundore, në fjalë me theks tejfundor (flytyr, kumbull), në kallëzoren dhe gjinoren e emrave mashkullorë me theks parafundor (burit-burën), në pjesoret e foljeve që mbarojnë me -ur (ardhur, vajtur etj.)167.

Po ashtu, është mjaft e ndjeshme dukuria e shurdhimit të bashkëtingëlloreve të zëshme që ndodh kryesisht në rrokje fundore, por nuk përjashtohen dhe rastet dhe në rrokje të mbyllyra brenda fjalës apo në pozicion nistor. Rastet kryesore të shurdhimeve janë:

a) b> p: elp, plump, shkëmp, prëmë, mproj;

b) d> t : mëntë e saja, u gjent, dhëntret, rente, mejtonem;

c) dh> th: më ngorthnë këmbët, më erthnë, lithshim bë trupt, i barthkë, trathtar;

d) g> k: i lik, kërqele, zoknë, bakti;

e) v> f: sikur ka ngr ënë urof, shkof (shkovi) e vate, shtif;

f) z> s: mëngjesnë, dë qymest, e thernë këndesnë, të zestë;

g) gj> q: i squatë, e sqovi, të liqtë, i doq;

3.4.2 Ndërrimet fonemore

Këto ndërrime paraqiten si këmbime fonemash gjatë eptimit të fjalëve ose gjatë fjalëformimit. Morfemat, të cilat shprehin kategori të caktuara gramatikore, duke u përdorur në kushte të caktuara fonetike, paraqiten në formën e alomorfeve.
Ndërrimet fonemore historike janë kryesisht vokalike dhe lidhen si me ndërrimet me metafoni, ashtu dhe me apofoni.
a) Ndërrime eptimore metafonike janë ato lloj ndërrimesh historike të zanoreve nga të cilat përftohet një zanore e përparme. Në të folmen e Devolli ndërrimet metafonike përfshihen

në një sërë emrash dhe mbiemrash kur vendosen në numrin shumës, si dhe gjatë zgjedhimit të disa foljeve.
Rastet më të përgjithshme me ndërrime metafonike dallohen në:

a//e: plak-pleq, mashkull-meshkuj, natë-net, dal-del;
o//e: i voglë- të veckë;
a//i: heq-hiqnja, dreth-drithnja, mbleth- mblithnja, mer-mirnje bares-barisnja;
je// i: pështjell- pështillnja, sjell-sillnja;
ua// yé: buall-byénj;
a//ṷe: kalë-kṷej;168

b) Ndërrimet apofonike lidhen me ndërrrime historike të zanoreve, si proces i përftimit të një zanoreje të prapme, por në kuptimin më të gjerë të termit këtu hyjnë të gjitha ndërrimet që vihen re në alomorfet e një morfeme, me përjashtim të rasteve me metafoni. Kështu, apofonia në këto raste vepron si eptim i brendshëm. Rastet kryesore të ndërrimeve apofonike janë:

je//o: pështjell-pështolla, pjek-poqa;
a //o: mar-mora, nxjer-nxora;
o //ṷa: dolla-dṷallmë, solla -sṷallmë, përcolla -përcṷallmë, mora -mṷar më;
a//ua: kalë- kṷanjtë, dorë- duar-dṷartë;

c) Ndërrime në fjalëformim me zanore mbështetëse ndodhin në rastet kur tema fjalëformuese mbaron me bashkëtingëllore dhe morfema fjalëformuese fillon po me bashkëtingëllore. Për shkak të vështirësisë së shqiptimit të grupit prej dy a tri bashkëtingëlloresh ndërfutet një zanore mbështetëse. Kjo dukuri haset te disa mbiemra dhe përemra kur përdoren si të emërzuar, si: të tjerë-të tjerit, tonë-tonit, të parë- të parit, të veckë-të veckit, etj.
Ndërrimet historike të bashkëtingëlloreve lidhen kryesisht me format eptimore të emrave dhe me ato të foljeve. Kështu mund të vihen re:
a) Qiellzorëzime gjatë shumësit të emrave dhe mbiemrave
k//q mik-miq, fik-fiq, ulk-ulq, xver k-xverqe, bark-barqe;
ll//j buall-byéj, kalë- kṷej (por dhe byénj dhe kṷanj);
r//nj kushëriri-kushërinjtë, ulliri-ullinjtë;
g//gj sllog-sllogje, breg-brigje, stërg-stërgje;

b) Qiellzorëzime gjatë vendosjes së disa foljeve në të pakryerën dhe në të kryerën e thjeshtë, të mënyrës dëftore, si:

g//gj djeg-digjnja-dogja;
k//q pjek- piqnja-poqa ;

3.5 Theksi i fjalës në të folmen e Devollit

3.5 Theksi i fjalës në të folmen e Devollit

3.5 Theksi i fjalës në të folmen e Devollit

Theksi i fjalës në të folmet e shqipes ka pak ndryshime nga gjuha standarde. Në të folmen e
Devollit, ashtu si në gjuhën standarde, mbizotërojnë fjalët me theks parafundor. Problemin
kryesor e përbëjnë huazimet nga gjuhë të tjera, të cilat kanë theksin të ndryshëm nga shqipja.
Së pari, te huazimet turke me theks parafundor, të cilat në gegërishte kanë pësuar rregullim
mekanik të theksit, në këtë të folme paraqiten si fjalë me theks fundor, si: teneqé, pashá, kaúr,
pará, mertepé, asulldé, ashllamá, anxhár, esáp, inshallá, ndërsa në huazime të tjera theksi ka
kaluar parafundor (xhézve, shíshe, qóshe, penxhére, pérde, gjýle, qófte, çántë, býrde etj.).
Së dyti, te huazimet e reja nga gjuhët perëndimore prirja është drejt theksimit parafundor të
tyre, kryesisht nga brezi i ri, i ndikuar dhe nga gjuha e shkruar dhe ajo e mediave (kompjúter,
tórno, traktór).
Së treti, antroponimet femërore me prejardhje nga greqishtja kanë ruajtur theksin fundor të
tyre (Fotiní, Athiná, Viktorí, Gliqirí), por në format e shkurtuara të tyre kalojnë me theks
parafundor (teto Nía, Thína, Víka, Gríqe).
Së katërti, fjalë, të cilat janë formuar me prapashtesat sllave zvogëluese –kë, me
pratashtesën turke -çe apo me prapashtesën thirrmore –o, shqiptohen me theks parafundor,
sidomos kur mbi to bie theksi ngulmues, si: çúpkën, shqérkën, fsháçe, dérçe, hállo. Sipas
K. Topallit, këto prapashtesa të huaja, që përbëhen nga rrokje të hapura, kanë qenë të
patheksuara në gjuhët huazuese dhe të tilla dalin dhe në shqipe, duke iu përshtatur fjalëve me
fundore të njëjtë.169
Së pesti, dukuria e lëvizjes së theksit për shkak të ndryshimeve morfologjike është e
pranishme edhe në këtë të folme. Kështu, kemi lëmë-lëmínj, lëmç-lëmçínj, i keq-të këqínj, i math-

169
K. Topalli, Theksi në gjuhën shqipe, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f. 70.
79

të mbëdhénj. Në këto raste theksi shërben si mjet gramatikor për formimin e shumësit të emrave
bashkë me prapashtesën përkatëse. Një dukuri e tillë ndodh dhe në fjalë që në shumësin e një
sërë huazimesh turke të tipit babá-baballárë, béj-bejlérë, ku theksi bie mbi prapashtesën e
shumësit. Kjo dukuri është huazuar nga turqishtja, duke i shtuar prapashtesës turke prapashtesën
shqipe -ë: baba-llar-ë për analogji me shumësin bullar-ë, mullar-ë.170

Si përfundim, mund të themi se e folmja e Devollit, pikërisht për shkak të këtyre tipareve
fonetike të veçanta, përbën një variant dialektor të dallueshëm në grupimin e të folmeve të
toskërishtes veriore. Në të ruhen ende disa dukuri fonetike, si në nyjëtimin e tingujve dhe në
proceset fonetike, që ndodhin në leksikun e kësaj të folmeje, duke mbartur një sërë tiparesh të
vjetra si dëshmi që pasqyrojnë një gjendje të hershme fonetike të shqipes.

170 A. Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2004, f. 176.

4. TIPARE MORFOSINTAKSORE TË TË FOLMES SË DEVOLLIT

4.1 Veçori të përgjithshme morfosintaksore

4.1 Veçori të përgjithshme morfosintaksore

4.1 Veçori të përgjithshme morfosintaksore

Ndryshimet dialektore midis të folmeve kanë prekur dhe sistemin gramatikor. Në raport me dallimet fonetike, dallimet në sistemin gramatikor janë më të pakta. Ndërsa në sistemin fonetik kriteri bazë i dallimeve është shkalla e prekjes së sistemit fonologjik të të folmeve, për sistemin gramatikor si bazë merren dallimet morfologjike që prekin strukturën gramatikore të të folmeve nga variantet morfologjike dialektore. Kuptohet që edhe tiparet dalluese morfologjike nuk kanë
të njëjtën vlerë nga pikëpamja e prekjes së struktures. Ka dallime të tilla që prekin pjesërisht strukturën grmatikore dhe disa që e prekin në mënyrë të ndjeshme këtë sistem. Kështu, në klasifikimin e dallimeve morfologjike të të folmeve, dallojmë ato që prekin strukturën morfologjike dhe që mund të jenë dy llojesh: ato që prekin inventarin e strukturave morfologjike dhe variantet e tyre, si dhe dallimet që lidhen me funksionin e morfemave: me shpërndarjen e varianteve të strukturave ose morfemave dhe me variantet fonetike të formave gramatikore.171

Dallimet që prekin strukturën gramatikore janë mjaft të rëndësishme, sepse ato janë treguesi kryesor i ndarjes së dialekteve pa e copëzuar truallin dialektor. Si rrjedhim, vlera e dallimeve shihet si brenda një dialekti të caktuar, ashtu dhe brenda të folmeve në unitet me dialektin që e përfshin.172

Në të folmen e Devollit dallimet e grupit të parë përbëjnë një sërë dallimesh të mirëfillta që përfshijnë gjithë dialektin tosk. Kështu, në të folmen e Devollit mungon përemri pronor i vet /e vet. Po ashtu, mungojnë format e mbipërbëra të foljeve të tipit kam pasë shkuar. Përsa u përket formave të mbiemrave të prejardhura nga pjesoret e foljeve me prapashtesën –shëm, të cilat kanë ue dhe ye, në të folmen e Devollit kanë filluar të hyjnë nëpërmjet ndikimit të standardit, por duke pësuar ndryshime fonetike (i shkëlqyeshëm- i shkëlqyshmë; i mrekullueshëm-i mbrekullushmë).

Dallimet në inventarin e strukturave gramatikore që lidhen me forma të veçanta të një paradigme përfshijnë:

171 J. Gjinari, Gj. Shkurtaj, Dialektologjia, shblu, Tiranë, 2003, f. 207.
172 Po aty, f. 207.
81

a) Një formë rasore më tepër se në të folmet e tjera toske dhe gege (përjashto disa zona të gegërishtes jugore), siç është rasa vendore me parafjalët përkatëse.

b) Trajtat rasore në rrjedhore të pashquar shumës që dalin me -ve dhe jo me -sh (pe maleve, ulicave, pe ca kuaçkave na dolën kaqe veçka). Kjo formë e njëjtë me gjinoren dhe dhanoren e lë me një formë më pak paradigmën e lakimit të emrave femërorë në të pashquarën.

c) Po ashtu, me një formë më pak paraqitet lakimi i përemrave vetorë të vetës së parë dhe të dytë shumës (neve për ne, yve për ju).
Një vend të veçantë në të folmen e Devollit zënë dallimet strukturore që përfshijnë variante strukturash gramatikore. Në format gramatikore të pjesëve të ligjëratës, dallimet përfshijnë kryesisht foljen. Konkretisht, e ardhmja e foljeve paraqitet me formën do+lidhore (do të shkoj), por në ligjërimin bisedor, për shkak të ritmit të të folurit, pjesëza të e lidhores bie, duke lënë formën do shkoj (do të shkoj që pa gdhirë//to shkonj pa gëdhirë). Po ashtu,format pësorevetvetore të foljeve në kohën e pakryer dalin me forma sintetike, si: lasha, lodhsha (lodhça), mersha. Paskajorja e foljeve del me pjesëzën trajtëformuese për të (për të shkuar, për të larë, për të lëruarë, për të rëmirë etj.).

Variantet strukturore të morfemave kanë një sërë veçorish që lidhen me dallime për gjithë dialektin, si mbaresa e shquarsisë së emrave mashkullorë që mbarojnë me velaret k, g dhe grykoren -h. Në gjithë toskërishten këta emra dalin me -u në të shquarën (mik-u, kra-u, zog-u).
Në të folmen e Devollit, foljet të cilat kohën e kryer të thjeshtë e formojnë nëpërmjet apofonisë (nxjerr-nxora, marr-mora), në vetën e parë shumës dalin me diftong (mṷarëm, nxṷarëm).

Dallimet që përfshihen në grupin e dytë, pra që bazohen në kriterin funksional, nuk prekin mirëfilli strukturën gramatikore të të folmes. Në këtë grup dallimesh hyn prania e gjinisë asnjanëse te disa emra që tregojnë lëndë, tek emra prejpjesorë, si dhe tek ata që e kanë prejardhjen nga mbiemrat përkatës. Megjithatë, pavarësisht se dallohen qartë emrat e kësaj
gjinie, rrudhja e gjinisë asnjanëse po vepron ndjeshëm dhe në këtë të folme.

Prapashtesa e shumësit të disa emrave mashkullorë del në dy variante fonetike: -ë dhe -a (doktorë-doktora). Po ashtu, në kohën e kryer të thjeshtë, në vetën e tretë, foljet e zgjedhimit të parë mbarojnë me –vi (lavi, ponovi, shkovi).

82

Variantet fonetike të formave gramatikore janë të pranishme te përemri i vetës së tretë njëjës: ai-ay, po ashtu, dhe përemri i vetës së dytë njëjës e shumës del: y-yve.
Në këtë të folme është e dukshme prapashtesa -nj për shumësin e emrave të tipit: ullinj, lëminj, gjarpërinj dhe si mbaresë foljore te foljet e zgjedhimit të parë: lanj, pastronj, rëminj, lëvrinj, që në disa fshatra të Devollit të Poshtëm dalin me prapashtesën variante –j.

Për pjesën më të madhe të foljeve, në vetën e parë shumës të së pakryerës, ndodh metateza (vishnim-vishmin), ndërsa në të kryerën e thjeshtë të pësore-vetvetores mbaresat vetore të tri vetave të shumësit janë –më, – të, -në.

4.2 Emri

4.2.1 Kategoria gramatikore e gjinisë

4.2.1 Kategoria gramatikore e gjinisë

4.2.1 Kategoria gramatikore e gjinisë

Në të folmen e Devollit emrat kanë një sërë veçorish dialektore që lidhen me kategorinë gramatikore të gjinisë. Në të nuk ka dallime strukturore që e prekin ndjeshëm këtë kategori.
Dallimet më të shpeshta gjenden në grupe të veçantë emrash, te të cilët vendosja në shumës u sjell ndryshime.

a) Disa emra, të cilët dalin me temë në –o, kanë mospërputhje të gjinisë natyrore me atë gramatikore (për nga gjinia natyrore janë mashkullorë, ndërsa nga gjinia gramatikore janë femërorë). Këta emra në të shquarën nuk dalin me –ja173, por zanoren o të temës e zbërthejnë në diftong (kryesisht vihet re si dukuri tek antroponimet, si: Miço–Miçṷa, Lyto–Lytṷa, Ndreko–Ndrekṷa, por dhe në disa emra të përgjithshëm, si: kuriskokuriskṷa, fëndo- fëndṷa, çalo-çalṷa, gramatiko-gramatikṷa etj.174).

b) Disa emra mashkullorë, të formuar me prapashtesat –tar, -tor, -or, në trajtën e shquar nuk e zbërthejnë o-në e prapashtesës në diftong (lakror-i, puntor-i, gjahtar-i)175 Emrat mashkullorë, që në trajtën e pashquar mbarojnë me velaret -k, -g, si dhe disa nga

173 Këta emra, meqenëse mbarojnë me –o, te të folmet e tjera të toskërishtes dalin me mbaresën -ja, ku j, në fakt, është një tingull kundër hiatit.
172 Sipas K.Topallit (Theksi në gjuhën shqipe, Tiranë, 1995, f. 335), kjo dukuri ka ardhur si rrjedhim i prapavendosjes së nyjës shquese te këto fjalë që në të shquarën dalin me temë daktilike.
173 Këta emra, të cilët mbarojnë me bashkëtingëlloren r,nuk e zbërthejnë zanoren o të temës në diftong,sepse vjen si rrjedhim i prapavendosjes së nyjës shquese (K. Topalli, Theksi në gjuhën shqipe, f. 336).

huazimet turke që mbarojnë me -h, por që nuk shqiptohet në të folmen e Devollit, në të shquarën marrin mbaresën -u, ndryshe nga të folmet e veriut që mbarojnë me –i, si:
krau, saba-u, guak-u, karabatak-u, porpollog-u, sivok-u , targaxhik-u , umjak-u, etj.

c) Gjinia asnjanëse ruhet mirë në të folmen e Devollit. Ajo është e pranishme te mjaft emra që shënojnë lëndë, si: ujët e jazit, gjalpët dë lakror; t‟u marr dhjamët; qymyrë e bënin dë Greqit; se tret plumb e tret barunë; ja ka ngrënë derri brumët etj.; te disa emra që tregojnë pjesë të trupit, si: ballët me sedef; mishtë e kish të çkolitur; këta leshtë skuqëruar; t‟ua bësh hundët përshesh; etj.; te disa emra prejpjesorë, si: erth me të rendur; me të taksur ikte; e kishte të ndenjur; të ecurit kshu e kam; unë ta njoh zënë që në të llafosur, të na vijë me të falë “të na vijë me dhuratë”; pogaçet e t‟uruarit, kulaçet e të ftuarit; si dhe disa emra të prejardhur nga mbiemrat përkatës, si: i harxhon për të kuq e për të bardhë; pa të mirit e tij; të parit ishnë më të zotë.

Megjithatë, duhet theksuar se edhe në këtë të folme kjo gjini po rrudhet, ngaqë emrat që i përkasin kësaj gjinie po kalojnë në gjininë mashkullore apo femërore. Disa prej emrave që shënojnë lëndë po kthehen në gjininë mashkullore, si: Evlat i evlatit mjalta e mjaltit; pe një mjelli; ç‟u bë mishi; gjalpi dë lakrort është; disa nga emrat prejpjesorë kanë kaluar në gjininë femërore, si: e pira, e para bilbil, e dyta mbret, e treta derr; e dhëna e botës, e gënjyera e gojës176; po ashtu, dhe disa emra të formuar nga emërzimi i mbiemrave me paranyjëzim kanë kaluar në femërorë, si: e keqja e ka gjithmone psein afër.

d) Në lidhje me gjininë e disa emrave të huazuar nga turqishtja apo sllavishtja që lidhen me emërtimet për lidhjet farefisnore, në ndryshim nga të folmet gege, në të folmen e Devollit janë të gjinisë mashkullore (babai, xhaxhai, daiu).

E FOLMJA E DEVOLLIT (Sprovë etnosociolinguistike) TEZË PËR PUNIM DOKTORATURE Crede mihi, sacra populi lingua est (Më beso, gjuha e popullit është e shenjtë)-Seneka Krahina e Devollit PARATHËNIE Qëllimi dhe objektivat e studimit Zhvillimi i studimeve etnosociolinguistike në shkencën gjuhësore shqiptare nuk janë as të vonshme, as të pakta. Pavarësisht se në vitet e fundit ato kanë marrë një fytyrë të përcaktuar mirë, duke u përqëndruar mirëfilli në studimin e gjuhës si mjet komunikimi në gji të bashkësisë shoqërore, ato janë paraprirë nga një shumësi studimesh të pjesshme a të plota në fushën e dialektologjisë. Në këto punime gjejmë trajtimin&hellip;

Përmbledhje Vlersimi

Ju pëlqen ky Artikull

Mirë!

Përmbledhje: E FOLMJA E DEVOLLIT

Vlerësimi nga përdoruesit: 4.6 ( 1 vota)
100

Rreth Devolli Net

Faqia zyrtare devolli.net do të ofrojë mundësi lundrimi dhe përzgjedhje informacioni në hapësirën e faqeve shqiptare të internetit.Dhe një informacion të gjerë për Rrethin e Devollit Bilisht.

2 komentet

  1. Ne faqen tuaj ka nje postim te nje teze doktorature se ciles paturpesisht i eshte hequr dhe emri i autorit. Nese pretendoni te jeni nje faqe serioze, te lexoheni dhe te perhapeni mesohuni te mos publikoni ne faen tuaj materiale te kopjuara andej–ketej nga interneti, se dyti edhe kur vidhni ( me konotacionin e plote te kesaj fjale), nuk mund te hiqni emrin e autorit. Nese do te kishit nevoje per ndihme per pasurimin e faqes tuaj me shkrime mirefilli shkencore per krahinen tuaj, do te ishte me e ndershme te kerkonit ndihme te drejtperdrejte nga une.
    Ne kete rast mirekuptimi nga na juaj do te ishte gjeja me thjeshte qe mund te benit.
    Anyla Saraci

Shkruani një përgjigje...

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet.Fushat e kërkuar janë shënuar *

*

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>