Home / SOCIALE / DY TRUPËZIME ARTISTIKE TË HISTORISË SË VLLEHËVE
loading...

DY TRUPËZIME ARTISTIKE TË HISTORISË SË VLLEHËVE

DY TRUPËZIME ARTISTIKE TË HISTORISË SË VLLEHËVE

Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” (2013) i Thanas Medit në një vështrim krahasues me romanin “Kali i shalës” (2011) të Theodhoraq Cikos

Mungesën e një kontakti të drejtpërdrejtë me vllehët ma plotësuan konsideratat pozitive të Zhan Klod Faveirialit me librin “Historia më e vjetër e Shqipërisë” sipas të cilit shqiptarët dhe vllehët kishin shkuar si vëllezër në shekuj. U njoha me vlerësimin e Homerit për vllahianët si më të ndershmit vdekatarë dhe të Herodotit si më të ndershmit e thrakianëve. Lexova pohimet e Markos për Edit Durhamin “Vllehët kanë gjak të ëmbël, jo si sllavët. Vllehët janë si ne: një shqiptar e jep vajzën te një vllah, por jo te një sllav.” E besova konkluzionin e studiuesit N. Ballamaçi se vllehët kanë qenë të zënë me urrejtjen ndaj njëri-tjetrit për të qenë prorumunë ose progrekë, duke mos e venë theksin se të gjithë janë vllehë. Kisha dëgjuar për Kalivet e Stropanit që ishin ngulime verore të çobenëve. Kisha të regjistruar në kujtesë dy vargje kënge “Llaj çoban, të qan çobanka, llaj çoban…” Kur punova për librin e fshatit tim të lindjes, e mora të mirëqenë rrëfimin e një pasardhësi ende të gjallë mbi prejardhjen e fisit Palloj: Greqi – Myzeqe – Sinicë – Poloskë. Pastaj lexova me kërshëri romanin “Kali i shalës” të Theodhoraq Cikos për të cilin kam shkruar më parë dhe do ta rimarr vetëm si përqasje me romanin pasues.

Kontakti i parë me romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” të Thanas Medit ishte i vështirë, punët që kisha nëpër duar dhe vizitat e papritura të miqve të mi, më penguan për ta rrokur me një lexim të gjithin. Pastaj erdhën dy ditë leximi intesiv dhe romani qëndron i mbyllur para meje në pritje për të nisur kuvendimin me autorin. Një vepër që meriton përgëzime. Me pika takimi dhe ndarje me Cikon.
Tek të dy autorët dekoracioni me ngjarje dhe karaktere është në funksion të shqetësimit intelektual për fatin e këtij komuniteti të rrezikuar. Notat e vajit që shoqërojnë këngët e tyre kanë një shpjegim të qartë te Medi: “Duket sikur vllehtë qanin për fatin e tyre që bridhte rrënjëshkulur maleve të Ballkanit apo për ato që dëshironin t’i kishin, por që nuk i patën ndonjëherë: një strehë që quhet vatan dhe një shenjë për t’u dalluar nga të tjerët e që quhet flamur.” (f.274)
Të dy autorët mëtojnë se Voskopoja ishte djepi i vllehëve, por u shkatërrua qëllimisht. “Voskopoja është një këmbanë që të prish punë, po të mos e tundësh ashtu siç e tundit të tjerët. Dhe të pjell andralla. (f.172)
Të dy autorët e fillojnë rrëfimin nga mali, por zbritjen poshtë e shpjegojnë në mënyra të ndryshme: Cikoja si dhunë e pushtetit që i kolektivizon, Medi si kërkesë e vetë komunitetit që lë kasollet me kashtë të Pllajës së Bufit për t’u ngulur përgjithmonë në shtëpitë prej guri te Qafa e Veshit.

Tek Ciko kemi një oaz idilik ku daltohet simbioza e njeriut me malin, e bagëtisë me kullotën; tek Medi vështrimi fokusohet tek përpjekjet për të ruajtur traditat zakonore dhe kulturore duke skalitur një figurë të tillë si ajo e Arhondës. Janë disa prurje në vepër që tregojnë se Medi është një njohës i thellë dhe i vëmendshëm teksa sjell një radhë detajesh dhe rreket t’i studiojë në mënyrë shteruese: vaji në këngë, fustani i nusërisë dhe çengeli i brezit, balada e Kostandinit në një spektër të ndryshëm, beteja e fyejve, fejesat që në jep, inventari i lojërave të fëmijëve, biseda me shpirtrat e të vdekurve, etj.
Në të dy rastet lisi vllah ushqen degët e dashurisë për punë dhe paqe. Tek Ciko trungut të ngjarjeve u pranëvihen vargje të poetit Xhimo në vllahisht e në shqip; edhe tek Medi kemi një poet por më tepër se kaq, mjedisi qëndiset me dhjetëra fjalë karakteristike.

Tek Ciko bashkësia rëmëne merr plasaritje për shkak të largimit nga tradita e punës simbolizuar nga Loni Gjato, tek Medi kjo ndodh për shkak të kontakteve të detyruara me të tjerët që përftohet nga ballafaqimi mes Bufit dhe Goricës së Madhe, mes Sokrat Bubës dhe Dhimitraq Kërpit. Katerina e futur mes dashurisë së dy të rinjve, rrjedha e papritur e jetës së saj kthehet edhe në një simbol të fatit të një komuniteti që kërcënohet nga asimilimi.
Tek shqiptarët Medi sjell dy qasje të ndryshme: një dashamirëse dhe paqtuese e përfaqësuar nga mësuesi Riza Kërpi dhe një dashakeqe, konfliktuale dhe asimiluese e përfaqësuar nga Stefan Mushka.
Konflikti tek të dy autorët ndërtohet mbi një histori dashurie dhe tek të dyja veprat fundi është tragjik. Tek Ciko Toli kapedani kalëron për herë të fundit, pastaj ia lidh këmbët kalit që përfundon në ujërat e lumit të rrëmbyer. Edhe ai vetë, duke mos mbajtur dot peshën e turpit të ushqyer nga thashethemnaja, u dorëzohet po atyre dallgëve vdekjeprurëse; Xhimo nuk shkruan më poezi; bashkësia e pakësuar në njerëz e bagëti përfundon larg për të dimëruar. Tek Medi Katerina e fejuar që në djep me Sokrat Bubën, e braktis atë javën e dasmës për t’iu përgjigjur dashurisë së labit Dhimitraq. Nuk e di në se autori ka parasysh ndodhi reale, po më tingëllon e panatyrshme përplasja etnike që më pas deformohet nga sistemi diktatorial.
Në stilin e Medit mund të veçoj:

Së pari, rrëfimi përbëhet nga disa rrathë jetësh njerëzore që priten herë pas here me njëri-tjetrin brenda hapësirash të kufizuara kohe dhe vendi. Kjo bën që të ketë përsëritje të pjesshme kur ndodhia rimerret nga një pikë tjetër vështrimi.
Së dyti, sintaksa e fjalive bie në sy për paraprirjen e fjalive pasuese nga lidhëzat bashkërenditëse shtuese “e”, “dhe”, kundërshtuese “por” dhe përemri lidhor “që.” Ky copëzim të krijon idenë e frymëmarrjeve dhe frymënxjerrjeve dhe i jep dinamizëm rrëfimit. “Mjegulla herë kthehej në shall leshi që mbyste fytin e vllehëve, herë në qivurë të vegjël ku dergjeshin ngjyrat, veshjet, zakonet, traditat, vallet dhe këngët e tyre. Me të cilat ai u lidh rastësisht, si për të shlyer një borxh jete. E që më vonë, lidhja u bë e domosdoshme, si për të kthyer një borxh fqinji. Por megjithëse heshti së foluri, nuk heshti së menduari. Dhe vendi më i mirë për një mosheshtje të tillë, ishte libri për botën e panjohur të njerëzve të malit. Ose dorëshkrimi që, edhe tani në prag të përfundimit, nuk e kish akoma një titull. Si për ta gjetur më në fund atë, pa edhe një herë nga fillimi çfarë kish shkruar.” (f.273-74)
Së treti, Medi ka arritur të krijojë një galeri karakteresh ku peneli jo vetëm që skicon bukur portretin fizik por edhe depërton në shpirtin e tyre duke i individualizuar qartë: Katerina Kolebaj, Sokrat Buba, Lefter Kaçeta (f.14-15), Stefan Mushka (f.133, 145), gjyshja Arhonda, Riza Kërpi, Zoica. Po veçoj vetëm portretin e Katerinës: “Kishte fustan të gjatë me pala, gjer në fund të këmbëve. Mbrostellë me zogj të qëndisur, shami koke të verdhë dhe gërsheta të zgjatura me bishtaleca leshi.” (f.29) “Ajo ishte e bardhë, si pudër. Apo si lesh i larë në lumë dhe borë e pashkelur në brinjë. Sytë do t’i bëheshin të mëdhenj e laramanë, balli i lartë, vetullat gjarpërushe, hunda si qiri dhe buzët si burbuqe.” (f.46) “… flokë të shkurtër e që kërcenin mbi supe si bukla trëndeline, vetulla gjarpërushe, veshë të vegjël, hundë të drejtë e pa majuckë të rëndomtë, fytyrë të lëmuar dhe gjinj që kërcenin postë një fanellate të rëndomtë si mollët e fshatit të tij të lindjes. Ata sikur të grishnin të zgjateshe për t’i këputur. Dhe t’i mbaje në grusht për t’i soditur. Veçse grishja ngjante si thikë me dy presa. Ajo të tërhiqte po kaq sa të shtynte. Të ngrohte po kaq sa të ftohte. Dhe të përkëdhelte po kaq sa të rrihte.” (f.231)

Së fundi, peizazhet kanë shumë poezi brenda tyre: “Muzgu i varej në supa si gunë dhe yjet i silleshin nëpër këmbë si fëmijë të gëzuar.” (f.42) “Yjet lotonin nga të ftohtit.” (f.105), “Deti nxirrte nga xhepi shtjella e re.”(f.192), “Dielli ngjante si lot i përgjakur.” (f.192)

Kosta NAKE

Bilisht, 12 korrik 2015

loading...

Komento!

loading...