Home / SOCIALE / Dritëro Agolli brenda madhështisë së vet
loading...
Dritero Agolli
Dritero Agolli

Dritëro Agolli brenda madhështisë së vet

Dritëro Agolli brenda madhështisë së vet
ESE
1.
Të hysh thellësive të krijimtarisë letrare të Dritëro Agollit, duhet të pajisesh me të gjitha mjetet e polumbarit. Deti, pasi flaku tej me dallgë myshqet dhe shkarpat që deshën t’i hidhnin pseudo intelektualët dhe dashakeqët e artit, duket më i qetë, ndonëse deti nuk ka kurrë qetësi. Me dëshirën e mirë për t’i prekur vetë,me shijet e mia të gjithë valët muzikore që përcjell poezia e tij,valëve të dukshme e të padukshme,zhytem thellësive. Dhe ja, diku, në brendësi të një vale, feks si xixëllonjë e bukur “Vjersha ime e parë”, ku autori poetizon origjinën e vet,vendlindjen dhe bashkëfshatarët e tij me shpirt artisti:

“Një mbrëmje vija shpesh me bejtexhinjtë
Në breg të lumit ulesha menduar,
se doja të mësoja mjeshtërinë,
Për mua aq të dashur, aq të çmuar”.

Duke menduar në breg të lumit, por duke u futur edhe nëpër dallgë, Agolli u rrit, u maturua dhe e kapi “lumin krijues”prej frerësh duke e bërë “pronë” të mendimit e shfrimit krijues. Lumi fryhet e merret me revan: gurë, drurë, zaje të bardhë dhe perla. Kjo prurje krijuese e Agollit, vazhdonte rrjedhën e saj, herë e vrullshme, herë e trazuar dhe herë e qetë, derisa, lumi zuri shtrat nën shkëlqimin e gjuhës së pastër poetike, veshur me kostumin e metaforave, dhe derdhet hijshëm në detin krijues, ku koha skaliti me logjikën e arsyes intelektuale portretin poetik të Dritëro Agollit, poetit më të dashur e më të lexuar nga të gjitha moshat.
2.
Nëpër tallazet krijuese të Agollit, përpiqesh me shkëmbinjtë e thepisur të prozës shqiptare: “Arka e djallit”, ”Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”,etj.
Puna dhe talenti, janë një binom bashkëkohor në krijimtarinë e tij. E veçanta e prozës së Agollit, është filozofia e popullit, humori dhe ironia, mademet e veprës ai i gjen në sofrën e jetës së përditshme, në popull. Ai e di mirë si plehërohet toka pjellore, si gdhendet guri, si vilen të mbjellat që të mos kalben në kohë të keqe. Po kaq mirë di, të punojë edhe me gjuhën.
Me mjetet e gjuhës, nën aureolën e humorit e ironisë, demaskon nëpërmjet personazheve, tipa e karaktere të paaftë në jetën politike, gjatë periudhës kur s’guxonte askush të ngrinte zërin para barrikadave të sistemit të shkuar. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” edhe sot është prezente në jetën shqiptare. Andaj, ky roman mbetet një nga veprat më të shquara të letërsisë shqiptare.
3.
Edhe pse pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri, ka pasur mendime të ndryshme, pro dhe kundër vlerave letrare agolliane… Unë mendoj se veprat e skenës dhe ekranit shqiptar që mbajnë firmën e Agollit, kanë vlera. Për disa prej tyre që pretendohet se kanë propagandë ideologjike të komunizmit, do të thosha, se arti i tyre tregon historinë e një kombi. Megjithatë, s’dua të ndalem këtu, se mendimi im, është vetëm i imi. Sinqerisht, më bën përshtypje, se kur shfaqen këto filma nëpër televizorë, brezat ë të rinj, fëmijët tanë, kënaqen kur i shikojnë.
Pyes veten: Si ka mundësi?
Përgjigja:Arti është art. Ai, është universal dhe qëndron mbi çdo pragmatizëm propagandistësh.
Lexuesi dhe teleshikuesi nuk rekomandohen, as ndalohen për të lexuar a për të parë këtë, apo atë vepër. Duke qëndruar në këtë argument, romancieri e skenaristi në fjalë, ka arritur qëllimin e misionit të tij artistik.
4.
Diku, në një valë tjetër të krijimtarisë agolliane, më çukisin e gudulisin “Çudira dhe Marrëzi”. Dhe unë qesh, marrosem, grindem dhe inatosem. Në një qoshk të fabulave, jam viktimë e “heronjve” të fabulistit Agolli, që me shtizën e tij të mprehtë shpon çdo ves të shoqërisë sonë dhe çdo padrejtësi, që rëndon mbi njeriun e thjeshtë e të pa mbrojtur.
5.
Pjesëmarrja e gjatë e shkrimtarit në jetën politike dhe shoqërore të vendit, nuk e ka ndaluar hovin krijues të tij. Veprat e Agollit i mbijetuan kohës së ndryshimit, se ato mbartin vlera të mirëfillta të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Agolli është një personalitet i rëndësishëm i artit dhe i kulturës shqiptare. Është njeri që posedon kulturë artistike, politike dhe njerëzore. Njerëzit e mençur, humanë e me karakter të fortë si ai, prodhojnë vazhdimisht emocione pozitive njerëzore dhe i shërbejnë njerëzimit. Agollin, s’mund ta ndajmë si njeri me atribute dhe si poet.
6.
Felks Grandem, thotë: “Poezia është send i zemrës. Është një formë zemërore e njohjes. Ajo është dashuri për njerëzit dhe atdheun.”
Ky perifrazim i poetit spanjoll, më bashkon edhe mua si lexues të ndjej (në të gjitha qelizat), poezinë e Dritëro Agollit, poetit bashkëkohor që s’e humbet toruan edhe kur zhgënjehet apo dështon, ai kërkon udhën e jetës, udhën e dashurisë njerëzore, për vendin, për tokën, për njeriun, për të nderuar paraardhësit e tij:

“Unë jam prej kohësh pelegrin,
Shtegëtar i karvanit të humbur,
dhe mbart mbi kurriz një një premtim
të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur”.

Agolli është njëkohësisht edhe mikpritës i papërtuar, për të ndihmuar brezat më të rinj, që trokasin për të hyrë në familjen e shëndetshme të poetëve. Poezia e Agollit krijon marrëdhënie intime poet-lexues, kështu që, poeti më imponohet ta dua dhe ta çmoj artin e tij. Ajo është një mozaik tingujsh e ngjyrash, një notë muzikore që lejon të kompozohet nga lexuesi gjatë komunikimit shpirtëror me vargjet .Këtë lidhje të ngushtë me të, e gjejmë tek vëllimet: “Mesditë”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorka e mesnatës”, etj. Për mua, një nga vëllimet më të arrira, është: “Pelegrini i vonuar”, ku poeti dëshmon forcën,vitalitetin profesional, si një nga majat e poezisë shqipe.
7.
Fabulat poetike të Agollit,marrin forma spektakolare, ku të gjithë elementët e gjuhës poetike, harmonizohen dhe lartësohen mjeshtërisht në kultin e fjalës poetike, me mendim, ide, imazh poetik dhe një ndjesi të hollë poetike. Mjafton që, në këtë vëllim të takosh poezinë, “Ëndrra e prerë”:
“Mos vdis në dhomën e heshtur, i shtrirë,
Është turp, kaq shpejt të rrish e të vdesësh,
Ne ëndërronim në vdekje pak më të mirë,
Duke vdekur, fytyrat tona t’shihnim në pikën e vesës.”
Pa dashur t’i bëj një koment të gjithë poezisë, shkëputa vetëm strofën e fundit, ku poeti, krijon një gjendje profetike: edhe vdekja është procesi i fundit i frymëdhënies, ashtu siç kërkohet jeta e njerëzve, të jetë më e mirë. Kjo poezi, qëndron si vlerë e dallueshme më vete, në letërsi.
8.
Nëse do të hulumtosh me dashuri në detin e pafund të poetikës agolliane, nuk mund të mos gjesh një gur smeraldi, që vezullon nën ritmikën muzikore, të vargjeve:

“Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë, i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin më kamerierët.
“Dhe nëpër rrugët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
mbi varrin tim do rrijë i heshtur
një qiparis si murg i ngratë”.”

Kjo poezi e Agollit, është kënga më e bukur, më e popullarizuar e letërsisë shqipe.
Ku e mbështes këtë mendim?
Gjithçka që mendoj unë, nuk është vetëm personale. Qindra ,mijëra shqiptarë kanë ndjekur spektaklin “Ethet e së premtes”, ku kemi dëgjuar me javë të tëra seleksionimin e këngëtarëve të rinj. Kemi dëgjuar me dhjetëra djem 16-18 vjeçar që janë paraqitur në këtë spektakël,me këngën “Kur t ë jesh mërzitur shumë”, interpretuar kohë më parë nga Ardit Gjebrea. Teksti i këngës, është marrë nga vëllimi “Udhëtoj i menduar”, botuar më 1985. Sot jemi në vitin 2005. Pra, a nuk është kjo poezi një gjendje e thellë komunikimi me lexuesin, ku poeti këndon me zërin e vetëdijes dhe të nënvetëdijes, se një ditë s’do të jetë, dhe është i sigurt, se do të ndjehet mungesa e tij, tek të dashurit e miqtë e tij… dhe, si për t’ia lehtësuar dhimbjen e mosekzistencës fizike,ta kërkojnë tek pavdekshmëria e veprave të tij?
9.

Poetika e Agollit shquan për regjistra të pafund ritmesh, rimash, asonancash dhe gjendjesh mendore, shpirtërore dhe fizike.
Poe, thotë: “Poezinë e dallon vetëm bukuria e saj e veçantë”.
Dhe, e veçanta e kësaj poezie është përjetimi i gjendjes melankolike të trishtimit, duke iu drejtuar gruas:

“Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do më kesh në dhomë të gjallë,
dhe kur në xham të fryjë erë,
do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë,
Në raft të librave kërkomë,
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë”.

Ky emocion poetik, merr përmasa universale dhe shndërrohet në art madhështor, duke e përligjur poetin të pavdekshëm.
Brenda shpirtit të tij lirik, buzëqesh urtësia, triumfon dituria dhe njohja e historisë së letërsisë botërore.
Ai është një zotërues trevash poetike me kapacitet të lartë, por asnjëherë s’e ka rrahur gjoksin, të thotë: jam poet i madh!
Dritëroi karakterizohet nga ndjenja e modestisë, edhe pse realisht, ai është poet i përmasave të mëdha, që matet me poetët më të mirë të kombeve të zhvilluara.

10.

Diku, kam lexuar Leopardin, i cili thotë: “Poezia lirike personale dhe melankolike është më e madhja nga të gjitha. Detyra e poetit është të jetë vetvetja dhe sinqeriteti është shfaqja më e bukur e poezisë. Poema lirike mund të konsiderohet si maja e poezisë dhe poezia vetë, maja e ligjërimit njerëzor”.

Pikërisht, këtu qëndron poeti Dritëro Agolli, i heshtur, i sinqertë, brenda madhështisë së vet lirike, “Kur të jesh mërzitur shumë”, që me të vërtetë, kjo poezi, ka vlera universale.

Fatime Kulli

loading...

Komento!

loading...