Home / BOTIME / Donte të vriste fëmijën e botës, mori në shenjë birin e tij
loading...

Donte të vriste fëmijën e botës, mori në shenjë birin e tij

Donte të vriste fëmijën e botës, mori në shenjë birin e tij

Një ngjarje e pabesueshme do të ndodhte atë ditë. Dikush i fshehur pas një grumbulli ferrash do të vriste një fëmijë dhe pas kësaj do të largohej duke vrapuar nëpër pyll, herë duke u rrëzuar dhe herë duke u ngritur me shpresën se askush nuk do ta njihte, por në të vërtetë nuk do të ndodhte ashtu. Vitet do të kalonin dhe ngjarja nuk do të harrohej kurrë, ashtu sikurse ka mbetur e gjallë edhe sot e kësaj dite edhe pse kanë kaluar 100 vjet. Thuhet se vrasësi tentoi disa herë të vriste veten, madje thonë që ai u çmend dhe vdiq bashkë me çmendurinë e tij duke qëndruar i fshehur pas gëmushave me frikën se dikush do t’i thoshte: “Ti e vrave djalin tënd me duart e tua!” Si kishte ndodhur?

Ngjarja

Një grumbull fëmijësh po kullosnin delet dhe luanin me njeri-tjetrin. Vrasësi ishte nisur dhe njëri prej fëmijëve do të mbetej i vdekur. Mes fëmijëve që po luanin ishte dhe një fëmijë i vogël, vetëm 8 vjeç, Loni (Prifti) Trebicka. Ai që do të vritej do të ishte pikërisht Loni, vëllai i Vani Trebickës, njeriut që i dha jetë lëvizjeve kulturore dhe artistike në Bilisht dhe që për herë ta parë (në gjithë qarkun e Korçës), ndoshta edhe më gjerë se kaq do të ngjitte në skenë vajzat e Devollit. Familja Trebicka kishte vetëm pak kohë që kishte mbërritur në një nga fshatrat e Përmetit. Atë ditë nëna e tij i kishte blerë Lonit një bluzë të re. Gjithçka kishte qenë rastësi, edhe blerja e bluzës. Nëna e tij nuk e dinte që dikush kishte marrë vendim që djali i saj atë ditë duhej të vdiste, nuk e dinte që edhe fëmijët e tjerë atë bluzë do të vishnin me radhë njëri pas tjetrit. Deri në atë kohë kjo familje kishte jetuar në Trebickë të Korçës. Babai i tyre Argjir (Prifti) Trebicka, që shkurt e thërrisnin “Gjika”, shkonte dhe vinte vazhdimisht në Sofje të Bullgarisë dhe sillte që andej libra në gjuhën shqipe. Në shoqërinë “Dëshira” bënte pjesë edhe vëllai i Gjikës, Dhimitri. Njerëz të kishës greke i kishin thënë që të mos sillte libra shqip nga Bullgaria, por Gjika nuk po hiqte dorë. Vendimi i fshehtë ishte marrë: Gjika do të digjej i gjallë në turën e druve.

Gjika digjet i gjallë

Rasti e solli që njerëzit e kishës grekë ta digjnin të gjallë. Ishte viti 1914. Ushtria greke u sul në drejtim të fshatrave të jugut. Nuk harroi të nisej edhe drejt Trebickës. Do të digjnin gjithçka, por mbi të gjitha do të kapnin të gjallë Argjir (Prifitin) Trebickën. Njerëzit nisën të largohen duke marrë me vete fëmijët. Gruaja e Gjikës mori djalin e vogël, Vanin dhe doli nga shtëpia. Argjir (Prifti) Trebicka do të merrte Lonin, por nuk mundi të lagohej. Nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të fshihte të birin dhe t’u dilte ushtarve përpara. Ashtu bëri. Loni i fshehur diku, në kthinat e shtëpisë, ndiqte nga të çarat e mureve se çfarë do të ndodhte me të atin. Do të shihte me sytë e tij një tmerr të vërtetë. Ishte vetëm 8 vjeç. Grekët morën babain e tij dhe e lidhën. E qëlluan me tyta armësh. Gjaku po i ridhte nëpër fytyrë. Pastaj morën një grumbull drush dhe u vunë zjarrin. Nuk vonoi shumë dhe mbi flakët që kishin ngritur krye hodhën babain e tij të gjallë. Ai pa se si i ati po digjej. Pas kësaj ushtarët ikën. Qante në heshtje dhe mbyllte sytë për të mos parë atë që nuk shihte dot. Priti atje te vendi ku ishte fshehur derisa burrat e fshatit, gratë dhe fëmijët u kthyen përsër në Trebickë. U kthye edhe nëna e tij bashkë me Vanin e vogël. E gjeti birin e saj të fshehur në një nga kthinat e shtëpisë. Ishte djegur e gjithë shtëpia, por fatmirësisht Loni i saj kishte mbetur i gjallë. E pyeti: “Ku është babai“, por ai nuk përgjigjej dot. Doli dhe shkoi te tura e druve. Ndoshta shpresonte se babai i tij do të ngjallej nga hiri. Hoqi drutë e mbetura të padjegura, por atje nuk kishte mbetur asgjë. Ditë më vonë ai do të tregonte se çfarë kishte ndodhur me babain e tij. I mbante mend fytyrat e vrasësve. Që njeri prej fëmijëve të Argjirit kishte mbetur i gjallë dhe kishte parë gjithë ngjarjen shkoi edhe në vesh të vrasësve. Ata vendosën: “Fëmija i Argjirit të ekzekutohet, një ditë ai do të na njohë dhe do të hakmerret!”

Bluza e Lonit

Tashmë fëmijët ishin duke luajtur. Vrasësi që ishte nisur drejt tyre do të mbërrinte nga çasti në çast. Fëmijët e tjerë po i luteshin Lonit që ta vishnin edhe ata bluzën e tij të re që nëna e tij sapo ia kishte blerë. Loni nuk kundërshtoi. Fëmijët nisën të vishnin bluzën me radhë, herë njëri dhe herë tjetri duke e mbajtur të veshur për një copë herë. Vrasësi nuk kishte shumë të dhëna mbi fëmijën që do të vriste. I kishin thënë vetëm se çfarë bluze kishte veshur fëmija që do të vriste. Vetëm kaq. Loni ndodhej aty në një nga fshatrat e Përmetit, sepse ishte larguar nga Trebicka, pasi me familjen e tij mund të hakmerreshin përsëri. Jetonte me nënën e tij dhe vëllanë e vogël Vanin, i cili ishte vetem 4 vjeç. Dy vjet më vonë Loni do të mësonte edhe vrasjen e xhaxhait të tij, Kozmait, bashkëluftëtarit të Themistokli Gërmenjit. E vranë në fushën e Bitinckës, sepse kishte kërkuar që autonomia e Korçës të ishte e pavaruar edhe nga Franca . Në atë kohë në një nga kafenetë e Korçës do të vritej edhe një i afërm i tyre, Vasil Trebicka. Teksa po jepte shpirt kishte mundur të thoshte:

“Me këtë gjak që po derdhet do ta ndërtojmë Shqipërinë!”. Po edhe në këtë fshat të Përmetit, familja e Argjir (Prifti)t Bitincka nuk do të qëndronte gjatë. Në vitin 1930 do të vendosej në Bilisht të Devollit. Jeta e tyre do të ishte një vuajtje pa fund. Madje as atë ditë Familja Bitincka nuk e dinte që vrasësi ishte nisur për ta vrarë djalin e tyre, ngaqë ai i kishte parë kur po ia digjnin të gjallë babain. Po afronte çasti i vrasjes. Pikërisht në këtë kohë bluza ishte veshur nga një fëmijë tjetër. U dëgjua një krismë. Një fëmijë i vogël u rrëzua përdhe. Pastaj u pa një rrëke gjaku që po mbulonte trupin e tij. Vrasësi kishte nisur të largohej, herë duke u rrëzuar dhe herë duke u ngritur. Nuk e dinte që kishte vrarë të birin e tij!

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...