Home / SOCIALE / DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI
loading...

DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI

DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI:

POEZI TË VESHURA ME PETKUN E DHIMBJES

SHTEGTIMI I LIRISE

SHTEGTIMI I LIRISE

Brahim Avdyli, poet, shkrimtar,dhe studiues, tani i afirmuar në letërsinë shqipe, me një përvojë mbi tridhjetë vjeçare krijuese, na vjen edhe me një përmbledhje poezishë me titull “Shtegtimi i lirisë”. Brahim Avdyli tani nuk është më ai poeti adoleshent kur i këndonte gëzimeve të jetës rinore hipur mbi krahët e fluturave dhe pëllumbave, që i gëzohej këngëve të bukura të bilbilave, që këndonin me aq gëzim jetës nëpër gjelbrimin e pafund të maleve në fshatin e tij në Morinë, ku kishte lindur dhe rritur si të gjithë moshatarët e tij, në kohën kur ishte plotë ëndrra dhe shpresa për jetë. Tani pas një përvoje të gjatë, jo vetëm në fushën e krijimtarisë por edhe të jetës, vjen gjithnjë më i pjekur dhe e kupton se jeta nuk qenka një kopsht me lule që të sjell vetëm gëzime e lumturi, por përpjekje, vuajtje të pa sosura deri në dhimbje. Poeti na paraqitet një vëzhgues i hollë që sheh përtej syrit të zakonshëm, sheh dhe i kthehet në brengë ëndrra e dikurshme rinore. Në këto poezi dhimbja i kalon caqet e dhimbjes. Të gjitha ëndrrat rinore për një jetë më të lumtur e më të mirë i thërmohen para duarve dhe përpara i del realiteti i hidhur i kësaj jete plotë vuajtje dhe mjerim. Në vargjet e këtyre poezive dhjetra herë përmendet fjala “dhimbje” “Pran lumit të gjakut | më është vrarë koha | mes një kodre dhimbjesh”. Pra dhimbja e tij i kalon caqet e dhimbjes normale, ajo bëhet kodër e pa kalueshme.

Poeti dhimbjen e tij personale e përgjithëson me dhimbken kolektive të popullit të tij. Poeti qëndron në dy këmbë; njerën në shtetet evropiane ku për mijëra të ri shqiptarë ishte shëndërruar në vend të ëndrrave dhe të shpresës për një jetë më të mirë dhe të lumtur, dhe me tjetën këmbë në Kosovë,apo në fshatin e tij të dashur, Morinë. Por askund nuk e gjeti ëndrrën e tij. Atje e përçmonin si një të huaj, kurse në vendin e tij e përcillnin intrigat nga më të ndryshmet që ia bënin jetën ferr. Aty ku “Përpiqet demoni të ngjallë të ligën” dhe “Vështirë do të duronte | lemeritjet e njerëzve”. Poeti deklaron “Jerta ime është luftë me të keqen” duke u përpjekur të qëndrojë stoik në parimet e tij njerëzore. Edhe në kohën sa qëndron në mërgim, duke bartur mbi kurriz mallin e pashuar për vendin e tij përpiqet të gjejë rrënjët e së kaluarës së popullit të tij në ato anë dhe gjurmon fosilet e paraardhësve tanë të përbashkët, tani të mbetura në disa kalka dhe emra toponimesh në shtetet e Evropës që nuk duan t’i pranojnë. Dhe këto fakte i përforcon edhe me studime të shumta të lashtësisë pellazge: ” Tashmë ka emigruar liria te ata që jetojnë me emrin tonë”.

Poeti me një shpirt të pastër e të padjallëzuar, neveritet edhe prej njerëzve që jetojnë në një shoqëri të korruptuar që kënaqen me jetën e tyre instiktive:“Jeta normale e njerëzve është qelbëzuar me gënjeshtra të liga . Duke qenë tepër i zhgënjyer me realitetin që po e jeton dhe njerëzit e pa moral që e rrethojnë, shprehet: “ Bota ka dalë nga trajektorja e vet drejt fundit”, sepse nuk pret asgjë të mirë që mund të vij.

Në ciklin e poezive “Lejleku i ëndrrave të mia” poeti trajton fatin e tij dhe të gjithë mërgimtarëve tanë që njëkohësisht jetojnë përherë në shtegtim herë në vendlindje e herë në perëndim. Ata shkojnë drejt perëndimit “Për të ikur nga dhembja | për të gjetur pranverën”. Fatin e tyre të mjerë që detyrohen për ta braktisur atdheun e tyre të “lirë” për një kore buke më të shishme, vajtojnë edhe malet tona: “Asgjë nuk më duket më e pikëlluar| se shkëmbinjtë e kërrusur”. Pra poeti është skajshmërisht i pikëlluar me gjendjen e vet dhe të popullit të tij që po kalon nëpër situata të tilla: “Frymën e fundit | e mbledhë |nëpër oqeanet e lotëve | e dhembjet e vdekjes”.

Qyqja është një figurë tjetër që e përforcon edhe më shumë atmosferën trishtuese në poezitë e Brahim Avdylit. Qyqja që këndon nëpër degë të thara dhe mbi varreza fatin e mijëra të vrarëve që u sakrifikuan për këtë tokë martire, për një copë liri që nuk e gëzuan kurrë. Në poezinë “Qyqja e maleve tona” e merr subjektin nga një baladë e hershme “Ali Bukuria”, që është një variant apo motërzim i baladës “Konstandini dhe Doruntina” dhe vazhdon të këndojë prej shumë shekujsh mbi varret e nëntë vëllezërve, dhe vaji i saj nuk pushon kurrë nëpër malet tona e sidomos mbi varrezat e të rënëve që nuk e përjetuan lirinë, që aq shumë e deshtën. Në ato vende plotë melankoli mbijnë dhe rriten edhe “Lulet e qyqes”, lule të verdha që të kujtojnë vdekjen plotë trishtim të mijëra njerëzve, por edhe të prindërve të tij.

Të vetmët poezi ku poeti na sjell një atmosferë më të gëzueshme, janë ato poezi përkushtuese që ua kushton nipërve dhe mbesave të tij, që sjellin një shpresë të madhe për përtrirjen e jetës dhe ata do ta gëzojnë një jetë më të mirë.
Këtë pëmbledhje të poezive e mbyll me vargjet e fundit të Epilogut me titull “Fryma e fundit” ku shprehet: “Shtrydhë së fundi zemrën | të lëshojë | ulërimën e shpirtit | këngën e zjarrtë të lirisë”. Pra përmes këtyre vargjeve don të shpreh atmosferën optimiste të shpresës dhe të lirisë me të cilën fjalë edhe e titullon këtë përmbledhje të poezive të tij “Shtigjet e lirisë”. Ai përmes këtyre vargjeve përpiqet të na thotë se përkundër këtyre vuajtjeve nuk duhet t’i shuaj shpresat se popullin tonë e presin ditë më të mira dhe do të realizohen ëndrrat e tyre për një jetë më të mirë , të lirë dhe të bashkuar.

Brahim Avdyli me këtë përmbledhje të poezive e dëshmon edhe një herë forcën dhe nivelin e tij si një poet tani të afirmuar duke ua dhënë në duar lexuesve këtë buqetë poezishë të një niveli mjaftë të lartë artistik.

Prof. Mr. Muhamet Rogova

Gjakovë,
29. 12. 2024.

loading...

Komento!

loading...