Home / REPORTAZH / Devolli – Lumi i Djallit apo Lumi i Zotit?
loading...
Këtu mburon Lumi Devoll
Këtu mburon Lumi Devoll

Devolli – Lumi i Djallit apo Lumi i Zotit?

Devolli – Lumi i Djallit apo Lumi i Zotit?

Vështrim kritik rreth një studim mbi etimologjinë e fjalës “Devoll”Nga Vepror Hasani

Kohë më parë, dy pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, dr. Dhimitër Bello dhe prof. as., Robert Damo, morën përsipër të zbulonin kuptimin e fjalës “Devoll”. Me këtë emër njihet lumi i Devollit, rrethi i Devollit dhe qyteti prehistorik i kësaj krahine, i cili ende nuk është zbuluar se në ç’vend ndodhet. Pas deshfrimit të fjalës “Devoll”, Bello dhe Damo do të zbulonin edhe vendndodhjen e qytetit, sepse do të ishte etimologjia e kësaj fjale që do t’i çonte atje. Pra, kështu duket se ka qënë synimi dhe pretendimi i tyre.

Prejardhja

Deri më sot nuk ka patur asnjë dilemë që emri “Devoll” rrjedh nga fjala “Deaboli” apo “Deboli”, madje nuk ka asnjë mëdyshje që ky lumë në krye të herës është quajtur “Eordhaik”. Po kaq e vërtetë është që në këto troje ka jetuar fisi ilir i eordejëve. Pra, çdo lloj studimi kishte dhe ka mundësinë të niste apo të nisë mbi një bazë të sigurtë. Pas përfundimit të studimit, ata (Bello dhe Damo), sollën idenë e tyre: kishin arritur në përfundimin se lumi i Devollit ka kuptimin “Lumi i Djallit”. Për rrjedhojë, edhe zona (rrethi) ka kuptimin “Krahina e Djallit”, edhe qyteti, ende i pa zbuluar, ka patur emrin “Qyteti i Djallit”. Ky studim është botuar kohë më parë në një apo dy të përditshme, nën titullin: “Lumi i Djallit”! i shoqëruar edhe nga mbititulli: “Mbi vendndodhjen e Devollit, nën vështrimin toponimik”. Veç sa më sipër, materiali në fjalë, paraqitet si prodhim i Universitetit “Fan Noli” Korçë. U njohëm rastësisht me këtë studim, i cili çuditërisht linte pezull mjaft pikpyetje, pasi më shumë se çdo shpjegim tjetër, Lumi i Devollit ka kuptimin “Lumi i Zotit” dhe jo “Lumi i Djallit”.

Tezat

Ku qëndrojnë kundërshtimet mes dy tezave: nëse lumi i Deabolit do të kishte kuptimin e djallit, atëherë automatikisht do të kuptonim se ky lumë e ka prejardhjen nga fjala greke (diavolos), në të njëjtën kohë dhe qyteti Deaboli do të na shndërrohej në “Theapolis”, që do të thotë “Qytet i Zotit”, por tashmë në kuptimin e gjuhës greke. Kjo tezë jo vetëm që është e pabesueshme, por njëherazi është dhe e absurde. Argumentet, pse lumi i Deabolit nuk mund të ketë kuptimin “Lumi i Djallit”, por “Lumë i Zotit” do t’i sjellim më poshtë.

Me të njëjtin emër

Dy profesorët, studimin e tyre e nisin me këto fjalë: “Pakkush e di sot se emri Devoll haset në funksion të trefishtë nominativ; si emër qyteti, lumi dhe rrethi. Tek ne rëndom njihet me dy funksionet e fundit”. Në të vërtetë konkluzioni i pedagogëve nuk është i plotë, sepse nga gjithkush dihet që në trojet e Devollit jetonin Eordejtë, krahina quhej Eordea, kurse lumi i Devollit në krye të herës është quajtuar “Lumi i Eordaikut”, ashtu sikurse Vjosa quhej “Aosi” dhe lumi i Osumit “Aspi”. (Shumë nga lumenjtë nuk kanë patur emrat e sotëm). Ndërkohë edhe qyteti i kësaj krahine quhej Eordea, ashtu si vetë krahina. Pra, kjo krahinë, qyteti i saj, dhe lumi, kanë patur gjithnjë të njëjtin emër. Sipas arkeologut Hasan Ceka, “eordejt e linkestët banonin në Devollin e Sipërm, respektivisht përreth Liqenit të Pogradecit, d.m.th. në pjesën lindore, veriore dhe veriperëndimore të qarkut të Korçës”. Kjo do të thotë, që në atë kohë, gjithë shtrirja gjeografike, quhej Eordea. Pra, edhe rrethinat e Pogradecit, edhe Korça, edhe Devolli, madje deri në liqenin e Kosturit (po ta themi më thjeshtë) këto troje kanë qënë të banuara nga devollinjtë,(eordejtë) Dhe jo vetëm kaq, Eordejtë shtriheshin deri në kufi me Gorën dhe Oparin, aty ku takoheshin me fisin e Atintanëve. Për rrjedhojë, edhe kur lumi i Eordaikut u shndërrua në Deabolis, të njëjtin emër mori edhe krahina, edhe qyteti. Nuk është aspak çudi që qyteti Eordea të jetë shndërruan në Deaboli, fill pas shkatërimeve që pësuan këto troje nga ushtria e konsullit Romak, Sulpici më 199 p.e.s apo nga shkatërrimet e ushtrisë maqedonase të Perseut më 171 p.e.s, sepse në shek II, qyteti Erodia del me emrin Deboli. Gjithsesi, Bello dhe Damo, nuk i referohen aspak kësaj periudhe, ata, çuditërisht, e përqëndrojnë studimin e tyre vetëm gjatë kohës së pushtimit bullgar dhe mbi toponimet sllave. Por të shpjegosh gjuhën shqipe përmes sllavishtes, kjo përpjekje do të ishte edhe më shumë se absurd.

Devolli- Lumi i Djallit

Dhimitër Bello dhe Robert Damo, pasi analizojnë çdo toponim sllav dhe çdo burim sllav, pa i krahasuar ato me burime të tjera, dalin në përfundimin se domethënia e Lumit të Devollit është “Lumi i Djallit”. Cilat janë argumentet e tyre?. Bello dhe Damo pasi sjellin në vëmendje të studimit se Devolli është përmendur fillimisht si qyteti Debolia nga gjeografi grek, Ptolemeu që në shek II-të, pohojnë: “Emërtimin Devoll, me trajta paksa të ndryshme fonetike, e hasim shumë herët. Më pas, në studime dhe dokumente të ndryshme, emri paraqitet me forma të ndryshme. Në Mesjetë, tek Ana Komnena, kemi një devijim fonetik dhe semantik të emrit duke e quajtur Lumi i Djallit, flumen Diaboli, ndërsa në kohën e kryqëzatave arrin të quhet flumen Deamonis. Po kështu, emrin e hasim edhe në trajtat e tjera në periudha të ndryshme si Deaboli, Deabolis, Deebu (1273), Deavolis, Dievolis, si dhe Euali (1351, 1367), Drevale, Jevali (1360, 1363), Dievali (1344, 1347, 1359), Devoli (1380)[1]“. Pra, nga gjithësa shihet përevç devijimit fonetik që ka sjellë Ana Komneni, në asnjë rast tjetër ky lumë nuk është quajtur “Diaboli” që të ngulmohet te kuptimi “Lumi i Djallit”. Megjithatë dy pedagogët tashmë e kanë hedhur hapin e parë. Për ta lumi i Deabolit është “Lumi i Djallit”.

Devolli-Lumi i Zotit

Krejt në kundërshtim me dy pedgogët e cituar më sipër, studiuesi Perikli Ikonomi, na jep një shpjegim tjetër: Sipas tij, Lumi i Devollit quhej “Lumi i Zotit”, sepse ky lumë shkonte në drejtim të malit të shenjtë të Tomorit dhe ka qënë i lavdëruar edhe nga perënditë e këtij mali. Kjo do të thotë se edhe krahina është quajtur “Toka e Zotit” edhe qyteti prehistorik “Deabolis” ka qënë “Qytet i Zotit”. Shprehimisht Perikli Ikonomi e shpjegon kështu: “Devolli e ka marrë emrin nga Deolum-Deoli- Deolli. Ky lumë vjen nga fjala latine Deus (Divus) –Perëndi,( i shenjtë), d.m.th. deo-lum a deo-lumi, deolum –deoli-Deolli. Ky lum në kohë të vjetra ka qënë i pabashkuar me Osumin dhe ka pasur rrugë tjetër që sot ka emrin “Dell”i, atëherë quhej Eordhaik”. Pra edhe nëse i referohemi Ptolemeut, ku ai këtë lumë e sjell me emrin “Debolia”, rrënjën e kësaj fjalë e gjemë te latinishtja. Një variant të kësaj ideje sjellin edhe dy pedagogët, Bello dhe Damo, por çuditërisht ata nuk e marrin parasysh. Ata shprehen se “sipas akademikut bullgar St. Mlladenov, toponimi fillimisht duhet të ketë qenë një substrat hidronimi dhe burimin e sheh në rrënjën trakase Dev-ula me kuptimin “rrjedh”. Dy pedagogët sjellin edhe një shembull tjetër dhe sërish nuk e marrin parasysh, ku konstatojnë se, “sipas një tjetër studiuesi, po bullgar, Zhivko Vojnikov toponimin e nxjerr nga protobullgarishtja (gjuhë ugro-fine), duke e lidhur këtë me semantikë paralele me iranishten dewol, diwol me kuptimin “mur” dhe jep analogen indoevropiane të trakishtes dava- deva me kuptimin “fortesë, qytet”. Pra edhe studiesit bullgarë nuk sjellin ndonjë përngjasimi me fjalën “djall” Të gjitha këto tregojnë se domethënia e fjalës “Deboli “duhet kërkuar te rrënja “devus”. Më shumë se te kushdo tjetër, e vërteta duket se është në anë të Perikli Ikonomit. Ja edhe një argument më shumë: Në qëndër të Devollit të Sipërm, ngjitur me lumin e Deabolit (Devollit) gjendet një fshat me emrin Bozhigrad që në sllavisht do të thotë “Qytet i Zotit”, pra, emri “Deabolis”, thjesht është sllavizuar me kuptimin që ka patur dikur. Dhe ndërsa dy pedagogët e këtij studimi mbërrijnë në këtë pikë, shprehen: Bozhi-grad do të thotë “qytet i zotit”, atëherë qyteti i Deabolit ka qënë “Theopolis”, që greqisht do të thotë “qytet i Zotit” Të mbërrish në konkluzione të tilla, nuk është e nevojshme të jesh profesor, sepse shkruan vetëm atë që dëshiron, pa sjellë asnjë provë. Pra, dy pedagogët, lumin e duan të jetë i djallit, (Diavolos) ndërsa qytetin e duan të jetë i zotit, (Theopolis) paçka se lumi dhe qyteti kanë patur të njëjtin emër: Deaboli. (Duket sikur pedagogët e kanë harruar atë që kanë shkruar në fillim, kur thonë se krahina, qyteti dhe lumi mbanin të njëjtin emër). E vërteta është se banorët e sotëm të Devollit edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë lumin e tyre si lumë të shenjtë, sepse ishte dhe është ky lumë që i jep ujë gjithë fushës së tyre dhe “hakmerrej” me ta, sa herë delte nga shtrati. Për të gjitha këto arsye, ky lumë quhej i shenjtë, trojet të shenjta, qyteti i shenjtë.

Devolli sipas gjuhëve sallave

Në këtë studim, që nga fillimi e deri në fund, Bello dhe Damo, e kanë kërkuar etimologjinë e fjalës “Devoll” vetëm te gjuhët sllave. (Se si mund të shpjegohet një fjalë ilirike me gjuhën sllave këtë e dinë vetëm dy pedagogët!) Ja varianti i parë sllav: fjala “De-voll” jep kuptimin “ku- dhëmb”, sepse, sipas sllavishtes, rrokja e parë “de” ka kuptimin “ku” dhe rrokja e dytë “voll” ka kuptimin “dhëmb” që do të thotë “ku dhëmb”. Varianti i dytë sallav: “De-voll” do të thotë “ajs o ka”, sepse, kësaj radhe, rrokja e parë “de” ka kuptimin “ajs” dhe rrokja e dytë, “voll”, kuptimin “ka”, që përfundimisht do të thotë “ajs (ec) o ka”.(A nuk janë qesharake(!). Koincidenca të tillë mund të sillnin edhe fjalën “dua-bukë”, dhe kjo është shkencë (!) Duke u përqëndruar te toponimet sllave, dy pedagogët marrin në analizë një sërë toponimesh sllave, të mbetura gjatë pushtimit të tyre, duke filluar që nga fjala: Bozhigrad, mali i Çernokut, Sinicë, Nikolicë, Dobërgorë etj, që sipas shpjegimit të tyre: “Ky qytet (Deaboli) paraqet rëndësi të madhe si për albanologjinë po kështu edhe për sllavistikën, përkatësisht bullgaristikën”. Por kur në këtë zonë ndeshen me fshatin Qytezë që ka një emër të pastër në shqip, kjo edhe sipas Çabejit (qytet i vogël), pedagogët nxjerrin këtë përfundim: “Këtu ose sllavët e kanë përkthyer trajtën qytezë në gradishtë ose Qyteza vetë të jetë një përshtatje e formës sllave në shqip”. Sipas kësaj logjike i bie që fshatrat e Devollit paskan patur emra sllavësh, ndërsa shqiptarët i paskan shqiptarizuar ato (!) Dhe në vijim të këtij studimi, dy autorët vënë në dukje se, “fama e madhe e këtij qyteti lidhet më shumë me misionin kishtar dhe arsimor të Klimentit dhe Naumit, nxënës të dy shenjtorëve vëllezër Shën Kirilli dhe Metodi, misionarë bizantinë që ngarkohen për hartimin e alfabetit sllav, që njihet sot tek ne si Cirilik për nder të Shën Kirillit. Misionarët vdesin në Moravi (Çekia e sotme), duke lënë një alfabet të quajtur glagolik me paraqitje si hieroglifë. Janë pikërisht nxënësit e tyre dhe kryesisht Klimenti dhe Naumi që hartojnë alfabetin që kanë edhe sot sllavët. Pra, me pak fjalë, Devolli është një nga qendrat e hartimit të alfabetit sllav”. (Ndoshta për këtë arsye, dy pedagogët vënë në dilemë emrin e fshatit Qytezë, nëse ne e kemi marrë nga bullgarët apo bullgarët e kanë marrë nga ne (!)

Në kërkim të qytetit Deaboli

Pa u zgjatur shumë, dy autorët e studimit arrijnë në përfundimin se qyteti Deaboli duhet të jetë fshati Zvezdë (Çuditërisht dy pedagogët kërkimet e tyre i bëjnë në Devollin e sipërm duke na treguar se deri ku shtriheshin bullgarët në këtë krahinë, ndërsa befas zbulimin e bëjnë në fshatin Zvezdë të Korçës) Megjithatë, cili është shpjegimi i tyre? Siç shpjegojnë vetë pedagogët, ata janë mbështetur te jetëshkrimi i Peshkopit Mihail të Devollit, i cili ka qenë Peshkop grek i qytetit të Devollit në fillim të shek. XII, dhe që tregon se në fillim të këtij shekulli, qyteti i Devollit ishte quajtur Selasforos, “Dritëmbajtës”. Fill pas kësaj thënie, autorët bëjnë këtë lidhje kuptimore: Selasfor do të thotë “dritëmbajtës”, ndërsa Zvezdë në sllavisht do të thotë “yll”, pra, sipas tyre, dritëmbajtës-yll, është e njëjta gjë, atëherë Deaboli është Zvezda. Në gjithë këtë shpjegim një gjë nuk kuptohet qartë: Deaboli u shndërrua në Zvezdë dhe më pas në Selasfor apo Deaboli fillimisht u kthye në Selasfor dhe pastaj u bë Zvezdë, sepse fillimi i shekullit XII shënoi dhe fundin e pushtimit bullgar në këto treva, çka do të thotë se Selasfor ka qënë emërtimi i fundit i qytet Deaboli. Atëherë si ka mundësi që Selasfori u harrua dhe Deaboli sërish shndërrua në Zvezdë?! Shpjegimi është më i thjeshtë se kaq: Selasfori ishte emri i peshkopatës, por nuk kishte asnjë lidhje me qytetin e Deabolit, sepse me rënien e kësaj peshkpate u harrua dhe emri i saj. Pavarësisht përpjekjet që kanë bërë dy pedagogët për t’i dhënë qytetit të Deabolit kuptimin e “Qytetit të Djallit”, duket qartazi dhe hapur që argumentet e tyre nuk qëndrojnë dot në këmbë. Sigurisht më shumë se sa toponimet sllave do të jenë gërmimet arkeologjike ato që do të thonë fjalën e fundit dhe nuk do të jetë aspak çudi që e vërteta do të jetë në anën e studiuesit Perikli Ikonomi, i cili ka argumente të besueshme që ky lumë quhej “Lumi i Zotit”, eordejtë “njerëz të Zotit” dhe qyteti i tyre Qytet i Zotit”. Çdo studiues serioz e shikon prejardhjen e fjalës “Debolis” te rrënja “devus” që do të thotë “Zot”dhe të gjuha shqipe e vjetër, te rrënjët e saj.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...