Home / SOCIALE / DASHURI TË MËDHA, DHIMBJE TË MËDHA
loading...

DASHURI TË MËDHA, DHIMBJE TË MËDHA

DASHURI TË MËDHA, DHIMBJE TË MËDHA

(Kushtuar shokut tim Ilmi Bejko me rastin e 5 vjetorit të vdekjes, si dhe bashkëshortes së tij Valtraud Tunger Bejko)
Me shumë mall, këto ditë lexova edhe njëherë Romanin e Ilmi Bejkos “Bashkudhëtarë “ si dhe tre romanet e Valtraud apo Vala siç e thërasim në Shqipëri: “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, “Vjehra ime Kole” dhe “Shpirtra shtegtarë”. Këto romane çifti Bejko i ka shkruar më parë në jetë dhe pastaj jetën e ka hedhur në roman. Po e filloj meditimin tim me kryeveprën e Valës, Romanin Autobiografik “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”.

Në këtë libër me mbi 500 faqe, përveç talentit, Vala ka zbrazur zemrën e saj të mbushur me dashuri, me dhimbje, me respekt për jetën e saj, të bashkëshortit, të fëmijëve të tyre dhe gjithë familjeve të thjeshta shqiptare, mes të cilave, për 37 vjet me radhë, ka ndarë gëzimet e hidhërimet, ka përballuar mundimet dhe varfërinë, ka mbijetuar në dramën e pamerituar të familjes Bejko.

Shkaku i vetëm i kësaj drame ka qënë mëkati më i pafajshëm në Botë: Një lulebore nga Gjermania Lindore, studentja Valtraud dhe studenti sykaltër shqiptar, skraparliu Ilmi Bejko, u dashuruan në Moskë dhe u martuan, në vitin 1959 në Tiranë. Të dy kishin mbaruar shkëlqyeshëm për ekonomi Universitetin në Moskë dhe erdhën në Shqipëri, siç shkruan Vala, me një ideal të përbashkët, ëndërronin të ndërtonin socializmin, të punonin për një jetë më të mirë. Ata ishin një çift i lumtur, ishin bërë “me krahë” dhe deshën të fluturonin. Por krahët u a prenë. Në qiellin politik të Kampit Socialist kishin filluar bubullimat dhe shkrepëtimat, ishte bërë “çarja e madhe” dhe çifti Bejko kishte rënë në çarkun e politikës. Nga ky çark nuk dilte dot, aty u përpëlit për mbi 30 vjet duke përballuar një kalvar të gjatë mundimesh, privime e vuajtje. Fillimisht i caktuan të dy si mësues në një shkollë të mesme bujqësore në Fier. Megjithatë Ilmiu e Vala ishin entusiastë pasi kolektivi i punës i deshën dhe i respektonin.

Por marrëdhëniet e Tiranës me vendet e Kampit Socialist sa vinte e acaroheshin; u larguan ambasadat e tyre një e nga një dhe në vitin 1962 u largua nga Tirana edhe Ambasada Gjermane. Gjendja në familjen Bejko po bëhej gjithnjë e më e padurueshme. Ashtu si Vala, në Shqipëri kishte mjaft gra të huaja, sidomos ruse e bullgare, të cilat ishin martuar me burra shqiptarë. Për ato kishte dy alternativa: Të ktheheshin nga kishin ardhur ose të merrnin nënshtetësinë shqiptare dhe të mos kishin asnjë marrëdhënie me vendet e tyre.

Ishte një vendim i dhimbshëm, shkruan Vala, pasi për hir të politikës duhet të ndahesha me prindërit e mij të dashur, me vëllain, të afërmit dhe gjithçka tjetër që quhet Atdhe. Por unë e kisha ndarë mendjen. Kur u martova me Ilmiun kisha thënë “A” dhe tani duhej të thosha “B”, duke i u nënshtruar fatit tim. Unë doja të jetoja në paqe me familjen time, në Atdheun tim të ri Shqipëri. Unë nuk isha martuar as me Ulbrihtin as me Hrushovin dhe as me Enver Hoxhën, por me Ilmiun, të cilit dua t’i qëndroj besnike.Për ato gra të huaja që u larguan nga Shqipëria unë gjykoja se martesa e tyre kishte ecur shtrembër dhe ato kishin gjetur rastin për t’u ndarë.

Marrja e letërnjoftimit të parë shqiptar nga Vala ishte çështje ekzistence për familjen Bejko dhe me këtë veprim menduan se çështja u zgjidh. Por shpejt u kuptua se përsëri familja Bejko kishte një status kontradiktor. Nga njëra anë Ilmiu dhe Vala ishin arsimtarë, siç thuhej edukatorë të brezit të ri, vetë Ilmiu dhe vëllezërit e tij ishin anëtarë të Partisë dhe njerëz të nderuar, një vëlla i Ilmiut kishte rënë dëshmor për çlirimin e Tiranës, një tjetër vëlla ishte Hero i Punës Socialiste. Por nga ana tjetër, me që Vala ishte e huaj, familja e tyre ishte e dyshimtë dhe survejohej nga Sigurimi i Shtetit. Apartamentin e banimit në Fier u a dhanë ngjitur me disa familje të internuara, për t’i pasur nën kontroll. Për të shkuar në Tiranë, apo në ndonjë qytet tjetër, duhet të merrnin lejë në Degën e Punëve të Brendshme, po kështu edhe kur u vinin në shtëpi miq apo të afërm, duhet të njoftonin këtë organ për personat e ardhur.

Dhe Vala shkruan : “Unë e përballova vorbullën e jetës ashtu si më ardhi, megjithëse nuk e kisha menduar se martesa jonë do të më sillte të tilla vuajtje e persekutime. Por i thashë vetes se nuk mund të bëhej ndryshe, iu përshtata kushteve dhe iu përkushtova tërësisht punës, familjes dhe rrethit miqësor e shoqëror të Ilmiut, të cilët na kanë qëndruar pranë e rrethuar me dashuri e përzemërsi”.

Mes njerëzve të thjeshtë, të varfër por me dinjitet, siç shprehet Vala, në Fier kaluan 12 vjet. Aty u lindën dhe kaluan fëmijërinë fëmijët e çiftit Bejko, Aneta dhe Iliri.
Në fillim të viteve 70 pati disa ditë prilli në dimrin e madh të Shqipërisë dhe familja Bejko, që kishte qëndruar si një gonxhe e trembur nën dëborë, në vitin 1972 erdhi në Tiranë : Ilmiu u emërua pedagog në Fakultetin e Ekonomisë Agrare dhe Vala përkthyese në Radio – Tirana.

Por s`qe e thënë të zgjaste shumë . Përsëri u ngritën retë e zeza në qiell, filluan plenumet e Partisë në luftë kundër liberalizmit dhe veprimtarive armiqësore. Familja Bejko në këto raste ishte një tabelë e gatshme për qitje. Ilmiu e Vala nuk kishin bërë gjëra të këqia, përkundrazi punonin për propagandën e Partisë. Mirpo ishin me “kleçkë në biografi”; Vala si e huaj “mund të merrej me veprimtari armiqësore” prandaj duheshin larguar nga Tirana.
Dhe një ditë shtatori të vitit 1975 në Organizatën e Partisë të Fakultetit u kërkua karakteristika e punës e Ilmiut. Ai do të dërgohej me punë në rrethin e Kukësit pasi “aty kishte nevojë Atdheu”. E vërteta është se shumica e pedagogëve, megjithëse në heshtje, nuk e mirëpritën këtë transferim, ndërsa 4-5 pedagogë, me çiltërsi, kundërshtuan, duke sjellë argumente se Ilmiu, pa diskutim, ishte në atë kohë pedagogu më i kompletuar i atij Fakulteti të sapokrijuar dhe këtu ishte më i nevojshëm se sa në Kukës.
Por sa para bënin argumentet. Ilmiu e Vala jo vetëm që ikën në Kukës por e hoqën këmbën zvarrë. Mbas tyre, me pretekste të ndryshme, si zbutës të luftës së klasave, u larguan nga Fakulteti dhe ata pedagogë që e kishin kundërshtuar transferimin e Ilmiut, duke filluar nga Dekani, i ndjeri Nevruz Malindi, e deri tek autori i këtij shkrimi.
Për Ilmiun e Valën nuk kishte asnjë paragjykim për të punuar në veri apo në çdo cep të Shqipërisë. Por në këtë rast ndryshonte puna, ata po dëboheshin nga Tirana për shkaqe të paqëna politike, për ta ishte një goditje e ashpër që u bëhej nga Partia e tyre ose, siç shprehet Vala, “ishim tradhëtuar nga ajo Parti së cilës në të vërtetë i kishim besuar. Ne nuk mund të gënjenim as fëmijët tanë, pale të ngushëllonim veten se gjoja në Kukës ishim më të nevojshëm se sa në Fakultet apo në Radio Tirana”.
Si koleg e shok i Ilmiut dhe mik i familjes Bejko, fyerja, pikëllimi dhe vuajtja e tyre, për këtë padrejtësi të madhe, për këtë traumë që iu shkaktua, më kanë rënduar në zemër sa një mal. Por ky mal nuk bëzante nga grushti im i vogël. Kokëulur dhe me lotë në sy kam shkuar për ta percjellë familjen Bejko dhe për të vënë një dorë në ngarkimin e plaçkave në kamion, atyre pak plaçkave të thjeshta e të domosdoshme për një familje, por që, siç shkruan Vala, “çdo gjë ishte krijuar ndershmërisht, me djersën tonë , me rrogat tona”. Pasi i ngarkuam plaçkat, Vala me dy fëmijët u futën përpara në kabinën e shoferit kurse Ilmiu me njërin nga vëllezërit e tij, Et-hemin i cili i shoqëroi deri në Kukës, hypën në karroceri dhe u ngjeshën aty midis raqeve. Kamioni u nis, unë mbeta aty me zemër të plasur, i mbuluar nga shtëllungat e tymit dhe pluhurit, i dëshpëruar sa nuk bëhet më; po më ndanin dhunshëm nga Ilmiu, nga shoku im më i mirë, më i dashur e më i ditur.
Dhe familja Bejko, në mbrëmjen e asaj dite të ftohtë janari, mbërriti në Kukës, ku gjeti ngrohtësinë e njerëzve të mirë kuksianë dhe ndjeu kontrastin e politikës me Popullin. Politika i kishte dëbuar nga Tirana, njerëzit e thjeshtë kuksianë i uruan që ditën e parë mirëseardhjen, i ndihmuan për vendosjen e plaçkave në apartamentin e banimit, i sollën dru, i ndezën zjarrin e shtëpisë, u sollën për të ngrënë. Dhe prapë të nesërmen e për çdo ditë i pyesnin: “Si keni fjet? A keni dru? A u lodhët? Me çfarë t’iu ndihmojmë? Dhe u shprehnin mikpritjen proverbiale shqiptare, siç e quan Vala, “bujrum, tek ne e keni derën hapur”.

Prandaj Vala shkruan me shumë dashuri e respekt për gjithë ato familje kuksiane të cilat kanë qënë vërtet një derë e hapur për të dhe ia kanë lehtësuar jetën aty mes maleve për 9 vjet me rradhë, ku ishte dy herë e izoluar, nga Atdheu dhe prindërit e saj në Gjermani por edhe nga vëllezërit e të afërmit e Ilmiut që jetonin në Tiranë.
Edhe ne, shkruan Vala, unë si mësuese dhe Ilmiu ne Degën e Bankës Bujqësore , punuam me gjithë shpirt për përmirësimin e jetës së banorëve në këtë rreth malor. Gjithandej mund të mësosh dhe të zgjerosh përvojën e jetës dhe tani unë mendoj se ai njeri që nuk e njeh këtë zonë, nuk mund të ketë një gjykim real për Shqipërinë.

Në Kukës Vala gjeti mjetin e kapërcimit të murit të izolimit. Si njohëse e shkencave ekonomiko-shoqërore por që kishte arritur dhe një shkallë të lartë përvetësimi të gjuhës shqipe, iu kushtua përkthimeve në gjermanisht. E filloi me “Komisari Memo” të Dritëro Agollit dhe më tej, në sajë të penës së Valës , folën në gjermanisht shkrimtarët dhe shkencëtaret më në zë të Shqipërisë si I Kadare, S Godo, A Abdihoxha, Dh Xhuvani, A Kondo, O Grillo, N Lera. I Ushtelenca, A Puto, Sh Demiraj, N Ceka, S Pulaha, M Korkuti etj.
Përkthimet, shkruan Vala, më dukeshin si një dialog dhe në sajë të kësaj pune mund të hidhja një urë midis dy popujve.
Për librat e përkthyer, Shtëpia Botuese në Tiranë, i dërgonte Valës “honoraret”, falënderimet për punën e përkryer dhe ndonjëherë edhe nga një kopje të romanit apo veprës së përkthyer. Por në këto libra mungonte diçka e madhe, autorësia e përkthyesit. Emri i Valës ishte i padëshirueshëm për politikën dhe nuk vihej as në kopertinë e as gjëkundi në libër. Dhe Vala e mirë, Vala e urtë dhe e pafajshme si gjithmonë, duhej ta “gëlltiste” edhe këtë fyerje që i bëhej për talentin dhe djersën e derdhur.

Në Kukës, shkruan Vala, duhet ta pranoj se përballova periudhën më të vështirë, më të errët të jetës time dhe tërë familjes. Kisha frikë për vete, për burrin, për fëmijët, se mos na kurdisnin ndonjë intrigë dhe na shkaktonin ndonjë traumë më të madhe. Si për ironi të fatit, në ato vite në Kukës jetonin dhe disa specialistë gjermanë të cilët, sipas një kontrate të veçantë, punonin në Uzinën e Bakrit në Gjegjan dhe Vala i lutej Zotit çdo ditë që të mos rastiste të përballej me ata në rrugë se vetëm kaq do të duhej për ta damkosur si spiune dhe të përfundonte në burg. Në Kukës, thotë Vala, për herë të parë e gjykova veten në mënyrë kritike si një vajzë që ishte kujdesur pak për prindërit e vet, dhe që me fatin e saj u kishte sjellë shqetësime. Dhe vërtet; të lodhur, të plakur, të djegur nga malli për bijën e tyre, ata vdiqën njeri pas tjetrit kur ne ishin në Kukës. Por ne ishim në grackë, viktimë e politikës së madhe, dhe nuk mund të shkonim t’iu hidhnim një dorë dheu mbi varr. Ky është një peng i jetës time.

Shpresat për t’u kthyer në Tirane nuk mbaruan asnjëhere. Për ta realizuar këtë ata punuan me shumë përkushtim e korrektesë. Edhe fëmijët i mbanin nën një kujdes dhe trysni, që e kuptonin edhe vetë se ishte i tepruar, por e bënin që të mos merrnin rrugë të gabuar ose të binin viktimë e ndonjë provokacioni politik që do ta minonte më tej pozitën familjare.
E megjithatë, familja Bejko i kishte të mbyllura portat e Tiranës. Njerëz të pushtetshëm, intrigantë e hakmarrës që kishin gatuar dëbimin e familjes Bejko nga Tirana, e që në romanet e Valës e të Ilmiut përmenden me emër për poshtërsitë e tyre, qëndronin vigjilentë; sapo merrnin vesh se dokumentat e Ilmiut merrnin rrugën e transferimit për në Tiranë ata aktivizoheshin e i lëviznin tërë gurët për ta penguar transferimin. E shumta që arriti familja Bejko, në vitin 1984, ishte afrimi në rrethin e Krujës, që ishte si të thuash një gjysmë rehabilitimi.
Por më në fund po çaheshin akujt. Më 2 korrik 1990, rinia sulmoi ambasadat në Tiranë dhe filloi eksodi i madh i shqiptarëve. “Po ti Vala ç’pret, pse nuk futeni në ambasadën gjermane ?”, pyesnin shumë të njohur.

Por jo, shkruan Vala: Unë, një gjermane e lindur, nuk mund të kthehesha si refugjate në Atdheun tim. Një rrugë e tillë ishte nën dinjitetin tim, të burrit dhe të fëmijëve të mij. Nëqoftëse do ta ndërmerrnim këtë veprim, ne do ta bënim vetëm në rrugë zyrtare, kjo ishte ndërgjegja jonë.
Ndërkohe, sikur të mos mjaftonin hallet dhe peripecitë e familjes Bejko, por edhe si pasojë e tyre, vjen një fatkeqësi tjetër. Djali i tyre, Iliri, u sëmur rëndë, u detyrua të ndërpresë shkollën dhe të kurohet në spital për një kohë të gjatë.
Tani për familjen Bejko “u harruan” të gjitha hallet e tjera. Shëndeti i djalit ishte gjithçka në jetën e saj. Mjekët rekomanduan për kurim jashtë shtetit. Dhe në vitin 1996 familja Bejko, më në fund , u vendos në Gjermani. Ishte më tepër një largim i detyruar. Për Ilmiun, që do të linte Atdheun e tij, ishte më e vështirë, pasi, siç thoshte ai, “nuk zhvendoset lehtë një pemë e vjetër”.
Per t’i dhënë kurajo Ilmiut, një shoku ynë, Jovan Gjini, i thoshte : “Nëqoftëse Vala ka jetuar 37 vjet me ty në Shqiperi, atëhere ti Ilmi duhet të jetosh 37 vjet të tjerë me të në Gjermani. Kjo është drejtësi, përndryshe do t’i mbetesh borxh Valës”.
Por s’ka gjë, shkruan Vala, unë asnjëherë nuk u bëra pishman dhe dhe nuk më vjen keq që u martova me Ilmiun dhe që ndoqa burrin tim në Shqipëri. Ne e deshëm njeri tjetrin dhe e tërhoqëm bashkë litarin e jetës.

Për familjen, të afërmit, rrethin miqësor, shokët e shoqet e punës , nxënësit që mësonte, e për gjithë ambientin që e rrethonte dhe e njihte, Vala ka qënë gjithmonë një simbol i gruas me përmbajtje të lartë njerëzore. Por për publikun Vala u bë e njohur, e respektuar dhe e adhuruar nga librat e saj, të cilat jo vetëm u pëlqyen e u vlerësuan por janë quajtur një enciklopedi për të vërtetën e jetës shqiptare në regjimin komunist. Vala, me shumë dashuri e sinqeritet, përshkruan gjithë mozaikun e jetës shqiptare; zakonet, traditat, besimet e ritet fetare, festimet e vajet në të gjitha aspektet e jetës, që nga lindja, fejesa, martesa e vdekja. Romanin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri” Vala e ka shkruar dhe botuar edhe në gjermanisht dhe këtë e ka bërë për të ngritur lart virtutet dhe vlerat shpirtërore të Kombit Shqiptar duke i kujtuar Evropës borxhet historike që i ka Kombit Shqiptar që nga luftrat e Skënderbeut që shpëtuan Evropën, duke i kujtuar asaj edhe padrejtësitë që i ka bërë Shqipërisë duke e coptuar atë, por edhe duke i dhënë Evropës mesazhe të fuqishme për një ndihmë efektive ndaj këtij Populli të vogël hallemadh.
Nga shumë shkrimtarë, artistë, intelektualë e lexues të ndryshëm, për Valën janë bërë me dhjetra e dhjetra shkrime vlerësuese. Dritëro Agolli, me të cilin Vala ka patur rastin të takohet dhe bisedojë përzëmërsisht, për librin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri” është shprehur: “Është një libër që të çlodh kur e lexon; Vala me librin e saj ua ktheu shqiptarëve krenarinë kombëtare të lënduar vitet e fundit”. Poeti Xhevahir Spahiu për librin e Valës thotë: “Autorja shpall respektin dhe dashurinë e saj për shqiptarët dhe Shqipërinë, hedh dritë për të vërtetat e realitetit shqiptar, disa herë të anatemuar dhe të shpërfytyruar nga pena cinike dhe keqdashëse”. Për këtë ai Valën e quan “bekimi gjerman për Shqipërinë”. Shkrimtarët Vetëtim Bejko, Shaqir Prizreni e shumë intelektualë të tjerë nga Shqipëria e Kosova, veprën e Valës e quajnë një përmendore që ajo i ngre Kombit Shqiptar dhe Valën e quajnë një Edit Durham.

Prandaj dhe çdo shqiptar që e lexon veprën e Valës do të ndjehet borxhli ndaj kësaj gruaje gjeniale.
Romani tjetër, “Vjehra ime Kole” është një përmendore e ngritur në shpirtin e Valës për nënën e Ilmiut dhe përgjithësisht për nënat shqiptare. Ilmiu ishte djali më i vogël i shtëpisë kështu që, sipas traditës shqiptare, prindërit e tij jetuan sëbashku me Ilmiun e Valën. Gjykimin e parë për Valën kur erdhi në Shqipëri e dha babai i Ilmiut, Xha Isufi, i cili ishte një burrë i rrahur me jetën dhe i robëtuar kurbeteve në Francë e në Amerikë: “Nusja është e mirë or bir -i tha të birit- se nuk ka qibër dhe e vlerëson bukën, e pret atë në riska të holla”. Ndërsa nëna e Ilmiut, Kolja, habitej se si kjo nuse me moshë kaq të re, me shkollë të lartë, e ditur dhe e mësuar shumë, ishte aq punëtore, aq e thjeshtë, aq e dashur, aq e ëmbël. Valën e ka munduar shumë ndjenja se mos prindërit e Ilmiut do të mendonin keq për të për shkakun e fatkeqësive që i solli popujve lufta e çmendur e Hitlerit. Vala ka qënë shumë e ndjeshme ndaj prindërve të Ilmiut pasi ajo e dinte se zemrat e tyre ishin të zhuritura nga vrasja e djalit të tyre, partizan Hakiut, nga një pushkë gjermane, prandaj me sjelljet dhe dashurinë e saj depërtoi thellë në shpirtrat e tyre duke u bërë melhem për plagët e shpirtit.

Në romanin “Shpirtra shtegtarë” Vala shkruan për jetën në vitet pas kthimit në Gjermani por edhe këtu ajo nuk ndahet dot nga Shqipëria pasi, siç thotë ajo, “kam Ilmiun me vete, kam një mal me kujtime nga andej, pra kam Shqipërinë me vete e cila nuk më le rehat”.
…… Në “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri” Ilmiu është personazhi qendror që pulson veprën nga fillimi në fund. Dhe kjo është e kuptueshme pasi Romanin, para se ta shkruante Vala në libër, ishte shkruar në jetë nga Ilmiu e Vala. Nga kjo pikpamje, siç është shprehur edhe Vala, Ilmiu është bashkëautor.

Por jo; Ilmiu kishte dhe gjëra të tjera për të thënë. Nga puna e tij kishte shumë mbresa e kujtime, ndjehej borxhli ndaj shumë njerëzve që gjykonte se kishin ndihmuar për t’ia lehtësuar jetën e tij të trazuar, por kishte për të treguar edhe plot bëma të burokratëve despotë e mendjefukarenj. Nga ana tjetër, Vala si të thuash ishte në prapaskenë por të gjitha tallazet e dallgët që solli jeta për familjen Bejko përplaseshin sëpari mbi Ilmiun. Fuqinë e këtyre dallgëve, autorët dhe transmetuesit e tyre Ilmiu i kishte ndrydhur në shpirt, i mbante si derte të veta e nuk ia tregonte Valës për të mos e shqetësuar deri aty ku s’mbante më. Prandaj Ilmiu, në vitin 2007, mori penën dhe e zbrazi shpirtin në romanin jetëshkrimor “Bashkudhëtarë”.

Në këtë libër me 340 faqe Ilmiu me mençuri, me ndershmëri, me vërtetësi e me drejtësi përshkruan ngjarje, episode, vende e persona që në periudha të caktuara kanë qënë bashkëudhëtarë të tij. Tipari kryesor i këtij libri është fakti se ngjarjet janë reale dhe personazhet janë konkretë, me emra të përveçëm, ashtu si kanë qënë, të mirë e të liq, të ndershëm e faqezinj, dashamirës e cmirëzinj, dinjitozë e servilë, të drejtë e hileqarë, të sinqertë e intrigantë, të urtë e të marrë, por që janë dëshmitarë për të vërtetat e atyre që shkruan Ilmiu dhe deri më sot nuk kemi parë ndonjë kontestim.

Libri është shumë tërheqës, po e fillove leximin nuk i ndahesh dot pa e mbaruar me një frymë. Dhe kjo për faktin se Ilmiu është mjeshtër i fjalës; aty ka humor, ka ironi të hollë, ka sarkazëm, ka shprehje figurative, ka anekdota, ka urtësi popullore, ka vend për të qeshur e ka vend për të qarë, por më shumë ka vend për të menduar e reflektuar.

Në pranverë të vitit 2008 Ilmiu më dërgoi këtu në Amerikë një kopje të këtij libri. Këtë e bëri jo vetëm se më kishte shok por edhe se më kishte bërë personazh të librit në episode të ndryshme duke më kushtuar më shumë se 10 faqe të librit. E ndjej veten të sikletosur por do të citoj një fragment të Ilmiut në këtë libër: “Siç kam treguar, në Fakultetin e Ekonomisë Agrare mu desh që të përplasem e të kaloj shumë peripecira me disa të paaftë, servila e intrigantë, duke filluar që nga ish Shefi i Katedrës sime… Por këtu kisha e disa kolegë pune të dashur e shumë të interesuar për rritjen e aftësive mësimdhënëse, si Fadil Demrozi, Kadri Kadiu, Kristaq Pata e Fatmir Mborja. Ata ishin të zhveshur nga smira e sjelljet hileqare; me ata mund të punoje i qetë e pa u lodhur. Mua më ngacmonte shpesh Fadili e më thoshte: Ti Ilmi, nga të gjithë shokët, më shumë do Kadriun. Unë nuk ia pranoja këtë gjë Fadilit, por ai në fakt thoshte një të vërtetë. Kadriu ishte një devolli me tërë zakonet dhe karakteristikat e krahinës së vet. Njeri i ndjeshëm, i sinqertë, i drejtë e i ndershëm, me shpirt e zemër njeriu… Si kundërpeshë për përndjekjen e izolimin që po na bënin në pragun e dëbimit nga Tirana, Kadriu na ftoi në dasmën e vëllait në fshatin e tij të lindjes në Devoll, dëshirë që nuk ia plotësuam dot. Kadriu ishte i vetmi njeri nga Fakulteti që më përcolli për në Kukës. Ai erdhi enkas dhe na ndihmoi për ngarkimin e plaçkave. Sa herë që përballej me Valën gjatë ngarkesës së kamionit, ai kthente fytyrën që Vala mos i shihte sytë e përlotur”.

I kërkoj falje lexuesit për këtë citim jo dhe aq modest por nuk mund ta fsheh kënaqësinë që Ilmiu, këto cilësi që ia ka veshur personit tim, ia ka atribuar së pari vendlindjes time, Devollit tonë të dashur.

E lexova librin që më dërgoi Ilmiu; u befasova, u gëzova e u mrekullova për suksesin e tij dhe menjëherë e mora në telefon për ta uruar. Dhe ja çfar i thashë: Ilmi; tani vdis kur të duash, se me këtë perlë që ke shkruar i pavdekshëm do të mbetesh!
Ilmiut i pëlqeu ky lloj urimi, qeshi me të madhe dhe më falënderoi për këtë thënie. E ku ta dija unë i shkreti se aq shpejt, më 25 mars 2009, zemra e Ilmiut do të pushonte së rrahuri, prandaj edhe sot më rëndon ajo fjalë që i thashë.
Të ndrittë shpirti o i miri ILMI, se dritë na ke bërë ne bashkudhëtarëve të tu që jetuam, punuam, u gëzuam e vuajtëm sëbashku me ty!

Dr. Kadri Kadiu
Denver, Mars 2014.

loading...

Komento!

loading...