Home / BOTIME / Dardharët: Shën Mëria na u shfaq nën dritën e qirinjve
loading...

Dardharët: Shën Mëria na u shfaq nën dritën e qirinjve

Dardharët: Shën Mëria na u shfaq nën dritën e qirinjve

Mbresa nga nje dite feste

Ata që patën rastin të jenë në Dardhë në 16 gusht, ditën e Shën Mërisë, thonë se ndodhi një mrekulli që jo të gjithë mund ta besojnë, veçanërisht ata që nuk ishin atje atë ditë. Për ata që nuk patën mundësinë të ishin aty, do të mbetet një merak i gjithnjëkohshëm, madje me dyshimin nëse do të ndodhë sërish një mrekulli e tillë, kur ata vetë të jenë atje. Në të vërtetë ndodhën gjëra që nuk ishin parë ndonjëherë më parë. Të paktën kështu thotë Kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”, Niko Balli, njeriu i dashuruar deri në çmenduri pas Dardhës. Balli tregon se atë ditë pa mrekulli të papara kurrë më parë, por gjithashtu shton se nuk ishte dëshmitar i vetëm për ato që ndodhën në 16 gusht, në ditën e Shën Mërisë. Për vërtetësinë e mrekullive na flet edhe Niko korçari një nga mësuesit e mirënjohur të Dardhës, i cili herë pas herë merr pjesë me të njëjtën ndjesi që ka provuar dhe miku i tij Balli

Uji i burimeve u kthye në verë

Niko Balli, Kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa” pasi qëndron një çast i menduar, si për të kujtuar atë çfar ka ndodhur në Dardhë, nis të tregojë, duke përcjellë ndjesinë e çudive edhe tek ne. Mrekullitë hyjnore ishin të shumta, thotë Balli, aq sa një njeri i vetëm do ta kishte të pamundur t’i shihte të gjitha. Nëse nuk më besoni, shton ai, ka me dhjetra dëshmitarë, ku gjithkush ka parë diçka të rrallë. Pikërisht në këtë çast ndrhyn Niko Korçari, mësuesi i Dardhës, duke na shpjeguar se ata që ishin aty, panë se si peshku kërcente mbi sipërfaqen e ujit të rezervateve dhe pasi cirkonte në ajër, hidhej drejt e në tigan për t’u tiganisura, pa patur frikë nga zjarri. Pati nga ata që panë se si uji i burimeve të Dardhës u kthye në verë dhe raki për 24 orë rresht, madje mund të them se vera nuk kishte të sosur. Gotat në tavolinë mbusheshin vetë nga një dorë e padukshme, ne shihnim vetëm mijëra margaritarë që shkëlqenin nëpër gotat e kristalta. Shumë të tjerë, tregon mësuesi, panë se si piqeshin petullat në plloçë guri dhe se si spërkateshin me mjaltë, ndërsa saçi i hekurt ngrihej mbi perusti dhe lakrori me dy petë të vinte aty ku ishe ulur, në lokal apo në lëndinë. Më të çuditura kanë mbetur gratë dardhare kujton Balli, të cilat, thanë se u poqën 157 lakrorë me dy petë, por askush prej tyre nuk e mori vesh se kush kishte hapur petët me okllai, kush e ndiste zjarrin me dru dhe kush e nxehte saçin aq shpejt e mirë. Ishte një habi e madhe, thotë Balli

Sëndyqët e stërgjysheve u hapën vetiu

Niko Balli, preferon të heshtë përsëri, për të vazhduar tregimin e tij me fjalët: “ishte një habi e madhe” duke na treguar se më të moshuarit patën rastin të shihnin se si u hapën vetiu sëndyqët e vjetër, ku gjyshet dhe stërgjyshet kishin vendosur pajat dhe kostumet e tyre dhe se si u veshën po kaq vetiu në trupin e vajzve dhe nuseve të reja. Dolën nga sëndyqet, thotë Balli, kostume poullore, stoli ergjendi dhe floriri, të spërakatura me erëza dhe aroma që ishin prodhuar nga shtrydhja e luleve. Dhe ndërsa tregimi i asaj dite, ecën më tutje, është Niko Korçari që gjen çastin për të ndërhyrë sërish, ai na thotë se më të rinjtë, mbetën të aksafisur nga ajo çfar po ndodhte. Thonë se ata dëgjuan një zë enegjëllor që këndonte një këngë të vjetër dardhare: “Dhe vasha ndjen, dhe vasha ri,/ dhe trimi vjen, dhe trimi s’ri,/ dhe zemra zjen e bren në gji…”/ Dhe ndërsa dëgjonin një këngë të tillë, (dhe sot e kësaj dite të rinjtë besojnë se do të ketë qënë ndonjë shtojzavalle që zbriste nga pyjet e Dardhës apo Guri i Vjeshtës), zërit të saj, i shtonin edhe zërin e tyre: “Si ndrin kështu, moj vashëri!/ Si shkrin kështu, moj trimëri!/ Si plas kështu, moj dashuri!..”/ Askush nuk e beson, thotë Balli, se si atë çast u mblodhën aty aq vegla muzikore, që nga kitara e deri tek violina. Thua se gjithçka kishte dalë vetiu nga sëndyqi i stërgjysheve të Dardhës, ndërsa Niko Korçari na propozon t’ia marrim sëbashku një kënge të vjetër dardhare.

Një puhizë hyjnore rëmbeu vajzat dhe gratë

Niko Balli, i dashuruar çmendurisht më Dardhën e tij, sepse aty ka lindur, ka dëshirë të na tregojë gjithçka ka ndodhur në 16 gusht, ditën e Shën Mërisë. E dini, na pyet papritur, edhe ata që nuk u besojnë mrekullive, u detyruan të pranonin se një puhi e lehtë hyjnore, i rrëmbeu gratë dhe vajzat dhe i çoi tek sheshi valleve që ndodhet në krye të fshatit. Po bashkë me gratë era kishte rrëmbyer edhe burrat. Aty ndodhi më e pabesuesmja. Burat dhe gratë u bënë me krahë, aq sa vallet e kishin të pamundur të preknin me këmbë dheun e Dardhës. Kostumet që kishin dalë nga sëndyqët e stërgjysheve shpaloseshin me mijëra bukuri e qëndisma të pafund. Ndërkohë mësuesi që është qejfli këngësh të vjetra dardhare thotë se ndërsa gratë e reja kërcenin vallen e mirënjohur të nuseve, një këngë tjetër që dukej se buronte përmes shpalosjeve, dëgjohej qetë e ëmbël: “Ajde moj thëllëzë, moj e malit,/ Ç’ke gënjyer një apo dy djem,/ Them të të puth në mes të ballit,/ Po kam frikë se më dëften…/. Jam i sigurtë thotë Balli se burimet e Propasit mbanin iso, ndryshe nuk do të kishte aq shumë jehonë në zërin e tyre, por ndoshta burimeve u vinte në ndihmë, Guri i Vjeshtës dhe Guri i Shën Pjetrit. Dardha ishte në festë.

Krishti do të thoshte: “Bariut do t’i vinte keq më shumë për delen e humbur
se sa për kopenë që e kishte aty”

Ndodhi edhe një mrekull tjetër, tregon Niko Balli, në 16 gusht, u mblodhën të gjithë dardharët e ikur në rrethe të tjera të vendit. Në ditën e Shën Mërisë ishin aty edhe emigrantët që jetojnë në Greqi dhe vende të tjera të largëta. Mrekulli ishte ardhja e diasporës nga Amerika, të gjithë dardharë të ikur prej vitesh. Na kishte marrë malli. Kur pash njerëzit e ardhur nga viset e largëta, mu kujtuan fjalët e Krishtit për delen e humbur: “ Çfar do të bëjë njeriu që ka 100 dele, nëqoftëse njëra prej tyre humbet rrugën? A nuk do t’i lerë të kullosin në mal 99 dele, e të shkojë për të kërkuar të humburën? Dhe kur e gjen, unë po ju them se ai do të gëzohet më shumë për atë dele, se sa për 99 të tjerat që nuk humbën rrugën”. Tashmë thotë Balli rruga që shkon në të gjitha vendet e botës na bashkon të gjithëve, por ishte e mrekullueshme të takoheshe me të gjithë ata që nuk i kishe parë për dhjetra vite me rradhë. Miqtë e largët erdhën dy-tre ditë më paë. Hotelet u mbushën plotë. Pati edhe nga ata që ngritën çadra dhe fjetën nëpër lëndina pyjesh. Në mëngjes na treguan se kishin parë një yll të shkëputej nga qielli dhe të ndriçonte gjithë Dardhën. Më pleqtë u shprehën se kjo ishte një shenjë e mirë.

Të gjithë bashkë

Kur them se ishim të gjithë bashkë kjo është një mrekull tjetër, thotë Balli. Të gjithë bashkë, është një shenjë e mirë, ndoshta ka të bëjë me yllin që u shkëput në mesnatë nga qielli për të ndriçuar Dardhën. Burat kënduan deri vonë me kitarë e mandolinë. Niko Korçari, mësuesi i mirënjohur i këtij fshati përpiqej çdo minutë që mikëpritja të mos kishte asnjë defekt, asnjë vërejtje. Korçarit nuk i mungonte për asnjë çast as ndihma e dardharëve të tjerë, si Mynyr Hysolli, Ramadan Kodra, Ramiz Mekolli, Njazi Rustemi apo Enver Braholli. Gratë sillnin ëmbëlsira dhe gatime nga më të ndryshmet. Dy gratë që dolën fitimtare në kokurim ishte Stolie Seferi, e vendosur në krye të listës për lakrorin me dy petë, ndërsa Mirjana Deti, bashkëshortja e Teodor Laços për petullat në plloçë dhe llojin e recelnave. I papërmbajtshëm ishte dhe vetë Teodor Laço, me kitarën në qafë këndonte njësoj si atëherë kur ishte i ri. E kishte harruar krejtësisht që shumë shpejt do të shkonte ambasador në Moskë. Dardha atë ditë ishte kryeqyteti i njerëzve të lumtuar

Mrekullia e Shën Mërisë

Niko Balli na thotë se në datën 16 gusht ndodhi edhe një mekulli tjetër, por para se të na tregojë për mrekullinë e asaj dite, na sqaron se dita e Shën Mërisë në Vidhkuq, Boboshticë, Voskopojë dhe gjetkë festohet në 15 gusht, ndërsa vetëm në Dardhë kjo festë organizohet në datën 16 gusht të çdo viti. E dini përse, na pyet dhe nis të na sqarojë. Data e 16 gushtit përkon edhe me themelimin e shoqërisë dardhare “Shpresa”. Për këtë arsye festa ka mbetur si traditë në datën 16 gusht. Në këtë ditë, kësaj herë, ndodhi diçka e pabesueshme. Ishte një shenjë hyjnore që e panë të gjithë. Nga ora tetë deri në orën dhjetë të mëngjesit, të gjithë, burra dhe gra, vendas, miq dhe të ardhur u gjendën bashkë tek kisha e fshatit u ndezën me dhjetra dhe me qindra qirinjë. Mijëra flakëza të vogla ndriçonin në brendësi të kishës dhe jashtë saj. Erdhi një çast, kur mes qirinjëve u ravijëzuar fytyra e një gruaje. Të gjitë mbeten të habitur. Vetëm kur dolën nga përgjumja thanë se kishin parë fytyrën e Shën Mërisë. Shumë të tjerë thanë se duhej të kishte qënë ajo. Megjithatë të gjithë ishin në një mendje se kishin parë diçka hyjnore. Deshifrimi i asaj pamjeje u përkthye si shenjë e ditëve më të mira që do të përjetojë Dardha. Në të vërtetë, thotë Balli tashmë kanë nisur mjaft investime të rëndësishme. Vetë Niko Balli është duke ndërtuar një hotel mjaft luksoz.

Gjithkush tashmë flet për mrekullitë e Dardhës të ndodhura në 16 gusht, ditën e Shën Mërisë. Vetëm për ata që nuk patën mundësinë të ishin në Dardhë atë ditë, do te jetë një brengë e përhershme, madje me dyshimin nëse mrekulli të tilla do të ndodhin vertët kur te gjenden edhe ata vetë aty ku festohet Shën Mëria

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...