Home / BOTIME / Ç’NA BËRE O KOSTA, NA LËNDOVE NË KUJTIME !
loading...
Kadri Kadiu
Kadri Kadiu

Ç’NA BËRE O KOSTA, NA LËNDOVE NË KUJTIME !

Ç’NA BËRE O KOSTA, NA LËNDOVE NË KUJTIME !

Para ca ditësh shkrimtari dhe publiçisti i shquar i Devollit, Kosta Nake, publikoi në Face Book një shkrim të titulluar ” Kacidhet e Fundit”, ku kujtonte peripecitë e udhëtimeve Poloskë-Librazhd e Librazhd-Poloskë, në vitet tetëdhjetë kur ai sëbashku me bashkëshorten kanë qenë mësus në fshatrat e Librazhdit. E kujtonte Kosta se si hypnin nëpër karroceri skodash, nëpër ca kamionçina tip fugonash të mbuluar me mushama, nëpër trena pasagjerësh, nëpër trena mallrash, nëpër karroca e ku të mundnin, madje edhe duke ecur edhe më këmbë me orë të tëra qoftë në dimër qoftë në behar.

Pati shumë komente për këtë shkrim të Kostës; ata që i kanë provuar në lëkurë dhe i kanë hequr në kurrizin e tyre ato vuajtje e vlerësonin dhe e falënderonin Kostën por kishte dhe ndonjë komentues që fliste kodra pas bregut dhe këto histori i dukeshin si përralla, pasi siç thotë Poeti tjetër i Devollit, Meti Fidani, “Këta të rinjtë e sotëm mendojnë se Bota është krijuar pas viteve 90-të”.

Unë për vete e pëlqeva shumë atë shkrim të Kostës dhe që atë ditë i thashë: Ç’na bëre o Kosta, na lëndove në kujtime e na hape punë për të shkruar ndonjë gjë nga ato peripecitë e e udhëtimeve të brezit tonë nëpër Shqipëri, e sidomos ne “kuadrove” që punonim në Rrethet e largëta të Vendit.
Nuk kanë fund historitë e peripecitë e atyre udhëtimeve por ja sot do të rrëfej për disa:

1. Udhëtimi me Zis Riportabël

Shkollën e Mesme unë e kam bërë në Qytetin e Korçës në konvikt në periudhën 1956-1960. Një herë në javë apo një herë në dy javë, të shtunave, ne nxënësve na jepnin lejë për të shkuar një natë pranë familjeve. Në atë kohë Linja Korçë- Bilisht-Korçë kishte vetëm dy autobusë, një në mëngjes e një në mbrëmje. Le që ishte zor për të gjetur biletë, por ishte e vështirë edhe të kombinoje orarin e udhëtimit me autobus kështu që unë dilja të shtunave pasdreke tek Parku (në Tebojat e Korçës) dhe prisja ndonjë orë aty se mos më buzëqeshte fati e të gjeja ndonjë kamion deri tek Shuri i Progrit. Shumicën e herëve dihej që fati nuk ishte me mua kështu që e merrja rrugën më këmbë dhe pas katër orësh mbërrinja në Mançurishtin tim. Të nesërmen përsëri dijla tek Shuri i Progrit ku ishte Stacioni i Autobusit por vetëm po të kishte ngordhur ndonjë ujk në Moravë bënte vaki që autobusit t’i kishte mbetur ndonjë vend pa u plotësuar që në Bilisht. Ndodhte ndonjëherë që ndonjë shoferi të kamionave riportabël që merrnin rërë në Lumin e Devollit, i vinte keq për mua si fëmijë dhe më thoshte: “Hipë në karroceri por qëndro shtrirë mbi rërë që mos të të shohë ndonjë polic rrugor se më merr më qafë”. E po edhe shoferët e zisave riportabël nuk ishin tërë “zemërmirë”, kështu që unë shumicën e herëve përsëri me këmbë kthehesha në Korçë.

2. Studenti me valixhe druri në Agjencinë e Autobusave .

Në periudhën 1962- 1967 unë isha student në Tiranë. Të paktën tre herë në vit, dmth në shtator kur fillonte shkolla, për Vitin e Ri kur kishim disa ditë pushimi, e në fund të qershorit kur mbaronte shkolla, do t’i bëje me doemos udhëtimet. Se si shkoja deri në Korçë e thamë por hajde të shkosh tani deri në Tiranë. E që të shkoje në Tiranë, si njeri, kish vetëm një mënyrë: Të prisje biletë ne Agjencia e Autobusëve në Korçë deri në Prenjas pasi në atë kohë deri aty kishte ardhur Treni. E po që të prisje biletë ne Agjencia e Autobusëve, sidomos në këto periudha të pikut kur fillonin e mbaronin shkollat, ishte trimëri e madhe. Duhej t’i gdhije nja dy netë duke pritur radhën deri në mëngjes kur hapej sporteli i Agjencisë por sapo të gëzoheshe se filloi shitja e biletave dhe i ishe afruar sportelit, dëgjoje zërin kumbues e dërmues të sportelistes: “Biletat mbaruan”. Doemos që do të mbaronin pasi sportelistja i kishte shpërndarë një ditë më parë nën dorë.

Pesë vjet me radhë, nga tre-katër herë në vit, unë kam “fjetur” nga një natë tek Agjencitë e Autobusave të Korçës e të Tiranës por asnjëherë nuk kam prerë dot biletë. Kështu që e merrja atë valixhen prej druri, që më shumë rëndonin dërrasat sesa plaçkat që kisha brenda, dhe dilja në dalje të qytetit ku rrinja nja gysëm dite me dorë të ngritur duke iu lutur shoferave të bënin sevap e të më hidhnin rifuxho në ndonjë karroceri kamioni. Sigurisht nuk isha vetëm, kisha shokë shumë madje për ne të rinjtë kjo nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, pasi kishte edhe gra e pleq e të sëmurë që mbeteshin kështu rrugëve.

3. Udhëtimi i parë i dhëndërit me nusen

Pasi mbarova studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në vitin 1967, unë fillova punën ne Fermën Aliaj të Kastratit në Malësinë e madhe. Meqenëse isha i fejuar, në shtator të atij viti erdha në Devoll, bëmë dasmën, ndenjëm ndonjë javë në shtëpi tek prindërit e mi dhe pastaj e mora nusen dhe u nisëm për në strofullën tonë në Malësinë e Madhe. Meqenëse ishte udhëtimi i parë që bëja me bashkëshorten time, Lumen, më janë ngulitur në mendje të gjitha detajet e atij udhëtimi: Dolëm që në mëngjes ne Shuri i Progrit dhe pritmë autobusin që vinte nga Korça për në Bilisht. Qëndroi autobusi dhe zbritën aty disa pasagjerë, sidomos arsimtarë që vinin nga Korça, kështu që u liruan vende për në Bilisht. Drejtimi i udhëtimit tonë ishte për në Korçë e tutje por duke e ditur se kur të kthehej autobusi nga Bilishti nuk do të kishte vende të lira, atëhere iu lutëm faturinos që, megjithse ishim për në Korçë, të hypnim qysh këtu në Autobus. “Mirë, na tha faturinoja, por do të paguani biletat dy herë, për Korçë-Bilisht e për Bilisht-Korçë. E falënderuam faturinon për këtë “zemërgjërësi” që tregoi dhe u futëm në autobus të gëzuar.
Vertet që paguam katër bileta të kripura por gjynah të qaheshim pasi deri në Korçë dhëndri e nusja qëndruan të kapardisur në ndenjëset e buta të autobusit. Zbritëm ne Agjencia e Autobusëve në Korçë por autobusët për në Prenjas kishin ikur me kohë. Si shumë hallexhinj të tjerë, edhe ne bëmë tatëpjetë dhe shkuam në dalje të qytetit, në Unazë, aty ku ishte dhe Agjencia e Kamionave. Ne sheshi para kësaj Agjencie kishte aq shumë njerëz të grumbulluar, sa që po ta shihja sot atë pamje do të mendoja se aty po bëhet ndonjë miting partie. Qëndruam në pikë të diellit në atë shesh të pluhurosur nja 4-5 orë të mira dhe më në fund na erdhi radha që të hypim në karrocerinë e një skode. Ne burrat e kishim më kollaj pasi kacavirreshim pas spondave të skodës, vinim këmbët mbi gomat e skodës e hop kërcenim mbi karroceri por pikën e zezë hiqnin gratë për të hipur në skodë. Nejse, ca gra që ishin më të shëndosha e më të gjata e kapnë edhe nusen time e ma hodhën në karroceri. Kur mbërritëm në Prenjas treni i mbasdites i Tiranës na kishte lënë shëndenë kështu që atë natë fjetëm në Prenjas. Shyqyr që në Prenjas ishte me banim një bashkëfshatari ynë, shoku im i fëmijërisë Vasfi Rusi, kështu që ia zumë shtëpinë Vasos. Të nesërmen u nisëm me trenin e parë për në Tiranë. Nga Tirana për në Shkodër, me njëmijë qamete, gjetëm një kamionçinë, Zuk i thoshin atëhere, dhe qëndruam përseri këmbëkryq në karroceri. Vonë, pasdreke mbërritëm në Shkodër dhe u drejtuam menjëherë për në hotel pasi më shumë se sa për të fjetur e për tu çlodhur ne kishim nevojë të bënim banjë e të hiqnim atë shtresën e pluhurërave që na kishte pudrosur gjithë trupin. Të nesërmen, apo më mirë të them të pasnesërmen, pasi ishte dita e tretë e udhëtimit, shkuam në periferi të qytetit, aty ku niste rruga për në Koplik dhe përsëri hypëm në karrocerinë e një Zisi. Zbritëm në Qytetin e Koplikut, por Ferma Aliaj ku punoja unë, dhe madje isha Përgjegjës Ferme, ishte edhe nja 7-8 kilometra më tej. Tani kisha mbërritur në territorin ku më ecte vula mua kështu që hyra në Postë-Telegrafën e Koplikut dhe e njoftova Shefin e Llogarisë, Harshim Cubin që të më dërgonte një Karrocë në Koplik. Pas nja gjysmë ore mbërriti Kol Vata me Kaloshinën e Fermës kështu që nusja ime u kapardis përsëri në kaloshinë pasi nuk e kishte provuar ndonjëherë kaloshinën. Këtu mbaroi kalvari i këtij udhëtimi të parë me nusen time por një të mirë e pati ama se nusen time e merrte më rallë malli për ta bërë këtë udhëtim kur kujtonte ato që kish hequr.

4. Shishja e pekmezit në tren

Në vitet 80-të unë isha me punë e me banim në Tiranë. Për një vit të ri, kishim shkuar familjarisht, megjith fëmijët, në Mançurisht për ta festuar sëbashku me prindërit tanë. Pasi i harxhuam ditët e lejës, dolëm si gjithmonë tek Stacioni i Tmerrit tonë, ne Shuri i Progrit. Autobusi i mëngjesit nuk na mori. Ishte dëborë, acarr me temperaturë ndofta minus 10-15 gradë, fëmijët po na qanin dhe iu enjtën këmbët e duart nga të ftohtit, por çtë bënim, ishim të detyruar të prisnim autobusin e pasdites. Ashtu, të kallkanosur, më në fund u futëm në autobus dhe mbërritëm në Korçë. Atë natë qëndruam në Korçë tek Shtëpia e motrës time, Merjemit. Motra, si motra, e kishte gdhirë një natë ne Agjencia e na kishte prerë bileta autobusi për në Pogradec pasi Hekurudha në atë kohë kishte ardhur deri në Pogradec. Të nesërmen u ngritëm shpejt dhe nxituam për tek autobusat. Veç çantave ku kishim plaçkat tona kur erdhëm nga Tirana, tani kishim plus edhe dy çanta të tjera në të cilat prindërit na kishin vënë ca mollë, patate, qepë e një shishe me pekmez. Si më të rënda që ishin këto çanta, kuptohet që i mbaja unë. Mirëpo kur i mora në dorë çantat, pashë se ato po pikonin ujë. Futa duart dhe kuptova që mollët, patatet e qepët të cilat kishin ngrirë gjatë qëndrimit ne Shuri i Progrit, tani ishin shkrirë e ishin qullosur. I zbraza në kazanin e plehrave të dyja çantat dhe mora për në Tiranë vetëm shishen me pekmez e cila ishte një shishe koka kole dhe nuk kish pësuar gjë. Nga Korça deri tek Stacioni i Trenit në Pogradec mbërritëm mirë por hyrja në tren ishte shumë e vështirë, kishte shumë kallaballëk dhe njerëzit shtyheshin sa të mundnin kush të hynte më parë për të zënë ndonjë vend që të mos mbeteshin më këmbë. Ne si familje vumë Lumen përpara, fëmijët në mes e unë pas dhe mundoheshim edhe ne që të çanim përpara e të zinim ndonjë vagon të lirë. Shishen e pekmezit Lumja e kishte futur në çantën e dorës dhe çante përpara. Më në fund e kapëm një vagon me disa vende bosh dhe u ulëm. Pasi u ula, unë ndjeva se mu ngjitën duart pas pantallonave. Kontrollova veten dhe pashë se nga brezi e poshtë isha i tëri i lyer me pekmez. Hodha sytë nga fëmijët dhe pashë se edhe ata ishin krejt të llangosur me pekmez. I them Gruas; ku e ke pekmezin? Ja ku e kam, tha, dhe e nxorri shishen ga çanta. Mirëpo po habitej pasi shishja ishte bosh. Asaj i kishte dalë tapa dhe ishte derdhur rrugës kur Lumja çante turmën e njerëzve. Fute shpejt shishen në çantë dhe mos bëj zë, i thashë gruas, se kështu si neve kushedi sa të tjerë do i kish lyer me pekmez.

5. Një shishe me ujë në Rogozhinë

Sado që vuanim nëpër këto udhëtime, ne nuk mund të ndaheshim me prindërit, me motrat, vëllezërit, shokët, miqtë e gjithë të dashurit që kishim në Devoll e në Korçë prandaj edhe do të vinim se s’bën disa herë në vit. Kështu, megjithatë që hoqëm në janar, në gusht erdhëm përsëri me pushime në Devoll. I mbaruam ditët e pushimit, i kryem sipas zakonit të gjitha vizitat e sebepet që kishim nëpër njerëzit tonë dhe ditën e fundit qëndruam në Korçë tek motra. Motrën nuk e kishim porositur për të na prerë bileta pasi mendonim se verë ështe dhe nuk do ta kemi aq problem. Të nesërmen dolëm tek Agjencia e Kamionave dhe për fat rastisëm një kamionçinë tip Zuku të mbuluar me mushama, me targa të Tiranës. Megjithëse ia kishim parë hajrin udhëtimit me këtë lloj makine, na gënjeu mendja se ajo shkonte direkt në Tiranë, i premë biletat dhe hypëm në Zuk. Ajo kishte qenë një xhangare makinë që mirë që pluhurin që fuste brenda ia bënim kabull por motorri i saj nuk e digjte mirë benzinën dhe na mbyti era e gazit. Fëmijët u shtrinë e u bënë petë nga gazi kështu që sapo arritëm tek Stacioni i Trenit në Pogradec, lypsur qofshin biletat që i kishim prerë për në Tiranë, i them shoferit të ndalet se do të zbresim. Zbritëm dhe pritëm në Stacion trenin e pasdites. Vërtet që udhëtimi me tren zgjaste ca më shumë, por ama ishte më i sigurt. Kishim mbërritur në Stacionin e Rogozhinës ku treni qëndronte disa minuta për të hipur e zbritur pasagjerë, por edhe për tu bërë këmbimi me trenat që vinin në drejtimin e kundërt. Ne kishim me vete një shishe koka kole me ujë mirëpo ajo ishte mbaruar dhe fëmijët po më kërkonin ujë kështu që unë zbrita dhe vrapova për ne çezma që ishte poshtë Hekurudhës. Radha ishte e madhe por më në fund e mbusha shishen dhe u nisa për ne treni. Mirëpo në çast mbërriti treni që vinte nga Tirana për në Elbasan dhe u bllokova, nuk kaloja dot tek treni im. Sirenat e lokomotivës së trenit tim po binin dhe pas pak treni u nis. Unë mbeta me shishen me ujë në dorë. Fëmijët në tren jo vetëm që mbetën pa ujë, por atyre ” iu humbi dhe babai”. Edhe kjo më duhej, thashë me vete. Unë kisha mbetur aty pa një kacidhe në xhep pasi kisha dalë në mes të vapës me këmishë të zbërthyer kurse lekët e biletat i kisha në xhaketë në tren. Futa duart nëpër xhepat e pantallonave me shpresë se mos gabimisht do të kishte mbetur aty ndonjë dhjeçkë apo ndonjë qindarkë. Për fat të keq lekë nuk gjeta aty, por për fat edhe më të keq, në xhepin e vogël të pantallonave gjeta çelësin e shtëpisë. Hej bela, thashë me vete, po tani edhe kur të arrijnë në shtëpi gruaja me fëmijët nuk do të hyjnë dot brenda. Arrita më në fund në mesnatë në Tiranë me një tren mallrash por kur hyra në shtëpi s’gjeta njeri. Atë natë kishin fjetur tek komshia.

6. Xhepi i portofolit dhe xhepistat e trenit

Babai im, Safeti, aty nga fundi i viteve 80-të, një ditë vjeshte, u nis për të parë dy djemtë e tij që jetonin në Tiranë dhe vajzën që ishte martuar dhe jetonte në Durrës. Deri në Pogradec ia kishin prerë biletën dhe erdhi me autobus. Ne Stacioni i Trenit në Pogradec u mundua ca por më në fund hyri në tren. Në tren nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës, aq shumë njerëz kishte, mirëpo plaku im, si gjithë devollinjtë e moshës së tij, nuk kishte shumë pretendime e salltanete kështu që kur u nis treni ai u ul këmbëkryq në dysheme dhe vuri përpara, në pëqi, dy çanta të mëdhaja që kishte me vete. Në njërën çante kishte një qilim që ia kishte blerë të bijës në Korçë sipas porosisë së saj dhe çantën tjetër e kishte mbushur me mollë, dardha e fruta të tjera të vjeshtës për t’ua çuar nipave e mbesave në Durrës e në Tiranë. Pranë plakut tim vajti dhe u ul edhe një plak tjetër nga fshatrat e Mokrës së Pogradecit kështu që të dy pleqtë e ngrehën muhabetin ashtu siç iu pëlqente atyre. Pas ca kilometrash udhëtimi vjen faturinoja e trenit për të kontrolluar biletat. Plaku im ia tregoi biletën faturinos dhe e futi përsëri në xhep. Plaku i Mokrës po gërmonte nëpër xhepa por si nuk gjeti gjë bërtiti me të madhe: “Bobo më paskan vjedhur portofolin”. Faturinoja thirri aty edhe policin e trenit por ata s’mund të bënin më tepër se sa ta pyesnin plakun e shkretë se ku e kishte portofolin, si ia morën dhe kur ia morën. Po ja, këtu e kisha , thoshte plaku, duke treguar xhepin e prapmë të pantallonave. Nejse faturinoja në fund i premtoi plakut se ” nuk do të të kërkoj biletë dhe do të të çoj në Tiranë, por më shumë s’kam ç’të bëj” . Treni vazhdonte ecjen dhe plaku i Mokrës i ankohej plakut tim duke i thënë se në portofol nuk kishte vetëm lekët por aty kishte dhe letërnjoftimin si dhe një rekomandim të mjekut të Pogradecit për tu vizituar në spital në Tiranë. Plaku im ia qante hallin por pasi e pyeti dhe mësoi se në Tiranë ai kishte një djalë, atëhere i dha kurajo duke i thënë se “qoftë e kaluar se të gjitha gjërat do të t’i ndreqë djali kështu që mos u bëj merak”. E megjithatë, muhabeti midis dy pleqve nuk shkëputej dot nga humbja e portofolit. Po mirë o i uruar, i thoshte plaku tim, po me ç’mend ti e ve portofolin në xhepin e prapëm të pantallonave, nuk e ke dëgjuar ti kur thonë se “xhepi i prapmë është xhepi i hajdutit”? Ja ku mbahet portofoli, i thoshte plaku im, duke treguar xhepin e xhaketës ku kishte portofolin e vet. Mbas këtij tregimi ” të sinqertë” të plakut tim mbi kokat e dy pleqve u shfaqën nja tre ” çuna të mbarë të trenave” dhe i kërkonin plakut tim që t’iu jepte ndonjë mollë apo ndonjë dardhë nga ato që kishte në çantë. Ikni ore çuna, u thoshte plaku im, se do ua çoj ca nipkave e mbeskave të vogla këto. Ata jo vetëm që nuk largoheshin por bënin sikur do të fusnin duart në çantë për të marrë mollë. Plaku im tërë vëmendjen e mbante për të ruajtur mollët e kumbllat dhe hapte e mbyllte krahët mbi çantë, duke harruar se edhe xhaketa e tij hapej e mbyllej sipas lëvizjes së krahëvë. Kur mbërritën në Stacionin e Prenjasit, çunat u larguan, duket se zbritën nga treni, dhe plaku im u lehtësua. Mirëpo kur futi dorën në xhep kuptoi se edhe xhepi i ishte lehtësuar. Ah maskarenjtë, tha, ma paskan marrë portofolin, dhe rënkonte nga inati. Ai plaku i portofolit të parë i thoshte: ” E po ti vetë ua tregove xhepin e portofolit hajdutëve”.

Babai, pasi qëndroi nja 3-4 ditë në Durrës tek motra jonë Melekja, erdhi në Tiranë dhe qëndroi tre ditë tek unë dhe tre ditë tek vëllai im Hamdiu. Mua ma caktoi ditën se kur do të ikte kështu që unë ia preva biletat komplet për tren e autobus deri në Korçë dhe në orën e caktuar i thashë se tani duhet të nisemi për ne Stacioni i Trenit që të të përcjell. Mirëpo para se të niseshim për ne treni ai nxorri kanatjeren dhe i tha gruas time: ” O nuse, a më qep një xhep brenda kanatjeres mua”? Ia qepi xhepin Lumja dhe ai futi aty ato lekët që i a kishte dhënë e bija për qilimin që i kish blerë në Korçë.
Neve në Tiranë e në Durrës nuk na tregoi plaku për çfar i kishte ndodhur por kur u kthye në Fshat, nuk mund t’ia fshihte këtë gjë djalit të shtëpisë, Luanit, pasi ai do të bënte punën për të nxjerrë një letërnjoftimi të ri dhe për të zëvendësuar plot dokumente të tjera që i kish patur në portofol.

7. Hejbet e Danes

Një bashkëfshatarin tim, Ramadan Muson, ne e kishim komshi por e kishim edhe dhëndër pasi ai kishte marrë një kushërirën time, Ismihanen. Ramadani, apo Danja si i thoshim ne, një vajzë e kishte të martuar në Berat. Ismihanja, ndjesë pastë, për një Vit të Ri e nisi Danen për në Berat dhe i mbushi një palë hejbe të mëdhaja me zahire të dimrit, me pastërma, me fruta, me arra, i bëri dhe një pulë të pjekur e një bakllava që t’ia shpinte vajzës e dhëndërit në Berat.( Hejbe janë dy torba të mëdha të thurura sëbashku dhe që varen krahë-qafë, një para një mbrapa). U nis Danja dhe ishte përgatitur për t’i përballuar vështirësitë që mund t’i dilnin në itenerarin e gjatë Shuri i Progrit- Korçë- Pogradec- Rogozhinë- Lushnjë-Berat.

Mbëriti Danja në Stacionin e Trenit në Pogradec dhe me githë hejbet e hedhura na qafë, zuri radhë tek sporteli ku priteshin biletat. Radha ishte e madhe, me të shtyra e me të ngjeshura, por Danja skish nga ia mbante, duhej të priste biletën për të hypur në tren. Ftohtë ishte se fund dhjetori qe, por Danes me hejbet në qafë , çurkë i kullonin djersët. Kur iu iu afrua sportelit Danja, një nga ata ” çunat e mbarë të trenave” iu qas dhe i tha. ” O Xhaxha; të lutem më pre dhe mua një biletë për në Prenjas” dhe ia zgjati një pesëdhjetëlekësh, aq sa bënte bileta deri në Prenjas Ia mori lekët Danja i mirë dhe u afrua më tej tek sporteli. Mirëpo ai çuni i pesëdhjetëlekëshit kishte bërë llogari të tjera kështu që pas kësaj i thotë Danes: “O Xhaxha; nëmi të t’i mbaj unë hejbet se u lodhe”. Dhe Danja i sinqertë, që i mendonte njerëzit si veten e vet, ia dha hejbet.

Pas pak Danja doli nga radha, në dorë mbante dy bileta, një për Rogozhinë e një për Prenjas. Kërkoi e kërkoi Danja nëpër Stacion por çuni kishte “fluturuar” me gjithë hejbe. Stacioni më në fund u boshatis, njerëzit hypën të gjithë në tren. Ç’të bënte Danja i shkretë? Hyri dhe ai në tren, me duar në xhepa. Kur arriti në Berat, u fut në një dyqan, blevi dy pako me fiq të thatë të Beratit dhe ia çoi vajzës e dhëndrit si peshqesh për Vitin e Ri.

Kadri Kadiu
Denver, maj 2015.

loading...

Komento!

loading...