Home / OPINION / BOTË E NGATËRRUAR ME KOMUNISTË, ME BALLISTË E ME KULAKË
loading...
Kadri Kadiu
Kadri Kadiu

BOTË E NGATËRRUAR ME KOMUNISTË, ME BALLISTË E ME KULAKË

BOTË E NGATËRRUAR ME KOMUNISTË, ME BALLISTË E ME KULAKË

Qëkur isha në shkollën 7-vjeçare, fillova të kuptoj se jo të gjithë njerëzit trajtoheshin njëlloj. Kishte të favorizuar, të përkëdhelur, të diskriminuar, të luftuar e të anatemuar. E këto gjëra fillova t’i ndjej që tek njerëzit tanë më të afërt. Përshembull në Fshain tim, në Mançurisht, ne kishim kushërinj dy fise të mëdha, Ferratët dhe Azollinjtë. Shumica e kushërinjve tanë kishin qenë në krahun e Luftës, por kishim dhe ballistë; pra ishim të ngatërruar. Dajllarët e mij në Zëmblak, tërë Fisi i Shehlerëve, nuk shiheshin me sy të mirë pasi kishin qenë sërë e pasur dhe ishin të përkushtuar me fenë; madje ndonjëri kishte bërë edhe burg politik, si në Rregjimin e Zogut ashtu edhe në Rregjimin e Hoxhës.

Një djalë xhaxhai i babait tonë, Sali Rusi, fati e kishte sjellë që po rritej tek njerku, në një shtëpi kulaku, por ai në vitin 1950 ishte ushtar dhe ra dëshmor në kufi, në Shishtavec të Kukësit. Një motra e Saliut, hallo Shefja, ishte martuar në Zëmblak në Fisin Kulla që njihej si fis kulakësh. Një mbesa e babait, çupa e motrës së vet, Zeqabeja, ishte martuar në Tren, në Fisin Kape, edhe këta familje kulakësh. Në Baban gjithashtu kishim disa kushërinj të parë të nënës time, Servet e Niazi Spaho, edhe këta me biografi “të prishur”. Në Cangonj kishim një djalë teze të babait, Demir Kelollin, një njeri fisnik por edhe ai i cilësuar “kulak”. Në Progër kishim një kushëri të babait, Muharem Hysollin, edhe ai me biografi të prishur pasi iu arratis një djalë, Bujari, në Greqi. Në Pojan po ashtu kishim një kushëri të afërt të babait, Esat Ferron, i cilësuar kulak e më vonë i internuar.

Kjo ishte situata, ky ishte mjedisi familjar, miqësor e shoqëror ku ne u rritëm. Mirëpo, siç i thonë, gjaku nuk bëhet ujë prandaj ne asnjëherë nuk i premë marrëdhëniet me njerëzit tonë. Babai im, megjithse ishte anëtar i Partisë dhe shpesh i ngarkuar me detyra në Fshat, asnjëherë nuk i harroi njerëzit e vet dhe nuk pushoi së vizituari ata. Herë-herë, kur acarrohej ajo që quhej ” luftë e klasave”, babai shkonte fshehurazi natën në shtëpitë e tyre dhe kthehej në sabah, pa u gdhirë. Esat Ferron shkonte dhe e takonte edhe në internim. Sot xha Esati nuk rron, por për këto që po them janë dëshmitarë djemtë e tij. Ndërsa ne fëmijët shkonim me gjyshen, hapur fare, pa teklif në mes të ditës, pasi babai e kishte më të lehtë për tu justifikuar, duke thënë se “epo ajo plakë është dhe ata fëmijë janë”.

E në këtë ambient, në këto kushte jemi rritur të gjithë ne të brezit tim. Politika bënte të vetën por përsëri humanizmi njerëzor apo njerëzillëku siç i thoshim ne më parë, bënte të vetën dhe i ruante ekuilibrat shoqërorë. Ndaj dhe në Fshatin tim, pavarësisht dallimeve klasore zyrtare, midis gjithë familjeve kishte harmoni e kurrë nuk ka patur eksese e grindje për shkaqe politike. Unë për vete, që në fëmijëri e deri sot, në rrethin e shokëve më të dashur kam bashkëfshatarët e mij Arif Meço, Gurali Muso e Viktor Muso; të tre nga familje fisnike por të cilësuara “kulake”. Arifi përshembull, mbaroi shkëlqyeshëm shkollën unike në Progër por nuk mundi të vazhdojë më tej pasi ishte djalë kulaku. Babai i Arifit, Kamber Meço, ishte një burrë i mençëm e fisnik; gjysmën e jetës e kish kaluar në mërgim në Amerikë, duke qenë një aktivist i shquar i Shoqërisë Atdhetare “Vatra”. Edhe në Portalin e Rrethit të Devollit janë të publikuara disa foto të Shoqërisë “Vatra”, ku xha Kamberi është përkrah Faik Konicës. Kur u kthye në Shqipëri xha Kamberi solli ca para dhe vuri ca pasuri, mirëpo pas çlirimit atë e shpallën kulak. Shoku im i mirë Arif Meço, në kooperativë punoi tërë jetën, por ai mbeti një njeri inteligjent dhe studjues i përhershëm. Pas vitit 90, ky Arif Kulaku u bë Kryetar i Partisë Socialiste të Fshatit Mançurisht pasi atje shihte alternativën më të mirë të zhvillimit të Demokracisë.

Ja që unë hyra tani në këtë temë e në këto kujtime, kështu që do të përmend me emra, pa marrë lejën e tyre, shumë shokë, miq, të njohur e bashkëpunëtorë të mij, duke e ditur se asnjeri nuk do të më zemërohet për të vërtetat që po them.
Tërë jeta jonë, e ngatërruar ka qenë, me komunistë, me ballistë e me kulakë, por njerëzit me taban e me edukatë familjare i bënin vend vetes në çdo situatë që të ishin dhe ruanin raporte të drejta njerëzore duke vlerësuar virtutet personale të çdo njeriu dhe jo shtresën shoqërore nga vinte.

Anëtar i Partisë së Punës kam qenë unë, por jetën të pastër, kristal e kam patur dhe jam krenar për ç’kam bërë. Kur kthej kokën pas, nuk më vjen turp nga e kaluara dhe jam i sigurt se nuk ka bir nëne, le ta them, nuk mund të ketë edhe bir kurve, që të më thotë se i kam rënë dikujt më qafë apo i kam bërë një të padrejtë; jam përpjekur që vetëm mirë të bëj në këtë Jetë.
Një shoku im i klasës në Institutin e Lartë Bujqësor, Durim Lamaj nga Kota e Vlorës, ishte në atë kohë nga një familje e varfër ekonomikisht. Kishte mundur Durimi të fitonte të drejtën e studimit por për arësye biografike nuk i kishin dhënë bursë dhe duhej të vazhdonte studimet me shpenzimet e veta. Babait të Durimit, që ishte një punëtor me 5000 lekë rrogë, i duhej që për çdo muaj t’i dërgonte të birit të paktën 3000 lekë vetëm për ushqimin në mencën e studentëve. Kishte raste që këto lekë nuk i vinin Durimit dhe atëhere, me javë të tëra, Durimi i mirë hante në mencë sëbashku me mua, duke e ndarë më dy pjesë racionin e bursës time. E bënin edhe shokë të tjerë këtë punë, me Durimër të tjerë që ishin pa bursë.

Vite më vonë, kur unë isha pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor, vjen aty për të vazhduar shkollën një kushëriri im nga Zëmblaku, Pëllumb Shehu. Pëllumbi kish mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme në Korçë dhe kishte arritur që të fitonte të drejtën e studimit për shkollën e lartë, megjithse pa bursë. Ishte në atë kohë, vërtet një djalë si pëllumb ky Pëllumbi i Zëmblakut dhe ishte bërë me krahë se po vazhdonte shkollën e lartë. Por ia prenë krahët shpejt dhe ia prishnë ëndrat e jetës. Pas një muaji e ca që po vazhdonte studimet, e thërret një ditë në Zyrë Shefi i Kuadrit të Institutit dhe i komunikon se i hiqet e drejta e studimit dhe duhet menjëherë të largohet nga Instituti. Më vjen i përlotur në Katedër Pëllumbi dhe më tregon për çfar i kish ndodhur. Menjëherë shkova në Zyrën e Shefit të Kuadrit, Kristo Skapeta, me të cilin kisha dhe muhabet e i kërkova të më sqarojë arësyen pse bëhej kjo gjë. Kristua më nxorri shkresën që kishte ardhur nga Seksioni i Arsimit të Rrethit Korçë, ku shkruhej se “I hiqet e drejta e studimit Pëllumb Shehut për arësye biografie”.

Nuk kemi ç’të bëjmë Kadri, më tha Kristua, kompetencën për dhënien dhe heqjen e të drejtës së studimit e kanë vetëm Komitetet Ekzekutive të Rretheve përkatëse. Pastaj Kristua më pyeti: Po ti Kadri pse interesohesh, çfar e ke këtë Pëllumbin?
Unë e kam kushëri i thashë, dhe po qe për biografi, nga ana e nënës time edhe unë të njëjtën biografi me Pëllumbin kam.
Ma the mua këtë fjalë, mos ia thuaj njeriu tjetër,- më tha Kristua-, se mund të kujtohet ndonjëri edhe për ty pastaj.
Dola nga Kristua unë; jashtë më priste Pëllumbi. E ç’ti thosha unë Pëllumbit; nuk e mbaja dot veten, qaja më shumë sesa Pëllumbi.

Sot Pëllumbi jeton në Amerikë; fola para ca ditësh në skype me të dhe ia kujtova këtë brengë.
Të paharruara janë këto kujtime të hidhura, o Kadri,- më tha Pëllumbi-, por unë jam i kënaqur se fëmijët e mij vazhduan shkollën e lartë.

E kjo e shkretë luftë e klasave, që veç biografisë kishte dhe shumë aspekte të tjera, u bë shkak që një ditë të më largonin edhe mua nga detyra e Pedagogut në Institutin e Lartë Bujqësor, me motivacionin se kisha zbutur luftën e klasave. Kam shkruar herë tjetër dhe kam shpjeguar arësyen e mosarësyes të largimit tim nga Instituti, kështu që nuk po ndalem këtu por po tregoj se pas largimit nga Instituti, shkova punova për ca vite në kooperativat e Rrethit të Tiranës, fillimisht Shef Plani në Kooperativën e Vaqarrit e më tej Kryetar i Kooperativës së Bërzhitës.

Por ngado që të më çonin, nuk e ndryshoja dot sjelljen dhe karakterin unë, kështu që më ndiqnin këto ndodhitë me kulakë e me ballistë.

Kur shkova në Kooperativën e Bërzhitës, gjeta aty në detyrën e Revizorit të Kooperativës Hajdar Gjuzin. Ky Hajdari kishte mbaruar shkollë të mesme për agronomi por kishte disa vjet që punonte si Revizor dhe ia kishte marrë dorën punës. Mirëpo ky Hajdari na kishte patur një dajo ballist nga Baldushku. Shumë njerëz që nuk e deshin Hajdarin, përfituan nga rasti që unë kisha shkuar si Kryetar i ri aty dhe filluan të më “bombardojnë” me kërkesa për ta shkarrkuar Hajdarin se kish biografi të keqe. Kur e panë se unë nuk po i dëgjoja, atëhere e rritën presionin dhe e ngritën si problem në Organizatën Bazë të Partisë të Fshatit Bërzhitë, ku dhe unë bëja pjesë. Madje muarrë një Vendim Organizate që Hajdari të shkarrkohet. Unë kundërshtova me ngulm, duke iu thënë se Hajdarin mund ta shkarrkoja fare kollaj me arësyen se nuk ka arësimin përkatës ose edhe po të mos punonte mirë, por për “arësyen” që thoni juve nuk ka pse e shkarrkoj. Ai nuk është i zgjedhur as anëtar i Kryesisë e as anëtar i ndonjë forumi tjetër të Kooperativës, është vetëm një nëpunës i thjeshtë dhe deri tani nuk kemi konstatuar mangësi në punën e tij.

Organizata e Partisë qëndronte në Vendimin e saj ndërsa unë në qëndrimin tim. Më në fund ua bëra të qartë se Revizori i Kooperativës është në emërtesë të Kryesisë së Kooperativës dhe nuk mund ta shkarrkojë një Organizatë Partie e një Fshati të veçantë kur Kooperativa kishte 11 fshatra. Pastaj i thashë Sekretarit të Byrosë së Partisë të Kooperativës, Mexhit Kullollit, që të më dërgonte të bëja jetën e Partisë në një organizatë tjetër dhe ai më çoi në Organizatën e Partisë të Fshatit Mushqeta, kështu që më pushuan veshët nga “komunistët” e Bërzhitës.

Këtë Hajdarin ka vite që nuk e kam takuar. Di se në Fshatin Piktoresk të Bërzhitës, buzë xhades, ka ngritur një Klub-Restorant shumë të bukur dhe ka klientelë të konsiderueshme nga Tirana. Më ka çuar fjalë e më ka ftuar që t’i shkoj për ndonjë drekë në Lokal, por deri më sot nuk kam mundur t’ia plotësoj dëshirën. Për këto që shkrova për Hajdarin, unë as atëhere e as më vonë, kurrë nuk i kam biseduar me të. Por e di se Hajdari i ka ditur këto prapaskena, pasi ai ishte aq i mençëm e i zgjuar sa që nuk i shpëtonte gjë pa e zhbiruar.

Në Kooperativë, për çdo fillim viti, bëhej Organika e re e Kuadrit, duke filluar që nga brigadierët, magazinierët, normistët, përgjegjësa sektorësh etj. Kooperativa e Bërzhitës ishte goxha e madhe e me territor të gjërë kështu që krahas aktivitetit bujqësor e blegtoral kishte dhe aktivitete të tjera si ndërtime e mirëmbajtje të objekteve, riparime të ndryshme, prodhim druri, prodhim gëlqere etj. Këto aktivitete ishin të organizuara në një brigadë të veçantë por që vepronte në tërë territorin e Kooperativës. Në krye të kësaj brigade duhej një person shumë operativ por edhe kompetent që të njihte shumë zanate. Në kërkim të një personi të tillë, unë gjeta një kooperativist me emrin Ram Gjuzi. Ky Rama kishte mundur të mbaronte shkollën e mesme për teknik ndërtimi por punonte si punëtor në Kooperativë pasi ishte familje kulaku. E pikasa këtë Ramën që ishte një njeri i aftë, i ndershëm, i pafjalë, një njeri që ç’i shihte syri ia bënte dora, dhe e thirra një ditë në Zyrë. Ia bleva më mirë mendjen dhe i thashë ç’kisha në mendje.

Shoku Kryetar; unë të falenderoj,-më tha Rama-, por a e di ti biografinë time?

Të nesërmen Ramë Gjuzin e emëruam Brigadier të Aktiviteteve Ndihmëse. M’u turrën përsëri idhujtarët e luftës së klasave duke më thënë se “ke shkelur në dërrasë të kalbur kësaj here o Kryetar”. Mundohesha t’iu përgjigjesha e t’i sqaroja se Ram Gjuzin nuk e kishim bërë as Anëtar Kryesie të Kooperativës e as Anëtar Partie, por brigadier. Dhe ua theksoja se brigadier është detyra më e vështirë në Kooperativë, se brigadieri ishte i pari që delte në punë dhe i fundit që kthehej në shtëpi . Për t’i bindur, ua kujtoja dhe atë shprehjen që përdorej në atë kohë se ” Në kooperativa vuajnë gratë, qetë dhe brigadierët kurse të tjerët shullëhen në punëra të lehta e bëjnë llogje Kavaje”.

Ramë Gjuzi vazhdonte punën si brigadier dhe i kishte vënë punët në vijë, por një ditë më thirrën në Komitetin e Partisë të Rrethit dhe më thanë se kishte ardhur një letër nga disa “kooperativistë” që kërkonin shkarrkimin e këtij brigadieri kulak. Unë nuk kam për ta shkarrkuar atë,- iu thashë-, juve hajdeni e shkarrkojeni.

Të nesërmen vjen një Instruktor i Komitetit të Partisë; unë mblodha Kolektivin e Brigadës dhe e çova aty. Pasi dëgjoi mendimet e të gjithë kooperativistëve të asaj Brigade, ky Instruktori i uroi punë të mbarë Ramë Gjuzit.

Në Sektorin Mushqeta të Kooperativës, magazinierin Ymer Isufi e ngritëm në detyrë dhe e bëmë Përgjegjës Sektori. Mirëpo nuk po gjenim njeri për ta zëvendësuar Ymerin në magazinë, kështu që Ymeri vazhdoi nja dy muaj të mbante dy kunguj, edhe përgjegjsllëkun, edhe magazinën. Më në fund e gjetëm një djalë të ri, Enver e kishte emrin, i cili sapo ishte liruar nga Ushtria; ishte me shkollë të mesme ekonomike, i edukuar e i rregullt, dhe e emëruam magazinier. Filloi Enveri punën e magazinierit dhe po e kryente me shumë korrektesë. Mirëpo pas ca muajsh, disa bashkëfshatarë të Enverit, kishin dërguar një ankesë në Komitetin e Partisë të Rrethit dhe kërkonin shkarrkimin e tij pasi nuk kish biografi të mirë. Këtë herë ankuesit nuk ishin anonimë, kishin vënë emrat e tyre në fund të letrës, kështu që i thërrita në Zyrë dhe iu kërkova arësyet pse e kishin shkruar këtë letër. Mësova se “arësyeja” e vetme kishte qënë se para shumë viteve babai i Enverit ishte dënuar me disa muaj burg pasi ishte grindur dhe kishte goditur një bashkëfshatarin e vet.

U përpoqa dhe m’u duk se i sqarova, se me këtë “cen” në biografi, Enveri jo vetëm që mund të rrijë magazinier, por nuk ka pengesë për tu pranuar edhe në Parti.

Kam patur dhe e kam akoma një shok të mirë, Kudret Shalsin. Kudreti është nga fshatrat e Rrëzës së Korçës por nuk e mbaj mend konkretisht emrin e Fshatit të tij. Me Kudretin kemi mbaruar sëbashku shkollën e mesme, Teknikumin Bujqësor të Korçës, si dhe shkollën e lartë, Institutin Bujqësor Tiranë. Fati e solli që me Kudretin të punonim për një kohë sëbashku edhe në Kooperativën e Vaqarrit; unë Shef Plani dhe ai Agronom i Kooperativës. Pra, si të thuash, ne me Kudretin jemi rritur bashkë, kemi qenë shumë dashamirës ndaj njeri-tjetrit e bisedonim hapur për çdo gjë. Kudreti, ashtu si dhe unë, edhe shkollën e mesme edhe shkollën e lartë e ka mbaruar me bursë shteti. Unë nuk dija ndonjë gjë të veçantë për biografinë e tij, por kur punonim në Vaqarr ai nuk druhej nga unë, kishte besim dhe më shprehte njëfarë pakënaqësie ndaj rregjimit duke e quajtur veten të persekutuar. Në vitin 1992, kur në Pushtet erdhi Partia Demokratike, Kudretin e bënë Kryetar të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Tiranë ndërsa mua më pushuan nga Puna në Ministrinë e Bujqësisë, ashtu si edhe mijëra e mijëra kuadro e specialistë të tjerë që u hodhën në rrugë, me motivacionin absurd “I pa përkushtuar për reformën”.

Kisha katër fëmijë për të mbajtur unë, kështu që nuk ia përtova punës dhe dola menjëherë në Pazar të Ri e shisja domate e speca në tezgë. Kur mësova se Kudreti u bë Kryetar Komiteti, i shkova në Zyrë dhe e urova megjithë zemër për detyrën që kishte marrë. Kudreti thirri Sekretaren dhe e porositi që të sjellë në Zyrë dy kafe. Pasi erdhën kafet, Kudreti e mbylli nga brenda derën e Zyrës dhe më tha: “Kadri; më dhemb shpirti kur të shoh ty në pazar duke shitur zarzavate. Ne kemi urdhër të prerë që të mos marrim në punë asnjë nga të pushuarit , por për ty unë e marr përgjegjësinë, e thyej këtë urdhër dhe ti të fillosh punën që nesër si Shef i Sektorit të Tatimeve të Rrethit, por vetëm me një kusht: Të marrësh tesërën e Partisë Demokratike”.

E dëgjova Kudretin; në hall isha por nuk e mbajta dot të qeshurën. Ti më rrofsh o Kudret,-i thashë-, por unë nuk e ble punën me tesër Partie, ma kanë bërë këtë ofertë edhe në Ministri por nuk e pranova prandaj më larguan. Por po të them, se kështu si e kini nisur, me një luftë të re klasash, nuk do ta keni të gjatë në Pushtet.

E po s’kam ç’të të bëj unë o Kadri,-më tha Kudreti-, ti këtë kokë ke.
U ndamë me Kudretin atë ditë, por shokë mbetëm përsëri.
Duket sikur këto gjëra që po shkruaj janë ndodhi të jetës personale. Por unë nuk mendoj ashtu; unë them se këto gjëra që po shkruaj i kanë përjetuar në forma të ndryshme, shumica e shqiptarëve.

Ja, po tregoj dhe dy-tre raste të tilla, të përjetuara jo nga unë por nga të tjerë bashkëkohës të mij:
Poetin e talentuar të Devollit, Meti Fidanin, nuk e kam takuar asnjëherë. Por e kam njohur shpirtin e tij të pastër nga shkrimet e tij, pasi në të gjitha shkrimet ai derdh shpirtin e vet. I vuajtur, i persekutuar, i internuar ka qënë Meti me familjen e tij, por ai ka mundur që të bëjë dallimin midis politikës zyrtare dhe njerëzve të veçantë. E si të mos e adhurosh Metin, kur në shkrimet e tij demaskon luftën e klasave e politikën e Rregjimit Komunist, por nuk le pa përmendur me respekt e dashuri punën dhe ndershmërinë e plot kuadrove e nëpunësve të asaj kohe. Kështu, midis shumë të tjerëve, Meti përshkruan zemërgjërësinë, ndershmërinë, njerëzillëkun e drejtësinë e dy kryetarëve të kooperativave, të cilët i kam njojtur edhe unë, Kryetarin e Sinicës, Todi Karamelo dhe Kryetarin e Dusharit, Ilmi Zhuli.

“Mik i ditëve të vështira, njeri i thjeshtë, i çiltër, me shpirt të madh për mirësi”; kështu e quan Meti, Todi Karamelon. Në situatën kur Familja jonë u kthye në Fshat pas internimit dhe nuk kishte ku të kapej as për strehim, as për bukë, as për punë e as për lekë, shpëtimtari ynë-, thotë Meti-, u bë Kryetari i Sinicës, Todi Karamelo.

Kryetari i Dusharit, Ilmi Zhuli, ishte djali i xhaxhait të mamasë së Metit, kështu që Meti e thërriste “dajo” Ilmiun dhe Ilmiu i thoshte “nipçe” Metit. Ilmiun e Metin, “Bota e Ngatërruar” i kishte ndarë e i kishte hedhur njerin në “kampin komunist” e tjetrin në “kampin ballist”. Në sy të botës ata qendronin larg njeri-tjetrit, secili në kampin e vet, por larg syve të botës, gjaku i bashkonte dhe Met Poeti përshkruan skena prekëse kur dajo komunisti, i merakosur e i shqetësuar për jetën e nipçe ballistit, e thërriste fshehur atë, e mësonte, e këshillonte që të ruhej, e qortonte, i jepte dhe ndonjë shpullë për pakujdesitë që kish treguar, por pastaj fillonte e përgjërohej për të, e ledhatonte, e përqafonte me dashuri, e puthte në faqe dhe mbytej në lotë për nipçe ballistin.
Këtu në Amerikë, kam njohur një bitinar të mençëm, Gëzim Bletën, i cili ka vuajtur familjarisht në rregjimin e mëparshëm. Gjatë bisedës, Gëzimi emocionohej dhe fliste me shumë respekt kur përmendte emrin e të ndjerit Qemal Kambo, ish Kryetarit të Kooperativës së Bitinckës. “E ka mbajtur Fshatin tonë, të bashkuar si koshere bletësh Qemal Kambua,-thoshte Gëzimi-; sa ishte ai Kryetar, as nuk u arrestua e as nuk u burgos ndonjë njeri nga Bitincka”.

Po tregoj edhe një rast tjetër të ndodhur në Fshatin tim: Aty nga fillimi i viteve 50, u arratis përnjëherësh një familje e tërë prej 11 vetash, Familja e Xhelo Musos. Pas kësaj ngjarjeje, pas pilafit, erdhën në Fshat një dyzinë me policë e sigurimsa dhe deshën të arrestonin një numër fshatarësh që ishin të afërm të kësaj Familje. U doli përpara atyre Kryetari i Këshillit Popullor të Fshatit, Ahmet Rusi i cili ishte edhe babë dëshmori, Kryetari i Kooperativës Safet Kadiu, dhe Sekretari i Partisë i Fshatit Zija Azo, dhe e ndaluan këtë veprim; nuk u arrestua asnjë njeri. Kjo që thashë është një fakt i njohur nga gjithë bashkëfshatarët e mij që kanë jetuar në atë kohë. Por do të them edhe një gjë tjetër që nuk është bërë publike më parë: Vërtet që atë ditë nuk u bënë arrestime dhe policët e sigurimsat u larguan, por të nesërmen Operativi i Zonës kthehet në Fshat dhe i njofton tre drejtuesit e Fshatit se do të arrestojnë Emin Muson pasi ai ka patur miqësi me Xhelon dhe nga ana tjetër ka qenë edhe kulak. Ahmet Rusi, Kryetar i Këshillit, i tha Operativit se” Emin Muso është një burrë i vjetër, është njeri i ndershëm dhe punon me ndërgjegje si marangoz në Kooperativë”. Kryetari i Kooperativës, Safeti, i tha Operativit: “Me që juve po arrestoni Eminin pasi paska qenë mik i Xhelos, atëhere arrestomëni dhe mua pasi unë e kam mik Eminin”. Sekretari i Partisë, Zijai, i tha Operativit se “Ne nuk jemi dakord me këtë arrestim dhe do të kërkojmë sqarime edhe në organet e Partisë së Rrethit”. Operativi i dëgjoi këta por nuk u tërhoq nga kërkesa e tij dhe u largua.

Atë mbrëmje, Kryetari i Kooperativës trokiti në Portën e Emin Musos. Për atë që ndodhi brenda shtëpisë së Eminit, fjalët do t’i ve në thonjza pasi nuk janë fjalët e mia, por janë fjalët e Çeços, djalit të xha Eminit. Çeçua është gjallë dhe jeton në Elbasan. Para ca vitesh edhe një vëllai im, Feimi, jetonte në Elbasan dhe ishte komshi me Çeçon. Në një gëzim familjar që kishte vëllai im, kishim shkuar edhe ne vëllezërit e tjerë por ai kishte thirrur për darkë edhe Çeçon e Gurali Muson si dhe tre bashkëfshatarë të tjerë, çuna të rinj, që punonin në Elbasan. Nuk më kujtohen emrat e këtyre çunave vetëm se e di që njëri prej tyre ishte djali i Fatmir Meços. Erdhi muhabeti dhe Çeçua na tha: “Dëgjoni o djemtë e xha Safetit; po ju tregoj një histori të hershme që juve nuk e dini: Një natë, tek ne trokiti porta dhe unë dola dhe e hapa. Ishte xha Safeti, babai juaj. Hyri brenda dhe kërkoi babain tim. Bujrum Safet,- i tha babai-, ke ardhur tamam në kohë, të dashka vjehra, se tani po shtrojmë sofrën që të hamë darkën; kemi petanik me fasule. Atë petanikun,- i tha xha Safeti-, fute në një torbë, merre me vete dhe duhet të largohesh menjëherë nga shtëpia; lerua adresën djemve që të të lajmërojnë se kur duhet të kthehesh. Kaq tha xha Safeti dhe u largua. Pas tij, babai jonë u vesh e u ngjesh e doli menjëherë nga shtëpia. Nënës i tha se do të fshihej në disa miq që kishim në Pojan. Të nesërmen, që pa u gdhirë, erdhi në shtëpinë tonë Operativi i Sigurimit me dy policë por babain nuk e gjetën; ne i thamë se kishte ikur në Tiranë për tu vizituar sepse ishte i sëmurë. Pasi kontrolluan nëpër dhoma e në tërë ambientet e shtëpisë, ata ikën pa na thënë asgjë. Pas 4-5 ditëve na vjen përsëri xha Safeti dhe na thotë se tani situata u sqarua prandaj lajmërojeni Eminin të kthehet në shtëpi”.

Në atë kohë ishte akoma gjallë babai jonë kështu që kur shkova në Fshat pas disa javësh për ta parë, si me shaka i thashë: Ti baba; nuk paske qenë aq besnik i Partisë dhe paske punuar edhe kundra Sigurimit të Shtetit.
Ç’është ky llaf,-tha babai i habitur-, kush ta tha?
Çeçua i xha Eminit ma ka thënë,-i thashë unë-, dhe jo vetëm mua por dhe nja shtatë a tetë mançurishtarëve të tjerë.
Vuri pak buzën në gaz babai dhe tha: E po ajo kohë ishte mor bir, ashtu ka ndodhur, të vërtetën ju paska thënë Çeçua.

Kadri Kadiu
Denver, janar 2015.

loading...

Komento!

loading...