Home / OPINION / BERMUDET NËN THJERRZËN TIME (5)
loading...
Reis Mirdita
Reis Mirdita

BERMUDET NËN THJERRZËN TIME (5)

BERMUDET NËN THJERRZËN TIME (5)

Ka në këtë trekëndësh, në këtë nyje dukurish e mitesh ndonjë lloj të nëmure mistike mbinatyrore ose të ndonjë qytetërimi të hershëm që nuk e kap historia ngaqë nuk gjenden dëshmi materiale të cilat do të vërtetonin diçka të tillë, të supozuar ose të pa imagjinuar fare nga njeriu gjer më sot apo ngjarjet mbi të cilat janë shkruar libra e artikuj të panumërt janë thjeshtë pësime nga forcat e rëndomta natyrore si: erërat e furishme, dridhjet sizmike nënujore, rrymat detare dhe dukuri të përafërta të papërshtatshme klimatike që sollën dhe sjellin fatkeqësi të papritura, paralelisht me moskujdesje të duhur dhe gabime të tjera të njeriut të implikuar në to!?

Nëse i largohemi që në fillim idesë së një nëme misterioze të lëshuar nga dikah, nuk mundemi ndoshta t’i ikim plotësisht disa deklaratave e dëshmive të dhëna nga njerëz që konsiderohen nga shumë qarqe, si të besueshëm por të cilët mandej u akuzuan ose u vunë në dyshim se kishin përjetuar frikë në rrethanat në fjalë dhe kjo prodhoi fantazmë duke dëmtuar psiken e tyre.
Ideja e një baze nënujore të ngritur nga jashtëtokësorët, është hipotezë ndër të parat që kur hulumtuesit nisën të merren me dukurinë e Trekëndëshit e që është në lidhje me zhdukjen misterioze të avionëve. Kjo teori tani natyrisht aplikohet edhe mbi të gjitha katrahurat e mëparshme, edhe për ato më të largëtat në historinë detare të njeriut.
Në vazhdimet e mëtutjeshme do të shohim edhe deklaratat e dëshmitë e disa ushtarakëve mbi UFO-t (Igor Baklay e të tjerë) me një përjashtim në këtë kaptinë nga se do të përshkruaj atë që na sjell Yuri Beketov, Amiral i pensionuar rus, i cili flet mbi çrregullimet e radarëve dhe interferencat e shfaqura në këtë hapësirë të oqeanit, e kjo, sa për t’i justifikuar mendimet se USO-t (nga ang. Unidentified Submerged Object – Objekte Nënujore të Pa Identifikuara), lehtësisht, nëse janë prezentë, ata kanë ndikuar së paku edhe në të kaluarën e afërt. Ja ç’thotë ai: “Shumë herë instrumentet e bordit shënonin praninë e objekteve materiale që lëvizin me shpejtësi prej rreth 230 nyje, ose ndryshe, 400 km/h. Shpejtësi pothuajse e pamundur për në sipërfaqen e ujit, ndërsa nën ujë, ku rezistenca është shumë më e lartë…! Rrjedhimisht, sikur këto objekte sfidojnë ligjet e fizikës. Për mua ka vetëm një shpjegim për këtë: Krijesat që ndërtuan këtë, kanë një teknologji që ia tejkalon shumë larg kësaj tonës”

Fundosja e galionit Genovese

T’i kthehemi kronologjisë së rrëfimit tonë, pra të trajtojmë tani avarinë e galionit “Genovese” 23.08.1730), i ngarkuar me mallra të çmueshme, i cili u vendua në shtizat e uraganit pikërisht në pjesën qendrore të Detit të Karaibeve, përballë kufirit perëndimor të Xhamajkës. Edhe pse vendi i tragjedisë nga e cila shpëtuan vetëm një numër i vogël detarësh gjendet në një hapësirë, të themi të zgjeruar (zmadhuar), disa autorë ndër të cilët i pari ishte Winer, nuk ndaluan t’ia atribuojnë këtë ngjarje të rëndë, mistereve të Trekëndëshit. Ndoshta për këtë ndihmuan edhe disa deklarata të detarëve që i mbijetuan fundosjes të cilat, thënë të vërtetën, akordoheshin plotësisht në përplasjen me uraganin por dallonin disa imtësi gati plotësisht të pa rëndësishme të dhëna sigurimit dhe policisë bregdetare. Është diçka tjetër esenciale që duhet të na shtyjë të dyshojmë në ndonjë faktor tjetër që solli fundosjen: Në gusht uraganet janë shumë të rralla, mos vallë këtë furi e nxiti ndonjë forcë e fshehtë e cila po edhe kësaj radhe i gëlltiti detarët, pjesën më të madhe të mallrave dhe vet ndërtesën lundruese…?

(Vazhdon me: Nga Hamburgu për Havanë)

Shkruan: Reis Mirdita

loading...

Komento!

loading...