Home / OPINION / BERMUDET NËN THJERRZËN TIME (3)
loading...

BERMUDET NËN THJERRZËN TIME (3)

BERMUDET NËN THJERRZËN TIME (3)

Colombo dhe Bobadilla

Dhjetë vite më vonë, në këto ujëra bermudiane, gjegjësisht më 1 qershor të 1502-shit, viktimat e para që i njeh historia, ndodhën në detin e Karaibeve ku një erë frynë nga perëndimi e jo nga lindja gjë që në këtë stinë është shumë e pazakonshme. I bindur se kjo do të sjellë stuhi përbindëshe, Colombo menjëherë njoftoi flotën e guvernatorit Francisco de Bobadilla që përbëhej nga “Eldorado” dhe njëzet e gjashtë anije tjera të cilat po i përfundonin përgatitjet për nisje drejt Spanjës. Mirëpo Bobadilla, si që e dimë nga të dhëna historike, ishte në një mënyrë armik i Colombo-s dhe xheloz (Më v.1500 i pat burgosur vëllezërit Colombo me akuzë për gjestion të dobët dhe i ktheu në Spanjë) në sukseset e tij por edhe i sigurt në përvojën dhe njohuritë detare që kishte personalisht, e ndjente veten superior ndaj Colombo-s, andaj nuk e përfilli këshillën duke e bindur më tej kapitenin e flotës se këto erëra nga perëndimi do të shpejtojnë përparimin e tyre dhe do të fitojnë në kohë për të arritur më shpejtë në atdhe.

Njëherë e gatshme, flota u nis. Tre ditë lundrim dhe me 4 korrik 1502, u zhduk e tëra, e masakruar nga stuhia marramendëse. U gjetën rrënojat ose ndryshe thënë ajo që kishte ngelur nga dhjetë anije, nëpër shkëmbinj nënujorë dhe përgjatë plazheve të Porto Rico-s e Hispaniola-s. 17 anijet e tjera, nënkuptuar këtu edhe “Eldorado”, sikur i “lëshoi toka”, u varrosën në ujërat e detit pa nam e nishan dhe nuk është gjetur asgjë gjer më sot që mund të zbërthej së paku një pjesë të përjetimeve dhe fatkeqësisë që u bë nismëtare e fshehtësive të mbuluara nga atëherë sa me mitologji, aq edhe me të vërteta të tmerrshme.

Retrospektivë: Vështrim i shkurtër i lundrimeve oqeanike para Colombo-s për të cilët nuk është folur gjer më sot në kontekstin e Trekëndëshit të Bermudeve.
Duket si digresion në kronologjinë e tërësisë shqyrtimi në vijim por në të vërtetë është vetëm një kthim në shekujt që i paraprinë zbulimit të kontinentin amerikan ashtu si e njohim sot, së paku, ashtu si na e servon historia shkollore e gjertanishme. Për ta kompletuar më së miri kaptinën mbi misteret e Trekëndëshit të Bermudeve, në vijim do të pasqyroj disa të dhëna historike më pak të njohura, sidomos për ne europianët, pasi që literatura është e cungët dhe në disa raste mospërfillëse. Bëhet fjalë për disa udhëtime detare, kurse për temën që shtjellohet këtu, është me rëndësi të përmend faktin nga historia e Sulltanit Mansa Kankan Musa (1312-1337), monark i Perandorisë së Malit, në perëndim të Afrikës. Më vitin 1324, gjatë udhëtimit të tij për në Meke (Haxh) i njohtoi dijetarët Mamlukë (në Kairo) të Oborrit Mbretëror të Sulltan Nasir al-Din Muhamed III (1039-1340) se vëllau i tij Sulltan Abu Bakri (1285-1312) ka ndërmarrë dy udhëtime në “Detin e Errësirës dhe Mjegullës” (Oqeani Atlantik). Të dytën herë ai u nis personalisht me ekspeditën e tij por nuk u kthye më në Tombuktu, kështu që, Musa bëhet Sulltan i perandorisë.

Tash pyetja, ku mbet kjo ekspeditë? Mbërrini në ujërat që shekuj më vonë u quajtën (jo gjeografikisht) Trekëndëshi i Bermudeve ose jo? Ata humbën dikund duke u larguar nga vendlindja e tyre, u kthyen prapa pa zbuluar tokë të re, ose u mbështetën ndonjë bregu të ri tokësorë por pas zbarkimit, u shpartalluan duke u zënë robër ose u vranë në luftime e kacafytje me banorët vendas? Më së fundi, mos vallë u gëlltitën nga ujërat e rrezikshme të Bermudeve gjatë kthimit? Preferoj tezën e fatkeqësisë gjatë lundrimit nga shkaku se ky ishte udhëtimi i dytë dhe supozoj se ekspedita njihej më me banorët dhe reaksionet e mundshme të tyre andaj, gjasat për një humbje në kacafytjet eventuale me vendasit janë shumë të vogla. Këtë nuk e them pa u bazuar në disa fakte historike që e përforcojnë teorinë time të gëlltitjes nga ujërat e oqeanit. E vetmja pikë e pa qartë ngelën vendndodhja për të cilën besoj të jetë gjithashtu në brendi ose afërsi të trekëndëshit misterioz. Në fund do të lë si vijon, një përkthim-adaptim të raportit të Sultan Musa-it të dhënë në Kairo. Në mes shumë të dhënave zgjodha nga autori veridik Ibn Fald Allah Al-Omari dhe veprën e tij « Masalik al-Absar fi Mamalik al-Amsar » nga ku lexuesi do të mund vet të krijoj një imazh nga ngjarja e dhënë më lart:

“Sundimtari paraprijës i im, nuk besonte se është e pamundur për të zbuluar kufijtë e detit përballë. Donte të vërtetoj mendimet e veta dhe vazhdoi planin e tij; kishte dyqind anije të pajisura dhe të mbushura me njerëz dhe po aq të tjera të ngarkuara me, ari, ujë dhe rezerva të mjaftueshme për vite të tëra. Ai i urdhëroi njerëzit e misionit detar : “Kthehuni vetëm kur të keni arritur në fund të oqeanit, ose kur të keni konsumuar ushqimin dhe ujin për pije.” Ata janë zhdukur në horizont, dhe mungesa e tyre zgjatë shumë kohë para se ndonjëri nga ta të kthehet. Së fundmi, pas shumë kohësh, një anije e vetme u kthye. Ne kemi kërkuar nga kapiteni të na flas për rrugëtimin dhe fatin e tyre.”

“Princi im”, u përgjigj kapiteni, “kemi lundruar për një kohë të gjatë deri sa takuam në mes të oqeanit diçka si një lumë me rrymë të fortë. Luftanije ime ishte e fundit. Të tjerat vazhduan lundrimin njëra pas tjetrës gjer në këtë vend, ku u zhdukën nga syri dhe nuk u kthyen (panë) më. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ta. Sa për mua unë jam kthyer aty ku isha dhe nuk iu qasa rrymës”.

“Por perandori nuk deshi të besoj. Ai, i pajisur me dy mijë anije, një mijë për të dhe njerëzit që e shoqëronin dhe mijë për ujë e rezerva të tjera. Ma besoi pushtetin dhe u nis me shoqëruesit e tij në oqean. Kjo ishte hera e fundit që e pashë atë dhe të tjerët dhe kështu unë ngela sundimtar absolut i perandorisë.”
Për përfundim, i referohem përsëri fjalëve të kapitenit që u kthye nga explorimi i parë: “…kemi lundruar për një kohë të gjatë deri sa takuam në mes të oqeanit diçka si një lumë me rrymë të fortë”.

Ky lumë, është diçka e zakonshme apo një forcë misterioze që vepron në oqean, aty në brendi ose së paku në afërsi të trekëndëshit të imagjinuar. Ku u zhdukën anijet e udhëtimit të dytë? Numri është impresionues. Prej gjithë atyre anijeve nuk u gjet asnjëherë as shenja më e vogël!
Më poshtë, shiheni hartën që vërteton (ose që është vetëm një koincidencë) udhëtimet tejoqeanike të shekujve para zbulimit të “Botës së Re” para Colombo-s)

Për arsyetimet e mia mbi misteret e më hershme të Trekëndëshit të Bermudeve dhe udhëtimet drejt tokave të reja qartësisht flet edhe kjo hartë unike (foto) gjer në këtë kohë, e detarit dhe kartografit të famshëm Piri Muhyi ad-Din Reis, e datuar në muajin Muharrem të vitit 919 të Hexhire-s (mars 1513) që u zbulua nga Halid Edhem Bey më 1929 në bibliotekën e Serallo-s të Stambollit.

Autori në fjalë ishte turk dhe gjuha e përdorur është turqishtja. Harta është e pikturuar me ngjyrëra mbi pergamenë dhe përfshin Oqeanin Atlantik me brigjet e Amerikës, pra hapësirës perëndimore të botës. Mungojnë disa pjesë të hartës ku padyshim ishin të përfshira pjesë të tjera të rruzullit tokësor.
(Vazhdon me: Retrospektivë II: Platoni, Atllantida dhe Trekëndëshi i Bermudeve)

Nga Reis Mirdita

loading...

Komento!

loading...