Home / OPINION / BE, dekadencë ekonomike e shoqërore
loading...

BE, dekadencë ekonomike e shoqërore

BE, dekadencë ekonomike e shoqërore

Nga
Rami Miftar Laçi

Mençuri apo marri politike? Zërat e ndryshëm sa vinë e bëhen më të popullarizuar në shtetet më të pasura të Bashkimit Europian. Jacques Delors, François Mitterrand dhe të tjerë, patën hedhur mendimin e një Europe “të gjashtëve”. Tani një deputeti francez, Laurent Wauquiez, me librin e tij “Duhet ndërruar gjithëçka në Europë” (“Il faut tout changer en Europe”), ngjalli debat të menjëhershëm i cili vjen duke u “kallur” në mbarë Bashkimin.

Alain Juppé e quajti marri idenë e bashkëpartiakut të vet. Nuk munguan as shigjetat e “të mëdhenjëve” të tjerë por këtu sulme, nuk e tronditën e as e luhatën aspak autorin e librit në mbrojtjen e idesë për një Europë të Gjashtëve.
Them se një bashkim i tillë më pëlqen dhe se kam qenë akoma shumë më parë, mbrojtës por edhe shpalues i hershëm i mendimeve se Europa në format e saja që nga “themelimi” ishte dhe ngel utopi për çështjet më të sublimta njerëzore, duke nisur në rradhë të parë nga përzgjedhja për pranim në përbërjen e saj e më gjërë akoma.
Libri doli disa javë para “europjaneve” dhe disi tani pas tyre, vërtetoi tendencat e autorit por edhe teorinë që e kam promovuar kaherë për një dekadencë evidente gjeopolitike të BE. Shprishja fillon ende para formimit e sidomos me zgjërimin e saj duke mos përfillur kriteret vitale të shteteve kandidate.

Mosfunkcionimi i drejtë politik dhe human u duk më sheshazi me pranimin e pjesës greke të Qipros edhe pse pjesa tyrke ishte e gatshme për bisedime me qëllim të bashkimit, BE me manovër të turpshme (nëpërmjet të votimit të grekoqipriotëve), deklasoi pjesën tjetër të ujdhesës të cilën nuk e pranon si shtet të pavarur kurse nga ana tjetër, e ndanë pa fije skrupulle dhe e merr vetëm njërën pjesë, atë greke.
Ndër margaritarët e fundit është edhe gjendja me Ukrainën e cila nuk do të vinte, pa asnjë dyshim e them, në këtë gjendje kaotike nëse BE nuk merrte hapa të ngutshëm drejt anëtarësimit të kësaj ish republike sovjetike.

Të dielën e kaluar, u bëmë dëshmitarë të një luhatjeje të madhe të politikës në vet thelbin europian. FN (Balli Kombëtar) i znj. Marine le Pen i “përbiu” partitë e mëdha të qendrës duke tubuar 24,85% të votave dhe me këtë të nis shthurjen e BE ose të imponon realitet të ri në këtë sociogjeografi që qëndron në këmbë falë manovrave të ngathta rreth doçfar integrimesh të reja; kandidatura, fillim bisedimesh për integrim, fitim statusi… Shtetet më të ngecura në plan industrial e ekonomik, gëlltisin këto premtime edhepse të vetëdijshëm se asnjëherë nuk do të arrinë që popujtë dhe kombet përkatëse të shkrihen duke kaluar nëpër shpërfytyrim ngase askush nuk mund dhe nuk don të bëhet si tjetri kur është në pyetje identiteti, uni. BE nuk kërkon barazim industrial dhe ekonomik sepse politika e saj qëndron në themele të tjera. Ajo në plan të parë kërkon përfitime materiale për vete; pranimin e veçorive kulturore të saj, heqjen dorë nga tradita dhe praktikat sublime që e dallojnë një komb; kërkon që këto (kandidatët), të shkrihen në kulturën “allafranga” (à la française) dhe me këtë, të shkrihet jeta në një dok të ri europian ose më mirë thënë, në një traditë të njërit nga shtetet (kombet) e mëdha të “familjes europiane” por gjithë duke ndejtur si dorë e dytë e kësaj strukture sociopolitike.

Me këtë nuk them se partitë ekstreme që bënë një hyrje të fuqishme në votimet e të dielës së 25 majit 2014, do të vënë rend në BE dhe as që kam ndonjë simpati ndaj tyre por realiteti është se ata, do të mundohen që të shpërbëjnë këtë Europë të Bashkuar, duke ruajtur vetëm shtetet përkatëse, industrialisht më të zhvilluara, të cilat mandej do të vazhdojnë thithjen e pasurive të pjesëve tjera në forma bashkëpunimi por pa ndërhyrje në traditat e tyre të jetesës dhe ndërtimit e bërjes së politikës së tyre të pastër dhe konvenuese vetanake.

Bashkëjetesa në BE mori fund!

Fitorja e partive ekstreme ose edhe vetëm rritja e numrit të votave të marrura, është dokument se moskënaqësia e qytetarëve europianë (dhe jo vetëm të BE) ka arritur shkallë të lartë, me tendencë të shtimit viteve në vijim. Copëtimi kalon gardhin ndarës etnik dhe religjioz duke formuar tani një frymë sociogjeografike; bashkim të klasave shoqërore në regjione por edhe në nivele shtetërore me numër të vogël banorësh.
Revolta bëhet më e dukshme në regjionet larg qendrave industriale, në zonat e njohura si periferike e rurale, aty ku varfërimi po merr hov: fshatrat, qytezat; pra teritor që përfshin gjer më 80% të BE. Gjendja e re që po krijohet këtu, tregon se janë duke u formuar kategori të reja të quajtura “popullore” ku përfshihen punëtorë, bujq, administratë e vogël, e mbarë klasa e mesme, të rinj e të pensionuar, invalidë…, të gjithë galopojnë drejtë varfërimit dhe ndihmës sociale.

Kur jemi të ndihma sociale, të them se ky humanizëm është ajo që e bën popullin të vuaj edhe shpirtërisht; si nevojtarët, si ata që kanë të ardhura të tjera. Të dy grupeve iu është e neveritshme kjo asistencë. Populli kërkon punë, jo lëmoshë. Puna dhe fitimi i denjë e pajisë atë me dinjitet, jo lëmosha.

Në dinamikën e jetës që është e varur nga të ardhurat e jashtme prej resoreve vetanake, sot e disa vjet, janë degraduar edhe shumë degë të tjera sociale që përbëjnë themelet e një shoqërie të shëndoshë. Europës që kacavirret pas disa ligjeve kinse të drejtave univerzale, që në të vërtetë përfshijnë disa nga çështjet e një numri më të vogël se 1% të popullatës por edhe nuk janë realisht të drejta të shkelura, ajo i harron mbi 80% të të prekurve nga probleme kryciale si:

a) siguria e njeriut dhe pasurisë së tij (atë që ka);
b) mbrojtja e duhur e punës dhe të drejtat përcjellëse (orari i punës, ditët e pushimit javor…)
c) stabiliteti ekonomik dhe sigurimi i banimit në norma të duhura sepse popujt europianë janë vendqëndrues e jo nomadë dhe;
d) shkollimi adekuat me mundësi të barabarta për të gjithë që mundëson njëherit edukim dhe ndërtim të identitetit të shëndoshë familjar e shoqëroro-politik.

Nga momenti që këto aspirata do të kuptohen e do të trajtohen si të mirëfillta dhe si pjesë përbërëse e jetës shoqërore dhe jo si ideologji e çfarëdo ngjyre, do të vendoset një harmoni sociale, do të shmangen padrejtësitë në mes klasave që sot janë aq të mëdha që e bëjnë Europën vend e sistem të turbullt e të pashpresë për njeriun e rëndomtë.

Elita europiane është aq larg realitetit, sa në vendet e tyre respektive dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për vendet “kandidat” e të tjerë, që len ndjenjë të hidhur në njeriun edhe më të “kallur” pro BE.

Interesi për qëndrim në BE ka nisur që moti pinguljen, tash i bashkangjitet epoka e dezinteresit për aderim!

Rami Miftar Laçi

loading...

Komento!

loading...