Home / KULTURA / “BANDA E LIRISË”, SI U THEMELUA NGA BEJLERËT E KORÇËS
loading...

“BANDA E LIRISË”, SI U THEMELUA NGA BEJLERËT E KORÇËS

“BANDA E LIRISË”, SI U THEMELUA NGA BEJLERËT E KORÇËS

Nga Vepror Hasani

Për “Bandën e Lirisë” së Korçës është shkruar pak, por edhe në ato raste kur është shkruar kanë mbetur të papërmendur emrat e themeluesve të vërtetë të kësaj bande. Pse ka ndodhur kështu është e vështirë të thuhet, ndoshta artikullshkruesit nuk kanë patur informacionin e nevojshëm, por, çuditërisht, e vërteta është se të papërmendur kanë mbetur vetëm emrat e bejlerëve të Korçës, pikërisht ata që ishin iniciatorët e krijimit të këtij formacioni të famshëm muzikor dhe që mundën t’i jepnin jetë. Gjatë periudhës së diktaturës, emrat e tyre nuk u përmendën kurrë, sepse Enver Hoxha i kishte frikë familjet e mëdha, dhe ishte kjo arsyeja që këto familje përfunduan ose në burgje, ose përpara togave të pushkatimit. Për pasojë, emrat e tyre, sa herë që gjendeshim si protagonistë në ngjarje të mëdha, zëvëndësoheshin me personazhe të tjerë të dorës së dytë. Megjithatë, edhe në ditët e sotme vihet re se ende ka shkrues që nisen të thonë të vërtetat e pathëna, por fatkeqësisht mbeten në mes të rrugës sapo shohin se po u dalin përpara emra bejlerësh. Arsyeja është një edhe e vetme: këta lloj shkruesish ndihen inferiorë përpara emrave të tillë. Për këtë arsye, ne vendosëm të shkruajmë për ato të vërteta që nuk janë thënë deri më sot dhe për ata njerëz që janë lënë në harresë…

“BANDA E LIRISË”

“Banda e Lirisë” u krijua në qytetin e Korçës më 1 tetor 1908. Iniciatorët për themelimin e saj u bënë drejtuesit e klubit “Dituria Shqip” në Korçë, fakt që është përmendur edhe nga autorë të tjerë dhe është i gjithpranuar, por për lexuesin e gjerë asnjëherë nuk janë vënë në dukje kush janë drejtuesit e këtij klubi. Mospërmendja duket e çuditshme, sepse aty janë themeluesit e “Bandës së Lirisë” dhe askund tjetër. Atëherë, përse nuk thuhen? Përse kërkohet në qiell, kur ata janë në tokë? Përse tentohet zëvëndësimi i tyre me emra të tjerë? Dhe mbi të gjitha, personazhet që i sjellin si risi, a janë emra të verifikuar, pasi shkrime të tilla ngjasojnë më së shumti me stisje që kanë për qëllim vetëm një gjë: fshehjen e së vërtetës, metodologji kjo e mësuar nga koha e diktaturës, ndaj edhe po të falsifikosh duket sikur nuk ke bërë ndonjë mëkat. Nuk po zgjatemi më shumë në këtë pikë. Ja kush janë drejtuesit e klubit “Dituria Shqip”, të cilët pa asnjë dyshim janë edhe nismëtarët e themelimit të “Bandës së Lirisë”: “Kryetar nderi i këtij klubi është Ymer bej, ( sigurisht që bëhet fjalë për Ymer bej Zavalanin një nga patriotët më të vjetër të qarkut Korçë, shënimi ynë), Kryetar, Orhan bej Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi, ndërsa pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail Bej Leskoviku dhe Tefik Efendi”.(Është fjala për Tefik Panaritin, njëri nga firmëtarët e krahinës autonome të Korçës). (Gazeta “Korça”, 26, vjesht’ e III 1909).

AGJENTËT E ATHINËS

Të krijoje një formacion të tillë muzikor që t’i shërbente çështjes kombëtare nuk ishte e lehtë. Fill pas krijimit të “Bandës së Lirisë” u pikas se agjentët e Athinës dhe kleri ortodoks grek në Korçë nisi të lëvizte i shqetësuar. Krijimi i bandës ishte për ta si një rrufe në qiell të hapur që po binte papritur mbi kokat e tyre. Më zi nuk kishte si nxihej; më keq s’kish si të bëhej; më dëshpërueshëm nuk kishte si të ndiheshin. Më të humbur se kurrë më parë nuk e kishin parë ndonjëherë veten. “Banda e Lirisë” ishte oguri më i keq për ta, një varr i hapur. Do të këndohej shqip. Zgjimi i ndjenjave kombëtare do të merrte një dimension tjetër. Fuqia e magjishme e këngës do të gjente rrugën për të hyrë në shpirtrat e njerëzve. Dhe kjo nuk ishte pak. Për agjentët e Athinës dhe klerin grek në Korçë do të thoshte vdekje. Planet e vjetra të Greqisë për rrëmbimin e Korçës do të përfundonin si një vrimë në ujë. E në këtë vrimë uji duhej të mbyteshin të gjithë ata që kishin ëndërruar për të ashtuquajturën “megalidhe”. Kjo ishte dhe arsyeja pse shqetësimi mes radhëve të tyre nisi të rritej. U duhej të gjenin një rrugëdalje për të dalë nga hendeku ku kishin rënë. Vendosën që edhe ata të ngrinin shoqëri muzikore; jo një, por disa, që të përcillnin mesazhin se Korça ishte Greqi, se ky qytet nuk kishte për të dalë kurrë nga “kthetrat” e tyre. Do të bënin çdo përpjeke që rreth këngës greke të mblidhnin gjithë gjyhnaqarët që do të mashtroheshin. Humbjen nuk do ta pranonin dot kurrë. E jo vetëm kaq: do të bënin të gjitha përpjekjet për sabotimin e “Bandës së Lirisë”. A do të mundeshin? Orhan bej Pojani dhe miq të tij, qëndronin si shkëmb i frikshëm në mbrojtjen e “Bandës së Lirisë”.

“BANDA E LIRISË”, ËNDËRR PËR BASHKIM

Dhe një gjë ishte e sigurtë: pavarësisht nga përpjekjet e agjentëve dhe klerit grek, krijimi i “Bandës së Lirisë” dhe përparimi i saj nuk mund të ndalej më; ajo duhej të rronte gjatë edhe për arsyet e përmendura më sipër. “Banda e Lirisë” kishte qenë gjithnjë një ëndërr e dëshiruar prej kohësh, por krijimi i klubeve dhe shoqërive të tilla deri para 10 korrikut të vitit 1908 kishte qenë i pamundur. Me shpalljen e konstitucionit, siç u quajt atëherë kushtetuta e re e xhonturqve, nisi dhe lëvizja për të realizuar ëndrrën e madhe, ndaj edhe u quajt “Banda e Lirisë”. Lirinë që po u jepej, dëshironin ta shfrytëzonin në të mirë të atdheut e të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, dhe t’u tregonin grekomanëve se nuk ishin grekë por shqiptarë të mashtruar e duhej që të ishin që të gjithë bashkë. Ndaj dhe në rregulloren e shoqërisë muzikore “Banda e Lirisë” në nyjën 1 të saj sanksionohej: “Qëllimi i kësaj shoqërie do të jetë të punojë me bashkim për të përhapur dhe të mbrodhësuar mësimin të muzikës, të gjimnastikës dhe të valles në mes të shokëvet (të) shoqërisë”. Vini re: “Do punojë me bashkim”, theksohej në nyjën 1 të rregullores; ky ishte misioni i vërtetë i saj. Madje synimi i tyre shkonte edhe më larg se kaq. Dëshironin shumë që “Banda e Lirisë” së Korçës të bëhej “Banda e Lirisë e gjithë Shqiptarëve”. Madje ishte kjo arsyeja që “Dituria Shqip” zgjodhi si kryesonjës të kësaj bande një nga patriotët më të nderuar të Korçës, Pandeli Calen, me qëllimin e vetëm që rreth kësaj bande të afroheshin edhe ortodoksët. Koha do të tregonte se drejtuesit e “Diturisë Shqip” ishin njerëzit e duhur për realizimin e këtij misioni të madh. Ata mundën t’i afronin njerëzit njëri me tjetrin. Madje edhe shoqëria e djemve të Korçës, “Vëllazeria” e krijuar në prill të vitit 1909 pati kujdesin e shoqërisë “Dituria Shqip”. Sipas gazetës “Lidhja orthodhokse” 17 gusht 1909: “Banda e Lirisë” bashkë me shoqërinë e gjimnastikës “Vëllazëria” u mbajtnë në shtëpit të re të z Terpo” (mësonjtorja shqipe). Veç dy shoqërive të mësipërme, (“Bandës së Lirisë” dhe “Vëllazërimi”), Mitropolia e Korçës mbante qëndrim të ftohtë edhe ndaj “Klubit të Shqiptarëve”, pasi ajo parapëlqente që besimtarët e saj ta konsideronin veten grekë, sipas përallës së vjetër se çdo ortodoks i kësaj bote ishte edhe grek në të njëjtën kohë

VËLLEZËRIT POJANI

Liria e Shqipërisë dhe bashkimi i shqiptarëve kishte qenë ëndrra e madhe e vëllezërve Pojani. Gjithë jetën e tyre e sakrifikuan për Shqipërinë. Ja çfarë shkruan Ilo Mitkë Qafëzezi për vëllezërit Pojani dhe miqtë e tyre: “Kryeveteranët e Korçës, të shqipes, varrlulëzuari Orhan bej Pojani, Thimi Marko dhe Mahmud bej Pojani mblidheshin rregullisht në shtëpi të Papa Llambro Bullamaçit, (prift vllah, i vrarë nga andartët grekë më 1914) dhe të ndenjur rrotull zjarrit të votrës qanin hallet duke gatuar plane për mbarëvajtjen e shkollës kombëtare dhe për mënyrat e fshehta se si duheshin prurë sigurtë nga Bukureshti librat shqipe të Naimit, Vretos dhe Samiut që shtypeshin në kryeqytetin e Rumanisë”. (“Gazeta e Korçës”, 11 mars 1932). Ndërsa më poshtë Qafëzezi tregon se si ata këndonin këngë të tilla, ku disa vargje prej atyre këngëve kanë mbërritur deri në ditët e sotme: “Gjer kur ky karkalec i huaj/, gjer kur ky tiran, ky barbar/, do na shkelë zverkut as thuaj…/ Gjer kur do të na kllasë të gjallë në varr…”. Madje ishte serish Orhan bej Pojani ai që do të themelonte edhe klubin “Përparimi” për të ndihmuar mbarëvajtjen dhe hapjen e shkollave të reja shqip kudo që kishte nevojë në Shqipëri. Lajmi njoftohej nga gazeta “Korça”, vjesht’ e I-rë 1909: “Pardje u zgjodh pleqësia “Përparimi”. Kryetar u vu zoti Orhan Pojani, nënkryetar zoti S. Karoli, këshillonjës z. Behar Hafëz Ali, Sami Pojani, shkronjës Mihallaq Gramenoja. Shpresojmë se kjo pleqësi do të vështronjë këtë detyrë të vjejtur” (të vlerë).

SHOQËRIA E MËSONJËTOREVE SHQIP

E megjithatë, para se të flasim më konkretisht për aktivitetin konkret të “Bandës së Lirisë” na duhet të themi edhe diçka më shumë për rolin e Orhan bej Pojanit. I dëshiruar të ndihmojë shkollën shqipe me gjithë sa mundej, pas Kongresit të Elbasanit ai ridimensinon edhe një herë shoqërinë “Përparmi”. Plqësia e kësaj shoqërie jep këtë njoftim te gazeta “Lidhja ortodokse”: “Me anë të kësaj (gazete) marrim nderë t’u lajmërojmë se pas vendimit të Kongresit të Përgjithshëm të Elbasanit, u fillua këtu në Korçë Shoqëria e Mësonjëtoreve Shqipe (Përparimi), e cila ka për qëllim pikë së pari të përmbanjë (mirëmbajë) mësonjëtoren për mësues (Ecole Normale në Elbasan, që u hap këtë vjeshtë), edhe veç kësaj do të përkujdeset q’i të hapnjë mësonjëtore shqip ku ta dojë nevoja në Shqipëri edhe t’u ndinjë atyre që kanë hapur, po (nëse) s’ mundin të mbahen plotësisht. Po për të mbaruar këtë qëllim kaq të nevojshëm dhe të fismë, e ditur është se do mundim të mbarojmë vetëm dyke patur ndihmëm e bashkët të çdo klubi, shoqërie dhe çdo atdhetari që dëshiron përparimnë, qytetërimin dhe lulëzimin të kombit shqiptar…” Ndërsa në vijim të këtij njoftimi thuhet: “… dyke ndier këto nevoja që thamë më sipër, u fillua kjo shoqëri me emrin “Përparim” e cila do të njihet si ark’ e përgjithshme ku do të mblidhen të hollat e së këtejmi do të përhapen ku ta dojë nevoja për Mësonjëtoret Shqip. Pas vendimit të Kongresit të Elbasanit kjo shoqëri do të përpiqet të njihet zyrtarisht (pronë morale et juritique) nga mbledhja e Kombit. Pleqësia e Shoqërisë është kjo: Kryesonjës, Orhan Bej Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi, shkronjës Mihallaq Grameno, nënkryetar Stavri Karoli. Këshillonjës: Belul Efendiu, Hafëz Ali, Sami bej Pojani. Shoqëria e Mësonjëtoreve Shqip “Përparim”, Korçë, 18 vjesht e III 1909
(Botuar te “Lidhja ortodokse” më16 shënëndre (dhjetor) 1909)

ORKESTRAT E KORCËS

E pra, ishin pikërisht këta njerëz që dinin gjithë të fshehtat e shpirtit të shqiptarëve se si mund t’i bënin të gjithë bashkë. Anëtarët e “Diturisë Shqip” mendonin se kënga ishte mjeti më i mirë për t’u afruar me njëri-tjetrin. Ata besonin se për realizimin e kësaj ëndërre ekzistonin të gjitha mundësitë. Qyteti i Korçës prej vitesh kishte disa orkestra nga më të mirat që barabiteshin me ato të Manastirit, Kosturit dhe Janinës. Për më tepër, ne po sjellim kujtimet e Vasil Ballaurit, nga libri “ Një dritare në historinë e muzikës së Korçës, fq 19-20, për të kuptuar më mirë rrjedhën e muzikës në qytetin e Korçës: “Në ato kohë familjet e mira korçare, kujton Vasil Ballauri, familjet pra, që kishin një farë niveli ekonomik, filluan të thërrisnin nëpër sebepe të ashtuquajturit “saze”. Ç’ishin sazet? Nuk jam i qartë për etimologjinë e kësaj fjale, por dihet se sazet përbëheshin nga një grup orkestrantësh popullorë, të cilët luanin vegla muzikore, si violinën dhe fyellin. Më vonë në këtë grup, pra në sazet, u inkuadruan edhe gërneta ose klarinta si dhe dy lahuta. Sazet këndonin edhe shfrehnin dufin, shpirtin, gëzimet dhe andrrallat e jetës së përditshme. Në fillim të periudhës së sazeve (në qoftë se mund të shprehemi kështu), qyteti i Korçës nuk kishte të tilla, dhe për këtë arsye familjet e pasura i merrnin ato nga zonat etnografike fqinjë si Ohri, Kosturi e Leskoviku. Asi kohe sazet më në zë ishin ato që vinin prej Kosturit. Më vonë, me qenë se kërkesat shtoheshin dhe me qenë se qyteti po zmadhohej dhe numri i dasmave rritej, shohim se sazexhinjtë e Leskovikut filluan të vendosen me banim të përhershëm në qytetin e Korçës. Sazexhinjtë më të mirë në atë kohë ishin ata myslimanë, sazet e huaja dalëngadalë filluan të thirreshin në qytetin e Korçës gjithnjë e më rrallë”.E pra, njerëzit që i njihnin mirë instrumentet e muzikës popullore mund t’i jepnin shkëlqimin e ëndërruar edhe “Bandës së Lirisë’ dhe këtë gjë e kishin marrë përsipër bejlerët e Korçës.

PËRPARIMI I “BANDËS SË LIRISË”

“Banda e Lirisë” që nga dita e parë e lindjes së saj u përkrah edhe nga Mytesarifi (prefekti i Korçës) Shyqyri Pasha, edhe nga kryetari i Bashkisë, Belul Efendi, edhe nga Myftiu i Korçës dhe nga autoritete të tjera të larta në Korçë, vetëm Mitropolia kishte menduar të dilte me një bandë më vete.(Sigurisht, kleri ortodoks grek në Korçë synonte përçarjen). Agjentët kishin filluar të lëviznin. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo mjet, vetëm bashkim të shqiptarëve të mos kishte. Përkundrejt këtij realiteti, edhe “Ditura Shqip” bënte gjithçka për të asgjësuar veprimet e errta të agjenturave greke. Ndaj, kur nga dita e parë e themelimit të “Bandës së Lirisë” (1 tetor 1908), kishte kaluar rreth një muaj, klubi “Dituria Shqip” vendosi të hidhte edhe një hap tjetër; të kërkonte mbrojtjen e Sulltan Mehmet Reshad V-të, pasi vetëm kështu nuk do mundte t’i ndalte dot kush në udhën që kishin nisur dhe do ta kishin më të lehtë për të punuar për bashkimin e gjithë shqiptarëve. Sigurisht duke punuar në fshehtësi të plotë ashtu siç kishin bërë edhe më parë. Duket se klubi “Dituria Shqip” mori vendimin që drejt Stambollit të nisej më i vjetri i tyre, Ymer bej Zavalani. Këtë fakt e mësojmë nga gazeta “Korça” ku muaj më vonë e kujton sërish këtë ngjarje, ku thuhet: (ashtu siç mund të shkruhej në ato rrethana), se, “…L. M. T. Sulltan Mehmet Reshad i 5-të ka qenë gjithnjë mik i shqiptarëve, këtë gjë na e tregon që me gëzim të madh priti kryesonjësin e nderit kur përpara 6-7 muajsh ja lypi mprojtjen e tij “Bandë e Lirisë” ndë Korçë, edhe pati mirësinë të dërgonjë kësaj bande një shumë të hollash …”. (Gazeta “Korça”, 22 prill 1909). Në të vërtetë në këtë njoftim të “Korçës” nuk përmendet emri i Ymer bej Zavalanit, por dimë që ai ka qenë anëtari më i hershëm i këtij klubi dhe ndërkohë, (në vitin 1909, kur shkruan gazeta), vazhdonte të ishte kryetar nderi i “Diturisë Shqip”. Ndërmarrjen e këtij hapi e kishin realizuar me sukses.

KËRKOHET NJË MËSUES MUZIKE

“Banda e Lirisë” kishte përparuar me sukses çdo ditë. Njerëzit e klubit “Dituria Shqip” kishin nisur të ndienin domosdoshmërinë e një profesori. Ku mund ta gjenin vallë? Donin që ai të ishte shqiptar ose të paktën të fliste shqip, ashtu sikurse nuk dëshironin aspak që të ishte grek.Vetëm me një profesor muzike mund ta shndërronin “Bandën e Lirisë” në “Banën e Lirisë të të gjithë shqiptarëve”. Kërkohej që ajo t’i përfaqësonte ata me dinjitet kudo që të ndodheshin dhe të përcillte mesazhe vetëm për bashkim dhe lirinë. “Diturisë Shqip” i mbetej vetëm një rrugë: të kërkonte ndihmën e shqiptarëve kudo që ndodheshin nëpër botë. Njoftimi për gjetjen e profesorit u bë nga gazeta “Korça” e Sami bej Pojanit, (24 shënëndre 1908), ku thuhej: “Shoqëria e muzikës “Banda e Lirisë”, u lutet gjithë mëmëdhetarëve në dinë ndonjë profesor të muzikës, shqiptar, ose të dijë gjuhën shqipe, të na shkruajë, që të mundim ta pajtojmë. Kondicionet janë: 150 franga në muaj, jo gjë tjetër. Profesori është i ndaluar të japë mësim gjetkë pa lejen e pleqësisë”. Për gjetjen e profesorit u dëshën gati tre muaj. Ishte e njëjta gazetë që bëri të ditur edhe këtë lajm: “Mësonjës i “Bandës së Lirisë” është nga Italia, një javë përpara urdhëroi, tashti pas Pashke do të niset mësimi i muziqisë”. (Gazeta “Korça”, 31 mars 1909). Profesori italian i muzikës ishte Pasquale Anibale, emigrant në Misir.

NISIN MËSIMIET E MUZIKËS

Profesori italian Paskuale Anibale nisi dhënien e mësimeve më 14 prill 1909. Kjo datë përkoi me ditën e hipjes në fron të sulltan Mehmetit V-të 5-të, i cili kishte marrë nën mbrojtjen e vet edhe “Bandën e Lirisë”. Gjatë festimit të kësaj dite, Kristo Sulidhi fotografoi për herë të parë “Bandën e Lirisë”. Gjithashtu fotografi u bënë edhe nga zyrtarët e lartë të Korçës, ku nuk mungonte as Mytesarifi (prefekti) Shyqyri Pasha. Gazeta “Korça” e dt. 8 maj 1909 shkruan: “…Gjithë anëtarët e zyrtarët me Mytesarifin në krye u fotografisnë në shtëpi të “Bandës së Lirisë”. Një tryezë e madhe prej 80 takëmesh u shtrua për këtë festë duke dëfryer gjer në mëngjes…”. Tashmë klubit “Dituria Shqip” i mbetej të kujdesej për kompletimin e bandës me të gjitha instrumentet muzikore të nevojshme. Fillimisht ishin blerë mjaft vegla, por u pa e nevojshme që të bliheshin edhe të tjera. Bandës nuk duhej t’i mungonte asgjë. Ndërkohë kishte filluar të mendohej edhe për veshjet e tyre. “Dituria Shqip” i kishte siguruar anëtarët e bandës se do t’u plotësonte çdo kërkesë që ndihmonte ecurinë e shoqërisë muzikore. Përkujdesi ndaj bandës duket se i ishte ngarkuar Sami bej Pojanit. (Në vijim do të shohim se për vdekjen e tij “Banda e Lirisë” me vendim të pleqësisë mbajti një javë zi).

VIJNË VEGLAT MUZIKORE

Gazeta “Liria” e dt 30 maj bënte të ditur se “Klubi Dituria” kishte porositur vegla të tjera muzikore për bandën, ndërsa theksonte se, “veglat e muzikës që kish porositur “Band’ e Lirisë” në Korçë, erdhë nga Evropa në gymryk (doganë) të Selanikut dhe dje u nisnë për në Korçë ng’an e Manastirit”. Në të vërtetë ardhja e tyre ishte pritur me padurim. Kërkesa kishte kohë që ishte bërë, ndërsa mbërritja dukej se ishte vonuar tej parashikimeve. Vonesa e ardhjes së tyre bie në sy edhe te një informacion i gazetës “Lidhja ortodokse” ku shkruan: “Me gjithë që veglat të muzikës vonuan shumë për sa arritën këtu, Z. profesor Paskali vuri gjithë fuqinë, e kështu, për sot, ditën e lirisë, do të këndojnë marshet kombëtare të Lirisë, të Mëmëdheut prej zotit Mihal Grameno. “Sa të rronj gjithësia edhe nja dy të tjera”. Aq pleqësia e “Bandës Lirisë”, sa edhe z. Paskal, meritojnë gjithë ngjatjetimet nga ana tonë për këto vepra kombiare. Nuk dyshojmë që mëmëdhetarët do t’i ndihmojnë kësaj shoqërie, e cila përpiqet kaq shumë për qëllime të shejta. Ndërkaq, gazeta “Korça” e dt 11 qershor 1909, bënte të ditur: “Banda e Lirisë” ep dy herë në ditë mësim. Në mëngjes që në orën 12-3 dhe mbrëmanet që me orën 1-4 të natës. Përmbi 60 djema mësojnë muzikën”. (Disa prej emrave të instrumentistëve do t’i mësojmë në vijim) Instrumentet e bandës ishin flikorni tromba, saksi, basi, kundërbasi, katër klarineta, një fyell, dy daulle etj. Së fundi u përhap lajmi se edhe kleri ortodoks grek kishte formuar dy shoqëri muzikore: “Anagjenisin” që do të thotë “Përlindja” dhe “Ta Patria” që në greqisht ka kuptimin “Atdheu”.

ÇUDITIN BOTËN ME RROBAT E BUKURA

Mitropolia e Korçës kishte vendosur të shfaqej me grupin e vet muzikor ditën e 10 korrikut, në përvjetorin e ditës së Lirisë (shpalljes së konstitucionit). Gazeta “Lidhja ortodokse” e përshkruan kështu këtë moment: “Pas programit të hyqymetit, më orën 2 u mblodhë në oborr të hyqymetit, duke ardhur me radhë: Katundaria (bashkia) Klubi i “Diturisë Shqip”, “Banda e Lirisë” që habiti gjithë botën me rrobat e bukura, Mitropolia me muzikën…”. E pra, Mitropolia kishte ardhur duke marrë me vete edhe muzikën e vet
Megjithatë, sipas gazetës së përmendur më sipër: “Festën e nisi “Banda e Lirisë”, duke kënduar Marshin e Lirisë në mes të bërtimeve e të përpjekurit e duarve”… “Më orë 10, “Banda e Lirisë” xbriti dukë kënduar në Klub të Shqiptarëve, ku këndojti gjer më orën 11, pastaj me pleqësinë në krye vanë në kafene të Plakocit. Në tryezë fjalën e hapi Mytesarifi duke dëftyer shënimin e kësaj dite të shënuar. Të dytën fjalë e mbajti Avni Beu, kryesonjës i Çemjetit, duke lutur Perëndinë për të shtuar vëllazërinë e dashurinë të të gjithë kombeve. Të tretën fjalë e mbajti z. Idhomene Kosturi mbi (në) emrin e Klubit të Shqiptarëve, fjalë të cilën e botojmë në gazetë. Pas z. Idhomene mbajti fjalën dhespoti, pastaj zoti Bullamaçi. Fundin e fjalëve e mbajti Belul Efendiu, kryekatundar i qytetit të Korçës…”. Edhe nga sa shihet më sipër, muzikat e Mitropolisë ishin të destinuara të qëndronin në hije dhe as kush të mos fliste për to, pasi gjithkush i shihte si krijesa të turpshme greke. Gazeta e përmendur më sipër vijon rrëfimin si më poshtë: “Si u mbarua tryeza të gjithë bashkë më ora dy u rrëzua nëpër klubet e tyre, gjer në mes të natës muzikat shëtitnë me dritat e bukura që çkëlqenin në duart e djemve. Artificet kishin edhe ato bukurinë e tyre. Dëfrimet mbajtën deri në mëngjes midis popullit edhe vetëm kur zuri të gdhihet e suall nërment që është e shtunë, ditë pazari, andaj sicili shkojti në punë të tij duke bërtitur: Rroftë kombi! Rroftë Shqipëria! Për të shënuar është që kjo ditë shkojti pa ndonjë zihje ose turbullim duke mbetur në zemrat të cilitdo një kujtim të paharruar. Mot dhënë Zoti më mirë”.

LOTË DHE MIRËNJOHJE

Pavarësisht nga krijimi i dy shoqërive muzikore “Anagjenisi” dhe “Ta Patria”, tashmë “Banda e Lirisë” ishte bërë e dashur për të gjithë, e shihnin si diçka të shenjtë, e adhuronin. Ajo këndonte shqip. E njëjta gjë thuhet edhe në kronikat e kohës. Shtëpia e “Bandës së Lirisë” ishte shndërruar në pikëtakimi për të gjithë shqiptarët. Çdo mbrëmje ktheheshin te kjo ndërtesë e shenjtë dhe dëgjonin këngë shqip, mallëngjeheshin dhe lotonin prej këngëve të bukura shqiptare që flisnin për hallet dhe gëzimet e tyre: “Prej dy jave “Banda e Lirisë” ka zënë të përmbledhë gjithë mëmëdhetarët në shtëpi të saj, ku venë të dëgjojnë muzikën. Për natë, nuk është përveçse festë kombiare në mest të këngëve kombiare. Z. Llambi Kota njënatëza kur dëgjojti marshin: “Për mëmëdhenë” nga gazi qau dhe i dhurojti bandës pesë napolona. (Gazeta “Lidhja orthodhokse”, 10 korrik 1909). Po kaq i befasur kishte mbetur edhe deputeti Shahin Kolonja. Befasia e tij përshkruhet kështu: “Të hënën që shkoj, mbrëmanet, Z. Shahin Kolonja vajti në “Banda e Lirisë” edhe u çudit nga përparimi i djemve në muzikë. Kur iku i fali bandës 5 lira” (Gazeta “Korça”, 8 vjesht e II-të 1909). Dhe jo vetëm kaq: “Banda e Lirisë” kishte nisur të zbukuronte jetën e banorëve të Korçës. Herë pas herë muzikantët e bandës bënin shëtitje nëpër qytet, këndonin dhe luanin meloditë më të bukura. E pabesueshme mund të duket, por është e vërtetë: gjithë qyteti dilte për t’i admiruar e mrekulluar me virtuozitetin e tyre. Një prej shëtitjeve të tyre përshkruhet kështu: “Të djelë që shkoi “Banda e Lirisë” bëri një shëtitje përjashta qytetit tonë për xbavitje. Afro gjysm’ e qytetit kishte dalë jashtë që të dëgjonte bandën dhe këngët shqip. Banda, kur ktheheshe lojti një copë (pjesë) të bukur përjashta Katundaries, afër zyrës (së gazetës) “Korça” (Gazeta “Korça”, 8 vjesht e II-të 1909). Aktiviteti i tyre kishte nisur të përhapej edhe nëpër fshatra. Gjithkund i prisnin me adhurim. Nga kronikat e kohës mësojmë edhe rase të tilla: “Banda e Lirisë” bëri një ekskursion në Drenovë ku atdhetarët i pritnë e i gostitnë fort bukur. Me të hyrë banda, djemtë zunë këngën të vjershëtorit Asdren. Në tryezë u ngritnë më shumë kupa shëndet të atdhetarëve. Me të perënduar dielli, banda u kthye në Korçë”. (“Lidhja orthodhokse”, 31 maj 1910). Të njëjtën gjë përpiqeshin të bënin edhe dy shoqëritë “Anagjenisi” dhe “Ta Patria”, por jo rrallë herë mbeteshin të dëshpëruara nga simpatizantët e paktë që kishin pas vetes. (Më poshtë do të shohim dhe aktet e dëshpëruara të tyre).

HIMNI I BANDËS SË LIRISË

Kishte ardhur koha që “Banda e Lirisë” të kishte himnin e vet. “Dituria Shqip” tashmë dëshironte ta kishte një himn që të frymëzonte bashkimin e gjithë shqiptarëve. Si gjithnjë, Orhan bej Pojani ishte i bindur se me këtë bandë do të shkonte shumë larg. Dhe tashmë, kur kanë kaluar më shumë se 100 vjet, shohim se himni i “Bandës së Lirisë” nuk është gjë tjetër veçse ëndrra e madhe e lirisë. Himni nis me vargjet: “Male e fusha ushtojnë sot/, Zëri i atdheut po ndëgjohet/; Dita po nis, ngadalë e zbardhohet/, Ndrit, si qe një mot”. Ndoshta më bukur nuk mund të shkruhej. Përmës vargjeve sheh malet që ushtojnë, shqiptarët që kanë filluar t’u ngjiten për të kërkuar lirinë dhe dita e re që po nis, edhe pse ngadalë, sërish po zbardhet: “Humbur se kemi Shqipërinë/, Ditët e bardha kujtojmë/: Ejani vëllëzër në këtë çast besën, Ne për atdheun ta forcojmë!” Po, shpresat e shqiptarëve po ringjallen, humbur nuk e kanë Shqipërinë. Himni i “Bandës së Lirisë” është një thirrje e madhe, e vërtetë dhe e sinqertë: Ejani Vëllezër! “Besën të lidhim tok me ne/ Djemtë e rrept të Shqipërisë/, Kjo është banda jonë e Lirisë/, Është një yll për atdhe…”. Bukur e thonë vargjet: Kjo është “Banda e Lirisë” që dëshiron besën dhe shqiptarët e rreptë. Dhe po kështu u kumton të gjithëve mesazhin e vërtetë; “Banda e Lirisë” është yll për atdhe”, një yll që duhet ndjekur hap pas hapi drejt rrugës së lirisë. Ndërkaq himni i “Bandës së Lirisë” mbyllet me vargjet: “Këngën nga herë e kemi/, Lidhjen tonë ta shtojmë/, Të tërë vëllezër ne qemë e do të jemi/, Vdesim e nuk ndërrojmë”. Gjithkush kupton se “Banda e Lirisë” është një dashuri e vërtetë mes shqiptarve. Vargjet e këngës u kompozuan nga Profesori italian Paskuale Anibale. Nga kronikat e shtypit të kohës mësojmë gjithashtu se shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, kishin financuar për botimin e tyre. Edhe dalja në treg e tyre ishte pritur më kënaqësi. Në një nga kronikat e gazetës “Korça” mësojmë se, “Klubi i Dhramës, 50grosh, ndërsa shqiptarët e Shibin-el-komit, 18 franga, i dhuruan “Bandës” për të shtypurit e dy marsheve, nga të cilët njëri është marsh i “Kongresit të Elbasanit” dhe tjetri marsh i “Bandës së Lirisë” (Gazeta “Korça”, 22 vjesht’ e II-të 1909). Sigurisht ky nuk ishte rast i vetëm. Ndërsa nga “Lidhja ortodokse” mësojmë një tjetër fakt: “Marshet “Banda e Lirisë” edhe “Kongresi i Elbasanit” bërë prej profesor z. Paskal u shtypnë dhe shiten të dy 6 grosh. Vraponi pa shitur, që të kini të parat marshe shqip për kujtim” (“Lidhja orthodhokse”, 17 maj 1910).

SHËTITJE ME HIMNIN E BANDËS SË LIRISË

Fill pas kompozimit të këtij marshi, instrumentistët e “Bandës së Lirisë” të veshur me rrobat që çuditën gjithë botën dhe me veglat muzikore që farfurinin dhe shkëlqenin si vetëtima, patën rastin të shëtitin nëpër rrugët e qytetit ose të jenë të pranishëm në ngjarje të tjera, duke interpretuar marshin e bandës e marshe të tjera. Sërish, në të gjitha rastet që i dëgjuan, u çuditën që të gjithë: Himni i bandës kishte qenë kaq i bukur dhe kaq rrëqethës sa nuk mund ta shpjegoje dot. Gjithkush i rrethuar nga tingujt e bukur ndiente vetëm kënaqësi. Madje as anëtarët e dy shoqërive muzikore “Anagjenisi” dhe “Ta patria”, të cilët nuk donin ta shihnin me sy “Bandën e Lirisë” nuk mundën të rrinin as në shtëpi dhe as fshehur, por dolën sepse nuk i linte kërshëria për të parë e mësuar se çfarë po ndodhte me “Bandën e Lirisë” dhe a kishte shumë njerëz pas tyre? Dolën dhe panë gjithçka. U ndienë keq dhe u vrerosën nga ajo që panë. Banda vetëtinte dhe njerëzit gëzonin. Rrobat që kishin veshur i bënte të dukeshin sikur të gjithë ishin bij mbretërish. Kjo bandë po ndihmohej edhe financiarisht nga të gjithë. Ikën që andej të pikëlluar. Po kaq të dëshpëruar e ndjenin veten edhe grekomanët. Kënga shqip kishte qenë një sfidë e vërtetë

NË KONGRESIN E DIBRËS

E njëjta gjë do të ndodhte edhe ditët në vijim. “Banda e Lirisë” kishte dalë të përcillte delegatët e Kongresit të Dibrës. Dy shoqëritë e tjera të muzikës (“Anagjenisi” dhe “Ta Patria” nuk i ftonte askush në aktivitete të tilla. Tashmë muzikantët e “Bandës së Lirisë” interpretonin edhe përpara personaliteteve të kohës. Po atë ditë ata panë se si po mblidheshin gjithë delegatët që vinin së largu. Ardhjen e delegatëve e përshkruan edhe gazeta “Lidhja Ortodokse” ku thotë: “Delegatët e Dibrës u pritën shumë mirë prej një shumice shqiptarësh që ishin këta: 8 delegatë të Filatit, 3 të Tepelenës, 3 të Leskovikut, 2 të Janinës dhe 4 të Korçës. Pastaj erdhi delegati i Selanikut z. Abdyl Ypi, i cili shkoj për Kolonjë. Edhe 2 delegatë të Gjirokastrës, që të gjithë shkuan në punë të vet. (“Lidhja orthodhokse” 31 Korrik 1909). Që të gjitha këto u vështruan me kureshtje dhe mllef edhe nga grekomanët. Ndërkaq kemi edhe një kronikë tjetër ku përshkruhet përcjellja e delegatëve: “Delegatë të Korçës për në kongres të Dibrës u xgjodh Hafiz Aliu, Ymer Beu, Llambi Kota dhe Loni Llogori. Si ardhë edhe të Janinës, Leskoviqit, Gjinokastrës, Lurësit edhe Filatit shkuan bashkë për në Dibër”, shkruan gazeta “Lidhja Ortodokse”,31 korrik 1909. Para nisjes, përshëndetën z. Belul Efendi, kryekatundar i qytetit dhe delegati i Leskovikut, z Ymer Beu. Ndërsa më poshtë gazeta në fjalë shkruan: “Z. Sami Pojani në emër të “Bandës së Lirisë” uron udhë të mbarë edhe thotë që “Banda e Lirisë” do të jetë në krye për t’i mburrur shqiptarët kur të shfaqet ndonjë rrezik për mëmëdhenë”. Udhën e mbarë ju uroi edhe Mihal Grameno. (Edhe këto çaste u ndoqën jo pa vëmendje nga grekomanët. “Banda e Lirisë” i përcolli duke kënduar marshet kombiare në mes të bërtimeve të Korçarëve që u uronin udhë të mbarë, shkruan gazeta e përmendur më sipër”. Në të vërtetë kështu ndodhte gjithnjë: Ishte Sami bej Pojani ai që fliste në emër të “Bandës së Lirisë”. Edhe për në Komisionin e Paqes, Sami Pojani u zgjodh nga “Banda e Lirisë”. Edhe këtë fakt e gjejmë të shkruar edhe te gazeta “Lidhja ortodokse” e dt. 3 vjesht e III- të 1909, ku thotë: “Nga ana e Klubit tonë (të shqiptarëve) u zgjodh Belul Efendiu, kryekatundar i qytetit dhe z. Mihal Grameno direktori tonë (i gazetës “Lidhja ortodokse”), nga ana e “Bandës së Lirisë” u zgjodh Z. Pojani direqtor i simotrës tonë (i gazetës “Korça”), edhe z. Pandeli Cale, kryesonjës i “Bandës” (“Lidhja orthodhokse”, 2 vjesht III-të 1909). Për anëtarët e dy shoqërive muzikore dhe grekomanët gjithçka që ndodhi atë ditë ishte një dëshpërim i madh

NË KONGRESIN E ELBASANIT

Të njëjtën ndjesi përjetuan “këngëtarët e greqishtes” edhe kur delegatët u nisën në Kongresin e Elbasanit. Për këtë arsye ata vendosën: nëse delegatët shqiptarë do të priteshin sërish me muzikë, atëherë ata do të dinin si ta nxirrnin dufin e tyre.Veç kësaj, sikur të mos mjaftonte lavdia që “Banda e Lirisë” po merrte nga dita në ditë, kishte kohë që kishin filluar ta thërrisnin “Banda e Shqiptarëve”. Dhe që “Banda e Lirisë” kishte filluar të merrte emrin “Banda e Shqiptarëve” e gjejmë edhe te kjo kronikë e shkurtër ku shkruhet konkretisht kështu: “Kur u ngëthyen delegatët e Korçës që kishin vajtur në Elbasan, zotërinjtë Orhan Pojani, Idhomeno Kosturi, bashkë më delegatin e Selenikut, z. Midhat Frashëri edhe me delegatët e Leskovikut z. Haxhi Teki, u pritën me “Bandën e Shqiptarëve” prej një shumiceje të madhe”. (Gazeta “Korça”, 21 vjesht e I-rë 1909). Pikërisht, këto pritje-përcjellje të tilla, ata nuk i duronin dot më, ndaj do të bënin të pamundurën të mos i lejonin të ndodhnin. Nuk u përleshën me “Bandën e Lirisë” kur delegatët ishin ende aty, por pritën sa ata të largoheshin. Pas kësaj “Banda” do të shkonte në dasmën e një shoku të tyre, ndaj grekomanët preferuan ta shfrytëzonin këtë rast. Çfarë ndodhi mes grekomanëve dhe muzikantëve të “Bandës së Lirisë” e tregon kronika e mëposhtme. Gjithçka ishte një akt i turpshëm.

SULMOHET “BANDA E LIRISË”

“Me gjithë dëshirën që kemi patur për të mos nxirë vëllezërit t’anë nga shkaku i emrit të bukur q’i ka mbetur qytetit t’onë duke pritur nga Perëndija ose vetë vetiu të vinte nërment, sot jemi të shtrënguar të thomi që në Korçë të bukur, në kjo Korçë fjesht Shqiptare është themeluar një klikë ose më mirë një fole prej ndjenjash grekomane me tin megalin idhean! Do t’i linim në prehje me iden e tyre të ndryshkur gjer të shëroheshin, po këta Z-rinj nuku na lenë. Kështu që prej ca kohë, kur panë që gjithë korçarët u ftohnë nga kjo ide edhe të mos besojnë intrigat e propagandat të tyre, që Shqiptarët janë Masonë e të tjera shumë, menduan që më mirë është propaganda edhe metoda e vjetër e kështu gjetnë të udhës që ta venë në praktikë. Atë ditë që u kthyen delegatët nga Kongres’ i Elbasanit, “Banda e Lirisë”- e cila është halë në syt nër grekomanët për përparimn e saj- i priti fort bukur me një shumicë të patreguar nga korçarët, pastaj me qenë dhe një dasmë të një anëtari të Bandës, vanë t’i këndojnë një këngë, po me të vatur në shtëpi të martonjësit, nja 200 a 300 grekomanë me fëmijë, rynë në shtëpi edhe të armatosur me gurë, me çomage, me pushka e me gjashtore goditin për vdekje bandën, duke plagosur me gurë profesor Llambi Bimblin, Stavre Berberë e shumë të tjerë, të cilët edhe sot dergjen në shtrat”.

NUK MBARON ME KAQ

Në këtë ngjarje tragjike kemi kundësinë të mësojmë edhe emrat e muzikantëve. Ja çfarë shkruan gazeta “Lidhja ortodokse” më poshtë: “Gjer sa të vinj policija iknë të gëzuar, po nuk mbetnë të kënaqur me kaq, se të nesërmet në mëngjes, kur djemtë delnin nga shkolla, një zot i quajtur Jani Dardha xbriste që përpjetë edhe u thotë: Akoma nuk u ngoptë që mbrëmë? Djemtë sa t’i kundërshtohen në fjalët e tij, ay nxori gjashtoren edhe plagosi rëndë Ferid bej Frashërin, i cili me gjithë plagën ju sul t’i marë gjashtoren që të mos e vrasë, po në atë kohë kur ndiqnin Janin, të tjerë njerës të fshehur në spiceri të Lakçes, dual dhe zunë të xbrazin armë, po për fat nuk u vra as njeri, përveç 2 lopë. Hyqymeti zuri dhe ka burgosur Fuad dhe Jaup be Dishnica, Kristaq Aristidhë, Ferid Benë, Isufnë, Asllan Starjen, Kostaq S. Kosturë, Bektashnë e tre të tjerë nga ana e shqiptarëve, (deri këtu bëhet fjalë për muzikantët e “Bandës së Lirisë”), edhe nga grekomanët të birë e dr Polenës, Dhori Lepçishtin e Nuçi Hançinë dhe 19 të tjerë, të cilët i lëshuan me garanci. Tani bëhen vërtetime nga an’e hyqymetit për të gjykuar kjo ngjarje që brengosi gjithë botën. Kemi shpresë së gjykatorja do të gjykonjë me të drejtë këtë çështje dhe do të dënonjë fajtorët siç duhet për të mos përsëritur të këtilla zihje në vent t’onë, ku kemi patur gjithnjë qetësi. Hyqymeti mori masa të rrepta dhe kështu zunë djemtë të vinë në Bandë si përpara dhe vashat dhe djemtë të venë nëpër shkollat. Habitemi vetëm me gjykatoren që qysh të lerë Jani Dardhën, nga ky shkak janë mbyllur për mi 20 shpirt (“Lidhja orthodhokse” 2 vjesht e 2-të 1909).(Nga kronika të tjera mësojmë se Jani Dardha u arratis dhe që nga ajo ditë nuk u duk më në Korçë)

PËRPJEKJE PËR BASHKIMIN E KORÇËS

Që të mos ndodhnin më gjëra të tilla dhe bashkmi të ndodhte natyrshëm, edhe qeveritarët e kohës bënë përpjekje për të ofruar ndihmën e tyre: “Të premten që na shkoj, më 18 të këti, u mblodhë në Medrese të gjithë ndënjësit e Kasabasë pas thirrjes nga an’ e Mytesarifit dhe u vëllazëruan. Të nesërmen, më 19, Mytesarifi thirri të gjithë ndënjësit e Korçës, si myslimanë dhe të krishterë shqiptarë, grekomanë dhe vllenj që t’i paqësojë, edhe që të gjithë u mblodhë në “Klub të Osmanllinjve”. Pas shumë këshilla që u dha Mytesarifi u vendos se që sot e tutje populli duhet të harrojë çdo armiqësi midis tij edhe të vëllazërohet, që të mundë të mbretërojë një paqe të plotë…” (Gazeta “Korça”, 15 vjesht e II-të 1909). Kronika të tjera sjellin këto përpjekje: Në mbledhjen që u bë pardje në klubin “Ittihad ve Tereki” u ndodh edhe mitropoliti i Korçës, i cili ishte i pari që trokiti duart, dyke vërtetuar fjalën e Mytesarifit. Në atë mbledhje, si kundër fort bukur u muarr vesh u bë fjalë për vëllazërinë, po kundër gjithë zotimeve, mitropoliti i Korçës, në dëshirën që shfaqi prifti vllah Papallambrua me ca vllenj të tjerë për ta vizituar për emrin e tij, u përgjigj se s’mund t’i qasë në Mitropoli, duke rrëfyer kështu një armiqësi kundër këtyre vëllezërve. I lutemi shoqërisë “Ittihadi anasir” të marrë ato masa që lipsen për këtë punë, që të harrohen ato të parat, të cilat thamë që t’i lemë (Gazeta “Korça” 15 vjesht’ e II-të 1909). Sërish nga mitropolia thyehet zotimi i marrë. Kur gjithë Korça festonte ditën e Lirisë dhe bënin vizita te njëri-tjetri, “Klubi i Shqiptarëve” me Mitropolinë nuk çkëmbyen vizita midis tyre nga shkaku që dhespoti shkojti përpara klubit (të Shqiptarëve) e kur desh të kthenet, nja dy të fëlliqur grekomanë nuk e lanë. Kështu që edhe klubi nuk vajti në Mitropoli” (“Lidhja ortodokse”, 31 korrik 1909). Sigurisht, siç e kemi pohuar edhe më sipër, kleri ortodoks grek në Korçë dëshironte vetëm përçarjen.

ASDRENI ME KËNGËN E BASHKIMIT

Edhe Asdreni do të ndihmonte për bashkimin e shqiptarëve me shpirtin e tij të madh. Ai solli himnin e bashkimit: “Ardhi dita e lirimit/, Ditë e bukur e bashkimit/, Mblidhuni o shqipëtarë/, Qytetarë e katundarë”. Poeti kërkon mirëkuptimin dhe bashkimin e të gjithëve, qytetarë e katundarë: “Këtë ditë të shënuar/, Dhe, prej Zotit të bekuar/, Ne ta lusim, të kërkojmë/, Jetën tonë ta gëzojmë”… Qartë flet poeti: të mos ia vështirësojmë jetën njëri-tjetrit: “Eja gegë sa më parë,/ Qasu, qasu, por si zanë/, Dorën zgjate me dëshirë/, Si një burrë i pavdirë”. E pra, është koha t’i qëndrojmë afër njëri-tjetrit: “Gegë e toskë vëllazën jemi/, Të dy bashkë një emër kemi/, Dhe një fat ndë këtë botë/, Shqyptar jemi; fjala thotë”. Nënteksti është i kuptueshëm: “të dy bashkë një emër kemi”: “Prej një nane jemi bërë/, Musliman e të krishterë/, Më një diell jemi rritun/, Si dy lira pranë ngjitun”. Nuk është nevoja të thuhet asgjë më shumë: si dy lira pranë ngjitun: “Të dy kemi një dëshirë/, Se një sisë kemi pirë/, Një të qeshur, një të qame, E një zemër të pandame”. Edhe për të qarë, na thotë poeti, qajmë njëlloj: “Që Vjos’ e gjer te Drini/, Mos na ndaj dot Shkumbini/, Po si vllazën na të rrojmë/, Dhe Shqypërinë të forcojmë”. Dhe sa lexon këto vargje të mbetet në mendje: “Mos na ndajë dot Shkumbini”: “Se Shqypnia është besa/, Nderi ynë, jeta shpresa/, Besën tonë, pra të mbajmë/, Kur armiqtë mos na çajnë”. Të vërteta fjalët e Asdrenit të madh: Shqypnia është besa, nderi ynë, jeta, shpresa: “Veç si burra pa një droje/, Si në luftë edhe nevojë/, Tërë bota ka me ditun/, se na s’jena për t’u shitun. Rrëqethshëm e shpreh dhimbjen Asdreni: “se na s’jena për t’u shitun”: “Po të fort e të bashkuar/,Kryelart e shpirt ndrituar,/ Të gjithë kemi m’u përpjekun/, Për Shqypninë sot me vdekun. E pra, kishte ardhur ora për të vdekur për Shqipërinë. Poezia e botuar te gazeta “Korça”, 15 vjesht e II-të 1909.

BANDË E GJITHË SHQIPTARËVE

Përpjekjet për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kishin nisur të shtoheshin anë e kënd vendit ndaj edhe “Banda e Lirisë”, tashmë e quajtur “Banda e Shqiptarëve”, duhet të ishte pranë kudo ku kishte shqiptarë dhe t’u përcillte mesazhin e lirisë përmes këngëve të bukura shqipe. Më konkretisht, këtë përpjekje e shohim te pasqyruar te ky artikull:
“Shqiptarët korçarë kurdoherë për shërbime të shenjtëruara kanë hedhur këmbën me të parë dhe gjithnjë kanë nxjerrë në shesh atë veprën q’i sjell dobi dhe mirësi të dashurit atdhe. Këta zotërinj dyke kuptuar që muzika është një nga ato mësime që çdo njeriu i shton dëshirën dhe i zgjon ndjenjat kombiare q’i janë rrënjosur në zemrën e vet dhe dyke pështetur në zgjatjen e dorës ndihmëtare të vëllezërve atdhetarë filluan këtë bandë të së cilës me gaz të madh po i shohim trupin. Shtytjet e anëtarëve dhe e përpjekura e mësonjësit, zotit Paskal, i cili është një italian la në shtrëngim gjithë pjestarët e bandës që në pak kohë të nisin dhe të lozin ato marshet dhe këngat më të bukura që sicilin dëgjonjës e lënë në kënaqje dhe në habitje të madhe. Qëllimi i kësaj bande, sipas kanonizmës së saj, me qenë q’është për të përhapurit e ndjenjave kombiare, pas pak kohe do të vizitonj gjithë Shqipërinë dhe do të vizitonj gjithë ata shqiptarë që dëshirojnë për përparimin e saj. Me qenë kështu, kjo Bandë nuk quhet “Band’ e Korçës”, po pa dyshim mban emrin më të lartër dyke u quajtur “Banda e Shqiptarve”. Prandaj sicili shqiptar që dëshiron mbrothësinë e kësaj muzike, pa dyshim s’kursenet në zgjatjen e dorës ndihmëtare si kushdo të vështronj me synë mëshirëbukur që të jetonjë për jetë” (Gazeta “Korça”, 29 vjesht e II-të 19090)

BANDA E LIRISË DHE TEATRI

Edhe lëvizjet amatore teatrale u bënë më të frekuentueshme fal pjesëmarrjes së “Bandës së Lirisë” në aktivitete të tilla. Mjaft kronika flasin për bashkëpunim mes lëvizjeve amatore dhe shoqërisë muzikore. Ja çfarë shkruhet në një prej kronikave të tilla: “Pas zëdhënies që botuam në Korçën (është fjala për gazetën “Korça”), edhe afisheve që u ngjitnë nëpër muret, të djelën që shkoj, më 13 të këtij, u lojt drama “Besa” prej amatorësh shqiptarë në sallën e “Klubit të Osmanllinjve”. Biletat, të cilat nisnë të përndahen që dy-tri ditë më parë u shitnë pothuaj që të gjitha; pa sikur të ishte salla më e madhe do të ishin shitur edhe më bileta, po komisioni i theatros kishte vendosur që të shesë vetëm aq bileta sa frona nxinte salla që të mos rrinte bota në këmbë. Nisjen e theatros e bëri “Banda e Lirisë”, dyke lojtur ca marshe shumë të bukura. Pastaj u ngrit napa (perdja) dhe nisi pamja e parë, e cila u mbarua me një trokitje duarsh të pareshtur. Gjithë kështu, në mest të një enthuziazmi të pa anët, u nisnë dhe mbaruan edhe pamjet e tjera gjer në e gjashta. Ne mes të këtyre pamjeve “Banda e Lirisë” lozte shumë gjëra të bukura, kështu që habiti të mbledhurit me mbrothësinë që kanë bërë në pak kohë e sipër. Kjo mbrothësi i detyrohet profesorit të “Bandës” z. Paskale…”. Kronika e mësipërme jep edhe vlerësime për dramën dhe aktorët: “Çdo amator, si amator e lojti rol e tij si jo më mirë. Z. Skënder Pojani, i cili e ka lojtur tri herë “Besën” në Stamboll, si edhe të tjerë zotërinj që panë “Besën” në Bukuresht dhe gjetkë të lohet, na siguruan se më bukur se ç’u lojt “Besa” në Korçë, asgjëkundi gjetkë s’u lojt….. (Gazeta “Korça”, 18 dhjetor 1909).

EDHE TEATRI NËN KUJDESIN E “DITURISË SHQIP”

Te kronikat e hershme të gazetës së parë shqip në Shqipëri, pra të gazetës “Korça” të Sami Pojanit, mundëm të gjejmë një fakt mjaft domethënës që hedh dritë mbi lëvizjen teatrore në Korçë dhe iniciatorët e saj. Duket si e pabesueshme, por mbetet tërësisht e vërtetë. Edhe lëvizja teatrore e Korçës, fillesat e saj, janë të lidhura më drejtuesit e klubit “Dituria Shqip”. Më konkretisht, ja çfarë mësojmë nga një kronikë e kësaj gazete. Fill pas vënies në skenë të dramës “Besa”, në Korçë, shoqërisë “Ditura Shqip” i mbërriti një telegram nga Manastiri. Këtë lajm gazeta në fjalë e përcjell kështu: “Një tejshkrim nga “Klubi Shqiptar” i Monastirit për klubin e këtushëm “Dituria” dhe “Bandën e Lirisë” thotë të venë prej këtej amatorët që lojtën “Besën” edhe “Bandën e Lirisë” për të lojtur atje theatron “Besa”. Pleqësia e Klubit dhe e Bandës u mblodhë dhe u vendos të venë”. (Gazeta “Korça”, 31 dhjetor 1909). Pra, kronika e më sipërme na tregon qartë se edhe lëvizja teatrore ka qenë nën kujdesin e “Diturisë Shqip”, të Orhan bej Pojanit, ndryshe s’kishte pse letra të dërgohej në adresë të kësaj shoqërie. Veç kësaj, siç thuhet edhe në kronikë, “Pleqësia e klubit u mblodh dhe u vendos të venë”, tregon më së miri se ishte kjo shoqëri që përgjigjej dhe kujdesej për aktivitetet e saj, por mesa duket edhe për ekzistencën e saj nga ana financiare ( Gjithsesi, për lëvizjen teatrore do të shkruajmë një herë tjetër).

NJË LAJM I BUKUR NGA BUKURESHTI

Ashtu si Korça, tashmë edhe Bukuresht do të kishte një shoqëri muzikore. Edhe ata do të bënin të gjitha përpjekjet që të kishin një grup muzikor po kaq të suksesshëm sa ai i Korçës. Lajmi do të publikohej nga gazeta “Lidhja ortodokse: “Mësojmë me gëzim të madh, shkruan gazeta në fjalë, që të rinjtë atdhetarë të Bukureshtit filluan një qark muzikal ku janë shkrojtur edhe zunë mësimet nën kujdesi të një të madhi profesor nga konservatori i Bukureshtit. Përgëzojmë nga zemra atdhetarët t’onë, të cilët s’lënë as një përthurje (rast) për të treguar atdhetarinë e tyre (“Lidhja orthodhokse”, 27 janar 1910)

SHOQËRIA “ANAGJENISI” NË EKSKURSION

Ditët kalonin, por dy shoqëritë muzikore “Anagjenisi” dhe “Ta Patria” kalonin gjithnjë e më shumë momente dëshpërimi. Ndoshta ishte kjo arsyeja që kudo shkonin e shfaqeshin, tregonin gjithnjë anën e dhunshme të tyre. Dukej sikur kërkonin të hynin me dhunë mes njerëzve. Ashtu sikurse u përplasën me “Bandën e Lirisë”, në të njëjtën mënyrë u soll edhe shoqëria “Anagjenisi” ose “Përlindja”, gjatë një ekskursioni të saj në “Shën Naum”, madje duket sikur gjithë përpjekjet e tyre kishin si synim t’i hiqnin Korçës emrin e madh që kishte fituar në saj të parisë së këtij qyteti. Për më tepër po citojmë kronikën e gazetës “Lidhja orthodhokse”, 11 qershor 1910: “Silogu grekoman “Përlindja” bëri një ekskursion në “Shent Naum”, po në vend të vinin mënt u dualë fare me poshtërsitë e tyre!… nga një shkollë që lindin mace domosdo minj do të hanë. Raporti i z. Dr dhe gjyqi do të dëftejnë zagarllëqet që ngjajtën në Manastir të “Shent Naumit”… Po bukuroshët nuk kishin të paktën turp që të hynin natën në qytet, po ditën duke kënduar marshe sikur ktheheshin nga ndonjë luftë! Iper pistos qe patridhes!
Si të mbarohet gjyqi do të shkruajmë gjer e gjatë poshtërsitë që ngjanë gjer më sot, vetëm dy veta janë burgosur se të tjerët janë fshehur!” Të gjitha këto tregonin se ata ishin ana e shëmtuar e Korçës.

VDES SAMI POJANI

Duket qartë se me Sami bej Pojanin “Banda e Lirisë” kishte patur gjithnjë një lidhje të fortë. Një prej kronikave të gazetës “Koha” e tregon më së miri këtë këtë gjë: “Pleqësia e “Bandës” me t’u lajmëruar për vdekjen të Sami bej Pojanit, vendosi që “Banda” të mbanjë zi një javë, me qenë që Samiu ishte një nga themelonjësit edhe këshillonjës i vjetër”. (Gazeta “Koha”, 24 shkurtit 1911). Në emër të “Bandës së Lirisë”, Sami bej Pojani kishte marrë pjesë në Komisionin e Paqes (Lidhja orthodhokse e hënë 2 vjesht e III-të 1909). Jo vetëm kaq, vëllezërit Pojani, pas mbylljes së gazetës, shtypshkronjën “Korça” ia dhuruan “Bandës së Lirisë”. Gazeta “Koha” në lidhje me këtë lajm, shkruante: “Të shtrenjtët e të palodhurit atdhetarë Z. Z Mahmud (drejtor i shtypshkronjës) e Sami be Pojani, direktor i (gazetës) “Korçës”, pjesët e tyre ja dhuruan “Bandës së Lirisë”, vepra e këtyreve atdhetarë nuk ka nevojë lëvdimi. Zoti ju faltë gjithë mirësitë dhe i shëmbëllefshin e të tjerë atdhetarë. Shprehim që këtë shembëll ta gjyrmonjë edhe pjestari tjetër z, Lytfi be Zavalani (kryeshkronjësi i gazetës “Korça”), që kështu t’mbetet e gjitha shtypshkronja “Bandës Lirisë”. (Gazeta “Koha”, 1 shkurt 1911). Gjithsesi me këtë rast duhet thënë se shtypshkronja ishte nga më të mirat për atë kohë, gjë që duket edhe nga ky njoftim: “Shtypshkronja e Korçës u pasurua me çdo lloj shkronja. Që sot pra, marrim përsipër të bëjmë çdo porosi që na jepet me çdo gjuhë që të jetë shkrojtur. Shtypim zëdhënie, kart-vizita, pliko dhe kartë tregtije me çdo firmë, polka fletë shqip dhe të përkohshme, libra, ftesa për dasmë dhe çdo gjë tjetër që të na jepet. Provoni të gjithë shkronjat tona të rejat. Punojmë me çmime të njerëzijta. Në qoftëse e provoni njëherë punën tonë, jemi të siguruar se do të na nderoni për hera me porositë të z-suej”.(Gazeta “Korça”, 22 Vjesht’ e II-të 1909). Në vitin 2008, bashkia e Korçës e nderoi emrin e Sami bej Pojanit me dhënien e medaljes “Emblema e Artë”.

SKENË PËR BANDËN E LIRISË

Megjithatë jeta e “Bandës së Lirisë” do të vijonte. Tashmë shoqëri të tjera muzikore po ngriheshin atje ku kishte shqiptarë, por “Banda e Lirisë” sigurisht që kishte ecur mjaft. Së fundi ishte ndierë nevoja që kjo “Bandë” të kishte një skenë të vërtetë ku të interpretonte denjësisht përpara popullit të Korçës. Gazeta “Koha” na informon mbi këtë lajm: “Përgëzojmë nga zemra z.z. Paskal Anibale, profesor i muzikës, Stavri Taçin edhe të rinjtë anëtarë të bandës, të cilët muarr inisiativë kaq të pëlqyer sa edhe të nevojshme. Mblodhë ndihma në Korçë edhe ngritnë senë (skenë) teatrale të madhe në kopësht të bandës ku në verë të lozin më shumë pjesa teatrale. Po me që ndihmat e Korçës nuk u përgjigjën gjithë nevojave për të bërë një senë siç duhet, shprehim që atdhetarët të mërgimit dhe të brendshmit do të vrapojnë me ndihmat e tyre. (Gazeta “Koha” 17 mars 1911). Veç kësaj, fal profesorit Anibale banda pati fatin të shkojë edhe në Misir. Është përsëri “Koha” që na informon: “Me gëzim të veçantë mësuam që në Zagazik, Misir, tani dy javë, bandë e qytetit këndojti në kopësht të Katundarisë së atjeshme marshet shqip “Kongresi i Elbasanit” edhe “Banda e Lirisë”, kompozuar prej z. Profesor Paskale Anibale. Gjindja i ngriti me një entuziazmë kaq të madh sa duke përpjekur duart nuk deshën përveç këto dy marshe të këndohen. Përgëzojmë z. prof. Paskale Anibale për nder që i bëri kombit t’ënë duke përhapur muzikën në vend të huaj”. (Gazeta “Koha”, 23 qershor 1911)

KORÇA, PARISI I VOGËL

Së fundi edhe profesorit italian iu desh të largohej. Gazeta “Koha” shkruan: “Nga shakaku i luftës Tyrko-Italiane z. Paskal Anibale, profesor i “Bandës së Lirisë” shkojti në Misir dyke lënë një kujtim të paharruar në këto tre vjet që ndenji në Korçë. Një shumicë e madhe e përcolli gjer jashtë Korçës dyke i uruar udhë të mbarë. (Gazeta “Koha”, 4 shënëndre 1911).
Pas kësaj do të vinin edhe ditë më të këqija. Në dhjetor të vitit 1912 grekët do të hynin në Korçë për të plaçkitur pazarin e për të djegur Kasabanë, e cila s’ishte gjë tjetër veçse Korça e krijuar me aq mund nga njerëzit e saj. Madje “Banda e Lirisë” ishte ajo që i dha Korçës emrin “Paris i Vogël”. Ndokujt mund t’i duket e pabesueshme që Korça të jetë quajtur kështu që nga dita e themelimit të “Bandës së Lirisë”, pasi këtë emërtim shumëkush e lidh me ardhjen e francezëve, gjithsesi për mosbesuesit po sjellim disa rreshta nga një kronikë, ku shkruhet: “ Ky qytet- të cilin shumë të huaj evropianë, që kanë shëtitur në Shqipëri e kanë quajtur “Paris të Vogël…” ( Gazeta “Korça”, 17 gusht 1909), gjë që do të thotë se kështu kishte filluar të quhej që kohë më parë. Ishte “Banda e Lirisë” ajo që e kishte lartësuar edhe më tej emrin e Korçës

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...