Home / BOTIME / ASAMBLEJA E SINICËS Ishte muaji janar 1971
loading...
Kadri Kadi
Kadri Kadi

ASAMBLEJA E SINICËS Ishte muaji janar 1971

ASAMBLEJA E SINICËS Ishte muaji janar 1971.

Në Komitetin Ekzekutiv të K.P.të Rrethit Korçë kishte ardhur një letër e firmosur nga shtatë kooperativistë të Sinicës në Devoll, të cilët ankoheshin se nuk u ishin paguar lekët për viçat e mushqerat që ata ia kishin shitur Kooperativës qysh në vitin 1966.

Problemi ishte i tillë: Në vitin 1966, një Plenum i Komitetit Qëndror kishte përcaktuar një sërë detyrash dhe masa për shtimin e blegtorisë. Një nga këto detyra ishte që Kooperativat të shtojnë tufat e tyre duke blerë viça dhe mushqera nga anëtarët e Kooperativës dhe lekët të shlyeshin gradualisht për një periudhë 4-5 vjeçare. Kjo direktivë e Partisë u shndrrua, siç bëhej atëhere, në një “inisiativë të madhe” të fshatarësisë kooperativiste kështu që edhe në Sinicë u dorëzuan rreth 60 viça e mushqera, të cilat u vlerësuan nga një Komision dhe u futën në stallat e Kooperativës.

Gjatë periudhës 1966-1969 Kooperativa kishte mundur që të likujdonte vlerën e viçave e mushqerave për pesëdhjetetre familje dhe në fund të vitit 1970 duhej të shlyente edhe shtatë familjet e tjera.
Mirëpo atë vit Kooperativa nuk kishte dalë me rezultate aq të mira. U mblodh Kryesia e Kooperativës dhe vrau mendjen se ç’duhej bërë në mënyrë që në Mbledhjen e Përgjithshme të Kooperativës, apo Asamble siç i thoshin rëndom, të raportonin se të paktën anëtarët do të shpërbleheshin me njëqind lekë për ditëpune.

Shefit të Llogarisë i a vunë këmbët në një këpucë që ta mprihte lapsin mirë dhe të kursente nga të mundte e sa të mundte shpenzimet, të arkëtonte vlerat e debitorëve e borxhlinjve të Kooperativës, të vjetër e të rinj, nga ishin e nga s’ishin dhe të bënte çmos që të zhvaste sa më shumë, ku të gjente e sa të gjente. Njëri nga anëtarët e Kryesisë, ai më mendjelliu, propozoi që në këtë kuadër të ndërmerrnin edhe një inisiativë të re revolucionare.

Urdhëro, i tha Kryetari, ç’far na propozon:

Unë, tha mendjelliu, propozoj që viçat që kemi dorëzuar në vitin 1966 dhe që nuk janë likujduar akoma, t’ia falim Kooperativës.
Po ti zotrote që na shpall këtë inisiativë s’ke patur kurrë lopë në shtëpi dhe s’ke dorëzuar as viç e as mushqerë, ja priti një anëtar tjetër i Kryesisë.
Dale mo dale se ky është propozim me vlerë, tha Kryetari, ta hedhim në votë. Me shumicë votash ky propozim u kthye në vendim dhe do të shtrohej edhe në Asamble, që të merrte vulën përfundimtare.

Në Asamble, për t’i dhënë rëndësinë dhe kuptimin e vërtetë revolucionar që kishte kjo inisiativë, propozimin e bëri Kryetari, dora vetë.
Pas diskutimesh të zjarrta pro e kundër, ramba e tamba, Kryetari e hodhi në votë. Pra shokë e shoqe kooperativistë, tha Kryetari, kush është dakord që t’i falim viçat e mushqerat, të ngrerë dorën. Ngritën duart nja dyqind e ca veta, të gjithë ata që s’kishin dorëzuar gjë dhe ata që kishin dorëzuar por që i kishin marrë paret me kohë.

Vazhdojmë votimin, tha Kryetari, kush është kundra?

Një, dy, tre….shtatë.

Pra vetëm shtatë veta janë kundra, tha Kryetari; miratohet. Tani shokë e shoqe kalojmë në pikën tjetër të rendit të ditës….

E kështu që këta shtatë anëtarë, që mbetën në minorancë, mirë që kishin humbur viçat e mushqerat por tani po humbnin dhe paratë dhe nga pronarë u shndrruan në ish pronarë.

Dolën nga salla e mbledhjes, e bojkotuan Asamblenë dhe ashtu si ishin, të inatosur, u ulën diku e shkruan gjatë e gjërë një letër drejtuar Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të K.P, të Rrethit Korçë. Kjo letër, e shkruar me nxitim në ca fletë prej fletoreje nxënësish, me katrore, kishte nja dy javë që shëtiste nëpër zyrat e Komitetit por si zor që ta kishte lexuar njeri gjer në fund, deri sa ajo erdhi në dorën e atij që do të shkonte në Sinicë për ta verifikuar.
Dhe këtë “fat” e pata unë, si Inspektor i Kooperativave që isha.
E mora letrën, e lexova një herë, dy herë…
Në bri të secilës faqe të letrës kishte shënime:
Shënimin e parë e kishte bërë Kryetari i Komitetit, ku thuhej:
“Për kompetencë Zv/kryetarit për Bujqësinë”. Shënimi i Zv/kryetarit thoshte: “Për zbatim e ndjekje Seksionit të Bujqësisë”.
Shënimi i Shefit të Bujqësisë thoshte:
“Zyrës së Inspektorëve për verifikim e zgjidhje të ankesës”.
Shënimi i Përgjegjësit të Zyrës ishte:
“ Sh. Kadri, të shkosh në Sinicë brenda javës”.

Duke gjykuar nga diferenca e datave të shënimeve midis Shefit të Bujqësisë dhe Përgjegjësit tim të Zyrës, Mules, kuptova se ky i fundit e kishte mbajtur nja një javë në sirtar këtë letër dhe kjo punë kishte pasur një hile:

Rakija e kumbullës e Sinicës ishte me nam dhe Mulja kish patur qejf të shkonte vetë aty. Mirpo kish ndërruar mendje pasi ato ditë ra një borë e madhe dhe ishin bllokuar rrugët për makinat. E kisha shok të mirë Mulen dhe s’mund t’ja fshihja këtë dyshim, ja thashë.
E pranovi; e mo Kadri, më tha me të qeshur, sa vë re dhe ti, po kë të dërgoj mo Aliun që është burrë i vjetër?
Ti je i ri dhe e çan dëborën, pastaj je dhe nga Devolli dhe ua di gjuhën atyre Sinicarëve.

U përgatita për t’u nisur por s’qe e thënë të shkonja në Sinicë. Shefi i Bujqësisë urdhëroi që të njoftonim të gjithë kryetarët e kooperativave se pas dy ditësh do të zhvillohej një mbledhje e rëndësishme në Komitet. E shfrytëzova këtë rast për ta biseduar problemin me Kryetarin e Sinicës.
E takova atë para se të fillonte mbledhja dhe i thashë që, në fund të mbledhjes, të lutem të vish pak në Zyrën time pasi do të diskutojmë për një problem. Më shikoi pak me habi. Ndofta s’i erdhi mirë që “një copë inspektori” e thërriste atë në Zyrë.

Nejse, mbaroi mbledhja dhe Kryetari më erdhi në Zyrë. E përshëndeta dhe e pyeta se si i kishin punët në Kooperativë. Pastaj e futa konkretisht në temë duke i a paraqitur ankesën e kooperativistëve të tij. Ama për këtë punë më paske thirrur mo, po lere mo atë punë, ajo ka marrë fund, e ka vendosur Asambleja, që është organi më i lartë i Kooperativës, s’ka Zot që ta luajë atë vendim. Po pate ndonjë problem tjetër ma thuaj, në mos po të iki unë se është vakti i drekës dhe pas orës dy lëngjrat mbeten në restorantet e Korçës. Dhe u bë gati të dalë. Prit o shoku Kryetar prit, i thashë, se kjo punë nuk mbaron kështu.

E ç’farë do të bësh, më tha.

Do të vij në Sinicë, do të mbledh Asamblenë dhe do ta sqaroj se ai vendim është absurd dhe s’ka asnjë mbështetje ligjore.
Do t’ua shpjegoj se inisiativa të tilla merren vullnetarisht dhe jo me vendime të imponuara. Ose për ndryshe do t’ua bëj të qartë anëtarëve se po të zbatohet ky vendim, do të zbatohet për të gjithë anëtarësinë e Kooperativës, pa përjashtim.
E ç’do të thotë kjo? Pyeti Kryetari.
Po ta them më shkoqur atëhere:

Kjo do të thotë, që ky vendim Asambleje, po të zbatohet, do të ndahet në tre pika, të cilat do të jenë:

1.Anëtarët që nuk janë shlyer deri më sot për viçat që kanë dorëzuar nuk do të paguhen.
2.Anëtarët që janë shlyer për viçat e dorzuar do të kthejnë paret në arkën e Kooperativës.
3.Anëtarët që s’kanë dorzuar viça, të blejnë në pazarin e bagëtive nga një viç dhe t’ia falin Kooperativës.

Ç’na the more, tha kryetari, po kështu si thua ti nuk do të votonte asnjë anëtar. Po le që kot e zgjatim këtë muhabet se Asamblenë, në fund të fundit, e mbledh unë që jam Kryetari e jo ti.
E pashë që nuk po hante pykë fare me mua.

Hajde shkojmë pak e bisedojmë edhe me Shefin e Bujqësisë, i thashë, duke e ditur se shef Golja do t’ia priste drutë shkurt, si i do mushka, se për drejtësi ai s’falte as babanë.

Hyra vetë më parë tek shefi dhe e informova shkurt për bisedën. Sillma këtu, tha shefi.
Ore ti…,i foli më emër Kryetarit pasi e kishte dhe mik të vjetër, ç’janë këto budallallëqe që bëni?
Po..jo shoku Gole, unë…ka marrë vendim Asambleja…
Jo more, të dhj…asamblenë tënde, po pse nuk e hodhe në votë që t’ua merrnit edhe gratë këtyre shtatë fakirëve që ua keni marrë viçat?
Ik tani dhe që nesër t’ua japësh paratë, more vesh apo jo.
Ti Kadri, m’u drejtua mua shefi, shko në Zyrë, shkruaj përgjigjen e ankesës dhe sille ta firmos unë.
Do t’u thuash se ankesa juaj është e drejtë, Kryetari i Kooperativës ka marrë urdhër t’ju japë paratë. Bëri për të dalë Kryetari i shkretë por sa e hapi derën, e mbylli përsëri dhe ju drejtua shefit:
Shoku shef, më jep një shënim për atë Pandushin, Drejtorin e Bankës Bujqësore, që të tërheq ca lekë se unë e kam bosh arkën e Kooperativës, me se t’i paguaj ato viçat…
Ikë tani, ikë se s’do të t’i lidh unë brekët ty, rregulloje vetë me Pandushin, tha shefi. Hajt mirë u pafshim, na tha të dyve.
Dolëm nga Zyra e shefit me mendtë e shefit, unë drejt Zyrës time, Kryetari i Sinicës drejt Bankës Bujqësor..

Kadri Kadiu

loading...

Komento!

loading...