Home / KULTURA / Artisti që mahniti me këngën e vallen e tij Beogradin e Moskën
loading...

Artisti që mahniti me këngën e vallen e tij Beogradin e Moskën

Artisti që mahniti me këngën e vallen e tij Beogradin e Moskën

Me artistin popullor devolli Nevruz Kondi

Vitin e kaluar, në linjën ajrore Tiranë – Moskë, një zonjë e vërtetë nga Devolli mbase ishte udhëtarja më e pazakonshme e asaj linje. Nuk u përkiste biznesmenëve që janë shtuar shumë kohët e fundit në kontaktet me Rusinë. As ndonjë studenteje që ka zgjedhur këtë vend për të vazhduar shkollën e lartë. As ndonjë pacienteje për okulistët. As ndonjë artisteje që mund të ketë siguruar një Projekt të përbashkët me institucionet kulturore të këtij vendi. As ndonjë turisteje që po kërkonte të shihte Netët e Bardha petërburgase për t’ua treguar pastaj si një magji të vërtetë miqve të tjerë shqiptarë.

Jo, Roza Kondi vinte këtu 50 vjet më vonë, sepse, pikërisht në sallat plot dritë dhe në udhët e zhurmshme moskovite, babai i saj, Novruz Kondi, mes 150 artistëve që përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin e Gjashtë Botëror të Rinisë do të hiqte me aq mjeshtëri vallen magjike të Devollit dhe do të këndonte po me aq nivel të lartë artistik këngën e kësaj krahine.
Ishte muaji korrik-gusht i vitit 1957. Vetëm pak muaj më parë, ai ishte shpallur edhe Laureat i Festivalit Folklorik Kombëtar në Tiranë me këtë valle dhe me këngën aq të njohur “Vallë a vjen behari kurrë?”. Një këngë që rritet me dashurinë për këngën devollite shumë breza njerëzish të thjeshtë të kësaj krahine.
… Roza ecte paksa e menduar dhe kujtonte tërë ato ngjarje që i kishte treguar babai që tani nuk jeton më. Kujtonte babanë e saj të dashur që e nderonin dhe respektonin me një nder të veçantë. Atë njeri të veçantë që, më tepër se me arat e begata të Devollit ku mbillej shumë grurë, misër dhe ku kishte shumë mollë, e kishte lidhur jetën me artin e këngës e të valles. Madje, kështu e njihnin të gjithë. Shumë njerëz të thjeshtë, ish-moshatarë të tij, ish-veteranë të punës dhe të luftës, por edhe artistë të krahinës dhe kombit në të gjallë, por edhe tani pas ndarjes prej tre dekadash nga jeta flasin për të me respekt. Roza na tregon se kur i binte rasti të shëtiste më babanë e saj në udhët e Tiranës a në Korçë, me dhjetëra njerëz e përshëndesnin dhe ajo, e emocionuar e pyeste për emrat e tyre. Nevruzi shumë nuk i njihte. Ishin mijëra që e respektonin për këtë dashuri dhe kontribut të madh ai kishte dhënë të paktën që prej mbi 35 vitesh. Për folklorin popullor dhe që nuk iu fashit deri në momentet e fundit të jetës.
Kjo intelektuale nga Vranishti murmurinte nën zë tingujt magjikë të këngës-emblemë të shpirtit devolli që u këndua atje larg për një behar që po vonohej paksa në lëndinat e botëruara të Vranishtit, Bitinckës, Menkulasit e të Poloskës, në Përroin e Vërsidollit apo në Luginat e Bilbilave të Devollit. Por që pritej me padurim nga të gjithë. Vallë, a vjen behari kurrë/ të marrësh stomnat të shkosh për ujë/të piqesh me shoqet në udhë/ të puthesh buzë më buzë? Ç’të ishte kjo këngë? Elegji për një dimër që të dimëron shpirtin? Një lirikë për pranverën që po vinte vrullshëm? Një filiz i ri dashurie? Një miqësi që nuk e than asnjë dimër? Kjo këngë i kishte dhe i ka të gjitha. Të gjitha.
Roza kujtonte detajet e valles fluturuese devollite që drejtohej nga një korife i madh si Nevruz Kondi Vranishti. Në krah të tij ishin Adil Eçemiku, Ali Kondi, Shefki Kordalli Qerim Reçi dhe Hajdar Muzikanti. Ai e niste ngadalë vallen duke luajtur këmbën sikur po e përkëdhelte. E shtrinte pak po kaq ngadalë. E më tej, pak nga pak vallja e Nevruzit dallgëzohej, detëzohej, merrte ajër. Kërkonte qiell të fluturonte. Kërkonte kaltërsi, pa pyetur për retë dhe bubullimat që kërkonin ta thyenin. Kërkonte të puthte zogjtë, pëllumbat e të bënte garë me ta. I dyti, që shpesh ishte vëllai i tij, Ali Kondi, sot Artist i Merituar, autor i disa librave dhe i 1000 këngëve të kënduara e të krijuara nga ai, e mbante fort në atë dallgëzim që merrte vallja e çuditshme e Devollit.
Në bisedat me njerëz të thjeshtë dhe me artistë të vendeve të tjera devollinjtë iu tregonin edhe zakonin e bukur që kishin valltarët e brezave të kaluar të krahinës së Devollit, të mbushur me mollë, që, kur hidheshin në lartësinë e valles, kërkonin të preknin edhe një tavan me tre metra lartësi.
Të gjithë moskovitët dhe pjesëmarrësit e 132 vendeve të botës u mahnitën me këtë valle të jashtëzakonshme që ata e merrnin aty, në sheshet e Moskës, nën sytë kureshtarë të mijëra shikuesve nga e gjithë bota. Kjo ndodhte në Parkun “Gorki”, në prani të mbi 100 000 shikuesve. Që vetëm duartrokisnin, e duartrokisnin pambarimisht. Vetë Roza tregon se pas atij suksesi të jashtëzakonshëm, me qindra djem e vajza ruse kërkonin qoftë edhe një fotografi kujtim nga ky grup i mrekullueshëm valltarësh e këngëtarësh. Çuditeshin me palat e panumëruara të fustanellave. Me xhufkat e opingave të tyre të bukura. Me brezat e gjerë. Me kostumet e grave. Me ditë të tëra ata u bënë personazhet e ditës në faqet e shtypit, në bisedat e njerëzve të thjeshtë e të kritikëve të artit botëror. Shumë prej këtyre fotografive ajo i ruan me shumë mall në arkivin e familjes së saj, si kujtimet më të bukura. Ish studenti shqiptar i atyre viteve në ish Bashkimin Sovjetik, Ismail Pinci nga Stropani, dëgjonte vlerësimet e shikuesve rusë që thoshin me zë të lartë për këtë grup: “Valle shqiptare, valle e zjarrtë serioze, valle burrërore dhe kostum i bukur”.
Rozës i vjen paksa keq që nuk mund ta rizgjojë vetë zërin e tij të mrekullueshëm, por është krenare se ka marrë prej tij ndershmërinë, dashurinë për punën dhe karakterin këmbëngulës për punën që bën. Po Roberti, vëllai i saj e dërgon më larg stafetën e këngës devollite të babait të tij në shumë festivale e takime të ndryshme artistike.
Po me kaq madhështi Nevruzi dhe grupi i këngës dhe valles së Devollit ku ishin edhe Adili, Safeti, Gurije Meka, Lutfi Cane, Krista Bilishti dhe Hysen Agolli për 60 ditë me radhë dhanë shfaqje të shkëlqyera në të gjithë skenat e Republikës së Jugosllavisë 10 vjet më parë, në shtator-tetor 1947, të bashkangjitur me Ansamblin Shtetëror të Këngës dhe Valles Popullore.
Beogradi, Shkupi sapo kishin dalë nga lufta, por duket se kënga e vallja e Devollit në zërat, këmbkat e doçkat e këtyre virtuozëve të pashoq, ku zinte një vend nderi vetë Novruz Kondi, ishte “ambasadorja” më e mirë e shpirtit të paepur artistik të popullit shqiptar. Në Manastir na u gjend një familje me origjinë nga Devolli që i mbajti artistët për darkë dhe bëri që gjitha lagjja të mos flinte tërë natën nga këngët e vallet e artistëve shqiptarë. Këto suksese të jashtëzakonshme që ai dhe shokët e tjerë patën në ato vite bënë që t’i afronin një vend në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore që sapo ishte krijuar. Ai nuk pranoi dhe kërkoi që të jetonte dhe punonte në vendlindjen e tij. Madje edhe kur e caktuan në një punë gati të rëndomtë në Tiranë, ai sërish nuk pranoi. Të gjithë vranishotët ia kishin vënë emrin “Gaçe” në shenjë respekti dhe mirënjohjeje.
Partizani i dikurshëm 20-vjeçar, Novruz Kondi, vetëm para pak vitesh kishte lënë sakrificat e luftës, armët dhe burgjet fashiste ku iu desh që të provonte dhimbjen e humbjes së shokëve të idealit Kiço Greço dhe Midhi Kostanin që vdiqën nga plumbat e torturat e fashistëve.
Tradita e shkëlqyer e fisit të Kondëve dhe e mbarë krahinës për të ruajtur të gjallë e të paprekur këngën e vallen devollite, e kishin mëkuar atë me një pasion të ri. Një zë i mrekullueshëm e i papërsëritshëm bëri që ai që në moshë të re të tundte odat e krahinës. Ishte krushku i parë që zgjidhej gati në të gjithë dasmat e Devollit e më gjerë se kishte një zë të mrekullueshëm për të kënduar. Më vonë skenat e Shqipërisë e të Evropës u bënë shtëpia e tij e dytë. Sa herë që miqtë e largët, të mërguar nga Vranishti për në Tiranë apo për në qytete e shtete të tjera, vijnë në Vranisht kanë mundësi që të çmallen me shtëpinë e këtij mjeshtri të vërtetë që akoma pret vizitorë. Si të qe një Muze Kënge dhe Valleje që do ta kishin zili njerëz dhe shtete.
Emra të tillë si Zufer Kondi i parë, si Halit Kondi, si Banush Kondi (xhaxhai i tij) që shkojnë deri në kufirin e 200 viteve e të 8 brezave, vinin në bisedat e përditshme dhe ia bënin edhe më të dashur dhe më të bukur artin e interpretimit të këngës. E kënga e Devollit kishte marrë dhenë që më parë. Që kur dolën disqet e parë të regjistrimit të këngëve, një ekip i Shoqërisë Diskografike Gjermane “ODEON” më 1925 vjen në Shqipëri. Veç këngëtarëve më të shquar shqiptarë si Hafize e Selim Leskovikun, Tefta Tashko Koçon, Fiston e Pendavinjit dhe Raifin e Bulgarecit, gjermanët incizuan edhe zërin e mrekullueshëm të Banush Kondit, xhaxhait të Nevruz Kondit dhe e vlerësuan shumë. Disa nga këto disqe ruhen akoma në arkivin e fisit aq artdashës të Kondëve. Më 1970, Instituti i Folklorit të Tiranë i bën një ftesë zyrtare grupit të këngëve dhe valleve të Vranishtit për të incizuar për një javë rresht mbi 40 këngë folklorike, vaje, ninulla, dhe valle të këtij fshati e të mbarë krahinës së Devollit. Një gjë e tillë u bë edhe në vitet 1974 dhe 1977 ku krahas 110 këngëve u incizuan edhe shumë valle. Vetëm Radio Korça ka të incizuara nga ky grup ku Nevruzi ka qenë një korife i vërtetë, rreth 250 këngë e valle
Në radhën e parë të burrave ishin vëllezërit Nevruz dhe Ali Kondi. Specialisti i folklorit shqiptar Nexhat Agolli në shumë shkrime dhe studime të tij e ka vlerësuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm që ata kanë dhënë.
Në Institutin e Folklorit ruhen me dhjetëra e dhjetra këngë e valle të incizuara me zërin e mjeshtërinë e tij të të kërcyerit. Janë rreth 250 valle e këngë që janë ruajtur në repertorin e Nevruz Kondit. Me që është fjala tek kjo trashëgimi mendoj se duhet punuar me dashamirësi, por edhe më një vizion të qartë për publikimin e këngëve dhe valleve të regjistruara në rreth 50 vjet. Si do t’i dëgjojnë e t’i shikojnë pasardhësit këto vlera? Si mund të kërkojmë përtëritjen e vlerave folklorike kur ato mbeten në sirtarët e raftet e një institucioni? Kështu po ndodh edhe me vlerat e krijuara për këtë trevë.
Në udhën e kthimit për në Shqipëri Roza Kondi tek shihte qiejt e mbushur me re, do të përlotej pak nga këto kujtime që mori atje. Do t’i tregonte të gjithëve për mbresat e saj moskovite, për udhët, për sallat që kishte parë. Nevruz Kondi, ky zbulim i vërtetë i artit shqiptar që kishte mahnitur Beogradin, Moskën para më shumë se 50 viteve jetonte dhe jeton i gjallë në kujtimet që ende rrinë zgjuar në kujtesën e saj, të vëllait të tij, Aliut, që përlotet sa herë kujton emrin e tij dhe të gjithë devollinjve.
Është pjesa më e vogël e “borxhit” të atij kontributi që ai dhe shumë të tjerë kanë dhënë për artin tonë popullor edhe kur në sofrat e shqiptarëve ka pasur pak bukë, pak libra, por shumë, shumë më tepër shqiptarizëm që gëlonte në dejet e artit popullor. Dikur dhe sot.

Namik Selmani

loading...

Komento!

loading...