Home / BOTIME / ANEJA JONË
loading...
"Djemtë e xha Safetit"
"Djemtë e xha Safetit"

ANEJA JONË

ANEJA JONË

(Intervistë e rregjistruar më 10 Janar 2004 në Provo Utah, USA).

Vajza ime, Vjollca Kadi Martinson, në këtë kohë jetonte në qytetin Provo dhe ishte pedagoge e Psikologjisë në Universitetin Brigham Utah. Kishte mbrojtur Masterin dhe ishte duke shkruar temën e Doktoratës. Si pjesë të temës kishte dhe traditën e psikologjinë e familjes shqiptare. Unë, sëbashku me bashkëshorten, sapo kishim shkuar në Amerikë dhe qysh ditën e parë që i vajtëm në shtëpi ajo kërkoi që të na merrte në intervistë për t’i treguar sa më shumë gjëra nga jeta në Shqipëri pasi kjo gjë do ta ndihmonte në përgatitjen e temës. Pyetjet i kishte përgatitur kështu që ndezi magnetofonin dhe filloi rregjistrimin.
Babi; do të më flasësh për biografinë familjare, për vete, prindërit, motrat, vëllezërit e të afërmit, për martesën tuaj etj.
Po mirë moj çupë, shumë gjëra të jetës tonë ti edhe i di, por me që po i kërkon, unë po të tregoj ca gjëra dhe pastaj përdori vetëm ato që të vlejnë.

Unë kam lindur më 8 dhjetor të vitit 1941 në fshatin Mançurisht të Devollit. Babai im ishte Safet Kadiu, nëna ime ishte Edibeja.
Safeti ka lindur në vitin 1913. Është i biri i Feimit dhe i Eminesë. Feimi, pra gjyshi im, ka vdekur shumë herët duke lënë dy fëmijë fare të vegjël, Safetin dhe Fatimen , dmth babain tim dhe hallon time. Mbas vdekjes së të shoqit, Emineja, pra gjyshja ime, u detyrua që t’i rritë vetë të dy jetimët. Gjyshja ime, ka qënë një grua burrneshë, e njohur dhe e respektuar në gjithë zonën e Devollit, ajo ishte mjeke popullore, ishte mami e asaj kohe, shëronte edhe me fjalën e ëmbël, të gjitha mirësitë i bënte dhe për këtë, në shënjë nderimi, e thërrisnin me emrin “Hallo Bida e Mançurishtit”. Hallo Bida ka vdekur në vitin 1966.

Nëna ime, Edibeja, ka lindur në vitin 1913 në Zëmblak të Korçës. Është e bija e Sheh Saliut dhe e Aishes. Vëlla ka patur Hafëz Abdullah Zëmblakun dhe motër Safijen. Në moshën 22 vjeçe është martuar me Safetin. Ka lindur tre fëmijë. Pas rreth dhjetë vjet martese, në vitin 1946, në moshë shumë të re, Edibeja vdiq duke na lënë jetimë, mua në moshën 5 vjeç, motrën time Merjemin 9 vjeç dhe vëllanë tim Hamdiun 3-4 vjeç. Kështu që për ne më vonë u kujdes babai dhe kishim edhe gjyshen, Hallo Bidën, e cila na rriti jo vetëm ne tre fëmijët e mëdhenj por edhe motrat e vëllezërit e tjerë, se siç do them më poshtë, pastaj babai u martua përsëri, kështu që me motra e me vëllezër të tjerë na ka rritur gjyshja, por edhe Aneja (siç i thoshim ne) pas martesës së babait.

Nënën time, Edibenë, unë pak e parafytyroj pasi isha i vogël, por siç kam mësuar nga gjyshja, nga babai, nga hallo Fatimja, nga teze Safija, nga dai Hafëzi, dhe nga shumë të tjerë që kanë jetuar me të, ajo ka qënë shumë e zgjuar, e edukuar, e sjellshme, e bukur. Ishte e gjatë dhe pak ezmere, ishte shumë e rregullt dhe e përkushtuar ndaj besimit fetar. Nuk na ndodhet fotografi e Edibesë pasi duke qënë shumë besimtare ajo e quante për gjynah daljen në fotografi. Unë kam kërkuar mos gjenja ndonjë fotografi edhe tek shtëpia e dajos por nuk gjeta. Kam kërkuar edhe në Zyrën e Gjëndjes Civile në Bilisht se mos ndodhej në ndonjë dokument të saj, por nuk gjetëm. Megjithatë dashurinë për nënën tonë, Edibenë, dhe imazhin e saj na i kanë mbajtur gjallë gjithë jetën, me rrëfimet e tyre, njerëzit që përmënda më sipër e sidomos gjyshja jonë, Hallo Bida, të cilës i kishte mbetur peng pasi botën kishte shëruar por nusen e djalit të vet, Edibenë, nuk e kishte shpëtuar dot nga vdekja e parakohëshme.

Martesa e dytë e babait

Mbas nja një viti e gjysëm nga vdekja e nënës tonë, babai jonë u martua përsëri. Duke qënë se i kishte tre fëmijë, ai mori për nuse një grua që nuk bënte fëmijë. Idaete e quanin këtë nusen që mori babai jonë. Ishte një bejlereshë nga një fshat i Devollit por që jetonte me të vëllain në Korçë. Unë e mbaj mend se isha 6 vjeç e ca në atë kohë. Pra si të thuash ne të tre fëmijët kemi qenë në dasmën e babait kur u martua me Idaeten, me bejlereshën. Mirëpo kësaj Idaetes nuk para i pëlqente jeta e fshatit. Nuk mund të bënte atë jetë, s’e kuptonte dot që duhet të milte lopën, duhet të milte delet e dhitë, e t’u shtinte atyre për të ngrënë, të pastronte ato etj… Edhe ne që na gjeti, tre jetimë, s’para na kishte qejf, kështu që ajo rrinte…kishim shtëpi dykatëshe ne, shtëpi të madhe, dhe rrinte më shumë në katin e dytë si të thuash, hante veçan aty. Babain e thërriste ndërsa ne fëmijët rrinin me gjyshen poshtë. Po tregoj edhe një diçka tjetër që i ndodhi babait tonë me këtë nusen bejlereshë, dhe që babai e tregonte edhe për humor: Dihet që në atë kohë burrat e fshatit, sidomos në zonën Korçë- Kolonjë- Devoll-Pogradec etj. zakonisht vishnin pantallona qillota, të ngushtuara poshtë gjurit dhe të mbërthyera me kopsa. Poshtë pantallonave burrat mbanin brekë të gjata prej pëlhure të bardhë dhe të mbërthyera edhe këto me nga një kopsë mbi noçkën e këmbës. Mirëpo një ditë, mbasi u kthye nga puna, babai shkoi të bënte banjë dhe fillimisht vajti tek sëndyqi ku mbanin rrobat, për të marrë ndërresat. Aty nuk gjeti më asnjë palë brekë të gjata; bejleresha ia kishte vënë gërshërën dhe ia kishte shkurtuar të tëra, i kishte bërë allafrënga.
Kështu që babai jonë, mbasi e pa që ajo s’qe as për atë e as për ne, të nesërmen e mori dhe e çoi në Korçë. Ia la të vëllait, Shyqyri Beut, dhe u kthye në fshat pa nuse, por me nja tre-katër palë brekë të gjata, të reja, që i kishte blerë ne Pazari i Çobankave. Pazari i Çobankave i Korçës, që ta dish ti Vjollca, ka qënë shumë më i famshëm e më i pasur sesa është sot Tregu i Çamëve në Tiranë.

Martesa e tretë e babait

Mbas ca kohësh, mbas 7-8 muajsh, në vitin 1948, babai u martua përsëri. Vërtet ne ishim 3 fëmijë, por babai jonë në atë kohë nuk qe më shumë se 34-35 vjeç. Kështu që u martua dhe mori nusen e tretë. Tani kemi qenë prapë ne të tre fëmijët në dasmën tjetër të babait, ku mori Minen, Anenë. Aneja tani, Minja, ne kemi shkuar shumë mirë, bëri edhe 5 fëmijë të tjerë, tre djem dhe dy vajza, dmth. Luanin, Feimin, Xhezmiun Meleken dhe Reskën, kështu që u bëmë 8 fëmijë.
Ane Minja ishte e bija e Beqir Çuçkës dhe e Shanikos nga Suli i Devollit. Kishte tre motra: Shefikon, Arifen dhe Zebikon si dhe një vëlla, Xhevatin. Kur u martua me babain tonë ajo ishte një vajzë shumë e re, rreth 20 vjeçe. Sebep për këtë martesë u bë një miku i babait tonë, xha Banushi i Zagradecit, i cili kishte marrë për të vëllanë, Shefqetin, njerën nga vajzat e Beqir Çuçkës, Arifenë. Meqenëse Arifeja kishte dalë nuse për së mbari, xha Banushi ia zuri derën përsëri Beqir Çuçkës dhe i kërkoi çupën tjetër, Minen, për mikun e vet Safetin e Mançurishtit. Meqenëse, siç thuhet, fatet i shkruan Perëndia, xha Beqirit dhe Shanikos “ i u zu goja”, kështu që megjithse te Safeti, Minja do të gjente tre fëmijë, kjo punë u mbarua. Dhe ne bëmë dasmën e tretë të babait. Kuptohet pa saze e këngë e valle por u mblodhën gjithë miqësia.

Duke u rritur

Falë babait, gjyshes, por edhe ane Mines, punët më tej shkuan mirë. Ne ishim një familje e madhe. Për bukë nuk kemi vuajtur por edhe pa vështirësi nuk jemi rritur. Jemi rritur në kushte të fshatit, jo dhe shumë të këqija pasi babai jonë edhe ca toka kishte, po edhe kur fshati më vonë u bë kooperativë, babai jonë u bë kryetar i kooperativës, kështu që jetonim si gjithë fshatarët e tjerë, një familje me kallaballëk, me shumë fëmijë dhe pa shumë pretendime as në ushqime as në veshje. Veç një gjë e them me plot gojën: Të tetë fëmijët u trajtuan njëlloj me ushqim, veshje, edukim, shkollë, e mbi të gjitha me dashuri. Ishte meritë e anesë që ne nuk e ndjenim vehten jetimë, madje kur na pyeste ndonjë se “si ju trajton njerka?”, nuk na vinte mirë. Ne nuk kishim njerkë, ne kishim ane, aneja jonë kishte tetë fëmijë, pesë djem e tri vajza. Kur shkonte aneja në Sul tek prindërit e vet, merrte me vehte disa nga fëmijët. Zakonisht mua, djalin më të madh, më merrte ngahera. Unë rrija me javë të tëra në Sul pasi më deshte shumë edhe dai Xhevati. Ai më merrte me vehte edhe në ara edhe në mal kur shkonte dhe ndër njerzit e tjerë më prezantonte: Ky është nipi im i madh, djali i Mines.

Po kjo ane Minja na merrte ne fëmijët dhe shkonim bashkë në Zëmblak tek dajua jonë i madh, Hafëz Zëmblaku. Në Zëmblak gjithë njerëzit tanë, dajllarë, teze e kushërinj, e deshin dhe e respektonin ane Minen. “Edibeja jonë i pati ditët e shkurtëra – i thoshin -, ky qe fati i saj por shyqyr Zoti të dërgoi ty dhe po i rrit këta fëmijë si jo më mirë”.
Meqenëse ne ishim tetë fëmijë dhe nuk mund t’ia zinim derën dajos njëherësh të gjithë, kjo punë na nxirrte ca probleme dhe vinim njëfarë radhe. Megjithatë vëllai i tretë, Luani, kur vinte puna për në Zëmblak, nuk mbante radhë pasi kishte qejf t’ia prekte mjekrën dai Hafëzit.

Ashtu siç neve shkonim shpesh tek dajot, tek hallot e tek tezet, edhe dera e shtëpisë tonë ka qënë gjithnjë e hapur dhe shtëpia jonë zjente nga nipat e mbesat që vinin e rrinin me javë të tëra pasi gjyshja dhe aneja i prisnin megjithë të mirat e asaj kohe, por edhe babai jonë ishte shumë i dashur me ta dhe ju bënte dhe shakara. Më kujtohet një rast kur kishte ardhur djali i çupës së hallos tonë të Trenit, Hytbiu. Hytbiu ishte rreth 10 vjeç në atë kohë dhe qëndroi nja një javë. Pas ca ditësh babai, gjoja i inatosur, i thotë gjyshes dhe anesë në sy të Hytbiut: Dëgjoni këtu: Ka kaq ditë që na ka ardhur nipi dhe juve nuk kini bërë asnjë gjellë të mirë për ta pritur atë. Sot, dua që të bëni bakllava për nipin, morët vesh apo jo. Në drekë u lëshua në sofër tepsija me bakllava e cila në fakt ishte përgatitur disa ditë më parë se të vinte Hytbiu. U kënaq Hytbiu dhe kur u kthye në Tren, të parën fjalë që i tha të ëmës, Zeqabesë, ishte: Dëgjo o mama; ai dai Safeti jo vetëm që na do shumë, por unë u çudita sa shumë e dëgjonin gratë atë; në mëngjes ju dha urdhër që të bënin bakllava për mua dhe në drekë bakllavaja ishte gati.
Shpjego se cilat janë kushtet e fshatit. Cfarë punësh bënit? Cfarë bagëtish kishit? Cfarë lloj shtëpie? Cfarë veshjesh? Cfarë ushqimesh? Kishit ujë, elektrik? Ku laheshit? Si ngroheshit? Cfarë kishit në shtëpi—mindere, sobë, etj. Ku flinit?

Fshati jonë, Mançurishti, është në fushë, rrëzë Malit të Thatë. Është një fshat i mbledhur, i bukur, me ujë të bollshëm si për pirje ashtu dhe për vaditjen e tokave. Sot ai ka rreth 150 shtëpi. Banorët e fshatit janë shumë të sjellshëm, të dashur dhe të lidhur me njeri tjetrin pasi ose janë farefisni të një gjaku ose janë në krushqi me njeri tjetrin. Shtëpitë i kanë 1-2 katëshe, ndërtuar prej guri ose me tulla. Brenda, shtëpitë janë të mobiluara njëlloj si dhe në qytete dhe jeta, ushqimi e veshmbathja janë gjithashtu si në qytet, madje mund të them se për ushqimin, fshati im si dhe gjithë zona e Devollit, ja kalon edhe qyteteve e zonave të tjera të Shqipërisë. Gratë janë amvisa të mira, gatuajnë shumë mirë një larmi të panumërt lloje gjellësh dhe janë mjeshtre të përgatitjes së llojlloj turshish dhe reçelrash nga perimet e frutat.
Në fëmijërinë time fshati ka qënë më i vogël dhe disi më i varfër. Ne kemi patur një shtëpi dykatëshe. Në katin e parë ishte korridori (hajati) dhe dy dhoma. Dyshemeja e hajatit dhe e dhomave ishin prej qereçi (një lloj argjili i fortë). Njëra dhomë shërbente si kuzhinë, kishte vatër zjarri me oxhak si dhe magjen e gatimit, rafte për vendosjen e enëve, lavamanin e larjes së enëve, sofrën e ngrënies dhe gjithë enët e pajisjet e kohës për kuzhinën. Dhoma tjetër e katit të parë shërbente për ndenjie dhe për fjetje. Këtu ishte vendosur një sobë e madhe (stufë) që punonte me dru zjarri dhe shërbente për ngrohje por kishte dhe furrën për pjekjen e byrekëve, tavave etj. Këtë dhomë e kishim me mindere (divane të mëdhenj) prej dërrase të cilët përdoreshin për ndenjie dhe për fjetje.

Në katin e dytë ngjiteshim nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmakë që ishin vendour në hajat. Në hajat, në njërën faqe të murit, ishin vendosur hambarët e mëdhenj, ndërtuar prej dërrasash, të cilët i mbushnim me grurë dhe me misër, rezerva ushqimore e familjes të paktën për 1 vit. Në katin e dytë ishin korridori i madh në mes (çardhak i thoshim) si dhe dy dhoma. Si çardhaku edhe dhomat e këtij kati ishin të shtruara me dërrasa. Dhomat ishin të pajisura me ndarje të veçanta (sergjenë) për mbajtjen e robave si dyshekë, jorganë çarçafë etj, si dhe kishin edhe një aneks që shërbente për të bërë banjë (hamam). Në këto dhoma, mbi dyshhemenë e dërrasës, vendoseshin qilima, velenxe e postiqe të ndryshme dhe fjetja bëhej duke shtruar dysheqet sipër tyre, pra nuk përdorej në atë kohë krevati.

Para shtëpisë kishim një oborr të madh të shtruar me kalldrëm. Në mes të oborrit kishim pusin e ujit, 7 metra të thellë, është edhe sot. Ujin e nxirrnim me anën e një kove të lidhur me litar. Oborri ishte i rrethuar me objekte të ndryshme si hauri ku mbanim bagëtitë e trasha (zakonisht kishim 1 lopë, 1-2 viça, 2 qe pune dhe 1 kalë), hauri ku mbanim bagëtitë e imta (zakonisht kishim 20- 30 kokë dele e dhi por kur nuk ecnin mbarë mbeteshin dhe më pak), kotecin ku mbanim rreth 20 pula, plevicën ku mbanim të gjitha ushqimet dimërore të bagëtive si kashtë, bar e jonxhë të thatë, tagji, gjethe dushku etj. Po kështu, rreth oborrit ishte ndërtuar dhe një dhomë e vogël (ashef) që përdorej për të larë robat, për të zier apo për të pjekur. Këtu ishte dhe furra e pjekjes së bukëve të familjes. Në një cep të oborrit ishte edhe W.C-ja. Në fund të oborrit ishte porta e madhe prej druri, me dy kanate. Përmasat e portës ishin të përshtatshme për tu futur brenda oborrit qerrja e tërhequr prej qeve ose karroca e kalit, kur sillnim prodhimet bujqësore nga fusha. Oborri pjesërisht ishte i mbuluar nga një tendë me pjergulla rrushi.
Ne si familje kishim 40 dynymë tokë të cilën e punonte babai dhe ndihmonim sa mundeshim edhe ne fëmijët, sidomos unë që isha më i madhi. Prodhonim kryesisht për nevojat familjare si grurë, miser, fasule, patate, perime, jonxhë, tagji etj. Më vonë, kur u ngrit kooperativa bujqësore, tokat dhe bagëtia u kolektivizuan kështu që edhe puna bëhej e përbashkët. Ne fëmijët me kohë po rriteshim dhe kështu njeri pas tjetrit filluam të punojmë në kooperativë ose edhe shkuam nëpër shkolla dhe punëra të ndryshme.

Sa për energjinë elektrike, meqë pyete, ajo erdhi në fshatin tonë në vitin 1970, kohë kur u bë elektrifikimi i plotë i Shqipërisë. Deri në atë kohë jeta në fshat ishte e organizuar me ato kërkesa e pretendime që plotësoheshin edhe pa energjinë elektrike dhe si të thuash, njerëzit megjithse e dëshironin dhe e ëndëronin energjinë elektrike, nuk mund ta ndjenin mungesën e një gjëje që nuk e kishin patur kurrë. Për ndriçim përdornim llamba dhe fenera me vajguri.

Përshkruaj klasën, nxënësit, mësuesit. Sa mësues kishe? Ndonjë emër mësuesi? Sa nxënës ishin në klasë?

Shkollën fillore unë e kam bërë në fshatin tonë në Mançurisht në periudhën 1949-1953. Gjithsej fshati në atë kohë kishte më pak se 40 nxënës shkolle. Kishte vetëm një mësues i cili bënte mësim kolektiv, njëherësh për të katër klasat e nxënësve. Pra të githë nxënësit qëndronin në të njëjtën dhomë mësimi por mësuesi nëqoftëse shpjegonte mësimin, fjala vjen për klasën e I-rë, nxënësit e klasave të II-të, III-të e të IV-të i ngarkonte me zgjidhje detyrash e ushtrimesh. Kuptohet që ishte një punë e vështirë por zakonisht me klasa kolektive ngarkonin mësuesa me përvojë. I tillë ishte dhe mësuesi jonë Dhimitër Piluri. Dhimitri ishte nga qyteti i Korçës, shërbeu në fshatin tonë për 13 vjet me radhë dhe u bë njeriu më i dashur e i respektuar i fshatit. Unë kam patur mall të madh për të prandaj kur shkoja në Korçë i bënja ndonjë vizitë në shtëpi. Kur isha student, në vitin 1966, u ndodha me praktikë mësimore në fshatin Drithas të Ndërmarrjes Bujqësore të Maliqit. Afër zyrave të Ndërmarrjes ishte shkolla e fshatit. Një mëngjes shikoj oborrin e shkollës të mbushur me nxënës të cilët po bënin ushtrime gjimnastikore. Ushtrimet ishin me kohë dhe kohët komandoheshin me vërshëllimat e një bilbili. Vërshëllimat e atij bilbili ishin të njohura e të ëmbla për mua. U afrova dhe s’kisha gabuar, para nxënësve dhe para meje ish nxënësit, qëndronte Ai, mësuesi i dashur, Dhimitër Piluri. Prita deri sa mbaroi ora e fizkulturës dhe iu afrova. Jam Kadriu i Mançurishtit -i thashë. Më përqafoi, më puthi dhe i përlotur më futi në një klasë të shkollës. Mbas pak ra zilja e fillimit të orës tjetër të mësimit. Nxënësit hynë në klasë dhe me qetësi u ulën nëpër banka duke nxjerrë nga çantat librin Dituri Natyre. Mësuesi deshte të më mbante pranë tek tavolina e vet por unë shkova dhe u ula në një bankë në rreshtin e parë. Mësuesi fillimisht më prezantoi mua: “Nxënës të mij të dashur -tha- unë jam i gëzuar pasi sot kam në klasë, pas 15 vjetësh, njërin prej nxënësve të mij të mirë, Kadriun. Ky tani po mbaron Universitetin. Unë dëshiroj që dhe juve të mësoni sa më shumë dhe do të jem krenar kur t’iu takoj ose të dëgjoj mirë për juve”. Pastaj mësues Dhimitri filloi të shpjegonte mësimin e ditës. Ne nxënësit e dëgjonim me respekt; ma merr mendja unë do të kem qënë nxënësi më i vëmendshëm e më i lumtur atë ditë.

Shkollën 7-vjeçare, unike i thoshim atëherë, e kam kryer në vitet 1953-1956 në fshatin Progër, i cili është vetëm disa qindra metra larg fshatit tonë. Në Uniken e Progërit vinin nxënës nga 6-7 fshatrat e zonës përreth. Kjo ishte një shkollë e madhe dhe me tradita, mësuesit ishin nga Progëri por edhe nga Korça dhe secili zhvillonte lëndën e vet. Këtë shkollë e mbarova me të gjitha notat pesa (me pesë nota ishte sistemi i vlerësimit), kështu që edhe babai por edhe mësuesit u interesuan që unë të vazhdoja ndonjë shkollë të mesme por kuptohet në konvikt dhe me bursë të shtetit pasi babai me tetë fëmijë nuk përballonte dot shpenzimet.
Shkollën e mesme e kam kryer në Korçë në vitet 1956-1960, Teknikumin Bujqësor, dega Agronomi. Pas mbarimit të kësaj shkolle më emëruan me punë si agronom në Kooperativën Bujqësore të Vranishtit në Devoll ku punova për dy vjet, 1960-1962. Isha çun i ri, 19-20 vjeç por punoja me shumë dashuri dhe pasion. Puna dhe jeta këtu do të më linte mbresa dhe kujtime për gjithë jetën. Do të kalonin vite me radhë por Vranishtin nuk do ta haronja, shokët dhe miqtë që bëra aty më kanë mbetur për gjithë jetën, janë shumë, i dua dhe më duan shumë.

Në shtator 1962 fillova, studimet në Institutin e Lartë Bujqësor Tiranë në Degën Ekonomi Agrare, me bursën e shtetit dhe i përfundova në shkurt të vitit 1967 duke u diplomuar si ekonomist agrar.
.
Na trego pak këtu për universitetin—si ishin leksionet? Kishit libra? Ku rrije? Ndonjë specializim? Pse e zgjodhe këtë profesion ?

Vjollca; disa nga këto pyetje kanë status akademik dhe duan përgjigje të gjata e të menduara. Po them vetëm kaq: Instituti i Lartë Bujqësor i Tiranës ka qënë shkolla e lartë për përgatitjen e drejtuesve dhe specialistëve të prodhimit bujqësor në sistemin socialist të ekonomisë. Edhe profesorët edhe librat edhe leksionet ishin të mira, por për atë sistem ekonomie.
Profesionin s’e kam zgjedhur unë po ma ka dhënë partia. Se kështu ishte atëherë ti Vjollca. Ku të të dërgonin, atje do të vije. Ne devollinjtë sidomos, na dërgonin nëpër shkolla bujqësore. Se vend bujqësor ishim dhe ishim të zotët e punës. Punojnë mirë devollinjtë-thoshin, dhe aty na çonin. Por unë kam pasur qejf gjuhë-letërsi. Dhe xheku edhe kam shkruar, edhe ndonjë poezi edhe ndonjë tregim dhe i kam botuar në organet e shtypit. Po edhe në këtë që mbarova, agronomi të mesme dhe pastaj ekonomi agrare, unë përsëri kam punuar me sukses edhe në këtë fushë. Mbrojta doktoratën, kam bërë studime, kam bërë disertacionin, kam shkruar me dhjetra artikuj shkencorë, artikuj problemorë, artikuj studimorë etj. Edhe sot vazhdoj bëj ndonjë shkrim kështu.

Po pas mbarimit të shkollës së lartë ku kini punuar ?

Fillimisht më emëruan në qytetin e Shkodrës në Komandën e Korpusit Ushtarak të Veriut ku fillova punën në mars 1967. Këtu merresha me ekonomitë ndihmëse ( bujqësi e blegtori) që kishte ushtria. Por këtu jetoja në hotel dhe ishte e vështirë për të siguruar shtëpi shpejt. Nga ana tjetër unë isha i fejuar me Lumen, mamin tënd, e cila punonte si mësuese në Librazhd por në Shkodër, në qytet, nuk kishte punë për të. Shkodra kishte Institutin e Lartë Pedagogjik dhe kishte mësues me bollëk. Kështu që pas 5-6 muajsh unë kërkova transferim me kusht që aty ku do të punoja të kisha strehim dhe punë për gruan. Më caktuan Përgjegjës Sektori të Fermës Bujqësore në fshatin Aliaj të Koplikut, rreth 25 km. larg Shkodrës. Këtu gjeta shtëpi (dhomë e kuzhinë) si dhe punë për Lumen si mësuese. Pasi i sigurova këto dy gjëra, shkova në fshatin tim në Mançurisht, bëmë dasmën më 10 shtator 1967, ndenjëm ndonjë javë aty tek prindërit dhe erdhëm në Fermën Aliaj ku filluam jetën bashkëshortore dhe punën njëkohësisht. Këtu ka për të thënë shumë gjëra, por ç’far të them e ç’far të le, duhet një roman i tërë. E filluam nga hiçi, me vehte kishim vetëm robat e trupit dhe disa ndërresa në një valixhe. Kur hymë në shtëpi kishim vetëm muret. As dyshek, as jorgan e batanije, as krevat, as enë për ujë e gjellë, as lugë e as pjata, as sobë e as furnelë, as karrike e as tavolinë, nuk kishim as perde për t’ia vënë dritareve për të fshehur fukarallëkun tonë.
Megjithatë ne ishim të rinj, të sapomartuar dhe më mirë që i patëm dhe i kaluam ato vështirësi. Këtu na lindi vajza e madhe, Monika, më 19 korrik 1968.

Në Fermën Aliaj qëndruam afër tre vjet, deri në mars 1970, pastaj u transferuam në Qytetin e Korçës.
Në Korçë unë punova për një vit e gjysëm si ekonomist në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit kurse Lumja mësuese në fshatrat Cangonj dhe Belorta. Në Korçë u rregulluam mirë edhe me shtëpi. Këtu na lindi vajza e dytë, pra ti Vjollca, më 12 maj 1971.
Në Shtator 1971 mua më emëruan pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor Tiranë dhe fillova punën aty. Pas 7-8 muajsh më dhanë shtëpi kështu që erdhi edhe Lumja me dy vajzat. Lumja gjithashtu filloi punën menjëherë si mësuese në Kodër-Kamëz.
Në Tiranë më 19 janar 1976 na lindi Edi, kështu që na u bënë tre vajza. Më 1985 pastaj, më 30 korrik, na lindi edhe Shpati. Kështu që u bëmë me tre vajza dhe një djalë.

Unë mbasi punova deri në 1981, rreth 10 vjetë si pedagog në Institutin Bujqësor, më kaluan në ca punëra të tjera-në kooperativa bujqësore, në Vaqarr të Tiranës, në Bërzhitë të Tiranës, ku kam qenë shef plani dhe kryetar kooperative. Pastaj ika në Ministrinë e Bujqësisë, për 6-7 vjetë të tjera. Në Ministri kam punuar si ekonomist dhe Kryetar Dege. Pastaj në 1992, kur ndryshoi sistemi në Shqipëri, ne prisnim të vendosej një regjim demokratik por për fat të keq të Shqipërisë në krye të Shtetit doli një farë Sali Berisha, i cili vendosi një regjim kriminal dhe i spastroi të gjithë kuadrot e vjetra, specialistët i hodhi të gjithë në rrugë dhe mbajti në punë vetëm ata që pranonin të bëheshin anëtarë të partisë së tij. Mua, megjithse kisha punuar me ndershmëri dhe drejtësi, megjithëse kisha një kualifikim të lartë, kisha qenë pedagog në universitet, duke qenë i graduar Doktor i Shkencave Ekonomike, duke pasur një bagazh pune studimore, duke pasur dhe botime të ndryshme me mbi njëmijë faqe etj., më pushuan nga puna. Kështu unë u detyrova pastaj të dal në treg dhe të bëja punëra të rëndomta duke shitur fruta-perime në tezgë në Pazar të Ri. Ishte periudhë e vështirë, derisa në vitin 1998 ra nga Pushteti Saliu dhe unë fillova punë përsëri në profesionin tim si inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku vazhdova deri sa dola në pension në vitin 2003.

Po prindërit, tuaj babai dhe aneja, mbasi jeni larguar juve me kë kanë jetuar?
Nga tetë vëllezër e motra që jemi ne, vetëm njëri, Luani, ka qëndruar në Mançurisht dhe ka jetuar me prindërit. Të tjerët jetojnë në Tiranë dhe në Korçë. Luani ka trashëguar si të thuash edhe shtëpinë, pasurinë apo katandinë e pleqve, por ai dhe e shoqja e tij janë kujdesur e i kanë bërë yzmet deri ditën e fundit të jetës të dy prindërve. Vërtet edhe ne të tjerët jemi interesuar dhe kujdesur vazhdimisht për ta, i kemi ndihmuar edhe materialisht dhe jemi ndodhur prezent sa herë kishin sëmundje apo shqetësime, por sidoqoftë atë që bënte Luani nuk e bënim dot ne të tjerët që ishim larg.
Aneja vdiq në tetor 1995. Meqenëse në spital nuk dhanë shpresë për jetën, e sollëm në shtëpi, ku mbylli sytë duke i patur mbi krye të tetë fëmijët.
Babai jetoi dhe pesë vjet të tjerë. Në fund vuajti mjaft por ja zgjatte jetën hyzmeti që i bënte Luani. Ai vetë e lante, e ndërronte, e ushqente, i bënte dhe shakara. Kur vinim ne djemtë e vajzat për ta parë, Luani i thoshte: Gjeneral; çou se të kanë ardhur ushtarët. Meqenëse të tria gratë që kishte patur; Edibeja, Idaetja dhe Minja, kishin vdekur, Luani e pyeste: Hë, na thuaj tek cila do të shkosh tani?
Deri ditën që vdiq, më 6 shkurt 2000, mendjen e kishte kompjuter.
I u bë një ceremoni varrimi si e meritonte, me pjesëmarrje e nderime të mëdha, u shkruajt dhe në Gazetën Devolli për kujtimin e tij.

Cilat janë disa nga karakteristikat që ke trashëguar ti nga babai yt ose nga familja jote?
Vjollca; e di ti atë shprehjen popullore “bëmë baba të të ngjaj”? E pra; unë i kam ngjarë babait dhe them se kam trashëguar shumë karakteristika të tij. Ai ishte shumë punëtor. Edhe unë them që kam punuar gjithë jetën e s’ia kam përtuar punës. Babai im ishte shumë i ndershëm, i drejtë, i dashur e komunikues me njerëzit. Unë s’e gjykoj kështu vetëm se është babai im, por di opinionin e fshatit, di opinionin e zonës, të gjithë miqësisë, të gjithë shoqërisë, dmth di dhe kujtimet dhe mbresat që janë akoma dhe sot për të. Ai ishte njeri me autoritet dhe gëzonte respektin e njerëzve, ndaj dhe për vite me radhë Fshati e kish zgjedhur Kryetar të Kooperativës. Ishte njeri i sakrificës; i luftës ka qenë, i punës ka qenë, i ka bërë të tëra punët ai. Edhe bujk ka qenë, edhe mullixhi, edhe murator, edhe kryetar kooperative. Dmth, nuk ia përtonte punës. Të gjitha punët i ka bërë që të mbante me ndershmëri familjen, fëmijët. Kështu, unë them që i kam ngjarë babait. Patjetër që dhe vëllezërit e tjerë atij i kanë ngjarë, po ja që gjithë të afërmit apo dhe bashkëfshatarët mua ma bëjnë qejfin e më thonë që “ ti i ke ngjarë shumë xha Safetit”. Kështu që unë them që i kam marrë cilësitë e mira të tij. Ndoshta edhe ndonjë cilësi jo të mirë, po unë s’e ndjej për jo të mirë pasi e ka pas babai im.

Marrëdhëniet me motrat e vëllezërit
Kur kam qenë e vogël ,unë mbaj mend se në shtëpinë tonë vinin vëllezërit ose motrat e tua dhe të kërkonin ndihmë ose ndonjë këshillë për problemet që kanë patur. A mund të na thuash ndonjë gjë për këtë?
Po më shumë me motrat ka ndodhur kjo punë. Me vëllezërit më pak, pasi nuk kanë patur aq nevojë për këshilla ata, se i kanë patur gratë më të mënçura .… Por kur ka ardhur motra, qoftë e madhja qoftë më të voglat, që më kanë qarë hallin ose më kanë kërkuar ndonjë mendim për problemet që kanë pasur në familje, unë i kam thënë që duhet të jesh më e gjërë në këtë punë që gjërat të kalojnë, të marrin rrugën që duhet dhe u kam dhënë kurajo duke ia kujtuar edhe porosinë e babait tonë që na thoshte: “Me njerëzit, e aq më shumë në familje, duhet ta bëni barkun hambar dhe zemrën behar”. Ne, si motra e vëllezër kemi shkuar shumë mirë, sa kemi qenë beqarë, dmth sa krijuam familjet, pastaj u ndamë, u shpërndamë në drejtime të ndryshme, sikush në jetën e vet dhe pati një farë shkëputje tani. Po sa kemi qenë beqarë kemi qenë shumë të lidhur e të afrueshëm. Tani jeta ka nxjerrë edhe probleme. Një vëlla jeton më mirë, një më keq, njëri ka një qefmbetje … e çfarë të them unë, dmth, mirë jemi dhe tani ne, po jo sikur ishim beqarë, atë kohë e kujtojmë me mall. Pastaj, edhe sa ishin pleqtë gjallë, ata kishin influencën e tyre, se kur shkonim në verë me pushime, si të thuash aty bëhej ajo mbledhja e përgjithshme e familjes, dhe ishin pleqtë që na jepnin këshilla të gjithëve dhe na mbanin më afër me njëri-tjetrin.

Si jeni takuar, si jeni njohur ju të dy me mamin?

Po ne të dy me mamin tënd, Lumen, jemi nga i njëjti fshat kështu që jemi njojtur që kur ishim fëmijë. Kemi qenë edhe komshij e kemi pasur hyrje-dalje midis familjeve tona por pa e menduar ndonjëherë se do bënim krushqi. Më vonë, kur unë isha student dhe Lumja vazhdonte shkollën e mesme pedagogjike, sikur u afruam një çikë më shumë dhe sikur po e pëlqenim njëri-tjetrin. Këtë afrim e ndjenim më shumë sidomos në pushimet e verës nëpër ato mbrëmjet e vallzimit që bënim në atë kohë në fshat. Megjithatë unë për vete e kisha bërë mendjen top se pa mbaruar shkollën dhe pa filluar punën nuk kisha ndërmend për fejesë e martesë. Por do ti që këtë afrimin tonë e kishin pikasur edhe prindërit tanë dhe të dy palët e kishin marrë me qejf shumë? Rastisi pastaj që në atë kohë vëllai im më i vogël, Hamdiu, shpejt e shpejt u fejua dhe u martua kështu që prindërit e mij filluan të bëhen merak për mua se mos më thyhej fati. Dhe kështu ata filluan, me mënyrat e tyre, të më nxisnin për tu fejuar sa më parë, duke më rekomanduar edhe disa vajza që mund të ishin të përshtatshme për mua, por pa harruar që në krye të listës të vinin çupën e Batos, pra Lumen. Dhe unë nuk ua prisha qejfin, zgjodha kryen e listës. E thirra Lumen një mbasdite për një shëtitje nga çezmat e fshatit dhe ia thashë copë, tamam si Sandër Mafishja që ia tha Irenkës; dhe Lumja s’më bëri naze fare. Vjollca; ti e di pasi ua kam thënë edhe herë tjetër; atë ditë, para se të nisesha për ta takuar Lumen, anesë i thashë: Ane; përgatit llokumet pasi sot do të shpallësh fejesën time. Dhe vërtet kur u ktheva unë nga ai takim aneja shpërndavi llokumet e fejesës. Pra u fejuam në korrik të vitit 1966 dhe bëmë dasmën më 10 shtator të vitit 1967. Në atë kohë Vjollca; dasmat nuk regjistroheshin nëpër video kështu që nuk kemi kënaqësinë të të tregojmë ndonjë pamje nga dasma jonë ndërsa nga jeta jonë bashkëshortore ti nuk ke nevojë për video pasi jetën tonë, sjelljen tonë, përpjekjet tona për mbarëvajtjen e familjes e për rritjen dhe edukimin e fëmijëve i ke përjetuar vetë dhe i ke të regjistruara në memorjen tënde e s’ka nevojë të të flas unë.

Po tani si shkoni me mamanë?
(Duke qeshur) Tani zihemi; një ditë po, një ditë jo.
A ke ndonjë gjë tjetër për të shtuar babi?
Pse, a do më për Belulin?

Kadri Kadiu

loading...

Komento!

loading...