Home / SOCIALE / Andrea Danglli, rruga e 17 vjeçarit drejt poezisë dhe aktrimit
loading...

Andrea Danglli, rruga e 17 vjeçarit drejt poezisë dhe aktrimit

Andrea Danglli, rruga e 17 vjeçarit drejt poezisë dhe aktrimit

Në një epokë dixhitale, ku të parët që po ndryshojnë në ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore, duke i dhënë atyre një rikonceptim, janë të rinjtë, shumë prej këtyre kanë ndryshuar mënyrën e tyre të jetesës, krahasuar me prindërit, gjyshërit e kështu me radhë, para tyre. Në këtë kontekst, ata kanë ndryshuar edhe raportet me bashkëmoshatarët, apo mënyrën se si përdorin dhe konsiderojnë çdo mjet, objekt a veçori qoftë, për të realizuar qëllimet e tyre.

I shohim të rinjtë tanë gjithnjë e më shumë të prirur të përdorin forma të konsumit të shpejtë ,aq sa kur ndonjë prej tyre, na vë para syve dy fleta formati ku ka shkruar poezi, na duket e habitshme. Sigurisht, ka ndryshuar mënyra se si ata shprehen, duke filluar që prej faktit se letra e boja i kanë lënë vend shkrimit në kompjuter e deri tek terminologjia që përdorin për të zbrazur dashurinë në fletën e bardhë, simbolet (zemrat virtuale) me të cilat ata shoqërojnë frazat e ndryshme e kështu me radhë.

E teksa nuk mund të presim që ata të lyejnë pendën në kutinë e bojës për të shkruar, ajo ç’ka duhet të na lumturojë, është qasja e të rinjve me të bukurën dhe artin, si një prej formave të aplikimit të mendimit estetik.

Në aktivitete të ndryshme që shkollat e mesme , por edhe ato 9 vjeçarë të Durrësit, realizojnë herë pas here në ditë të festive, por edhe më ngushtë, në aktivitetet brenda orëve të artit, të përfshira në kurrikulat mësimore, shihet një pjesmarrje gjithnjë e më e madhe e të rinjve.

Andrea Danglli, maturanti i cili mëson në gjimnazin “Leonik Tomeo” është një prej të rinjve jo vetëm të apasionuar pas artit, kryesisht poezisë dhe aktrimit, por edhe i vlerësuar me disa çmime për performancat e tij në të dyja këto fusha. Me një dialekt të theksuar të qytetit të Devollit, ku edhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare, Andrea është një prej të rinjve që në aktivitetet e ndryshme të organizuara me rastin e festive të Pavarësisë, por edhe më herët, në organizime artistike, ka qenë jo vetëm përfaqësues i shkollës së tij, por edhe i qytetit të Durrësit.

“Poezia, si tështima”

Në takimin për intervistë, Andrea sjell me vete një tufë të madhe me fleta të bardha në formatin A4. “Këto janë një pjesë shumë e vogël e poezive që kam krijuar, se kam edhe shumë të tjera në shtëpi”, thotë gjimnazisti i apasionuar pas letërsisë.

Ka filluar të shkruajë vjersha që në ciklin e fillores, madje kujton njërën prej tyre, që ja ka kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli. E teksa do të donte që shkollën e lartë ta niste për gjuhë-letërsi, ose gazetari, poezia për Andrean është si tështima. “Ashtu si tështima, që po të erdhi, do ta nxjerrësh, ashtu edhe poezia, nëse të vjen frymëzimi, do e hedhësh patjetër në letër. Të paktën, kështu e konsideroj unë”, thotë Andrea.

Ndonëse 17 vjeç, poezitë e Adreas janë të fokusuara në tema si dashuria mes dy njerëzve, marrëdhëniet në familje, dhuna, rinia dhe raportet e saj me fenomenet sociale e kështu me radhë.

“Më pëlqen të reagoj ndaj gjerave që më prekin në jetën e përditshme dhe mendoj se këtë duhet ta bëjë çdo i ri i moshës sime. Personalisht jam shumë i ndjeshëm ndaj fenomeneve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe bashkëmoshatarët e mi, megjithatë tema e preferuar për mua, mbetet dashuria.”

Në pamundësi për të botuar një libër, Andrea i ka përmbledhur poezitë e tij në një bllok të improvizuar A4, duke i titulluar “Psherëtimat e shpirtit”. Shumë prej poezive ai i reciton gjatë aktiviteteve të ndryshme me klasën dhe shkollën.

Novela e parë

Maturanti Andrea Danglli thotë se është në përfundim edhe të novelës së tij të parë. “Është një libër që kam nisur ta shkruaj prej kohësh dhe po e përfundoj. Kam disa tituj në mendje dhe ende nuk kam zgjedhur një që të jem i sigurtë. Shumë njerëz mendojnë se jam i vogël për të shkruar një novelë, veçanërisht kur ju them se aty kam përfshirë edhe tipare të viteve të tranzicionit”, thotë Andrea, duke treguar skepticizmin e njerëzve, të cilëve ju ka treguar projektin e tij. Edhe pse vetëm 17 vjeç, me një kujtesë të shkurtër dhe jo të plotë, Andrea thotë shpreson se novela e tij do të pëlqehet, kur të dalë në botim.

Interpretimi pranë aktores së madhe, Margarita Xhepës

Një prej ditëve më të lumtura për 17 vjeçarin Danglli, ishte përzgjedhja e tij për të interpretuar pranë Margarita Xhepës, aktores që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”. Gjatë një promovimi libri, Andrea dhe zonja e madhe e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, lexuan dhe interpretuan sëbashku poezi të shkëputura nga linbri.

“Është një nga ngjarjet më të bukura dhe domethënëse që mund të më ndodhte. Më dridheshin duart dhe kuptoja që me zor arrija të mbaja librin në duar. Emocionet ishin të shumta, për disa arsye; interpretoja për herë të parë pranë një artisteje si ajo dhe po lexoja vargje para një salle të mbushur me njerëz të fushës së artit. Nuk do e harroj kurrë”, thotë Andrea i emocionuar.

Aktrimi është një tjetër pasion i madhi maturantit, aq sa vërtetë nuk di se cilin prej dy drejtimeve të marrë në jetë; aktrimin apo letërsinë. Një i ri i qeshur, Andrea thotë se tërhiqet shumë nga gjinia e komedisë, madje numëron edhe disa role me bashkëmoshatarët e tij, të klasës e të shkollës, në pjesë të natyrës së komedisë.

Adresa e Andrea Danglli ne Facebook

Devolli.net

loading...

Komento!

loading...