Home / REPORTAZH / ALI KONDIT I KËNDONTE ZEMRA (Kadri Kadiu)
loading...

ALI KONDIT I KËNDONTE ZEMRA (Kadri Kadiu)

ALI KONDIT I KËNDONTE ZEMRA

(Me rastin e 5 vjetorit të vdekjes)

Nuk ka devollit që nuk e njeh Ali Kondin e Vranishtit. Aliu i ka rënë kryq e tërthor Devollit dhe si ajo bleta që mbledh nektarin e luleve, edhe Aliu me atë vullnetin e tij të punës, me dashurinë për njerzit, ka vjelë nga 45 fshatrat e Devollit mjaltin e fjalës, të mënçurisë, të trimërisë së devollinjve. E këtë mjaltë e ka derdhur në vargje poezie, në këngë e në valle; e ka përjetësuar.

Isha akoma fëmijë kur e kam njohur Aliun si këngëtar e valltar. Ishte një bilbil i rallë. Kur vinte në fshatin tim në Mançurisht, sëbashku me të vëllanë Nevruzin te disa miqtë e tyre,mblidhej gjithë fshati; burra, gra e fëmijë se buçisnin këngët e Aliut e të Nevruzit
“ Vallë a vjen behari”,“Ku do ta shkojmë dimrin”,“Syrin rrush të zi ma ke”,“Llaj çobankë” etj dhe tundeshin dyshemetë e odave kur ata kërcenin “ Vallen devolliçe”.

Kur isha i ri, sapo mbarova shkollën e mesme bujqësore,në vitin 1960, më emëruan agronom në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Vranisht-Pilur Bickë.
Aty Aliu ishte Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës. Aty njoha një Ali me përmasa të tjera. Ai ishte njëherësh bibliotekar, koreograf, skenarist, regjisor, mbledhës e studjues folklori.

Falë këtyre cilësive të Aliut Kooperativa e Vranishtit kishte një veprimtari kulturore e artistike të gjithanshme. Grupet amatore të këngëve e valleve të Vranishtit ishin me nam jo vetëm në Devoll e në rrethin e Korçës por edhe më gjërë.Por Aliu krijoi dhe një
grup amator për shfaqje teatri dhe estrade. Me që unë nuk ia thosha për këngë e valle,Aliu më futi në grupin teatror. Në atë grup bënin pjesë djem dhe vajza të talentuar kooperativistë por edhe arsimtarë, ndihmësmjekë etj.

Patëm shumë sukses; konkuruam në Devoll e në Korçë dhe kemi dhënë me dhjetra shfaqje të bukura në kooperativat e rrethit të Devollit e të Korçës. Kemi konkuruar me sukses edhe në Festivalin Kombëtar të Teatrove Amatore të Republikës që u zhvillua në Vlorë.Tek ai grup amator teatri, me regjisor Ali Kondin,e kanë fillesën dhe dy aktorët e njohur të Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, shokët e mij dhe të Aliut, Refik Xhinaku e Nazif Tale.

Vitet si pa u ndjerë ikën. Ali Kondi arriti të tetëdhjetat dhe unë fillova ta thërras“Xha Ali”. Por Ai një ditë më surprizoi me rininë e tij kur më dhuroi katër librat që kish shkruar.

I lexova ato libra dhe njoha një Ali edhe më të madh. Njoha një poet, një shkrimtar,njoha një historian të vërtetë. Dhe tani them: Ali Kondi është për mua një enciklopedi.Ali Kondi formalisht nuk ka patur ndonjë diplomë fakulteti por ishte një brumë i gatuar mes devollinjve me shumë zell pune e dashuri. Ali Kondi ishte i rrahur me vaj e me uthull. Ai ka mbajtur në dorë pushkën partizane, ka mbajtur në dorë parmëndën e bujkut, ka mbjellë e ka korrur me duart e tij, i ka rëzuar vetë drutë e dimrit nga Morava dhe vetë e ka zjerë rakinë për ta pirë me miqtë e me shokët. Ndaj dhe pena ecte vetë në dorën flori të Aliut.

E si është kjo jetë. Këtu në Koloradon e largët ku jetoj, mësova se më 20 korrik të vitit 2008 xha ALIU ndërroi jetë.Menjëherë, që atë ditë, e mora në telefon për ta ngushëlluar Mukadesin, bashkëshorten e Aliut .Iku më tha, iku papritur, iku duke qeshur, iku duke kënduar; po këndonte me mbeskën e vogël që e deshte aq shumë.
Tani që po shkruaj këto radhë, kam vënë kasetat dhe po dëgjoj këngët e bukura me zërin melodios të Aliut dhe bashkëshortes së tij
Mukadesit, kushërirës time. I dëgjoj për t’u çmallur por më shumë përmallem. Lotët më lagin faqet. Janë lotë malli, lotë dashurie, lotë për gjithë Devollin tim.

Dr. Kadri Kadiu

Denver 12 korrik 2013

loading...

Komento!

loading...