02:27 am - Thursday 23 February 2012
Aktualisht: 13 °CPartly Cloudy - Lageshtia: 34%




  • Na ndiqni Googel+


  • Abonou në FeedBurner

  • A do të jetë Viti i Ri 2012 përmbushja e profecive të fisit maja?

    Nga Devolli.net - Mar Jan 03, 9:40 pm

    Viti që do të vijë ka shumë të ngjarë që të jetë vërtet një vit i denjë për parashikimet …

    e profetëve maja, por që sikundër e tha edhe analisti i mësipërm, ndoshta gjërat duhet që të shkojnë në gradën e tyre të fundit, në mënyrë që të kthehen dhe të nisin të marrin për mirë.
    Majat e moçëm e cilësojnë si jashtëzakonisht të veçantë vitin në të cilin pritet që të hyjmë. Sipas tyre, ai është fundi i një periudhe të caktuar, i një cikli të caktuar dhe fillimi i një cikli tjetër. Kjo ndoshta ka bërë që edhe letërsia apokaliptike të përhapet në masë dhe të përpihet nga lexuesit.

    Veçanërisht gjatë stinës së pushimeve. Por nuk është e nevojshme që të pëlqesh librat apokaliptikë për të kuptuar një të vërtetë dhe realitet të madh, atë që viti i ardhshëm do të jetë në të vërtetë një vit i vështirë, plot sfida dhe mbi të gjitha transformues në botë dhe kjo për sa i takon historisë botërore. Me ndryshimet e lidershipeve në shumë vende të botës, me kizat financiare, por sidomos me krizën europiane që është në kulmin e saj dhe në një moment shumë kritik, me situatën në Lindjen e Mesme dhe përkeqësimin e shtimin e vështirësive kudo, si dhe me rritjen e shpirtit të protestës në të katër anët e globit, viti 2012 mund të jetë edhe më i ashpër dhe ndryshues se viti që sapo lamë pas.

    Tre vjet më parë, pas kolapsit të bankës së madhe amerikane “Lehman Brothers”, që shkaktoi edhe fillimin e krizës më të madhe ekonomike të dhjetëvjeçarëve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, trazirat ekonomike shkaktuan edhe turbullime politike dhe kjo po duket më se e qartë. Streset e mëdha ekonomike nga rritja e çmimeve të ushqimeve e deri te shtimet e taksave dhe reduktimi i shpenzimeve publike që u mor si masë në shumë vende të Europës dhe të Amerikës së Veriut ishin në thelbin e ngjarjeve të vitit që po ikën. E ndërsa ato intensifikohen, pra trazirat politike, situata ekonomike, konfrontimi dhe konflikti duket se po përkeqësohen.

    “Do të bëhet shumë keq, para se të fillojë që të bëhet mirë”, ka deklaruar Jonathan Wood, një analist i çështjeve globale me qendër në Londër. “Nëse shihni me kujdes gjithë dinamikën e ngjarjeve të këtij viti, asnjë nga faktorët që i ka shkaktuar ato nuk ka dalë nga skena dhe nuk ka ndryshuar, që do të thotë se trazira të tjera do të vijnë shumë shpejt dhe problemet ekonomike mbi të gjitha do të përkeqësohen”, vazhdon ai. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Rusi dhe tranzicioni i pushteteve në krye të qeverisjes së Kinës, pra të Partisë Komuniste, do t’i shtojnë shumë përmasa paqartësive në përgjithësi.

    Ata do ta vështirësojnë shumë për liderët politikë gjetjen e kompromiseve apo gjetjen e zgjidhjeve politike gjithëpërfshirëse. Sipas analistëve, një gjë e tillë mund të sjellë edhe rritjen dhe grumbullimin e një situate të nderë politike, ndërkohë që ajo për të cilën ka nevojë bota është pikërisht lidershipi i kthjellët. Dështimi i superioritetit amerikan të Kongresit për të rënë dakord në lidhje me reduktimin e deficitit buxhetor mund të jetë një shenjë shumë e qartë dhe e dukshme se si po shkojnë në fakt punët në shumë prej vendeve dikur të stabilizuara.

    Presidenti amerikan Obama po ballafaqohet me një rizgjedhje presidenciale që do të jetë e vështirë, edhe sikur republikanët të vendosin si kandidat një njeri jo aq të fortë dhe kjo, për arsyen e vetme se në favor të Obamës janë shumë të pakta argumentet pozitive me të cilat ai do t’u rikërkojë amerikanëve votën. Kjo, sepse rritja ekonomike këto vite ka qenë ndër më të ulëtat dhe papunësia gjithashtu arriti të kapë nivele që më parë nuk ishin prekur asnjëherë. Një konsensus i brishtë që u farkëtua në vitin 2009 në samitin e liderëve të G20-s, pra të ekonomive më të mëdha në botë, mund të ketë marrë fund dhe të jetë prishur njëherë e mirë. Në krye të rreziqeve që mund të përballen në vitin 2012, sipas shumë analistëve është kriza e pazgjidhur e borxheve në eurozonë.

    Nëse grupi 17 anëtarësh i eurozonës do t’ia dalë që të mbijetojë nga stuhitë e mëdha në të cilat është përfshirë muajt e fundit, atëherë kjo do të thotë që anëtarët e tij do të përballen për një periudhë shumë të gjatë vështirësish dhe shtrëngesash ekonomike, duke qenë se masat e marra do ta çojnë rritjen ekonomike në nivelet e një recesioni. Javën e kaluar takimi i Brukselit, i 16-i i atij niveli që kur ka nisur kriza 2-vjeçare, nuk arriti ndonjë marrëveshje që mund të quhej për këtë vit shansi i fundit për të shpëtuar euron. Ndërkohë që liderët e eurozonës dhe disa vende të tjera që nuk përdorin euron, ranë dakord që të kenë një bashkim fiskal me njëri-tjetrin, kjo në fakt nuk ka aspak të bëjë me mbijetesën e monedhës.

    Në më të keqen e rasteve viti i ardhshëm mund të shohë një shpërbërje të eurozonës me një pasojë që do të ndihet në shumë vende të tjera dhe që mbi të gjitha mund të pasohet nga protestat dhe çrregullime civile shumë më të mëdha dhe më të paparashikueshme nga ato të përjetuara në vitin që po shkon. Dhe nëse po flasim për protesta, nuk mund të anashkalojmë edhe Lindjen e Mesme, e cila gjatë këtij viti ndryshoi fytyrë pikërisht për shkak të protestave të pranverës arabe.

    Pikërisht në këtë zonë të botës janë të shumtë ata që shohin burimin e trazirave të mëdha të mundshme, duke qenë se ajo është shumë e brishtë edhe ende e pastabilizuar. Pas këtyre protestave, tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku duket se të gjitha këto përbëjnë shenja të dukshme të rënies së influencës amerikane në zona që dikur konsideroheshin si të sajat.

    Ndiq Devolli.net në Twitter, Bashkou me ne në Facebook. Qëndroni me ne në RSS

    Jep një Përgjigje

     
    Foto nuk ngarkohet Foto nuk ngarkohet Foto nuk ngarkohet Foto nuk ngarkohet Foto nuk ngarkohet Foto nuk ngarkohet