Trajneri i korçarëve dje është bashkuar me ekipin në Ohër dhe deklaron se grupi është gati
“Na duhet edhe një sulmues tjetër dhe shpresoj që brenda këtyre ditëve ta sjellim në skuadër. Më pas merkatoja e Skënderbeut do të quhet e mbyllur. Që nga kjo e hënë skuadra është pothuajse e plotë dhe kjo më bind edhe më shumë që tashmë do të punoj më rehat me ekipin, sepse grupi është dhe tani duhet t’i shtrohemi vetëm punës.
” Me këto fjalë e ka nisur prononcimin e tij të djeshëm nga Ohri, Shkëlqim Muça, menjëherë sapo ka mbërritur dhe është bashkuar me skuadrën, të cilën e ka udhëhequr nga pankina në ndeshjen miqësore që zhvilloi Skënderbeu dje, në orën 18:00 të pasdites. Në fakt, Shkëlqim Muça dje ka udhëtuar rreth orëve të mesditës për në Ohër dhe, pasi është takuar edhe me lojtarët, pas asaj shkëputjeje pesëditore, tashmë do të qëndrojë me grupin deri më 6 gusht, që do të jetë edhe dita e fundit e përgatitoreve të Skënderbeut, në Ohër të Maqedonisë.
Muça ka udhëtuar drejt Ohrit edhe me disa anëtarë të tjerë të presidencës korçare, ndërkohë që pas mbërritjes, ka folur për Skënderbeun e tij për të gjitha ditët e deritanishme maqedonase: “Unë e theksova edhe para nisjes drejt Mavrovës javë më parë, që skuadra do të jetë gati vetëm në Ohër dhe mund të them se çdo gjë ka shkuar sipas parashikimeve të mia.
Në Mavrovë, në dhjetë ditët e qëndrimit, skuadra ishte duke u mbushur, ndërkohë që pas mbërritjes në Ohër është edhe më e kompletuar, pas firmosjes së kontratave të dy maqedonasve dhe kroatëve. Pas këtyre firmave, ne jemi në pritje edhe të një lojtari tjetër dhe më pas do ta mbyllim krejtësisht merkaton e Skënderbeut. Në këtë mënyrë, na duhet edhe një lojtar tjetër në vijën e sulmit, për të mbyllur skuadrën dhe deri tani jam shumë i kënaqur.
Që nga kushtet dhe deri te të gjithë lojtarët në stërvitje, jam shumë i kënaqur dhe këtë e shoh më mirë se kushdo tjetër në fushën e lojës. Do të vazhdojmë të punojmë me këtë ritëm deri në fundin e përgatitoreve në Ohër, që është data 6 gusht dhe më pas do të kthehemi për të vijuar punën në Korçë. Jam shumë i kënaqur edhe nga presidenca korçare, e cila ka qenë më shumë se korrekte me të gjithë lojtarët që ka sjellë te Skënderbeu.
Kjo më bën që të kem më shumë besim tek ekipi, që kemi për t’ia dalë në sezonin e ri. Mund të them se deri në ditën e fundit në Ohër ngarkesa stërvitore do të jetë e lartë, me përjashtim të ditëve që do të zhvillojmë ndeshje miqësore. Përveç Bylisit, kundërshtar me të cilin u ndeshëm sot (dje), ne kemi menduar të zhvillojmë të paktën edhe dy ndeshje të tjera miqësore. Më mirë se kaq nuk kishte se si të shkonte merkatoja për këtë Skënderbe.



